ATV

Author: G.O.

  • Komisioni Evropian propozon paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë

    Komisioni Evropian propozon paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë

    Komisioni Evropian ka propozuar një paketë të 20-të sanksionesh kundër Rusisë që synojnë energjinë, shërbimet financiare dhe tregtinë, me qëllim miratimin e saj para përvjetorit të katërt të luftës, më 22 shkurt.

    “Komisioni po propozon një paketë të re sanksionesh, të 20-tat që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës”, tha Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.

    Kufizime në sektorin e naftës dhe energjisë në Rusi

    Paketa e re propozon një ndalim të plotë të shërbimeve detare për transportin e naftës bruto ruse me qëllim uljen e mëtejshme të të ardhurave nga shitja e produkteve energjetike dhe vështirësimin e gjetjes së blerësve për naftën ruse.

    “Meqenëse transporti detar është një biznes global, ne propozojmë që ky ndalim i plotë të miratohet në koordinim me vendet me të njëjtat mendime pas vendimit të G7”, tha Presidentja e Komisionit.

    Paketa e re përfshin shtimin e 43 anijeve të tjera nga e ashtuquajtura flotë në hije e Rusisë në listën e anijeve të sanksionuara. Numri i përgjithshëm i anijeve të tilla, të cilat Rusia i përdor për të anashkaluar sanksionet, tani rritet në 640. Ajo gjithashtu propozon masa për ta bërë më të vështirë për Rusinë të sigurojë cisterna për flotën në hije, dhe një ndalim gjithëpërfshirës për ofrimin e mirëmbajtjes dhe shërbimeve të tjera për cisternat e LNG-së dhe akullthyeset.

    Kufizimet në sistemin financiar rus

    Pjesa e dytë e sanksioneve ka të bëjë me masat për të kufizuar sistemin bankar rus dhe aftësinë e tij për të krijuar kanale alternative pagesash për të financuar aktivitetin ekonomik. 20 banka të tjera rajonale ruse i shtohen listës së sanksionuar, si dhe disa banka në vende të treta të përfshira në lehtësimin e tregtisë së paligjshme të mallrave të sanksionuara.

    Gjithashtu propozohen masa kundër kriptovalutave, kompanive që i tregtojnë ato dhe platformave që mundësojnë tregtimin e kriptovalutave për ta bërë më të vështirë anashkalimin e sanksioneve.

    Kufizimet e importit dhe eksportit

    Pjesa e tretë e paketës së re të sanksioneve i referohet masave që shtrëngojnë kufizimet në eksportin e mallrave dhe shërbimeve në Rusi – nga gomat te traktorët dhe shërbimet e sigurisë kibernetike.

    Gjithashtu propozohet një ndalim i ri për importin e metaleve, kimikateve dhe mineraleve kritike, të cilat ende nuk janë nën sanksione, si dhe kufizime të mëtejshme për eksportin e artikujve dhe teknologjive të përdorura për përpjekjet e Rusisë në fushën e betejës, të tilla si materialet e përdorura për prodhimin e eksplozivëve.

    Presidenti i Komisionit u bën thirrje shteteve anëtare që ta miratojnë këtë paketë sanksionesh sa më shpejt të jetë e mundur “në mënyrë që të dërgohet një sinjal i fortë në prag të përvjetorit të zymtë të katërt të kësaj lufte”.

    Von der Leyen thotë se të ardhurat fiskale të Rusisë nga nafta dhe gazi ranë me 24 përqind në vitin 2025 krahasuar me vitin e kaluar, niveli më i ulët që nga viti 2020.

    “Të ardhurat nga nafta dhe gazi në janar do të jenë më të ulëtat që nga fillimi i luftës. Kjo konfirmon atë që e dinim tashmë – se sanksionet tona po funksionojnë dhe ne do të vazhdojmë t’i përdorim ato derisa Rusia të fillojë negociata serioze me Ukrainën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha von der Leyen.

  • Abdixhiku pret në takim ambasadorin gjerman, theksohet nevoja urgjente për stabilitet politik

    Abdixhiku pret në takim ambasadorin gjerman, theksohet nevoja urgjente për stabilitet politik

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën paszgjedhore.

    Gjatë takimit, Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Rudolph me qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me rrethanat politike aktuale, duke theksuar domosdoshmërinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja, stabile dhe funksionale.

