ATV

Author: G.O.

  • Dogana dhe Policia godasin kontrabandën në Leposaviq, sekuestrohen mallra me vlerë rreth 7 mijë euro

    Dogana dhe Policia godasin kontrabandën në Leposaviq, sekuestrohen mallra me vlerë rreth 7 mijë euro

    Një automjet i ngarkuar me mallra kontrabandë është ndaluar dje pasdite në fshatin Junake të Leposaviqit.

    Njësitet e Doganës dhe Policisë kanë intervenuar pas identifikimit të veturës, e cila kishte shfrytëzuar rrugët e paautorizuara të vijës së gjelbër për të hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.

    Gjatë kontrollit të detajuar fizik, brenda automjetit janë zbuluar rreth 600 kilogramë djathë, sasi të konsiderueshme tekstili dhe medikamente të ndryshme. Sipas vlerësimeve fillestare nga autoritetet, totali i këtyre mallrave të padeklaruara kap shifrën e përafërt prej 7 mijë eurove.

    Pas konstatimit të shkeljes, i gjithë malli është sekuestruar menjëherë dhe janë iniciuar procedurat përkatëse ligjore.

  • Goditi me veturë policin pasi i shqiptoi gjobë, arrestohet një person në Gjakovë

    Goditi me veturë policin pasi i shqiptoi gjobë, arrestohet një person në Gjakovë

    Një person është arrestuar në Gjakovë gjatë pasdites të së hënës, pasi dyshohet se ka goditur me veturë një polic në rrugën “Skënderbeu”.

    Incidenti ka ndodhur menjëherë pasi zyrtari kishte shqiptuar një gjoBë për parkim të parregullt.

    Sipas Policisë, i dyshuari është revoltuar pas gjobës dhe e ka goditur në këmbë zyrtarin policor gjatë tentimit për t’u larguar.

    Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

    Ndërkohë, njësitet patrulluese kanë ndalur dhe arrestuar të dyshuarin brenda pak minutash.

    Pas intervistimit, dhe me vendim të prokurorit të rastit, personi është dërguar në mbajtje.

  • I mituri raportohet i zhdukur në Prishtinë, nëna e denoncon pas tetë ditësh

    I mituri raportohet i zhdukur në Prishtinë, nëna e denoncon pas tetë ditësh

    Një djalë i mitur në Prishtinë është raportuar i zhdukur nga nëna e tij, e cila ka njoftuar Policinë se tash e tetë ditë nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

    Rasti është evidentuar në rrugën “Bill Klinton”, ku familjarët kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve.

    Sipas detajeve të raportit policor, i mituri ka dalë nga shtëpia më 10 nëntor dhe prej asaj dite nuk është kontaktuar.

    Ndërkohë, nëna ka raportuar rastin më 17 nëntor, e cila ka deklaruar se djali i saj nuk është kthyer që nga 10 nëntori dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij.

  • Policia shqipton mbi 2 mijë trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia shqipton mbi 2 mijë trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia e Kosovës ka shqiptuar 2050 gjoba për kundërvajtësit e trafikut brenda 24 orëve të fundit.

    Në 24 orët e fundit janë raportuar 26 aksidente trafiku me dëme materiale, 19 aksidente trafiku kanë përfunduar me të lënduar, transmeton KosovaPress.

    Policia e Kosovës ka arrestuar 28 persona, 14 janë dërguar në mbajtje, kurse 3 persona janë në vuajtje të dënimit.

  • “UÇK-ja nuk ka kryer spastrim etnik”, Clark: Unë nuk kam prova e as dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj

    “UÇK-ja nuk ka kryer spastrim etnik”, Clark: Unë nuk kam prova e as dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj

    Ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë, Wesley Clark po vazhdon dëshminë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

    Clark i mbetet besnik deklaratave të mëparshme se dhunën në verën dhe vjeshtën e vitit 1999 në Kosovë e shihte si një konflikt shumë personal mes fqinjëve, për të cilën udhëheqësit e UÇK-së nuk kishin përgjegjësi.

    I pyet për një deklaratë në gazetën Shekulli në vitin 1999, ku kishte thënë se nuk kishte prova se UÇK-ja ka kryer spastrim etnik të serbëve, Clark tha: “Unë nuk kam prova e as dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj, por kam indikacione që dëshmojnë të kundërtën”.

    Clark po i referohej pretendimeve të asaj kohe për dëbimin e rreth 170.000 serbëve.

  • Tom Cruise fiton Oscar-in e parë në karrierë

    Tom Cruise fiton Oscar-in e parë në karrierë

    Superylli amerikan i filmit, Tom Cruise, ka marrë statujën e tij të parë të “Oscarit” në karrierë. Aktori 63-vjeçar u nderua me Oscar nderi në ceremoninë vjetore “Governors Awards” në Hollywood, bashkë me këngëtaren dhe filantropisten Dolly Parton, koreografen Debbie Allen dhe dizajnerin e njohur të prodhimit, Wynn Thomas.

