ATV

Author: G.O.

  • Spitali i Pejës tregon gjendjen e të lënduarit në aksidentin në Pejë ku vdiq një person

    Spitali i Pejës tregon gjendjen e të lënduarit në aksidentin në Pejë ku vdiq një person

    Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka treguar se gruaja e aksidentuar në aksidentin në Loxhë të Pejës, në spital ka arritur pa shenja jete, ndërsa personi tjetër thonë të jetë jashtë rrezikut për jetë.

    “Ju informojmë se në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë sot janë sjellë dy persona si pasojë e një aksidenti. Njëri fatkeqësish ka arritur pa shenja jete dhe është konstatuar vdekja e tij, ndërsa personi tjetër është duke u trajtuar dhe aktualisht ndodhet në gjendje stabile, jashtë rrezikut për jetën. Spitali i Përgjithshëm në Pejë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit”, thuhet në njoftimin e Spitalit.

  • Mbi 40 mijë të huaj vizituan Kosovën në fundvit

    Mbi 40 mijë të huaj vizituan Kosovën në fundvit

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Hotelerisë për muajin dhjetor 2025, sipas të cilave është shënuar rritje e numrit të vizitorëve në hotele krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

    Sipas ASK-së, gjatë dhjetorit 2025 në hotelet e Kosovës janë regjistruar gjithsej 68 mijë e 293 vizitorë, prej të cilëve 27 mijë e 776 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 40 mijë e 517 vizitorë ishin të huaj.

    Krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, kur ishin regjistruar 64 mijë e 380 vizitorë, numri i përgjithshëm i vizitorëve është rritur për 6.1 për qind.

    Numri i përgjithshëm i net-qëndrimeve ishte 132 mijë e 148, prej të cilave 71 mijë e 624 net-qëndrime (54.2 për qind) u realizuan nga vizitorët e huaj, ndërsa 60 mijë e 524 net-qëndrime (45.8 për qind) nga vizitorët vendorë.

    Sa i përket vizitorëve të brendshëm, rajoni i Pejës prin me numrin më të madh të vizitorëve, gjithsej 9 mijë e 655, si dhe me 26 mijë e 550 net-qëndrime. Rritje e theksuar e vizitorëve vendorë është shënuar edhe në rajonin e Prishtinës dhe Prizrenit, ndërsa rënie është vërejtur në disa rajone të tjera.

    Ndërkohë, numri i vizitorëve të huaj ka shënuar rritje prej 2.5 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2024. Në total, gjatë dhjetorit 2025, Kosova është vizituar nga 40 mijë e 517 turistë të huaj, ku numri më i madh i tyre ishte nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia.

  • Dy aeroporte në Poloni pezullojnë fluturimet pas sulmeve ruse në Ukrainë

    Dy aeroporte në Poloni pezullojnë fluturimet pas sulmeve ruse në Ukrainë

    Dy aeroporte në juglindje të Polonisë kanë pezulluar përkohësisht operacionet si masë paraprake pas sulmeve ruse në territorin fqinj të Ukrainës, njoftuan autoritetet polake të shtunën.

    “Për shkak të nevojës për të garantuar funksionimin e lirë të aviacionit ushtarak, aeroportet në Rzeszow dhe Lublin kanë pezulluar përkohësisht fluturimet”, bëri të ditur Agjencia Polake e Shërbimeve të Navigimit Ajror në platformën X.

    Të dy qytetet ndodhen pranë kufirit me Ukrainën, ndërsa Rzeszow është një qendër kryesore e NATO-s për furnizimin me armë të Ukrainës.

    Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura Polake njoftoi se aviacioni ushtarak ka nisur operime në hapësirën ajrore të Polonisë për shkak të sulmeve ruse në Ukrainë.

    “Këto veprime janë parandaluese dhe synojnë sigurimin dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore, veçanërisht në zonat pranë rajoneve të rrezikuara”, thuhet në deklaratë.