    Kryetari i LDK-së vuri në pah nevojën urgjente për stabilitet institucional dhe përgjegjësi politike, duke nënvizuar se qytetarët presin një shtet që u shërben atyre, garanton zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie sociale.

    “Po ashtu, kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohje të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania ka dhënë dhe vazhdon të japë për Kosovën, në të gjitha fazat e zhvillimit dhe konsolidimit demokratik të saj, duke e cilësuar Gjermaninë si një partnere kyçe dhe aleate të rëndësishme të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Piranjat sulmojnë pushuesit në një plazh në Argjentinë, 40 të lënduar

    Piranjat sulmojnë pushuesit në një plazh në Argjentinë, 40 të lënduar

    Sulme masive nga piranjat janë regjistruar në një plazh në Argjentinë, duke shkaktuar shqetësim tek autoritetet.

    Sipas mediave vendase, incidentet ndodhën pranë qytetit të Victorias, në provincën e Entre Rios. Dhjetëra persona mësohet se hynë në ujë për t’u freskuar për shkak të temperaturave të larta.

    Më shumë se 40 persona pësuan lëndime në krahë dhe këmbë, ndërsa një burri iu amputua krahu. Sipas autoriteteve lëndimet varionin nga kafshime të thella deri në humbjen e një gishti.

    Fëmijët dhe të rriturit u dërguan në spitalin lokal, të gjithë me plagë nga dhëmbët e mprehtë të peshkut, ndërsa incidente të reja ndodhën gjatë së hënës me të paktën pesë të plagosur të tjerë.

    Rojet bregdetare ngritën flamuj të kuq dhe urdhëruan evakuimin e menjëhershëm të plazhit, duke paralajmëruar për rrezik.

  • Ndërrim komandash në Task Forcën amerikane të Aviacionit në KFOR, ambasada e ShBA-së jep detaje

    Ndërrim komandash në Task Forcën amerikane të Aviacionit në KFOR, ambasada e ShBA-së jep detaje

    Ambasada Amerikane ka njoftuar se i Ngarkuari me Punë, Josh Peterson, mori pjesë të premten në ceremoninë e Transferimit të Autoritetit të Aviacionit të Task Forcës së KFOR-it, raporton Gazeta Sinjali.

    Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Ambasada bëri të ditur se falënderime iu shprehën komandantit në largim, nënkolonel Snook, dhe Task Forcës Griffin, për shërbimin dhe kontributin e tyre të përkushtuar në ruajtjen e sigurisë në Kosovë.

    Po ashtu, u mirëprit komandanti i ardhshëm, nënkolonel Bryant, dhe Task Forca Blackjack, të cilët marrin përgjegjësinë për mbështetjen e aviacionit të KFOR-it, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

  • Norvegjia hap hetim ndaj ish-kryeministrit Jagland për lidhjet me Epstein

    Norvegjia hap hetim ndaj ish-kryeministrit Jagland për lidhjet me Epstein

    Autoritetet norvegjeze kanë hapur një hetim ndaj ish-kryeministrit Thorbjorn Jagland për dyshime për korrupsion pas zbulimeve mbi lidhjet e tij me pedofilin e ndjerë Jeffrey Epstein.

    Sipas Associated Press, Shërbimi Norvegjez për Hetime të Krimit Ekonomik po shqyrton nëse Jagland ka marrë dhurata, udhëtime apo hua lidhur me pozitat e tij, ndërsa po kërkohet edhe heqja e imunitetit që i garanton statusi i tij si diplomat, transmeton KosovaPress.

    Ai po bashkëpunon me autoritetet, i ka thënë përfaqësuesi ligjor i tij transmetuesit norvegjez, NRK.

    Jagland ka shërbyer si kryeministër (1996–1997), kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit dhe sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës. Dokumentet tregojnë se në 2014 ai planifikoi të vizitonte ishullin e Epstein me familjen e tij.

    Gjithashtu, Forumi Ekonomik Botëror ka nisur rishikim për CEO-në e tij, Borge Brende, pasi dokumentet tregojnë se ai kishte darkuar dhe shkëmbyer mesazhe me Epstein. Norvegjia po heton edhe Princeshën Mette-Marit për kontakte të mëparshme me Epstein, përfshirë qiranë e një prone të tij në Palm Beach në 2013. Ajo ka deklaruar se nuk ka hetuar mjaftueshëm të kaluarën e Epstein dhe shpreh keqardhje për kontaktet e saj.

