ATV

Author: G.O.

  • Gjykata Themelore në Pejë shpall aktgjykim lirues ndaj një të pandehuri për dhunë në familje

    Gjykata Themelore në Pejë shpall aktgjykim lirues ndaj një të pandehuri për dhunë në familje

    Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të pandehurit A.Gj. për veprën penale “dhuna në familje”, e paraparë me nenin 248, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Pas shqyrtimit gjyqësor, gjykata e ka liruar të pandehurin nga aktakuza, në bazë të nenit 363, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

    Sipas vendimit, shpenzimet e procedurës penale do të mbulohen nga mjetet buxhetore të gjykatës, ndërsa e dëmtuara S.M. është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në procedurë kontestimore civile.

    Palët do ta pranojnë arsyetimin e aktgjykimit përmes vendimit të shkruar dhe kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit, duke e drejtuar ankesën në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Pejë.

  • Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për dy të dyshuar për fajde

    Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për dy të dyshuar për fajde

    Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të pandehurve F.B. dhe L.G., të cilët ndodhen në ndalim 48-orësh nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “fajdeja”.

    Sipas kërkesës së prokurorisë, nga data 13 dhjetor 2025 deri më 19 shkurt 2026, në Prizren, të pandehurit dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje duke kontraktuar një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit të personit tjetër, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e të dëmtuarit B.K.

    Prokuroria bën të ditur se i dëmtuari kishte marrë borxh nga i pandehuri F.B., ndërsa shuma ishte siguruar nga i pandehuri L.G., me kusht që të paguante kamatë mujore prej 100 për qind.

    Dy persona arrestohen në Prizren për fajde, dyshohen për kamatë mujore 100 për qind

    Pasi nuk kishte arritur ta kthente shumën, i dëmtuari kishte kërkuar shtyrje të afatit të pagesës deri në muajin korrik, por të pandehurit, sipas prokurorisë, e kanë shtyrë afatin vetëm për një muaj, duke e vënë atë në pamundësi të përmbushë obligimin financiar. Më pas, i dëmtuari e ka njoftuar policinë.

    Në kuadër të hetimeve, Prokuroria Themelore në Prizren ka sekuestruar para të gatshme, pajisje elektronike dhe prova të tjera materiale që lidhen me veprën penale të dyshuar.

    Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin.

  • Zelensky konfirmon lëshime në negociatat për paqe me Rusinë

    Zelensky konfirmon lëshime në negociatat për paqe me Rusinë

    Volodomyr Zelensky ka ndarë disa komente interesante në lidhje me negociatat me Rusinë mbi një zgjidhje të mundshme për t’i dhënë fund luftës.

    Ndërsa ekziston një skepticizëm i përhapur nëse Vladimir Putin ka ndonjë qëllim të vërtetë për të arritur një marrëveshje, presidenti ukrainas theksoi se vendi i tij ishte “gati për kompromise të vërteta”.

    Megjithatë, ai i tha gazetës japoneze Kyodo News se Kievi refuzoi të pranonte “ultimatume nga rusët vazhdimisht”, shkruan skynews.

    “Qëndroni aty ku qëndrojmë ne – ky është një kompromis i madh”, tha Zelensky, duke konfirmuar në thelb raportet se Ukraina është ofruar të ngrijë linjat aktuale të konfliktit si pjesë e çdo marrëveshjeje.

    “Ata morën pothuajse 20% të territorit tonë dhe ne jemi të gatshëm të flasim për paqen në këtë moment”, shtoi ai.

    “Ky është një kompromis i madh. Çfarë na ofron Rusia si kompromis? Çfarë janë të gatshëm të bëjnë? Ne jemi të gatshëm për kompromise të vërteta. Por jo kompromise me koston e pavarësisë dhe sovranitetit tonë. Ne jemi të gatshëm të flasim për kompromise me Shtetet e Bashkuara. Por jo për të marrë ultimatume nga rusët përsëri e përsëri. Ata janë agresorët. Të gjithë e kanë pranuar këtë”, vazhdoi Zelensky.

