ATV

Author: G.O.

  • Sonte ndizen dritat për festat e fundvitit në sheshin e Prishtinës

    Sonte ndizen dritat për festat e fundvitit në sheshin e Prishtinës

    Sot që nga ora 21:00 do të bëhet ceremonia festive e ndezjes së dritave dekorative në sheshin “Zahir Pajaziti” për nderë të atmosferës për festat e fundvitit.

    Në një komunikatë për media bëhet e ditur se merr pjesë kryetari Përparim Rama dhe Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    “Ngjarja mbahet sonte, më 18 dhjetor 2025, në ora 21:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, si dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku”, thuhet në komunikatë.

  • KQZ: 88% e votuesve të regjistruar nga diaspora për votim me postë kanë pranuar fletëvotimet

    KQZ: 88% e votuesve të regjistruar nga diaspora për votim me postë kanë pranuar fletëvotimet

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pothuajse ka përfunduar dërgimin e të gjitha pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i dërgimit është duke u realizuar nga KQZ-ja përmes operatorit ekonomik dhe po zhvillohet sipas planifikimit, ndërsa të dhënat e fundit tregojnë se shumica dërrmuese e pakove tashmë janë dërguar drejt adresave të votuesve jashtë vendit.

    Sipas tij, nga dita martë në mëngjes kur ka filluar shpërndarja e tyre dhe deri të mërkurën në mesnatë, janë shpërndarë 88% e pakove me fletëvotime.

    “Sipas raportit që kemi pranuar, deri më 17 dhjetor 2025 (ora 23:00), nga gjithsej 57,829 dërgesa, 88% e tyre apo 50,611, janë dorëzuar me sukses te votuesit. Nga numri i përgjithshëm i dërgesave, 48.870 (90%) janë dorëzuar te votuesit në shtete në Europë, ndërkaq, 2,141 dërgesa (51%) janë dorëzuar te votuesit në shete jashtë Europës”, tha Elezi.

    Elezi ka treguar se këto statistika do të ishin edhe më të larta, nëse do të dorëzoheshin me sukses edhe 1,941 pakot tjera, por që kjo s’ka ndodhur për shkak se votuesit nuk ndodheshin në shtëpi.

    “Në 1,941 raste, dërgesat nuk janë dorëzuarpër shkak se votuesit nuk kanë qenë në shtëpi në momentin e dorëzimit të pakos me fletëvotim. Sipas kontratës, është detyrë e operatorit ekonomik që dorëzimin e zarfit ta kryejë tek adresa e votuesit dhe mund të pranohet vetëm nga votuesit ose familjarët, të cilët e nënshkruajnë pranimin e dërgesës. Po ashtu, sipas kushteve të kontratës, në adresë të një votuesi, do të shkohet deri në 3 herë për t’ia dorëzuar pakon me fletëvotim”, tha Elezi.

    Sipas Elezit, procesi i dërgimit është duke vazhduar dhe për këtë, KQZ ka miratuar më herët afatet për përgatitjen, nisjen dhe dërgimin e pakove në adresë të votuesve të regjistruar.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar afatet për përgatitjen, nisjen dhe dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar për votim përmes postës. Këto afate janë pjesë përbërëse e kontratës së arritur me operatorin ekonomik. Sipas planifikimeve, arritja e fletëvotimeve për votuesit në Europë planifikohet të bëhet nga data 16 deri më 18 dhjetor, ndërkaq për votuesit që ndodhen në shtetet janë Europës nga 17 deri më 19 dhjetor”, tha Elezi.

    Siaps KQZ-së, me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

  • Studim alarmues: Çaji dhe kafeja në gota kartoni mund të lëshojnë mijëra mikroplastika

    Studim alarmues: Çaji dhe kafeja në gota kartoni mund të lëshojnë mijëra mikroplastika

    Hulumtimi i fundit ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e gotave njëpërdorimshe të kartonit, të cilat përdoren gjerësisht për konsumimin e çajit dhe kafesë në jetën urbane.

    Sipas një studimi të kryer nga Instituti Indian i Teknologjisë (IIT) në Kharagpur, konsumimi i pijeve të nxehta në këto gota mund të shoqërohet me rreziqe të padukshme për shëndetin, për shkak të çlirimit të mikroplastikave gjatë kontaktit me temperaturat e larta.

