ATV

Author: G.O.

  • Bashkëshortja e Erion Veliajt në SPAK për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”

    Bashkëshortja e Erion Veliajt në SPAK për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”

    Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, është paraqitur këtë të premte të 6 shkurtit në Prokurorinë e Posaçme. Ajo është parë nga mediat të dalë menjëherë nga SPAK dhe është larguar nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

    Paraqitja e saj lidhet me masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, e caktuar ndaj saj në kuadër të një hetimi të nisur nga SPAK. Ajo po hetohet për dyshime se ka përfituar në mënyrë të paligjshme fonde publike për përfitim personal.

    Hetimet po vijojnë për të zbardhur mekanizmat e këtyre përfitimeve të dyshuara, si dhe për të identifikuar rolin e mundshëm të personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje./EuronewsAlbania/

  • Gjenerali i lartë i inteligjencës ruse thuhet se u qëllua dhe u plagos

    Gjenerali i lartë i inteligjencës ruse thuhet se u qëllua dhe u plagos

    Zyrtari i dytë më i lartë në agjencinë e inteligjencës ushtarake ruse, e njohur si GRU, u qëllua dhe u plagos në Moskë, në atë që hetuesit e përshkruan si tentativë vrasjeje.

    Gjeneral-lejtnant Vladimir Alexeyev u shtrua në spital më 6 shkurt pasi u qëllua disa herë, përfshirë edhe në shpinë, tha Komiteti Hetimor në një deklaratë. Ai u hospitalizua në gjendje të panjohur, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Sulmuesit u larguan nga vendi i ngjarjes, tha komiteti.

    Raporte mediatike të pakonfirmuara thanë se Alexeyev u qëllua në shkallët e pallatit ku banonte, teksa po largohej.

    Alexeyev është zëvendëskomandant i GRU-së, agjencisë së inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes, e cila njihet për operacione që variojnë nga sabotimi, atentatet, spiunazhi dhe sulmet kibernetike.

    Alexeyev është përfshirë nga Britania në rastin e helmimit pothuajse fatal me Novichok të ish-spiunit rus, Sergei Skripal, në Britani në vitin 2018. Një grua britanike vdiq pasi u ekspozua pa dashje ndaj helmit.

    Nëse konfirmohet se Alexeyev ishte shënjestër e një tentative atentati, ky do të ishte rasti më i fundit në një seri sulmesh ndaj zyrtarëve të lartë ushtarakë rusë, shumë prej tyre në Moskë.

    Dyshimet për këto sulme kanë rënë kryesisht mbi agjencitë e inteligjencës ukrainase, të cilat vitet e fundit kanë kryer operacione sabotimi dhe atentatesh brenda Rusisë.

    Pamje nga sulmi që ka ndodhur në Moskë më 22 dhjetor 2025.
    SHIKONI EDHE:
    Vritet një gjeneral rus në Moskë, thonë zyrtarët
    Në dhjetor, shefi i drejtorisë së trajnimit operacional të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-lejtnant Fanil Sarvarov, vdiq pasi një bombë shpërtheu nën makinën e tij në periferi të Moskës.

    Tetë muaj më herët, një tjetër gjeneral-lejtnant, Yaroslav Moskalik, zëvendësshef në drejtorinë e operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm, u vra në një atentat me makinë-bombë jashtë Moskës.

    Dhe në vitin 2024, oficeri përgjegjës për forcat e mbrojtjes bërthamore dhe kimike të Rusisë u vra kur një skuter elektrik shpërtheu në trotuar jashtë pallatit të tij në Moskë./REL

  • Një burrë 76-vjeçar vdes pasi u godit nga një veturë në Mitrovicë të Jugut

    Një burrë 76-vjeçar vdes pasi u godit nga një veturë në Mitrovicë të Jugut

    Një burrë 76-vjeçar ka vdekur si pasojë e goditjes nga një veturë në Mitrovicë të Jugut.

    Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, në rrugën “Ulqini”, njofton Policia e Kosovës.

    Sipas raportit policor, si pasojë e aksidentit, viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

    Megjithatë, më vonë autoritetet spitalore kanë njoftuar se 76-vjeçari nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.

    Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti po hetohet nga Policia e Kosovës.

  • Hillary Clinton kërkon dëshmi publike para Kongresit për rastin Epstein

    Hillary Clinton kërkon dëshmi publike para Kongresit për rastin Epstein

    Ish-zonja e parë amerikane dhe ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, ka kërkuar të dëshmojë publikisht para Kongresit të Shteteve të Bashkuara në lidhje me marrëdhënien e saj me abuzuesin seksual dhe financierin Jeffrey Epstein.