    Shërbimi i ndjekjes së fluturimeve FlightRadar24 raportoi se mbyllja lidhej me operime të avionëve të NATO-s në zonë. Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-ve (FAA) njoftoi përmes një njoftimi për pilotët se të dy aeroportet ishin të paarritshme për shkak të aktivitetit ushtarak të lidhur me sigurinë shtetërore.

    Edhe muajin e kaluar, aeroportet e Rzeszow-it dhe Lublin-it kishin pezulluar përkohësisht operacionet, por atëherë autoritetet theksuan se fluturimet ushtarake ishin rutinë dhe nuk kishte kërcënim për hapësirën ajrore polake.

  • Kllokot: 14 persona arrestohen për dyshime për manipulim të votave, lirohen pas intervistimit

    Kllokot: 14 persona arrestohen për dyshime për manipulim të votave, lirohen pas intervistimit

    14 persona janë arrestuar e intervistuar në cilësinë e të dyshuarve lidhur me dallaveret me vota në Kllokot. 

    Policia e Kosovës ka njoftuar se disa ishin kryesues e disa anëtarë të komisioneve numëruese në QKN.

    “Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit janë liruar”, bëri të ditur PK-ja.

    Deri më tani, për shkak të dyshimeve për manipulim të votave janë ndaluar dhjetëra persona në disa rajone të Kosovës dhe janë intervistuar qindra të tjerë. Hetime po zhvillohen në Prizren, Malishevë, Podujevë, Ferizaj dhe Mitrovicë.

  • Gjykimi për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc vazhdon më 16 shkurt

    Gjykimi për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc vazhdon më 16 shkurt

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar datën 16 shkurt 2026 për seancën e radhës në gjykimin për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.

    Për këtë sulm akuzohen vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq. Në seancën fillestare më 24 dhjetor 2025, mbrojtësi i Jovan Viqentijeviq, avokati Nebojsha Vllajiq, kishte kërkuar përjashtimin e prokurorit Kodraliu, kërkesë që u mbështet edhe nga mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë, duke çuar në ndërprerjen e seancës.

    Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë më 9 dhjetor 2025 ndaj tre të akuzuarve për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, të pandehurit J.V. dhe D.V., së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, kanë vendosur rreth 20 kilogramë trinitrotoluene (TNT) brenda kanalit “Ibër Lepenc”. Ata e aktivizuan lëndën shpërthyese përmes një çante të lidhur me një shtyllë betoni, duke dëmtuar rëndë strukturën e kanalit, ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm, rrezikuar prodhimin e energjisë elektrike dhe shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh ndërmarrjes “Ibër Lepenc”.

    Aktakuzat gjithashtu përfshijnë veprat penale të armëmbajtjes pa leje për tre të pandehurit dhe veprën penale të spiunazhit për J.V., i cili dyshohet se ka vepruar në favor të Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë, duke mbledhur dokumente dhe informacione të klasifikuara për qëllime të kundërligjshme në territorin e Kosovës.

  • Aksident me fatalitet në Loxhë të Pejës, humb jetën një grua

    Aksident me fatalitet në Loxhë të Pejës, humb jetën një grua

    Mëngjesin e sotëm, në fshatin Loxhë të Pejës, ka ndodhur një aksident trafiku që ka lënë dy persona të lënduar.

    Lajmin e ka konfirmuar Driton Rugova, zëdhënës i Policisë në Pejë, i cili bëri të ditur se nga ekipi mjekësor është konstatuar se njëra nga të aksidentuarat nuk ka mundur t’i përballojë plagët dhe ka ndërruar jetë.

    “Sot rreth orës 07:50 Policia është njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Loxhë të Pejës, ku të përfshira janë dy vetura dhe si pasojë, përveç dëmeve të konsiderueshme materiale, janë edhe dy persona të lënduar, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Nga ekipi mjekësor është konstatuar se njëra nga të aksidentuarat nuk ka mundur t’i përballojë plagët dhe ka ndërruar jetë,” ka thënë Rugova.

  • Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë grevë: Sindikata kërkon rritje pagash deri në fund të shkurtit

    Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë grevë: Sindikata kërkon rritje pagash deri në fund të shkurtit

    Sindikatat në Korporatën Energjetike të Kosovës po paralajmërojnë grevë nëse deri në fund të shkurtit nuk realizohet rritje e pagave për punëtorët, ka deklaruar

    Kryetari i Sindikatës së Re në KEK, Nexhat Llumnica, ka paralajmëruar nëse deri në fund të muajit shkurtit nuk do të ketë vendim për rritje të pagave për punëtorët.

    Ai ka bërë me dije se ky vendin duhet të merret pas shqyrtimit të pasqyrave financiare të kompanisë.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Llumnica ka thënë se përmes avokatit kanë kërkuar ndërmjetësim ligjor përpara se të ndërmarrin hapa drejt grevës.

    “Ne kemi kërkuar domethënë përmes palës ndërmjetësuese në këtë rast, përmes avokatit tonë, që të kemi ndërmjetësimin ligjor, të shterim mundësinë ligjore për të shkuar me hap drejt grevës. Mirëpo, menaxhmenti është përgjigjur dialogut social dhe kemi biseduar me 21 janar të këtij viti. Dhe ata kanë thënë që duhet të presim deri me 16 shkurt në pasqyrat financiare dhe bashkërisht të vendosim për kërkesat tona, në realitet për ngritjen e pagave, nivelizimin e pagave për punëtorë të sigurimit fizik dhe të tjerat që i kemi pasur si kërkesa”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.

    “Dhe ne kemi vendosur të presim deri atëherë, pasi që po dojmë të shterim këtë mundësi. Në rast se jo, atëherë ne do të vazhdojmë me statutin sindikal, përputhje me të, veprimet do t’i bëjmë deri tek greva. Dhe realisht është e domosdoshme ngritja e pagave të punëtorëve të KEK-ut sepse në aspektin e asaj, të ndërmarrjes publike por edhe private, paga e punëtorëve të KEK-ut ka mbetur e vogël krahasimisht me atë se çfarë e bëjnë punën”, është shprehur ai.

  • ShBA-ja planifikon takim të “Bordit të Paqes” më 19 shkurt

    ShBA-ja planifikon takim të “Bordit të Paqes” më 19 shkurt

    Shtëpia e Bardhë po planifikon takimin e parë të udhëheqësve për të ashtuquajturin “Bordi i Paqes” të Presidentit Donald Trump në lidhje me Gazën më 19 shkurt, raportoi Axios, duke cituar një zyrtar amerikan dhe diplomatë nga katër vende që janë në bord.

    Planet për takimin, i cili do të jetë gjithashtu një konferencë për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e Gazës, janë në fazat e hershme dhe mund të ndryshojnë ende, raportoi Axios.

    Takimi është planifikuar të mbahet në Institutin Amerikan të Paqes në Uashington, shtoi raporti, duke vënë në dukje se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është planifikuar të takohet me Trump në Shtëpinë e Bardhë më 18 shkurt, një ditë para takimit të planifikuar, raporton Reuters.

    Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

    Administrata Trump filloi të kontaktojë vendet që i janë bashkuar Bordit të premten për të ftuar udhëheqësit e tyre në takimin e parë.

    “Asgjë nuk është konfirmuar ende, por qeveria po e planifikon dhe ka filluar të shqyrtojë se cilët liderë mund të marrin pjesë “, tha një burim për Axioz.

    Bordi i organizatës së re ndërkombëtare aktualisht ka 27 anëtarë dhe kryesohet nga Donald Trump.

    Në fund të janarit, Trump krijoi bordin që ai do të kryesojë dhe i cili thotë se do të synojë zgjidhjen e konflikteve globale, duke bërë që shumë ekspertë të shqetësohen se një bord i tillë mund të minojë Kombet e Bashkuara.

