ATV

Author: G.O.

  • LDK-ja bojkoton seancën ku synohet miratimi i disa projektligjeve, merr pjesë vetëm në atë për formimin e qeverisë

    LDK-ja bojkoton seancën ku synohet miratimi i disa projektligjeve, merr pjesë vetëm në atë për formimin e qeverisë

    Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00 i thirrur nga Kuvendi i Kosovës, ku pritet të votohen marrëveshjet ndërkombëtare e projektligje buxhetore që kërkojnë proces serioz e konsultim.

    “LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”, thuhet në komunikatë për media.

    Ndërsa në seancën e thirrur për në orën 14:00 ku pritet të testohet a i ka apo jo numrat mandatari i dytë i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, LDK-ja ka konfirmuar pjesëmarrjen.

    Komunikata e plotë:

    Lidhja Demokratike e Kosovës refuzon mënyrën e papërgjegjshme me të cilën Vetëvendosja po tenton, sërish, të përdorë institucionet e Republikës si instrument të lojërave të saj politike.

    Prej tetë muajsh, vendi mbahet në pasiguri politike nga të njëjtët që sot paraqesin si urgjencë atë që vetë e kanë zvarritur. E njëjta logjikë u pa edhe me zvarritjen 15 ditore të mandatarit pa numra, një proces i humbur që nga fillimi dhe i përdorur vetëm për propagandë.

    Po të kishin vullnet për krijimin e shumicës parlamentare, konsultimet do të ishin bërë me kohë dhe me të gjitha partitë. Qëllimi nuk ka qenë shumica, por materiali elektoral, mbajtja peng e vendit dhe prodhimi i skenave të radhës.

    Agjenda e seancës së orës 11:00 përfshin marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces serioz e konsultim. LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate.

    LDK do të marrë pjesë vetëm në seancën e orës 14:00, sapo të pranojmë ftesën dhe rendin e ditës për çështjen e mandatarit, në përputhje me bindjet, vlerat dhe besimin e votuesve tanë.

    LDK mbetet e përkushtuar ndaj rendit, ligjshmërisë dhe stabilitetit të Republikës. Nuk bëhemi pjesë e skenarëve populistë dhe të krizave të fabrikuara për interesa zgjedhore.

  • Problemet globale të internetit, Cloudflare sqaron ndërprerjen: Nuk ka pasur sulm

    Problemet globale të internetit, Cloudflare sqaron ndërprerjen: Nuk ka pasur sulm

    Gjatë ditës së sotme, një pjesë e madhe e internetit ka pësuar ndërprerje, duke prekur platforma botërore. Probleme të tilla u shfaqën edhe në gazetat online të Kosovës, ku qasja dhe funksionimi i tyre nuk ishin të mundur.

    Kompania teknologjike Cloudflare, një nga shtyllat kryesore të infrastrukturës së internetit, ka dalë me sqarime, duke mohuar se bëhej fjalë për sulm kibernetik.

    Nga kompania është thënë se problemet u shfaqën për shkak të një “ndërprerjeje në gjigantin e infrastrukturës së internetit Cloudflare”, të cilën e identifikuan që në mëngjes.

    Shefi i teknologjisë në Cloudflare, Dane Knecht, tha se problemet u shkaktuan nga një “bug latent” në sistemet që mbështesin mbrojtjen nga bot-et, i cili u aktivizua pas një ndryshimi rutinë konfigurimi.

    “Ky gabim filloi të shkaktonte kolaps në rrjet dhe degradim të gjerë të shërbimeve. Nuk ka qenë sulm,” deklaroi Knecht, duke shtuar se kompania i ka zhgënjyer klientët dhe po punon që situata të mos përsëritet.

    Cloudflare njoftoi se ka zbatuar një zgjidhje dhe se shërbimet po rikthehen normalisht, megjithëse disa përdorues mund të përballen ende me vështirësi në qasje.

    Ndërprerja e sotme vjen vetëm pak javë pas një problemi të ngjashëm në Amazon Web Services (AWS), duke rikthyer debatin mbi varësinë globale nga një numër i vogël kompanish teknologjike. Cloudflare aktualisht përdoret nga rreth 20% e të gjitha faqeve të internetit në botë.

  • Kryediplomati gjerman porosi Serbisë: Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, kyç për rrugën drejt BE-së

    Kryediplomati gjerman porosi Serbisë: Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, kyç për rrugën drejt BE-së

    Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Johann Wadephul, tha këtë mëngjes në Beograd se Serbia do të vendosë se cilën rrugë do të ndjekë në zgjedhje dhe se nuk ka dyshim se kjo do të jetë e mundur.

    Ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, tha pas takimit me homologun e tij gjerman, se Serbia dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur, kryediplomati gjerman tha se se përparimi në dialogun me Kosovën është thelbësor në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se Marrëveshja e Ohrit është e detyrueshme për të dyja palët.

    Ai theksoi se Marrëveshja e Ohrit është e detyrueshme dhe se të dyja palët duhet ta zbatojnë atë.

    Wadephul pritet të qëndrojë sot në Kosovë, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani fillimisht, dhe pastaj me kryeministrin Kurti.

     

  • Albin Kurti uron Bedri Hamzën për zgjedhjen kryetar i PDK-së

    Albin Kurti uron Bedri Hamzën për zgjedhjen kryetar i PDK-së

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka shprehur urimet e tij Bedri Hamzës pas zgjedhjes në krye të Partisë Demokratike të Kosovës.

    Përmes një postimi, Kurti theksoi rëndësinë e proceseve të rregullta zgjedhore brenda partive politike dhe nevojën për bashkëpunim ndërpartiak në funksion të interesit publik.

