ATV

Author: G.O.

  • Rrah motrën në Pejë, i riu përfundon në Polici

    Rrah motrën në Pejë, i riu përfundon në Polici

    Një rast i dhunës në familje është raportuar të premten mbrëma në Pejë, ku një i ri dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj motrës së tij.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30, në rrugën “Abdyl Frashëri”, ku policia ka pranuar informacion për një incident brenda familjes.

    Patrulla policore që ka dalë në vendin e ngjarjes ka takuar E.K., dhe vëllain e saj L.K., të cilët më pas janë shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë për procedura të mëtejshme.

    Sipas të dhënave nga hetimet, pas një përplasjeje verbale mes tyre brenda shtëpisë, situata ka eskaluar në dhunë fizike. I dyshuari dyshohet se e ka goditur motrën me pëllëmbë në anën e majtë të fytyrës, duke i shkaktuar lëndim të dukshëm në faqe.

    Megjithëse kishte shenja të lëndimit, viktima ka refuzuar trajtimin mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

    Lidhur me rastin është njoftuar edhe Qendra për Punë Sociale, ndërsa pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë për veprën penale “Dhunë në familje”.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.

  • Ambasadori gjerman përgëzon Kosovën për Ligjin për të huajt: Ndërtimi mbi këtë progres do të jetë kyç

    Ambasadori gjerman përgëzon Kosovën për Ligjin për të huajt: Ndërtimi mbi këtë progres do të jetë kyç

    Ambasadori gjerman, Rainer Rudolph, ka mirëpritur gatishmërinë e Kosovës për t’u pajtuar që Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjetet të fillojë të zbatohet me disa masa shtesë.

    Në platformën X, ai ka shkruar për rëndësinë e marrëveshjes për mënyrën e zbatimit të këtyre ligjeve dhe për sigurimin e dokumenteve për qytetarët serbë.

    “Mirë që u arrit pajtimi për mënyrën e zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete në Kosovë. Sigurimi i lejeve të qëndrimit dhe punës për punëtorët dhe studentët, shmangia e ndërprerjes së shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, si dhe gjetja e zgjidhjeve praktike për lëshimin e dokumenteve për të gjithë qytetarët e Kosovës janë çështje të rëndësishme. Ndërtimi mbi këtë progres do të jetë kyç”, ka shkruar diplomati gjerman.

  • Braktisin dy vetura me cigare kontrabandë dhe ikin drejt Serbisë, policia konfiskon mallra deri në 85 mijë euro

    Braktisin dy vetura me cigare kontrabandë dhe ikin drejt Serbisë, policia konfiskon mallra deri në 85 mijë euro

    Një rast i kontrabandimit të mallrave është zbuluar në veri të vendit, pasi policia ka hasur dy automjete të ngarkuara me sasi të madhe cigaresh pranë vijës kufitare me Serbinë.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 në fshatin Tresave të Leposaviqit, ku njësitë e NJNSH-së gjatë patrullimit kanë vërejtur dy automjete që lëviznin në drejtim të vijës kufitare me Serbinë.

    Bëhet fjalë për një kombi Mercedes me targa gjermane dhe një pikap me targa KV-1..-XP.

    Sapo të dyshuarit kanë vërejtur patrullën policore, ata kanë ndalur automjetet dhe janë arratisur në këmbë në drejtim të territorit të Serbisë, duke i braktisur veturat në vend.

    Gjatë kontrollit të automjeteve, policia ka gjetur sasi të mëdha cigaresh të kontrabanduara. Në pikap janë gjetur 47 paketime cigare, ndërsa në kombi 54 paketime, me një vlerë të përgjithshme që dyshohet të arrijë nga 80 deri në 85 mijë euro.

    Po ashtu, në njërin nga automjetet është gjetur edhe një radiolidhje dore, e cila dyshohet se përdorej për komunikim gjatë kontrabandës.

    Automjetet janë dërguar në Bazën në Jarinjë, ndërsa më pas janë proceduar për në Terminalin Doganor në Mitrovicë.

    Në konsultim me Prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti “Kontrabandim i mallrave”,ndërsa hetimet për identifikimin e të dyshuarve janë në zhvillim.

  • Katër gjëra që duhet të bëni pas orës 5 pasdite për stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak

    Katër gjëra që duhet të bëni pas orës 5 pasdite për stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak

    Mjekët endokrinologë thonë se zakonet e mbrëmjes mund të kenë ndikim të madh në kontrollin e sheqerit në gjak, sidomos te personat që jetojnë me diabet.

