ATV

Author: G.O.

  • Osmani në Uashington – Takon zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit

    Osmani në Uashington – Takon zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit

    Ditën e sotme e para e vendit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takon në Uashington zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau.

    Kështu ka bërë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit përmes një njoftimi zyrtar.

    Aty nuk janë dhënë më shumë hollësi se cilat do të jenë temat e diskutimit në takimin që zhvillohet pasdite, me orën lokale të Kosovës.

    Presidentja Osmani është takuar me zëvendëssekretarin Landau edhe në korrik të këtij viti, kur dy palët i kanë diskutuar fushat potenciale për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve në të ardhmen.

  • Shfaqen pamje të Naim Muselit e Kushtrim Kokallës kur hyjnë në hotel pas vrasjes së Liridona Ademajt

    Shfaqen pamje të Naim Muselit e Kushtrim Kokallës kur hyjnë në hotel pas vrasjes së Liridona Ademajt

    Në seancën e radhës së shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, në Gjykatën Themelore janë paraqitur prova të reja fotografike që lidhen me lëvizjet e të akuzuarve pas vrasjes dhe pas qëndrimit të Murselit në polici.

    Prokuroria bëri të ditur se fotografitë janë siguruar nga kamerat e një hoteli në Prishtinë dhe, sipas saj, dokumentojnë hyrjen e Naim Murselit dhe Kushtrim Kokallës në hotel, si dhe veprimet e Kokallës në recepsion, pas ngjarjes.

    Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, gjatë paraqitjes së provave tha se provat janë sigurua nga kamerat e hotelit Swiss Diamond.

    “Fotografia nr. 50, e cila është e siguruar nga kamerat e hotelit Swiss Diamond, shihen personat Naim Murseli së bashku me Kushtrim Kokallën se si hyjnë në hotel, në ora 01:25 minuta pas qëndrimit në polici të Naim Murselit”, tha ajo.

    Duke vijuar me shpjegimin e provave, Perlinçeviq u ndal edhe te fotografitë tjera, duke theksuar:

    “Në fotografinë 51 e shohim në recepsion personin Kushtrim Kokalla. Fotografia 52, po ashtu në recepsion të hotelit Swiss Diamond, e shohim personin Kushtrim Kokalla ku bën një pagesë dhe shohim në duart e tij para. Këto janë tri foto që i kemi nga hoteli Swiss Diamond”, tha ajo.

  • Policia dhe AKI në aksion, ish-pjetëstari i MUP-it serb përfundon në pranga

    Policia dhe AKI në aksion, ish-pjetëstari i MUP-it serb përfundon në pranga

    Një operacion i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka çuar në arrestimin e një personi të dyshuar lidhur me kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviq. Arrestimi u realizua sot në Leshak, si pjesë e hetimeve intensive mbi këtë çështje.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar lajmin, duke theksuar se operacioni ishte një bashkëpunim i ngushtë mes Policisë dhe AKI-së.

    I arrestuari, i identifikuar me inicialet V.M., është një ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i cili ishte integruar në Policinë e Kosovës në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013, por më pas kishte dhënë dorëheqje. Autoritetet dyshojnë se V.M. ka mbështetur strukturat e sigurisë të Serbisë dhe ka luajtur një rol në kidnapimin e Milan Vukashinoviq më 1 nëntor 2025, brenda territorit të Kosovës.

    Gjatë këtij kidnapimi, Vukashinoviq u plagos rëndë dhe aktualisht po trajtohet në një spital në Serbi. Sipas hetimeve, i dyshuari ka pasur kontakte me strukturat e inteligjencës dhe ushtrisë serbe, ka përgatitur të rinj serbë për trajnime dhe ka qenë i përfshirë në përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë.

    Ministri Sveçla ka theksuar se asnjë individ nuk do të arrijë të shmangë drejtësinë në Kosovë dhe ka garantuar se institucionet e sigurisë kanë kapacitet të plotë për të adresuar kërcënimet dhe për të zbardhur çdo krim.

