ATV

Author: G.O.

  • Avokatët e Diddyt kërkojnë lirimin e menjëhershëm të tij

    Avokatët e Diddyt kërkojnë lirimin e menjëhershëm të tij

    Avokatët e Sean “Diddy” Combs i kanë kërkuar Gjykatës Federale të Apelit në New York që të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të tij nga burgu ose të shfuqizojë dënimin për akuza që lidhen me prostitucionin ose alternativisht t’i kërkojë gjyqtarit të çështjes t’ia ulë dënimin.

    Në një kërkesë të dorëzuar të martën vonë në Gjykatën e Apelit të Qarkut të Dytë të SHBA-së, avokatët argumentojnë se producenti dhe reperi 56-vjeçar është ndëshkuar në mënyrë të padrejtë dhe se gjyqtari ka lejuar që në dënim të ndikojnë akuza për të cilat juria e shpalli të pafajshëm, ka raportuar ABC News.

    Combs ndodhet aktualisht në burg në New Jersey dhe pritet të lirohet në muajin maj të vitit 2028. Në korrik, ai u shpall i pafajshëm për komplot kriminal dhe trafikim seksual, por u shpall fajtor për shkelje të “Mann Akt”, ligj federal që ndalon transportimin e personave përtej kufijve shtetërorë për qëllime seksuale kriminale.

    Avokatët e tij pretendojnë se gjyqtari Arun Subramanian ka vepruar si “anëtar i trembëdhjetë i jurisë” gjatë dhënies së dënimit në muajin tetor, duke u mbështetur në prova dhe dëshmi që lidhen me akuzat për të cilat Combs ishte shpallur i pafajshëm.

    Sipas tyre, Combs u dënua për dy akuza më të lehta që lidhen me prostitucionin dhe që, sipas vendimit të jurisë, nuk përfshinin forcë, mashtrim apo detyrim. Ata i kërkojnë gjykatës së apelit që ta shpallë të pafajshëm, të urdhërojë lirimin e menjëhershëm ose t’i kërkojë gjyqtarit uljen e dënimit.

    “Të pandehurit zakonisht dënohen me më pak se 15 muaj burgim për këto vepra, edhe kur përfshihet detyrimi, gjë që juria nuk e gjeti në këtë rast”, shkruajnë avokatët.

    Ata kanë shtuar se gjyqtari e sfidoi vendimin e jurisë dhe arriti në përfundim se Combs kishte “detyruar”, “shfrytëzuar” dhe “imponuar” marrëdhënie seksuale ndaj partnereve të tij dhe kishte drejtuar një komplot kriminal. Sipas tyre, këto gjetje gjyqësore e tejkaluan vendimin e jurisë dhe çuan në dënimin më të ashpër të dhënë ndonjëherë për një rast të ngjashëm.

    Gjatë shpalljes së dënimit, gjyqtari Subramanian ka deklaruar se kishte marrë parasysh trajtimin që Combs u kishte bërë dy ish-partnereve të tij, të cilat dëshmuan në gjyq se ai i kishte rrahur dhe i kishte detyruar të kryenin marrëdhënie seksuale me punëtorë të seksit, ndërsa ai i shikonte dhe i filmonte, ndonjëherë edhe duke u masturbuar.

    Ish-e dashura e tij, këngëtarja Casandra “Cassie” Ventura, ka dëshmuar se Combs e kishte detyruar të kryente “akte seksuale të neveritshme” me të panjohur qindra herë gjatë lidhjes së tyre dhjetëvjeçare, e cila përfundoi në vitin 2018. Juria pa gjithashtu një video ku Combs shihej duke e tërhequr dhe rrahur Venturën në korridorin e një hoteli në Los Angeles, pas një prej këtyre ngjarjeve disa-ditore të quajtura “freak-off”.

    Një ish-partnere tjetër, e cila dëshmoi me pseudonimin “Jane”, ka deklaruar se ishte vënë nën presion për të kryer marrëdhënie seksuale me punëtorë meshkuj gjatë asaj që Combs i quante “netët e hotelit”, takime seksuale të shoqëruara me drogë, që sipas saj ndodhën nga viti 2021 deri në 2024 dhe zgjatnin disa ditë.