    “Ata thanë jemi të gatshëm të mos pushtojmë rajonet tuaja të tjera. Por është terrorizëm. Edhe ajo gjuhë, është terrorizëm. Jam gati të mos ju vras – na jepni gjithçka. Çfarë do të thotë kjo? Nuk është kompromis. Ky është ultimatum. Kjo është arsyeja pse thashë: Ne jemi të gatshëm për kompromise që respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ushtrinë tonë, popullin tonë dhe fëmijët tanë. Por ne nuk jemi të gatshëm për ultimatume”, përfundoi lideri ukrainas. /Telegrafi/

  • Shpallet konkursi për rekrutimin e 320 ushtarëve të rinj në FSK, këto janë kriteret

    Shpallet konkursi për rekrutimin e 320 ushtarëve të rinj në FSK, këto janë kriteret

    Ministria e Mbrojtjes ka shpallur konkurs për rekrutimin e ushtarëve të rinj në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    Sipas njoftimit në total do të rekrutohen 320 ushtarë, derisa afati për aplikim do të jetë i hapur nga data 2 deri më 27 mars.

    Të drejtë aplikimi kanë shtetasit e Kosovës nga mosha 18 deri në 25 vjeç, të cilët kanë përfunduar shkollimin e mesëm.

    Kandidatët duhet të plotësojnë edhe këto kritere shtesë: Gjendje të mirë fizike dhe shëndetësore, figurë të pastër morale dhe ligjore si dhe përkushtim për të shërbyer me dinjitet dhe profesionalizëm.

    “Aplikimi bëhet përmes: https://rekrutimi.fsk-ks.org”, thuhet në njoftim.

  • Këto janë vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë

    Këto janë vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë

    Qeveria “Kurti 3”, ka mbajtur sot mbledhjen e dytë me radhë, në të cilën ka marrë disa vendime.

    Vendimi i parë ka qenë ai për themelimin e Këshillit Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Komisioni do të ketë këtë përbërje:

    • Z. Ejup Maqedonci, Ministër i Mbrojtjes, kryesues;

    • Z. Andin Hoti, Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, bashkëkryesues;

    • Z. Sami Lushtaku, Kryetar i Komunës së Skenderajt, anëtar;

    • Znj. Saranda Bugujevci, Ministre e Kulturës dhe Turizmit, anëtare;

    • Z. Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar;

    • Z. Bashkim Jashari, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, anëtar;

    • Z. Gazmend Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, anëtar; dhe

    • Përfaqësues nga Organizatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, anëtar.

    Ftohen që të dërgojnë nga një përfaqësues edhe nga: Zyra e Presidentes, Kuvendi i Kosovës, Zyra e Kryeministrit, si dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Në këtë mbledhje është miratuar edhe agjenda legjislative për vitet në vijim:

    Më poshtë gjeni vendimet tjera:

    – Miratuar Rregulloren për Fushat dhe Përgjegjësitë Administrative të Ministrive që përcakton në mënyrë të detajuar fushat e përgjegjësisë të secilës ministri, duke përfshirë kompetencat për hartimin dhe zbatimin e politikave publike, përgatitjen e legjislacionit dhe koordinimin ndërinstitucional;

    – Miratuar Programin e Projektligjeve për vitet 2026-2028;

    – Miratuar Programin e Vlerësimit Ex-Post të Akteve Juridike;

    – Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Qasje në Arsimin e Lartë dhe Pranim për Studime në Ballkanin Perëndimor. Përmes kësaj marrëveshje, lehtësohet qasja dhe pranimi i studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë, duke hequr pengesat administrative dhe duke afruar standardet akademike ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor;

    – Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017, pjesa e parë. Ky amendament synon zgjatjen e afatit kohor për zbatimin e projekteve të financuara nga BE-ja, me qëllim që investimet e parapara të realizohen plotësisht dhe të japin rezultatet e pritura për qytetarët tanë;

    – Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 3 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018;

    – Aprovuar Rregulloren për Procedurën e Shqyrtimit Administrativ të Akteve të Komunave. Qëllimi i kësaj rregullore është të përcaktojë në mënyrë të qartë dhe të standardizuar procedurat për shqyrtimin e detyrueshëm dhe të rregullt të ligjshmërisë, si dhe për vlerësimin e përshtatshmërisë së akteve të Kuvendit të Komunës dhe të Kryetarit të Komunës;

