ATV

Author: G.O.

  • Inskenoi grabitje për 1,400 euro, arrestohet i dyshuari në Malishevë

    Inskenoi grabitje për 1,400 euro, arrestohet i dyshuari në Malishevë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një mashkull nga fshati Llazicë, i cili inskenoi një grabitje për të përvetësuar 1,400 euro.

    Pas hetimeve, u konstatua se rasti nuk kishte ndodhur dhe i dyshuari ka pranuar veprimin, duke treguar vendin ku i kishte fshehur paratë.

    Mjetet financiare u kthyen tek pala përkatëse, ndërsa ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Lajmërim apo kallëzim i rremë”.

  • KFOR dhe NALT vizitojnë Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim të FSK-së

    KFOR dhe NALT vizitojnë Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim të FSK-së

    Komandanti i KFOR, Gjeneral Major Özkan Ulutaş, së bashku me Drejtorin e NATO Advisory and Liaison Team (NALT), Gjeneral Brigade Sven Lange, kanë vizituar Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim dhe Shpëtim (SaR) të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Gjatë vizitës, drejtuesit e misionit u njohën nga afër me kapacitetet operacionale dhe aktivitetet trajnuese të qendrës, duke theksuar rëndësinë e operacioneve efikase të kërkim-shpëtimit në funksion të sigurisë publike dhe reagimit emergjent. Në fokus ishte edhe roli i Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të mandatit të saj për mbrojtje civile.

    Sipas njoftimit, vizita të tilla kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve, me qëllim garantimin e sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal.

    “KFOR vijon zbatimin e mandatit të saj, të bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Misioni punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me European Union Rule of Law Mission in Kosovo (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftim.

  • A duhet t’i lani rrobat nga ana e brendshme?

    A duhet t’i lani rrobat nga ana e brendshme?

    Rrobat grumbullohen shpejt dhe larja e tyre shpesh duket si një punë e lodhshme. Megjithatë, kthimi i rrobave nga ana e brendshme para larjes është një hap i thjeshtë që mund ta bëjë ditën e larjes më të lehtë, sepse ka disa përfitime.

    Gjithsesi, kjo zakonisht ka edhe disa të meta. Më poshtë, dy ekspertë të larjes shpjegojnë pse duhet (dhe kur nuk duhet) t’i lani rrobat nga ana e brendshme.

    Pse duhet t’i lani rrobat nga ana e brendshme

    Kthimi i rrobave përmbys para larjes ndihmon në mbrojtjen e ngjyrave nga zbehja. Gjithashtu, për shembull, kthimi i xhinseve nga brenda ndihmon që zinxhirët, kopsat dhe materialet e forta të mos dëmtojnë rrobat më delikate gjatë fërkimit në lavatriçe.

    “Forrest Webber”, pronar i “Bear Brothers Cleaning” në Huntsville, Alabama, thotë se larja e rrobave nga ana e brendshme mbron pjesën e jashtme të pëlhurës nga fërkimi gjatë procesit të larjes. Kjo është shumë e rëndësishme për ruajtjen e ngjyrës dhe për ta mbajtur rrobën të duket si e re. Ai shton se kjo metodë mbron edhe stampimet dhe qëndisjet, si dhe pastron më mirë pjesën e brendshme të rrobave, duke hequr djersën, yndyrnat e trupit dhe qelizat e vdekura të lëkurës.

    Edhe pse është e pamundur të parandalohet plotësisht zbehja e ngjyrave, kthimi i rrobave nga brenda e ngadalëson këtë proces. Kjo do të thotë që xhinset apo bluzat tuaja të preferuara mund të zgjasin më shumë.

    Tom Ceconi, president i “Heritage Park Laundry Essentials”, shpjegon se me kalimin e kohës edhe pambuku më cilësor zbehet dhe bëhet më i butë. Kjo është arsyeja pse bluza juaj e preferuar bëhet shumë e rehatshme dhe xhinset marrin atë pamjen e përdorur që pëlqehet. Megjithatë, nëse qëllimi juaj është ruajtja e ngjyrës, larja nga ana e brendshme e vonon këtë proces.

    Cilat rroba duhet të lahen nga ana e brendshme?

