ATV

Author: G.O.

  • Ndalohet për 48 orë i arrestuari për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë, Prokuroria ndan pamje nga bastisja

    Ndalohet për 48 orë i arrestuari për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë, Prokuroria ndan pamje nga bastisja

    I dyshuari për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR’it dhe Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023, i cili u arrestua sot, është ndaluar për 48 orë.

    Arrestimi i tij është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale, ku janë kryer edhe bastisje në vendbanimin e tij.

    Prokuroria ka thënë se janë gjetur prova që do të shërbejnë gjatë procedurës penale, shkruan Reporteri.net.

    “S.R. është ndaluar mbi dyshimet për veprat penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar”, thekoshetnë njoftimin e Prokurorisë.

    Specialja ka bërë me dije se brenda afatit të përcaktuar ligjor, ndaj S.R. do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    “Hetuesit policorë, në bashkëpunimm me Prokurorinë Speciale, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.

  • Seanca e radhës në rastin “Banjska” mbahet më 16 janar

    Seanca e radhës në rastin “Banjska” mbahet më 16 janar

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se seanca e radhës gjyqësore në rastin “Banjska” do të mbahet më 16 janar 2026, ashtu siç ka qenë e caktuar paraprakisht.

    Kështu ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    “Rasti Banjska do të mbahet me datën 16 janar 2026 ashtu siç ka qenë e caktuar paraprakisht”, tha Gashi.

    Ndryshe, ky rast udhëhiqej nga gjykatësi Arben Hoti si kryetar i trupit gjykues, por meqë ky i fundit është avancuar në pozitën e gjyqtari në Gjykatën e Apelit, lënda i kalon një gjykatësi tjetër.

    Megjithatë, nga Gjykata nuk kanë njoftuar se kujt i është ndarë kjo lëndë.

    Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.

    Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.

    Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.

    Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.

    Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.

    Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

    Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist./Betimi për Drejtësi

  • Orav bashkë me ambasadorët e takojnë Kurtin, diskutojnë për zhvillimet paszgjedhore

    Orav bashkë me ambasadorët e takojnë Kurtin, diskutojnë për zhvillimet paszgjedhore

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav bashkë me ambasadorët e BE-së dhe shefat e misioneve në Kosovë kanë takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, në të cilin takim Orav thotë të kenë diskutuar për zhvillimet paszgjedhore.

    “Së bashku me ambasadorët e BE-së dhe shefat e misioneve në Kosovë, u takova me kryeministrin në detyrë Albin Kurti për të diskutuar zhvillimet paszgjedhore. Vlerësova procesin zgjedhor që pasqyron një përkushtim të fortë ndaj parimeve demokratike dhe theksova rëndësinë e formimit të shpejtë të qeverisë”, shkruan Orav.

  • Policia e Kosovës njofton: Janë gjetur disa tabela automjetesh në rrugën Prishtinë -Ferizaj, ftohen qytetarët t’i marrin

    Policia e Kosovës njofton: Janë gjetur disa tabela automjetesh në rrugën Prishtinë -Ferizaj, ftohen qytetarët t’i marrin

    Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë humbur targat e automjeteve të tyre gjatë vërshimeve në aksin rrugor Prishtinë – Ferizaj, që të paraqiten në stacionin përkatës për t’i tërhequr ato.

    Pas reshjeve të dendura dhe vërshimeve që përfshinë zonën në afërsi të qendrës tregtare “Prishtina Mall”, janë gjetur disa tabela të automjeteve të cilat kanë rënë si pasojë e ujit.

    “Njoftohen qytetarët, se në zonën që kishte vërshime, në rrugën Prishtinë -Ferizaj, saktësisht në afërsi të Prishtina Mall, janë gjetur disa tabela të automjeteve, të cilat janë dorëzuar në Stacionin Policor në Graçanicë. Andaj, ftohen pronarët e këtyre tabelave që të paraqiten në këtë stacion policor për tërheqjen e tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Të paktën 2.403 të vdekur në protestat në Iran, thotë grupi për të drejtat e njeriut

    Të paktën 2.403 të vdekur në protestat në Iran, thotë grupi për të drejtat e njeriut

    Numri i të vdekurve nga protestat në Iran ka arritur në 2.403, njoftoi HRANA, grupi për të drejtat e njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara (SHBA).

