ATV

Author: G.O.

  • Bologna “shokon” Interin, e mposht dhe arrin finalen e Superkupës

    Bologna “shokon” Interin, e mposht dhe arrin finalen e Superkupës

    Bologna e ka mundur Interin në penalti në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë.

    Marcus Thuram e nisi mirë për Zikaltrit kur kaloi në epërsi mysafirët në minutën e dytë.

    Mirëpo, Riccardo Orsolini barazoi në 1-1 në minutën e 35-të.

    Ata në finale kanë punë me kampionin e Italisë, Napolin, që mbrëmë fitoi ndaj Milanit.

  • Rubio: Ne s’e detyrojmë as Rusinë e as Ukrainën të bëjnë marrëveshje për paqen

    Rubio: Ne s’e detyrojmë as Rusinë e as Ukrainën të bëjnë marrëveshje për paqen

    Sekretari i Shtetit amerikan Marco Rubio ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të detyrojnë Ukrainën të pranojë ndonjë marrëveshje për t’i dhënë fund pushtimit rus.

    Kjo deklaratë e Rubios vjen teksa aleatët evropianë u bashkuan në raundin e ri të bisedimeve në Majemi.

    Bisedimet e kësaj fundjave zhvillohen në një moment kur presidenti rus Vladimir Putin, në konferencën e tij vjetore për shtyp, premtoi se do të vazhdojë ofensivën ushtarake në Ukrainë, duke lavdëruar fitoret në fushëbetejë gati katër vjet pas fillimit të luftës.

    Emisarët e presidentit Donald Trump po shtyjnë përpara planin ku SHBA-të do të ofrojnë garanci sigurie për Ukrainën, por Kievi pritet të dorëzojë disa territore – një perspektivë që has rezistencë të fortë nga shumë ukrainas.

    Por Rubio theksoi se çdo marrëveshje duhet të pranohet nga të dyja palët.

    “Nuk ka marrëveshje paqeje nëse Ukraina nuk bie dakord. Ne nuk mund ta detyrojmë Ukrainën të bëjë një marrëveshje. Ne nuk mund ta detyrojmë po ashtu Rusinë të bëjë një marrëveshje. Ata duhet ta duan vetë një marrëveshje”, u shpreh Rubio.

    Rubio tha se mund t’u bashkohet bisedimeve në Majemi, qytetin e tij të lindjes, ditën e sotme.

    Emisari global i Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij Jared Kushner po udhëheqin bisedimet, ku marrin pjesë negociatori kryesor ukrainas Rustem Umerov, si dhe zyrtarë të lartë nga Britania, Franca dhe Gjermania.

    Zyrtarë rusë – përfshirë negociatorin e Kremlinit Kirill Dmitriev – pritet të takohen veçmas me zyrtarë amerikanë në Florida gjatë fundjavës.

    Umerov shkroi në rrjetet sociale se kishte informuar Presidentin Volodymyr Zelensky pas bisedimeve në Majemi.

    “Ne u dakordësuam me partnerët amerikanë për hapat e mëtejshëm dhe vazhdimin e punës së përbashkët në të ardhmen e afër. Ne po veprojmë qartë në linjë me prioritetet e përcaktuara nga presidenti: siguria e Ukrainës duhet të garantohet në mënyrë të besueshme dhe afatgjatë”, tha më tej Rubio.

  • Osmani: Kosova ecën përpara duke fituar miq

    Osmani: Kosova ecën përpara duke fituar miq

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani theksoi sot se përveç aktit të njohjes, të premten në Nassau, kryeqytetin e Komonuelthit të Bahamas, së bashku me kryeministrin Philip Davis, nënshkruan edhe Marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

    Presidentja në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Kosova ecën përpara duke fituar miq.

    “Ky akt forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe zgjeron rrethin e shteteve tona mike që besojnë në vlerat e lirisë, sovranitetit dhe bashkëpunimit. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj partneriteteve të sinqerta, në shërbim të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar”, shkruan ajo. /Telegrafi/

  • “Super gripi” H3N2 po përhapet me shpejtësi – ja pse është më i rrezikshëm se gripi i zakonshëm

    “Super gripi” H3N2 po përhapet me shpejtësi – ja pse është më i rrezikshëm se gripi i zakonshëm

    Gjithnjë e më shumë po regjistrohen raste të infektimit me të ashtuquajturin super grip H3N2, një variant i mutuar i gripit “të zakonshëm”. Ky variant po përhapet me shpejtësi dhe po shkakton rritje të ndjeshme të numrit të të sëmurëve.