    Gjyqtari Subramanian hodhi poshtë mbrojtjen e Combs.

    “E refuzoj përpjekjen e mbrojtjes për ta paraqitur atë që ndodhi këtu si përvoja intime dhe konsensuale, apo thjesht si një histori me seks, droge dhe muzike rock”, ka deklaruar gjyqtari.

    Ai ka shtuar se Combs ka abuzuar me pushtetin dhe kontrollin që kishte mbi jetën e grave që thoshte se i donte.

    “I abuzuat ato fizikisht, emocionalisht dhe psikologjikisht, dhe e përdorët këtë abuzim për të marrë atë që donit, veçanërisht kur bëhej fjalë për ‘freak-offs’ dhe netët e hotelit”, ka thënë ai.

  • Shkodër: Goditen 7 ambiente të kultivimit të bimëve narkotike, 22-vjeçari arrestohet në flagrancë

    Shkodër: Goditen 7 ambiente të kultivimit të bimëve narkotike, 22-vjeçari arrestohet në flagrancë

    Shërbimet e Drejtori së Vendore të Policisë Shkodër kanë finalizuar fazën e katërt të operacionit policor të koduar “Neonët 4”, duke goditur 7 ambiente të dyshuara për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave.

    Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrolleve intensive në ambiente të mbyllura u arrestua në flagrancë shtetasi Gj. B., 22 vjeç, banues në Laç, Vau i Dejës, i cili kishte marrë me qira një banesë në Velipojë dhe e kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.

    Gjithashtu, u ndalua R. V., 25 vjeç, banues në Shkodër, ndërsa dy punonjës të OSHEE-së, A. U., 50 vjeç dhe Gj. T., 59 vjeç, u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

    Nga kontrolli i banesës së Gj. B., policia sekuestruar: 308 bimë të dyshuara kanabis, 85 gramë kanabis të tharë, 122 pajisje elektrike për kultivim, 4 celularë.

    Në banesën e shtetasit R. V. u sekuestruan: 3 llamba dhe 1 përforcues grushti.

    Gjithsej janë sekuestruar 300 bimë të dyshuara kanabis, një sasi kanabisi, 125 pajisje elektrike, 4 celularë dhe një përforcues grushti.

    Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër dhe me mbështetjen e Forcës Operacionale dhe grupit “Shqiponjat”. Kontrollimet intensive u fokusuan në evidentimin, kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike për shitje, si dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.

    Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme, ndërsa policia vazhdon punën intensive për goditjen e këtij aktiviteti kriminal.

  • Rusia synon të ndërtojë një central bërthamor në Hënë

    Rusia synon të ndërtojë një central bërthamor në Hënë

    Rusia planifikon të ndërtojë një central bërthamor në Hënë në dekadën e ardhshme për të furnizuar programin e saj hapësinor hënor dhe një stacion të përbashkët kërkimor ruso-kinez, teksa fuqitë e mëdha po nxitojnë të eksplorojnë satelitin e vetëm natyror të Tokës.

    Që nga koha kur kozmonauti sovjetik, Yuri Gagarin, u bë njeriu i parë që shkoi në hapësirë më 1961, Rusia e ka paraqitur veten si një fuqi udhëheqëse në eksplorimin e hapësirës, por në dekadat e fundit ka mbetur prapa Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim, dhe gjithnjë më prapa edhe Kinës.

    Ambiciet e Rusisë pësuan një goditje të madhe në gusht të vitit 2023, kur misioni i saj pa ekuipazh Luna-25 u përplas me sipërfaqen e Hënës gjatë përpjekjes për t’u ulur, teksa miliarderi Elon Musk ka revolucionarizuar lëshimin e mjeteve hapësinore, gjë që dikur ishte një specialitet rus.

    Korporata shtetërore ruse e hapësirës, Roscosmos, njoftoi se planifikon të ndërtojë një central energjetik në Hënë deri në vitin 2036, duke shtuar se ka nënshkruar një kontratë me kompaninë e industrisë hapësinore, Lavochkin Association për ta realizuar këtë projekt.

