ATV

Author: G.O.

  • Rrebeshe shiu e bubullima – parashikimi i motit për sot, paralajmërohet për vërshime e përmbytje

    Rrebeshe shiu e bubullima – parashikimi i motit për sot, paralajmërohet për vërshime e përmbytje

    Sot parashikohet të mbajë mot i vranët dhe me reshje shiu, të cilat herë pas here lokalisht pritet të jetë në formë të rrebesheve. Ka mundësi të ketë ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

    Si pasojë e reshjeve intensive, veçanërisht në disa pjesë të Rrafshit të Dukagjinit, pritet të ketë vërshime.

    Në zonat e larta malore, konkretisht në zonën perëndimore, veriperëndimore, veriore dhe verilindore, pritet të ketë reshje bore.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme lokalisht, me shpejtësi prej 15-44 km/h.

    Temperaturat do të pësojnë ulje, me minimale që do të lëvizin prej 9 deri në 12°C, ndërsa ato maksimale prej 11 deri në 13°C. Ulja e temperaturave do të ndodhë fillimisht paradite në veri të vendit, ndërsa me kalimin e orëve gjatë ditës kjo ulje do të shtrihet gradualisht edhe në jug të vendit.

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka dalë me një apel për qytetarët pas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik se në dy ditët e ardhshme mund të ketë vërshime dhe përmbytje.

    AME ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe koordinimin me institucionet relevante, teksa u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qarkullimit, të shmangin zonat me rrezik vërshimesh, dhe të raportojnë çdo situatë emergjente në numrin unik 112, shkruan Reporteri.net.

    “Duke u bazuar në të dhënat e pranuara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, parashihet që gjatë datave 18–19.11.2025 në vendin tonë të ketë reshje shiu, të cilat në disa zona pritet të jenë me intensitet të lartë. Këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta dhe rritje të nivelit të ujërave në disa lokalitete. Agjencia e Menaxhimit Emergjent, bazuar në mandatin dhe misionin e saj, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe koordinimin me institucionet relevante. Agjencia u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qarkullimit, të shmangin zonat me rrezik vërshimesh, dhe të raportojnë çdo situatë emergjente në numrin unik 112”, thuhet në njoftim.

    Në njoftimin e IHMK’së thuhet se reshjet më intenstive dhe përmbytjet e mundshme të menjëhershme parashihet të jenë rrjedha e mesme dhe e poshtme e Drinit të Bardhë, Bistrica e Prizrenit, Mirusha, Toplluha, Ereniku, Bistrica e Deçanit dhe disa rrjedha me karakter malor.

    “Sasia e reshjeve më shumë se 40 1/m2/24h. Shkaktim i përmbytjeve, problemeve në të gjitha aktivitetet e prodhimtarisë bujqësore, probleme në trafik dhe rreziku i rrëshqitjeve të dheut dhe balte. Rrezik për jetën e njerëzve dhe kafshëve, dëmtime të pronës”, theksohet në paralajmërimin e institutit.

  • Vizitë zyrtare: Ministri gjerman i Jashtëm Wadephul mbërrin sot në Kosovë

    Vizitë zyrtare: Ministri gjerman i Jashtëm Wadephul mbërrin sot në Kosovë

    Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, do të mbërrijë sot për vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të turit të tij katërditor në gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor.

    Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada gjermane në Prishtinë, e cila ka konfirmuar se qëllimi kryesor i vizitës është diskutimi për rrugën europiane të Kosovës dhe bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy vendeve.

    Vizita e kreut të diplomacisë gjermane vjen në një moment kyç për proceset integruese të Kosovës, ndërsa Berlini mbetet një nga mbështetësit më të fuqishëm të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

    Wadephul pritet të zhvillojë takime me udhëheqësit institucionalë, ku do të trajtohen çështje të sigurisë, reformave dhe forcimit të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

    Ambasada gjermane në Prishtinë ka ftuar qytetarët që ta ndjekin vizitën, duke e cilësuar atë një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe dhe në procesin integrues të Kosovës.

  • Rasti “Thaçi dhe të tjerët”, Clark vazhdon ditën e dytë të dëshmisë në Speciale

    Rasti “Thaçi dhe të tjerët”, Clark vazhdon ditën e dytë të dëshmisë në Speciale

    Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën, Wesley Clark, i cili dje nisi dëshminë në Gjykatën e Hagës në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, sot vazhdon ditën e dytë të dëshmisë në Gjykatën Speciale.