    Studimi, i udhëhequr nga Prof. Sudha Goel, ka zbuluar se gotat e kartonit nuk janë të përbëra vetëm nga letra, por zakonisht janë të veshura me një shtresë të hollë plastike, kryesisht polietilen ose kopolimere të ngjashme, të cilat shërbejnë për të parandaluar depërtimin e lëngut.

    Kur në këto gota derdhen pije me temperaturë 85–90 gradë Celsius, kjo shtresë plastike fillon të degradohet.

    Rezultatet e hulumtimit tregojnë se brenda vetëm 15 minutash, në 100 mililitra pije të nxehtë mund të çlirohen rreth 25 mijë grimca mikroplastike, të padukshme për syrin e njeriut. Nëse një person konsumon tri gota çaji apo kafeje në ditë në gota kartoni, ekspozimi ditor mund të arrijë deri në 75 mijë grimca mikroplastike.

    Hulumtimi u realizua përmes dy qasjeve eksperimentale. Në fazën e parë, studiuesit derdhën ujë ultra të pastër me temperaturë 85–90 gradë Celsius në gota kartoni tregtare dhe e lanë të qëndronte për 15 minuta. Më pas, lëngu u analizua për praninë e mikroplastikave dhe joneve që mund të kishin kaluar nga materiali i gotës.

    Në fazën e dytë, gotat u ekspozuan fillimisht ndaj ujit të vakët, me temperaturë 30–40 gradë Celsius, për të ndarë me kujdes shtresën plastike nga kartoni. Kjo shtresë u analizua para dhe pas ekspozimit ndaj ujit të nxehtë, duke treguar ndryshime të dukshme në vetitë e saj fizike, kimike dhe mekanike.

    Sipas ekspertëve, mikroplastikat nuk janë materiale inerte dhe mund të veprojnë si bartës të ndotësve toksikë, përfshirë metale të rënda si kadmiumi, kromi dhe paladiumi, përbërje organike hidrofobike, si dhe substanca që mund të ndërhyjnë në sistemin hormonal.

    Studime të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO), Agjencia Evropiane e Kimikateve (ECHA) dhe revista shkencore si Environmental Science & Technology dhe Nature Food sugjerojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj mikroplastikave mund të lidhet me stres oksidativ, inflamacion kronik, çrregullime hormonale dhe rritje të rrezikut për sëmundje malinje, megjithëse kërkohen ende studime afatgjata te njerëzit.

    Për të reduktuar ekspozimin ndaj mikroplastikave, ekspertët rekomandojnë shmangien e konsumimit të pijeve të nxehta në gota kartoni njëpërdorimshe, përdorimin e gotave prej qelqi, porcelani ose çeliku inox, si dhe kufizimin e produkteve plastike në kontakt me ushqime dhe pije të nxehta.

    Ky ndryshim i vogël në përditshmëri, sipas tyre, jo vetëm që ndihmon në mbrojtjen e shëndetit, por kontribuon edhe në uljen e ndotjes mjedisore duke reduktuar mbetjet plastike njëpërdorimshe.

     

  • Nuk iu përfillën kërkesat për rroga, punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë protestë

    Nuk iu përfillën kërkesat për rroga, punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë protestë

    Sindikata e Re e Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste për javën e ardhshme.

    Kryetari i kësaj sindikate Nexhat Llumnica ka konfirmuar për Klan Kosova se ata do të kërkojnë rritje të pagave si dhe pagën e 13-të.

    Ai mes tjerash ka theksuar se nëse nuk iu merren parasysh kërkesat, do të mbajnë edhe grevë.

    “E nëse edhe kjo e radhës nuk përfillet nga KEK, do të ndërmarrim masa ligjore dhe do të vazhdojmë drejt grevës”, shtoi Llumnica.

    Protestë për kërkesa të njëjta, ata zhvilluan edhe rreth një javë më parë.

    Ditë më parë, KEK-u pas një takimi të mbajtur me përfaqësues të sindikatave, sa i përket kërkesës për pagën e 13-të dhe rritjen e pagave, u sqarua se gjatë këtij viti KEK ka zbatuar projektin e modernizimit të turbinave, një proces që ka zgjatur rreth 5 muaj. Si rezultat, ky projekt ka ndikuar drejtpërdrejt në të hyrat e korporatës.

    “Për rrjedhojë, gjendja aktuale financiare dhe korniza ligjore nuk e mundësojnë aprovimin e kësaj kërkese, pavarësisht gatishmërisë sonë për ta shqyrtuar atë me seriozitet”, është thënë mes tjerash në njoftim.