    Roscosmos tha se qëllimi i centralit është që të furnizojë me energji programin hënor të Rusisë, përfshirë automjetet robotike, një observator dhe infrastrukturën e Stacionit e Përbashkët Ndërkombëtar Kërkimor Ruso-Kinez, njofton rel.

    “Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një stacioni të përhershëm hënor dhe kalimin nga misionet që zhvillohen vetëm një herë në një program afatgjatë të eksplorimit të Hënës”, tha Roscosmos.

    Roscosmos nuk tregoi në mënyrë eksplicite nëse centrali do të ishte bërthamor, por njoftoi se ndër pjesëmarrësit në projekt janë korporata shtetërore ruse e energjisë bërthamore Rosatom dhe Instituti Kurchatov, që është instituti kryesor i Rusisë për kërkime bërthamore.

    Kreu i Roscosmos, Dmitry Bakanov, tha në muajin qershor se një nga synimet e korporatës është të ndërtojë një central bërthamor në Hënë dhe të eksplorojë Venerën, që njihet si “planeti motër” i Tokës.

    Hëna, e cila ndodhet 384.400 kilometra larg nga Toka, ndikon në stabilizimin e lëkundjes së Tokës rreth boshtit të saj, duke siguruar një klimë më të qëndrueshme. Ajo po ashtu shkakton baticat dhe zbaticat në oqeanet e botës.

  • Ndërpritet seanca fillestare për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc, kërkohet përjashtimi i prokurorit

    Ndërpritet seanca fillestare për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc, kërkohet përjashtimi i prokurorit

    Seanca fillestare për tre të akuzuarit në rastin e sulmit në kanalin Ibër Lepenc në Zubin Potok është ndërprerë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas kërkesave të paraqitura nga palët mbrojtëse për përjashtimin e prokurorit të rastit.

    Kërkesat u parashtruan me arsyetimin se gjatë fazës hetimore nuk janë ndërmarrë veprime të plota për mbledhjen dhe administrimin e provave të propozuara nga mbrojtja.

    Sipas gjykatës, seanca është ndërprerë derisa të merret vendim nga Kryeprokurori kompetent lidhur me kërkesën për përjashtim të prokurorit publik, Bekim Kodraliu.

    Avokati Nebojsha Vllajiq, mbrojtës i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, deklaroi se ka vërejtje serioze ndaj mënyrës së veprimit të prokurorisë dhe se ka kërkuar zyrtarisht përjashtimin e prokurorit.

    Ai tha se kërkesa për mbledhje të provave ishte parashtruar që më 6 dhjetor 2024, vetëm disa ditë pas arrestimit të të akuzuarit, por sipas tij asnjë nga provat e propozuara nuk është administruar.

    Vllajiq theksoi se janë marrë vetëm disa incizime nga një kamerë dhe se ato janë paraqitur në mënyrë selektive, pa sqaruar kohën, e cila sipas tij është element thelbësor për rastin. Ai shtoi se mosveprimi i prokurorisë ka sjellë humbjen e disa provave përgjithmonë.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Viqentijeviq, avokati Millosh Deleviq, u bashkua me kërkesën e kolegut të tij, duke deklaruar se edhe ai kishte kërkuar që në dhjetor të vitit 2024 dëgjimin e katër dëshmitarëve dhe mbledhjen e incizimeve nga disa objekte, përfshirë banka dhe stacioni policor në Zubin Potok, por se deri më tani prokuroria nuk ka vepruar sipas këtyre kërkesave.

    “Më duhet t’i bashkangjitem kolegut, pasi edhe unë më 11 dhjetor 2024 ia kam parashtruar kërkesën që të dëgjohen katër dëshmitarë. Kam kërkuar që të mblidhen video-incizime nga kamerat e dy objekteve, nga banka KEP në Zubin Potok dhe nga stacioni policor në Zubin Potok, një orë pas sulmit. Deri në ditën e sotme, prokurori special nuk ka vepruar sipas kërkesës. Në mënyrë të pakthyeshme e ka dëmtuar të drejtën në mbrojtje të Dragisha Viqentijeviqit. Kërkojmë që të ndërpritet kjo seancë deri sa kryeprokurori të deklarohet për këtë kërkesë”, tha ai.

