ATV

Author: G.O.

  • Ministri italian i Mbrojtjes akuzon Rusinë për luftë hibride: Jemi nën sulm…

    Ministri italian i Mbrojtjes akuzon Rusinë për luftë hibride: Jemi nën sulm…

    Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, u ka bërë thirrje vendeve perëndimore të marrin masa urgjente kundër sulmeve hibride ruse, të cilat ai i cilësoi si potencialisht “katastrofike”. Këto komente i ka bërë në një dokument 125-faqësh të publikuar të martën, ku ka kritikuar “inercinë” e shteteve evropiane dhe NATO-s përballë agresionit gjithnjë e më të hapur të Rusisë.

    “Lufta hibride është e vazhdueshme dhe sulmon infrastrukturën kritike, qendrat e vendimmarrjes, shërbimet thelbësore dhe strukturën e secilit vend, me rreziqe të përditshme dhe në rritje të dëmeve katastrofike”, ka shkruar ai në dokumentin e titulluar Kundërshtimi i Luftës Hibride: Një Strategji Aktive.

    Crosetto paralajmëroi se Perëndimi duhet të reagojë menjëherë. “Jemi nën sulm dhe bombat hibride vazhdojnë të bien: Koha për të vepruar është tani”, ka shtuar ai, transmeton Telegrafi. Sipas tij, është “absurde” dhe “e paqëndrueshme” që po bëhet kaq pak përballë sulmeve të Rusisë.

    Ai e krahasoi situatën me një pushtim të mundshëm tokësor: “Nëse do të pushtoheshim nga një ushtri tokësore, nuk do të barrikadoheshim thjesht në shtëpi duke shpresuar se ato do të largoheshin”.

    Sipas ministrit italian, Perëndimi po përballet me një “konflikt asimetrik” dhe megjithëse ka kapacitete për t’iu kundërpërgjigjur, vendimmarrja e ngadaltë e BE-së dhe NATO-s bën që reagimi të mbetet “vazhdimisht pas Rusisë”.

    Ai theksoi se frekuenca e sulmeve hibride po rritet, ndërsa Kremlini po përdor mjete ushtarake dhe jo-ushtarake për të destabilizuar vendet që kundërshton. Këtu përfshihen sulme kibernetike nga grupet e inteligjencës ushtarake ruse, zjarrvënie në Poloni ndaj depove me pajisje për Ukrainën, instrumentalizimi i migrantëve nga Bjellorusia për destabilizim, dronë të panjohur mbi aeroporte evropiane dhe akuzat se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në Rumani.

    Polonia e ka cilësuar shpërthimin e një linje hekurudhore të dielën si “sabotim”, ndërsa dy ukrainas që dyshohet se kanë punuar për Rusinë u fajësuan të martën për incidentin.

    Sipas organizatës Globsec, mbi 110 akte sabotimi dhe tentativa sulmesh janë regjistruar në Evropë nga janari deri në korrik, kryesisht në Poloni dhe Francë, të lidhura me aktorë pro-rusë.

    Crosetto paralajmëroi se Perëndimi rrezikon t’i hapë rrugë Rusisë që të fitojë “përmes tretjes”. Ai theksoi se Rusia po synon vendet që mbështesin Ukrainën edhe përmes fushatave të dezinformimit dhe manipulimit të opinionit publik. “Këto mjete ndikojnë në mënyrë indirekte në besimet, qëndrueshmërinë, sovranitetin vendimmarrës dhe stabilitetin politik të shteteve”, ka shkruar ai.

    Për t’i bërë ballë këtyre sulmeve, Crosetto propozoi krijimin e një Qendre Evropiane për Kundërshtimin e Luftës Hibride, një forcë kibernetike prej 1,500 trupash, si dhe përfshirjen e personelit të specializuar në inteligjencën artificiale, mbrojtjen e zinxhirëve të furnizimit dhe luftimin e dezinformimit.

  • Kurti: Në Kosovë s’ka krizë ekonomike, prandaj s’ka protesta të qytetarëve por ka vetëm ankesa të opozitarëve

    Kurti: Në Kosovë s’ka krizë ekonomike, prandaj s’ka protesta të qytetarëve por ka vetëm ankesa të opozitarëve

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në seancën e jashtëzakonshme, të cilën e konsideroi të jashtëligjshme, deklaroi se në Kosovë nuk ekziston krizë ekonomike.

    Ai theksoi se gjatë qeverisjes së tij, rritja ekonomike nuk ka rënë kurrë nën 4 për qind, dhe se rritja mesatare ekonomike ka qenë 6 për qind, duke shtuar se për këtë arsye nuk ka protesta qytetarësh, por vetëm ankesa nga opozita.

