ATV

Author: G.O.

  • Merr flakë fibra e transmetimit në Kuvendin e Shqipërisë, ndërpritet sinjali për mediat

    Merr flakë fibra e transmetimit në Kuvendin e Shqipërisë, ndërpritet sinjali për mediat

    Derisa Kuvendi i Shqipërisë po vijonte punimet në kaos dhe deputetët nisën menjëherë në kalim votimi të disa projektligjeve, mësohet se linja e transmetimit për mediat është dëmtuar dhe ka marrë flakë.

    Sipas të dhënave nga terreni raportohet se fibra e transmetimit të Kuvendit është djegur dhe sinjali që mundëson transmetimin e sesioneve parlamentare në Kuvend është djegur.

    Mësohet se flaka u shkaktua nga nja flakadan që një prej gardistëve e hodhi nga dritarja, pasi ia mori nga duart deputetit të PD që e ndezi brenda në sallë.

    Për fat të mirë flaka u shua shpejt, dhe nuk pati probleme të tjera. /topchanel/

  • Rama: Pa dashur të marr merita, kemi pasë një koordinim të mirë me Kosovën për t’i hequr masat e BE-së

    Rama: Pa dashur të marr merita, kemi pasë një koordinim të mirë me Kosovën për t’i hequr masat e BE-së

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një deklarate në Facebook ku tregoi se është nisur drejt Hagës për të vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi në paraburgim, tha se samiti i djeshëm BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel ka qenë me rezultate të mira edhe për Shqipërinë edhe për Kosovën.

    Për heqjen e masave ndëshkuese që u mor vendimi dje, Rama tha se ka pasë një “koordinim të mirë” mes dy vendeve për këtë qëllim, por tha se meritat i ka presidentja Vjosa Osmani.

    “Mbrëmë kemi përmbyllë një samit të BE-së me Ballkanin Perëndimor që ka qenë inkurajues, ka qenë i suksesshëm për Shqipërinë po se po, por edhe për Kosovën. Për hir të vërtetës më duhet ta them, presidentja e Kosovës ka shkëlqyer”.

    “Ka shkëlqyer me fjalë bindëse, por edhe si rezultat i një pune këmbëngulëse dhe i një koordinimi të mirë që kemi bërë në javët e fundit, pa dashur këtu të marr asnjë meritë, ia ka dalë të zhbllokojë të gjithë ato fonde të bllokuara prej kohësh nga ana e BE-së”.

  • Eurodeputeti Reuten pas heqjes së masave: Tani të procedohet aplikimi për vend kandidat që po mbahet në sirtar

    Eurodeputeti Reuten pas heqjes së masave: Tani të procedohet aplikimi për vend kandidat që po mbahet në sirtar

    Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka reaguar pas vendimit të BE-së për të hequr të gjitha masat, vendim ky që do të finalizohet në fund të janarit 2026 me lirimin e një grupi të dytë të mjeteve financiare.

    Reuten ka thënë se kjo politikë e BE-së karshi Kosovës ka qenë e tmerrshme dhe sipas tij tashmë është koha që të procedohet me aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat, meqë aplikimi po mbahet në sirtar prej vitesh.

    “Çfarë katastrofe ka qenë kjo politikë e BE-së. Tani mund të rifillojmë rrugën evropiane të Kosovës. Të radhës: të përpunojmë kërkesën e anëtarësimit të Kosovës që ka mbetur pezull prej vitesh.”, ka shkruar ai.

  • Mori pjesë në vrasjen e 34 shqiptarëve në Malishevë, aktakuzë për krime lufte ndaj Ramadan Morinës

    Mori pjesë në vrasjen e 34 shqiptarëve në Malishevë, aktakuzë për krime lufte ndaj Ramadan Morinës

    Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Ramadan Morinës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, Morina, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.

    “R.M., akuzohet edhe për pjesëmarrje në shkatërrimin e pronës, dëbim masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë”, thuhet në njoftim.

