ATV

Author: G.O.

  • Prestianni i sqaron UEFA-s se çfarë i tha Viniciusit gjatë ndeshjes

    Prestianni i sqaron UEFA-s se çfarë i tha Viniciusit gjatë ndeshjes

    Anësori i Benficas, Gianluca Prestianni, raportohet se ka kontaktuar me UEFA-n, duke sqaruar se çfarë ka thënë gjatë ndeshjes ndaj Real Madrid, ku u përfshi në një incident me Vinicius Junior.

    Prestianni shkaktoi trazira gjatë ndeshjes së parë të ‘play-off’-it të UEFA Champions League në fillim të kësaj jave, pasi Vinicius e akuzoi atë për abuzim racist, duke bërë që ndeshja të ndalej përkohësisht në pjesën e dytë.

    UEFA ka nisur hetim si përgjigje, ndërsa Real Madridi ka paraqitur prova në lidhje me incidentin, duke qenë i bindur se Prestianni ka përdorur fyerje raciste.

    Edhe lojtarët e tjerë të Real Madridit kanë kërkuar ndëshkim të rreptë për Prestiannin për sjelljen e tij të dyshuar të gabuar.

    Megjithatë, ylli argjentinas i Benficës ka insistuar dhe vazhdon të këmbëngulë se nga ana e tij nuk ka pasur asnjë thirrje raciste ndaj sulmuesit brazilian.

    Sipas ESPN, Prestianni i ka thënë UEFA-s se e ka thirrur yllin e Real Madridit me një fyerje homofobike, duke mohuar çdo vërejtje raciste.

    Ky rast tashmë është në shqyrtim dhe së shpejti pritet një vendim nëse Prestianni do të dënohet apo jo.

  • Google prezanton Pixel 10a me AI të avancuar për 499 dollarë

    Google prezanton Pixel 10a me AI të avancuar për 499 dollarë

    Kompania Google ka prezantuar Pixel 10a, smartfonin e ri të serisë “A”, i cili kombinon performancë të lartë, inteligjencë artificiale dhe qëndrueshmëri ndaj mjedisit, me një çmim prej 499 dollarë.

    Ky model i ri përfshin çipin Google Tensor G4 dhe asistentin AI Gemini, duke mundësuar përmirësime inteligjente në foto dhe video, si dhe optimizim të performancës së telefonit. Kamerat e tij – 48 MP kryesore dhe 13 MP ultra e gjerë – ofrojnë cilësi të lartë, që sipas Google janë më të mirat në klasën e telefonave nën 500 dollarë.

    Pixel 10a shquhet gjithashtu për materialet e ricikluara të përdorura në ndërtimin e tij, duke përfshirë kobalt, bakër, ar dhe volfram, si dhe për funksionin Satellite SOS, i disponueshëm në 34 vende.

    Ekrani 6.3-inch Actua është 11 për qind më i ndritshëm se ai i Pixel 9a, ndërsa bateria ofron përdorim deri në 30 orë në kushte normale dhe deri në 120 orë në modalitetin e kursimit të energjisë.

    Ekspertët e teknologjisë e konsiderojnë Pixel 10a një smartfon të balancuar, që sjell teknologji të avancuar dhe respekt për mjedisin, duke u vendosur si një alternativë konkurruese në tregun e telefonave inteligjentë me çmim mesatar.

  • Veteranët paralajmërojnë veprime të reja në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Veteranët paralajmërojnë veprime të reja në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

    Bashkëluftëtarët e ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës kanë paralajmëruar se nuk do të rrinë duarkryq për padrejtësitë që po ju bëhen atyre nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke bërë të ditur se do të ulen së shpejti për të shqyrtuar hapat e mëtejmë përmes të cilëve do të kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, raporton Ekonomia Online.

    Nga OVL-UÇK pas përfundimit të procesit gjyqësor ndaj ish-eprorëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara, janë shprehur të bindur se të akuzuarit do të shpallen të pafajshëm dhe duke paralajmëruar veprime të mundshme në ditët në vijim.

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, gjatë një interviste për Ekonomia Online akuzoi Prokurorinë se gjatë gjithë procesit ka përdorur, siç tha ai, “gënjeshtra, shpifje dhe montime” me qëllim që ta paraqesë UÇK-në si organizatë kriminale.