    Nëse ditët e fundit keni vënë re që shumë njerëz rreth jush janë të sëmurë, kjo nuk është rastësi. Varianti i ndryshuar i gripit A (H3N2), i cili në qershor ka kaluar shtatë mutacione dhe ka bërë që sezoni i gripit të nisë më herët në shumë vende, është aktualisht më ngjitës se llojet e tjera të gripit. Për këtë arsye pritet që deri në fund të sezonit të ketë më shumë raste infektimi dhe rritje të numrit të të sëmurëve.

    Ky tip gripi fillimisht shkaktoi shkallë të lartë sëmundshmërie në Australi dhe Japoni, e më pas edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Për shkak të përhapjes së shpejtë dhe aftësisë për të shmangur imunitetin e krijuar më herët, në Britani u quajt “super grip”, ndërsa efekti i tij u përshkrua si “flunami”, një aludim për mënyrën e shpejtë të përhapjes. Gjatë përhapjes në Evropë, virusi ka arritur edhe në vendet e rajonit.

    Situata në Mbretërinë e Bashkuar dhe rreziku për sistemin shëndetësor

    Mbretëria e Bashkuar aktualisht po përballet me një përhapje të shpejtë të super gripit, i cili ka çuar në rritje të numrit të pacientëve të shtruar në spital dhe ka ushtruar presion shtesë mbi sistemin shëndetësor, veçanërisht në prag të festave të Krishtlindjeve.

    Ekspertët paralajmërojnë se bëhet fjalë për një variant veçanërisht agresiv të H3N2, i cili ka mutuar dhe është bërë më ngjitës se më parë. Për shkak të tubimeve gjatë festave, ekziston frika se virusi mund të përhapet edhe më shpejt, duke rënduar më tej kapacitetin tashmë të mbingarkuar të spitaleve.

    Pediatrit paralajmërojnë gjithashtu se, edhe pse rrallë, kjo variant i gripit mund të jetë i rrezikshëm edhe për fëmijët që janë të shëndetshëm, kryesisht për shkak të komplikimeve serioze si sepsa.

    Mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht personave mbi 65 vjeç, të sëmurëve kronikë dhe kujdestarëve të tyre, që të vaksinohen kundër gripit sezonal, pasi vaksina ende ul ndjeshëm rrezikun e simptomave të rënda dhe shtrimit në spital.

    Çfarë është super gripi dhe çfarë thotë OBSH?

    Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar më 10 dhjetor se aktiviteti i gripit sezonal është rritur globalisht gjatë muajve të fundit, me dominim të viruseve të gripit A(H3N2).

    Sipas OBSH-së, edhe pse aktiviteti global mbetet brenda kufijve sezonalë të pritshëm, në disa rajone është vërejtur rritje e hershme dhe më intensive sesa zakonisht për këtë periudhë të vitit. Viruset sezonalë të gripit, përfshirë A(H3N2), evoluojnë vazhdimisht me kalimin e kohës.

    Pse H3N2 është më ngjitës – çfarë thonë ekspertët

    Dr. Giuseppe Aragona shpjegon se arsyeja kryesore e përhapjes së shpejtë lidhet me ndryshimet e vazhdueshme gjenetike të virusit:

    “Virusi H3N2 ndryshon rregullisht, kështu që varianti që po qarkullon këtë vit mund të jetë ndryshe nga ai i viteve të kaluara ose nga ai i përfshirë në vaksinën sezonale. Kjo i bën njerëzit më të ndjeshëm ndaj infeksionit.”

    Ai shton se këto ndryshime i mundësojnë virusit të shmangë imunitetin e fituar më parë.

    Prof. Punam Mangtani, epidemiologe, ka deklaruar për Daily Mail:

    “H3N2 është pjesërisht i ngjashëm me virusin që u pa gjatë sezonit të gripit 2024. Kjo do të thotë se mund të ekzistojë një nivel i kufizuar imuniteti në popullatë, por jo i mjaftueshëm për të ndalur përhapjen. Kjo mund të shpjegojë pse numri i rasteve është rritur më herët se vitin e kaluar.”

    Dr. Simon Clarke, profesor i asociuar i mikrobiologjisë qelizore në Universitetin e Reading-ut, ka shpjeguar për The Telegraph se shkronjat “H” dhe “N” i referohen dy proteinave në sipërfaqen e virusit – hemaglutininës dhe neuraminidazës:

    “Numrat tregojnë se cilat versione të këtyre proteinave janë të pranishme. Kjo na ndihmon të klasifikojmë shtamet e gripit. Nënllojet H3 janë relativisht të rralla, çka do të thotë se popullata nuk ka një nivel të lartë imuniteti ndaj tyre.”