    Përveç ushqimit, faktorë të tjerë si stresi, gjumi, aktiviteti fizik dhe ora e ditës ndikojnë në mënyrën si trupi përpunon sheqerin. Në mbrëmje, hormoni insulinë bëhet më pak efektiv, gjë që mund ta vështirësojë kontrollin e glukozës në gjak, ka shkruar EatingWell.

    “Ndjeshmëria ndaj insulinës bie natyrshëm në fund të pasdites dhe në mbrëmje si pjesë e ritmit të orës së brendshme biologjike. Kjo është arsyeja pse disa njerëz ndihen më të lodhur ose kanë më shumë dëshirë për ushqim në fund të ditës. Është një proces normal biologjik, por tregon se zakonet e mbrëmjes kanë më shumë rëndësi sesa mendohet”, shpjegon endokrinologia Rekha Kumar.

    Ekspertët rekomandojnë disa zakone të thjeshta pas orës 17:00 që mund të ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të sheqerit në gjak.

    Ecni pak pas darkës

    Aktiviteti fizik ndihmon trupin të përdorë më mirë insulinën.

    “Ecja është një nga ushtrimet më të mira për kontrollin e sheqerit në gjak”, ka thënë endokrinologia Melina Roman Gerardino.

    Një shëtitje e shkurtër mund të bëjë ndryshim.

    “Të ecësh për 10-15 minuta pas darkës mund të kufizojë rritjet e menjëhershme të sheqerit në gjak pas ushqimit”, ka thënë mjekja Vanessa Curtis.

    Sipas Kumar, edhe lëvizjet e lehta në shtëpi mund të ndihmojnë.

    “Lëvizjet e lehta, si shtrirja e trupit ose punët e shtëpisë, i ndihmojnë muskujt të përthithin më mirë glukozën”, ka thënë ajo, duke theksuar se vazhdimësia është më e rëndësishme se intensiteti.

    Hani darkën më herët

    Ekspertët rekomandojnë që darka të hahet të paktën dy ose tre orë para gjumit.

    “Darkat e vona rrisin nivelin e sheqerit në gjak gjatë natës dhe ulin ndjeshmërinë ndaj insulinës”, ka thënë endokrinologu Andres Splenser.

    Disa specialistë sugjerojnë edhe një agjërim gjatë natës prej rreth 12 orësh, por kjo duhet diskutuar me mjekun.

    Zgjidhni ushqime të pasura me fibra

    Fibrat, që gjenden në fruta, perime, drithëra të plota dhe bishtajore, ndihmojnë në stabilizimin e sheqerit në gjak.

    “Ngrënia e fibrave ngadalëson përthithjen e karbohidrateve, kështu që sheqeri rritet më gradualisht dhe pankreasi nuk duhet të prodhojë shumë insulinë”, ka shpjeguar Curtis.

    Sipas Splenser, ushqimet me fibra mund të përmirësojnë edhe ndjeshmërinë ndaj insulinës.

    Ekspertët sugjerojnë që në darkë të konsumohen rreth 8 gramë fibra dhe që gjysma e pjatës të jetë me perime.

    Kujdesuni për gjumin

    Gjumi dhe sheqeri në gjak janë të lidhur ngushtë. Gjumi i dobët mund ta vështirësojë kontrollin e glukozës.

    Për gjumë më të mirë, ekspertët këshillojnë:

    -të shkoni në shtrat në të njëjtën orë çdo natë

    -të mbani dhomën të errët dhe të freskët

    -të shmangni ekranet të paktën një orë para gjumit

    -të relaksoheni me muzikë, lexim ose meditim

    Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu të shmangen disa zakone në mbrëmje, si ngrënia vonë gjatë natës, pijet me shumë sheqer, qëndrimi i gjatë ulur dhe konsumimi i alkoolit.

    Në fund, mjekët thonë se edhe ndryshimet e vogla në rutinën e mbrëmjes mund të kenë ndikim të madh në shëndet.

    “Vazhdimësia është çelësi për krijimin e zakoneve të shëndetshme dhe të qëndrueshme”, kanë thënë ekspertët, duke këshilluar që çdo person të konsultohet me mjekun për një plan të përshtatshëm për veten.