    “Po ne si shoqata të dala nga lufta e presim me padurim fundin, mbarimin. Prokuroria prej fillimit deri në fund, deri më ditën e mërkurë, ka gënjy, ka shpifë, ka montu, ka marrë njerëz të traumatizuar, ka marrë njerëz ashtu që kanë qenë bashkëpunëtorë të Serbisë, çdo lloj metode ka përdorur për me gjymtu apo për me e qitë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë të përbashkët kriminale. Ne e dimë që prokurorët këtë punë e kanë, se prokurorët s’kanë tjetër punë, sa më shumë materiale, sa më shumë dokumente për me u munduar me fituar rastin ata”, tha ai.

    Gucati deklaroi se beson fuqishëm se rasti nuk mund të fitohet me rrena dhe fabrikime, duke shtuar se në këtë proces, sipas tij, nuk po gjykohen vetëm individë, por e tërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe vetë shteti.

    “Unë besoj fuqishëm, së pari në Zot edhe në drejtësi, që ata s’do ta fitojnë rastin hiç. Se rasti nuk fitohet me rrena, nuk fitohet me fabrikime, nuk fitohet me njerëz poshtër të cilët e kanë trupin në Kosovë e kokën në Serbi. E kështu që duhet me shpresu fuqishëm që ata do të dalin faqebardhë, së pari shteti jonë faqebardhë, do të del Ushtria Çlirimtare e të dalin vetë ata. Se aty nuk po dënohet Presidenti Hashim Thaçi, as Jakup Krasniqi, as Rexhep Selimi, po as Kadri Veseli, po po dënohet e tërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës edhe vetë shteti. Se gjëja që tani ne paskemi bërë shtetin me, thonjëza, me kriminelë, që është turpi më i madh në botë”, tha ai.

    Ai shprehu shqetësimin që gjykata të mos jetë politike, duke theksuar se nëse do të ishte e tillë, do të ishte shumë e dëmshme për shqiptarët e Kosovës, të cilët, sipas tij, kanë përvojë të keqe nga gjykatat e Jugosllavisë dhe Serbisë.

    Duke komentuar fjalët përfundimtare të të akuzuarve, ai i cilësoi ato si mbrojtje të fuqishme të Kosovës dhe të luftës së UÇK-së, duke thënë se ata paraqitën argumente të forta në mbrojtje të tyre.

    “E kjo, unë s’besoj se do ta lejojë askush, se Gjykata duhet të jetë gjykatë jopolitike, ishalla s’është politike, se nëse është politike për ne ka me qenë shumë e dëmshme. Se shqiptarët e Kosovës kanë përvojën e keqe nga gjykatat e Jugosllavisë edhe të Serbisë të asaj kohe ku janë dënuar me qindra shqiptarë, me mijëra vjet nëpër burgje, prej bacit Adem Demaçi e më herët edhe më vonë që janë dënuar nëpër burgje serbe edhe jugosllave. Politikisht janë dënuar edhe dashtë Zoti që kjo të mos jetë gjykatë politike.

    Fjalimi i këtyre të katërtve, çka me thënë bre. Kush më mirë se ata e mbron Kosovën, ushtrinë, njerëzit e vet, kombin e vet? Kush di më mirë se ata? Të gjitha fjalimet, s’di cilën me thënë ka qenë secila ka qenë më e mirë se shoqja, secili ka diskutuar më fort se shoqi, secili i ka treguar ato realitete edhe ato argumente të veta të forta që i dhanë për Kosovën”, tha ai.

    Gucati kundërshtoi pretendimet që luftëtarët e UÇK-së të quhen kriminelë, duke theksuar se ata kanë luftuar për vendin e tyre dhe se, sipas tij, gjykata po tenton ta rishkruajë historinë shqiptare, gjë që ai beson se nuk do të ndodhë.

