ATV

Author: G.O.

  • Ngordhin tre lopë, Bruceloza prek fermën në Lubishtë të Vitisë, sëmundja mund të kalojë edhe te njerëzit

    Ngordhin tre lopë, Bruceloza prek fermën në Lubishtë të Vitisë, sëmundja mund të kalojë edhe te njerëzit

    Në fshatin Lubishtë të Vitisë, 12 lopë të një fermeri kanë rezultuar pozitive me brucelozë, sëmundje bakteriale ngjitëse që mund të kalojë edhe tek njerëzit. Ndërsa Fermeri dhe banorët janë të shqetësuar, autoritetet ende nuk kanë ndërmarr masa për asgjësimin e kafshëve të infektuara.

    Fermeri Izet Ferizi nga Lubishta e Vitisë kujdeset çdo ditë për 60 krerë lopë.

    Por, 12 nga to, së fundi i janë sëmurë me Burculoza, sëmundje kjo bakteriale ngjitëse që prek kryesisht lopët, delet dhe dhitë, por mund të kaloj edhe tek njerëzit.

    Nga kjo sëmundje Ferizit deri tash i kanë ngordhur 3 lopë.

    Ferizi nuk e ka frikën që po i infektohen lopët e tjera, por që sëmundja mund të bartet edhe tek njerëzit.

    Andaj ai kërkon nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë që sa më shpejt të asgjësoj lopët e infektuara.

    Ai thotë se do tw detyrohet që nga nesër do t’i lëshoj lopët në kullosë, pavarësisht kërkesës së bashkëfshatarëve që t’i mbaj në shtallë.

    Edhe Kryetari i fshatit, Vehbi Xhymshiti është i shqetësuar për këtë situatë.

    ATV ka provuar që të marrë në përgjigje nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë si dhe Ministria e Bujqësisë lidhur me atë se kur pritet të ndërmarrin masa lidhur me këtë situatë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.

  • Gjendet i moshuari i zhdukur nga Rahoveci

    Gjendet i moshuari i zhdukur nga Rahoveci

    Është gjetur i moshuari Alush Kastrati, i cili ishte shpallur i zhdukur që nga 7 marsi në fshatin Zatriq të Rahovecit.

    Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim njoftoi se 80-vjeçari u lokalizua pas angazhimit dhe kërkimeve intensive të ekipeve të saj, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policinë e Kosovës.

    “Pas angazhimit dhe kërkimeve intensive nga ekipet e Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Policinë e Kosovës, është gjetur personi i zhdukur, z. Alush Kastrati”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

    Shoqata falënderoi gjithashtu vullnetarët, institucionet dhe qytetarët që kontribuan në operacionin e kërkimit, duke theksuar se bashkëpunimi dhe solidariteti i tyre ishte i rëndësishëm për përfundimin e suksesshëm të misionit.

    Për gjendjen shëndetësore të 80-vjeçarit pritet të jepen informacione shtesë në vijim.

  • Kurti priti në takim Komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ulutaş

    Kurti priti në takim Komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ulutaş

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Özkan Ulutaş.

    Në komunikatë bëhet e ditur se Komandanti Ulutaş e uroi kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës dhe diskutuan për bashkëpunim të ngushtë mes misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

    “Në takim u diskutua për situatën e sigurisë, në një kohë të zhvillimeve dhe ndryshimeve të mëdha në botë që mund të paraqesin sfida për sigurinë, me ç’rast Kryeministri vlerësoi komunikimin e mirë dhe të vazhdueshëm. Kryeministri Kurti e falënderoi komandantin Ulutaş për kontributin dhe rolin e tij të rëndësishëm në udhëheqjen e KFOR-it dhe për bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Disa studentë e profesorë protestojnë në veri kundër integrimit në sistemin kosovar të arsimit

    Disa studentë e profesorë protestojnë në veri kundër integrimit në sistemin kosovar të arsimit

    Disa studentë dhe profesorë të Universitetit në Mitrovicën e Veriut kanë protestuar të mërkurën kundër shkrirjes së sistemit të tyre të arsimit në atë kosovar.

    Duke mbajtur pankarta me mbishkrime si “Pse po hesht Beogradi” dhe “Sipas cilit sistem të marrim frymë”, ata u mblodhën në qendër të qytetit për ta kundërshtuar synimin e autoriteteve kosovare për një sistem të vetëm arsimor.

    Universiteti në Mitrovicën e Veriut punon në sistemin e Serbisë.

    Studenti i Fakultetit Filologjik në këtë universitet, Lluka Peçenkoviq, tha se “jemi lënë në mëshirë të fatit”, dhe se autoritetet po heshtin sepse “kështu janë urdhëruar”.

    Ai tha gjithashtu se protesta e së mërkurës u mbajt pa mbështetjen e rektoratit dhe se themeluesi i universitetit, pra Qeveria e Serbisë, “na e ka kthyer shpinën”.