    Ndërkaq, avokatja Jelena Krivokapiq, mbrojtëse e të akuzuarit Igor Dimoviq, tha se rasti i klientit të saj është i ndryshëm dhe se mbrojtja nuk ka vërejtje ndaj prokurorisë, duke shtuar se dokumentacioni është pranuar dhe se nuk mund të deklarohet për shkelje në këtë pjesë.

    Prokurori Bekim Kodraliu, duke iu përgjigjur kërkesave të mbrojtjes, tha se hetimi është zhvilluar në mënyrë profesionale dhe të koordinuar. Ai theksoi se provat e propozuara janë analizuar dhe se për komunikimet telefonike janë bërë kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar me autoritetet serbe, por se nuk është pranuar përgjigje. Kodraliu shtoi se ligji përcakton qartë bazat mbi të cilat mund të kërkohet përjashtimi i prokurorit dhe se, sipas tij, këto baza nuk janë përmbushur në këtë rast.

    “Unë i dëgjova me vëmendje kërkesat e palës mbrojtëse. E di që ndoshta nuk ju pëlqen hetimi që unë kam zhvilluar në këtë rast, por i njoftoj palët që hetimi ka qenë profesional dhe ka qenë i koordinuar në mënyrë të përsosur. Provat që i kanë propozuar i kam analizuar dhe i dëgjova edhe sot. Komunikimet telefonike, të pandehurit Jovan kanë qenë në komunikim përmes telekomit të Serbisë dhe ne autoriteteve serbe u kemi drejtuar dy herë me kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar, por nuk kemi pranuar përgjigje. Kolegu Vllajiq ka qenë prokuror në sistemin jugosllav dhe besoj që e di se kur mund të kërkohet ndërrimi i prokurorit në një rast penal. Kërkesa për përjashtim është nëse pala e dëmtuar apo familjari me të pandehurin, kujdestari ligjor apo prindi i të pandehurit ose i dëmtuari, nëse ka marrë pjesë si gjyqtar dhe nëse kam konflikt interesi. Këto janë bazat që prokurori duhet të largohet nga procedura. Këto janë pesë bazat ligjore mbi të cilat mund të kërkohet përjashtimi”, tha ai.

    Gjyqtari i çështjes, Vesel Ismaili, deklaroi se me paraqitjen e kërkesës për përjashtim, ligji obligon ndërprerjen e çdo veprimi procedural deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

    Ai njoftoi se seanca e sotme ndërpritet dhe se gjykata do të presë vendimin e kryeprokurorit special lidhur me kërkesën e parashtruar.

    “Nuk i kontestoj fare, por kjo i bie në kompetencë të prokurorit. Neve na obligon dispozita që, me rastin e paraqitjes së kërkesës për përjashtim, qoftë të gjyqtarit apo të prokurorit, menjëherë duhet të ndërpritet çdo veprim procedural në një çështje juridiko-penale, deri sa të shqyrtohet dhe të merret vendim. Seanca e sotme ndërpritet dhe presim vendimin e kryeprokurorit special”, tha ai.

  • Rrëzimi i kërkesës së Veselit për lirimin me kusht, si e arsyetoi vendimin Gjykata Supreme në Hagë?

    Rrëzimi i kërkesës së Veselit për lirimin me kusht, si e arsyetoi vendimin Gjykata Supreme në Hagë?

    Me dhjetëra, ndoshta edhe qindra kërkesa për lirimin nga paraburgimi të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë janë paraqitur deri më tani, por asnjëra nuk është miratuar.

    Shpresa e fundit për Kadri Veselin për lirimin me kusht është gjithashtu shuar, pasi Gjykata Supreme në Hagë i ka refuzuar kërkesën.

    Sipas vendimit të Supremes, ku në panel është edhe kryetarja e Gjykatës Speciale, nuk është konstatuar asnjë shkelje në vendimet e mëparshme që i kishin mohuar lirimin Veselit.