    “Bashkëpunëtorë të Adem Jasharit tash me u quajt kriminelë? A ndodh kjo kund në botë bre? Njeri që i ka dhënë 22 anëtarë, 56 krejt lagjen Jashari, ka qenë bashkëpunëtor i Adem Jasharit. Po të ishte gjallë ndoshta Adem Jasharin tash edhe këta me e çu atje në burg e me e akuzu pse ka luftuar për vend të vet, apo dëshmorë të tjerë, Luan Haradinaj apo Zahir Pajaziti, ai tjetri, edhe ata kanë me qenë kriminelë që kanë luftuar për vendin e vet? Do të thotë kjo gjykatë është duke u munduar në të gjitha format, edhe ajo që më ka befasuar më shumë këtë herë, s’kanë qenë këta ushtri e shtetit. Atë për herë të parë e kam dëgjuar në këtë gjykatë, kjo s’ka qenë ushtri e shtetit e kjo më ka befasuar prej prokurorëve që është qesharake mund të them, mund të them turpi më i madh i shekullit 21, kur thotë s’kanë qenë ushtri e shtetit”.

    “Po ne e dimë që ne autonominë na e ka marrë Serbia, ne e dimë që kemi qenë të barabartë në Jugosllavi me të gjitha republikat e tjera, me gjashtë republika ka qenë edhe Kosova, ka qenë e barabartë, veç emrin republikë s’e ka pasur. Ne e dimë që është shpallur një kushtetutë në Kaçanik, ne e dimë që kemi luftuar brezi pas brezi, kanë luftuar të parët tanë me ardhë deri sot ku jemi. Kjo gjykatë tenton që historinë shqiptare ta rishkruajë. Unë s’ka mundësi ta rishkruajë kjo. S’besoj se ka me pasë mundësi kjo gjykatë me bërë edhe një herë shkrimin apo mbishkrimin apo ta rishkruajë historinë e shqiptarëve. Shqiptarët e kanë shkruar me gjak, me mijëra dëshmorë, mijëra invalidë, me mijëra, qindra civilë të vrarë në këtë vendin tonë”, tha ai.

    Ai shtoi se shoqatat e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq dhe se shumë shpejt do të ulen për të diskutuar hapat e mëtejmë, pas protestës së mbajtur më 17 shkurt në Prishtinë në mbështetje të të akuzuarve.

    “Unë nuk do të thosha se s’do të marrim hapa, ne do të marrim hapa po hala s’kemi menduar as datë, as ditë, as formën e saj. Po me sa e di, ne s’do të rrimë duarkryq. Këtë e di. Shoqatat e dala nga lufta, tri shoqatat e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq me veteranë, bashkërisht me shokë tanë me krejt edhe me shoqërinë civile do të bisedojmë, do të ulemi shumë shpejt për hapat. Tash mbas 17 shkurtit që u mbajt një protestë e madhe, mbi 100 mijë vetë në Prishtinë që i përgëzoj të gjithë ata qytetarë në atë kohë të ftohtë, unë isha në Hagë, s’isha këtu, po i përgëzoj ata qytetarë që kanë marrë pjesë edhe shokët e mi i përgëzoj. Ne do të ulemi, tri shoqatat e dala nga lufta do të bisedojmë për hapat e mëtutjeshëm. Po ne do të këqyrim gjithmonë çka tash e mbas”, tha ai.

    Gucati u shpreh se pret që gjyqtarët të vendosin drejt, duke theksuar se të akuzuarit kanë luftuar në territorin e tyre dhe jo në Serbi, dhe se, sipas tij, UÇK-ja ka zhvilluar luftë për mbrojtjen e popullit të saj.

    “E unë kështu besoj si Gjykata ka me i thirrë mendjes, gjyqtarët kanë me i thirrë mendjes edhe kanë me gjetur në anën tonë, pa u thënë atyre, po vetëm drejtësia. Gjithmonë me argumente, me fakte, me sende qysh i dita ata me argumentuar. Katërshja e madhe që diti t’i argumentojë fjalët përfundimtare, çdo send. Si Presidenti, si Kadriu, si Jakupi, si Rexha, thjesht fenomenalë kanë qenë çdo send qysh dita ata. Është mirë gjyqtarët me punën e tyre me i marrë parasysh edhe pjesën negative, po edhe pjesën pozitive. Edhe me qitë atë peshoren, e mira e të keqja. Edhe gjithmonë me u kthyer kah e mira.