    “Të nderuar deputetë, në Kosovë nuk ka krizë ekonomike. Në çerekun e dytë të këtij viti ka qenë 4.58 për qind e bruto produktit vendor. Në këto katër vite, sa isha kryeministër dhe tash edhe kryeministër në detyrë, asnjëherë rritja ekonomike nuk ka qenë nën 4 për qind. Rritja mesatare është 6 për qind, prandaj dhe nuk ka protesta të qytetarëve, por ka vetëm ankesa të opozitarëve. Në Kosovë nuk ka krizë ekonomike, po rrezikojmë të kemi krizë sociale nga kriza buxhetore-financiare për shkak të keqpërdorimeve të procedurave. Le të mos keqpërdorim procedurat, le të jemi në nivel të përgjegjësisë si përfaqësues të popullit, por edhe si zyrtarë të shtetit”, deklaroi Kurti.

  • Të paktën 16 persona të vrarë nga sulmi më vdekjeprurës rus në perëndim të Ukrainës

    Të paktën 16 persona të vrarë nga sulmi më vdekjeprurës rus në perëndim të Ukrainës

    Të paktën 16 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga një sulm rus me dron dhe raketa në qytetin perëndimor të Ternopilit, i cili goditi dy blloqe apartamentesh, kanë bërë të ditur zyrtarët ukrainas.

    Midis 64 të plagosurve janë 14 fëmijë, sipas policisë, në një nga sulmet më vdekjeprurëse ruse në Ukrainën perëndimore që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë në shkurt 2022.

    Dy rajone të tjera perëndimore, Lviv dhe Ivano-Frankivsk, janë goditur gjithashtu, ndërsa një sulm me dron ka shënjestruar tre rrethe të qytetit verior të Kharkivit, duke plagosur më shumë se 30 persona. Fotot e postuara në internet treguan ndërtesa dhe vetura në flakë.

    Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë prekur disa rajone në të gjithë vendin, sipas ministrisë së Energjisë së Ukrainës.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia ka sulmuar me më shumë se 470 dronë dhe 47 raketa, duke shkaktuar “shkatërrim të konsiderueshëm”. Ai ka paralajmëruar se disa njerëz mund të jenë bllokuar nën rrënojat në Ternopil.

    Një video e publikuar nga Zelensky tregoi se një nga dy blloqet e apartamenteve të goditura ishte shembur plotësisht.

    Si pasojë e sulmeve në perëndim të Ukrainës, Polonia dhe Rumania kanë ngritur në ajër avionët e tyre luftarakë të mërkurën.

  • IHMK: Shumica e lumenjve në Kosovë gjatë dy ditëve kanë pësuar ngritje, disa dolën nga shtrati

    IHMK: Shumica e lumenjve në Kosovë gjatë dy ditëve kanë pësuar ngritje, disa dolën nga shtrati

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut gjatë dy ditëve të fundit, shumica e lumenjve kanë pasur ngritje, ndërsa disa prej tyre kanë dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje.

    Sipas IHMK-së, aktualisht shumica e lumenjve janë në rënie të lehtë, përveç Drinit të Bardhë, Sitnicës, Moravës, Binçës dhe Lepencit, të cilët kanë ngritje të lehtë.

    “Shumica e lumenjve në Kosovë gjatë dy ditëve kanë pësuar ngritje, ku disa prej tyre në disa segmente, kanë dalë nga shtrati dhe kanë shkaktuar përmbytje. Aktualisht shumica janë në rënie të lehtë, pos Drinit Bardhë, Sitnicës, Moravës e Binçës, Lepencit, që kanë ngritje të lehtë”, është thënë në njoftimin e IHMK-së.

    Në disa vende të Kosovës është raportuar për përmbytje gjatë të martës. Si pasojë e paralajmërimeve për përmbytje, në Prishtinë u anulua procesi mësimor.

  • ​Basha tregon pse është e nevojshme të themelohen komisionet parlamentare

    ​Basha tregon pse është e nevojshme të themelohen komisionet parlamentare

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka deklaruar se thirrja e seancës së jashtëzakonshme për çështjen e buxhetit për vitin 2026 si dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk është politike, por nevojë e domosdoshme për miratimin e tyre.

    Ai në fillim të seancës tha se qytetarët nuk e meritojnë që për shkak të inateve politike të humbin miliona euro në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.

    Mirëpo, Basha tha se nuk ka gjetur mirëkuptim te partitë parlamentare në Kuvend që të themelohen komisionet parlamentare, të miratohen marrëveshjet ndërkombëtare, raporti për RTK-në si dhe të shqyrtohet projekt-buxheti për vitin 2026.

