ATV

Author: G.O.

  • FSK-ja përmbyll trajnimin “Simboli i Ujkut”

    FSK-ja përmbyll trajnimin “Simboli i Ujkut”

    Edhe një trajnim i radhës është përmbyllur me sukses nga Forcat e Sigurisë së Kosovës.

    FSK ka përmbyllur me sukses trajnimin elitë “Simboli i Ujkut”, pas tri javësh intensive dhe të mbushura me sfida të vazhdueshme.

    Qëllimi themelor ishte testimi dhe ngritja e kapaciteteve profesionale, fizike dhe mentale të pjesëmarrësve.

    Ushtrimi final, që zgjati 72 orë pa ndërprerje, përfshiu patrullime mbi 70 kilometra me pajisje të plota ushtarake. Në këtë fazë përfundimtare, kursantët realizuan me sukses misionin e caktuar, duke ekzekutuar sulmin me profesionalizëm të lartë, vendosmëri dhe bashkëpunim të shkëlqyer ekipor.

    Përfundimi i këtij trajnimi konfirmon nivelin e lartë të përgatitjes dhe gatishmërisë së pjesëtarëve të FSK-së, si dhe angazhimin e vazhdueshëm për ngritjen e kapaciteteve operative dhe profesionale.

  • E dhimbshme: Ndahet nga jeta në moshë të re polici Albion Maxhuni

    E dhimbshme: Ndahet nga jeta në moshë të re polici Albion Maxhuni

    Ka ndërruar jetë zyrtari policor i Policisë së Kosovës nga Vushtrria, Albion Maxhuni.

    Lajmin të ditur e ka bërë edhe Sindikata e Policisë së Kosovës, të cilët kanë shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e të ndjerit.

    Varrimi do të bëhet të premten, më 19.12.2025, pas namazit të xhumasë, në ora 13:00, në varrezat e Novosellës së Maxhunajve në Vushtrri.

  • Arrestohet në Prizren shtetasi suedez, i dyshuar për trafikim me narkotikë

    Arrestohet në Prizren shtetasi suedez, i dyshuar për trafikim me narkotikë

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), në bashkëpunim ndërkombëtar me  shtetin suedez, pas një hetimi disamujor ka arrestuar një të dyshuar mashkull, shtetas suedez, nën dyshimin e bazuar për veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve.

    Arrestimi është realizuar rreth orës 16:00 në rrugën “Petrit Bytyçi” në Prizren. Gjatë operacionit policor, nga i dyshuari janë konfiskuar para të gatshme, një veturë si dhe dokumente të ndryshme që dyshohet se lidhen me veprimtarinë kriminale.

    Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është ndaluar dhe rasti është duke u hetuar më tej nga organet përkatëse.

    “Rr. ‘Petrit Bytyçi’, Prizren 18.12.2025-16:00. Policia e Kosovës, respektivisht DHTN, në bashkëpunim ndërkombëtar me shtetin suedez, pas një hetimi disamujor ka grumbulluar dëshmi dhe ka arrestuar të dyshuarin mashkull shtetas suedez me dyshimin e bazuar në përfshirje të trafikimit me narkotik. Nga i dyshuari janë konfiskuar: para të gatshme, një veturë dhe dokumente të ndryshme”, thuhet në raportin e policisë.

  • Arrestohen dy të dyshuar për disa raste të vjedhjeve të motoçikletave në Gjilan

    Arrestohen dy të dyshuar për disa raste të vjedhjeve të motoçikletave në Gjilan

    Njësiti i hetimeve i stacionit policor në Gjilan, si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm, veprimeve të mirë organizuara operative dhe punës intensive hetimore kanë arritur që të identifikonin dhe arrestonin dy të dyshuar meshkuj kosovarë.

    Arrestimi i tyre është bërë si rezultat i zhvillimit të procedurave hetimore lidhur me disa raste të vjedhjeve të ndodhura në Gjilan, ku hetuesit policorë kanë arritur të siguruar prova të besueshme se dy të dyshuarit, dyshohet se në periudha të ndryshme kohore, me qëllim përfitimi material të kundërligjshëm, kanë kryer së paku tri raste të vjedhjeve të motoçikletave.

    Pas arrestimit ata janë intervistuar në bazë të procedurave ligjore, ndërsa me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt gjyqësore me kallëzim penal ndaj të dy të dyshuarve për veprën penale “Vjedhje”.