    “Paneli vëren se Z. Veseli nuk tregon për një shkelje thelbësore të një procedure specifike në Ligj ose në Rregullore. Siç është theksuar tashmë në Pikën 1, një kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë duhet të pretendojë një shkelje thelbësore të procedurave të përcaktuara në Nenin 48(7)(b) të Ligjit. Megjithatë, dhe duke pasur parasysh se Mbrojtja argumenton konkretisht se Paneli i Apelit nuk i rivlerësoi siç duhet rreziqet sipas Nenit 41(6)(b) të Ligjit dhe në vend të kësaj u mbështet në gjetjet e mëparshme pa shqyrtuar nëse ato mbeten të mjaftueshme në këtë fazë të procedurës”, thuhet në vendim.

    Gjykata thekson se Kadri Veseli paraqet rrezik të ndërhyrjes në procedura dhe të tentojë të ndikojë në dëshmitarë, duke justifikuar kështu vazhdimin e paraburgimit.

    “Ndërsa Paneli pranon dhe pajtohet me Panelin e Apelit se një bazë specifike, siç është rreziku i pengimit, mund të zvogëlohet me kalimin e kohës, kjo nuk është automatike dhe varet nga rrethanat e çështjes. Nuk është e nevojshme, siç sugjeron Z. Veseli, që diçka e jashtëzakonshme të jetë e nevojshme për të treguar se rreziku nuk është zvogëluar. Ajo që është e nevojshme është që arsyet e vazhdueshme të justifikojnë paraburgimin e vazhdueshëm”, thuhet në vendim.

    Gjykata gjithashtu aludon në zbulimin e informatave konfidenciale nga Veseli, pavarësisht se gjykimi është në fazën përfundimtare.

    “Trupi kujton se Apeli iu referua sjelljes së mbështetur më parë si treguese të ekzistencës së rrezikut të pengimit, duke përfshirë zbulimin e supozuar të informacionit konfidencial. Duke vepruar kështu, Trupi i Apelit konsideroi se kjo sjellje ilustron gatishmërinë dhe aftësinë ‘e mundshme’ të Z. Veseli për të përhapur informacion konfidencial, dhe vuri në dukje se kjo kishte rezultuar në mbikëqyrje shtesë në Njësinë e Paraburgimit. Trupi i Apelit e konsideroi këtë të rëndësishme për vlerësimin e vazhdueshëm të rrezikut të pengimit dhe kujtoi se standardi i zbatueshëm kishte të bënte me mundësinë, në vend të pashmangshmërisë së një ngjarjeje në të ardhmen”, thuhet në vendim.

    Gjykata Supreme thekson se nuk ka asnjë shkelje në procedurë dhe se rreziqet për vazhdimin e paraburgimit janë të justifikuara:

    “Në dritën e sa më sipër, Trupi i Supremes konstaton se Trupi i Apelit nuk e ka keqzbatuar standardin përkatës në rrethanat e çështjes në përputhje me Nenin 41(6)(b) të Ligjit. Nuk ka asgjë në shqyrtimin e paraburgimit që sugjeron se procesi është ndërmarrë në një mënyrë kuazi-automatike. Ai vlerësoi siç duhet ekzistencën e vazhdueshme të rreziqeve përkatëse në kohën e shqyrtimit dhe ofroi arsye të mjaftueshme për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit të z. Veseli”, thuhet në vendim.

    Veseli ishte ankuar se nuk kishte asnjë provë që justifikonte vazhdimin e paraburgimit të tij, por paneli e konsideroi këtë argument të pabazuar:

    “Paneli vëren se parashtrimet e Z. Veseli, në lidhje me nëse provat që favorizojnë lirimin janë shqyrtuar mjaftueshëm, janë tërësisht të natyrës faktike. Për shembull, Z. Veseli argumenton se nuk është paraqitur asnjë provë. Megjithatë, Paneli i Apelit shqyrtoi sa vijon: (i) përfshirjen e mundshme të Z. Veseli në zbulimin e paautorizuar të provave; (ii) aftësinë e tij për të marrë informacion konfidencial duke pasur parasysh pozicionin e tij në Kosovë; (iii) dhe njohuritë e tij të shtuara për informacionin konfidencial në lidhje me dëshmitarët. Për më tepër, argumentet e tij përbëjnë një mospajtim me vlerësimin diskrecionar të fakteve nga Paneli i Apelit, i cili nuk mund të merret në konsideratë brenda procedurës për mbrojtjen e ligjshmërisë”, thuhet më tej.