    Shumica e rrobave duhet të kthehen përmbys para larjes. Këtu përfshihen:

    • Xhinset;
    • Rrobat sportive;
    • Bluzat prej pambuku;
    • Rrobat me ngjyra të ndezura;
    • Rrobat me ngjyra të errëta;
    • Materialet delikate (nëse nuk kanë njolla).

    Rrobat sportive të djersitura janë veçanërisht të përshtatshme për t’u larë nga ana e brendshme. Edhe pse këto materiale janë të dizajnuara për të përthithur djersën, pjesa e brendshme që është në kontakt me trupin mban më shumë djersë, yndyrë, deodorant, kremra dhe aroma. Këtu përfshihen edhe disa uniforma sportive (nëse nuk kanë baltë) si dhe rroba të zakonshme që janë djersitur.

    Nëse keni rroba të errëta ose me ngjyra të forta dhe dëshironi të ruani gjallërinë e ngjyrës, ktheni ato nga ana e brendshme para larjes. Kjo ndihmon në ruajtjen e ngjyrës dhe mbron stampimet apo qëndisjet.

    Cilat rroba nuk duhet të lahen nga ana e brendshme

    Edhe pse shumica e rrobave duhet të lahen nga brenda, disa raste kërkojnë trajtim ndryshe. Nëse rrobat kanë njolla, ato duhet të pastrohen dhe të lahen nga ana e jashtme, pasi njollat duhet të trajtohen drejtpërdrejt për t’u hequr sa më mirë.

    Një nga të metat e larjes nga brenda është se heqja e njollave bëhet më pak efektive. Prandaj rekomandohet që rrobat me njolla të lahen nga ana e jashtme dhe të trajtohen paraprakisht me produkt kundër njollave.

    Kjo zakonisht përfshin:

    • Rrobat e foshnjave dhe fëmijëve;
    • Rrobat e përdorura për punë në oborr ose aktivitete të ndotura;
    • Rrobat sportive që kanë marrë baltë ose papastërti (si uniformat e futbollit apo pantallonat e bejsbollit).
  • Gjykata e Lartë e ShBA-së: Trump shkeli ligjin – tarifat janë të paligjshme

    Gjykata e Lartë e ShBA-së: Trump shkeli ligjin – tarifat janë të paligjshme

    Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi të premten se presidenti amerikan, Donald Trump shkel ligjin federal duke vendosur një mori tarifash tregtare në mbarë botën pa autorizim të qartë nga Kongresi amerikan.

    Kjo është një humbje e rëndësishme juridike për Shtëpinë e Bardhë në një çështje që ka qenë në qendër të politikës së jashtme dhe ekonomike të administratës së tij, shkruan cnn.

    Me vendimin 6 për dhe 3 vota kundër, Gjykata vlerësoi se Trump tejkaloi autoritetin kur u përpoq të përdorte një ligj emergjent federal (International Emergency Economic Powers Act – IEEPA) për të vendosur tarifa të gjerë mbi importet.

    Kryetari i Gjykatës, John Roberts, shkroi se presidenti duhet të tregojë autorizim të qartë nga Kongresi për të ushtruar një fuqinë e tillë – një gjë që nuk u demonstrua në këtë rast.

    Në vendim u tha se fuqia emergjente mbi të cilën u mbështet lideri amerikan për të imponuar tarifat “nuk mjafton” për të justifikuar vendosjen e tyre sipas përmasës dhe qëllimit që ata kishin.

    Gjykata e konsideroi këtë një shkelje të kufizimeve ligjore që ndahen midis pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, sipas Kushtetutës së SHBA-së.

    Si rezultat, shumica e tarifave të vendosura nën këtë ligj emergjent tani mund të shpallen të paligjshme, dhe kompanitë që paguan këto tarifa mund të kërkojnë rimbursime për shumën e paguar gjatë periudhës që ato ishin në fuqi. /Telegrafi/

  • Tërmet i fuqishëm në Afganistan

    Tërmet i fuqishëm në Afganistan

    Një tërmet me magnitudë 5.7 ballë goditi rajonin Hindu Kush në Afganistan, sipas Qendrës Gjermane të Kërkimeve për Gjeoshkencat.