    “Fatkeqësisht këtë mirëkuptim nuk e kam gjetur te një pjesë e grupeve parlamentare dhe Kuvendi ka mbetur pa e trajtuar asnjë nga çështjet e mësipërme. Të dashur kolegë, duke marrë parasysh se sot kemi votimin e qeverisë dhe të gjitha subjektet politike janë deklaruar se nuk do të votojnë mandatarin e dytë, atëherë për mua ka qenë e arsyeshme të mbështes thirrjen edhe të një seance të jashtëzakonshme për të trajtuar nga ky Kuvend këto çështje kaq me rëndësi për qytetarët. Me mirëkuptimin e të gjithë deputetëve unë jam i gatshëm që sa më parë të thërras një mbledhje të kryesisë dhe bashkë me përfaqësuesit e subjekteve politike të procedojmë në themelimin e së paku katër komisioneve parlamentare të përhershme”, thekson ai.

    Basha tha se çështjet e kësaj seance nuk janë politike, por nevojë e qytetarëve.

    “Çështjet e kësaj seance nuk kanë të bëjnë me veprime politike, andaj edhe një herë i bëj thirrje të gjitha subjekteve politike që t’i analizojnë me maturi dhe në kontekst të rrethanave shtetërore ku gjendemi dhe pritjeve të qytetarëve tanë, të cilët nuk e meritojnë të pamundësojnë votimin e këtyre ligjeve jetike për shkak të inateve politike”, thekson ai.

     

     

  • Sa shpesh duhen larë jastëkët e brendshëm? Ekspertët e pastrimit japin përgjigjen

    Sa shpesh duhen larë jastëkët e brendshëm? Ekspertët e pastrimit japin përgjigjen

    E dini që çarçafët duhen larë çdo javë apo çdo dy javë, por çfarë ndodh me jastëkët mbi të cilët flini çdo natë?

    Jastëkët e brendshëm shpesh anashkalohen, por mbajtja e tyre e pastër është po aq thelbësore për higjienë të duhur. Yndyrat e trupit dhe djersa kalojnë përmes këllëfit edhe kur ajo ndërrohet rregullisht, duke lejuar grumbullimin e baktereve. Për më tepër, jastëkët e brendshëm përmbledhin rreth vetes shumë merimanga, pluhur dhe alergjenë. Pra, sa shpesh duhet t’i lani në të vërtetë? Pyetëm ekspertët për ta zbuluar.

    Sa shpesh duhen larë jastëkët e brendshëm?

    Sipas Robin Murphy, autores së Who Likes It Dirty dhe presidente e Maid Brigade, jastëkët që përdorni për gjumë duhen larë çdo tre deri në gjashtë muaj. “Mund të mos duken të ndotur, por ato gradualisht mbledhin yndyra, pluhur dhe djersë përmes këllëfit,” thotë Murphy.

    Megjithatë, nëse keni alergji ose keni prirje të mbinxehni gjatë natës, ajo këshillon larjen rreth çdo tre muaj. “Ashtu si çarçafët e këllëfët, edhe jastëkët e brendshëm kanë nevojë për një freskim të rregullt edhe nëse shumicën e kohës nuk i shohim,” shton ajo.

    Ndërkohë, jastëkët e fëmijëve duhet të lahen më shpesh, shpjegon Alicia Sokolowski, presidente dhe CEO e AspenClean. “Lani jastëkët e dhomës së fëmijëve idealisht çdo një deri në dy muaj, sepse ato mund të mbledhin më shumë papastërti dhe alergjenë.” Fëmijët, sidoqoftë, janë më të çrregullt!

    Nga ana tjetër, jastëkët dekorativë (si ata që keni në divan) nuk kanë nevojë të lahen kaq shpesh. “Çdo gjashtë muaj deri në një vit është zakonisht mjaftueshëm, përveç rasteve kur flini shpesh mbi ta, keni kafshë shtëpiake që shtrihen mbi divan, ose hani shumë afër jastëkëve dekorativë”, thotë ajo. “Në ato raste, trajtojini njësoj si jastëkët e përdorimit të përditshëm”, transmeton Telegrafi.

