ATV

Author: G.O.

  • Rusia sulmoi Kievin herët në mëngjes, Polonia ngre avionët luftarakë për të mbrojtur hapësirën ajrore

    Rusia sulmoi Kievin herët në mëngjes, Polonia ngre avionët luftarakë për të mbrojtur hapësirën ajrore

    Rusia sulmoi infrastrukturën energjetike të Kievit dhe Ukrainës herët këtë mëngjes, duke shkaktuar ndërprerje emergjente të energjisë elektrike dhe duke e shtyrë Poloninë, anëtare të NATO-s, të ngrinte avionë luftarakë për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore, dy ditë pas përfundimit të bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-të në Miami.

    Bisedimet e paqes, të mbajtura gjatë fundjavës në Miami , përfshinë zyrtarë amerikanë, delegacione ukrainase dhe evropiane, si dhe kontakte të ndara me përfaqësues rusë. Në orën 08:20 u shpallën alarme për sulme ajrore në pjesën më të madhe të Ukrainës, sipas Forcave Ajrore të vendit.

    Mbeturinat ranë pranë një ndërtese banimi në lagjen Sviatosinsky të Kievit, duke thyer dritaret, tha kryebashkiaku Vitali Klitschko nëpërmjet Telegramit.

    Ministria e Energjisë e Ukrainës tha se ndërprerje emergjente të energjisë elektrike kishin ndodhur në një numër rajonesh, përfshirë Kievin dhe zonën përreth, pasi Rusia sulmoi përsëri objektet e energjisë.

    Kompania shtetërore e energjisë e Ukrainës, Ukrenergo, raportoi një “sulm masiv me raketa dhe dronë” dhe tha se punimet e restaurimit do të fillonin sapo situata e sigurisë ta lejonte.

    Rusia ka goditur vazhdimisht rrjetin dhe objektet e energjisë të Ukrainës në luftën gati katërvjeçare, duke intensifikuar sulmet në dimër për të ndërprerë energjinë elektrike dhe ngrohjen, për të tendosur furnizimet dhe ekonominë, si dhe për të rritur presionin mbi Kievin.

    Polonia, një anëtare e NATO-s që kufizohet me Ukrainën perëndimore, njoftoi se avionë polakë dhe aleatë u vendosën për të mbrojtur hapësirën ajrore polake pasi sulmet ruse shënjestruan zona të Ukrainës perëndimore pranë kufirit.

    “Këto masa janë parandaluese dhe synojnë të sigurojnë dhe mbrojnë hapësirën ajrore”, tha Komanda Operacionale Polake nëpërmjet X.

  • Tentoi t’i japë ryshfet një polici, një shtetas i Shqipërisë përfundon në pranga

    Tentoi t’i japë ryshfet një polici, një shtetas i Shqipërisë përfundon në pranga

    Një shtetas i Shqipërisë, është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, pasi dyshohet se i kishte ofruar ryshfet një zyrtari policor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

    Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti do të trajtohet nga organet kompetente.

  • KQZ mblidhet sot, ky është rendi i ditës

    KQZ mblidhet sot, ky është rendi i ditës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhje sot nga ora 13:30.

    Ky është rendi i ditës.

  • Dhoma e Tregtisë alarmon: Bizneset po dëmtohen nga reduktimet e rrymës ditëve të fundit

    Dhoma e Tregtisë alarmon: Bizneset po dëmtohen nga reduktimet e rrymës ditëve të fundit

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka thënë se reduktime të ashpra të rrymës po aplikohen thuajse në të gjithë vendin ditët e fundit.

    DhTIK thotë se ditëve të fundit është njoftuar nga një numër i madh i bizneseve anëtare se po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe të pa planifikuara të energjisë elektrike, të cilat po shkaktojnë rritje të menjëhershme të kostove operative, humbje në prodhim dhe rrezikim të vazhdueshëm të funksionimit të tyre.

    Në reagim thuhet se kjo situatë është vazhdimësi e rëndimit edhe më tej të gjendjes së bizneseve nga rritja e çmimit të energjisë elektrike për 16.1% si dhe nga dalja e mbi 1300 bizneseve në tregun e hapur të energjisë.