    Këta njerëz s’kanë shkuar në Serbi me luftuar, ne s’kemi luftuar në Serbi, ne kemi luftuar në tokën tonë, territorin tonë. Ne e kemi mbrojtur kombin tonë. Ne, a del një serb që u vra një plak, një plakë, një fëmijë i tyre që e kanë bërë masakër shqiptarët? Përkundrazi, Serbia ka bërë masakër në popullin e vet. Djem të rinj në kafenenë “Panda” në Pejë i ka prerë. Na s’i kemi prerë ata. Këtë Serbia e ka bërë. E ne s’i kemi prerë ata asnjëherë. Na s’jemi ne gjenetikisht shqiptarë me bërë masakër. Na kemi luftuar ballë për ballë me ushtri, me polici, me paramilitarë serbë, për me i larguar njëherë e përgjithmonë shkijet prej Kosove”, tha ai.

    Çështja gjyqësore kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në qytetin holandez, Hagë, ka përfunduar më 18 shkurt.

    Të mërkurën e 18 shkurtit, mbrojtjet e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, dhanë argumentet e tyre të fundit mbrojtëse.

    Ato përsëritën argumentet e tyre se Prokuroria nuk ka dëshmi për akuzat e ngritura, nuk ka arritur ta provojë fajësinë e tyre, prandaj kërkuan aktgjykim shfajësues.

    Më pas, mbrojtja e viktimave tha para trupit gjykues se ajo nuk e ka obligim t’i vërtetojë akuzat ndaj të akuzuarve.

    Në fund të ditës, ishte radha e të të akuzuarve për t’u deklaruar përfundimisht rreth akuzave me të cilat ngarkohen.

    Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, secili, ngulën këmbë në fjalët e tyre përmbyllëse se ndihen tërësisht të pafajshëm dhe mbrojtën luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si të drejtë dhe për çlirimin e një populli që po përballej me një luftë agresore.

    Ata thanë se nuk kanë kryer krime dhe se Prokuroria nuk ka mundur t’i arsyetojë akuzat, siç thanë, të pabazuara, kundër tyre.

    Pas përfundimit të deklaratave të tyre, kryegjykatësi Charles Smith III e shpalli të mbyllur çështjen gjyqësore.

    Seanca e fundit u mbajt vetëm një ditë pasi mijëra qytetarë, në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të katërshes të UÇK-së dhe për të kërkuar gjykim të drejtë.

  • Premtuan shërim jashtë shtetit, Policia arreston dy persona për mashtrim në vlerë 130 mijë euro

    Premtuan shërim jashtë shtetit, Policia arreston dy persona për mashtrim në vlerë 130 mijë euro

    Dy persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë mashtruar një burrë me premtimin se do ta dërgojnë jashtë vendit për shërim duke ia marrë 130 mijë euro.

    Policia tha se ngjarja ka nisur më 2023 në Lipjan e Malishevë, duke shtuar se me vendim të prokurorit njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.

    “Me datë 20.02.2026 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që kishin mashtruar viktimën, ku kanë arrit të dëmtojnë në vlerë prej 130.000€, duke premtuar se do të dërgojnë jashtë shtetit për shërim. Si prova materiale janë sekuestruar dy telefona mobil, dy kartela të spitaleve dhe një kartelë bankare”, thuhet në raportin e policisë.

  • Gjilan: Djali i mitur godet babanë me sëpatë, viktima dërgohet në QKUK

    Gjilan: Djali i mitur godet babanë me sëpatë, viktima dërgohet në QKUK

    Një person në Gjilan është goditur me sëpatë nga djali i tij i mitur dhe është dërguar me urgjencë në Spital.

    Siç njofton Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, për shkak të gjendjes së rëndë, viktima është transportuar më pas në QKUK për trajtim të mëtejshëm.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe përfaqësuesi i QPS-së, i cili është marrë me të miturin.

    Punëtori social ka konstatuar nevojën emergjente për strehim të fëmijës për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike dhe situatës traumatike.

    Rasti është nën hetim.