    Gjenerali amerikan, Clark dje gjatë dëshmisë së tij ka folur për takimin që ka pasur me Hashim Thaçin gjatë negociatave në Rambuje. Ai tha se Thaçi nuk ishte komandanti ushtarak.

    Clark, deklaroi se gabimet e tjerëve nuk duhet t’i atribuohen Hashim Thaçit. Për këtë të fundit ish-gjenerali i NATO-s, beson se nuk ka pasur kontroll mbi njerëz që kanë kryer akte dhune.

    Gjenerali Clark pritet të jetë dëshmitari i fundit, pas së cilës procesi do të kalojë në fazën përfundimtare të përmbylljeve nga palët, përpara shpalljes së vendimit nga trupi gjykues.

    Pas përfundimit të kësaj dëshmie, të mërkurën, më 19 nëntor, do të mbahet Konferenca për ecurinë e çështjes. Seanca e planifikuar paraprakisht për të premten, më 21 nëntor, është anuluar.

  • “Jam shumë e lumtur”, Distria Krasniqi flet pas të artës që fitoi në Kroaci

    “Jam shumë e lumtur”, Distria Krasniqi flet pas të artës që fitoi në Kroaci

    Distria Krasniqi ndezi sërish skenën e xhudos. Xhudistja kosovare, fituese e dy medaljeve olimpike, shkëlqeu të premten në Grand Prixin e Zagrebit, ku u shpall kampione në kategorinë deri 52 kilogramë – një rikthim i fuqishëm pas mungesës së gjatë në gara.

    Triumfi në Zagreb është veçanërisht i rëndësishëm për Krasniqin. Për faqen zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, ajo tha se “kam kujtime të mira nga Zagrebi. Këtu jam bërë kampione evropiane. Më pëlqen këtu. Është edhe afër kështu që është mirë gjithmonë”, duke treguar lidhjen e veçantë që ka me këtë qytet.

    Në finale, kosovarja u përball me hungarezen Reka Pupp, një rivale që e njeh mjaft mirë. Pas 2 minutash e 26 sekondash luftë, Krasniqi realizoi një aksion të bukur për “Ippon”, duke e mposhtur për të dhjetën herë në njëmbëdhjetë ndeshje.

    “I them Reka Puppit faleminderit për luftën. Mendoj se kemi pasur shumë përballje, nuk e mbaj mend se sa. Ndoshta në secilën garë është dashur të përballemi me njëra-tjetrën. Gjithmonë është luftë e vështirë. Njësoj ishte edhe kjo e fundit. E respektoj atë shumë, është xhudiste me personalitet shumë të mirë”, u shpreh Krasniqi pas finales.

    Kjo ishte gara e parë e saj pas 13 qershorit, kur doli nënkampione e botës në Hungari. Për një sportiste me ritëm të ngjeshur garash, pauza gjashtëmujore ishte e pazakontë.

    Ajo e pranoi vetë se “jam shumë e lumtur. Për një kohë të gjatë nuk kam garuar. Nuk më ka ndodhur që të mos garoj për gjashtë muaj, vetëm pas Olimpiadës. Kështu që për mua ishte ditë e mirë. Kam stërvitur shumë dhe mendoj se suksesi është rezultat i punës së madhe pas Kampionatit Botëror. Jam e lumtur që jam në formë të mirë”.

    29-vjeçarja tashmë numëron tetë medalje të arta në nivel Grand Prix. Këtë vit ajo ka fituar të bronztën në Grand Slamin e Parisit, të argjendtën në Grand Prixin e Austrisë dhe të artën në Kampionatin Evropian, ndërsa triumfi në Zagreb forcon edhe më shumë statusin e saj në kategorinë 52 kg.

    Në fund, Krasniqi theksoi se suksesi nuk ndodh rastësisht, por është rezultat i përkushtimit të gjithë ekipit, i cili punon vazhdimisht për detajet. Ajo shtoi se kjo qasje është arsyeja pse xhudoja kosovare mbetet “spektakolare”.