    Hetimet e fundit pasojnë publikimin e mbi 3 milion faqe dokumente nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së mbi Epstein, i cili sipas autoriteteve vrau veten në 2019 ndërsa priste gjyqin për abuzim seksual me vajza të mitura.

  • Yamal shënon për Barcelonën, fyhet rëndë nga tifozët e Albacetes: Ti nuk je spanjoll

    Yamal shënon për Barcelonën, fyhet rëndë nga tifozët e Albacetes: Ti nuk je spanjoll

    Lamine Yamal, ylli i Barcelonës dhe i përfaqësueses së Spanjës, ishte në qendër të vëmendjes gjatë çerekfinales së Kupës së Mbretit ndaj Albacetes, jo vetëm për paraqitjen e tij në fushë, por edhe për ngjarjet e shëmtuara nga tribunat.

    Barcelona fitoi 2:1 dhe u kualifikua në gjysmëfinale, ndërsa Yamal kontribuoi me një gol, duke vazhduar sezonin e tij të shkëlqyer me 14 gola dhe 13 asistime.

    Megjithatë, suksesi i tij u njollos nga fyerjet e tifozëve vendas, të cilët brohoritën thirrje fyese si “Ti nuk je spanjoll” dhe “Babai yt është pijanec”.

  • Qytetari Sylejman Krasniqi: Kam parë njerëz që marrin para hua për bukë…krizë e madhe, rryma nga 50 euro më shkoi mbi 300

    Qytetari Sylejman Krasniqi: Kam parë njerëz që marrin para hua për bukë…krizë e madhe, rryma nga 50 euro më shkoi mbi 300

    Qytetari Sylejman Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen e rëndë ekonomike, duke thënë se ka parë qytetarë të cilët janë detyruar të marrin para borxh vetëm për të blerë bukë.

    Duke folur gjatë një proteste kundër paralajmërimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, Krasniqi tha se situata është alarmante dhe se shumë familje po përballen me vështirësi serioze për mbijetesë, raporton Ekonomia Online.

    “I kam pa njerëzit tu marrë bukë veresie, nuk kanë me çka me ble një bukë. Krizë e madhe”, ka deklaruar ai.

    Krasniqi, i cili tha se është inxhinier në KEDS, theksoi se fatura e energjisë elektrike i është rritur në mënyrë drastike. Sipas tij, nga rreth 50 euro sa paguante më herët, tani është detyruar të paguajë mbi 300 euro.

    “Unë e kam pasë rrymën deri në 50 euro, tash e kam 333 euro. Po i marr paratë hua te miqtë, vëllezërit, dajt, baba e nana. Dikush duhet me të ndihmu, se pa bukë mbetesh”, tha ai.

    Ai shtoi se qytetarët po detyrohen të hyjnë në borxhe për shkak të rritjes së kostos së jetesës, ndërsa shprehu kritika edhe ndaj politikave aktuale shtetërore.

    Protestuesit kundërshtojnë paralajmërimin për rritjen e çmimit të energjisë, duke kërkuar masa konkrete për mbrojtjen e qytetarëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta.

  • Aksident në Rrugën e Arbrit, makina përplaset me kamionin, 2 të plagosur

    Aksident në Rrugën e Arbrit, makina përplaset me kamionin, 2 të plagosur

    Një aksident me pasojë plagosjen e dy personave ka ndodhur të premten në Rrugën e Arbrit.

    Sipas informacioneve paraprake, një makinë është përplasur me një kamion dhe është batuar në anë të rrugës.

    Dy të plagosurit, identiteti i të cilëve nuk dihet ende janë transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës, shkruan Euronews.al.

    Policia ndodhet në vendngjarje dhe po heton lidhur me shkaqet e aksidentit.

  • Marshi “Drejtësi, jo politikë”, SBAShK-u fton anëtarësinë të marrin pjesë

    Marshi “Drejtësi, jo politikë”, SBAShK-u fton anëtarësinë të marrin pjesë

    Më 17 shkurt do të mbahet marshi “Drejtësi, jo politikë” organizuar nga platforma “Liria ka emër” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    E sot, Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës, Kulturës (SBASHK) u ka bërë thirrje anëtarësisë së tyre që të marrin pjesë në këtë marsh, për të dhënë sipas tyre, një mesazh të fuqishëm uniteti dhe kërkese për drejtësi të paanshme.