    – Themeluar Ndërmarrjen Publike Lokale “Fushë-Kosova” Sh. A. për shërbime publike;

    – Themeluar Ndërmarrjen Publike Lokale “Eko-Drenasi” Sh. A. që do të ofrojë mirëmbajtje të hapësirave dhe ndërtesave publike, si dhe shërbime të tjera me rëndësi;

    – Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr. 01/64, të datës 25 shkurt 2022, “Për zbatimin nga Republika e Kosovës të vendimeve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për vendosje të sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, në raport me situatën në Ukrainë”. Më 23 tetor 2025, Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi pakon e 19-të të sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, duke zgjeruar listimet individuale dhe duke forcuar masat kufizuese ekonomike me fokus në sektorët kyç që mbështesin agresionin kundër Ukrainës. Republika e Kosovës ka miratuar 18 pakot paraprake të sanksioneve të BE-së, ndërsa e fundit është miratuar në Qeveri më 19 shtator 2025. Grupi Ndërinstitucional për Sanksionet Ndërkombëtare, ka shqyrtuar përmbajtjen e pakos së 19-të dhe ka dhënë pajtimin për miratim në Qeveri;

    – Themeluar Zyrën për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategjike.

  • Al nuk do të zëvendësojë rolet njerëzore – mesazhi i dy liderëve të industrisë

    Al nuk do të zëvendësojë rolet njerëzore – mesazhi i dy liderëve të industrisë

    Ndërsa kompanitë e Inteligjencës Artificiale po bëhen më të vlerësuara, ekziston një debat i vazhdueshëm rreth mënyrës se si Al po zëvendëson njerëzit në vende të ndryshme pune.

    Studimet sugjerojnë se rolet ku Al mund të automatizojë shumicën e detyrave do të ndikohen, megjithëse disa analistë besojnë se Al mund të krijojë edhe vende pune.

    David Shim, CEO i kompanisë Read AI, tha se edhe me rritjen e mjeteve të Al, në fund të fundit do të jenë njerëzit ata që vendosin për rrjedhën e veprimit dhe puna e tyre do të jetë e rëndësishme.

    “Mendoj se gjithmonë do të ketë një njeri në mes”, tha Shim.

    “Mendoj se puna do të bëhet më e lehtë me kalimin e kohës. Por një shembull i mirë do të ishte si të ngasësh një veturë. Kur filluam për herë të parë, kishe një hartë. Dhe nxirrje hartën. Dhe shkoje brenda dhe thoje në rregull, po ngas veturën. Unë po vendos çfarë ndodh. Tani të gjithë përdorin Waze ose Google Maps, dhe harta të tregon se ku të shkosh. Dhe ti thjesht po ndjek atë rend. Por ti je njeriu në mes që mund të vendosësh çfarë ndodh”, shtoi ai.

    Shim pranoi se Al do të ndikonte në vendet e punës, duke vënë në dukje se agjencitë e reklamave mund të humbasin role njerëzore në favor të mjeteve të automatizuara.

    Megjithatë, ai vuri në dukje se platformat teknologjike do të kishin nevojë për vende pune për të mbikëqyrur procesin e automatizimit.

    Abdullah Asiri, themeluesi i startup-it të mjeteve të mbështetjes së konsumatorëve të mundësuar nga Al, Lucidya , tha se beson që Al do të zëvendësojë detyrat, por jo rolet.

    Ai tha se kur klientët e kompanisë së tij përdorin Lucidya, agjentët e mbështetjes së klientëve shpesh marrin role dhe përgjegjësi të ndryshme.

    Ai vuri në dukje se disa bëhen mbikëqyrës që udhëzojnë njerëzit e tjerë dhe Al, ndërsa disa marrin përsipër përgjegjësi për ndërtimin e marrëdhënieve dhe zhvillimin e biznesit duke përdorur kohën që kursejnë.

    Ndërsa kompanitë teknologjike si Read AI dhe Lucidya po përdorin gjithnjë e më shumë mjete të Al, ato duan të kenë një numër të vogël të punëtorëve.

    Aktualisht, ekipi i shërbimit ndaj klientit i Read AI përbëhet nga vetëm pesë persona, të cilët u shërbejnë miliona përdoruesve mujorë.

