ATV

Author: G.O.

  • Prattipati takon kryetarët e komunave në veri: ShBA-ja pret qeverisje transparente dhe shërbime të barabarta për të gjitha komunitetet

    Prattipati takon kryetarët e komunave në veri: ShBA-ja pret qeverisje transparente dhe shërbime të barabarta për të gjitha komunitetet

    E Ngarkuara me punë në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati ka takuar të martën kryetarët e katër komunave në veri, shkruan Reporteri.net.

    Prattipati ka theksuar pritshmëritë e ShBA-së për qeverisje transparente dhe ofrim të barabartë të shërbimeve për të gjitha komunitetet.

    “E ngarkuara me punë Anu Prattipati u takua sot me katër kryetarët e sapoinauguruar të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile të serbëve të Kosovës në veriun e Kosovës. Ajo theksoi pritshmëritë e SHBA-së për qeverisje transparente dhe efektive, ofrim të barabartë të shërbimeve dhe rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike që janë të përkushtuara për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

  • Zhduket një 55-vjeçare në Rahovec, policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e saj

    Zhduket një 55-vjeçare në Rahovec, policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e saj

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një 55-vjeçare, Pemlushe Sadrijaj është zhdukur në Rahovec, dhe njëkohësisht po kërkon ndihmën e qytetarëve për të lokalizuar vendndodhjen e saj.

    55-vjeçarja është nga Rahoveci, derisa organet kompetente lusin qytetarët që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e saj, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

    Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës: 192 dhe 080019999 (pa pagesë), 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë, E-mail adresa: [email protected].

  • E konfirmon ZRrE-ja: Në mars merret vendimi për tarifat e reja energjetike

    E konfirmon ZRrE-ja: Në mars merret vendimi për tarifat e reja energjetike

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) e ka konfirmuar se në muajin mars do të merret vendimi për tarifat e reja energjetike të cilat do të hyjnë në fuqi në muajin prill.

    ZRRE tha se aplikimet për të hyrat e lejuara nga operatorët dhe furnizuesit e licencuar pritet të dorëzohen gjatë muajit janar.

    “ZRRE ju informon se procesi i shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike zhvillohet në disa faza rregullative. Aplikimet për të hyrat e lejuara nga operatorët dhe furnizuesit e licencuar pritet të dorëzohen gjatë javës së tretë të muajit janar 2026, pas së cilës ZRRE do të bëjë shqyrtimin rregullativ. Vendimi përfundimtar për tarifat pritet gjatë muajit mars 2026, ndërsa zbatimi i tarifave të reja, do të fillojë nga muaji prill 2026, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi”, thonë në përgjigjen dhënë për RTV21.

    Aktualisht konsumatorët që shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kilovat brenda një muaji paguajnë 9.05 centë për kilovat nga 7.79 centë sa ishte vitin e kaluar. Ndërkohë, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë brenda një muaji, paguajnë 15.43 centë për kilovat nga 13.29 centë sa ishte vitin e kaluar. Ndërkohë, nga muaji maj konsumatorët e energjisë elektrike do të pranojnë faturat e tyre me tarifa të reja të cilat pritet të hyjnë në fuqi në prill të vitit 2026.

  • Policia e Kosovës me aksion në Leposaviq – sekuestrohen armë, municion dhe pajisje ushtarake

    Policia e Kosovës me aksion në Leposaviq – sekuestrohen armë, municion dhe pajisje ushtarake

    Policia në Veri të Mitrovicës, përkatësisht në Stacionin Policor Leposaviq, me datat 19.12.2025 dhe 20.12.2025, janë iniciuar dy (2) raste për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

    Rasti I

    Me datë 19.12.2025, rreth orës 22:07, zyrtarë policorë nga Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH), gjatë patrullimit në fshatin Rvatska, Komuna e Leposaviqit, në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe sekuestruar:

    1 (një) armë gjuetie,

    1 (një) karabinë,

    1 (një) armë të llojit AK-47,

    240 (dyqind e dyzet) fishekë,

    1 (një) palë dylbi.

    Si rrjedhojë e procedurave hetimore, më datë 22.12.2025, zyrtarët policorë në objektet përcjellëse të shtëpisë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe:

    1 (një) pushkë ajrore,

    mekanizëm për barut,

    1 (një) thikë ushtarake,

    1 (një) frotroll për revole.

    Lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit penal për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

    Aktualisht nuk ka persona të arrestuar dhe rasti është në procedurë hetimore.