  • Foshnja vdiq pasi u braktis nga e ëma në ballkon – Indonezianja përfundon me pranga në duar në Tiranë

    Foshnja vdiq pasi u braktis nga e ëma në ballkon – Indonezianja përfundon me pranga në duar në Tiranë

    Një 20-vjeçare nga Indonezia është arrestuar nga Policia e Tiranës, e akuzuar për veprën penale “Vrasja e foshnjës”. Vajza indoneziane lindi fëmijën e saj 2 muaj më parë dhe e braktisi, duke e lënë në ballkon.

    Siç raporton “Shqiptarja”, ajo kishte shkuar në Shqipëri disa muaj më parë, bashkë me shoqet e tjera, me të cilat jetonin në një ambient të marrë me qira. Ato punonin pastruese nëpër lokale në kryeqytet.

    “Në kohën që ka ardhur nga Indonezia ka qenë 5 muajshe shtatzënë, dhe në muajin tetor e kanë kapur kriza të stresit dhe pas lindjes, e ka braktisur fëmijën në banesë”.

    “Vajzat e tjera kanë njoftuar pronarin e shtëpisë dhe më pas policinë. Pasi është marrë foshnja, është dërguar në spital dhe fatkeqësisht ndërroi jetë më pas”, ka raportuar ky medium.

    Fillimisht, për shkak të gjendjes së fëmijës, për nënën që e braktisi nisi vetëm hetim në gjendje të lirë, ndërsa tashmë e njëjta është ndaluar me urdhër të Gjykatës.

  • Fluksi i mërgimtarëve, gjendja në kufi: 1 orë pritje në Muçibabë e 40 minuta te Dheu i Bardhë

    Fluksi i mërgimtarëve, gjendja në kufi: 1 orë pritje në Muçibabë e 40 minuta te Dheu i Bardhë

    Po vazhdojnë kolonat dhe pritjet e mërgimtarëve me orë, nëpër pikat kufitare për të hyrë në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.

    Në pikën kufitare në Muçibabë , pritjet arrijnë deri në një orë, ndërsa te Dheu i Bardhë deri në 40 minuta.

    Në Merdarë, Vërmicë dhe Jarinjë, qytetarët presin mesatarisht nga 10 deri në 20 minuta.

    Ndërkohë, në pikat e tjera kufitare, pritjet janë më të shkurtra, duke lëvizur nga 1 deri në 5 minuta.

  • Moti me mjegull, Policia e Kosovës bën thirrje për kujdes të shtuar në trafik

    Moti me mjegull, Policia e Kosovës bën thirrje për kujdes të shtuar në trafik

    Moti i ditës së sotme është shoqëruar kryesisht me mjegull në disa qytete të Kosovës.

    Kushtet e tilla të motit zakonisht janë ndër shkaktarët kryesorë të aksidenteve apo incidenteve të trafikut.

    Një thirrje publike mbi këtë e ka bërë së fundi edhe Policia e Kosovës përmes një postimi.

    “Policia e Kosovës. Kujdes! Mjegulla mund të jetë një rrezik për shoferët”, thuhet në njoftimin e tyre.

  • A po e dëmton inteligjenca artificiale aftësinë e të menduarit?

    A po e dëmton inteligjenca artificiale aftësinë e të menduarit?

    Çfarë ishte gjëja e fundit që i kërkuat një chatbot-i me inteligjencë artificiale të bënte për ju?

    Ndoshta i kërkuat një strukturë eseje për të dhënë një përgjigje për një pyetje të vështirë, një analizë të zgjeruar të një sasie të madhe të dhënash, apo thjesht të kontrollonte nëse letra juaj e motivimit përputhej me përshkrimin e vendit të punës.