    Shim vuri në dukje se kompania po përdor mjete të Al për ta bërë një ekip të vogël më produktiv dhe për t’u dhënë atyre më shumë kontekst për t’i ndihmuar ata ta bëjnë punën e tyre më shpejt.

    Kompanitë thuhet se po korrin rritje në produktivitet.

    Read AI njoftoi se mjeti i saj i shitjeve ndihmon në parashikimin e gjendjes së një marrëveshjeje duke përdorur të dhëna nga sistemet CRM si HubSpot dhe Salesforce.

    Startup-i tha se ka parë marrëveshje me vlerë 200 milionë dollarë të miratuara përmes atij sistemi. /Telegrafi/

  • Policia e Kosovës arreston një shtetas maqedonas që kërkohej nga INTERPOL-i, ekstradohet në RMV

    Policia e Kosovës arreston një shtetas maqedonas që kërkohej nga INTERPOL-i, ekstradohet në RMV

    Policia e Kosovës tha se me njësitë e veta dhe në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë sot ka bërë ekstradimin e shtetasit maqedonas O. B. nga Kosova për në Maqedoninë e Veriut.

    I dyshuarit ishte arrestuar nga autoritetet e Kosovës, pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me urdhërarrest ndërkombëtar, të lëshuar nga autoritetet maqedonase, për veprat penale ‘prodhimi i paautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i substancave narkotike’ dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë.

    Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, tha Policia e Kosovës.

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor tha se do të vazhdojë me “shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”.

  • Palestinezët falën xhumanë e parë të Ramazanit në xhaminë Al-Aksa nën masa të rrepta sigurie

    Palestinezët falën xhumanë e parë të Ramazanit në xhaminë Al-Aksa nën masa të rrepta sigurie

    Dhjetëra mijëra palestinezë falën xhumanë e parë të Ramazanit në xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor.

    Ata shkuan në xhami duke kaluar nëpër pikat e kontrollit nën kufizimet izraelite.

    Policia izraelite njoftoi se kishte vendosur më shumë se 3.000 oficerë policie rreth Qytetit të Vjetër në Kudsin Lindor të pushtuar, ku ndodhet xhamia Al-Aksa.

    Barrikada u ngritën gjithashtu në Qytetin e Vjetër, duke mbyllur disa rrugë.

    Policia izraelite u pa duke kryer kontrolle identiteti për disa palestinezë dhe duke penguar të tjerët të hynin në Al-Aksa.

    Helikopterët e policisë izraelite fluturuan vazhdimisht mbi zonë që nga orët e mëngjesit.

    Administrata e Tel Avivit, ashtu si në vitet e fundit, ka vendosur kufizime në udhëtimin nga Bregu Perëndimor i pushtuar në Kuds për namazin e xhumasë.

    Numri i palestinezëve të lejuar të hyjnë në Kuds nga Bregu Perëndimor është i kufizuar në 10 mijë, me vetëm burra mbi 55-vjeç, gra mbi 50-vjeç dhe fëmijë nën 12-vjeç të shoqëruar nga anëtarë të ngushtë të familjes të lejuar të kalojnë, me kusht që të kenë leje paraprake.

    Izraeli ua ka vështirësuar palestinezëve lutjen në xhaminë Al-Aksa gjatë viteve të fundit përmes kufizimeve të ngjashme. /AA/

  • Aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Gjilan, lëndohen tre persona

    Aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Gjilan, lëndohen tre persona

    Tre persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti mes dy automjeteve në rrugën Prishtinë –Gjilan.

    Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti konfirmoi se aksidenti ka ndodhur rreth orës 09:40.

    “Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e aksidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”, tha ajo.

  • Kuvendi voton buxhetin për vitin 2026

    Kuvendi voton buxhetin për vitin 2026

    Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, pa përkrahjen e opozitës.

    Projektligji u miratua në shqyrtim të dytë me votat e 62 deputetëve, teksa 36 ishin kundër.

    Vlera e buxhetit është rreth 4 miliardë euro.

    Kryeministri Albin Kurti kur ka prezantuar projektligjin, ka bërë me dije se ky ligj përfshin edhe pagën e 13’të në sektorin publik.