    Rasti II

    Me datë 20.12.2025, rreth orës 06:45, Policia ka arrestuar personin R.R. (1965), pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në fshatin Veacev, Komuna e Leposaviqit, janë gjetur dhe sekuestruar:

    1 (një) pushkë gjuetie,

    1 (një) pushkë gjysmë automatike,

    1 (një) bombë dore,

    2 (dy) tromblona, fishekë të kalibrave të ndryshëm, pajisje të ndryshme ushtarake (çantë, xhaketë, thikë, etj).

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas inicimit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e posedimit të armëve të zjarrit, duke vepruar në funksion të ruajtjes së rendit, paqes dhe sigurisë së përgjithshme për të gjithë qytetarët pa dallim.

  • Kjo është gjendja në pikat kufitare

    Kjo është gjendja në pikat kufitare

    Tashmë disa ditë shumë bashkatdhetarë kanë mësyrë vendlindjen e tyre Kosovës.

    Kjo ka bërë që të krijohen pritje të gjata dhe kolona në disa pika kufitare.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, pritjet më të mëdha variojnë te “Dheu i Bardhë” nga 35-45 minuta, ndërsa kolonat janë deri në 150 metra.

    Sakaq, në pikat e tjera kufitare pritjet variojnë nga 3 deri në 15 minuta.

  • Listës Serbe i shqiptohet gjobë prej 20 mijë eurosh nga PZAP

    Listës Serbe i shqiptohet gjobë prej 20 mijë eurosh nga PZAP

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur me 20 mijë euro subjektin politik Lista Serbe, për shkelje të Kodit të Etikës dhe Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

    Sipas vendimit të PZAP-së, ankesa është paraqitur nga subjekti politik Kosovski Savez, i cili ka pretenduar se në komunën e Leposaviqit, në disa lokacione të ndryshme, Lista Serbe ka vendosur materiale propagandistike në kundërshtim me ligjin. Për këto pretendime, Lista Serbe nuk ka dorëzuar përgjigje ndaj ankesës.

    Paneli ka vlerësuar se ankesa është e bazuar, duke theksuar se ankuesi ka bashkëngjitur fotografi si dëshmi të vendosjes së materialeve promovuese. Sipas vendimit, materialet ishin vendosur në hapësira publike, përfshirë shtylla elektrike, parqe, stacione autobusi, mbikalime, trafo-stacione elektrike dhe rrugë publike.

    Në arsyetim thuhet se vendosja e materialeve promovuese pa leje të organeve kompetente përbën shkelje të legjislacionit zgjedhor. PZAP ka obliguar Listën Serbe që menjëherë t’i largojë posterët dhe materialet e tjera zgjedhore, duke paralajmëruar se moszbatimi i këtij vendimi mund të sjellë sanksione shtesë.

     

  • Dogana e Kosovës sekuestron 380 fishekë në një lokal në Prishtinë

    Dogana e Kosovës sekuestron 380 fishekë në një lokal në Prishtinë

    Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se janë sekuestruar 380 fishekë në një lokal në Prishtinë.

    Ngjarja ka ndodhur me datën 23 dhjetor 2025, ku Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë realizuar një kontroll operativ në një lokal afarist, në kuadër të veprimeve të rregullta për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës.

    “Gjatë kontrollit në lokal dhe në një automjet të ndërlidhur me rastin, janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej 350 fishekë 9 mm për armë të shkurtër (pistoletë) dhe 30 fishekë kalibri 70 mm për armë gjuetie, për të cilat dyshohet se janë mbajtur në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

    Rasti është njoftuar tek Prokuroria kompetente dhe i është dorëzuar Policisë së Kosovës për hetim të mëtejshëm sipas procedurave ligjore.

  • Komandanti i KFOR-it: Situata në Kosovë është e qetë, por ende e brishtë

    Komandanti i KFOR-it: Situata në Kosovë është e qetë, por ende e brishtë

    Komandanti i KFOR-it, gjenerali Oskan Ulutaş, deklaroi se situata e sigurisë në Kosovë është aktualisht e qetë, por ende e brishtë dhe e ndjeshme ndaj rritjes së shpejtë të tensioneve.

    Prioriteti kryesor i misionit të KFOR-it, sipas tij, është sigurimi i një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.

    Gjenerali Ulutaş kujtoi se pas ngjarjeve të dhunshme të vitit 2023, NATO-ja shpërndau deri në 1.000 ushtarë shtesë, që përbën forcimin më të madh të misionit të KFOR-it në 10 vitet e fundit.

    Sot, KFOR-i ka mbi 5.000 ushtarë dhe, sipas tij, mbetet vigjilent, i gatshëm dhe i përgatitur të reagojë paanshëm në çdo moment.

    KFOR-i mban një prani të dukshme dhe fleksibile në të gjithë Kosovën, përfshirë komunat veriore me shumicë serbe. Personeli shtesë është vendosur përkohësisht në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe pranë manastirit në Deçan, gjë që, sipas komandantit Ulutaş, është pjesë e praktikës së zakonshme për testimin e procedurave dhe ruajtjen e standardeve të larta operacionale.