    “Paneli vëren që në fillim se Z. Veseli nuk tregon për një shkelje të konsiderueshme të një procedure specifike në Ligj ose në Rregullore në parashtrimet e tij. Sipas Nenit 48(7)(b) të Ligjit, një palë që kërkon mbrojtje të ligjshmërisë duhet të identifikojë një shkelje të konsiderueshme të procedurave të përcaktuara në këtë Ligj dhe në Rregullore”, thuhet në vendim.

    Si rrjedhojë, Kadri Veseli do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim.

  • Pasaportat më të fuqishme në botë, e Kosovës ngritet për disa vende krahasuar me vitin e kaluar

    Pasaportat më të fuqishme në botë, e Kosovës ngritet për disa vende krahasuar me vitin e kaluar

    Indeksi i Pasaportave Henley, një nga disa renditje që matin fuqinë e pasaportave, atë të Kosovës e rendit në vendin e 62 në botë.

    Kosovarët mund të udhëtojnë me të, pa vizë, në 81 vende.

    Pasaporta kosovare ka shënuar ngritje për disa vende në krahasim me vitin 2024, kur ndodhej në vendin e 68-të.

    Nga pasaportat e shteteve të rajonit, Kroacia është ngjitur në vendin e shtatë në pasaportat më të fuqishme në botë, sipas përditësimit të fundit të Indeksit të Pasaportave Henley nga dhjetori.

    Me 184 pikë, Kroacia është në të njëjtin grup me vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e vendosur atë në një rreth të ngushtë vendesh me një nivel shumë të lartë të lëvizshmërisë ndërkombëtare.

    Në vendin e parë, me 193 pikë, është ende Singapori, i cili e ka mbajtur fronin për vite me radhë falë lidhjeve të forta diplomatike dhe fuqisë ekonomike, e cila u lejon mbajtësve të pasaportave të tij qasje në pothuajse të gjithë botën pa vizë.

  • Përditësohen të dhënat: Kjo është situata në pikat kufitare të Kosovës

    Përditësohen të dhënat: Kjo është situata në pikat kufitare të Kosovës

    Për disa ditë më radhë, në pikëkalimet kufitare të Republikës së Kosovës u shtua fluksi i automjeteve, me mërgatën që ka nisur të vijë në atdhe.

    Por, të dhënat e fundit të përditësuara sot në orën 6 të mëngjesit pohojnë se të gjitha pikëkalimet kufitare janë të lira për qarkullim.

    Kolona nuk ka fare, teksa pritja është mesatarisht 3 deri në 5 minuta.

    Përjashtim bën pika kufitare e Merdarit, aty ku pritjet janë 10 minuta për të hyrë e 15 për të dalur nga kjo pikë.

    Kolona s’ka fare edhe në zonat e shënjuara për hyrje-dalje të kamionëve.

  • Goditet për vdekje një këmbësor në Graçanicë

    Goditet për vdekje një këmbësor në Graçanicë

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Graçanicë, ku një këmbësor ka humbur jetën pasi është goditur nga një veturë.

    Sipas raportit të Policisë, ngjarja ka ndodhur më 23.12.2025 rreth orës 23:30. Dyshohet se vozitësi, mashkull kosovar, nga pakujdesia ka goditur një këmbësor, po ashtu mashkull kosovar, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

    Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit Shemit të “Ilirëve”

    Sot i jepet lamtumira e fundit Shemit të “Ilirëve”

    Sot do t’i jepet lamtumira e fundit Shemsi Krasniqit, solisti i grupit të rock-folk-ut vendor “Ilirët”, i njohur më shumë si Shemi, i cili vdiq në moshën 64-vjeçare.

    Varrimi i tij do të bëhet në ora 14:00 në varrezat e qytetit në Arbëri (Dragodan).

    ‘‘Kolegë e dashamirë, varrimi i Shemit bëhet nesër me 24 Dhjetor , në ora 14:00 me namazin e Ikindisë në varrezat e qytetit në Arbëri (Dragodan) Prishtinë’’, thuhet në njoftim.