    “Profesorë, të tjerë që kanë frikë, që janë të shantazhuar, gjithsesi do të humbim. Ata që ju kërcënojnë me humbjen e vendit të punës, nuk do të mund ta zbatojnë atë kërcënim. Luftoni për interesin tuaj dhe tonin, interesin e përbashkët”, tha Peçenkoviq.

    Profesoresha Mitra Reliq u bëri thirrje autoriteteve kosovare që t’u lëshojnë “vërtetim për jetë”, për arsimim dhe për ruajtjen e identitetit, ndërsa Beogradin zyrtar e ftoi të qëndrojë përkrah Universitetit që e ka themeluar.

    Çështja e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit serb në Kosovë u ngrit në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri Albin Kurti theksoi se sistemi i dyfishtë nuk është i qëndrueshëm dhe se është e nevojshme shkrirja e tyre në një.

    Ai tha asokohe se për integrimin do të punohej së bashku me përfaqësuesit politikë të komunitetit serb, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare, gjë që ua përcolli përsëri ambasadorëve të vendeve të QUINT-it (SHBA, Francë, Britani e Madhe, Gjermani dhe Itali) në dy raste që nga fillimi i vitit.

    Megjithatë, deri më tani nuk është saktësuar qartë se cilat modele të integrimit po shqyrtohen.

    Bashkimi Evropian, në një përgjigje për REL, kishte deklaruar se statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore që në Kosovë mbështeten nga Serbia do të zgjidhet në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe me ligjet e Kosovës.

    Për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit ngul këmbë edhe Beogradi zyrtar, si dhe Lista Serbe si partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e pushtetit të tanishëm në Serbi.

    Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës më 10 shkurt i dha afat prej 30 ditësh Fakultetit të Shkencave Teknike të Universitetit në Mitrovicën e Veriut që të largohet nga hapësirat që përdor ose të fillojë të paguajë qira.

    Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha më herët për Radio Evropa e Lirë se kërkesa për lirimin e pronës së “uzurpuar” është dërguar në bazë të ligjeve në fuqi dhe procedurave të Kosovës.

    Ai tha gjithashtu se Universiteti i Prishtinës është i përkushtuar për vënien në përdorim të “të gjitha objekteve dhe hapësirave të tij, për të cilat ekziston nevojë e madhe, pa vonesa të mëtejshme”.

    Nga ana tjetër, rektori i Universitetit në Mitrovicën e Veriut, Nebojsha Arsiq, kishte thënë për portalin Kossev se Fakulteti i Shkencave Teknike nuk funksionon në sistemin juridik të Kosovës dhe se nuk kishte mundësi t’i përgjigjej kërkesës në mënyrë institucionale, por se në lidhje me hapat e mëtejshëm “pret udhëzime”.

  • Arrestohen në flagrancë dy të dyshuar për fajde, i kërkonin viktimës shtëpinë e lokalet në vlerë rreth 1 milion euro në emër të kamatave

    Arrestohen në flagrancë dy të dyshuar për fajde, i kërkonin viktimës shtëpinë e lokalet në vlerë rreth 1 milion euro në emër të kamatave

    Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren kundër fajdeve, ku ka arrestuar dy persona të dyshuar.

    Sipas Prokurorisë, të dyshuarit me veprimet e tyre në vazhdimësi kanë detyruar viktimën të paguaj shuma të ndryshme të parave si interes për fajde, si dhe në emër të kamatave të fajdesë përmes formave të ndryshme të presionit, kanë kërkuar nga viktima marrjen e shtëpisë dhe dy lokaleve të tij në Prizren, vlera e te cilave është rreth 1 milion euro.

    Ata janë arrestuar në flagrancë gjatë përpjekjes se tyre për ta detyruar viktimën në rregullimin e dokumentacionit për bartjen e pronësisë së shtëpisë dhe dy lokaleve pronë e viktimës.

    “Me urdhëresë nga gjykata është kontrolluar vendbanimi i dy të dyshuarve, me ç ’rast janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj te dyshuarve. Ndaj dy të dyshuarve E.K., dhe A.K., Prokurori i Shtetit – PTH-Prizren ka lëshuar aktvendim për ndalim”, thuhet në njoftim.

    Më poshtë gjeni pamje nga aksioni:

  • Rama reagon për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mbylljen e TikTok-ut

    Rama reagon për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mbylljen e TikTok-ut

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar së fundmi përmes një postimi në “X” lidhur me vendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese e cila ka konsideruar mbylljen e TikTok-ut si antikushtetuese dhe se ka cenuar lirinë e shprehjes.

    Rama shkruan se sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TikTok. Sipas tij falë mbylljes së TikTok sot prindërit dhe mësuesit mund të jenë më të lehtësuar. Ai thekson se hapja e TikTok u bë pasi kompania ka shtuar masat extra.