  • Kurti përmend sulmet terroriste në veri, thotë se Kosova ka qenë përherë e përkushtuar ndaj integrimit evropian

    Kurti përmend sulmet terroriste në veri, thotë se Kosova ka qenë përherë e përkushtuar ndaj integrimit evropian

    Kryeministri në detyrë dhe gjithashtu kandidat për të njëjtën pozitë nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë ka përmendur sulmet terroriste nga shteti serb dhe mbështetje financiare nga BE.


    Sulmet e ndodhura rreth një vit më parë shkaktuan panik dhe pasiguri te qytetarët.

    Lideri i VV-së tha se Kosova ka qenë përherë e përkushtuar ndaj integrimit evropian, përmbushjes së kritereve për anëtarësim dhe vazhdimin si aleat dhe kampion i vlerave demokratike.

    “Institucionet e Kosovës nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat në veri të vendit, dhe de-eskalimi i situatës ishte pikërisht meritë e institucioneve të Kosovës. Ndërkohë, Republika e Kosovës dhe institucionet e saj u bënë cak i sulmeve terroriste, prej të cilave dy me pasoja të rënda. Ai në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, heroi ynë Afrim Bunjaku, dhe tjetri në kanalin Ibër–Lepenc në Varakë të Zubin Potokut më 29 nëntor 2024, që synonte dëmtimin e pariparueshëm të infrastrukturës kritike,” tha ai.”

    Kurti tha se për të dyja rastet ka aktakuzë të ngritur, teksa për rastin e parë ekzistojnë dëshmitë që ka qenë plan serb për aneksimin e veriut përmes strukturave paramilitare. Gjithashtu për rastin e dytë provat konfirmojnë gjithashtu përfshirjen e drejtëpërdrejtë të shtetit serb.

  • Të shtënat në Brown University çojnë në pezullimin e lotarisë amerikane për vizat ‘Green Card’

    Të shtënat në Brown University çojnë në pezullimin e lotarisë amerikane për vizat ‘Green Card’

    Të shtënat në Brown University ngjallën alarm në mbarë vendin.

    Sulmuesi, sipas raportimeve të deritanishme, dyshohet të jetë vetëvrarë; megjithatë, kjo nxiti edhe një vendim tjetër politik.

    Presidenti Donald Trump ka urdhëruar pezullimin e programit të lotarisë për vizat e diversitetit, i njohur si lotaria ‘Green Card’.

    Programi, që zakonisht ofron deri në 50 mijë ‘Green Card’ çdo vit për njerëz nga vendet që janë pak përfaqësuar në emigrimin drejt SHBA-së, është ndaluar përkohësisht me kërkesë të liderit amerikan.

  • ShBA-ja kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë

    ShBA-ja kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë

    Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në shkurt të vitit 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përfaqëson një hap pozitiv drejt normalizimit mes dy vendeve, të cilat “duhet të synojnë përparim të shpejtë në zbatimin e Aneksit të kësaj marrëveshjeje”.

    Kështu thuhet në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare që u miratua nga dy dhomat e Kongresit amerikan dhe u nënshkrua në ligj nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 18 dhjetor.

    “Pasi të arrihet përparim i mjaftueshëm, SHBA-ja duhet të shqyrtojë iniciativa për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me të dyja vendet”, thuhet në tekst, duke shtuar se kjo përfshin dialogun strategjik dypalësh dhe nisma konkrete për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe investimeve.

    Sipas aktit, SHBA-ja duhet të vazhdojë mbështetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në njohjen e ndërsjellë, duke mos mbështetur shkëmbime territoriale, ndarje apo ndryshime të tjera të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e konflikteve, dhe duhet t’i mbështesë demokracitë pluraliste në rajon si një mjet për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike.

    Për Kosovën, aleanca me SHBA-në mbetet një bosht i pathyeshëm. Pas një takimi me presidetin amerikan, Donald Trump, në shtator, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se e ka falënderuar atë për, siç u shpreh, angazhimin e palodhshëm për paqe.

    Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë edhe të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    Emisari evropian për dialogun, Peter Sorensen, dhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi. Prishtinë, 22 tetor 2025.

    Akti Kombëtar për Mbrojtje për vitin fiskal 2026 autorizon shpenzim vjetor rekord për ushtrinë amerikane që arrin vlerën e 901 miliardë dollarëve, 8 miliardë më shumë seç kishte kërkuar Trumpi.