  • Horoskopi sot, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj

    Horoskopi sot, parashikimi i yjeve për shenjën tuaj

    Dashi (21 Mars – 20 Prill)

    Mos u përpiq të japësh kohën dhe energjinë tënde për gjithçka, nuk ia vlen. Sot është e rëndësishme të lësh gjërat që të bëjnë të ndihesh keq dhe të përqendrohesh tek ato që të sjellin mirësi. Ke forcë, por nëse nuk je i kujdesshëm, mund të shpërndahesh shumë. Bëhu i mençur me zgjedhjet e tua. Kushtoji vëmendje asaj që ka vërtet rëndësi në jetën tënde dhe lër pas njerëzit apo planet që të mbajnë mbrapa. Ruaj paqen tënde. Mos harxho energji për gjëra që nuk të çojnë askund, lëviz drejt asaj që të bën të lumtur.

    Demi (21 Prill – 20 Maj)

    Fillo ditën duke u kujdesur për veten para se të ndihmosh të tjerët. Planetët të kujtojnë se është e rëndësishme të kujdesesh edhe për nevojat e tua. Ke bërë shumë për njerëzit rreth teje, por tani është në rregull t’i lejosh ata të të mbështesin. Përqendrohu tek ajo që të ushqen shpirtin pa ndjerë faj. Pak kujdes për veten mund të sjellë qartësi dhe paqe të brendshme. Mënyra se si trajton veten përcakton se si të tjerët do të të trajtojnë ty.

    Binjakët (21 Maj – 21 Qershor)

    Sot lëri gjërat të rrjedhin vetë, mos u përpiq t’i bësh me zor. Beso se mirësia mund të ndihmojë në përparimin e situatave. Mërkuri mund të të ndihmojë të flasësh me qetësi, edhe kur gjërat bëhen të vështira. Merr një moment frymë para se të reagosh. Fjalët që shërojnë janë më produktive se ato që ndajnë. Një qasje e qetë pranohet më lehtë sesa përpjekja për të provuar se ke të drejtë. Prania jote paqësore do të hapë zemrat që presioni nuk mundet.

    Gaforrja (22 Qershor – 22 Korrik)

    Lëre pas atë që ndodhi dje dhe përqendrohu tek ajo që vjen më pas. Ti meriton një fillim të ri, pa faj apo frikë nga e kaluara. Është në rregull të reflektosh, të mendosh sërish ose thjesht të marrësh frymë thellë dhe të ecësh përpara. Ndryshime të qeta po ndodhin, sidomos në jetën personale. Hapat e vegjël tani mund të sjellin ekuilibër të qëndrueshëm. Të jesh i mirë me veten është forcë. Mënyra se si e trajton veten pas një momenti të vështirë tregon sa shumë je shëruar.

    Luani (23 Korrik – 23 Gusht)

    Nuk ke pse të presësh derisa gjithçka të bëhet e qartë për të ecur përpara. Qartësia shpesh vjen kur bën hapat e vegjël para. Disa ditë mund të duken të paqarta, por besimi tek vetja ndihmon të largosh mjegullën. Fillo me atë që tashmë e di dhe ndërto mbi të. Edhe nëse gjërat duken të pasigurta, ti je i destinuar të ecësh përpara. Bëj zgjedhje bazuar në vlerat e tua, jo në humorin e ndryshueshëm. Sa më shumë të dëgjosh të vërtetën tënde të brendshme, aq më e qartë do të bëhet gjithçka, dhe paqja do të vijë vetvetiu.

    Virgjëresha (24 Gusht – 23 Shtator)

    Jeta jote nuk është e bllokuar, ajo sapo ka filluar. Është në rregull nëse gjërat marrin kohë dhe rezultatet nuk vijnë menjëherë. Ka një proces natyral që po zhvillohet, edhe kur nuk mund ta shohësh ende. Disa ditë mund të kalojnë qetë, dhe kjo është pjesë e udhëtimit. Durimi dhe përvoja po punojnë në favorin tënd. Edhe nëse duket sikur asgjë nuk po ndodh jashtë, një rritje e brendshme e rëndësishme po ndodh. Ajo që ke ndërtuar brenda po del ngadalë përpara dhe do të shfaqet në kohën e duhur.

