ATV

Author: G.O.

  • Punëtorët e KEK-ut protestojnë sërish sot, paralajmërojnë një “surprizë”

    Punëtorët e KEK-ut protestojnë sërish sot, paralajmërojnë një “surprizë”

    Kryesia e Sindikatës së Re të KEK-ut ka njoftuar se sot, duke filluar nga ora 11:00, do të organizohet një protestë para zyrave qendrore të KEK-ut në Prishtinë.

    Në njoftim theksohet se kërkesat e punëtorëve janë tashmë të njohura, por menaxhmenti dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë një përgjigje konkrete dhe serioze.

    Kryesia e sindikatës ka vendosur unanimisht organizimin e protestës për realizimin e këtyre kërkesave.

    “Gjatë protestës do të prezantohet një SURPRIZË lidhur me shumën e kërkesës për rritjen e pagave, e cila do të bëhet publike në vetë protestën. Pa punëtor nuk ka energji. Pa dinjitet nuk ka KEK. Ftojmë punëtorët e KEK-ut, mediat dhe qytetarët që të jenë pjesë e kësaj proteste,” thuhet në njoftim.

  • Elon Musk, më i pasuri i globit për 2025, në listë edhe Samir Mane

    Elon Musk, më i pasuri i globit për 2025, në listë edhe Samir Mane

    Elon Musk shpallet zyrtarisht njeriu më i pasur në planet.

    Sipas listës së fundit të revistës prestigjioze Forbes për vitin 2025, pasuria e tij ka arritur vlerën e paprecedentë prej 342 miliardë dollarësh, e nxitur nga rritja e hovshme e kompanive SpaceX, Tesla dhe xAI.

    Pas dy vitesh në vendin e dytë, Musk ka zbritur nga froni francezin Bernard Arnault, i cili tashmë renditet i pesti.

    Mark Zuckerberg mban vendin e dytë, i ndjekur nga Jeff Bezos në të tretin.

    Në listën e miliarderëve, këtë vit u përfshi edhe Samir Mane, shqiptari i parë me një pasuri prej 1.4 miliardë dollarësh, i ndodhur në vendin e 2356.

    Lista e këtij viti ka 3,028 miliarderë, 247 më shumë se një vit më parë.

    Amerikanët kanë numrin më të lartë të miliarderëve në botë, 902. Pasuria e përgjithshme është 16.1 trilionë dollarë, 2 trilionë më shumë se viti i kaluar.

     

  • Vuçiqi konfirmon bisedimet për t’ia shitur NIS-in një kompanie hungareze

    Vuçiqi konfirmon bisedimet për t’ia shitur NIS-in një kompanie hungareze

    Gjiganti rus i energjisë, Gazprom, është në bisedime me kompaninë hungareze, MOL, për një shitje të mundshme të aksioneve të tij shumicë në NIS, rafinerinw e vetme tw naftës në Serbi, tha të martën presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    Shtetet e Bashkuara shpallën sanksione të gjera që synonin sektorin e naftës të Rusisë në janar, për shkak të luftës së Moskës në Ukrainë, por për NIS-in zbatimi i tyre u shty disa herë përpara se të hynte përfundimisht në fuqi më 8 tetor, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Ne kemi informacione se përfaqësuesit e Gazpromit po bisedojnë, mes të tjerash, me kompaninë hungareze MOL, dhe ne nuk kemi asgjë kundër kësaj. Hungarezët janë miqtë tanë”, u tha Vuçiq gazetarëve të martën.

    “Ne duhet ta përfundojmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, deri më 15 janar”, shtoi ai.

    Bankat kanë ndalur përpunimin e pagesave të NIS-it për shkak të sanksioneve. Ndërkohë, tubacioni kroat, JANAF, ka ndaluar furnizimin e rafinerisë me naftë bruto.

    Gazprom zotëron 11.3 për qind të aksioneve në NIS, ndërsa dega e tij e sanksionuar, Gazprom Neft, ka 44.9 për qind. Qeveria e Serbisë zotëron 29.9 për qind, ndërsa pjesa e mbetur u përket aksionarëve të vegjël dhe punonjësve.

    Vuçiq tha gjithashtu se marrëveshja e furnizimit me gaz të Serbisë me Rusinë do të zgjatet edhe për tre muaj të tjerë.

    Logoja e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), e cila është nën sanksione amerikane.
    SHIKONI EDHE:
    Putin thotë se Rusia “ka ide” si të zgjidhet çështja e NIS-it të sanksionuar serb
    Ky shtet ballkanik mbetet një nga blerësit e paktë të mbetur në Evropë të gazit natyror rus.