    Por disa ekspertë po ngrenë alarmin se delegimi i këtyre detyrave tek inteligjenca artificiale mund të nënkuptojë që truri ynë po punon më pak. Kjo sipas tyre, mund të dëmtojë aftësitë tona për të menduar në mënyrë kritike dhe për të zgjidhur probleme.

    Në fillim të këtij viti, Instituti i Teknologjisë në Massachusetts (MIT) publikoi një studim që tregonte se personat që përdornin ChatGPT për të shkruar ese shfaqnin më pak aktivitet në rrjetet e trurit që lidhen me përpunimin kognitiv, gjatë kohës që kryenin detyrën.

    Studiuesit deklaruan se studimi i tyre nxjerr në pah “nevojën urgjente për të eksploruar një rënie të mundshme të aftësive të të nxënit”.

    Në kërkim morën pjesë 54 persona, të gjithë të rekrutuar nga MIT dhe universitete përreth. Aktiviteti i trurit të tyre u regjistrua përmes elektroencefalografisë (EEG), një metodë që përfshin vendosjen e elektrodave në skalp.

    Disa nga “prompte”-t e përdorura nga pjesëmarrësit përfshinin kërkesa për përmbledhjen e pyetjeve të esesë, gjetjen e burimeve, si dhe përmirësimin e gramatikës dhe stilit.
    AI u përdor gjithashtu për të gjeneruar dhe formuluar ide, megjithëse disa përdorues ndjenë se inteligjenca artificiale nuk ishte veçanërisht e mirë në këtë drejtim.

    “AI e bën shumë të lehtë gjetjen e përgjigjeve”

    Në një studim tjetër, Universiteti Carnegie Mellon dhe Microsoft, kompania që operon Copilot, zbuluan se aftësitë e zgjidhjes së problemeve te njerëzit mund të dobësohen nëse ata bëhen tepër të varur nga inteligjenca artificiale.

    Ata anketuan 319 punonjës të sektorit administrativ (white-collar), të cilët përdornin mjete AI për punën e tyre të paktën një herë në javë, duke i pyetur se si e aplikonin të menduarit kritik gjatë përdorimit të tyre.

    Studiuesit analizuan rreth 900 shembuj detyrash të dhëna inteligjencës artificiale, që varionin nga analiza e të dhënave për të nxjerrë njohuri të reja, deri te verifikimi nëse një punim i plotësonte rregulla të caktuara.

    Studimi zbuloi se sa më e lartë të ishte besimi i përdoruesve në aftësinë e mjetit për të kryer një detyrë, aq më i ulët ishte “angazhimi në të menduar kritik”.

    “Ndërsa GenAI mund të rrisë efikasitetin e punonjësve, ajo mund të pengojë angazhimin kritik me punën dhe potencialisht të çojë në varësi afatgjatë nga mjeti, si dhe në dobësim të aftësive për zgjidhje të pavarur të problemeve”, thuhet në përfundimet e studimit.

    Edhe nxënësit e shkollave në Mbretërinë e Bashkuar u anketuan në një studim të publikuar në tetor nga Oxford University Press (OUP). Rezultatet treguan se gjashtë në dhjetë prej tyre mendonin se AI kishte ndikuar negativisht në aftësitë e tyre në lidhje me detyrat shkollore.

    Atëherë, me shpërthimin masiv të përdorimit të inteligjencës artificiale, a janë vërtet në rrezik aftësitë tona njohëse?

    Sipas Dr. Alexandra Tomescu, specialiste e inteligjencës artificiale gjenerative në OUP dhe bashkëautore e studimit me nxënësit, përgjigjja nuk është aq e thjeshtë.

    “Hulumtimi ynë tregon se nëntë në dhjetë nxënës thonë se AI i ka ndihmuar të zhvillojnë të paktën një aftësi të lidhur me shkollën, qoftë zgjidhjen e problemeve, kreativitetin apo përsëritjen”, shpjegon ajo.