    “Gjatë takimit, nga përfaqësuesit sindikal është kërkuar që punonjësit të njoftohen në mënyrë më të detajuar lidhur me situatën reale financiare dhe operative të korporatës. Në këtë drejtim, u theksua se, përveç sigurimit shëndetësor dhe shujtës së dinjitetshme, së shpejti do të përfundojë edhe procesi i vlerësimit të rrezikshmërisë në punë — një proces me kosto të konsiderueshme, nga i cili do të përfitojnë të gjithë punonjësit sipas vlerësimit të vendit të punës”.

  • Komunat në veri tërhiqen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

    Komunat në veri tërhiqen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

    Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – janë tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të enjten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

    Ky vendim vjen pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Serbia – e riktheu pushtetin në këto katër komuna pas zgjedhjeve lokale të tetorit.

    Kryetarët e rinj nga kjo parti kishin paralajmëruar në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptarë.

    Ata paralajmëruan një “shqyrtim të hollësishëm të gjendjes së trashëguar juridike dhe financiare, në mënyrë që në periudhën e ardhshme të merren vendime në përputhje me ligjin dhe në interesin më të mirë të qytetarëve”.

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, duke arsyetuar kërkesën për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, tha se kjo kurrë nuk ka qenë dëshirë e popullsisë serbe në këtë komunë dhe se bëhej fjalë për një “vendim politik”.

    Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e nismës së përbashkët të serbëve për t’i braktisur institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

    Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023.

  • Një tjetër foshnjë palestineze vdes nga i ftohti ekstrem në Gaza

    Një tjetër foshnjë palestineze vdes nga i ftohti ekstrem në Gaza

    Një tjetër foshnje palestineze ka vdekur në Rripin e Gazës pas ekspozimit ndaj motit ekstrem të ftohtë, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës, ndërsa një valë e fortë e të ftohtit vazhdon të marrë jetë njerëzish mes kushteve të këqija të jetesës.

    Në një deklaratë, ministria tha se Saeed Asaad Abideen, foshnjë njëmuajsh, vdiq si pasojë e rënies të ndjeshme të temperaturave. Vdekja e tij e çoi në 13 numrin e personave që kanë vdekur pasi u shtruan në spitale për shkak të valës së fundit të të ftohtit dhe kushteve ekstreme të motit në të gjithë Gazën.

    Të mërkurën, Mbrojtja Civile e Gazës paralajmëroi se një valë e fortë e të ftohtit kërcënon jetën e fëmijëve, pasi shumë familje nuk kanë strehim dhe ngrohje të përshtatshme për shkak të kushteve humanitare që po përkeqësohen për shkak të gjenocidit të Izraelit në enklavë.

    Qindra mijëra palestinezë të zhvendosur jetojnë në kushte jashtëzakonisht të rënda pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan dhe ata u zhvendosën me forcë. Shumë familje janë strehuar në tenda ose struktura të improvizuara, duke u përballur me mungesa akute të batanijeve, furnizimeve për ngrohje dhe veshjeve dimërore ndërsa temperaturat bien.

    Zyra e qeverisë për mediat në Gaza e ka akuzuar vazhdimisht Izraelin për dështimin në përmbushjen e detyrimeve të tij sipas armëpushimit të 10 tetorit dhe protokollit të tij humanitar, përfshirë hyrjen e materialeve për strehim dhe shpërndarjen e 300 mijë tendave dhe shtëpive të lëvizshme për familjet e zhvendosura.

    Izraeli ka vrarë gati 70.700 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë në sulmet në Gaza që nga tetori i vitit 2023, përpara se sulmi të ndalej sipas marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor./AA/

  • Zelensky: Kolegët amerikanë pretendojnë se Putini është gati t’i japë fund luftës

    Zelensky: Kolegët amerikanë pretendojnë se Putini është gati t’i japë fund luftës

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar sot se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka asnjë qëllim të vërtetë për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës, pavarësisht pretendimeve të zyrtarëve amerikanë se Moska mund të jetë gati për bisedime paqeje.

    Duke folur për median të enjten, Zelensky komentoi mbi komentet e fundit të Putinit të bëra gjatë një takimi të bordit të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë të mërkurën.

