ATV

Author: G.O.

  • Lajm i mirë për Kosovën: Përfshihet në ligjin rekord të mbrojtjes së ShBA-së

    Lajm i mirë për Kosovën: Përfshihet në ligjin rekord të mbrojtjes së ShBA-së

    Ditën e sotme është bërë e ditur se Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin për politikën e mbrojtjes prej gati 1 trilion dollarësh, pavarësisht dispozitave të futura nga Kongresi që ofrojnë ndihmë të re për Ukrainën dhe frenojnë aftësinë e tij për të ulur përfshirjen e SHBA-së në mbrojtjen e Evropës.

    Më e mira e kësaj është sepse në të përfshihet edhe vendi ynë.

    Dokumenti thekson rëndësinë strategjike të Kosovës si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe riafirmon angazhimin e SHBA-së për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon, duke u përmendur si një nga gjashtë shtetet kyç të Ballkanit Perëndimor, ku stabiliteti i saj lidhet drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike të SHBA-së.

    Ligji i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare 2026 autorizon një rekord prej 901 miliardë dollarësh në shpenzimet ushtarake vjetore, 8 miliardë dollarë më shumë sesa kërkoi Trumpi.

    “Paqja e vazhdueshme, stabiliteti dhe prosperiteti në Ballkanin Perëndimor është direkt i lidhur me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik që u ofrohen qytetarëve të këtyre gjashte shteteve”, thuhet në dokument.

    Në një nga pikat e rëndësishme të dokumentit është qëndrimi zyrtar i Kongresit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. Aty Marrëveshja e 2023-tës për normalizimin e marrëdhënieve konsiderohet hap pozitiv, ndërsa kërkohet përparim i menjëhershëm në Aneksin e zbatimit. Riafirmon se zgjidhja përfundimtare duhet të bazohet në njohje reciproke dhe kundërshton qartë çdo ide për ndarje territoriale, shkëmbime apo rishikim kufijsh mbi baza etnike.

    Mbështet gjithashtu zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancë, si dhe anëtarësimin në BE.

    Në Ligj parashikohet mbështetje e vazhdueshme për reformat demokratike dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe forcimin e institucioneve.  Kosova po ashtu përfshihet në kuadrin rajonal të masave për monitorimin dhe kundërshtimin e ndikimit malinj rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor. Ligji mbështet rritjen e ndihmës amerikane për sigurinë kibernetike, nga e cila përfiton edhe Kosova.

    Legjislacioni gjithëpërfshirës përcakton gjithçka, nga sa anije, avionë dhe sisteme raketash blihen nga SHBA-ja, te një rritje pagash për trupat, e deri te mënyra e adresimit të kërcënimeve gjeopolitike. Ai është një kompromis, që kombinon masa të veçanta të miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, të dyja nën kontrollin e republikanëve.

  • KQZ-ja njofton se kur është afati i fundit për aplikim për akreditim të vëzhguesve e mediave

    KQZ-ja njofton se kur është afati i fundit për aplikim për akreditim të vëzhguesve e mediave

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se këtë të shtunë, më 20 dhjetor, do të mbyllet afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se periudha e aplikimit, e cila ka filluar më 5 dhjetor, do të përfundojë më 20 dhjetor 2025.

    “Deri në këtë datë, subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve”, njoftoi Elezi.

    Sipas tij, akreditimi u mundëson vëzhguesve të përcjellin nga afër aktivitetet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, jo vetëm në ditën e zgjedhjeve.

    “Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mund tëi vëzhgojnë procesin përgatitor, mbajtjen e zgjedhjeve dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR)”, tha Elezi.

    Deri më tani, KQZ ka akredituar 586 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë: organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore / ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.

    Si bëhet aplikimi?

    Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar (i organizatës joqeveritare, organizatës qeveritare/ndërqveritare, organizatës ndërkombëtare të specializuar në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut; mediave; dhe përfaqësuesi i vendeve të huaja) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org

    Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online në mënyrën që të bashkangjesë edhe të dhënat për personat e organizatës / medias që kërkon të akreditohen.

  • Tritol në një automjet në Tiranë, nisin hetimet

    Tritol në një automjet në Tiranë, nisin hetimet

    Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në një automjet në Tiranë në orët e para të mëngjesit të së premtes.

    Policia tha se ngjarja ndodhi në Selitë të Vogël, dyshohet se është hedhur një sasi lënde plasëse në automjetin e shtetasit D. J., rreth 39 vjeç, i cili ka qenë i parkuar në oborrin e banesës së tij, shkruan Euronews.al.

    Si pasojë e shpërthimit ka vetëm dëme materiale.

    Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

  • Apeli i GJKKO-s lë në fuqi ndalimin e Ballukut jashtë shtetit

    Apeli i GJKKO-s lë në fuqi ndalimin e Ballukut jashtë shtetit

    Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masat e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” për zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

    Për masën “pezullim nga detyra”, gjykata vendosi të pezullojë shqyrtimin derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese. Vendimi për pezullimin e Ballukut u pezullua nga Kushtetuesja, deri në shqyrtimin e kërkesës së dorëzuar nga Këshilli i Ministrave.

    Balluku është marrë e pandehur për një tender që lidhet me tunelin e Llogarasë, ndërsa po hetohet edhe për disa lote të ndërtimit të unazës së madhe të Tiranës. Ndërkohë, SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit të deputetes për zv.kryeministren për të dhe dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së saj.

  • Banka Qendrore e Rusisë do të padisë bankat evropiane për asetet e ngrira

    Banka Qendrore e Rusisë do të padisë bankat evropiane për asetet e ngrira

    Banka Qendrore Ruse njoftoi të enjten se do të ngrejë një padi në një gjykatë arbitrazhi rus për të rikuperuar humbjet nga bankat evropiane që vijnë nga asetet e saj të ngrira.

    “Në lidhje me përpjekjet e vazhdueshme të autoriteteve të Bashkimit Evropian për të sekuestruar/përdorur në mënyrë të paligjshme, pa pëlqimin e Bankës së Rusisë, asetet e saj të vendosura në institucionet financiare të BE-së, duke përfshirë edhe vendosjen e një imobilizimi të përhershëm të aseteve të saj”, tha banka qendrore në një deklaratë.

    “Banka e Rusisë, në përputhje me qëndrimin e saj të deklaruar më parë për të siguruar mbrojtjen e interesave të saj, njofton se do të kërkojë dëmshpërblim nga bankat evropiane në një gjykatë arbitrazhi ruse për shkak të bllokimit dhe përdorimit të paligjshëm të aseteve të saj, në shumën e aseteve të mbajtura në mënyrë të paligjshme dhe fitimeve të humbura”, shtoi ajo.

    Deklarata gjithashtu kujtonte se banka kishte ngritur më parë një padi kundër Euroclear me seli në Belgjikë në Gjykatën e Arbitrazhit të Moskës më 12 dhjetor, shkruan Euronews.

    U raportua se Banka Qendrore Ruse kërkoi 18.2 trilion rubla (afërsisht 229.7 miliardë dollarë) kompensim nga Euroclear.

    Të premten, shtetet anëtare të BE-së vendosën të “mobilizojnë për një kohë të pacaktuar” asetet e ngrira ruse me vlerë 210 miliardë euro (246 miliardë dollarë).

    Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha gjithashtu se 210 miliardë euro do të mbeten në territorin e BE-së nëse Rusia nuk kompenson dëmin që i ka shkaktuar Ukrainës gjatë luftës së vazhdueshme, e cila po i afrohet kufirit katërvjeçar.

  • Akreditohet grupi i dytë me 303 vëzhgues për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Akreditohet grupi i dytë me 303 vëzhgues për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për akreditimin e grupit të dytë me 303 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Besnik Buzhala, Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, bëri të ditur se aplikuesit kanë përmbushur detyrimet ligjore.

    PËRFAQËSI DIPLOMATIKE:

    1. Ambasada e Italisë – 3 vëzhgues;

    ORGANIZATË NDËRKOMBËTARE:

    1. Council of Europe – 23 vëzhgues;

    2. NDI – 13 vëzhgues;

    ORGANIZATA JO-QEVERITARE:

    1. Primo la Tolleranza – 10 vëzhgues;

    2. Lëvizja FOL – 4 vëzhgues;

    3. GERMIN – 4 vëzhgues;

    4. Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET – 7 vëzhgues;

    5. Instituti i Kosoves per Drejtesi / KOSOVO LAË INSTITUTE – KLI – 31 vëzhgues;

    6. Qendra per Politika dhe Avokim (QPA) – 146 vëzhgues;

    MEDIA VENDORE:

    1. KOHA – 30 vëzhgues;

    2. Radio KM – 4 vëzhgues;

    3. Gazeta Zëri – 3 vëzhgues;

    4. Radio Dodona – 2 vëzhgues;

    5. TV Herc – 6 vëzhgues;

    6. Art Media – 3 vëzhgues;

    7. Arbresh. info – 7 vëzhgues;

    MEDIA NDËRKOMBËTARE:

    1. Associated Press – 7 vëzhgues;

    Në mbledhjen e kaluar, KQZ ka akredituar grupin e parë me 283 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar deri më tani, është: 586 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë: organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore / ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.