    “Bërja e filmave nuk është ajo që bëj, është ajo që jam”, tha Cruise të dielën, teksa mbante fjalimin e pranimit të çmimit të shumëpritur të Akademisë, duke folur për dashurinë e tij ndaj kinemasë.

    Ylli i “Top Gun” dhe “Mision Impossible” nderoi krijuesit e filmave, para dhe pas kamerës, me të cilët ka punuar gjatë karrierës së tij 45-vjeçare, si dhe foli për fuqinë që filmi ka për publikun, transmeton Koha.net.

    Në momentin që u ngjit në skenë, Cruise u prit me duartrokitje të gjata derisa të pranishmit qëndruan në këmbë. Në publik ishin figura të mëdha të industrisë, përfshirë Steven Spielberg, Leonardo DiCaprio dhe Jerry Bruckheimer.

    Çmimin ia dorëzoi regjisori Alejandro G.Inarritu, i cili po punon në filmin e ardhshëm me Cruisen në rolin kryesor.

    “Kinemaja më çon nëpër botë”, tha aktori. “Më ndihmon të vlerësoj dhe respektoj dallimet. Në kinema qeshim bashkë, ndjejmë bashkë, shpresojmë bashkë, ëndërrojmë bashe. Kjo është fuqia e kësaj forme arti dhe kjo është arsyeja pse ka rëndësi për mua”, ka thënë ai.

    Cruise debutoi në film në vitin 1981 dhe më herët ishte nominuar katër herë për Oscar: për aktorin më të mirë me “Born on the Fourthy of July” dhe “Jerry Maguire” si aktor dytësor në “Magnolica” si dhe si producent i “Top Gun: Maverick”.

    Bordi i Guvernatorëve të Akademisë e zgjodhi Cruisen për “angazhimin e jashtëzakonshëm ndaj komunitetit të filmbërjes”, njoftoi organizata.

    Cruise tha në fjalimin e tij se kinemaja ia kishte zgjeruar botën shumë më tepër sesa ajo që njihte në fëmijëri. “M’i hapi sytë. Më hapi imagjinatën për mundësinë se jeta mund të zgjasë shumë përtej kufijve që besoja atëherë”.

    Aktori, i njohur për aktrimin në skenat e rrezikshme, ka qenë edhe një mbrojtës i zjarrtë i kinemasë në një kohë kur platformat streaming dhe rrjetet sociale po garojnë për kohën e shikuesve.

    “Dua ta dini se do të bëj gjithmonë gjithçka që mundem për ta ndihmuar këtë art, për të mbështetur zërat e rinj, për të mbrojtur atë që e bën kinemanë të fuqishme, shpresoj, pa shumë eshtra të thyer,” shtoi ai me humor.

    Më herët gjatë vitit, Cruise raportohej se do të nderohej nga presidenti amerikan Donald Trump në listën e tij për çmimet e “Kennedy Center Honors”, por aktori thuhet se kishte refuzuar për shkak të angazhimeve kohore.

  • Shembet dheu në rrjetin kryesor të Lubotenit, tri fshatra të Kaçanikut mbesin pa ujë

    Shembet dheu në rrjetin kryesor të Lubotenit, tri fshatra të Kaçanikut mbesin pa ujë

    Tri fshatra të Kaçanikut do të mbesin pa furnizim me ujë shkaku i shembjes së dheut në rrjetin kryesor të Lubotenit.

    Lagja Dushkaja dhe fshatrat Bob, Kovaqec dhe Runjevë, do të kenë mungesë të ujit të pijshëm gjatë ditës.

    Ndërprerja e ujësjellësit vjen si pasojë e shembjeve të dheut në pjesën ku është rrjeti kryesor i Lubotenit, prej nga edhe furnizohen konsumatorët e këtyre zonave.

    “Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit, janë në teren dhe po punojnë në sanimin e këtij defekti që furnizimi me ujësjellës të kthehet sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhej në një njoftim të “Bifurkacionit”.

  • Kosova sonte përballet me Zvicrën

    Kosova sonte përballet me Zvicrën

    Prishtina pritet të jetë në qendër të vëmendjes sonte, teksa kombëtarja e Kosovës përballet me Zvicrën në ndeshjen e fundit të kualifikimeve direkte për Kupën e Botës 2026.

    Dueli nis në ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku mijëra tifozë dardanë pritet të krijojnë një atmosferë të zjarrtë.

    Kosova e pret sfidën me 10 pikë në Grupin K, duke ndjekur Zvicrën lidere që numëron 13 pikë.

    Trajneri Franco Foda ka nënvizuar rëndësinë e një paraqitjeje solide dhe formën shumë të mirë të disa prej futbollistëve, me theks të veçantë te Fisnik Asllani, i cili po shkëlqen me gola dhe lëvizje vendimtare në hapësira të ngushta.