    I pandehuri thuhet se ndodhet nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës, ndërsa rasti i është kaluar për trajtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Nga viti 2000 deri më 2008, krimet e luftës janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa që prej vitit 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Më 2018, EULEX-i i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykata vendore.

    Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe me mijëra të tjerë janë zhdukur. Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

  • Kurti: E përsërisim në çdo takim me ndërkombëtarët, ura e Ibrit duhet të jetë e hapur

    Kurti: E përsërisim në çdo takim me ndërkombëtarët, ura e Ibrit duhet të jetë e hapur

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, gjatë perurimit të hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë, tha se në çdo takim me ndërkombëtarët e përsërit qëndrimin e tij se ura kryesore në këtë lum duhet të jetë e hapur, raporton Ekonomia Online.

    “Në çdo takim e përsërisim qëndrimin tonë se ura duhet të jetë e hapur. Kemi 77 ura mbi lumin Ibër, disa prej tyre në Mal të Zi dhe Serbi. Në urën kryesore ka persona që nuk duhet të jenë aty, ka pjesëtarë të KFOR-it. Dëshirojmë të kemi shkëmbim tregtar dhe lëvizje të lirë. Urat mbi Ibër janë të Mitrovicës dhe të mitrovicasve”, tha Kurti.

  • Përurohet ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër, Kurti bashkë me Pecin e Durmishin e prejnë shiritin

    Përurohet ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër, Kurti bashkë me Pecin e Durmishin e prejnë shiritin

    Është përuruar ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër.

    Në ceremoni mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si dhe kryetari i ri i Mitrovicës Jugore, Faton Peci.

    Kurti gjatë përurimit të hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë, tha se në çdo takim me ndërkombëtarët e përsërit qëndrimin se ura duhet të jetë e hapur.

    “Në çdo takim e përsërisim qëndrimin tonë se ura duhet të jetë e hapur. Kemi 77 ura mbi lumin Ibër, disa prej tyre në Mal të Zi dhe Serbi. Në urën kryesore ka persona që nuk duhet të jenë pjesëtarë të KFOR-it dhe kjo bëhet me dialog dhe bisedë të hapur. Dëshirojmë të kemi shkëmbim tregtar dhe lëvizje të lirë. Urat mbi Ibër janë të Mitrovicës dhe të mitrovicasve”, tha Kurti.

    Ndërtimi i urës së reja mbi lumin Ibër, krahas asaj qendrore që e ndan Mitrovicën në jugun me shumicë shqiptare dhe në veriun e banuar kryesisht me serbë, është bërë pas një memorandumi të nënshkruar mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe dy komunave, asaj të Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut.

  • Venezuela reagon pas urdhrit të Trump për bllokimin e anijeve, e quan kërcënim luftënxitës

    Venezuela reagon pas urdhrit të Trump për bllokimin e anijeve, e quan kërcënim luftënxitës

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar një bllokadë “totale dhe të plotë” të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela, një veprim që qeveria e Karakasit e ka dënuar si “kërcënime luftënxitëse”, raporton BBC.

    Trump shkroi se qeveria e Presidentit venezuelas, Nicolás Maduro, ishte përcaktuar si një organizatë terroriste e huaj (FTO), e cila ishte gjithashtu e përfshirë në “kontrabandë droge dhe trafikim qeniesh njerëzore”.

    Ky vendim vjen pasi SHBA-të sekuestruan një cisternë nafte pranë brigjeve të Venezuelës javën e kaluar – një veprim i konsideruar i rëndësishëm duke pasur parasysh varësinë e Venezuelës nga nafta.

    SHBA-të gjithashtu kanë kryer sulme vdekjeprurëse ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë droge dhe kanë shtuar ndjeshëm praninë e tyre detare në rajon. Nga ana e saj, Venezuela ka akuzuar Uashingtonin se synon të vjedhë burimet e saj.

    Në postimin e tij në Truth Social, Trump shkroi se Venezuela është “plotësisht e rrethuar nga Armada më e madhe e mbledhur ndonjëherë në historinë e Amerikës së Jugut” dhe se ajo “vetëm do të bëhej më e madhe” duke shtuar se “nuk do të ishte si asgjë që ata kanë parë ndonjëherë më parë”.

    Ai gjithashtu akuzoi qeverinë e Maduros për përdorimin e naftës së “vjedhur” për të “financuar veten, terrorizmin e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore, vrasjen dhe rrëmbimin”.

    Presidenti ka akuzuar vazhdimisht Venezuelën për kontrabandë droge dhe që nga shtatori ushtria amerikane ka vrarë të paktën 90 persona me sulmet ndaj anijeve që dyshohet se transportonin fentanil dhe droga të tjera ilegale drejt SHBA-së. Megjithatë, nuk është dhënë asnjë provë publike që këto anije të kishin drogë, qofshin fentanil apo kokainë.

    Trump sugjeroi se etiketimi i qeverisë së Maduros si FTO tani po zgjerohet për të gjithë qeverinë e tij, pas vendimit të mëparshëm që lidhej vetëm me Maduro. Muajin e kaluar, SHBA-të kanë përcaktuar grupin venezuelas Cartel de los Soles si FTO, duke e konsideruar kështu edhe vetë Maduron si terrorist, çka ai mohon.

    Postimi i Trump nuk ofroi detaje për mënyrën se si do të zbatohet bllokada e cisternave të naftës të sanksionuara. Pas sekuestrimit të cisternës javën e kaluar, SHBA-të kanë vendosur sanksione edhe ndaj gjashtë anijeve të tjera që thuhet se transportonin naftë venezuelase, si dhe ndaj disa të afërmve të Presidentit Maduro dhe bizneseve të lidhura me regjimin e tij.

    Ekonomia e Venezuelës mbështetet shumë në eksportet e naftës, edhe pse prodhimi aktual i naftës është relativisht i ulët, duke pasur parasysh se vendi zotëron rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë.

    Shtëpia e Bardhë tha se cisterna e sekuestruar, e quajtur Skipper, ishte përfshirë në “transportim të paligjshëm të naftës” dhe do të dërgohej në një port amerikan. Qeveria e Venezuelës e kritikoi këtë veprim, me Maduron duke deklaruar se SHBA-të “rrëmbyen ekuipazhin” dhe “vodhën” anijen.

    Prania ushtarake e SHBA-ve në Detin e Karaibeve është rritur javët dhe muajt e fundit, duke përfshirë mijëra trupa dhe transportuesin më të madh të avionëve në botë, USS Gerald Ford, i pozicionuar në distancë goditjeje nga Venezuela.

    Kongresmeni demokrat nga Teksasi, Joaquin Castro, e quajti “bllokadën detare të Trump padyshim një akt lufte” dhe tha se ligjvënësit amerikanë do të votojnë një rezolutë që i kërkon presidentit të ndalojë armiqësitë me Venezuelën.

    SHBA-të, nën udhëheqjen e Trump dhe ish-Presidentit Joe Biden, kanë kundërshtuar qeverinë e Maduros për vite me radhë, duke vendosur sanksione të rrepta dhe duke kërkuar largimin e tij. Qeveria e Maduros ka qenë objekt kritikash ndërkombëtare për shkelje të të drejtave të njeriut dhe zgjedhjet e manipulura sipas opozitës dhe disa vendeve, përfshirë SHBA-në.

    Të martën, shefi i të drejtave të njeriut i OKB-së, Volker Türk, paralajmëroi se “shtrëngimi i hapësirës qytetare është intensifikuar, duke mbytur liritë e njerëzve”.