  • Tusk: Pavarësia e Polonisë rrezikohet nëse Ukraina kapitullon

    Tusk: Pavarësia e Polonisë rrezikohet nëse Ukraina kapitullon

    Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka deklaruar të enjten se pavarësia e vendit të tij do të ishte e rrezikuar nëse Ukraina do të detyrohej të kapitullonte.

    Gjatë një takimi të liderëve të BE-së në Bruksel mbi financimin e Ukrainës, Tusk tha se udhëheqësit po përballen “në një proces shumë të vështirë” për të arritur një marrëveshje, duke përfshirë disa vende më kritike, si Belgjika, që “teorikisht janë më të rrezikuara nga veprime hakmarrëse ose financiare nga Rusia”.

    Ai shtoi se po kërkohen mënyra për t’i bërë të gjitha vendet të ndihen të qeta me propozimet që po diskutohen.

    Megjithatë, Tusk theksoi se edhe Polonia do të rrezikohej në rast se Ukraina detyrohet të dorëzohet, për shkak të mosveprimeve nga Evropa.

    “Pavarësia polake do të ishte nën kërcënim nëse rezulton se si pasojë e vendimeve të dobëta ose mungesës së veprimit nga Evropa, Ukraina do të detyrohej të dorëzohet nga lufta”, ka deklaruar ai.

    Ai shtoi se mbështetja e Ukrainës përmes fondeve ruse është thelbësore për sigurinë e Polonisë:

    “Dua që kjo të kuptohet më në fund nga të gjithë – jo vetëm nga kolegët tanë këtu në Evropë, por edhe nga të gjithë në Poloni, se kur flasim për domosdoshmërinë e mbështetjes së Ukrainës duke përdorur këto fonde ruse, kjo ndodh sepse e dimë shumë mirë se pavarësia e Ukrainës e largon rrezikun e agresionit ose luftës nga kufijtë polakë. Anasjelltas, rënia e Ukrainës si rezultat i kësaj lufte do të nënkuptonte një kërcënim të drejtpërdrejtë për Poloninë”, ka theksuar Tusk.

  • “Ju përshëndes, kaloni mirë”: Kurti hesht pasi komunat veriore u larguan nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

    “Ju përshëndes, kaloni mirë”: Kurti hesht pasi komunat veriore u larguan nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti nuk ka dashur të komentoj vendimin e komunave veriore për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK).

    Derisa u pyet për këtë Kurti i shoëruar edhe nga Naim Tërnava ka vazhduar disponimin e tij duke u përshëndetur me mysafirët të cilët ishin në një ngjarje që ishte organizuar në Bashkësinë Islame të Kosovës.

    “Ju përshëndes, kaloni mirë”, ishte përshëndetje e Kurtit me të pranishmit aty, duke injoruar kështu pyetjen e gazetarëve.

    Gjatë ditës, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

    Ky vendim vjen pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Serbia – e riktheu pushtetin në këto katër komuna pas zgjedhjeve lokale të tetorit.

    Kryetarët e rinj nga kjo parti kishin paralajmëruar në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptarë.

  • Sulmi makabër në Sydney: Të dyshuarit për sulmin i thanë familjes se ishin për peshkim ditën e sulmit

    Sulmi makabër në Sydney: Të dyshuarit për sulmin i thanë familjes se ishin për peshkim ditën e sulmit

    Sajid dhe Naveed Akram, të cilët vranë 15 persona në plazhin Bondi në një sulm ndaj komunitetit hebre të dielën, u kishin thënë familjes së tyre se ishin për peshkim.

    Nëna e Naveed, Verena, i tha mediumit Sydney Morning Herald, se ndërsa policia rrethonte shtëpinë e familjes, ajo pati një bisedë me të birin të dielën – ditën e sulmit.

    Ajo thotë: “Ai më telefonoi dhe më tha: ‘Mami, sapo shkova për të notuar. Bëra zhytje, shkruan BBC.

    Do të shkojmë… për të ngrënë tani, dhe pastaj këtë mëngjes, dhe do të rrimë në shtëpi tani sepse është shumë vapë’.

    Sipas gazetës, burimet sugjerojnë se Naveed po tregon shenja se do t’u mbijetojë plagëve të marra.

    Si kujtesë, ai mbetet në spital në gjendje kritike pas sulmit.

  • Zgjedhjet e 28 dhjetorit: KQZ tregon se si duhet të plotësohet fletëvotimi – video

    Zgjedhjet e 28 dhjetorit: KQZ tregon se si duhet të plotësohet fletëvotimi – video

    Qytetarët e Kosovës më 28 dhjetor do t’i drejtohen sërish kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një videoje të publikuar në Facebook ka treguar se si duhet të plotësohet saktë fletëvotimi, si zhvillohet procesi i votimit e deri te hedhja e fletëvotimit në kutinë e votimit.

    Më poshtë mund ta shikoni videon e KQZ-së: