ATV

Author: G.O.

  • Shefi i NATO-s në Kiev, mesazh i fortë mbështetjeje për Ukrainën

    Shefi i NATO-s në Kiev, mesazh i fortë mbështetjeje për Ukrainën

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka mbërritur në Kiev dhe po takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

    Kështu deklaroi një korrespondent i Financial Times në një postim në X.

    Vizita e raportuar e Rutte vjen pasi Rusia sulmoi Ukrainën me 450 dronë dhe mbi 60 raketa gjatë natës.

    Ndryshe, Rusia dhe Ukraina thanë javën e kaluar se ndaluan sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të njëra-tjetrës, por nuk ranë dakord për afatin kohor për armëpushimin.

  • Dy superdue­le për një vend në finalen e Kupës së Kosovës

    Dy superdue­le për një vend në finalen e Kupës së Kosovës

    Gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës në basketboll zhvillohen nesër, ku katër skuadrat më të mira të këtij edicioni do të luftojnë për një vend në finale dhe për trofeun e çmuar.

    Pas çerekfinaleve shumë interesante, Bashkimi, Sigal Prishtina, Trepça dhe Bora kanë siguruar kualifikimin dhe tashmë pritet një rivalitet i fortë e basketboll cilësor.

    Në gjysmëfinalen e parë do të përballen Bashkimi dhe Sigal Prishtina, dy emra me traditë në basketbollin kosovar dhe me ambicie të qarta për finalen. Prizrenasit eliminuan GO+ Pejën në çerekfinale, ndërsa prishtinasit kaluan Vëllaznimin.

    Gjysmëfinalja tjetër do të sjellë duelin Trepça – Bora.

    Kampionët në fuqi nga Mitrovica synojnë mbrojtjen e trofeut, ndërsa prishtinasit e Borës kërkojnë finalen e parë në historinë e Kupës. Trepça në çerekfinale eliminoi Golden Eagle Yllin, kurse Bora ishte më e mirë se Rahoveci 029.

    Edhe në fazën gjysmëfinale, përballjet zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, ndërsa skuadra më e mirë pas dy takimeve siguron biletën për finalen.

    Në edicionin e kaluar, Trepça kishte triumfuar në finale ndaj Bashkimit me rezultat 85:79.

  • Bali Muharremaj në mbështetje të marshit “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Bali Muharremaj në mbështetje të marshit “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli kanë vizituar Komunën e Suharekës, ku janë pritur nga kryetari Bali Muharremaj, i cili u ka dhënë mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

    Në këtë takim, Hoxha dhe Tasholli kanë prezantuar aktivitetet në kuadër të platformës dhe kanë shprehur mirënjohje për përkrahjen e ofruar nga Komuna e Suharekës.

    “Mbështetja që po marrim nga komunat dhe nga kryetarët e tyre është dëshmi se kjo kauzë është mbi politikën ditore”, tha Hoxha.

    “Ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika”, shtoi Tasholli.

    Ndërkaq, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj u zotua se do të angazhohet maksimalisht për mobilizimin e qytetarëve për pjesëmarrje në Marshin e 17 shkurtit në.

    “Këtij Marshi për çlirimtarët në Hagë duhet t’i përgjigjen me pjesëmarrje të gjithë qytetarët e Kosovës”, deklaroi Muharremaj.

    Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës dhe me të gjithë akterët e rëndësishëm të shoqërisë për mobilizim sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.

  • Pas Kosovës dhe Shqipërisë, shteti belg kthen sytë kah Estonia për burgje me qira

    Pas Kosovës dhe Shqipërisë, shteti belg kthen sytë kah Estonia për burgje me qira

    Pas vizitave eksploruese në Kosovë dhe Shqipëri, shteti belg ka nisur të interesohet për marrjen me qira të qelive në shtetin estonez.

    Ministrja daneze e Drejtësisë, Annelies Verlinden dhe ajo e azilit dhe migracionit, Anneleen Van Bossuyt, po qëndrojnë në Estoni për një vizitë dy ditore për këtë çështje.

    Siç raportojnë mediat belge, kjo gjë po bëhet meqë po tentohet të luftohet mbipopullimi i burgjeve belge, shkruan Gazeta Express.

    “Nëse njerëzit e dënuar këtu që nuk kanë të drejtë qëndrimi mund ta vuajnë dënimin e tyre në vendin e tyre të origjinës ose në qendrat e paraburgimit jashtë vendit, kjo do të thotë si një ekzekutim i duhur i dënimit ashtu edhe, në të njëjtën kohë, një rritje e konsiderueshme e efikasitetit për sistemin tonë të burgjeve. Kjo gjithashtu do të na lejojë të investojmë më mirë dhe më shumë në programe mbështetëse për të burgosurit që të gjejnë vendin e tyre në shoqërinë tonë pas dënimit”, ka thënë Verlinden.

  • Polonia zbulon spiunin rus brenda Ministrisë së Mbrojtjes: E kemi ndjekur prej muajsh, provat janë shumë të forta

    Polonia zbulon spiunin rus brenda Ministrisë së Mbrojtjes: E kemi ndjekur prej muajsh, provat janë shumë të forta

    Ministria e Mbrojtjes e Polonisë njoftoi se një nga punonjësit e saj është ndaluar dhe akuzuar për bashkëpunim me një shërbim të huaj inteligjence.

    Faqja e lajmeve Onet raportoi më herët se një punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes ishte ndaluar për bashkëpunim me inteligjencën ruse.

    “Shërbimet kanë monitoruar aktivitetet e këtij personi për shumë muaj. Veprimet e tij janë dokumentuar dhe analizuar në mënyrë të detajuar. Prandaj, provat e mbledhura ndaj tij janë shumë të forta. Ky është një nga sukseset tona më të mëdha”, i tha Onet një burim i njohur me operacionin.

  • Pse të sëmurët me skizofreni dëgjojnë zëra? Studimi zbulon nga vjen “tingulli” dhe si reagon truri

    Pse të sëmurët me skizofreni dëgjojnë zëra? Studimi zbulon nga vjen “tingulli” dhe si reagon truri

    Një studim australian ka dhënë prova të reja mbi arsyen pse njerëzit me skizofreni përjetojnë halucinacione dëgjimore (dëgjim zërash)

    Hulumtimi i ri, i udhëhequr nga psikologët e Universitetit të Uellsit të Ri Jugor (UNSW) në Sidnei, ofron deri tani provat më të qarta se “zërat” te skizofrenia mund të lindin nga një çrregullim në mënyrën se si truri e njeh zërin e vet të brendshëm. Studimi sugjeron se truri mund të keqidentifikojë mendimet e brendshme si tinguj që vijnë nga bota e jashtme.

    Punimi u botua në revistën shkencore “Schizophrenia Bulletin” dhe thekson gjithashtu një rrugë të mundshme drejt identifikimit të shënuesve biologjikë (biomarkerëve) të skizofrenisë, një hap shumë i rëndësishëm, pasi aktualisht nuk ekzistojnë analiza gjaku, skanime të trurit apo teste laboratorike që mund ta konfirmojnë pa dyshim këtë diagnozë.

    Profesori Thomas Whitford nga Shkolla e Psikologjisë në UNSW ka studiuar prej vitesh mënyrën se si funksionon “të folurit e brendshëm” te njerëzit e shëndetshëm dhe te ata që jetojnë me çrregullime të spektrit të skizofrenisë.

    “Të folurit e brendshëm është zëri në kokën tuaj që rrëfen në heshtje mendimet, planet apo veprimet tuaja. Shumica e njerëzve e përjetojnë rregullisht këtë, shpesh pa e vënë re, edhe pse ka individë që raportojnë se nuk e kanë fare këtë përvojë”, shpjegon Whitford.

    Ai shton: “Hulumtimi ynë tregon se, kur ne flasim, qoftë edhe vetëm në mendje, një pjesë e trurit që përpunon tingujt e jashtëm bëhet më pak aktive. Kjo ndodh sepse truri parashikon tingullin e zërit tonë. Por te njerëzit që dëgjojnë zëra, ky mekanizëm parashikimi duket se nuk funksionon siç duhet, ndaj truri reagon sikur zëri po vjen nga dikush tjetër”, transmeton Telegrafi.

    Valët e trurit konfirmojnë një teori 50-vjeçare
    Sipas profesorit Whitford, këto gjetje mbështesin fuqishëm një teori që ka ekzistuar prej dekadash në fushën e shëndetit mendor: se halucinacionet dëgjimore në skizofreni mund të vijnë nga keqinterpretimi i të folurit të brendshëm si të folur të jashtëm.

    “Kjo ide ka ekzistuar prej 50 vjetësh, por ka qenë shumë e vështirë për t’u testuar, sepse të folurit e brendshëm është, nga natyra, një proces privat”, thekson ai.

    Për ta matur këtë, studiuesit përdorën EEG (elektroencefalogram), një metodë që regjistron aktivitetin elektrik të trurit. Edhe pse nuk mund ta “dëgjojmë” të folurin e brendshëm, truri gjithsesi reagon ndaj tij.

    Te njerëzit e shëndetshëm, përdorimi i të folurit të brendshëm shkakton të njëjtën ulje të aktivitetit të trurit si kur ata flasin me zë të lartë, një shenjë se truri e njeh tingullin si të vetin.

    “Por te njerëzit që dëgjojnë zëra, kjo ulje e aktivitetit nuk ndodh. Përkundrazi, truri i tyre reagon edhe më fort ndaj të folurit të brendshëm, sikur ai të vinte nga dikush tjetër. Kjo mund të shpjegojë pse këta zëra duken kaq realë”, thotë Whitford.

    Si u testua mekanizmi i parashikimit të trurit

    Studiuesit ndanë pjesëmarrësit në tre grupe:

    • 55 persona me skizofreni që kishin përjetuar halucinacione dëgjimore në javën e fundit.
    • 44 persona me skizofreni që ose nuk kishin pasur kurrë halucinacione dëgjimore, ose nuk i kishin përjetuar kohët e fundit.
    • 43 persona të shëndetshëm pa histori skizofrenie.

    Të gjithë pjesëmarrësit mbanin një kapë EEG ndërsa dëgjonin tinguj përmes kufjeve. Në momente të caktuara, atyre u kërkohej që në heshtje të imagjinonin se po shqiptonin rrokjet “bah” ose “bih”, ndërkohë që dëgjonin njërën prej tyre në kufje, pa e ditur paraprakisht nëse tingulli i dëgjuar do të përputhej me atë të imagjinuar.

    Çfarë ndodhi?
    Te njerëzit e shëndetshëm, aktiviteti i trurit u ul kur rrokja e imagjinuar përputhej me atë që dëgjonin. Kjo ndodhi në korteksin dëgjimor, pjesën e trurit përgjegjëse për përpunimin e tingujve dhe të folurit. Ky është një tregues se truri e parashikoi saktë tingullin.

    Te njerëzit me halucinacione të fundit, ndodhi e kundërta: aktiviteti i trurit u rrit kur tingulli i imagjinuar përputhej me atë të dëgjuar. Kjo sugjeron se mekanizmi i parashikimit të trurit është i dëmtuar.

    “Ky efekt i kundërt tregon se truri i tyre mund të mos e njohë më zërin e brendshëm si të vetin, duke e interpretuar gabimisht si zë të jashtëm”, shpjegon Whitford.

    Grupi i dytë (njerëzit me skizofreni pa halucinacione të fundit) tregoi një reagim të ndërmjetëm mes grupit të shëndetshëm dhe atij me halucinacione.

    Çfarë do të thotë kjo për studimin e skizofrenisë?
    Studiuesit theksojnë se këto rezultate ofrojnë provën më të fortë deri më tani se njerëzit me skizofreni mund të përjetojnë mendimet e tyre sikur të ishin zëra të jashtëm.

    “Gjithmonë ka qenë një teori bindëse se njerëzit në fakt po dëgjojnë mendimet e tyre të folura me zë, por ky studim ofron testin më të drejtpërdrejtë dhe më të fortë deri tani”, thotë Whitford.

    Në të ardhmen, ekipi kërkimor synon të testojë nëse ky model i reagimit të trurit mund të përdoret për të parashikuar se kush mund të zhvillojë psikozë.

    Nëse kjo rezulton e suksesshme, mund të mundësojë:

    • identifikimin më të hershëm të personave me rrezik të lartë,
    • fillimin më të shpejtë të trajtimit,
    • dhe potencialisht parandalimin e përkeqësimit të simptomave.

    “Kjo masë ka potencial të madh për t’u bërë një biomarker i zhvillimit të psikozës. Në fund, besoj se kuptimi i shkaqeve biologjike të simptomave të skizofrenisë është hapi i parë i domosdoshëm për zhvillimin e terapive të reja dhe më efektive,” përfundon profesori. /Telegrafi/

  • Shtohen zërat për largimin e Guardiolas nga Man City

    Shtohen zërat për largimin e Guardiolas nga Man City

    E ardhmja e Pep Guardiolas te Manchester City duket se pritet të marrë një kthesë në përfundim të sezonit me spanjollin që mund të largohet pas më shumë se një dekade në krye të “Qytetarëve”, ku fitoi çdo trofe të mundshëm.

    Gazetari David Ornstein ka folur për të ardhmen e Guardiolës te klubi nga Etihad dhe duket se trajneri legjendar është shumë pranë largimit.

    “Mendoj se ka një shans jashtëzakonisht të fortë që Pep Guardiola të largohet në fund të sezonit. Ai nënshkroi një kontratë dyvjeçare, por edhe brenda Cityt, në nivele të larta, pritej që kontrata të zgjaste një vit, deri në momentin kur u njoftua”, ka thënë fillimisht Ornstein.

    “Dhe ekziston një ndjenjë në industri se dy vitet ishin për të blerë kohë. Sigurisht, ai mund ta shihte të mbaronte atë periudhë, por gjithashtu ishte ndoshta një vendim i zgjuar dhe i arsyeshëm që ishte hartuar për të mbajtur larg tij një pjesë të presionit dhe shqyrtimit në këtë sezon”.