    Ky numër po vazhdon të rritet sepse udhëheqësit klerikë të Republikës Islamike po bëjnë përpjekje për ta shtypur valën më të madhe të protestave antiqeveritare ndër vite, duke nxitur kërcënime për ndërhyrje nga SHBA-ja.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, u bëri thirrje iranianëve t’i vazhdojnë protestat, duke iu premtuar se do t’iu dalë në ndihmë.

    HRANA tha të mërkurën vonë se deri më tani e ka verifikuar vdekjet e 2.403 protestuesve, 147 individëve të lidhur me Qeverinë, 12 personave nën moshën 18-vjeçare dhe nëntë civilëve që nuk kanë marrë pjesë në protesta.

    Një zyrtar iranian tha të martën se rreth 2.000 njerëz janë vrarë. Kjo ishte hera e parë që autoritetet japin një shifër të përgjithshme të viktimave nga trazira mbarëkombëtare mbi dyjavore.

    “Ndihma po vjen”
    I pyetur se çfarë nënkuptonte kur tha se “ndihma po vjen”, Trump u tha gazetarëve se ata do të duhej ta kuptonin vetë.

    Trump ka deklaruar se veprimi ushtarak është ndër mundësitë që është duke i shqyrtuar për ta ndëshkuar Iranin për shtypjen e protestave.

    Në një intervistë për CBS Neës, Trump tha se SHBA-ja do të ndërmarrë “veprime shumë të forta” në Iran, nëse regjimi fillon t’i varë protestuesit.

    “Nuk duam që ajo që po ndodh në Iran të vazhdojë”, tha ai. “Nuk do të përfundojë mirë”.

    Ai shtoi se administrata po pret një konfirmim zyrtar të numrit të protestuesve të vrarë nga forcat iraniane të sigurisë.

    Trump shpalli tarifa importi prej 25 për qind për produktet nga çdo vend që bën tregti me Iranin – i cili është eksportues i madh i naftës.

    Kina, e cila blen pjesën më të madhe të eksporteve të naftës së Iranit, e kritikoi menjëherë këtë veprim.

    Në një bisedë telefonike të shtunën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, diskutuan mundësinë e ndërhyrjes së SHBA-së në Iran, sipas një burimi izraelit të pranishëm në bisedë, raporton Reuters.

    Irani u zotua se do të kundërpërgjigjej ndaj çdo sulmi duke goditur Izraelin dhe bazat e anijet amerikane.

    Trazirat, të nxitura nga kushtet e rënda ekonomike, kanë paraqitur sfidën më të madhe të brendshme për udhëheqësit iranianë për të paktën tre vjet dhe kanë ndodhur në një kohë presioni ndërkombëtar në rritje ndaj Iranit për programet e tij bërthamore dhe të raketave balistike./REL

  • Sorensen: Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon me shpresën që 2026-ta sjellë atë që 2025 s’mundi

    Sorensen: Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon me shpresën që 2026-ta sjellë atë që 2025 s’mundi

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, ka deklaruar se BE-ja vazhdon të punojë për çështjet e dialogut “me shpresën që viti 2026 të sjellë atë që 2025 nuk arriti ta japë”, raporton Ekonomia Online.

    Pas vizitës zyrtare që pati në Prishtinë, Sorensen ka thënë se palët duhet të ulen dhe të bisedojnë e se një takim mes tyre do të thirret nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së kur të jetë koha e duhur.

    Tutje, Sorensen tha se pret me interes të lartë formimin e institutvcioneve në Kosovë, pas zgjedhjeve të fundit.

    “Jam i lumtur që jam sërish në Kosovë, kjo është vizita ime e parë e këtij viti. Urime për zgjedhjet, pres me interes që Kuvendi të konstituohet dhe që Qeveria të formohet. Ne vazhdojmë të punojmë për çështjet e dialogut, me shpresën që viti 2026 të sjellë atë që 2025 nuk arriti ta japë. Pikërisht për këtë arsye e nisa vitin me një vizitë këtu dhe më pas në Beograd gjatë kësaj jave”.