    Sipas tij, këto viruse janë më të transmetueshme dhe mutacionet ndodhin më lehtë, duke çuar në rritje të menjëhershme të numrit të rasteve në fillim të sezonit.

    Simptomat e gripit H3N2

    Infeksioni zakonisht zgjat nga pesë deri në shtatë ditë, por mund të shkaktojë kollë të fortë që zgjat deri në tre javë.

    Simptomat tipike janë:

    Dhimbje në trup

    Temperaturë e lartë

    Dhimbje koke

    Dhimbje fyti

    Kollë

    Lodhje e theksuar

    Të vjella dhe diarre (më rrallë, më shpesh te fëmijët)

    Simptomat shfaqen shumë shpejt dhe lodhja ekstreme është e zakonshme, ndryshe nga ftohja, e cila zhvillohet gradualisht.

    Kush duhet të ketë kujdes të veçantë?

    Gripi përbën rrezik më të madh për:

    Fëmijët nën pesë vjeç

    Personat mbi 65 vjeç

    Gratë shtatzëna

    Personat me sëmundje kronike si astma, diabeti, sëmundjet e zemrës, imunitet i dobësuar dhe çrregullime neurologjike

    A mbron vaksina ekzistuese?

    Sipas OBSH-së, vlerësimet paraprake tregojnë se vaksina kundër gripit vazhdon të ofrojë mbrojtje nga format e rënda të sëmundjes dhe shtrimi në spital, si te fëmijët ashtu edhe te të rriturit, edhe pse efektiviteti i saj ndaj infeksionit klinik mund të ndryshojë këtë sezon.

    OBSH thekson se vaksinimi mbetet një nga masat më të rëndësishme të shëndetit publik dhe rekomandohet veçanërisht për grupet me rrezik të lartë dhe për kujdestarët e tyre.

  • 83 aksidente dhe mbi 2 mijë gjoba trafiku gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

    83 aksidente dhe mbi 2 mijë gjoba trafiku gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik, shkruan Gazeta Sinjali.

    Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

    Sipas raportit, në këtë periudhë është nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 24 aksidente me të lënduar dhe 49 të tjera me dëme materiale.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 2040 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 18 persona, prej të cilëve 5 i ka dërguar në mbajtje, kurse dy persona janë dërguar në vuajtje të dënimit.

  • I dërguari rus niset drejt ShBA-së për bisedime për luftën në Ukrainë

    I dërguari rus niset drejt ShBA-së për bisedime për luftën në Ukrainë

    I dërguari rus, Kirill Dmitriev, tha më 20 dhjetor se po niset drejt Majamit të Shteteve të Bashkuara ku do të mbahet një rund i ri i bisedimeve për dhënien fund të luftës në Ukrainë.

    Ekipet ukrainase dhe evropiane ishin gjithashtu në qytetin amerikan për negociatat e ndërmjetësuara nga i dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner.

    “Rrugës për në Miami”, shkroi Dmitriev në një postim në X, duke shtuar një emoji pëllumbi dhe duke bashkëngjitur një video të shkurtër të diellit të mëngjesit që depërtonte përmes reve mbi një plazh me palma.

    “Teksa nxitësit e luftës vazhdojnë të punojnë pa pushim për të minuar planin amerikan të paqes për Ukrainën, më erdhi ndër mend kjo video nga vizita ime e mëparshme, drita që depërton përmes reve të stuhisë”, shtoi ai.

    Përfshirja ruse dhe evropiane në bisedime shënon një hap përpara krahasuar me fazën e mëparshme, kur amerikanët zhvillonin negociata të ndara me secilën palë në vende të ndryshme, njofton rel.

    Megjithatë, ka pak gjasa që Dmitriev të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me negociatorët ukrainas dhe evropianë, pasi marrëdhëniet mes dy palëve mbeten të tensionuara.

    Moska, që nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, argumenton se përfshirja e Evropës në bisedime vetëm do ta pengojë procesin dhe tenton t’i paraqesë udhëheqësit e kontinentit si pro luftës.

    Bisedimet e fundjavës vijnë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, u zotua të vazhdojë ofensivën ushtarake në Ukrainë, duke lavdëruar përparimet e Moskës në fushëbetejë, gati katër vjet pas nisjes së luftës, gjatë një konference vjetore për shtyp të zhvilluar një ditë më parë.