    Me këtë rast, ajo i dërgoi një kërkesë James Comer, kryetarit të komisionit hetimor të Dhomës së Përfaqësuesve, për të mundësuar një seancë dëgjimore publike me transmetim të drejtpërdrejtë televiziv.

    Siç raporton agjencia amerikane e lajmeve AP, kongresmeni republikan Komer këmbëngul që seanca dëgjimore të mbahet me dyer të mbyllura. Sipas njoftimeve, Hillary Clinton dhe bashkëshorti i saj, ish-presidenti amerikan Bill Clinton, duhet të dëshmojnë në fund të këtij muaji.

    Hilary Clinton e theksoi më tej kërkesën e saj me një adresim publik nëpërmjet rrjeteve sociale, në të cilin e sfidoi drejtpërdrejt Komerin.

    “Ju pëlqen të flisni për transparencë. Nuk ka asgjë më transparente sesa një seancë dëgjimore publike me kamerat ndezur”, tha Clinton në rrjetin sociale X.

    Në atë njoftim, ajo nuk specifikoi nëse ish-Presidenti Clinton ndante qëndrimin e saj mbi dëshminë publike.

    Fillimisht, familja Clinton kundërshtoi paraqitjen para komitetit hetimor të Dhomës së Përfaqësuesve me shumicë republikane. Megjithatë, të përballur me mundësinë e sanksioneve, ata konfirmuan këtë javë se do t’i përgjigjen thirrjes dhe do të japin dëshmi.

    James Komer deklaroi se seancat dëgjimore do të regjistrohen në audio dhe video, ndërsa transkriptet do të publikohen më vonë. Sipas informacionit nga agjencia AP, kryetari planifikon t’i mbajë seancat dëgjimore pa praninë e publikut.

    Sipas orarit aktual, Hillary Clinton është planifikuar të dëshmojë më 26 shkurt, ndërsa dëshmia e Bill Clinton është planifikuar për një ditë më vonë, më 27 shkurt./Reporteri.net/

     

     

  • Nisin sot Lojërat Olimpike Milano-Cortina 2026, nga kush do të përfaqësohet Shqipëria

    Nisin sot Lojërat Olimpike Milano-Cortina 2026, nga kush do të përfaqësohet Shqipëria

    Sot nisin Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Kortina 2026 të cilat do të mbahen deri më datën 22 shkurt. Shqipëria përfaqësohet në këto Lojëra Olimpike nga 4 skiatorë: Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.

    Në fokus të garave do të jetë Lara Colturi, e cila renditet e pesta në botë dhe ka pretendime të mëdha për të fituar medalje olimpike. Gara kryesore e saj do të zhvillohet më 15 dhe 18 shkurt, ku ajo do të garojë për të sjellë një medalje për Shqipërinë.

    Në kuadër të përurimit të Lojërave Olimpike, do të organizohen tri ceremoni: një në Milano, një tjetër në Kortina, ku Lara Colturi do të mbajë flamurin shqiptar, dhe një e tretë në Borno.

    Shqipëria shpreson që kjo pjesëmarrje të jetë një hap i rëndësishëm për sportet dimërore dhe të sjellë sukses në arenën olimpike. /ATSH

  • Policia në Ferizaj ndëshkon qindra shoferë për përdorim të telefonit gjatë vozitjes

    Policia në Ferizaj ndëshkon qindra shoferë për përdorim të telefonit gjatë vozitjes

    Gjatë muajit janar 2026, Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se ka shqiptuar gjithsej 326 gjoba ndaj shoferëve që kanë përdorur telefonin gjatë ngasjes, duke rrezikuar sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.

    Policia e këtij qyteti njëkohësisht apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të përqendrohen plotësisht në drejtimin e automjetit dhe të shmangin çdo lloj shpërqendrimi, pasi edhe një sekondë pakujdesie të përdorimit të telefonit mund të ketë pasoja serioze për jetën e njerëzve.

    ” Qytetarët mund të raportojnë çdo shkelje të rregullave të trafikut:

    – Drejtpërdrejt në stacionin më të afërt të policisë
    – Përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”
    – Në numrat e telefonit kujdestar: 192, 0290/326-250, 0290/322-406

    Sigurojmë qytetarët se konfidencialiteti i të dhënave tuaja do të ruhet plotësisht”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Zgjidhet problemi me energjinë elektrike në Spitalin e Mitrovicës

    Zgjidhet problemi me energjinë elektrike në Spitalin e Mitrovicës

    Furnizimi me energji elektrike në Spitalin e Mitrovicës është rikthyer në normalitet pas sanimit të defektit nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).