    Edhe pse matematikisht në garë për kualifikim të drejtpërdrejtë, një triumf 6:0 ndaj Zvicrës mbetet skenar i vështirë.

    Aktualisht, skuadra e Granit Xhakës mban kreun me 13 pikë, ndërsa Kosova ndodhet në vend të dytë me 10 pikë.

    Pavarësisht rezultatit të kësaj përballjeje, “Dardanët” e kanë të sigurt pjesëmarrjen në playoff, ku në mars 2026 do të synojnë biletën për në Botëror.

  • Si t’i humbni 10 kilogramë brenda dy jave me këtë dietë të çuditshme me limon

    Si t’i humbni 10 kilogramë brenda dy jave me këtë dietë të çuditshme me limon

    Ka shumë dieta të ndryshme që janë për humbje të peshës, mirëpo shumë pak prej tyre janë efektive

    Kjo është arsyeja se përse dieta me limon është bërë e famshme, për shkak se është shumë e thjesht dhe efektive.

    Çfarë duhet të bëni është të filloni mëngjesin me ujë limoni në stomak të zbrazët. Dieta e limonit është e përsosur për heqjen e toksinave nga trupi, si dhe humbjen e peshës njëkohësisht.

    Kjo dietë zgjatë 14 ditë, dhe gjatë kësaj periudhe organizmi do të pastrohet, si dhe do t’i humbni ca kile ekstra, transmeton Telegrafi.

    Programi:

    Çdo ditë duhet ta pini lëngun e limonit të përzier me ujë, por në sasi të ndryshme.

    Dita e parë:

    Pini lëngun e një limoni të shtrydhur me një gotë ujë të freskët.

    Dita e dytë:

    Pini lëngun e dy limonëve të shtrydhur me dy gota ujë të freskët.

    Dita e tretë:

    Pini lëngun e tre limonëve të shtrydhur me tri gota ujë të freskët.

    Dita e katërt:

    Pini lëngun e katër limonëve të shtrydhur me katër gota ujë të freskët.

    Dita e pestë:

    Pini lëngun e pesë limonëve të shtrydhur me pesë gota ujë të freskët.

    Dita e gjashtë:

    Pini lëngun e gjashtë limonëve të shtrydhur me gjashtë gota ujë të freskët.

    Dita e shtatë:

    Pini lëngun e tre limonëve të shtrydhur me dhjetë gota ujë të freskët. Gjithashtu, në këtë ditë duhet të shtoni një lugë gjelle mjaltë dhe ta pini pijen gjatë tërë ditës.

    Dita e tetë:

    Pini lëngun e gjashtë limonëve të shtrydhur me gjashtë gota ujë të freskët.

    Dita e nëntë:

    Pini lëngun e pesë limonëve të shtrydhur me pesë gota ujë të freskët.

    Dita e dhjetë:

    Pini lëngun e katër limonëve të shtrydhur me katër gota ujë të freskët.

    Dita e njëmbëdhjetë:

    Pini lëngun e tre limonëve të shtrydhur me tri gota ujë të freskët.

    Dita e dymbëdhjetë:

    Pini lëngun e dy limonëve të shtrydhur me dy gota ujë të freskët.

    Dita e trembëdhjetë:

    Pini lëngun e një limoni të shtrydhur me një gotë ujë të freskët.

    Dita e fundit, apo dita e katërmbëdhjetë:

    Pini lëngun e tri limonëve të shtrydhur me dhjetë gota ujë të freskët, por gjithashtu në këtë ditë duhet ta shtoni edhe një lugë gjelle mjaltë.

    Lëngu i përzier i limonit rekomandohet të pihet përnjëherë, pavarësisht se disa njerëz kanë vështirësi ta bëjnë këtë.

    Nëse nuk mund ta pini pijen përnjëherë në mëngjes, të paktën e pini herë pas here përgjatë mëngjesit, me rëndësi duhet ta pini të gjithën një orë para shujtës. /Telegrafi/

  • Reshje shiu në vend, Policia u bën thirrje shoferëve për kujdes

    Reshje shiu në vend, Policia u bën thirrje shoferëve për kujdes

    Policia e Kosovës ka lëshuar një apel për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, sidomos drejtuesit e automjeteve, që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të reshjeve të shiut dhe rrugëve të mbuluara me ujë.

    Sipas njoftimit, ndryshimi i kushteve atmosferike po krijon vështirësi në qarkullim, prandaj Policia kërkon:

    • Përshtatje të shpejtësisë me gjendjen e rrugës dhe kushtet e motit
    • Mbajtje të distancës së sigurisë mes automjeteve
    • Ngadalësim të lëvizjes, veçanërisht në segmente të mbuluara me ujë

    Policia u bën thirrje të gjithëve që të jenë të kujdesshëm, me qëllim të shmangies së aksidenteve dhe garantimit të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.