    “Por në të njëjtën kohë, rreth një e katërta thonë se përdorimi i AI e ka bërë shumë të lehtë kryerjen e punës për ta… Pra, kemi të bëjmë me një panoramë me nuanca.”

    Ajo shton se shumë nxënës dëshirojnë më shumë udhëzime se si ta përdorin saktë inteligjencën artificiale.

    ChatGPT, i cili sipas drejtorit ekzekutiv Sam Altman ka më shumë se 800 milionë përdorues aktivë çdo javë, ka publikuar një listë me 100 “prompte” për studentët, të dizajnuara për t’i ndihmuar ata të përfitojnë sa më shumë nga teknologjia.

    Por profesori Wayne Holmes, studiues i inteligjencës artificiale dhe edukimit në University College London (UCL), thotë se kjo nuk mjafton.

    Ai kërkon shumë më tepër kërkime akademike mbi efektet e mjeteve AI në procesin e të nxënit, përpara se nxënësit dhe studentët të inkurajohen gjerësisht t’i përdorin ato.

    “Sot nuk ka prova të pavarura, në shkallë të gjerë, për efektivitetin e këtyre mjeteve në arsim, as për sigurinë e tyre, apo madje për idenë se ato kanë ndikim pozitiv”, thotë ai për BBC-në.

    Rezultate më të mira, por nxënie më e dobët?

    Prof. Holmes i referohet edhe kërkimeve mbi atë që quhet atrofi kognitive, ku aftësitë e një personi dobësohen pas përdorimit të AI.

    Ai përmend rastin e radiologëve që përdorin mjete AI për të interpretuar rrezet X përpara se të vendosin diagnozën.

    Një studim i Shkollës së Mjekësisë në Harvard, i publikuar vitin e kaluar, zbuloi se ndihma e AI përmirësonte performancën e disa klinicistëve, por e dëmtonte atë të të tjerëve, për arsye që studiuesit ende nuk i kuptojnë plotësisht.

    Autorët bënë thirrje për më shumë kërkime mbi mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me inteligjencën artificiale, në mënyrë që të gjenden forma përdorimi që “rrisin performancën njerëzore, në vend që ta dëmtojnë atë”.

    Prof. Holmes shpreh shqetësimin se studentët, si në shkollë ashtu edhe në universitet, mund të bëhen tepër të varur nga AI për të kryer punën e tyre dhe, si pasojë, të mos zhvillojnë aftësitë themelore që ofron arsimi.

    Një ese mund të marrë nota më të mira falë ndihmës së inteligjencës artificiale, por pyetja kryesore mbetet kjo: A përfundojnë studentët duke kuptuar më pak?

    Siç e përmbledh ai, “Produktet e tyre janë më të mira, por në fakt të nxënit është më i dobët”.

    Nga ana tjetër, Jayna Devani, drejtuese e arsimit ndërkombëtar në OpenAI, kompania që zotëron ChatGPT dhe e përfshirë në marrëveshjen me Universitetin e Oksfordit, thotë se kompania është “shumë e vetëdijshme për këtë debat”.

    “Ne definitivisht nuk mendojmë se studentët duhet ta përdorin ChatGPT për të bërë punën”, thotë ajo për BBC-në.

    Sipas saj, mjeti funksionon më mirë si tutor sesa si një burim i thjeshtë përgjigjesh. Ajo jep shembull përdorimin e ChatGPT në “study mode”, ku studenti mund të zhvillojë një dialog me chatbot-in.

    Studenti fut pyetjen që e ka të vështirë dhe chatbot-i e ndan atë në pjesë, duke ndihmuar në kuptimin e saj.

    Shembulli që ajo sjell është ai i një studenti që punon vonë natën për një temë që nuk e kupton plotësisht.

    “Nëse keni një prezantim për të bërë dhe është mesnatë, nuk do t’i dërgoni email tutorit tuaj universitar për ndihmë. Mendoj se potenciali është realisht aty që ChatGPT të përshpejtojë të nxënit, nëse përdoret në mënyrë të duhur”, thotë ajo.