    Sipas njoftimit zyrtar, ekipet e KEDS-it kanë intervenuar me kohë, duke arritur të eliminojnë defektin teknik dhe të sigurojnë rikthimin e furnizimit të rregullt me energji elektrike.

    Me rikthimin e energjisë, funksionimi i shërbimeve shëndetësore në këtë institucion është normalizuar dhe nuk raportohet për pengesa në ofrimin e kujdesit ndaj pacientëve.

    “Pas sanimit të defektit nga KEDS, është rikthyer furnizimi i rregullt me energji elektrike. Shërbimet vitale kanë funksionuar me gjeneratorë”, njofton Spitali.

    Spitali i Mitrovicës mbetet pa rrymë: Shërbimet jetësore funksionojnë me gjeneratorë

  • Dhuna në familje, në Malishevë sulmohen edhe dy zyrtarët policorë që intervenuan në rast

    Dhuna në familje, në Malishevë sulmohen edhe dy zyrtarët policorë që intervenuan në rast

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur për disa raste të dhunës në familje të raportuara në organet e rendit.

    Rastet e dhunës kanë ndodhur në Pejë, në jug të Mitrovicës dhe në Malishevë.

    Sipas raportit policor, në Malishevë janë sulmuar edhe policët që kanë intervenuar në rastin e dhunës në familje.

    Më poshtë raporti policor:

    Pejë / 04.02.2026 – 23:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor në spitalin e Pejës, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.

    Malishevë / 05.02.2026 – 11:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj viktimës femër kosovare. Gjatë arrestimit i dyshuari ka qenë i dhunshëm ku si pasojë dy zyrtarë policor kanë pësuar lëndime. Lidhur me rastin zyrtarët policor kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në QKUK në repartin e psikiatrisë për tretman. Në lidhje me rastin është informuar dhe konsultuar edhe prokurori.

    Mitrovicë Jug / 05.02.2026 – 17:59. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare dhe më pas kishte kanosur viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

  • Katër ditë pa rrymë, tash edhe pa ujë – rëndohet gjendja në këtë lagje të Pejës

    Katër ditë pa rrymë, tash edhe pa ujë – rëndohet gjendja në këtë lagje të Pejës

    Banorët e lagjes Fidanishte në Pejë po përballen me një situatë të rëndë, pasi tash e katër ditë janë pa furnizim me energji elektrike, ndërsa nga dita e djeshme kanë mbetur edhe pa ujë të pijshëm.

    Sipas banorëve, mungesa e rrymës po ua vështirëson jashtëzakonisht funksionimin e përditshëm në shtëpitë e tyre, duke ndikuar në ngrohje, gatim, ruajtje të ushqimeve dhe nevoja të tjera bazike.

    Ata thonë se, pavarësisht ankesave, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret nga institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e problemit.

    “Ne banorët e lagjes Fidanishte në Pejë kemi 4 ditë që jemi pa energji elektrike, po na e vështirëson shumë funksionimin ditor në shtëpitë tona. Nuk është ndërmarrë asnjë veprim karshi kësaj situate dhe sikur të mos mjaftonte kjo, tash nga dje jemi edhe pa furnizim me ujë. Kërkoj nga ju si media e madhe ta publikoni këtë lajm dhe uroj që ka me u marrë parasysh se jemi në hall të madh.”, thanë ata për Insajderin.

  • Spitali i Mitrovicës mbetet pa rrymë: Shërbimet jetësore funksionojnë me gjeneratorë

    Spitali i Mitrovicës mbetet pa rrymë: Shërbimet jetësore funksionojnë me gjeneratorë

    Spitali i Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” Mitrovicë ka mbetur pa rrymë si shkak i një defekti në furnizim me energji elektrike në trafon e qytetit.

    Në njoftim të spitalit thuhet se pjesët vitale të spitalit janë të furnizuar me rrymë përmes gjeratoreve.

    “Për shkak të një defekti në furnizimin me energji elektrike në trafon e qytetit, në të cilën është i lidhur Spitali, aktualisht disa reparte janë pa energji elektrike. Pjesët vitale të Spitalit janë të furnizuara përmes gjeneratorëve. Ekipet e KEDS-it janë në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit, ndërsa rikthimi i furnizimit me energji elektrike pritet shumë shpejt”, thuhet në njoftimin e spitalit.