    “Ajo që synojmë është që të dyja palët të ulen dhe të bisedojnë, duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë. Përfaqësuesja e Lartë i ka vizituar vendet vitin e kaluar dhe ka theksuar se do të ketë një takim kur koha të jetë e duhur”.

    “Ajo do ta thërrasë takimin, palët do të marrin pjesë dhe më pas do të shohim se si do të ecet përpara”, ka deklaruar Sorensen.

  • Pavarësisht armëpushimit, ushtria izraelite sulmon Gazën

    Pavarësisht armëpushimit, ushtria izraelite sulmon Gazën

    Ushtria izraelite ka sulmuar zonat perëndimore të qytetit të Rafahut dhe lagjet veriore të qytetit mëngjesin e kësaj të mërkure, duke bërë që të shkelë të armëpushimi.

    Nga sulmet janë prekur zonat veriore të kampit të refugjatëve Bureij në Gazën qendrore gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.

    Deri më tani nuk janë raportuar viktima apo të plagosur palestinezë.

    Nga ana e saj ushtria izraelite njoftoi të martën vonë se dy palestinezë u vranë në atë që ajo e përshkroi si shkëmbim zjarri në Rafah.

    Që nga shpallja e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit më 10 tetor 2025, Izraeli ka vrarë më shumë se 400 palestinezë.

    Izraeli ka vazhduar gjithashtu të shkelë rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratuar në nëntor të vitit 2025, e cila kërkon armëpushim të përhershëm dhe gjithëpërfshirës në Gazë, dorëzim të pandërprerë të ndihmës humanitare dhe rindërtimin e territorit.

    Ushtria izraelite ka shkaktuar më shumë se 71 mijë viktima, shumica gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë në një ofensivë brutale që nga tetori i vitit 2023, duke e lënë Gazën në rrënoja, transmeton Anadolu Agency.

    Sulmet e fundit vijnë mes akuzave të ndërsjella për shkelje të armëpushimit, i cili u ndërmjetësua nga SHBA dhe u zbatua në faza, duke përfshirë shkëmbimin e pengjeve, rritjen e ndihmës dhe hapjen e kalimit Rafah – por shumë kushte mbeten të paplotësuara.

    Palestinezët akuzojnë Izraelin për shkelje sistematike që pengojnë rindërtimin dhe ndihmën, ndërsa Izraeli pretendon se vepron kundër kërcënimeve të Hamasit që shkelin marrëveshjen.

  • KQZ: Rinumërohen 23 vendvotimet e para nga 914 vendvotime

    KQZ: Rinumërohen 23 vendvotimet e para nga 914 vendvotime

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërim.

    Ky proces ka filluar të martën në orën 18:00, ndërsa deri më tani, e mërkurë, 14 janar 2026, ora 10:00, janë rinumëruar 23 vendvotime nga gjithsej 914 vendvotime për të cilat është vendosur rinumërimi.

    Rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi do të publikohen në platfomën e KQZ-së për rezultate, në hapësirën QNR > Rinumërim: https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/.

    Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen të gjitha vendvotimet: Dragash, Kaçanik, Lespovci, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.

    Ndërkaq, në 28 komuna të tjera do të rinumërohen rreth 10% e vendvotimeve: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

  • Sorensen përfundon takimin me Kurtin, takohet me Osmanin

    Sorensen përfundon takimin me Kurtin, takohet me Osmanin

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, ka përfunduar takimin me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ku pas këtij takimi është takuar me Presidenten, Vjosa Osmani.

    Kjo do të jetë vizita e parë e Soresen që kur iu vazhdua mandati edhe për dy vjet të tjera si i dërguar për dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje.

    Po ashtu, gjatë mandatit të parë, i dërguari i BE-së zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt.

  • Arrestohet një i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

    Arrestohet një i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

    Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën një të dyshuar për sulm ndaj pjesëtarëve të saj si dhe ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, në maj të vitit 2023.

    Përmes një komunikate për media, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se në koordinim me hetuesit policorë ka bërë arrestimin e të dyshuarit me inicialet S.R.

    Ai dyshohet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023.