    Tërmeti filloi në një thellësi prej 79 kilometrash.

    Bëhet e ditur se lëkundjet u ndjenë në kryeqytetin Kabul dhe në provincat fqinje.

    Deri tani nuk ka raportime të menjëhershme për dëme materiale apo viktima.

    Tërmetet janë të zakonshme në Afganistan, veçanërisht përgjatë vargmalit Hindu Kush, pranë vendit ku takohen pllakat tektonike euroaziatike dhe indiane

    Në gusht të vitit 2025, një tërmet me magnitudë 6.0 ballë në lindje të vendit shkatërroi fshatrat malore dhe vrau më shumë se 2,200 njerëz.

    Javë më vonë, një tërmet me magnitudë 6.3 ballë në Afganistanin verior vrau të paktën 27 persona.

    Dridhje të forta në Heratin perëndimor, pranë kufirit iranian, në vitin 2023, dhe në provincën Nangarhar në vitin 2022, vranë qindra njerëz dhe shkatërruan mijëra shtëpi. /Telegrafi/

  • Norvegjia tërheq trupat nga Iraku pas rritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme

    Norvegjia tërheq trupat nga Iraku pas rritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme

    Norvegjia ka njoftuar tërheqjen e trupave të saj nga Iraku për shkak të tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme.

    Zëdhënësi i Forcave të Armatosura Norvegjeze (FOH), Brynjar Stordal, tha për transmetuesin norvegjez NRK se afërsisht 60 ushtarë norvegjezë ishin të stacionuar në Irak dhe Jordani, dhe se ata po tërhiqnin trupat nga Iraku për shkak të rritjes së tensioneve në rajon.

    Stordal deklaroi se situata është e përkohshme dhe nuk dha detaje mbi numrin e trupave që janë tërhequr apo vendndodhjen e tyre të re. Ai shtoi se disa trupa mbeten ende në vende të ndryshme dhe i nënshtrohen kontrolleve specifike të sigurisë.

    “Ata e ndërmorën këtë hap për shkak të kërcënimeve dhe tensioneve në rajon,” tha Stordal.

    Ndërkaq, ushtria amerikane ka vendosur një gamë të gjerë forcash në Lindjen e Mesme, duke përfshirë dy transportues aeroplanësh, aeroplanë luftarakë dhe anije cisternash për furnizim me karburant. Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Irani ka 10 deri në 15 ditë për të arritur një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor.

  • Lufta Rusi-Ukrainë, Merz: Do të përfundojë vetëm kur njëra palë të jetë e shteruar

    Lufta Rusi-Ukrainë, Merz: Do të përfundojë vetëm kur njëra palë të jetë e shteruar

    Kancelari gjerman, Friedrich Merz, po bëhet gjithnjë e më realist mbi perspektivat e një përfundimi të shpejtë të luftës në Ukrainë, duke theksuar se kjo do të ndodhë vetëm përmes përpjekjeve ushtarake dhe ekonomike, jo përmes argumenteve racionale apo humanitare.

    “Kjo luftë do të përfundojë kur njëra nga dy palët të jetë e shteruar, ushtarakisht ose ekonomikisht,” tha Merz në një intervistë për gazetat Neue Berliner Redaktionsgesellschaft dhe Rheinpfalz.

    Sipas kancelarit, qëllimi i europianëve duhet të jetë të sigurojnë që shteti rus të mos mund të vazhdojë më luftën, as ushtarakisht, as ekonomikisht.

    Merz komentoi gjithashtu Konferencën e Sigurisë së zhvilluar në Mynih, duke e përshkruar si një “sizmiograf” për gjendjen e marrëdhënieve SHBA–Evropë. Ai tha se lufta në Ukrainë “e ka detyruar Evropën të kthehet nga një pushim prej historisë botërore”.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili mori pjesë në të njëjtën konferencë, theksoi se çdo marrëveshje paqeje duhet të mbrojë Ukrainën, të ruajë sigurinë evropiane dhe të dekurajojë Rusinë nga një pushtim tjetër, pa dhënë një “shembull katastrofik për botën”.

    Ai e quajti “një gabim strategjik të madh” nxitjen që Ukraina të pranojë se është e mposhtur.