    Akti përfshin gjithçka, nga numri i anijeve, avionëve dhe sistemeve raketore që do të blihen, e deri te rritja e pagave për ushtarët dhe mënyra se si do të adresohen kërcënimet gjeopolitike.

    Teksti i këtij dokumenti përmend një sërë çështjesh, përfshirë edhe varësinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga energjia ruse. Aty thuhet se kjo varësi lidh ekonomitë dhe politikën e tyre me Moskën dhe pengon aspiratat e tyre për integrim evropian, ndërsa korrupsioni, përfshirë edhe në nivelet e udhëheqësve kryesorë politikë, vazhdon të përbëjë një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe politik të rajonit.

    Në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare thuhet se ulja e varësisë së Ballkanit Perëndimor nga gazi dhe karburantet fosile ruse është në interes kombëtar të SHBA-së, dhe se Uashingtoni duhet të mbështesë anëtarësimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

    “Varësia e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga burimet fosile ruse dhe gazi natyror lidh ekonomitë dhe politikën e tyre me Federatën Ruse dhe pengon aspiratat e tyre për integrim evropian”, thuhet në këtë dokument.

    Rritja e ndikimit të Kinës në Ballkanin Perëndimor gjithashtu mund të ketë ndikim të dëmshëm në konkurrencën strategjike, demokracinë dhe integrimin ekonomik me Evropën, thuhet në dokument, ku kërkohet që sekretari i Shtetit, në koordinim me atë të Mbrojtjes, drejtorin e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës dhe agjencitë e tjera përkatëse, t’i raportojë rregullisht Kongresit për ndikimin dashakeq të Rusisë dhe Kinës në vendet e Ballkanit Perëndimor.

    “Shqetësim i thellë” për gjendjen e demokracisë në Serbi

    Në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare është shprehur shqetësim edhe për gjendjen e demokracisë në Serbi.

    “Zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor 2023 dhe pasojat e tyre të menjëhershme ngjallin shqetësim të thellë lidhur me gjendjen e demokracisë në Serbi, duke përfshirë përfundimet e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it”, thuhet në tekstin e dokumentit.

    Protesta më e madhe, e thirrur nga studentët protestues, mblodhi disa qindra mijëra qytetarë më 15 mars në Beograd.

    Aty shtohet se Zyra e OSBE-së për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut ka vlerësuar se në ato zgjedhje kishte “kushtet jo të drejta” për votim, “shumë mangësi procedurale, përfshirë zbatimin jo të barabartë të masave mbrojtëse gjatë votimit dhe numërimit, mbingarkimin e qendrave të votimit, shkelje të fshehtësisë së votës dhe raste të shumta të votimit në grup”.

    Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë gjithashtu ka theksuar se zyrtarët serbë kanë akuzuar kryesisht protestuesit paqësorë, partitë opozitare dhe shoqërinë civile për “përpjekje për të destabilizuar Qeverinë”, një pretendim shqetësues që rrezikon sigurinë e pjesëve të rëndësishme të shoqërisë serbe, thuhet në tekstin e Kongresit, ku vlerësohet se vendet demokratike, të cilat ndajnë vlerat e SHBA-së, përfaqësojnë partneritete më të forta dhe afatgjata.

    Mbështetje për EUFOR-in në Bosnjë dhe Hercegovinë

    Ndër qëndrimet e Kongresit, sipas aktit, është se duhet të mbështetet ruajtja e mandatit të plotë të EUFOR-it në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke e konsideruar këtë në interes të sigurisë kombëtare të SHBA-së.

    Gjithashtu kërkohet që NATO-ja dhe BE-ja të rishikojnë mandatin dhe vendosjen e misioneve në Bosnjë dhe Hercegovinë për t’u siguruar që të luajnë një rol proaktiv në krijimin e një mjedisi të sigurt, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, shkruan REL.

    Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas. 3 nëntor 2025

    Mbështetje për integrimet euroatlantike

    Vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – përbëjnë një rajon pluralist dhe multietnik në zemër të Evropës, i cili është thelbësor për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit, thuhet në fillim të seksionit kushtuar rajonit, për të cilin u tha se mund të quhet “Ligji për demokracinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”.

    Paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor lidhen drejtpërdrejt me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik të këtyre gjashtë vendeve, dhe është në interes të përbashkët të SHBA-së dhe vendeve të rajonit të përmirësojnë rritjen dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në rajon.