    Të dërguarit e Trumpit kanë shtyrë përpara një plan, sipas të cilit, Shtetet e Bashkuara do t’i ofronin Ukrainës garanci sigurie, por nga Kievi ka të ngjarë të pritet të heqë dorë nga një pjesë e territorit, një ide që kundërshtohet nga shumë ukrainas.

  • Shefi i inteligjencës ukrainase paralajmëron: Rusia mund të sulmojë Evropën në vitin 2027

    Shefi i inteligjencës ukrainase paralajmëron: Rusia mund të sulmojë Evropën në vitin 2027

    Rusia fillimisht kishte planifikuar të fillonte agresionin e drejtpërdrejtë ndaj vendeve anëtare të NATO-s deri në vitin 2030, por sipas informacionit të fundit, Kremlini ka rishikuar planet e tij dhe ka vendosur të shkurtojë këtë afat, duke e parashikuar fillimin e një operacioni të mundshëm ushtarak që në vitin 2027.

    Këtë e bëri të ditur kreu i inteligjencës ukrainase, Kyrylo Budanov, i cili theksoi se kjo ndryshon ndjeshëm parashikimet strategjike të vendeve perëndimore për sigurinë në kontinentin evropian.

    Budanov shtoi se ky zhvillim tregon synimet agresive të Moskës dhe përshpejtimin e agjendës së saj ushtarake, raportojnë mediat ukrainase.

    Ai u shpreh gjithashtu se Rusia ka plane konkrete për të pushtuar shtetet baltike, duke përfshirë Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, një veprim që do të përbënte një kërcënim të madh për stabilitetin në Evropën Veriore dhe për sigurinë e aleatëve të NATO-s në rajon.

    Nga ana tjetër, Budanov theksoi se Polonia, sipas perceptimit rus, nuk është objekt i pushtimit të drejtpërdrejtë, por shihet si një objektiv për sulme të kufizuara, për një fushatë ushtarake që synon goditje të shpejta dhe strategjike, pa një qëllim për të marrë kontrollin e territorit.

    “Kjo tregon një ndryshim të qartë në taktikat dhe strategjitë që Rusia mund të përdorë kundër vendeve perëndimore, duke e bërë situatën e sigurisë në Evropë më të ndjeshme dhe të paparashikueshme,” tha Budanov.

  • Ekstradohet nga Gjermania për në Kosovë, i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar

    Ekstradohet nga Gjermania për në Kosovë, i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur senë koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë dhe institucionet e drejtësisë, me datë 19.12.2025 ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar B.A., viti i lindjes 1994, nga Gjermania për në Kosovë.

    I dyshuarit ishte arrestuar nga autoritete Gjermane pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe se i njëjti u ishte shmangur organeve të drejtësisë.

    I dyshuari pas ekstradimit, u është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë në Mitrovicë për vazhdim të procedurave tjera ligjore.

  • Ambasada e Kosovës në Washington: SHBA-ja riafirmoi mbështetjen e fuqishme për Kosovën

    Ambasada e Kosovës në Washington: SHBA-ja riafirmoi mbështetjen e fuqishme për Kosovën

    Presidenti amerikan, Donald Trump, të premten nënshkroi Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, ligj ky i cili autorizon mbi 901 miliardë dollarë për programet e mbrojtjes e në të cilin është përfshirë edhe Kosova.

    Ambadasa e Kosovës në Washington vlerëson se kjo ka riafirmuar mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve për Republikën e Kosovës.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë riafirmuar mbështetjen e tyre të fuqishme për Republikën e Kosovës përmes miratimit të National Defense Authorization Act (NDAA). Ligji nënvizon përkushtimin e SHBA-ve ndaj sovranitetit, sigurisë dhe rrugës euro-atlantike të Kosovës, mbështet dialogun Kosovë-Serbi të bazuar në njohje reciproke, dhe kundërshton qartë çdo ide për ndarje territoriale apo ndryshim kufijsh. Mirënjohës Kongresit, Shtëpisë së Bardhë dhe gjithë atyre që u angazhuan në përfshirjen dhe miratimin e dispozitave me peshë për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

  • Mungesat në listën esenciale të barnave janë rritur 200 %, pavarësisht rritjes së buxhetit, thotë kryetari i Odës së Farmacistëve

    Mungesat në listën esenciale të barnave janë rritur 200 %, pavarësisht rritjes së buxhetit, thotë kryetari i Odës së Farmacistëve

    Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi, ka deklaruar se gjendja me listën esenciale të barnave në sistemin publik shëndetësor është e pakënaqshme, duke theksuar se pavarësisht rritjes së buxhetit të qeverisë, mungesat e barnave në SHSKUK dhe spitalet rajonale janë rritur ndjeshëm.