    Po ashtu iu është bërë thirrje akterëve përgjegjës të sektorit energjetik që të ndërmarrin veprime urgjente dhe konkrete për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike.

    “Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me reduktimet e ashpra të energjisë që po aplikohen thuajse në të gjithë vendit dhe pasojat serioze që kjo gjendje po shkakton për bizneset në vend.

    Gjatë ditëve të fundit, DhTIK është njoftuar nga një numër i madh i bizneseve anëtare se po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe të pa planifikuara të energjisë elektrike, të cilat po shkaktojnë rritje të menjëhershme të kostove operative, humbje në prodhim dhe rrezikim të vazhdueshëm të funksionimit të tyre.

    Kjo situatë është vazhdimësi e rëndimit edhe më tej të gjendjes së bizneseve nga rritja e çmimit të energjisë elektrike për 16.1% për konsumatorët e rregulluar, si dhe nga dalja e mbi 1300 bizneseve në tregun e hapur të energjisë, zhvillime këto që tashmë kanë prodhuar dëme të konsiderueshme ekonomike dhe po ndikojnë negativisht në konkurrueshmërinë e sektorit privat.

    Me këtë rast, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë u bën thirrje të gjithë akterëve përgjegjës të sektorit energjetik që të ndërmarrin veprime urgjente dhe konkrete për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, rritjen e transparencës në menaxhimin e sistemit energjetik dhe garantimin e kushteve të qëndrueshme për funksionimin e bizneseve dhe ruajtjen e vendeve të punës”, thuhet në reagim.

  • Osmani: Ne kemi besim të plotë në administratën Trump

    Osmani: Ne kemi besim të plotë në administratën Trump

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklarim për media, pas takimit me zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau, gjatë qëndrimit të saj në Washington, tha se ka besim të plotë te presidenti Trump.

    Osmani ia ka shprehur falënderimet e popullit të Kosovës për ligjin që sapo ka nënshkruar presidenti Trump, në të cilin përfshihet edhe Republika e Kosovës dhe jo vetëm kaq, por në veçanti thuhet se nuk do të ketë ndryshim të kufijve.

    “Prandaj mbrohet integriteti territorial dhe sovraniteti i vendit tonë. Qartësohet se dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke, përkrahet anëtarësimi ynë në NATO, si dhe investimet strategjike në fushën e ekonomisë. Diskutuam edhe për një sërë çështjesh të tjera, për të cilat është e domosdoshme të kemi koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleati ynë më i rëndësishëm strategjik, dhe të njëjtën kohë për hapat përpara dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrim, në mënyrë që dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rikthehet”, tha ajo.

    E para e vendit tha se Kosova ka besim të plotë në administratën Trump.

    “Jemi ndër një nga shtetet e para që kemi përkrahur një sërë veprimesh të ndërmarra nga presidenti Trump, kontributi i të cilit për paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin tonë është i domosdoshëm dhe ka qenë i vazhdueshëm”, tha ajo ndër të tjera.

    Në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare që u miratua nga dy dhomat e Kongresit amerikan dhe u nënshkrua në ligj nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 18 dhjetor, SHBA-ja zotohet të vazhdojë mbështetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në njohjen e ndërsjellë, duke mos mbështetur shkëmbime territoriale, ndarje apo ndryshime të tjera të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e konflikteve, dhe duhet t’i mbështesë demokracitë pluraliste në rajon si një mjet për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike.

  • “Derisa ishte në banesë, iu keqësua gjendja”: Policia jep detaje për vdekjen e Shemit të Ilirëve

    “Derisa ishte në banesë, iu keqësua gjendja”: Policia jep detaje për vdekjen e Shemit të Ilirëve

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje për vdekjen e këngëtarit të njohur Shemsi Krasniqi, i njohur gjerësisht si Shemi, vokalisti i grupit të famshëm “Ilirët”.

    Në raportin 24 orësh, Policia thotë se ai u gjet i vdekur në banesën e tij, dhe se i njëjti ndërroi jetë pasi iu kishte keqësuar gjendja.