    “Kjo nuk ka funksionuar vërtet sepse City ka qenë duke folur me kandidatë potencialë nëse ai largohet. Kam raportuar shumë për Enzo Marescën që zhvilloi biseda me Manchester Cityn ose individë në emër të tyre, për të cilët ai ishte i detyruar nga kontrata e tij t’i informonte Chelsean. Dhe e gjitha kjo doli në pah rreth kohës së largimit të tij”.

    “Ekziston një ndjenjë shumë e fortë midis njerëzve me të cilët flas në industri se Maresca – i cili është shumë e vlerësuar në City, ka punuar atje më parë – absolutisht do të përfshihet kur të bëhet një ndryshim, dhe ndoshta kjo të jetë në verë”.

    “E vetmja gjë që po dëgjojmë më me zë të lartë se kurrë më parë është se njerëzit në pozicione të forta mendojnë se Guardiola po largohet; nuk po e themi këtë me bindje të hekurt, nuk po themi se është e garantuar, dhe ai ka të drejtë të mësojë se e ka marrë vendimin e tij vonë, duke ndryshuar mendje kur ka qenë i bindur të largohet”.

    Man City ka tre trajnerë në listën e ngushtë si zëvendësues për Pep Guardiolën – njëri ndër ta Xabi Alonso

    “Pra, nuk mund ta thuash me siguri absolute. Por, me mënyrën se si po shkon sezoni, gjërat nuk duken plotësisht në rregull; ndoshta komentet e Rodrit e përgënjeshtrojnë këtë – një nga djemtë më elokuentë, të pjekur, të arsimuar dhe mbresëlënës, fituesi i Topit të Artë flet në një mënyrë mjaft qesharake me atë konspiracion [të gjyqtarit]”.

    “Askush nuk e mohon që Pep Guardiola mund të jetë në rrugë largimi gjatë verës, edhe kur i bëhet kjo pyetje në konferenca për shtyp, ai është i ngopur me këtë pyetje. Por ai kurrë nuk e ka mbyllur plotësisht dhe nuk ka thënë, ‘Do të qëndroj’, ai ka mundësinë ta bëjë. Do të duhet të presim dhe të shohim, por është një mundësi”, përfundoi gazetari i njohur. /Telegrafi/

     

  • “Përdorimi i drogës nga të miturit është rritur” – Blakaj tregon cilat lloje të drogave po përdoren

    “Përdorimi i drogës nga të miturit është rritur” – Blakaj tregon cilat lloje të drogave po përdoren

    Përdorimi i drogave në Kosovë po shënon një trend gjithnjë e më shqetësues, me ulje të ndjeshme të moshës së përdoruesve, veçanërisht tek të miturit.

    Drejtori i Qendrës Specialistike Psikiatrike “Labyrinth”, Safet Blakaj, në emisionin “COMPASS” në ATV, ka deklaruar se mosha mesatare e personave që kërkojnë trajtim për varësi nga drogat ka rënë në 16 vjeç.

    Sipas Blakajt, ky ndryshim është alarmues krahasuar me periudhën e pasluftës, kur në dekadën e parë mosha mesatare e pacientëve që paraqiteshin për trajtim ishte mbi 21 vjeç.

    Ai theksoi se ky fenomen tregon për nevojën urgjente të ndërhyrjes institucionale, rritjes së vetëdijes në familje dhe forcimit të programeve parandaluese në shkolla, me qëllim mbrojtjen e shëndetit mendor të të rinjve.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon e mëposhtme:

  • Arrestohet një person në Gjakovë për posedim të narkotikëve

    Arrestohet një person në Gjakovë për posedim të narkotikëve

    Një person është arrestuar në Gjakovë nën dyshimin për posedim të substancave narkotike, pas një bastisjeje të realizuar nga Policia në një shtëpi private.

    Rasti ka ndodhur të hënën, rreth orës 11:00, në rrugën “Zymer Nimani”.
    Sipas policisë, gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dy qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

    Sasia e konfiskuar peshonte gjithsej 1.80 gram.

    Pas përfundimit të veprimeve policore dhe me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

  • Reshje të dendura bore, mbi 30 të vdekur në Japoni

    Reshje të dendura bore, mbi 30 të vdekur në Japoni

    Mbi 30 persona kanë vdekur si pasojë e stuhisë së borës që përfshirë veriun e Japonisë.

    Në qytetin Aomori, në ishullin më verior të Japonisë, ushtarët e Forcave të Mbrojtjes po ndihmojnë për pastrimin e borës nga çatitë dhe trotuaret, ndërsa autoritetet përballen me borën më të madhe në katër dekada.

    Po ashtu, në Sapporo, qyteti më i madh i rajonit Hokkaido, rreth 1 mijë traktorë po pastrojnë më shumë se 3 mijë e 800 kilometra rrugë, sipas raportimeve nga mediat japoneze.

    Nga 20 janari, më shumë se 100 persona janë lënduar, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet e panevojshme.