    Bytyqi tha se mungesat e barnave kanë shënuar rritje mbi 200 për qind krahasuar me vitet paraprake, duke e cilësuar këtë situatë si alarmante dhe problem serioz që kërkon adresim institucional.

    “Gjendja në sistemin publik shëndetësor me listën esenciale apo me furnizim nuk është e kënaqshme. Arsyet duhet t’i pyesni ata, por përkundër se buxheti i qeverisë ka qenë 100 për qind më shumë në raport me para tri viteve, mungesat në SHSKUK edhe në spitalet rajonale kanë qenë mbi 200 për qind. Është një matematikë jo fort e kënaqshme në këtë aspekt, sepse të kesh shumë më shumë buxhet edhe të kesh shumë më shumë mungesa, diku është një problem i madh të cilin duhet dikush ta adresojë dhe ta zgjidhë këtë problem”, tha ai.

    Bytyqi ka ngritur shqetësime edhe për procesin e përpilimit të Listës Esenciale të Barnave, duke thënë se ka pasur paqartësi dhe konfuzion, për çka sipas tij do të duhej të kishte hetime administrative dhe institucionale.

    “Deri tani për të kaluarën e përpilimit të listës esenciale, duke filluar nga njësitë kërkuese, ka qenë dashur një hetim, së paku administrativ, të bëhet, të përpiluesit e listës esenciale edhe deri te pjesa kryesore e administratës publike që në këtë rast i bie të jetë sekretari i përgjithshëm i cilësdo ministri, por në këtë rast po flasim me ministrin e linjës, të hetohej se çka ka ngjarë me këtë çështje, çka ka ngjarë me listën esenciale. Rrjedhimisht dua ta them se a ka pasur paqartësi, a ka pasur konfuzion – po, sepse këtu shihet se buxheti është shumë më i madh e mungesat janë shumë më të mëdha se vitet paraprake”, tha ai.

    Sa i përket Ligjit për unifikimin e çmimeve të barnave, Bytyqi vlerësoi se ideja ka qenë e menduar mirë, por zbatimi sipas tij nuk ka prodhuar rezultatet e pritura, pasi çmimet në përgjithësi nuk janë ulur.

    “Mendoj se me aplikimin e ligjit për unifikimin e çmimeve është menduar dhe mirë që është menduar, por nga e thëna në të bërë qëndron një mal i tërë. Ka pasur tendenca ndoshta, por jo mirë të menduara, sepse çmimet, ne jemi në komunikim të përditshëm me kolegë, nuk janë zvogëluar. Ka një gamë të caktuar të barnave që janë zvogëluar, por në përgjithësi çmimet janë aty-aty, ose mos me thënë edhe diku edhe janë rritur goxha shumë”, tha ai.

    Ai shtoi se si pasojë e këtij ligji ka pasur ankesa të shumta për ndryshime të shpeshta të çmimeve, çka sipas tij ka krijuar barrë shtesë për farmacistët, të cilët përballen drejtpërdrejt me pakënaqësitë e qytetarëve.

    “Po, si shkak i ligjit për unifikimin e çmimeve, që si qëllim kryesor ka pasur zvogëlimin e çmimeve e që si rezultat final nuk ka dalë i tillë. Po kemi pasur ankesa të shumta, por ankesat kanë qenë në drejtim të ndryshimit të çmimit kohë pas kohe, sepse ka pasur disa periudha rideklarim të çmimit. Ka pasur farmaci që e ka marrë çmimin, bie fjala, me 2 euro, pas dy muajve e ka marrë me një çmim 3.50, apo që ka qenë një ndryshim jashtëzakonisht i madh i çmimit dhe të cilët i kanë ankesat, sepse ata ballafaqohen drejtpërdrejt me qytetarët. Dhe qytetari e ka atë ankesën se pse ky çmim, nuk është faji i tyre aspak, por barra e shpjegimit po u bie kolegëve tanë, të cilët me mund dhe sakrificë punojnë dhe veprojnë në farmacitë e tyre në dobi të qytetarëve dhe shëndetit të tyre”, tha ai.