    “Rr. UÇK-së, Prishtinë 22.12.2025-14:50. Raportohet se viktimës mashkull kosovar, për deri sa ishte në banesën e tij i është keqësuar gjendja shëndetësore. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh.

    Shemi ishte një nga zërat më ikonikë të muzikës shqiptare, artisti që i dha shpirt këngës që u shndërrua në simbol kombëtar, “Xhamadani vija vija”.

    Shemsi Krasniqi – Shemi ishte ndër figurat më të njohura dhe më të dashura të skenës muzikore shqiptare, këngëtar dhe vokalist i grupit legjendar “Ilirët”, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e rock-ut dhe muzikës moderne shqiptare.

    I lindur dhe i rritur në Kosovë, ai u bë i njohur në vitet ’80 si zëri kryesor i grupit “Ilirët”, një formacion që shumë shpejt u shndërrua në simbol të një brezi të tërë. Në një periudhë kur muzika ishte edhe formë shprehjeje, rezistence dhe identiteti, këngët e interpretuara nga Shemi u kthyen në himne të rinisë shqiptare.

    Ai mbetet veçanërisht i paharruar për interpretimin e këngës “Xhamadani vija vija”, e cila me kalimin e viteve u bë një simbol kombëtar, e kënduar në koncerte, festa, tubime dhe ngjarje të rëndësishme kulturore e shoqërore. Zëri i tij i fuqishëm dhe interpretimi emocional i dhanë këngës një identitet të veçantë, që vazhdon të jetojë edhe sot.

    Me grupin “Ilirët”, Shemi interpretoi edhe këngë të tjera të njohura si “Fjalët e qiririt”, “Kënga e Naimit”, “Larg vendlindjes” dhe shumë krijime të tjera që trajtonin temat e atdhedashurisë, mallit, identitetit dhe shpresës. Muzika e tyre ishte një ndërthurje e rock-ut me elemente folklorike, çka i bëri unikë në skenën shqiptare.

    Përtej skenës muzikore, Shemi njihej si një artist i drejtpërdrejtë, autentik dhe i lidhur ngushtë me publikun. Ai ishte aktiv edhe në diasporë, ku koncertet e “Ilirëve” bashkonin shqiptarë nga vende të ndryshme të Evropës, duke ruajtur dhe forcuar lidhjen me kulturën, muzikën dhe gjuhën shqipe.

  • Zhduket një vajzë në Junik, babai e denoncon rastin në polici

    Zhduket një vajzë në Junik, babai e denoncon rastin në polici

    Një rast i zhdukjes së një personi është raportuar mbrëmjen e së hënës në Junik.

    Sipas raportit policor rreth orës 19:51, në rrugën “Fadil Maloku”, një person ka raportuar se vajza e tij është larguar nga shtëpia dhe që nga ajo kohë nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj.

    Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente dhe është duke u hetuar.

  • Katër  të plagosur në protestën mbrëmshme në Tiranë

    Katër të plagosur në protestën mbrëmshme në Tiranë

    Katër persona kanë mbetur të lënduar gjatë protestës së djeshme te opozitës, si pasojë e dhunës dhe hedhjes së molotovëve drejt kordonit të policisë dhe në portat e Kryeministrisë.

    Një qytetar dhe një fotograf morën lëndime gjatë tubimit ndërkohë që të plagosur janë edhe dy efektivë të policisë. Pak minuta pasi protestuesit kanë boshatisur sheshin e Kryeministrisë, policia shkencore mbërriti aty dhe vendosi shiritat me mbishkrimin “skenë krimi”.

    Për disa orë ekspertët kanë kryer fotografimin dhe filmimin e dëmtimeve të krijuara nga shpërthimet e flakëve prej molotovit.

    Forcat e rendit kanë ndaluar një person për aktet e dhunës në protestë ndërkohe që po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë.

  • Bark i sheshtë pa palestër: 7 ushqime që ndihmojnë

    Bark i sheshtë pa palestër: 7 ushqime që ndihmojnë

    Tashmë që vera është duke ardhur, njerëzit me probleme me peshën nxitojnë të heqin disa kilogramë të tepërt.

