ATV

Author: G.O.

  • Vlera e Bitcoin bie për 2.3%, në nivelin më të ulët në gjashtë muajt e fundit

    Vlera e Bitcoin bie për 2.3%, në nivelin më të ulët në gjashtë muajt e fundit

    Bitcoin ra në nivelin më të ulët në gjashtë muaj të premten, ndërsa një shitje e gjerë e aseteve me risk u thellua mes shpresave të zbehta se Rezerva Federale do të ulë normat e interesit të ShBA-së në takimin e saj të ardhshëm të politikave.

    Megjithatë, shitja e aksioneve të ShBA-së u lehtësua pak në pasdite përpara fundjavës, por investitorët qëndruan në ankth ndërsa përgatiteshin për një mori të dhënash ekonomike javën e ardhshme pas rihapjes së qeverisë pas një mbylljeje rekord 43-ditore, shkruan Reuters.
    “Bitcoin dhe kriptovalutat në përgjithësi kanë gëzuar një korrelacion pozitiv me kohërat e mira në aksione, kështu që nuk janë bërë një aset me vlerë alternative për t’u mbrojtur nga frika në sektorë të tjerë”, tha Juan Perez, drejtor i tregtimit në Monex USA në Uashington.

    Asetet e rrezikshme në përgjithësi janë vënë nën presion ditët e fundit, pasi pritjet për një ulje të normës nga Rezerva Federale muajin e ardhshëm janë zvogëluar, ndërsa një numër në rritje i politikëbërësve sinjalizuan një prirje për të mos e lehtësuar politikën.

    Presidenti i Rezervës Federale të Kansas City-t, Jeffrey Schmid, një votues në Komitetin Federal të Tregut të Hapur që përcakton politikat, ishte zyrtari i fundit i bankës qendrore që shprehu dyshime për një ulje të normës në dhjetor. Ai tha të premten se shqetësimet e tij për inflacionin “shumë të lartë” shkojnë përtej efekteve të ngushta të tarifave vetëm.

    Bitcoin, kriptomonedha më e madhe në botë, ra për me 2.3%, pra në 96,564 dollarë, e më parë kishte rënë në 95,885.33 dollarë, niveli më i ulët që nga 7 maji.

  • Fillon numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës

    Fillon numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës

    Para pak minutash ka filluar numërimi i fletëvotimeve me votat e diasporës.

    Numërimi i votave me postë që dje u paralajmërua se do të fillonte sot në orën 10:00.

    Lajmin të ditur në një konferencë për media e ka bërë të ditur vetë Valmir Elezi, zëdhënësi i KQZ-së.

    Elezi shtoi se në fund të këtij procesi të vlerësimit, do të publikohen të dhënat për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

  • FSK-ja kryen stërvitje në Gërmi, Maqedonci: Disiplina dhe përkushtimi i tyre janë frymëzim i vërtetë

    FSK-ja kryen stërvitje në Gërmi, Maqedonci: Disiplina dhe përkushtimi i tyre janë frymëzim i vërtetë

    Forcat e Sigurisë së Kosovës mëngjesin e sotëm kanë filluar të kryejnë një stërvitje ushtarake në parkun e Gërmisë në Prishtinë.

    Njoftimin e ka bërë ditë më parë Komuna e Prishtinës, teksa u tha se nuk ka arsye për shqetësim.

    “Ju njoftojmë se FSK – Forca e Sigurisë së Kosovës, bazuar në planin e saj të stërvitjeve, më 15 nëntor 2025 do të realizojë një stërvitje ushtarake, marshim kondicional në zonën e Gërmisë”, u tha në njoftimin e komunës.
    Megjithatë, një postim e bëri edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ai që postoi disa foto gjatë kësaj stërvitjeje.

    “Ecja ime e zakonshme në Gërmi sot mori një energji krejt tjetër – një pjesë të rrugës e bëra së bashku me kadetët e Akademisë Ushtarake të FSK-së, oficerët e ardhshëm që po realizonin marshin kondicional 13 km ‘Shtegu i Lavdisë’. Disiplina dhe përkushtimi i tyre janë frymëzim i vërtetë”, shkroi Maqedonci.

  • “Asnjë cent për shoqatat e luftës” – Gucati akuzon Qeverinë: Ka 5 vite që nuk ndan mjete për shoqatat e dala nga lufta

    “Asnjë cent për shoqatat e luftës” – Gucati akuzon Qeverinë: Ka 5 vite që nuk ndan mjete për shoqatat e dala nga lufta

    Shoqatat e dala nga lufta nuk janë përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2026, kështu deklaroi kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, duke akuzuar Qeverinë se për më shumë se karët vjet radhazi nuk i ka alokuar asnjë mjet për organizatat e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve.