  • Putini paralajmëron zgjerimin e ofensivës në Ukrainë në rast të dështimit të bisedimeve të paqes

    Putini paralajmëron zgjerimin e ofensivës në Ukrainë në rast të dështimit të bisedimeve të paqes

    Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar të mërkurën se Moska do të përpiqet të zgjerojë përparimet e saj në Ukrainë nëse Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë refuzojnë kërkesat e Kremlinit gjatë bisedimeve të paqes.

    Ai po ashtu ka bërë të ditur se do të kërkojë zgjerimin e një “zone sigurie neutrale” në rajon.

    Putini ka theksuar se Rusia do të arrijë qëllimet e saj në Ukrainë me mjete diplomatike ose ushtarake.

    Së pari, qëllimet e operacionit ushtarak special padyshim do të arrihen. Ne do të preferonim ta bënim këtë dhe t’i adresonim shkaqet rrënjësore të konfliktit përmes diplomacisë, – ka deklaruar Putini.

    Ai ka shtuar: Nëse pala kundërshtare dhe patronët e saj të huaj refuzojnë të angazhohen në diskutime thelbësore, Rusia do të arrijë çlirimin e tokave të saj historike me mjete ushtarake. Detyra e krijimit dhe zgjerimit të një zone sigurie tampon do të trajtohet gjithashtu vazhdimisht.

    Aktualisht, Rusia kontrollon Krimenë, rreth 90% të rajonit të Donbasit dhe 75% të Khersonit dhe Zaporizhzhisë. Përveç këtyre, Rusia mban disa territore në rajonet ngjitur të Kharkiv, Sumy, Dnipropetrovsk dhe Mykolaiv. Komentet e Putinit sinjalizuan se Moska synon përfitime të mëtejshme në disa fronte.

    Ndërkohë, ministri rus i Mbrojtjes, Andrei Belousov, ka pranuar se forcat ukrainase po përpiqeshin të rimerrnin qytetin verilindor të Kupiansk, por sipas tij përpjekja nuk po korr sukses. Ukraina ka deklaruar të mërkurën se kishte marrë 90% të qytetit, të cilin Rusia tha se e kishte pushtuar në nëntor.

    Putini gjithashtu akuzoi udhëheqësit evropianë se po nxisin histeri dhe po indoktrinojnë njerëzit me frikën e një lufte me Rusinë.

    “E kam deklaruar vazhdimisht: kjo është një gënjeshtër, një absurditet, një absurditet i pastër në lidhje me ndonjë kërcënim imagjinar rus ndaj vendeve evropiane. Por kjo po bëhet mjaft qëllimisht”, ka thënë ai.

  • Osmani: Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit pres një qasje më konstruktive mes partive

    Osmani: Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit pres një qasje më konstruktive mes partive

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka lavdëruar homologun e saj amerikan, Donald Trump, për mbështetjen e tij ndaj paqes në Ballkanin Perëndimor dhe në rajonin më të gjerë të Evropës.

    Osmani, duke folur në një intervistë për Bloomberg TV të mërkurën, tha se praninë e trupave amerikane në Kosovë e sheh si “kërcënimin dhe parandalimin më të madh ndaj një përshkallëzimi në rajon.” Ushtarët amerikanë janë pjesë e forcës paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO, e cila ndodhet në Kosovë që nga përfundimi i luftës me Serbinë fqinjë në vitin 1999.

    Progresi ekonomik i Kosovës është ngadalësuar nga muaj të bllokadës politike, të cilën Osmani tha se shpreson të zgjidhet me votimin e parakohshëm më 28 dhjetor.

    “Vendi po hyn në zgjedhje të dyta të parakohshme këtë vit pasi fituesi i zgjedhjeve, Albin Kurti, nuk arriti të formojë një koalicion shumicë, pasi partitë refuzuan stilin e tij të lidershipit, që ka irrituar aleatët evropianë dhe amerikanë.”, tha ajo.

    Osmani tha se beson se politikanët në vendin e saj do të kenë një “qasje më konstruktive” për të punuar së bashku tani.