    Qeveria serbe, e cila synon anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, është përballur me presion nga vendet perëndimore për t’u harmonizuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, por ende nuk ka ndërmarrë veprime në këtë drejtim./REL

  • Zelensky: Janë përgatitur dokumente për garancitë e sigurisë dhe fundin e luftës në Ukrainë

    Zelensky: Janë përgatitur dokumente për garancitë e sigurisë dhe fundin e luftës në Ukrainë

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se pas bisedimeve që i ka cilësuar si produktive mes zyrtarëve ukrainas dhe emisarëve të presidentit amerikan, Donald Trump, janë përgatitur disa dokumente draft, përfshirë ato për garancitë e sigurisë për Ukrainën, rindërtimin e vendit dhe një kornizë bazë për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

    Sipas një postimi të Zelensky-t në rrjetin social X, pas informimit nga negociatorët ukrainas Rustem Umerov dhe Andrii Hnatov, bisedimet janë zhvilluar gjatë fundjavës në Majemi të Floridës, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga Ukraina, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Po ashtu, janë mbajtur edhe bisedime të veçanta me përfaqësues rusë.

    Zelensky ka theksuar se në këto takime janë vendosur pikat kryesore për të arritur një fund real të luftës dhe për të parandaluar një invazion të tretë rus, pas atij të vitit 2014 në Krime dhe Donbas.

    Megjithatë, Kremlini ka shprehur rezerva lidhur me këto zhvillime. Zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, ka deklaruar se bisedimet nuk duhet të shihen si një përparim i madh, por si një proces pune që do të vazhdojë.

    Ndërkohë, në të njëjtën kohë me këto zhvillime diplomatike, Rusia ka kryer një sulm masiv ajror mbi sistemin energjetik të Ukrainës.

    Si pasojë e sulmeve, të paktën tre persona kanë humbur jetën, përfshirë edhe një fëmijë, ndërsa janë shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë elektrike në disa rajone të vendit, vetëm pak ditë para festave të Krishtlindjeve.

  • Numërimi i votave ndalet natën e Vitit të Ri, rifillon më 1 janar

    Numërimi i votave ndalet natën e Vitit të Ri, rifillon më 1 janar

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka diskutuar në mbledhjen e radhës orarin e numërimit të votave gjatë natës së ndërrimit të moteve, duke vendosur që më 31 dhjetor procesi të zhvillohet deri në ora 12:00 dhe më pas të ndërpritet, ndërsa të rifillojë më 1 janar nga ora 16:00.

    Çështja ka nxitur diskutime mes anëtarëve të KQZ-së lidhur me angazhimin e ekipeve gjatë festave të fundvitit dhe nevojën për vazhdimësi të procesit zgjedhor, në mënyrë që rezultatet të publikohen sa më shpejt dhe të ruhet integriteti i procesit.

    Anëtari i KQZ-së nga AAK-ja, Muharrem Nitaj, tha se vendimi është marrë në Këshillin për Operacione Zgjedhore, por hapi dilemë lidhur me punën më 1 janar.

    “Ne në mbledhjen e Këshillit të Operacioneve kemi vendosur që dita e punës në raport me procesin zgjedhor të vazhdojë edhe me datën 1 janar pas orës 16:00, ndërkaq me datën 31 dhjetor të vazhdojë deri në orën 12:00, nuk e di nëse është vendimi më i mirë i mundshëm, nëse ja vlen të angazhojmë ekipet e ndryshme me datën 1 janar në kohën kur 31 dhjetori është festë edhe eventualisht njerëzit mund të kenë telashe që të jenë plotësisht të angazhuar në ditën e nesërme. Po e hapi si dilemë nëse është mirë që me datën 1 janar të mos punohet, ndërkaq të vazhdojë numërimi me datën 2 janar prej orës 10:00”, ka thënë Nitaj.

    Ndërkaq, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, tha se procesi zgjedhor nuk duhet të ndalet për shkak të festave.

    “Duhet ta kuptojmë që jemi në proces zgjedhor dhe pjesë e përgjegjësive tona është që puna jonë të mos ndalet në mënyrë që ne një kohë sa më të shkurtër t’i bëjmë publike rezultatet e procesit zgjedhor edhe për kandidatët gjithashtu por pastaj edhe faza tjera të ankimimimit e deri te certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve kërkon nga gjitha subjektet, nga gjithë akterët të përfshirë në proces zgjedhor që ta kryejnë punën e tyre me përkushtim. Ne nuk guxojmë që të ndalim aktivitetin tonë që të ju nënshtrohemi festave, sepse është një proces i cili nuk guxon me pas ndërprerje për shkak edhe të aspektit sensitiv por edhe integritetit të vet procesit”, shtoi ai.

    Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, tha se për këtë orar tashmë janë njoftuar të gjitha komisionet komunale zgjedhore.

    “Çështja e orarit është diskutuar edhe në Këshillin për Operacione Zgjedhore dhe është në pajtim që orari me 31 dhjetor të jetë deri në orën 12 edhe me 1 janar 2026 të vazhdojë prej orës 16:00. Lidhur me këtë dakordim, këtë pajtim të Këshillit të Operacioneve Zgjedhore, Sekretariati i KQZ-së i ka njoftuar të gjitha komisionet komunale zgjedhore, i kemi njoftuar përmes email-it, i kemi njoftuar edhe përmes platformës ëhatssup me datat 31 dhjetor dhe 1 janar. Njoftimin vetëm e kanë pranuar”, ka njoftuar ai.

  • Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit

    Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit

    Prishtinë, 23 dhjetor 2025 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për veprën penale “mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

    Sipas komunikatës zyrtare, i akuzuari, në periudhën 2018–2022, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Prishtinës, dyshohet se me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, përkatësisht duke mos deklaruar depozitime në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse.

    Prokuroria bën të ditur se shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin në 172,600 euro.

    Rasti është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special. Prokuroria thekson se procesi do të zhvillohet sipas procedurave ligjore, ndërsa i pandehuri gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.

  • Shemi varroset të mërkurën

    Shemi varroset të mërkurën

    Shemsi Krasniqi – Shemi ka ndërruar jetë ditën e djeshme (e hënë) në moshën 64-vjeçare.

    Ai u gjet pa shenja jete në banesën e tij në Prishtinë, ku u tha se pësoi një sulm në zemër.

    I njëjti ka lënë një boshllëk të madh në komunitetin artistik, fansat por edhe te miqtë e tij të ngushtë.

    Artisti Gold AG ka njoftuar se varrimi i të ndjerit do të bëhet të mërkurën (24 dhjetor).

    “Kolegë e dashamirë, varrimi i Shemit bëhet nesër me 24 Dhjetor , në ora 14:00 me namazin e Ikindisë në varrezat e qytetit në Arbëri (Dragodan) Prishtinë”, ka shkruar ai.

    Krasniqi ishte një nga zërat më të dashur dhe më ikonikë të muzikës shqiptare, njeriu që i dha shpirt dhe jetë këngës që u bë simbol kombëtar, “Xhamadani vija vija”.

    Me zërin e tij karakteristik dhe interpretimin e thellë, ai arriti të lidhte gjenerata të tëra me traditën dhe kulturën shqiptare, duke lënë një gjurmë të paharrueshme në muzikë. /Telegrafi/

  • Prattipati takon kryetarët e komunave në veri: ShBA-ja pret qeverisje transparente dhe shërbime të barabarta për të gjitha komunitetet

    Prattipati takon kryetarët e komunave në veri: ShBA-ja pret qeverisje transparente dhe shërbime të barabarta për të gjitha komunitetet

    E Ngarkuara me punë në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati ka takuar të martën kryetarët e katër komunave në veri, shkruan Reporteri.net.

    Prattipati ka theksuar pritshmëritë e ShBA-së për qeverisje transparente dhe ofrim të barabartë të shërbimeve për të gjitha komunitetet.

    “E ngarkuara me punë Anu Prattipati u takua sot me katër kryetarët e sapoinauguruar të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile të serbëve të Kosovës në veriun e Kosovës. Ajo theksoi pritshmëritë e SHBA-së për qeverisje transparente dhe efektive, ofrim të barabartë të shërbimeve dhe rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike që janë të përkushtuara për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

  • Zhduket një 55-vjeçare në Rahovec, policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e saj

    Zhduket një 55-vjeçare në Rahovec, policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e saj

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një 55-vjeçare, Pemlushe Sadrijaj është zhdukur në Rahovec, dhe njëkohësisht po kërkon ndihmën e qytetarëve për të lokalizuar vendndodhjen e saj.

    55-vjeçarja është nga Rahoveci, derisa organet kompetente lusin qytetarët që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e saj, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

    Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës: 192 dhe 080019999 (pa pagesë), 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë, E-mail adresa: [email protected].

  • E konfirmon ZRrE-ja: Në mars merret vendimi për tarifat e reja energjetike

    E konfirmon ZRrE-ja: Në mars merret vendimi për tarifat e reja energjetike

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) e ka konfirmuar se në muajin mars do të merret vendimi për tarifat e reja energjetike të cilat do të hyjnë në fuqi në muajin prill.

    ZRRE tha se aplikimet për të hyrat e lejuara nga operatorët dhe furnizuesit e licencuar pritet të dorëzohen gjatë muajit janar.

    “ZRRE ju informon se procesi i shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike zhvillohet në disa faza rregullative. Aplikimet për të hyrat e lejuara nga operatorët dhe furnizuesit e licencuar pritet të dorëzohen gjatë javës së tretë të muajit janar 2026, pas së cilës ZRRE do të bëjë shqyrtimin rregullativ. Vendimi përfundimtar për tarifat pritet gjatë muajit mars 2026, ndërsa zbatimi i tarifave të reja, do të fillojë nga muaji prill 2026, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi”, thonë në përgjigjen dhënë për RTV21.

    Aktualisht konsumatorët që shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kilovat brenda një muaji paguajnë 9.05 centë për kilovat nga 7.79 centë sa ishte vitin e kaluar. Ndërkohë, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë brenda një muaji, paguajnë 15.43 centë për kilovat nga 13.29 centë sa ishte vitin e kaluar. Ndërkohë, nga muaji maj konsumatorët e energjisë elektrike do të pranojnë faturat e tyre me tarifa të reja të cilat pritet të hyjnë në fuqi në prill të vitit 2026.