    Përveç mungesës së fondeve, ai tha se janë ndaluar edhe trajtimet dhe rehabilitimet jashtë vendit për anëtarët e këtyre shoqatave, raporton Ekonomia Online.


    Ai tha se në më shumë se pesë vitet e fundit këto shoqata nuk kanë marrë asnjë mbështetje financiare dhe po mbijetojnë vetëm me ndihmën e anëtarësisë dhe të njerëzve me vullnet të mirë.


    “Shoqata e dala nga lufta, jo vetëm organizata e veteranëve, por edhe shoqata e invalideve dhe dëshmorëve, në bazë të informacioneve të sakta, për buxhetin e 2026 nuk na ka futur në buxhet hiq. Jo vetëm këtë vit, por që pesë vite qeveria në ikje apo qeveria në detyrë Albin Kurti që pesë vite nuk e kanë dhënë as një parë për shoqata e dalur nga lufta. Ne e kemi pasur një buxhet 48 mijë euro që ka qenë që çdo qeveri e ka ndarë për neve. Që pesë vite kjo qeveri nuk ka ndarë asnjë cent, ne mbijetojmë me anëtarësi dhe me njerëz të vullnetit të mirë që na ndihmojnë”, tha ai.


    Gucati shtoi se qeveria ka ndaluar gjithashtu edhe shërimin jashtë vendit dhe rehabilitimin e invalidëve dhe veteranëve.


    “Kjo qeveri është duke gabuar shumë, na ka ndaluar edhe mjete, kjo qeveri asnjë njeri nuk e dërgon më shëruar jashtë. Kjo qeveri nuk ka dërguar as rehabilitimin që e kemi pasur nëpër banjë shëruese, asnjë invalid, asnjë veteran, asnjë familje e dëshmorit deri sot kjo qeveri nuk e ka dërguar në banjë. Çka është më e keqja se i ka ndaluar të gjitha, më e keqja është që shërimin na ka ndaluar, se ne invalidët e kemi me ligj. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë e kanë në mënyrë obligative me na dërguar me na shëruar neve jashtë vendit që kemi nevojë, me komision kuptohet nga QKU-ja. Le të del kjo qeveri të thotë tre invalidë që i ka dërguar që të shërohen jashtë vendit, ndonjë veteran, një nënë të dëshmorit apo një baba, deri më sot jo. Kjo qeveri nuk e di çka mendon, kjo duhet me ditë se me gjakun e tyre është ardhur sot në pushtet, jo vetëm kjo por gjitha qeveritë”, tha ai.


    Gucati kërkoi nga ekzekutivi përfshirjen e tri shoqatave në buxhetin e 2026 dhe rikthimin e fondeve për shpenzimet themelore të organizatave.


    “Sot qeveria nuk e kthen kokën nga ne, kurrë në jetën e 5 viteve asnjë lek nuk e ka dhënë as për shoqatat e invalideve, as dëshmorëve, as për një. Kështu që unë i kisha bërë thirrje qeverisë që me na fut neve në buxhetin e 2026, që të ndajë mjete për tri shoqata e dala nga lufta. Nuk po kërkojmë luks, por vetëm mbulimin e shpenzimeve tona që harxhohen nga organizata e dala nga lufta: rryma, uji, flamujt nëpër varreza të dëshmorëve, shpenzimet e rrugëtimit që kemi jashtë vendit. Këto jemi duke i kërkuar, asgjë më shumë nuk kërkojmë, as nuk kërkojmë paga, vetëm këto me një projekt që bëjmë, me një plan që e dorëzojmë edhe ajo ka qenë shumë 48 mijë euro përpara, e prapë këtë vit nuk e ka futur në buxhet për 2026”, tha ai.


    Ai tha se gjendja e veteranëve dhe invalidëve është e vështirë, jo vetëm materiale, por edhe shëndetësore dhe mendore.


