ATV

Author: G.O.

  • Kapet me thikë një nxënës në Prizren, policia jep detaje

    Kapet me thikë një nxënës në Prizren, policia jep detaje

    Policia ka njoftuar se një nxënës i shkollës “Xhavit Ahmeti” në Prizren është raportuar në Polici për armëmbajtje pa leje.

    Tek nxënësi është gjetur një thikë.

    Ai është intervistuar në prani të prindit dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

    “Është raportuar se një nxënës posedon mjet të mbrehtë. Thika është konfiskuar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është intervistuar në prani të prindit dhe është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

  • Viktima vdiq në vend të ngjarjes, policia jep detaje për aksidentin në Prizren që e shkaktoi një polic

    Viktima vdiq në vend të ngjarjes, policia jep detaje për aksidentin në Prizren që e shkaktoi një polic

    Një i moshuar dje humbi jetën pasi u godit me një veturë në Prizren, shoferi i së cilës ishte një polic.

    Në momentin e goditjes ai ishte duke e kaluar rrugën, tha policia.

    “Rr. Ismail Kryeziu, Prizren 07.11.2025 – 18:00. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, derisa ishte duke drejtuar automjetin e tij, ka goditur viktimën mashkull kosovar, i cili ishte duke kaluar rrugën. Si pasojë e lëndimeve, viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u trajtuar nga IPK”.

    IPK dje ka bërë të ditur se zyrtari policor ka qenë jashtë detyrës zyrtare dhe me veturë private, me të cilën edhe e ka shkaktuar aksidentin me pasoja fatale duke goditur një këmbësor.

  • I rrahu prindërit e tij dhe i largoi nga shtëpia, arrestohet një person në Drenas

    I rrahu prindërit e tij dhe i largoi nga shtëpia, arrestohet një person në Drenas

    Policia ka njoftuar se një person është arrestuar në Drenas pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht prindërit e tij e më pas i ka larguar nga shtëpia.

    Ngjarja ka ndodhur mbrëmë, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Gllogoc 07.11.2025 – 20:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht prindërit e tij të cilët edhe i ka  larguar nga shtëpia. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, tha policia në raportin 24-orësh.

  • Dy persona në pranga në Prishtinë, dyshohet se vodhën në një lokal

    Dy persona në pranga në Prishtinë, dyshohet se vodhën në një lokal

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona në rrugën “Haxhi Zeka” të Prishtinës, nën dyshimin se kanë kryer vjedhje në një lokal.

    Rasti është raportuar rreth orës 00:07 pas mesnate, dhe pas ndërhyrjes së njësive policore, të dyshuarit janë arrestuar në vendin e ngjarjes.

    Me vendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Rr. Haxhi Zeka, Prishtinë  07.11.2025 – 00:07. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, nën dyshimin se kanë kryer vjedhje në një lokal. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

  • Sëmundjet më të shpeshta të stomakut: Infeksione apo çrregullime që ndikojnë në tretje

    Sëmundjet më të shpeshta të stomakut: Infeksione apo çrregullime që ndikojnë në tretje

    Shkaqet e sëmundjeve të stomakut janë të ndryshme dhe mund të zhvillohen nga pezmatimi, infeksionet, sëmundjet kronike apo ndonjë gjendje tjetër themelore.

    Sëmundjet e stomakut përfshijnë infeksione ose çrregullime që ndikojnë në procesin e tretjes. Stomaku mund të preket për arsye të ndryshme, më së shumti për shkak të stil-it të jetesës, ushqyerjes, stresit dhe infeksioneve, që ndikojnë në funksionimin e tij.

    Ky organ ka rol qendror në tretje: ruan përkohësisht ushqimin, e përpunon me anë të acidit dhe enzimave tretëse, dhe e dërgon më tej në zorrën e hollë.

    Sëmundjet e stomakut mund të prekin mukozën, qelizat, muskujt apo nervat e tij.

    Dhimbja e barkut – shenja më e zakonshme e stomakut të sëmurë

    Shkaqet e sëmundjeve të stomakut janë të shumta dhe mund të lidhen me pezmatime, infeksione bakteriale apo virale, sëmundje të tjera të organeve të brendshme, ose edhe me çrregullime të tretjes. Simptomat më të zakonshme janë:

    • dhimbje barku,
    • nauze dhe ndjesi të përziera,
    • të vjella,
    • ndjesi fryrjeje dhe parehatie,
    • çrregullime në jashtëqitje.

    Këto simptoma zakonisht janë kalimtare, por kur bëhen të vazhdueshme apo kronike, ndikojnë në cilësinë e jetës dhe kërkojnë vlerësim mjekësor.

    Disa sëmundje janë të rënda, si kanceri i stomakut, ndërsa të tjera janë më të lehta dhe trajtohen me ndryshime në ushqyerje e terapi mjekësore.

    Në çdo rast, faktorë si ushqimi, stresi, ambienti dhe sëmundjet e tjera kronikemund të ndikojnë në ashpërsinë e simptomave.