  • Begaj uron Ditën e Verës: Gëzim dhe begati për çdo familje shqiptare

    Begaj uron Ditën e Verës: Gëzim dhe begati për çdo familje shqiptare

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar qytetarët me rastin e Dita e Verës.

    Në një postim në rrjetet e tij sociale, Begaj ka shprehur urimet më të ngrohta për këtë festë tradicionale, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe vlerave kulturore. Ai gjithashtu ka inkurajuar qytetarët që ta festojnë këtë ditë me gëzim dhe optimizëm.

    “Gëzuar Ditën e Verës! Një nga festat që ka mbijetuar përtej shekujve, e lidhur ngushtë me natyrën dhe me shpirtin e popullit tonë. Sjelltë kjo festë e bukur e traditës sonë gëzim, optimizëm dhe begati në çdo familjeje shqiptare!”, shkruan Begaj.

  • Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim akuzohet për bashkëpunim me UDBA-n

    Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim akuzohet për bashkëpunim me UDBA-n

    Komisionerja e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Marta Kos, po përballet me akuza të reja se ka bashkëpunuar me policinë sekrete jugosllave (UDBA) në vitet 1980, pasi një anëtare e Parlamenti Evropian pretendon se ka prova të reja, raporton “Politico”.

    Akuzat, të cilat u ngritën edhe gjatë seancës së konfirmimit të komisioneres sllovene në Parlament në vitin 2024 dhe që Kos i mohoi atëherë, janë rikthyer sërish para zgjedhjeve të 22 marsit në Slloveni, me mbështetje nga partia e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    Eurodeputetja sllovene Romana Tomc, nënkryetare e partisë së qendrës së djathtë Partia Popullore Evropiane — grupi më i madh në Parlament — ka thënë të enjten se i ka dërguar një letër Komisionit Evropian duke pretenduar se ka prova të reja se Kos ka bashkëpunuar me agjencinë e spiunazhit të Jugosllavisë. Ajo ka kërkuar hetim.

    Sllovenia pritet të zhvillojë zgjedhje më vonë gjatë këtij muaji. Në këto zgjedhje përballen koalicioni qeverisës majtas-liberal, ku Kos ishte pjesë më parë, dhe Partia Demokratike Sllovene e djathtë, së cilës i përket edhe Tomc. PDS-ja aktualisht kryeson në sondazhe.

    “Kos nuk ka qenë e sinqertë kur mohoi bashkëpunimi me shërbimin sekret jugosllav… ne duhet të bëjmë diçka me këtë informacion”, ka thënë Tomc për “Politico”:

    Kos nuk i ka komentuar akuzat e reja. Por një zyrtar i Komisionit Evropian ka thënë se Kos “ka kaluar procesin e gjerë dhe të plotë të verifikimit” për t’u bërë komisionere, duke shtuar se Parlamenti “e miratoi emërimin e komisioneres Kos në të njëjtin proces si për të gjithë 27 komisionerët”.

    “Ajo [Kos] është shumë e vetëdijshme se kundërshtarët politikë do të përdorin gjëra të tilla për të fituar pikë në zgjedhjet sllovene, por ajo është plotësisht e përqendruar në punën e saj si komisionere për zgjerim”, ka thënë një zyrtar në kabinetin e saj në kushte anonimiteti.

    Kos do të paraqitet të hënën para Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit për të diskutuar zgjerimin dhe pritet gjithashtu të përballet me pyetje për këto akuza.

    Në Parlamentin në Strasbourg të martën, Tomc prezantoi një libër të autorit slloven Igor Omerza, që sipas saj përmban dokumente që dëshmojnë se Kos ka punuar me agjencinë jugosllave të spiunazhit.

    Pyetjet e eurodeputetes sllovene drejtuar Komisionit përfshijnë nëse ekzekutivi i BE-së synon të hetojë pretendimet ndaj Kos dhe nëse zbulime të tjera mund të ndikojnë në “besueshmërinë” e komisioneres.

    “Nuk kam qenë kurrë bashkëpunëtore apo informatore e shërbimit sekret të Jugosllavisë”, u kishte thënë Kos eurodeputetëve gjatë seancës dëgjimore në vitin 2024, duke i quajtur akuzat “gënjeshtra” dhe “dezinformata”.

    Kos planifikonte ta vizitonte Kosovën të enjten. Por vizita u shty për shkak të zhvillimeve politike në vend.