    “Gjilan 20.02.2026 -19:30. Nga Spitali Rajonal është marrë informata se viktima mashkull kosovar, është sjellë me urgjencë për shkak të lëndimeve të pësuara nga goditja me sëpatë, nga i dyshuari mashkull kosovar djali i tij i moshës se mitur. Viktima pas ekzaminimeve mjekësore për shkak të gjendjes së rëndë është transportuar për në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe përfaqësuesi i QPS-së i cili është marrë me personin e mitur. Punëtori social ka realizuar vlerësimin fillestar të fëmijës ku është konstatuar nevoja emergjente për strehimin e fëmijës për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike dhe situatës traumatike të shkaktuar nga ngjarja. Rasti duke u hetuar”.

  • DASh: Presim të bashkëpunojmë me Qeverinë e re të Kosovës

    DASh: Presim të bashkëpunojmë me Qeverinë e re të Kosovës

    Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes një komunikate është deklaruar për takimin që Sekretari i Shtetit, Marco Rubio ka zhvilluar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku kjo e fundit, vlerësohet si ‘’partnere e përkushtuar në Ballkanin Perëndimor’’.

    Në komunikatën e DASH, thuhet edhe se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që të bashkëpunojnë me qeverinë e re të Kosovës, për të avancuar agjendën e përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet ekonomik.

    ”Takimi i Sekretarit Rubio me Presidenten e Kosovës Osmani

    Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, u takua sot me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, një partnere e përkushtuar në Ballkanin Perëndimor. Sekretari e falënderoi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për faktin që janë anëtar themelues i Bordit të Paqes dhe për kontributin me burime në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.

    Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me qeverinë e re të Kosovës për të avancuar agjendën tonë të përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet ekonomik”, thuhet nënjoftimin e DASHI’it.

  • Sot rivarroset dëshmori Agron Gjocaj

    Sot rivarroset dëshmori Agron Gjocaj

    Rivarrimi i dëshmorit të kombit, Agron (Sadri) Gjocaj, do të bëhet sot në orën 13:00 në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Baballoq të Deçanit.

    Agron (Sadri) Gjocaj kishte rënë dëshmor më 18 gusht 1998 në trekufi.

    Eshtrat e tij janë gjetur pas 28 vjetësh, duke mundësuar kështu rivarrimin me nderime në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Baballoq.

  • Rritet bilanci i viktimave nga ortekët në Austri, shkon në 5 numri i të vdekurve

    Rritet bilanci i viktimave nga ortekët në Austri, shkon në 5 numri i të vdekurve

    Numri i të vdekurve nga ortekët në Austri është rritur në pesë, pasi një person ndërroi jetë në spital nga plagët e marra, njoftuan autoritetet lokale të premten.

    Dy persona u rrëmbyen nga një ortek në qendrën e skive St. Anton am Arlberg, në Tirol, dhe më vonë u gjetën të vdekur, tha policia shtetërore. Nga tre personat e plagosur që u shpëtuan në të njëjtën zonë, njëri përfundoi në spital atë mbrëmje, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në pesë. Autoritetet nuk bënë të ditura moshat apo kombësitë e të ndjerëve.

    Në Klösterle, në shtetin e Vorarlberg, një zviceran 39-vjeçar humbi jetën teksa po bënte snowboard së bashku me një gjerman 47-vjeçar.

    39-vjeçari u rrëmbye nga orteku rreth 250 metra larg dhe u varros nën dëborë, ndërsa shoqëruesi i tij 47-vjeçar nuk pësoi lëndime.

    Më herët, një gjerman 42-vjeçar vdiq në një ortek në Nauders, Tirol. Ai po bënte ski jashtë pistës me djalin e tij 16-vjeçar, i cili u shpëtua me lëndime të rënda, sipas policisë.

    Ortekët ndodhën në zona të ndryshme të Alpeve austriake, në kushte rreziku të shtuar për shkak të motit të përkeqësuar.

  • Forcat amerikane sulmojnë motoskafin e dyshuar për trafik droge në Paqësor, vriten 3 persona

    Forcat amerikane sulmojnë motoskafin e dyshuar për trafik droge në Paqësor, vriten 3 persona

    Forcat amerikane kanë nisur një sulm ajror ndaj një motoskafi në Paqësorin lindor të premten, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në trafik droge. Si pasojë e sulmit, tre persona në bord janë vrarë, sipas një deklarate të United States Southern Command.