    Problemet serioze të stomakut, të shoqëruara me gjakderdhje, nauze, të vjella, dhimbje të forta ose temperaturë, kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme mjekësore. Në këto raste, gastroenterologu është specialisti më i përshtatshëm për diagnostikim dhe trajtim, transmeton Telegrafi.

    5 sëmundjet më të shpeshta të stomakut

    Stomaku është një organ muskulor dhe pjesë e zgjeruar e traktit tretës që lidh ezofagun me zorrën dymbëdhjetëshe. Ai sekreton acidin klorhidrik dhe enzima tretëse, ndërsa tkurrjet e tij ndihmojnë përzierjen e ushqimit. Megjithëse është organ i qëndrueshëm, stomaku është shumë i ndjeshëm dhe mund të preket nga një sërë sëmundjesh. Më poshtë janë pesë prej tyre më të zakonshme:

    1. Refluksi gastroezofageal (Refluksi i acidit)

    Kjo është një gjendje ku përmbajtja e stomakut kthehet pas në ezofag apo në gojë. Refluksi i lehtë mund të ndodhë tek foshnjat, fëmijët apo të rriturit e shëndetshëm dhe zakonisht është kalimtar. Megjithatë, kur është i shpeshtë, ai mund të shkaktojë djegie, shije acidi në gojë dhe ndjesi të rëndë pas ngrënies.

    2. Sëmundja e refluksit gastroezofageal (GERD)

    Kur refluksi bëhet i shpeshtë dhe i dhimbshëm, flitet për GERD, një gjendje kronike që kërkon trajtim. Simptomat përfshijnë djegie në kraharor, vështirësi në gëlltitje, të vjella dhe ndonjëherë ndikim në zërin ose frymëmarrjen. Në raste të rralla, GERD mund të shkaktojë dëmtime të ezofagut dhe kërkon vlerësim mjekësor.

    3. Dispepsia (tretje e dobët)

    Një nga ankesat më të shpeshta gastrointestinale. Shfaqet me dhimbje të butë, djegie, ndjesi mbushjeje apo fryrje në stomak, zakonisht para ose pas ngrënies. Dispepsia shpesh shoqërohet me nauze, dobësi dhe djegie në kraharor. Zakonisht lidhet me stresin, ushqimin e tepërt, kafenë, duhanin apo alkoolin, dhe në raste kronike kërkon kontroll për gastrit ose ulcerë.

    4. Ulcera në stomak

    Është një nga sëmundjet më të zakonshme të stomakut. Shkaktohet kryesisht nga bakteri Helicobacter pylori ose përdorimi afatgjatë i barnave anti-inflamatore si aspirina e ibuprofeni. Simptoma tipike është dhimbja e vazhdueshme, e shurdhër, që përkeqësohet pas ngrënies dhe mund të zhduket për disa ditë e më pas të rikthehet. Në mungesë të trajtimit, ulçera mund të çojë në komplikime si gjakderdhje apo perforim të mukozës gastrike.

    5. Gastriti

    Gastriti është pezmatim i mukozës së stomakut dhe shpesh shkaktohet nga infeksioni me Helicobacter pylori, por edhe nga stresi i lartë, ushqimi irritues, apo përdorimi i shpeshtë i barnave kundër dhimbjeve. Simptomat përfshijnë djegie në kraharor, nauze, të vjella, ndjesi mbushjeje dhe rëndesë në pjesën e sipërme të barkutpas ushqimit. Nëse nuk trajtohet, gastriti mund të përparojë në ulcerë dhe në raste të rralla, në ndryshime të mukozës me rrezik onkologjik.

    Këshilla mjekësore:

    Për të mbajtur stomakun të shëndetshëm, këshillohet:

    • të kufizohen ushqimet me yndyrë, kafeina dhe alkooli,
    • të shmangen vaktet e mëdha dhe të shpejta,
    • të reduktohet stresi,
    • dhe të bëhen kontrolle periodike te gastroenterologu, sidomos nëse simptomat përsëriten.

    Stomaku është “motori” i tretjes – kujdesi ndaj tij është kujdes për gjithë trupin. /Telegrafi/

  • Ishte kamufluar si taksist dhe furnizonte grupet kriminale me armë, Policia publikon pamje nga arrestimi

    Ishte kamufluar si taksist dhe furnizonte grupet kriminale me armë, Policia publikon pamje nga arrestimi

    Një 46-vjeçar, shtetasi A.C ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi kishte armë zjarri pa leje, me të cilat furnizonte grupet kriminale.

    Në kuadër të këtij operacioni, janë sekuestruar 4 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, lëndë narkotike, kokainë.

    Në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit bëhet e ditur se 46-vjeçari i implikuar edhe më parë për të njëjtin aktivitet kriminal.

    “Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, si rezultat i një hetimi të ndjekur me metoda speciale, finalizoi operacionin policor të koduar ‘Gun Expert’.

    Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë, në Rrugën e Dibrës, shtetasi A. C., 46 vjeç, banues në Tiranë, teksa drejtonte automjetin tip taksi”, thuhet në njoftim.

    Gjatë kontrollit fizik, të automjetit dhe të banesës, iu gjetën 4 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale, lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme arme të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.

    Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i arëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe Shitja e Narkotikeve”. /Telegrafi/

  • 2025-ta ndër vitet më të nxehta në histori të regjistrimeve

    2025-ta ndër vitet më të nxehta në histori të regjistrimeve

    Sipas Organizatës Meteorologjike Botërore (WMO) viti 2025 pritet të jetë ndër vitet me temperatura më të larta të shënuar ndonjëherë.

    Konkretisht, viti i dytë ose i treti më i nxehtë në historikun e regjistrimeve.

    Kjo tregon për vazhdimin e tendencave jashtëzakonisht të larta të ngrohjes globale, duke shënuar një tjetër vit me temperatura rekord.

    Sipas raportit të WMO-së, periudha 2015–2025 përfshin secilin prej 11 viteve më të nxehta që nga fillimi i regjistrimeve mbi 176 vjet më parë.

    Ekspertët e WMO-së shpjegojnë se kjo ngrohje rekord shkaktohet kryesisht nga përqendrimet rekord të gazeve serrë dhe nga akumulimi i ngrohjes në oqeane.

    Akulli në dete dhe akullnajat po shkrihen me shpejtësi alarmante, ndërsa ngjarjet ekstreme të motit po shkaktojnë tronditje të thella shoqërore dhe ekonomike.

    Që nga viti 2015, zgjerimi i sistemit global për paralajmërim për shumë rreziqe (MHEWS) është mbi dyfishuar, por rreth 40 për qind e vendeve ende nuk kanë një sistem të tillë.

    Raporti i fundit i WMO-së synon të informojë konferencën COP30 dhe të mbështesë vendet në përpjekjet e tyre për të përforcuar rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike.

    Shërbimet klimatike janë vendimtare për të ruajtur jetë dhe për të mbrojtur ekonomitë nga efektet e rritjes së temperaturave globale.

    WMO paralajmëron se pa masa efektive për të ulur emetimet e gazeve serrë dhe për të përforcuar rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike, tendenca e ngrohjes ekstreme globale mund të vazhdojë, duke bërë vitet e ardhshme edhe më të nxehta.

  • Rundi i dytë i zgjedhjeve, nis shpërndarja e materialit zgjedhor për 18 komunat

    Rundi i dytë i zgjedhjeve, nis shpërndarja e materialit zgjedhor për 18 komunat

    Nesër, qytetarët e Kosovës në 18 komuna do të votojnë sërish për të zgjedhur kryetarët e rinj në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Ndërkohë, sot në orët e mëngjesit, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka nisur shpërndarjen e materialit zgjedhor për këtë proces.

    Komunat ku do të mbahet raundi i dytë janë: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.

    Zgjedhjet lokale janë mbajtur më 12 tetor, ndërsa në këto 18 komuna asnjë kandidat nuk arriti shumicën e nevojshme në raundin e parë, prandaj procesi po vazhdon në balotazh.

    KQZ ka njoftuar se të gjitha përgatitjet teknike janë drejt përfundimit. Po ashtu, në orën 11:00 KQZ do të mbajë mbledhjen e radhës, në të cilën do të shqyrtohet Plani Operacional për ditën e zgjedhjeve të nesërme.

  • Trump përjashton Hungarinë nga sanksionet ndaj energjisë ruse për një vit

    Trump përjashton Hungarinë nga sanksionet ndaj energjisë ruse për një vit

    Presidenti amerikan Donald Trump ka përjashtuar Hungarinë nga sanksionet energjetike ndaj Rusisë për një periudhë njëvjeçare, për shkak të varësisë së vendit nga importet e naftës dhe gazit rus, ka konfirmuar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

    Vendimi erdhi pas takimit të Trump me kryeministrin hungarez Viktor Orban në Uashington, ku të dy udhëheqësit diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet e sigurisë energjetike.

    Trump deklaroi se po shqyrtonte “një pagesë” për Orbanin, duke e cilësuar situatën energjetike të Hungarisë “shumë të vështirë”, pasi vendi nuk ka dalje në det dhe është i varur nga furnizimet ruse.

    Pas takimit, ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó njoftoi në rrjetin X se SHBA-të i kishin dhënë Budapestit “një përjashtim të plotë dhe të pakufizuar nga sanksionet mbi naftën dhe gazin”.

    Ky përjashtim përbën një fitore të rëndësishme për Orbanin, i cili më herët kishte paralajmëruar se sanksionet do të dëmtonin rëndë ekonominë hungareze.

    Vendimi vjen disa javë pasi SHBA kishin sanksionuar dy nga kompanitë më të mëdha ruse të naftës, duke paralajmëruar ndëshkime për vendet që vazhdojnë të blejnë prej tyre.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Gjatë dy ditëve të fundjavës, pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se temperaturat do të lëvizin nga 4 deri në 14 gradë Celsius.

    Më poshtë gjeni parashikimin e plotë të motit për vikend:

    Të shtunën parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje të kohë pas kohëshme shiu.
    Temperatura minimale do të lëvizin ndërmjet 4-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 10-13 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga veriperëndimi e lehte deri mesatare.

    Të dielën parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga verilindja me shpejtësi 1-5m/s.