  • Bosnja sanksionon 11 shtetas të saj për lidhjet e tyre me IS-in dhe Al-Nusrën

    Bosnja sanksionon 11 shtetas të saj për lidhjet e tyre me IS-in dhe Al-Nusrën

    Këshilli i Ministrave i Bosnjës dhe Hercegovinës ka ngrirë pasurinë dhe mjetet financiare të 11 shtetasve të Bosnjës të lidhur me organizatat terroriste, Shteti Islamik (IS) dhe Al-Nusra, duke zbatuar detyrimet që rrjedhin nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Për shumicën e personave të sanksionuar është lëshuar edhe njoftimi i kuq i INTERPOL-it, me kërkesë të autoriteteve të Bosnje e Hercegovinës.

    Vendimet kanë të bëjnë me ngrirjen e burimeve ekonomike dhe mjeteve financiare të personave që lidhen me vepra penale të ndërlidhura me terrorizmin dhe financimin e tij dhe janë publikuar më 19 shkurt, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Në listë është edhe Nusret Imamoviq, udhëheqës radikal selefist, i cili para disa vitesh ishte futur në listën e dhjetë terroristëve më të kërkuar në botë dhe ndodhet nën sanksione të Kombeve të Bashkuara, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Sipas informacioneve që janë të qasshme, ai dhe familja e tij jetojnë në Siri për më shumë se dhjetë vjet.

    Ndër të sanksionuarit janë edhe Muradif Hamzabegoviq, për të cilin supozohet se ndodhet në Siri, si dhe bashkëshortja e tij, Sena Hamzabegoviq, e cila ishte ndjekur penalisht për dërgim të parave në Siri, por është liruar nga akuzat, pasi Prokuroria nuk arriti të dëshmojë se ajo e dinte për çfarë qëllimi po përdoreshin paratë.

    Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës e dënoi Hamzabegoviqin në mungesë në vitin 2013 me gjashtë vjet burg për kontrabandim të qenieve njerëzore.

    Në listën e të sanksionuarve është edhe Hariz Meshanoviq, si dhe dy djemtë e tij, Adem dhe Meho, për të cilët gjithashtu supozohet se ndodhen në Siri.

    Pasuria është ngrirë edhe për Azur Karasuljiqin, Edin Zukiqin dhe Emir Çelamo, si dhe për Aleksandar Ruzhiqin, për të cilin thuhet se iu bashkua grupeve terroriste në Siri.

    Masat vlejnë edhe për Jasmin Grabusin, i cili gjithashtu ndodhet në Siri.

    Këshilli i Ministrave i Bosnje e Hercegovinës ka bërë të ditur se vendimet kanë karakter parandalues dhe janë të orientuara drejt mbrojtjes së sigurisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare të shtetit, përfshirë obligimet ndaj MONEYVAL-it (Komiteti i ekspertëve të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit të Këshillit të Evropës) në lidhje me vendosjen e sanksioneve financiare për terrorizëm.

    Është theksuar se masat nuk paraqesin përcaktim të përgjegjësisë penale dhe as nuk paragjykojnë rezultatin e ndonjë procedure para gjykatave kompetente apo Prokurorisë.

    Sipas të dhënave të agjencive të inteligjencës dhe sigurisë, nga Bosnja dhe Hercegovina gjatë konfliktit në Siri dhe Irak, në periudhën 2012-2016, kishin shkuar rreth 300 shtetas të Bosnjës, përfshirë burra, gra dhe të mitur, ndërsa në këto zona kanë lindur edhe më shumë fëmijë.

    Pjesa më e madhe e largimeve është regjistruar në vitet e hershme të konfliktit.

    Nga ky numër, vlerësohet se ndërmjet 80 dhe më shumë se 100 persona janë vrarë ose kanë vdekur në zonat e luftës, ndërsa disa dhjetëra janë kthyer në Bosnje dhe Hercegovinë, qoftë në mënyrë private apo përmes riatdhesimeve të organizuara.

    Sipas të dhënave të vitit 2025, më shumë se 100 shtetas të Bosnje e Hercegovinës, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë qëndruar në kampe dhe objekte paraburgimi në veri të Sirisë, pa një kohë të qartë kthimi.