    Megjithatë, Prof. Holmes këmbëngul se çdo student që përdor mjete AI duhet të jetë i vetëdijshëm se si funksionon arsyetimi i tyre dhe si i trajtojnë të dhënat kompanitë që i ofrojnë ato. Ai thekson se rezultatet duhet gjithmonë të verifikohen.

    “Nuk u them kurrë studentëve të mi se nuk duhet ta përdorin AI-në… Por ajo që përpiqem të them është se duhet ta kuptojmë mirë, që të mund të marrim vendime të mira.”

  • Porti pranë Odesës goditet nga raketat ruse, vriten shtatë persona

    Porti pranë Odesës goditet nga raketat ruse, vriten shtatë persona

    Një sulm me raketa ruse vonë të premten në infrastrukturën përreth portit ukrainas të Detit të Zi, Pivdennyi, në rajonin e Odesës, vrau shtatë persona dhe plagosi 15 të tjerë , sipas zyrtarëve ukrainas.

    Ky sulm vjen pasi Ukraina tha se kishte sulmuar një tanker rus të “flotës në hije” me dronë ajrorë pranë brigjeve të Libisë të premten, në sulmin e parë të tillë në Mesdhe që nga pushtimi në shkallë të plotë i Moskës.

    Odesa, një pikë qendrore e eksporteve të grurit dhe eksporteve të tjera ukrainase, ka qenë një objektiv i shpeshtë i sulmeve ruse.

    Zëvendëskryeministri i Ukrainës, Oleksiy Kuleba, tha se Ukraina po bisedonte me autoritetet moldave për të gjetur rrugë alternative larg zonës së prekur, në mënyrë që kamionët dhe pasagjerët të mund të kalonin kufirin.

    Në Moldavi, autoritetet ngritën kampe të përkohshme në pikat kufitare për të siguruar strehim dhe ushqim për udhëtarët që shkojnë në Ukrainë.

  • Mjegulla mbulon ‘Rrugën e Kombit’, Policia shqiptare apelon për kujdes: Ulni shpejtësinë

    Mjegulla mbulon ‘Rrugën e Kombit’, Policia shqiptare apelon për kujdes: Ulni shpejtësinë

    Policia Shqiptare ka apeluar për rritje të kujdesit nga drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në Rrugën e Kombit, konkretisht në segmentin Tuneli i Kalimashit–Morinë, për shkak të prezencës së mjegullës dhe shikueshmërisë së reduktuar.

    Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të ulin shpejtësinë, të ruajnë distancën e sigurisë dhe të respektojnë udhëzimet e punonjësve të Policisë në terren.

    “Shërbimet e Policisë së Njësisë për Sigurisë Rrugore, në bashkëpunim me Policinë Rrugore të DVP Kukës, ndodhen në terren për monitorimin e qarkullimit dhe për t’ju ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve.

    “Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 129”, shkruan Policia e Shtetit në Facebook.

  • Ulutash rikonfirmon përkushtimin e KFOR-it për një mjedis të sigurt në Kosovë

    Ulutash rikonfirmon përkushtimin e KFOR-it për një mjedis të sigurt në Kosovë

    Ditën e djeshme, Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaş, priti në Prishtinë Ambasadorë, Shefa të Misioneve dhe Përfaqësues të Lartë nga 33 vendet kontribuese me trupa.

    Siç njofton KFOR-i, ky takim shënoi angazhimin e parë të përbashkët të gjeneralit Ulutaş me përfaqësuesit e vendeve kontribuese që nga marrja e detyrës.

    Me këtë rast, ai prezantoi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, aktivitetet e vazhdueshme të KFOR-it, si dhe prioritetet kryesore për periudhën në vijim.

    Gjeneralmajor Ulutaş rikonfirmoi përkushtimin e KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.

    Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij të sinqertë ndaj të gjitha vendeve kontribuese me trupa për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.