    “Gjendja e tyre nuk është e mirë, edhe materiale, edhe shëndetësore, edhe që besa mendore, se na kemi nevojë. Unë kam nevojë që të shkojnë te psikologu dhe psikiatri, nuk është marrë me shku as këto nuk i kemi nga kjo qeveri që të bëjmë një rehabilitim. Nuk është gjendje e mirë më së pari shëndetësore, kemi shumë invalid, shumë veteranë që kanë nevojë të dalin jashtë vendit për shërim. Në vet QKU nuk paguajmë pesë euro, vetëm aty jemi të liruar, krejt të tjerat duhet që t’i blejmë. Ky është turp i madh i kësaj qeverie që i ka ndaluar këto. Kemi shumë shokë tanë që ju ka refuzuar shërimi jashtë vendit, kjo qeveri nuk i ka dërguar që t’i shërojnë. Tash ka filluar me disa proteza dikur rreth 40 veta që kanë filluar që t’u ndërrojnë protezat e gjymtyrëve, që pesë vite, ata kanë nevojë me i ndërru protezat çdo vit apo çdo dy vite. Tash ka filluar edhe ato me ndihmën e Katarit, presidentja ka bërë një marrëveshje, Vjosa Osmani ka bërë një marrëveshje me Katarin. Shteti jonë e ka obligim, e obligon ligji, e obligon kushtetuta, që ne t’i kemi rehabilitimin apo shërimin jashtë vendit. Është me ligj e obliguar që këto kategori 100 për qind është e invalidit, 70 për qind veteran dhe 70 për qind është familja e dëshmorit që shërimin jashtë vendit shpenzimet t’i mbulojë qeveria apo ministria përkatëse”, tha ai.

  • A do të kualifikohemi për Kupën e Botës? Sonte ndeshja vendimtare

    A do të kualifikohemi për Kupën e Botës? Sonte ndeshja vendimtare

    Dardanët sonte do të përballen me Slloveninë në kërkim të tre pikëshit që na shtyn drejtë Kupës së Botës.

    Padyshim, kjo e sotmja është prej ndeshjeve më të rëndësishme histori që prej pranimit në UEFA me të cilën do të përballen djelmoshat e kombëtares.

    Edhe qoftë barazim në Ljublanë, Kosovës i siguron Play Offin për Botërorin 2026.

    Kosova nuk ka probleme me lëndime, përderisa te Sllovenia pritet të mungojë Benjamin Sesko, sulmuesi i Manchester United.

    Para ndeshjes dje kanë folur edhe trajneri Franco Foda dhe sulmuesi Vedat Muriqi.

    Foda ka thënë se presin fitore.

  • Ditë me diell dhe mot i qetë, temperaturat shkojnë deri në 17°c

    Ditë me diell dhe mot i qetë, temperaturat shkojnë deri në 17°c

    Dita e sotme parashihet të jetë kryesisht ditë me diell.

    Në orët e para të mëngjesit në vend parashihet që lokalisht të ketë mjegull, kryesisht në lugina dhe ultësira. Ndërsa vranësirat e ulëta apo mjegulla që ka përfshirë pjesën më të madhe të Rrafshit të Dukagjinit, mund të mbetet e pranishme edhe gjatë ditës.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, me shpejtësi prej 5-19 km/h. Temperaturat minimale prite të lëvizin prej -1 deri në 4°C, ndërsa ato maksimale prej 13 deri në 17°C.

  • Ndeshja e sotme, flet selektori i Sllovenisë: E respektojmë shumë kualitetin që ka Kosova

    Ndeshja e sotme, flet selektori i Sllovenisë: E respektojmë shumë kualitetin që ka Kosova

    Para takimit jetik për të dy kombëtaret, foli selektori i Sllovenisë, Matijaz Kek.

    Ai ka thënë se Kosova ka kualitet, teksa kërkon ndihmën e tifozëve në stadium.

    “Kjo ndeshje ka rol të madh pasi është fundi i kualifikimeve. Duhet të jemi të vetëdijshëm që në stadiumin e stërmbushur, të kemi përgjegjësi. E respektojmë shumë kualitetin që ka Kosova, por ne mendojmë për gjërat tona pozitive. Jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë që i kemi. Uroj të kemi ndihmën e tifozëve. Këto janë ndeshje ku kërkohet karakter në fushë. Jam shumë i sigurt se do të jemi të mirë nesër”, ka deklaruar Kek të premten në konferencën për shtyp.

    Më tutje, ai ka folur edhe për mungesën e Benjamin Seskos, i cili u lëndua fundjavën e kaluar në takimin ndaj Tottenhamit.

    “Kam qenë i lumtur këtë javë pasi kemi pasur stërvitje të mirë dhe regjenerim të lojtarëve që kishin nevojë. Nuk kemi telashe të mëdha me lëndime dhe do ta kompensojmë mungesën e Seskos dhe të suspenduarit Çerin. Në kualifikime gjithmonë ka lëndime dhe kartonë, por për këtë kemi futbollistë të ftuar dhe do të mundohemi të bëjmë rotacione”, ka theksuar përzgjedhësi slloven.

    Kek foli edhe për mungesën e golave të Sllovenisë në dy ndeshjet e fundit.

    “Po shënojmë pak gola në krahasim me shanset që i krijojmë”, ka theksuar Kek, ndërsa nënvizoi se dinë mjaftueshëm për Kosovën që “është shumë e mirë në pasime” dhe se e ka planin për t’iu kundërvënë.

    “Plani A, B dhe C janë për mediume. Për mua momenti më i rëndësishëm është që të reagosh mirë kur e ke dhe kur nuk e ke topin. Nëse e di se çfarë duhet të bësh në këto raste, ekipi është i suksesshëm. Por, gabimet ndodhin dhe është e rëndësishme se si reagon ndaj tyre”, përfundoi ai.

  • Reperit Diddy i shtyhet lirimi për një muaj, arsye shkelja e rregullave në burg

    Reperit Diddy i shtyhet lirimi për një muaj, arsye shkelja e rregullave në burg

    Reperi Diddy nuk do të lirohet edhe një muaj më shumë se data e paraparë në fillim.

    Reperi pritej të dilte nga burgu i Fort Dix në New Jersey më 8 maj 2028. Tani data është shtyrë më 4 qershor 2028.

    Arsyeja pas ndryshimit të datës mbetet e qartë, por ka ndodhur menjëherë pas raportimeve se Combs ka shkelur rregulla të shumta të qëndrimit në burg.

    Javën e kaluar TMZ shkroi se Diddy ishte në telashe me autoritetet e burgut për konsum të alkoolit artizanal të prodhuar nga sheqer i fermentuar, pije e gazuar dhe mollë.

    Zëdhënësi i tij tha se reperi është “i përqendruar te përshtatja, puna me veten dhe përmirësimi i përditshëm.”

    “Si me çdo individ të njohur në një ambient të ri, do të ketë shumë thashetheme dhe histori të zmadhuara gjatë qëndrimit të tij atje, pjesa më e madhe të pavërteta. Ne kërkojmë që njerëzit t’i japin përfitimin e dyshimit, privatësinë që të përqendrohet në rritjen e tij personale”, shtoi ai.

    CBS News raportoi të premten se Combs kishte marrë pjesë në një telefonatë tripalëshe të ndaluar.

    Biseda e dyshuar ndodhi më 3 nëntor, katër ditë para se ai të transferohej në burgun ku po qëndron. Diddy tha se nuk e dinte që “telefonatat me palë të treta ose tripalëshe nuk lejohen” pasi nuk i ishte dhënë manuali i pranimit dhe orientimit në burg.

    Përfaqësuesi i tij mohoi që “telefonata proceduriale” të ishte “e papërshtatshme” pasi ishte “e mbrojtur sipas privilegjit avokat-klient.”

    Combs ndodhet pas hekurave që në shtator 2024, ndërsa dënimi i tij u shpall në tetor të këtij viti.

  • Shpërthim me tritol në një biznes në Kamëz, shkaktohen dëme materiale

    Shpërthim me tritol në një biznes në Kamëz, shkaktohen dëme materiale

    Rreth orës 02:20, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz, në ambientet e jashtme të biznesit në pronësi të shtetasve B. E. dhe K. M., ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse.

    Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale, shkruan euronews.al.

    Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

  • FSK-ja zhvillon stërvitje në Gërmi, qytetarët të mos shqetësohen

    FSK-ja zhvillon stërvitje në Gërmi, qytetarët të mos shqetësohen

    Gjatë ditës së sotme Forca e Sigurisë së Kosovës do të kryejë stërvitje ushtarake në zonën e Gërmisë.


    Siç ka njoftuar Komuna e Prishtinës në Facebook, gjatë ditës do të ketë marshim kondicional të FSK-së. Kjo nënkupton prani të pjesëtarëve të FSK-së në terren dhe lëvizje të këmbësorisë.

    Komuna ka thënë se aktiviteti është në kuadër të planit të rregullt stërvitor dhe nuk ka arsye për shqetësim

    “Ju njoftojmë se FSK – Forca e Sigurisë së Kosovës, bazuar në planin e saj të stërvitjeve, më 15 nëntor 2025 do të realizojë një stërvitje ushtarake, marshim kondicional në zonën e Gërmisë. Gjatë kësaj periudhe do të ketë lëvizje të këmbësorisë dhe prani të pjesëtarëve të FSK-së në terren. Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të planit të rregullt stërvitor dhe nuk ka arsye për shqetësim”, thuhet në njoftim.