    Shenjat që tregojnë se është koha të lani jastëkët

    Nëse nuk mbani mend herën e fundit kur i keni larë jastëkët, me shumë gjasa është koha t’i lani. Ka edhe disa shenja të tjera që duhen vëzhguar. “Nëse jastëku ka aromë të ndenjur ose të thartë, është bërë i sheshtë më shumë se zakonisht, ose ju shkakton teshtitje sapo shtriheni, atëherë me siguri është koha për ta larë”, shpjegon Murphy. “Zverdhja apo njollat e dukshme janë gjithashtu një shenjë e qartë.” Një jastëk i freskët duhet të jetë i butë, elastik dhe i pastër, nëse nuk është i tillë, ka ardhur koha për ta larë ose për ta zëvendësuar.

    Si t’i lani jastëkët në rrobalarëse

    Një rrobalarëse pa rotor qendror është mënyra më e mirë për të larë jastëkët. (Edhe pse mund të përdorni edhe rrobalarëse me rotor, ato mund të mos i pastrojnë aq mirë ose jastëku mund të ngecë.) “Lexoni etiketën e kujdesit, por shumica e jastëkëve prej poliesteri ose me mbushje alternative të puplave mund të lahen në rrobalarëse në program të butë, me ujë të ngrohtë dhe detergjent të lehtë”, thotë Murphy.

    Nëse keni jastëkë me pupla natyrale ose pendë, kontrolloni etiketën. Shumë prej tyre mund të lahen, por zakonisht kërkojnë një shpëlarje shtesë dhe tharje me nxehtësi të ulët, së bashku me topa tharës për t’i rikthyer volum. Gjithmonë sigurohuni që jastëkët të thahen plotësisht për të shmangur mykun dhe lagështinë e brendshme.

    A duhen larë të gjitha llojet e jastëkëve?

    Megjithatë, jo të gjithë jastëkët mund të futen në rrobalarëse. “Përbërësit e brendshëm, si lateksi, shkumë e grirë ose materiale të tjera të avancuara, zakonisht nuk reagojnë mirë ndaj ujit të tepërt”, thotë Adam Tishman, bashkëthemelues dhe president i Helix Sleep. “Më e mira është të fokusoheni në pastrimin e këllëfit me kujdes, ndërsa jastëkun ta pastroni me metoda të lokalizuara vetëm kur është e nevojshme.”

    Pra, cila është mënyra më e mirë për të hequr njollat e djersës? Tishman rekomandon përdorimin e një detergjenti të butë të përzier me ujë të vakët për pastrim lokal. Për njollat më të forta ose zbehjen e ngjyrës, soda e bukës, peroksidi i hidrogjenit dhe madje edhe rrezet e diellit mund të japin rezultate shumë të mira. “Nëse kujdeseni për një jastëk lateksi, ndiqni të njëjtën metodë pastrimi lokal, por kushtoni vëmendje të shmangni lagështinë e tepërt,” shton ai.

    Nuk mund t’i lani jastëkët? Provoni këtë alternativë

    Nëse nuk keni kohë për t’i larë jastëkët ose nuk mund t’i futni në rrobalarëse, Tishman sugjeron t’i lini jashtë në diell. “Mos e nënvlerësoni fuqinë e diellit kur bëhet fjalë për pastrimin e jastëkëve!” thotë ai. “T’i nxirrni jastëkët në diell për disa orë mund të ndihmojë të shkatërrohen bakteret, të largohet lagështia dhe të reduktohen aromat në mënyrë natyrale.” /Telegrafi/

     

  • As PDK-ja e as AAK-ja s’marrin pjesë në seancën e orës 11:00

    As PDK-ja e as AAK-ja s’marrin pjesë në seancën e orës 11:00

    Pas Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të marrin pjesë në seancën e orës 11:00, ku Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që të themelohen komisionet e përhershme për të miratuar marrëveshjet ndërkombëtare, ndarjet buxhetore e financimin e RTK-së.

    Kështu kanë konfirmuar nga PDK-ja dhe AAK-ja.

    Më herët mospjesëmarrjen e konfirmoi edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Ndërkohë, për seancën e orës 14:00 ku do të synohet formimi i qeverisë, këto parti kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe votën kundër.

  • Kusari-Lila kërkon mbështetjen e partive për nesër: Nëse nuk e miratojmë Planin e Rritjes deri në dhjetor, humbim rreth 88 milionë euro

    Kusari-Lila kërkon mbështetjen e partive për nesër: Nëse nuk e miratojmë Planin e Rritjes deri në dhjetor, humbim rreth 88 milionë euro

    Deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, u ka kërkuar grupeve parlamentare mbështetje për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare e votimit të buxhetit, në seancën e jashtëzakonshme që është thirrur për nesër në orën 11:00.

    Kusari-Lila ka thënë se pesë prej pikave të rendit të ditës janë marrëveshje ndërkombëtare, të cilat nëse nuk miratohen, rrezikojnë shtyrjen e 1 miliardë eurove investimeve.