    Ballkani mes dronëve të NATO-s dhe raketave nga Lindja

    Reformat drejt Bashkimit Evropian, të kryera nga vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë sjellë përparim të konsiderueshëm demokratik dhe ekonomik në rajon, por pavarësisht këtij përmirësimi, nivelet e varfërisë dhe papunësisë në Ballkanin Perëndimor mbeten më të larta se në vendet fqinje të BE-së.

    Gjithashtu theksohet se “korrupsioni, përfshirë edhe tek udhëheqësit kryesorë politikë, vazhdon të prekë Ballkanin Perëndimor dhe përbën një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe politik të rajonit”, ndërsa “fushatat e dezinformimit të drejtuara ndaj Ballkanit Perëndimor minojnë besueshmërinë e institucioneve demokratike, përfshirë integritetin e zgjedhjeve”.

    Për këtë arsye, Kongresi ka theksuar se SHBA-ja duhet, ndër të tjera, të bashkëpunojë me aleatët dhe partnerët e përkushtuar për forcimin e sundimit të ligjit, diversifikimin e burimeve energjetike, reformat demokratike dhe ekonomike dhe reduktimin e varfërisë; të nxisë forcimin e lidhjeve tregtare dhe investimeve midis SHBA-së dhe aleatëve/partnerëve në Ballkanin Perëndimor dhe të zgjasë ndihmën amerikane për përpjekjet e integrimit rajonal në rajon.

    SHBA-ja duhet të mbështesë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë pjesë e BE-së dhe NATO-s, dhe që duan të anëtarësohen, të përmbushin kriteret për anëtarësim, kanë mbështetjen e të gjithë aleatëve për të marrë ftesën për anëtarësim dhe që janë në gjendje të promovojnë më tej parimet e Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të kontribuojnë në mënyrë të rëndësishme në sigurinë kolektive të NATO-s.

    SHBA duhet të rrisë lidhjet tregtare dhe investimet në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për të zvogëluar varësinë nga burimet energjetike ruse, për të rritur diversifikimin e energjisë, efikasitetin dhe kursimin, si dhe për të lehtësuar kalimin te burimet e energjisë së pastër.

    Hijet e ’90-ave, Vuçiqi dhe mosangazhimi i Perëndimit

    Aty shtohet se duhet të vazhdojë mbështetja e zhvillimit të shoqërisë civile të fortë, partneriteteve publike-private, medias së pavarur, qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme, stabilitetit politik dhe ekonomive moderne të tregut.

    Në aktin për mbrojtjen, sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i kërkohet të nxisë iniciativa për zhvillim demokratik dhe ekonomik dhe prosperitet, përfshirë zgjatjen e ndihmës teknike në çdo vend të Ballkanit Perëndimor, duke marrë parasysh kushtet lokale dhe miratimin e qeverisë vendase; të forcojë strategjitë kombëtare ekzistuese kundër korrupsionit, përfshirë korrupsionin politik, veçanërisht në gjyqësor, organet e pavarura të mbikëqyrjes së zgjedhjeve dhe prokurimet publike; dhe të promovojë rolin e medias së pavarur në luftën kundër korrupsionit.

    Kongresi gjithashtu ka shprehur mbështetje për sigurinë kibernetike dhe rezistencën kibernetike në Ballkanin Perëndimor, iniciativat për lidhje ekonomike rajonale dhe zhvillim, si dhe për promovimin e bashkëpunimit ndërkulturor dhe arsimor midis SHBA-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Autori i këtij dokumenti për Ballkanin Perëndimor, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve nga radhët e demokratëve, William Keating, tha për televizionin Insajder se miratimi i legjislacionit në dy dhomat e Kongresit tregon se Ballkani mbetet në radarin amerikan.

    “Mesazhi i rëndësishëm është se Amerika vazhdon të jetë e interesuar për Ballkanin Perëndimor. Unë merrem me këtë rajon prej shumë vitesh dhe gjithmonë e kam konsideruar si një zonë të rëndësishme për ne. Njerëzit duhet ta dinë se edhe në këtë Qeveri të SHBA-së ka njerëz që e shohin Ballkanin si prioritet”, tha Keating.

    Ai shpjegoi se legjislacioni u prezantua që në shtator, dhe më pas u përfshi në Aktin për mbrojtjen, me qëllim që të sigurohet miratimi i tij.