    Bosnja dhe Hercegovina në vitin 2014 ka futur dispozita të posaçme penale që dënojnë largimin e shtetasve të saj në vatra të huaja lufte për organizata terroriste, përfshirë organizimin e grupeve terroriste, bashkimin me formacione paramilitare të huaja dhe vepra të tjera të ndërlidhura.

    Deri më tani, më shumë se 30 persona janë dënuar me vendime të formës së prerë për vepra penale të lidhura me Sirinë dhe terrorizmin, me dënime me burg deri në tetë vjet në shumë raste.

    Shumica janë dënuar me rreth tre vjet burg, në raste të marrëveshjeve për pranimin e fajësisë ose për shkak të mungesës së provave për akuza më të rënda.

    Edhe vende të tjera të rajonit, përfshirë Kosova, ka ligje që dënojnë bashkëngjitjen në grupe terroriste dhe po ashtu në Kosovë janë riatdhesuar disa shtetas që kishin shkuar në Siri.

    IS-i u mposhtë më 2017 nga një koalicion ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Fronti Al-Nusra në ndërkohë ndryshoi emër dhe tani njihet si Hayat Tahrir al-Sham (HTS). Luftëtarët e këtij grupi

    Shumë prej dënimeve të shqiptuara lidhen me kosovarët që i janë bashkuar organizatës Hayat Tahrir al-Sham (HTS), e njohur edhe si Fronti Al-Nusra. Kjo organizatë ishte shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara më 2013, por më 2025 u hoq nga lista.

    HTS ka qenë dikur degë e Al-Kaidës në Siri, mirëpo i ka shkëputur lidhjet me grupin xhihadist më 2016, dhe ka tentuar të krijojë imazh tjetër në publik.

    Deri më 2017, HTS-ja ka pasur kontrollin e një pjese të madhe të veriperëndimit të Sirisë dhe ka krijuar administratë civile në atë zonë, mes akuzave për abuzime brutale kundër atyre që dalin kundër regjimit.

    Në fund të vitit 2024, luftëtarët e këtij grupi rrëzuan regjimin e Bashar al-Assadit në Siri./REL

  • Konjufca takohet me Prattipatin: Bashkëpunimi i ngushtë me ShBA-të, përcaktim i pandryshueshëm i institucioneve të reja

    Konjufca takohet me Prattipatin: Bashkëpunimi i ngushtë me ShBA-të, përcaktim i pandryshueshëm i institucioneve të reja

    Kryediplomati Glauk Konjufca ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Annu Prattipati.

    Konjufca ka deklaruar se bashkëpunimi i ngushtë me ShBA-të, “mbetet përcaktim i pandryshueshëm i institucioneve të reja”.

    Ai e ka njoftuar Prattipatin edhe për vizionin dhe prioritetet e politikës së jashtme nën drejtimin e tij.

    Ata kanë folur edhe për proceset pas themelimit të institucioneve të reja.

    “Zëvendëskryeministri Konjufca paraqiti vizionin dhe prioritetet e politikës së jashtme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës nën drejtimin e tij në mandatin e ri. Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova pas themelimit të institucioneve të reja. Bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të mbetet përcaktim i pandryshueshëm i institucioneve të reja”, thuhet në njoftim.

  • Edi Rama, pjesëmarrës në tryezën e Atlantic Council në Amerikë

    Edi Rama, pjesëmarrës në tryezën e Atlantic Council në Amerikë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte pjesëmarrës në tryezën e Atlantic Council, një nga organizatat më të rëndësishme të politikave strategjike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Përmes një postimi në Facebook, Rama tha se në këtë takim pati një interes të lartë për Shqipërinë, profilin e saj të ri ndërkombëtar dhe pikëpamjet e saj mbi Bordin e Paqes, konfliktet e hapura si edhe rrugën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

    “Në tryezën e Atlantic Council, një nga organizatat më të rëndësishme të politikave strategjike në SHBA, ku pati një interes të lartë për Shqipërinë, profilin e saj të ri ndërkombëtar dhe pikëpamjet tona mbi Bordin e Paqes, konfliktet e hapura si edhe rrugën e zgjerimit të Bashkimit Europian”, ka shkruar ai.