    Ju shqetëson dhjami në zonën e barkut, por ju mungon vullneti i duhur për t’u ushtruar?

    Eksperti i dietës, Terri-Ann Nunns, ka zbuluar disa nga ushqimet që ju lehtësojnë punë me djegien e dhjamit në zonën e barkut

    1. Drithërat

    Fibrat janë jetike që sistemi juaj tretës të punojë siç duhet. Ndryshimi më i lehtë që mund të bëni për të marrë më shumë fibra në dietën tuaj është zëvendësimi i karbohidrateve me ushqimet e grurit të si: buka e zezë, makaronat, orizi integral, thekër.

    2. Avokado

    Avokadot janë një burim i yndyrave të mira. Ky frut është i pasur me yndyra që mund të ndihmojnë në kontrollin e sheqerit në gjak.

    3. Arrat

    Njerëzit që konsumojnë arra mund të kenë një sasi më të ulët të dhjamit të barkut, në krahasim me ata që zgjedhin ushqime tradicionale me bazë karbohidratesh.

    4. Vezët

    Vezët janë ushqimi i përsosur i mëngjesit me proteina të larta. Ato bëjnë shumë punë në zvogëlimin e masës dhjamore duke ju mbajtur të ngopur.

    5. Banane

    Ky super frut është i mbushur plot me vitamina. Bananet përmbajnë magnez dhe kalium, të cilat kompensojnë efektet e ushqimeve të përpunuara dhe të kripura që shkaktojnë fryrjen e barkut.

    6. Kosi

    Kosi është një ushqim që ndikon në zhvillimin e baktereve të mira në zorrë. Duke rritur kështu aktivitetin tretës të tyre.

    7. Çaj jeshil

    Ai cilësohet si një prej antioksidantëve më të mirë si dhe një nxitës i mirë i metabolizmit.

  • Shkelje teknike para Botërorit në Formula 1 – FIA fillon me hetimet

    Shkelje teknike para Botërorit në Formula 1 – FIA fillon me hetimet

    Para se të nisë zyrtarisht Botërori i Formula 1, polemikat kanë shpërthyer sërish, duke rikthyer në vëmendje një praktikë të vjetër: kërkimin e “zonave gri” në rregullore.

    Sipas një burimi të “Motorsport Magazin”, dy skuadra të mëdha dyshohet se kanë abuzuar me rregulloren e re teknike, duke shfrytëzuar në mënyrë të dyshimtë cilindrat e motorëve të rinj. Bëhet fjalë për Mercedesin dhe Red Bullin, e cila që nga sezoni 2026 do të prodhojë për herë të parë motorin e saj.

    Raportohet se këto ekipe kanë zbuluar një sistem të veçantë, i cili u mundëson atyre të modifikojnë raportin e kompresionit të motorëve. Konkretisht, raporti i kompresionit qëndron brenda kufijve të lejuar kur “power unit”-i është i fikur, por rritet gjatë funksionimit të makinës në pistë. Kjo praktikë do t’u jepte atyre një avantazh të rëndësishëm, duke përfituar nga ndryshimi i rregullores që lejon kalimin e raportit të kompresionit nga 18:1 në 16:1.

    Kjo “hile” e dyshuar është denoncuar nga skuadrat rivale Ferrari, Audi dhe Honda pranë FIA-s, të cilat kanë kërkuar hetim dhe ndërhyrje nga federata ndërkombëtare.

    Sipas të njëjtit burim, informacioni mund të ketë rrjedhur nga një ish-punonjës i Mercedesit ose Red Bullit, i cili, pasi u transferua në një skuadër tjetër, ka identifikuar detaje të sistemit të dyshuar. Aktualisht, çështja është në duar të FIA-s, e cila ka nisur hetimet për të verifikuar nëse bëhet fjalë për shkelje të rregulloreve apo për një shfrytëzim të lejuar të “zonave gri”.

    Vendimi i federatës pritet me shumë interes, pasi mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në balancat e Botërorit të Formula 1 për vitin 2026.