  • Lajm i mirë për Kosovën: Përfshihet në ligjin rekord të mbrojtjes së ShBA-së

    Lajm i mirë për Kosovën: Përfshihet në ligjin rekord të mbrojtjes së ShBA-së

    Ditën e sotme është bërë e ditur se Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin për politikën e mbrojtjes prej gati 1 trilion dollarësh, pavarësisht dispozitave të futura nga Kongresi që ofrojnë ndihmë të re për Ukrainën dhe frenojnë aftësinë e tij për të ulur përfshirjen e SHBA-së në mbrojtjen e Evropës.

    Më e mira e kësaj është sepse në të përfshihet edhe vendi ynë.

    Dokumenti thekson rëndësinë strategjike të Kosovës si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe riafirmon angazhimin e SHBA-së për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon, duke u përmendur si një nga gjashtë shtetet kyç të Ballkanit Perëndimor, ku stabiliteti i saj lidhet drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike të SHBA-së.

    Ligji i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare 2026 autorizon një rekord prej 901 miliardë dollarësh në shpenzimet ushtarake vjetore, 8 miliardë dollarë më shumë sesa kërkoi Trumpi.

    “Paqja e vazhdueshme, stabiliteti dhe prosperiteti në Ballkanin Perëndimor është direkt i lidhur me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik që u ofrohen qytetarëve të këtyre gjashte shteteve”, thuhet në dokument.

    Në një nga pikat e rëndësishme të dokumentit është qëndrimi zyrtar i Kongresit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. Aty Marrëveshja e 2023-tës për normalizimin e marrëdhënieve konsiderohet hap pozitiv, ndërsa kërkohet përparim i menjëhershëm në Aneksin e zbatimit. Riafirmon se zgjidhja përfundimtare duhet të bazohet në njohje reciproke dhe kundërshton qartë çdo ide për ndarje territoriale, shkëmbime apo rishikim kufijsh mbi baza etnike.

    Mbështet gjithashtu zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancë, si dhe anëtarësimin në BE.

    Në Ligj parashikohet mbështetje e vazhdueshme për reformat demokratike dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe forcimin e institucioneve.  Kosova po ashtu përfshihet në kuadrin rajonal të masave për monitorimin dhe kundërshtimin e ndikimit malinj rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor. Ligji mbështet rritjen e ndihmës amerikane për sigurinë kibernetike, nga e cila përfiton edhe Kosova.

    Legjislacioni gjithëpërfshirës përcakton gjithçka, nga sa anije, avionë dhe sisteme raketash blihen nga SHBA-ja, te një rritje pagash për trupat, e deri te mënyra e adresimit të kërcënimeve gjeopolitike. Ai është një kompromis, që kombinon masa të veçanta të miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, të dyja nën kontrollin e republikanëve.

  • KQZ-ja njofton se kur është afati i fundit për aplikim për akreditim të vëzhguesve e mediave

    KQZ-ja njofton se kur është afati i fundit për aplikim për akreditim të vëzhguesve e mediave

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se këtë të shtunë, më 20 dhjetor, do të mbyllet afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se periudha e aplikimit, e cila ka filluar më 5 dhjetor, do të përfundojë më 20 dhjetor 2025.

    “Deri në këtë datë, subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve”, njoftoi Elezi.

    Sipas tij, akreditimi u mundëson vëzhguesve të përcjellin nga afër aktivitetet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, jo vetëm në ditën e zgjedhjeve.

    “Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mund tëi vëzhgojnë procesin përgatitor, mbajtjen e zgjedhjeve dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR)”, tha Elezi.

    Deri më tani, KQZ ka akredituar 586 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë: organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore / ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.

    Si bëhet aplikimi?

    Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar (i organizatës joqeveritare, organizatës qeveritare/ndërqveritare, organizatës ndërkombëtare të specializuar në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut; mediave; dhe përfaqësuesi i vendeve të huaja) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org

    Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online në mënyrën që të bashkangjesë edhe të dhënat për personat e organizatës / medias që kërkon të akreditohen.

  • Tritol në një automjet në Tiranë, nisin hetimet

    Tritol në një automjet në Tiranë, nisin hetimet

    Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në një automjet në Tiranë në orët e para të mëngjesit të së premtes.

    Policia tha se ngjarja ndodhi në Selitë të Vogël, dyshohet se është hedhur një sasi lënde plasëse në automjetin e shtetasit D. J., rreth 39 vjeç, i cili ka qenë i parkuar në oborrin e banesës së tij, shkruan Euronews.al.

    Si pasojë e shpërthimit ka vetëm dëme materiale.

    Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.