    “Proceset zgjedhore brenda partisë, por edhe bashkëpunimi i ndërsjellë i spektrit të gjerë politik, çdo herë në të mirë të interesit publik, janë parime themelore për funksionimin dhe avancimin e shtetit tonë”, u shpreh Kurti.

    Ai shtoi se do të vazhdojë angazhimin për bashkëpunim korrekt me të gjitha subjektet politike, në përputhje me vullnetin e qytetarëve dhe me përgjegjësitë që kërkon shërbimi ndaj Republikës.

  • Kërcënohet gjyqtari në Fushë Kosovë, arrestohet i dyshuari

    Kërcënohet gjyqtari në Fushë Kosovë, arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar të hënën në Fushë Kosovë, nën dyshimin se ka kanosur një gjyqtar gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, incidenti ka ndodhur të hënën rreth orës 14:32, në rrugën “Tahir Zemaj”. I dyshuari, një mashkull kosovar, dyshohet se ka kërcënuar gjyqtarin që po udhëhiqte procesin gjyqësor ndaj djalit të tij. Menjëherë pas kanosjes, ai është arrestuar nga njësitë policore të pranishme në gjykatë.

    Policia njofton se, me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe rasti po vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.

    Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera rreth motivit apo natyrës së kërcënimit, ndërsa hetimet pritet të zbardhin rrethanat e plota të ngjarjes.

  • Dogana dhe Policia godasin kontrabandën në Leposaviq, sekuestrohen mallra me vlerë rreth 7 mijë euro

    Dogana dhe Policia godasin kontrabandën në Leposaviq, sekuestrohen mallra me vlerë rreth 7 mijë euro

    Një automjet i ngarkuar me mallra kontrabandë është ndaluar dje pasdite në fshatin Junake të Leposaviqit.

    Njësitet e Doganës dhe Policisë kanë intervenuar pas identifikimit të veturës, e cila kishte shfrytëzuar rrugët e paautorizuara të vijës së gjelbër për të hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.

    Gjatë kontrollit të detajuar fizik, brenda automjetit janë zbuluar rreth 600 kilogramë djathë, sasi të konsiderueshme tekstili dhe medikamente të ndryshme. Sipas vlerësimeve fillestare nga autoritetet, totali i këtyre mallrave të padeklaruara kap shifrën e përafërt prej 7 mijë eurove.

    Pas konstatimit të shkeljes, i gjithë malli është sekuestruar menjëherë dhe janë iniciuar procedurat përkatëse ligjore.

  • Goditi me veturë policin pasi i shqiptoi gjobë, arrestohet një person në Gjakovë

    Goditi me veturë policin pasi i shqiptoi gjobë, arrestohet një person në Gjakovë

    Një person është arrestuar në Gjakovë gjatë pasdites të së hënës, pasi dyshohet se ka goditur me veturë një polic në rrugën “Skënderbeu”.

    Incidenti ka ndodhur menjëherë pasi zyrtari kishte shqiptuar një gjoBë për parkim të parregullt.

    Sipas Policisë, i dyshuari është revoltuar pas gjobës dhe e ka goditur në këmbë zyrtarin policor gjatë tentimit për t’u larguar.

    Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

    Ndërkohë, njësitet patrulluese kanë ndalur dhe arrestuar të dyshuarin brenda pak minutash.

    Pas intervistimit, dhe me vendim të prokurorit të rastit, personi është dërguar në mbajtje.

  • I mituri raportohet i zhdukur në Prishtinë, nëna e denoncon pas tetë ditësh

    I mituri raportohet i zhdukur në Prishtinë, nëna e denoncon pas tetë ditësh

    Një djalë i mitur në Prishtinë është raportuar i zhdukur nga nëna e tij, e cila ka njoftuar Policinë se tash e tetë ditë nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

    Rasti është evidentuar në rrugën “Bill Klinton”, ku familjarët kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve.

    Sipas detajeve të raportit policor, i mituri ka dalë nga shtëpia më 10 nëntor dhe prej asaj dite nuk është kontaktuar.

    Ndërkohë, nëna ka raportuar rastin më 17 nëntor, e cila ka deklaruar se djali i saj nuk është kthyer që nga 10 nëntori dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij.

  • Policia shqipton mbi 2 mijë trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia shqipton mbi 2 mijë trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia e Kosovës ka shqiptuar 2050 gjoba për kundërvajtësit e trafikut brenda 24 orëve të fundit.

    Në 24 orët e fundit janë raportuar 26 aksidente trafiku me dëme materiale, 19 aksidente trafiku kanë përfunduar me të lënduar, transmeton KosovaPress.

    Policia e Kosovës ka arrestuar 28 persona, 14 janë dërguar në mbajtje, kurse 3 persona janë në vuajtje të dënimit.

  • “UÇK-ja nuk ka kryer spastrim etnik”, Clark: Unë nuk kam prova e as dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj

    “UÇK-ja nuk ka kryer spastrim etnik”, Clark: Unë nuk kam prova e as dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj

    Ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë, Wesley Clark po vazhdon dëshminë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

    Clark i mbetet besnik deklaratave të mëparshme se dhunën në verën dhe vjeshtën e vitit 1999 në Kosovë e shihte si një konflikt shumë personal mes fqinjëve, për të cilën udhëheqësit e UÇK-së nuk kishin përgjegjësi.

    I pyet për një deklaratë në gazetën Shekulli në vitin 1999, ku kishte thënë se nuk kishte prova se UÇK-ja ka kryer spastrim etnik të serbëve, Clark tha: “Unë nuk kam prova e as dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj, por kam indikacione që dëshmojnë të kundërtën”.

    Clark po i referohej pretendimeve të asaj kohe për dëbimin e rreth 170.000 serbëve.