    Lexoni të plotë njoftimin:

    Për mobilizim qytetar dhe sindikal

    Të nderuar anëtarë të SBASHK-ut, arsimtarë, mësues, profesorë dhe punëtorë të arsimit në të gjitha nivelet, Kryesia e SBASHK-ut, pas konsultimeve me strukturat sindikale në të gjithë vendin, ju fton për mobilizim qytetar dhe sindikal në përkrahje të Marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë!”, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë.

    Ky marsh është jo politik dhe përfaqëson një thirrje të ndershme për drejtësi të paanshme, si dhe për respektimin e sakrificës së çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej më shumë se pesë vitesh po mbahen padrejtësisht në paraburgim. Për SBASHK-un, kjo çështje ka peshë të veçantë sindikale dhe historike.

    Shumë nga çlirimtarët ishin edhe arsimtarë e punëtorë arsimi, të larguar dhunshëm nga vendet e punës gjatë regjimit të Millosheviqit. Në vitet e okupimit, ishin mësimdhënësit ata që mbajtën gjallë arsimin shqip, dinjitetin kombëtar dhe shpresën për liri. Falë sakrificës së tyre, falë luftës së drejtë të UÇK-së dhe përkrahjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë, sot jetojmë në një shtet të lirë dhe sovran.

    Sot, kur ata që sakrifikuan për lirinë po përballen me padrejtësi të zgjatura, heshtja nuk është opsion. Dalja në këtë marsh nuk është akt politik, por akt moral dhe qytetar.

    Është shprehje e ndërgjegjes sonë kolektive dhe vazhdimësi e misionit sindikal për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe të së vërtetës. SBASHK-u qëndron qartë në anën e drejtësisë, të dinjitetit dhe të solidaritetit shoqëror. I ftojmë të gjithë anëtarët e SBASHK-ut që, në mënyrë vullnetare, pa asnjë detyrim dhe larg çdo angazhimi politik, t’i bashkohen Marshit “Drejtësi, jo politikë!”, për të dhënë një mesazh të fuqishëm uniteti dhe kërkese për drejtësi të paanshme.

    Pjesëmarrja juaj është: zë për drejtësinë, respekt për sakrificën, dhe përgjegjësi ndaj historisë sonë.

  • Marshit “Drejtësi, jo politikë” i shtohet edhe mbështetja nga Skenderaj

    Marshit “Drejtësi, jo politikë” i shtohet edhe mbështetja nga Skenderaj

    Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, sot kanë vizituar Komunën e Skenderajt dhe janë pritur nga kryetari Sami Lushtaku, bashkë me administratën komunale, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre për Marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

    Gjatë këtij takimi, Hoxha dhe Tasholli kanë prezantuar aktivitetet dhe qëllimet e platformës “Liria ka Emër”, duke theksuar rëndësinë e mobilizimit qytetar për mbrojtjen e drejtësisë dhe dinjitetit kombëtar, si dhe kanë shprehur mirënjohje për mbështetjen e ofruar nga Komuna e Skenderajt.

    “Ky Marsh është një thirrje qytetare për respektimin e drejtësisë së paanshme dhe për ndarjen e saj të qartë nga politika, në mbrojtje të së vërtetës historike dhe të vlerave të luftës sonë çlirimtare”, ka deklaruar Ismail Tasholli.

    Ndërsa Eliza Hoxha ka theksuar se përkrahja nga komunat dhe udhëheqësit lokalë po e fuqizon këtë kauzë qytetare. “Mbështetja që po marrim nga kryetarët e komunave është dëshmi se kjo kauzë është mbi politikën ditore dhe përfaqëson një interes të përbashkët qytetar”, u shpreh ajo.

    Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka shprehur mbështetje të plotë për Marshin e 17 shkurtit dhe ka bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë qytetare.

    “Ky Marsh për drejtësi dhe për çlirimtarët tanë që po mbahen në Hagë meriton përkrahjen dhe pjesëmarrjen e çdo qytetari të Kosovës”, ka deklaruar Lushtaku.

    Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në të gjitha komunat e Kosovës, me synimin e mobilizimit sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit në Prishtinë, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.