    United States Southern Command (SOUTHCOM) tha se motoskafi ishte i përfshirë në operacione të trafikut të drogës dhe se tre “narko-terroristë” u vranë gjatë sulmit.

    Njoftimi u shoqërua edhe me një video që, sipas autoriteteve amerikane, kap momentin e goditjes së anijes në Paqësorin lindor.

    Nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me identitetin e viktimave apo vendin e origjinës së anijes.

    Sipas të dhënave nga SOUTHCOM, që nga shtatori i kaluar SHBA-të kanë kryer më shumë se 40 sulme ndaj anijeve që dyshohet se trafikojnë drogë në Karaibe dhe Paqësor.

    Numri i të vdekurve në këto operacione është të paktën 147. Megjithatë, Uashingtoni ende nuk ka paraqitur prova për të vërtetuar se të gjitha anijet e goditura ishin në të vërtetë të përfshira në aktivitete të paligjshme, gjë që ka ngritur pikëpyetje lidhur me fushëveprimin dhe kuadrin ligjor të këtyre operacioneve ushtarake.

  • Britania shqyrton heqjen e Andrew nga linja e trashëgimisë mbretërore

    Britania shqyrton heqjen e Andrew nga linja e trashëgimisë mbretërore

    Qeveria britanike po shqyrton futjen e legjislacionit për ta hequr Andrew Mountbatten-Windsor nga linja e trashëgimisë mbretërore, në një lëvizje që do ta pengonte atë të bëhej ndonjëherë Mbret.

    Ministri britanik i Mbrojtjes, Luke Pollard, i tha BBC-së se masa ishte gjëja e duhur për t’u bërë, pavarësisht nga rezultati i hetimit policor.

    Aktualisht, Andrew, vëllai i Charles III, mbetet i teti në radhë për fronin, pavarësisht se iu hoqën titujt e tij, përfshirë atë të “princit”, tetorin e kaluar, për shkak të presionit lidhur me raportet për lidhjet e tij me Jeffrey Epstein.

    Propozimi i qeverisë vjen pasi disa deputetë, përfshirë Demokratët Liberalë dhe SNP-në, kanë sinjalizuar mbështetjen për një legjislacion të tillë. Ndërkaq, disa parlamentarë laburistë që kanë qenë kritikë ndaj monarkisë i thanë BBC-së se ishin më pak të bindur për nevojën e këtij veprimi, pjesërisht sepse është shumë e pamundur që ish-Duka i Jorkut t’i afrohet ndonjëherë fronit.

    Në tetor, Downing Street kishte deklaruar se nuk kishte plane për të futur një ligj për të ndryshuar linjën e trashëgimisë.

    Pas zhvillimeve të fundit, historiani David Olusoga i tha BBC Newsnight se tani ekziston “një dëshirë e dëshpëruar brenda qeverisë dhe brenda pallatit për të krijuar një mur mbrojtës midis kësaj krize dhe monarkisë në përgjithësi”.

    Një hap i tillë do të kërkonte një akt të Parlamentit, i cili duhet të miratohet nga deputetët dhe kolegët dhe të hyjë në fuqi pasi të marrë pëlqimin mbretëror nga Mbreti. Po ashtu, do të duhej të mbështetej nga 14 vendet e Komonuelthit ku Charles III është kreu i shtetit, përfshirë Kanadanë, Australinë, Xhamajkën dhe Zelandën e Re.

    Të enjten në mbrëmje, Andrew u lirua nën hetim 11 orë pas arrestimit me dyshimin për sjellje të keqe në detyrën publike. Ai vazhdimisht dhe me forcë ka mohuar çdo shkelje.

    Duke folur në programin “Any Questions” të BBC Radio 4, Pollard konfirmoi se qeveria kishte punuar me Pallatin e Buckinghamit për planet që do ta ndalonin ish-princin.

    Të premten, makina dhe furgonë policie pa targa u panë duke hyrë në Royal Lodge, pronën në Windsor ku Andrew ka jetuar për shumë vite. Në një moment, më shumë se 20 automjete u panë të parkuara në pronë, megjithëse nuk dihet nëse të gjitha ishin të lidhura me hetimin dhe kontrollet. Policia e Luginës së Thames, forca që e arrestoi atë, pritet të vazhdojë kontrollin në Royal Lodge deri të hënën.