  • Kompromisi për Ligjin për të huajt, Guerot: Vullneti i mirë i palëve ka bërë të mundur gjetjen e zgjidhjeve konkrete

    Kompromisi për Ligjin për të huajt, Guerot: Vullneti i mirë i palëve ka bërë të mundur gjetjen e zgjidhjeve konkrete

    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka mirëpritur pajtimin e Qeverisë së Kosovës që zbatimi i Ligjit për të Huajt të fillojë me disa masa shtesë.

    Në platformën X, ai ka shkruar se vullneti i mirë i të gjitha palëve ka mundësuar gjetjen e zgjidhjeve konkrete. Sipas tij, është thelbësore që veprimet e ndërmarra të mos ndikojnë negativisht në kushtet e jetesës së komunitetit serb të Kosovës.

    “E mirëpres njoftimin e përbashkët nga Sorensen, Orav dhe kryeministri Kurti. Vullneti i mirë i të gjitha palëve ka bërë të mundur gjetjen e zgjidhjeve konkrete. Është thelbësore që veprimet e ndërmarra të mos kenë një ndikim negativ në kushtet e jetesës së komunitetit serb të Kosovës. E përgëzoj rolin proaktiv dhe shumë pozitiv të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Guerot.

  • Ligji për të Huajt, Kallas: Moment i ri për dialogun Kosovë-Serbi, jam gati të organizoj takim të nivelit të lartë

    Ligji për të Huajt, Kallas: Moment i ri për dialogun Kosovë-Serbi, jam gati të organizoj takim të nivelit të lartë

    Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka quajtur hap të rëndësishëm marrëveshjen për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt në Kosovë, duke theksuar se ky përparim shënon një moment të ri në dialogun Kosovë–Serbi.

    Kallas ka shtuar se është e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë së shpejti.

    “Marrëveshja e sotme për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt shënon një hap të rëndësishëm përpara për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë. Është thelbësore të sigurohet vazhdimësia në ofrimin e shërbimeve publike. Faleminderit të gjithëve që u angazhuan në mënyrë konstruktive për ta bërë këtë të mundur. Duke ecur përpara, zbatimi i marrëveshjeve të kaluara mbetet jetik. Ky progres krijon një momentum të ri për Dialogun Beograd–Prishtinë, dhe unë jam gati të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti”, ka shkruar ajo në X.

  • Ekstradohen nga Italia në Kosovë dy persona të kërkuar për tentim-vrasje e vjedhje të rëndë

    Ekstradohen nga Italia në Kosovë dy persona të kërkuar për tentim-vrasje e vjedhje të rëndë

    Janë ekstraduar nga Italia për në Kosovë dy të kërkuar përmes INTERPOL-it, të cilët ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës dhe ishin arrestuar më parë nga autoritetet italiane.

    Me datë 12 mars 2026, është realizuar ekstradimi i të kërkuarit A.B., i cili nga institucionet e drejtësisë së Kosovës kërkohej për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

    Ndërsa më 13 mars 2026, është ekstraduar i kërkuari Xh.K., i cili kërkohej për veprat penale “Vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje”.

    Të dy ekstradimet u realizuan bazuar në ligjet në fuqi dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre italiane.

    Pas ekstradimit, të dy të dyshuarit u dorëzuan njësive përkatëse të policisë në rajonin e Prizrenit, përkatësisht të Mitrovicës, ku do të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.

  • Sot mbyllet për qarkullim për dy orë pika kufitare në Jarinjë, shkak një protestë në Serbi

    Sot mbyllet për qarkullim për dy orë pika kufitare në Jarinjë, shkak një protestë në Serbi

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se sot pika kufitare në Jarinjë do të mbyllet për qarkullim për dy orë për shkak të një proteste që do të zhvillohet në Serbi.

    Sipas MPJD-së, bllokimi i rrugës nga ana e Serbisë është paralajmëruar nga ora 16:00 deri në 18:00.

    “Qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt vendlindjes ose të kalojnë tranzit nëpër këtë segment rrugor këshillohen të planifikojnë me kohë lëvizjet e tyre dhe, për të shmangur pritjet e gjata, vonesat apo pengesat eventuale në qarkullim, të shfrytëzojnë rrugë alternative”, thuhet në njoftim.

    MPJD njofton se do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe do të informojë qytetarët për çdo zhvillim të ri.