    Të premten në Zagreb garoi edhe Flaka Loxha, e cila u rendit e pesta. Dardan Cena u ndal në luftën e dytë të shtunën, ndërsa të dielën do të garojnë Anes Veseli dhe Shpati Zekaj.

  • Nesër OKB-ja voton për planin e Trumpit për Gazën

    Nesër OKB-ja voton për planin e Trumpit për Gazën

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të votojë të hënën për një rezolutë që mbështet planin e paqes së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në Gaza.

    Javën e kaluar, amerikanët nisën zyrtarisht negociatat brenda Këshillit të Sigurimit prej pesëmbëdhjetë anëtarësh mbi një tekst që mbështeste planin e Trumpit për periudhën pas armëpushimit në luftën dyvjeçare midis Izraelit dhe Hamasit.

    Një projektrezolutë e parë “mirëpret krijimin e Komitetit të Paqes”, një organ qeverisës kalimtar për Gazën, ndoshta i kryesuar nga Trump me një mandat deri në fund të vitit 2027.

  • AAK: S’ka koalicion me VV e as votë për Konjufcën, duam zgjedhje të reja

    AAK: S’ka koalicion me VV e as votë për Konjufcën, duam zgjedhje të reja

    Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka thënë se pas mbledhjes së Kryesisë së partisë të enjten e kësaj jave, qëndrimi i prerë i AAK-së ka qenë se duhet të shkohet në zgjehdje të reja parlamentare.

    Xhemaili ka thënë se AAK s’ka vota për Konjufcën dhe se s’bën koalicion me LVV-në.

    Këtë reagim ai e ka bërë pasi një prej anëtarëve të Kryesisë së AAK-së, Besnik Krasniqi, ka përmendur idenë e bërjes së Ramush Haradinajt president.

    “AAK ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë të enjten, ku ka dalë me qëndrim të prerë, rrugëdalja e vetme nga gjendja në të cilën ndodhet vendi është shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Të gjithë ata që dalin në publik me ide të tjera, së pari është dashur t’i prezantojnë në mbledhje të Kryesisë, sikurse rasti i z. Besnik Krasniqit, i cili ka munguar në atë takim”.

    “Nuk ka koalicion me VV, nuk kemi votë për Konjufcën dhe askënd nga radhët e tyre”, ka shkruar Xhemaili.

  • A po paralajmëron një projekt të ri? Postimi i Drake me flamurin shqiptar nxit reagime të shumta në rrjetet sociale

    A po paralajmëron një projekt të ri? Postimi i Drake me flamurin shqiptar nxit reagime të shumta në rrjetet sociale

    Reperi kanadez Drake ka ndezur rrjetet sociale me një seri fotosh të reja, por veçanërisht një imazh ka tërhequr vëmendje të madhe.

    Në këtë foto, një grup burrash janë ulur rreth një tavoline pokeri, të veshur me xhaketa të kuqe që mbajnë shqiponjën dykrenare – simbol identifikues i Shqipërisë.

    Ambienti i errët, drita e ulët dhe estetika e një skene të ngjashme me “film gangsterësh” i kanë shtuar edhe më shumë intrigë postimit. Ndryshe nga fotot e tjera të publikuara, ky imazh ka shkaktuar diskutime mes fansave për kuptimin e përdorimit të simbolikës shqiptare.

    Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një referencë kulturore, artistike apo thjesht një zgjedhje stilistike, por fakti se Drake e ka përfshirë këtë simbol ka tërhequr menjëherë vëmendjen.

    Reperi e ka shoqëruar serinë e fotove me mbishkrimin “Mbetet akoma personale…”, një frazë enigmatike që ndjek linjën e tij të zakonshme. Kjo ka nxitur spekulime se Drake mund të jetë duke paralajmëruar një projekt të ri muzikor, duke përdorur imazhe të forta vizuale për të krijuar atmosferë dhe pritshmëri tek fansat.

    Përdorimi i elementeve të tilla identitare dhe skenave dramatike është bërë tashmë pjesë e estetikës promovuese të reperit, ndërsa ai nuk ka dhënë asnjë shpjegim shtesë për kuptimin e fotove.