    “Sinjalet që po jep Putini nuk janë absolutisht të reja për ne. Gjithmonë kam thënë se ai nuk dëshiron ta përfundojë luftën. Pyetja është nëse ai mund ta vazhdojë atë. Kjo çështje varet tashmë nga partnerët tanë, nga presioni i tyre, para së gjithash nga sanksionet dhe diplomacia”, tha Zelensky.

    Në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje se zyrtarët amerikanë e shohin situatën ndryshe.

    “Tani kolegët amerikanë pretendojnë se Putini është gati ta përfundojë luftën si në publik ashtu edhe në një format jo publik”, tha ai, duke shtuar se Ukraina mbështet iniciativat e SHBA-së, megjithëse nuk pajtohet me të gjitha elementët e marrëveshjeve të mundshme.

    “Kemi disa dallime mbi çështjen territoriale, financimin dhe asetet e ngrira”, tha Zelensky.

  • Dogana ndalon mallra të padeklaruara me vlerë rreth 4 mijë euro te Dheu i Bardhë

    Dogana ndalon mallra të padeklaruara me vlerë rreth 4 mijë euro te Dheu i Bardhë

    Gjatë kontrolleve të rregullta në Zyrën e Brendshme Doganore në Dheun e Bardhë, zyrtarët doganorë kanë zbuluar një ngarkesë me mallra të padeklaruara.

    Sipas njoftimit, gjatë ekzaminimit të ngarkesës janë konstatuar pjesë të përdorura për automjete, të cilat ishin futur pa u deklaruar në përputhje me procedurat ligjore doganore. Pas verifikimit, vlera e mallit të padeklaruar është vlerësuar rreth 4 mijë euro.

    Mallrat janë ndaluar nga Dogana, ndërsa ndaj palës përgjegjëse është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, në bazë të nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës.

    Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e tregut dhe interesit publik, duke vazhduar angazhimin për zbatimin efektiv të ligjit dhe parandalimin e shkeljeve doganore.

  • Çitaku pas vizitës së Ramës te Hashim Thaçi: Falë jush, luftëtarët tanë në Hagë nuk janë pa atdhe

    Çitaku pas vizitës së Ramës te Hashim Thaçi: Falë jush, luftëtarët tanë në Hagë nuk janë pa atdhe

    Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka falënderuar Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën për vizitën e tij te ish-Presidenti Hashim Thaçi në Hagë.

    Çitaku thtoë se falë tij luftëtarët në Hagë nuk janë pa atdhe

    “Faleminderit Edi, falë jush, luftëtarët tanë në Hagë nuk janë pa atdhe. Ju rritë nderi”, ka shkruar ajo.

    Rama përfundon vizitën te Thaçi: E gjeta të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, folëm për Kosovën e për Shqipërinë

  • FSK realizon Forumin e Nënoficerëve

    FSK realizon Forumin e Nënoficerëve

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka realizuar “Forumin e Nënoficerëve të FSK-së”, me qëllim fuqizimin e bashkëpunimit profesional dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet nënoficerëve dhe oficerëve të rinj.

    Hapjen zyrtare të forumit e bëri Komandanti i KDS-së Jeton Dreshaj, i cili theksoi rëndësinë e rolit të nënoficerëve në ndërtimin e një force profesionale duke qenë shtylla kryesore për realizimin e detyrave dhe misionit të FSK-së.

    Forumi u udhëhoq nga Bedri Zuka, i cili ritheksoi përkushtimin e tij dhe të nënoficerëve në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së në të gjitha nivelet. Gjithashtu gjatë këtij forumi u potencua rëndësia e ndikimit të bashkëpunimit me Gardën e IOWA-s në zhvillimin dhe edukimin profesional të nënoficerëve të FSK-së.

    Në këtë forum pjesëmarrës ishin nënoficerë të FSK-së nga të gjitha nivelet ku patën mundësi të diskutonin tema të ndryshme mbi zhvillimin e korit të nënoficerëve, ndërtimin e besimit dhe fleksibilitetit në udhëheqje, marrëdhëniet në mes të nënoficerëve dhe oficerëve etj. Pjesë e këtij forumi ishin edhe përfaqësues nga Ambasada e SHBA-së, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Garda Kombëtare e AJOV-ës, NALT, ASG Ballkan etj.

    FSK është e përkushtuar në ngritjen dhe zhvillimin e mëtejmë të korit të nënoficerëve si shtylla kryesore e forcës për kryerjen me sukses misionit kushtetues dhe ligjor.