    Qeveritë në mbarë botën kanë reaguar me kujdes ndaj ftesës së Trump për t’u bashkuar me atë iniciativë. Ndërsa disa nga aleatët e Uashingtonit në Lindjen e Mesme janë bashkuar, shumë nga aleatët e tij tradicionalë perëndimorë deri më tani kanë qëndruar larg.

    Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e miratuar në mesin e nëntorit, autorizoi bordin dhe vendet që punonin me të për të krijuar një forcë ndërkombëtare stabilizimi në Gaza, ku një armëpushim i brishtë filloi në tetor sipas një plani të Trump, të cilin Izraeli dhe grupi militant palestinez Hamas e nënshkruan.

    Sipas planit të Trump për Gazën, të zbuluar në fund të vitit të kaluar, bordi kishte për qëllim të mbikëqyrte qeverisjen e përkohshme të Gazës. Trump më pas tha se do të zgjerohej për të trajtuar konfliktet globale.

    Shumë ekspertë të të drejtave thonë se mbikëqyrja e një bordi nga Trump për të mbikëqyrur punët e një territori të huaj i ngjante një strukture koloniale dhe e kanë kritikuar bordin për mospërfshirjen e një palestinezi.

    Armëpushimi i brishtë në Gaza është shkelur vazhdimisht, me mbi 550 palestinezë dhe katër ushtarë izraelitë të raportuar të vrarë që nga fillimi i armëpushimit në tetor.

    Sulmi i Izraelit ndaj Gazës që nga fundi i vitit 2023 ka vrarë mbi 71,000 palestinezë, ka shkaktuar një krizë urie dhe ka zhvendosur brenda vendit të gjithë popullsinë e Gazës.

    Ekspertë të shumtë të të drejtave, studiues dhe një hetim i OKB-së thonë se kjo përbën gjenocid. Izraeli i quan veprimet e tij vetëmbrojtje pasi militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë 1,200 njerëz dhe morën mbi 250 pengje në një sulm në fund të vitit 2023.

  • Presidentja Osmani vazhdon vizitën në Emirate: Partneriteti Kosovë–EBA po thellohet

    Presidentja Osmani vazhdon vizitën në Emirate: Partneriteti Kosovë–EBA po thellohet

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar lart marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke theksuar se partneriteti mes dy vendeve po thellohet dhe po shndërrohet në një aleancë vizioni.

    Gjatë vizitës së saj zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Osmani u shpreh se ky partneritet ka lindur në kohë sfidash dhe është ndërtuar mbi besim të qëndrueshëm dhe angazhim të ndërsjellë.

    “Një partneritet që lindi në kohë sfidash dhe sot po thellohet si aleancë vizioni, duke dëshmuar se miqësia e vërtetë ndërtohet me besim të qëndrueshëm dhe angazhim të ndërsjellë”, ka deklaruar Osmani në një video që ka shpërndarë nga kjo vizitë.

    Presidentja Osmani ka theksuar se Emiratet e Bashkuara Arabe mbeten një partner i rëndësishëm strategjik për Kosovën, ndërsa vizita e saj synon forcimin e bashkëpunimit bilateral në fusha me interes të përbashkët.

  • Tërmeti me magnitudë 4.9 ballë godet Turqinë Lindore

    Tërmeti me magnitudë 4.9 ballë godet Turqinë Lindore

    Një tërmet me magnitudë 4.9 ballë u regjistrua në rajonin Kemah të Erzincanit në Turqi.

    Tërmeti u regjistrua me një thellësi prej 4.52 kilometrash, ndërsa lëkundjen u ndjenë edhe në Elazig, Trabzon, Adiyaman, Malatya dhe provincat përreth.

    Kryetari i Bashkisë  Erzincanit, Bekir Aksun, duke folur drejtpërdrejt për mediat turke, tha se nuk pati viktima apo dëme materiale.