    Kjo strategji enigmatike shpesh ka sjellë vëmendje edhe më të madhe dhe ka nxitur interpretime të shumta mes ndjekësve në rrjetet sociale. /Telegrafi/

  • Mbahet trajnim i përbashkët mes pilotëve të Forcës Ajrore të Shqipërisë dhe FSK-së, ministri Vengu publikon pamje

    Mbahet trajnim i përbashkët mes pilotëve të Forcës Ajrore të Shqipërisë dhe FSK-së, ministri Vengu publikon pamje

    Pilotët e Forcës Ajrore Shqiptare dhe ata të Forcës së Sigurisë së Kosovës po zhvillojnë një trajnim të përbashkët, i cili synon rritjen e gatishmërisë operacionale dhe shkëmbimin e përvojave mes tyre.

    Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka bërë të ditur se ky angazhim vjen si pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes në raste emergjente.

    Kapiteni i forcës ajrore shqiptare, Atdhe Hasani, u shpreh se ky trajnim u mundëson pilotëve të thellojnë përvojat dhe të përmirësojnë reagimin në situata të vështira.

    “Prezenca këtu na bën që të bëjmë shkëmbimin e përvojave dhe na mëson se si duhet të reagojmë në rast të emergjencave apo operacioneve”, deklaroi ai.

  • OpenAI po teston bisedat në grup për ChatGPT

    OpenAI po teston bisedat në grup për ChatGPT

    OpenAI ka nisur testimin pilot të “chat” në grup brenda ChatGPT në Japoni, Korenë e Jugut, Tajvan dhe Zelandën e Re.

    Si në aplikacionet e mesazheve, mund të krijosh biseda me miqtë ose familjen – por në këtë rast, ChatGPT është pjesë e bisedës.

    Chatbot-i mund të të ofrojë ide: për shembull, ndihmon për planifikimin e pushimeve, projekteve të rinovimit, ose zgjedhjen e një restoranti për mbrëmje.

    Funksioni mund të përdoret edhe për bashkëpunime me kolegë: ChatGPT mund të përgatisë raporte bazuar në shënime që ju dhe bashkërenduesit i ndani.

    Për të nisur një grup‑chat, klikoni ikonën me figura njerëzish në cepin e djathtë lart në një bisedë ekzistuese. Më pas mund të ftoni deri në 20 persona, që duhet të krijojnë profil me emër, përdorues dhe foto.

    Në biseda ku dikush është nën 18 vjeç, chatbot automatikisht kufizon përmbajtjen e ndjeshme.

    Përgjigjet në chat-et grupore gjenerohen nga modeli GPT‑5.1 Auto, që zgjedh vet se cilin model t’ju përdorë sipas pyetjes.

    OpenAI thotë se ka „mësuar“ chatbotin të kuptojë kur duhet heshtur ose kur duhet përgjigjur, por përdoruesit mund të thërrasin ChatGPT duke përmendur emrin e tij në bisedë.

    Kompania planifikon të përmirësojë funksionin bazuar në reagimet e përdoruesve para se ta bëjë gjerësisht të disponueshëm. /Telegrafi/

  • Paralajmërohet shtrenjtim i produkteve kosovare në dimër

    Paralajmërohet shtrenjtim i produkteve kosovare në dimër

    Çmimet e rrymës për kompanitë prodhuese, pas liberalizimit të tregut të energjisë, janë rritur deri në 300 për qind, duke e bërë prodhimin më të kushtueshëm.

    Prodhimet vendëse po bëhen më të shtrenjta sesa produktet e importuara nga rajoni dhe Evropa, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

    Ai pohon se pas qershorit, disa kompani kanë zhvendosur fokusin nga zgjerimi i prodhimit në mbijetesë, duke kërkuar shpëtim te panelet diellore. Madje, disa janë mbyllur, e disa kanë zvogëluar kapacitetet prodhuese.

    Në muajt e dimrit pritet kulmi i vështirësive, ndërsa paralajmërohet edhe ngritje e çmimeve të produkteve.

    “Efektet e kësaj do t’i vërejmë gjatë muajve nëntor, dhjetor dhe janar kur është edhe piku i konsumit të energjisë elektrike”, u shpreh Rafuna.

    Për të lehtësuar gjendjen e bizneseve prodhuese, Rafuna shprehet se qeveria duhet të ndërhyjë me subvencione apo masa fiskale.