    Ajo ka specifikuar Planin e Rritjes, për të cilin ka thënë se nëse nuk miratohet deri në dhjetor, vendi rrezikon të humbë 10% të vlerës totale prej 880 milionë euro, apo rreth 88 milionë euro.

    “Për ta arritur këtë sukses, na duhet mirëkuptimi dhe mbështetja e të gjitha grupeve parlamentare, sepse marrëveshjet ndërkombëtare nuk i takojnë asnjë partie apo qeverie, ato janë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, ka shkruar Kusari-Lila.

    Ajo ka kërkuar formimin e katër komisioneve të përhershme parlamentarare.

    “Duke qenë të vetëdijshëm se zgjedhjet janë zgjidhja më stabile për ngërçin aktual, duhet të jemi mendjehapur dhe të mos e rëndojmë stabilitetin financiar. Prandaj, buxheti i vitit 2026 është përfshirë në agjendë dhe propozim për votim”, thuhet në postimin e saj.

    Sipas saj, situate është e tejkalueshme.

    “Mos të krijojmë ngarkesa të panevojshme, kur situata është e tejkalueshme. Nesër e kemi mundësinë të lehtësojmë edhe barrën e 700 punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, të cilët presin zgjidhje nga ne.  Zgjidhja është në Kuvend edhe për buxhetin e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut”, ka shkruar ajo.

    Ndryshe, LDK ka thënë se nuk do të marrë pjesë në këtë seancë, por vetëm në atë për Qeverinë.

  • Seanca e orës 11:00: Abdixhiku refuzon pjesëmarrjen dhe akuzon VV-në për populizëm

    Seanca e orës 11:00: Abdixhiku refuzon pjesëmarrjen dhe akuzon VV-në për populizëm

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së thirrjes së dy seancave të Kuvendit për ditën e nesërme.

    Ai e ka quajtur qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje “populiste dhe të rrezikshme”, duke theksuar se LDK-ja nuk do të marrë pjesë në seancën e parë të orës 11:00.

    Ai ka akuzuar LVV-në se po thërret seanca të minutës së fundit, pa konsultime dhe pa komunikim me subjektet e tjera politike.

    Postimi i plotë:

    Popullistë të rrezikshëm.

    Të investuar në lojëra, intriga e kalkulime politike.

    Zvarritën tetë muaj krijim e shumicës e formimin e institucioneve. Na i humbën edhe 15 ditë të tjera me mandatar kukull që s’bënte asnjë përpjekje për minimalisht qeverisje. Nesër, në ditën e fundit, orën e fundit, afatin e fundit, paskan thirrur dy seanca për urgjencën që e shkaktojnë vet me vonesë.

    Pa asnjë konsultim.

    Pa asnjë komunikim.

    Pa asnjë diskutim.

    LDK e refuzon dhe shpërfillë këtë qasje politike. LDK e lufton me gjithë qenien e vet këtë logjikë imponimi. Me krenari, e themi se refuzimi i popullistëve është akti më i lartë patriotik sot.

    Prandaj LDK nuk bëhet pjesë e shfaqejeve parlamentare të një pushteti në ikje. Nesër nuk marrim pjesë fare në seancën e imponimit teatral të orës 11:00-të. Mblidhuni vet; i bëni muhabet vetes. Luftën me mullinjtë e erës e bëni mirë.

    Nesër, nga ora 14:00, votojmë me bindje e krenari kundër pakicës që nuk mund të sillet si shumicë më në këtë shtet.

    Nesër nisim pregatitjet oër zgjedhjet e reja nacionale dhe ftesën e madhe për përbashkim të secilit që është ngopur me një politikë si kjo, që mendon të shpëtojë shtetin e Republikën nga ata që e shohin atë vetëm si instrument e si lojë karrigesh.

    Le t’i fitojmë!

  • Prattipati vlerëson kontributin e Bajraktarit në forcimin e marrëdhënieve ShBA-Kosovë

    Prattipati vlerëson kontributin e Bajraktarit në forcimin e marrëdhënieve ShBA-Kosovë

    Ushtruesja e detyrës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, priti sot veprimtarin dhe filantropin shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari.

    Gjatë takimit në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Prattipati vlerësoi dekadat e shërbimit publik të Bajraktarit në Shtetet e Bashkuara, si dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm për forcimin e partneritetit ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës.

    Bajraktari, i njohur për rolin e tij aktiv në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe mbështetjen ndaj çështjeve shqiptare, u mirëprit për kontributin e tij në afrimin e mëtejshëm të dy vendeve.