    Peshorja (24 Shtator – 23 Tetor)

    Nuk është e nevojshme të jesh i zhurmshëm për të ndjerë besim. Forca nuk vjen vetëm nga fjalët që thua. Ajo vjen nga dëgjimi dhe mendimi para se të veprosh. Nuk ke nevojë që dikush të të thotë se je në rregull, ti tashmë je. Mos dysho në të vërtetën tënde për shkak të mendimeve të të tjerëve. Ec me besim. Nuk ka nevojë të ngresh zërin për t’u vënë re. Lëri veprimet e tua të flasin për ty.

    Akrepi (24 Tetor – 22 Nëntor)

    Ajo që po pret mund të mos ndodhë ashtu siç e ke planifikuar. Përpiqu ta shohësh këtë si një hapje për diçka të re. Të mos dish drejtimin e ardhshëm mund të duket frustruese, por mund të jetë edhe çlirim. Lëri gjërat të zhvillohen në mënyrë të qetë. Qëndro i hapur ndaj çdo rruge që shfaqet përpara teje. Ajo që duket si vonesë ose problem i vogël mund të të ndihmojë të kuptosh më mirë qëllimin tënd të vërtetë. Ndrysho mënyrën se si e sheh situatën, jo mënyrën se si e sheh veten.

    Shigjetari (23 Nëntor – 21 Dhjetor)

    Ti udhëheq më mirë kur lëshon dhe lejon paqen të udhëheqë zgjedhjet e tua nesër. Veprimet e qeta funksionojnë më mirë se forca. Mos vepro nga frika dhe mos u nxito në vendime. Ec përpara me besim, edhe nëse gjërat duken të pasigurta. Nuk ka nevojë të jesh pjesë e çdo debati, dhe nuk ke pse t’i rregullosh të gjitha menjëherë. Disa gjëra trajtohen më mirë duke dëgjuar fillimisht dhe duke folur vetëm kur ka vërtet rëndësi. Merr kohën tënde. Përparimi ndodh ngadalë, hap pas hapi, jo duke i forcuar gjërat.

    Bricjapi (22 Dhjetor – 21 Janar)

    Mosbesimi tek vetja mund të ndikojë ngadalë në mënyrën se si ndihesh dhe vepron. Ky është momenti për të folur hapur dhe për të kujtuar se komunikimi i qartë ka rëndësi. Heshtja nuk do të ndihmojë që dëshirat apo nevojat e tua të bëhen realitet. Nëse diçka duhet thënë, thuaje tani. Mund të kesh mundësinë të shprehësh kufijtë ose dëshirat e tua pa ndjerë faj, dhe kjo do të të ndihmojë të ndihesh më i qetë me vendin ku qëndron. Ji i sinqertë dhe i qartë në fjalët e tua, por qëndro i qetë dhe i mirë.

    Ujori (22 Janar – 19 Shkurt)

    Vëri re modelet që përsëriten në jetën tënde dhe pyete veten pse. Nesër të jep ndërgjegjësimin për t’i ndryshuar. Nuk ke pse të kalosh të njëjtin cikël sërish. Ky është një moment i mirë për të lënë zakonet që nuk të ndihmojnë më. Provo të bësh diçka ndryshe, edhe nëse nuk do ndihesh rehat në fillim. Një ndryshim i vogël në mënyrën se si reagon mund të thyejë një model të vjetër. Ndërgjegjësimi është çelësi i lirisë.

    Peshqit (20 Shkurt – 20 Mars)

    Mbaje mend, edhe nëse e djeshmja duket afër, ti nuk je i njëjti person që ishe muajin e kaluar apo javën e kaluar. Ke ndryshuar, dhe kjo është gjë e mirë. Lejo që ky ndryshim të udhëheqë zakonet, zgjedhjet dhe njerëzit që mban rreth vetes. Bëje këtë pa ndjerë faj. Nëse ndihesh pak i larguar ose emocional, mund të jetë shenjë që diçka në jetën tënde duhet të përshtatet më mirë me atë që je tani. Kështu ndodh rritja.