    “Gjykata Kushtetuese mendoka që 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TIKTOK-ut! Fatmirësisht ne e rihapëm TIKTOK-un vetëm falë mirëkuptimit që gjetëm tek kompania për masat extra që u morën prej saj, pikërisht nga impakti i mbylljes, se të ishte për Gjykatën Kushtetuese, s’do ishte mbyllur fare dhe as masat pozitive s’do kishin ardhur dot! Falë asaj mbylljeje sot prindërit dhe mësuesit mund të jenë pakëz më të lehtësuar, ndërsa falë këtij vendimi që s’dua t’ia ve emrin që ka, shpifësit mund të ndjehen të inkurajuar”, shkruan Rama.

    Mbyllja e TikTok-ut, Gjykata Kushtetuese në Shqipëri: Cenoi lirinë e shprehjes

  • Mbyllja e TikTok-ut, Gjykata Kushtetuese në Shqipëri: Cenoi lirinë e shprehjes

    Mbyllja e TikTok-ut, Gjykata Kushtetuese në Shqipëri: Cenoi lirinë e shprehjes

    Gjykata Kushtetuese në Shqipëri u shpreh për mbylljen e platformës TikTok, duke deklaruar se vendimi ishte antikushtetues dhe u cenua liria e shprehjes.

    Sipas gjykatës aplikacioni i TikTok nuk mund të bllokohej me vendim qeverie, raporton TopChannel.

    “Mbyllja e TikTok me vendim qeverie ishte antikushtetuese. Kufizimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve mund të bëhet vetëm me ligj”, argumenton Kushtetuesja.

  • Furgoni përplaset me barrikadën e Shtëpisë së Bardhë, arrestohet shoferi i tij

    Furgoni përplaset me barrikadën e Shtëpisë së Bardhë, arrestohet shoferi i tij

    Një shofer është ndaluar pasi përplasi një furgon me një barrikadë pranë Shtëpisë së Bardhë të mërkurën në mëngjes.

    Oficerët u dërguan për të ndihmuar agjentët e Shërbimit Sekret rreth orës 6:37 të mëngjesit të mërkurën, pasi një furgon kaloi një barrikadë sigurie pranë rezidencës presidenciale.

    Sipas policisë së kryeqytetit amerikan, nuk raportohet se nuk pati të lënduar, transmeton Telegrafi.

    Një incident i ngjashëm ndodhi në tetor, kur një burrë u arrestua për përplasjen e automjetit të tij me një barrierë sigurie të Shtëpisë së Bardhë.

    Përplasja çoi në bllokimin e Shtëpisë së Bardhë dhe një reagim nga skuadra e deminimit, e cila përfundimisht e konsideroi situatën të sigurt. /Telegrafi/

  • Shiste kokainë të ndarë në doza, arrestohet 33-vjeçari në Fier

    Shiste kokainë të ndarë në doza, arrestohet 33-vjeçari në Fier

    Policia e Fierit, arreston 33-vjeçarin Arnold Levendi, pasi shiste lënë narkotike kokainë. 33-vjeçari me precedent për krime në fushën e narkotikëve.

    Nga kontrolli fizik, atij iu gjet një dozë lënde e dyshuar narkotike Kokainë, ndërsa nga kontrolli në automjetin që drejtonte, u gjetën 23 gramë të së njëjtës lëndë, të siguruara dyshohet me qëllim shitjen.

    Bashkë me lëndën narkotike, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, automjeti dhe 2 celularët e të arrestuarit, shkruan Abcnews.al.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

  • Aksion kundër nxjerrjes ilegale të thëngjillit në Vushtrri, arrestohen gjashtë persona

    Aksion kundër nxjerrjes ilegale të thëngjillit në Vushtrri, arrestohen gjashtë persona

    Një aksion kundër nxjerrjes ilegale të thëngjillit është zhvilluar në tri lokacione të komunës së Vushtrri, ku janë arrestuar gjashtë persona dhe janë sekuestruar disa mjete pune që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprimtarisë së paligjshme.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, aksioni është realizuar në koordinim me Policia e Kosovës në fshatrat Bivolak, Zhilivodë dhe Stroc, pas dyshimeve për nxjerrje ilegale të thëngjillit në këto zona.

    “Gjatë aksionit janë arrestuar gjashtë persona të cilët do të intervistohen nga policia, me dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’ dhe ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, gjatë operacionit janë sekuestruar tre eskavatorë, gjashtë kamioneta dhe një traktor, të cilat dyshohet se janë përdorur për nxjerrjen ilegale të thëngjillit.

    Nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë është theksuar se institucionet e drejtësisë mbeten të përkushtuara në luftimin e veprave penale që dëmtojnë mjedisin.

    “Prokuroria Themelore në Mitrovicë mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që cenojnë mjedisin dhe do të vazhdojë me vendosmëri të ndjekë penalisht të gjithë ata që shkaktojnë dëme ndaj natyrës dhe pasurisë së përbashkët”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/