    “Jam shumë, shumë e shpresuar,” tha ajo, duke shtuar se “na duhen institucione në mënyrë që të mund të ecim përpara me projekte të mëdha me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

  • Supremja shpall të paligjshme nenet që obligojnë pensionistët të lajmërohen në Departmentin e Pensioneve

    Supremja shpall të paligjshme nenet që obligojnë pensionistët të lajmërohen në Departmentin e Pensioneve

    Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës pas një padie të ushtruar nga E.SH, ka vendosur që të shfuqizojë nenet që obligojnë pensionistët të lajmërohen në Qendër të Pensioneve për të vërtetuar që janë gjallë.

    Në vendimin e Supremes thuhet se është punë e Ministrisë që të përdorë të gjithë mekanizmat që ka në dispozicion për të identifikuar nëse një pensionist ka vdekur dhe se kjo nuk është punë që duhet qytetari ta kryejë vetë.

    Postimi i plotë:

    – Gjykata Supreme e ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditësit E.Sh., e paraqitur kundër të paditurës Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) – Departamenti i Pensioneve.

    Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 4 paragraf 2, i Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS) Për Procedurat e Lajmërimit, Suspendimit nga Pagesa dhe Kthimin e Mjeteve në rastet e Keqpërdorimit të Pensioneve.

    Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 5 paragraf 1, 2, 3 dhe 4 i këtij Udhëzimi.

    Paditësi E.Sh., ka parashtruar padi kundër të paditurës, MFPT, për shfuqizimin e aktit nënligjor normativ – Udhëzimin Administrativ nr. 05/2015 (MPMS) Për Procedurat e Lajmërimit, Suspendimit nga Pagesa dhe Kthimin e Mjeteve në rastet e Keqpërdorimit të Pensioneve.

    Pas shqyrtimit të rastit, Gjykata Supreme konstatoi se paragrafët ku parashihen pasoja për pensionistët, siç është ndalimi i pensionit, nuk është në harmoni me ligjin dhe si të tillë janë të paligjshëm.

    Nëse pensionisti nuk lajmërohet siç është përcaktuar, Ministria obligohet që të monitorojë burimet ekzistuese të informatave me qëllim të identifikimit të pensionistëve që kanë vdekur. Pra, përgjegjësia e parë për verifikimin e statusit të jetës së pensionistit është e vetë organit publik dhe jo e qytetarit. Kjo dispozitë krijon detyrimin që Ministria të shfrytëzojë çdo mekanizëm administrativ dhe çdo burim zyrtar të informatave përpara se të ndërmarrë masa kufizuese ndaj pensionistit. Ligji ka paraparë një mekanizëm që mbështetet në verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo në barrë disproporcionale ndaj pensionistit.

    Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton se aktet nënligjore vlejnë vetëm sa kohë janë në pajtim me ligjin, ndërsa një rregullim i tillë nënligjor, i cili prek në mënyrë materiale të drejtat e qytetarëve, siç trajtohet pensioni, mund të bëhet vetëm me ligj dhe jo me akt nënligjor.

    Kompetenca e Ministrisë, kufizohet vetëm në rregullimin e mënyrës teknike të suspendimit nga pagesa, dhe assesi në krijimin e detyrimeve, afateve apo pasojave materiale që nuk i parasheh ligji.

    Ligji Nr. 04/L-131 Për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, nuk përmban asnjë element që do t’i jepte Ministrisë kompetencë të krijojë afate materiale, të vendosë humbje të pensioneve ose të ndryshojë statusin e përfituesit në rast mos-lajmërimi.

    Suspendimi i pagesës së pensionit duhet të jetë masa e fundit, dhe jo e para. Për këtë arsye, Gjykata Supreme konstaton se dispozitat e UA nr. 05/2015, të cilat e trajtojnë mos-lajmërimin si shkak të domosdoshëm për suspendim dhe e shoqërojnë me pasoja materiale të pakthyeshme, janë të kundërligjshme.