    Ulutaş theksoi në RTK2 se KFOR-i bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e EULEX-it, si dhe me komunitetin ndërkombëtar, duke përfshirë UNMIK-un dhe korin diplomatik, në interes të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë.

    Dialogu si çelësi i stabilitetit afatgjatë

    Sipas komandantit të KFOR-it, stabiliteti i qëndrueshëm i rajonit nuk mund të arrihet me mjete ushtarake, por përmes rrugëve politike. NATO-ja, përmes misionit të KFOR-it, kontribuon ndjeshëm në siguri, por rruga drejt paqes afatgjatë shihet në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    “Dekadat e paqes së fituar me vështirësi nuk duhet të rrezikohen”, theksoi Ulutaş, duke shtuar se prania e KFOR-it krijon hapësirë për dialog politik dhe nga të dyja palët pritet pjesëmarrje me mirëbesim, zbatim i marrëveshjeve ekzistuese dhe gatishmëri për kompromis.

    Gjenerali Ulutaş vlerëson bashkëpunimin e KFOR-it me Ushtrinë e Serbisë si të mirë dhe profesional. Ai theksoi se kryhen patrullime të sinkronizuara rregullisht përgjatë vijës administrative përkatëse, dhe komunikimi me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë është i rregullt dhe transparent.

    Ky bashkëpunim, sipas tij, forcon besimin reciprok, parandalon keqkuptime dhe kontribuon në stabilitetin rajonal.

    Duke iu referuar shqetësimeve të një pjese të komunitetit serb se KFOR-i nuk siguron mbrojtje të mjaftueshme, Ulutaş theksoi se KFOR-i zbaton mandatin e tij në mënyrë transparente dhe në interes të të gjitha komuniteteve. Ai shtoi se akuzat për paanshmëri janë të pasakta dhe mund të shkaktojnë keqkuptime të rrezikshme.

    KFOR-i ka rritur numrin e patrullave dhe aktiviteteve në terren dhe është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve dhe organizatat joqeveritare.

    E ardhmja e misionit të KFOR-it

    Duke folur për të ardhmen e misionit, Ulutaş theksoi se KFOR-i aktualisht është misioni më i madh i NATO-s dhe çdo vendim për tërheqjen e mundshme do të varet ekskluzivisht nga kushtet e sigurisë në terren dhe vendimet e Këshillit të Atlantikut të Veriut, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    Në fund të intervistës, komandanti i KFOR-it nënvizoi se sfida e tij më e madhe profesionale, por edhe kënaqësia më e madhe, është përkushtimi i përditshëm i grave dhe burrave nën komandën e tij për shërbimin e paqes dhe sigurisë së të gjithë njerëzve në Kosovë.

  • Paralajmërohet bllokadë e rrugës afër kufirit Kosovë –Serbi, QKMK del me apel për qytetarët

    Paralajmërohet bllokadë e rrugës afër kufirit Kosovë –Serbi, QKMK del me apel për qytetarët

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka njoftuar se nesër, më 24 dhjetor është paralajmëruar një bllokadë e rrugës nga banorët lokalë në segmentin rrugor të fshatit Kastrat të Kurshumlisë të Serbisë.

    Nga QKMK, qytetarëve i është bërë thirrje që të shfrytëzojnë rrugë të tjera me qëllim të evitimit të pengesave në rrugë.

    Njoftim:

    Duke u bazuar në burimet e hapura-mediat online, më datë, 24 Dhjetor 2025, është paralajmëruar bllokadë e rrugës, nga banorët lokal në segmentin rrugor, në fshatin Kastrat të Kurshumlisë (SRB), nga ora 11.50 deri në ora 15.50.

    Ju inkurajojmë, që të shfrytëzoni rrugë tjera, me qëllim të evitimit të pengesave në rrugë.

    Për çdo informatë shtesë, ju lutem kontaktoni📞 në numrat e QKMK-së +38345198000, +38345198606 dhe 080050095.

  • Rrahje në Dumnicë të Podujevës, dërgohet në mbajtje një person

    Rrahje në Dumnicë të Podujevës, dërgohet në mbajtje një person

    Një person ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga dy persona të tjerë.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë thuhet se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 07:35 në fshatin Dumnicë të Podujevës.

    Tutje në raport thuhet se njëri nga të dyshuarit është arrestuar, ndërsa tjetri nuk është hasur.

    “Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar fizikisht nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë. Njëri nga të dyshuarit është arrestuar, ndërsa tjetri nuk është hasur. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/