Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar Igor Mitiqin në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
“Kryeministri Kurti e uroi z. Mitiq për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Gjatë ditës së sotme, në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim është emëruar edhe Lulzim Hetemi.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh për Nexhdet Zymberaj, i cili dyshohet se dje vrau një person në qendër të qytetit.
Ndaj tash të pandehurit, Prokuroria ka bërë të ditur se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe njëkohësisht ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Gjakovë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit. Sipas njoftimit, i dyshuari pasi u arratis, dje pasdite u vetdorëzua në Polici.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se me datë 16.03.2026 në ora 05:20 në Gjakovë, Rr.“Vëllezërit Frashëri”, saktësisht në lokalin “M.P.” i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.B., duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit E.M., dhe personave të tjerë që kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes, në atë mënyrë që ditën kritike derisa i pandehuri ka qenë me të dëmtuarin E.M., dhe persona të tjerë, në vendin e ngjarjes respektivisht në lokalin e lartcekur shkon tani i ndjeri dhe pas një mosmarrëveshje i pandehuri me armën – pistoletë e llojit TT me kalibër 7.62×25 mm, shtënë disa herë në drejtim tani të ndjerit R.B., e që si pasojë e të shtënave në pjesë të ndryshme të trupit të tij, i njëjti ndërron jetë në afërsi të vendit të ngjarjes”, thuhet në komunikatë të Prokurorisë.
Prokuroria ka njoftuar se si pasojë e të shtënave me armë, i pandehuri ka rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë, ku i dëmtuari E.M, ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë për trajtim mjekësor, ndërsa i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes.
“Me këto veprime i pandehuri N.Z., ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 par.1 nënpar.1.5 të KPRK-së. Po ashtu, i njëjti ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së. I pandehuri që nga data 16 mars 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartcekur”, ka njoftuar Prokuroria.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit t’i japin fund luftës së tyre me Iranin dhe tha se BE-ja po konsultohet me qeveritë në Lindjen e Mesme se si të përfundojë konfliktin.
“Mendoj se do të ishte në interes të të gjithëve nëse kjo luftë ndalet. Problemi me luftërat është se është më e lehtë t’i fillosh sesa t’i ndalosh ato, dhe gjithmonë del jashtë kontrollit. Ne jemi konsultuar me vendet e rajonit si vendet e Gjirit, Jordania, Egjipti, nëse mund të paraqesim propozime për Iranin, Izraelin dhe SHBA-në për të dalë nga kjo situatë“, tha ajo.
Në një intervistë për Reuters në Bruksel, Kallas tha gjithashtu se nuk përjashtohet një ndërhyrje evropiane në përpjekjet për të rivendosur lirinë e lundrimit në ngushticën e Hormuzit, por theksoi se ka shumë të ngjarë që ajo të vijë si pjesë e një zgjidhjeje diplomatike.
Shumë vende evropiane kanë hedhur poshtë thirrjet e presidentit amerikan Donald Trump për të marrë pjesë në një mision për të liruar ngushticën, një pikë kyçe tranziti për naftën, gazin dhe mallrat e tjera tani të bllokuara kryesisht nga Irani.
Udhëheqësit evropianë kanë thënë se nuk janë të gatshëm t’i vënë forcat e tyre në rrezik në mes të një lufte që nuk e kanë filluar, edhe pse Trump ka paralajmëruar se hezitimi i tyre mund të ketë pasoja negative për aleancën e NATO-s.
Kallas tha se Evropa nuk i kuptonte disa nga veprimet e Shteteve të Bashkuara nën Trump ose objektivat e saj në Iran, por ishte mësuar me paparashikueshmërinë e tij.
Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjetet i ka shqetësuar shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Një numër i madh i qytetarëve nga Presheva, Medvegja e Bujanoci jetojnë dhe punojnë përkohësisht në Kosovë, dhe druajn se këto masa mund të çojnë në rritje të diskriminimit ndaj tyre.
Qytetarë nga Lugina e përfaqësues politik atje, po i bëjnë thirrje qeverisë që këto ligje të mos zbatohen për ta. Kërkojnë edhe trajtim të barabartë e lehtësira në lëvizje e qëndrim.
Fatlind Azizi, është një i ri nga Presheva që jeton e punon që gati një dekadë në Prishtinë.
Gjashtë herë ka aplikuar për vazhdim të leje qëndrimit të përkohshëm, ende nuk është pajisur me këtë dokument të përhershëm.
“Unë jam me leje qëndrim prej gjashtë vitesh dhe nuk kam ende shtetësi dhe procedurat janë tepër burokratike dhe të tejzgjatura. Unë ndikohem drejtpërdrejt [nga Ligji për Automjete] shkaku i udhëtimit të lirë. Tani unë mund të udhëtoj pa ndërprerje si person, por vetura ime e cila është me targa të Preshevës, rrjedhimisht është veturë më e vjetër dhe nuk mund ta regjistroj në Kosovë. Nëse e regjistroj, më nevojitet leja e vozitjes së Kosovës. Nëse e marr lejen e vozitjes së Kosovës, automatikisht më tërhiqet leja e Serbisë. Rrjedhimisht më hapet procedura ose dosja e pasivizimit të adresës në Serbi. Kur pasivizohem potencialisht në Serbi, unë nuk mund të aplikoj pastaj as për leje qëndrim të Kosovës dhe i bie ose mbetem si person pa shtetësi, as të Kosovës, as të Serbisë. Pra mbetem qytetar i botës”, deklaron ai.
Nga data 15 ka filluar zbatimi i dy ligjeve, ai për të Huajt dhe të Automjeteve. Ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të marrin leje qëndrimi, ndërkaq sa i përket automjeteve me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në trafik në Kosovë për më shumë se tre muaj, ose në bazë të autorizimit.
Fatlindi, i cili është edhe përfaqësues i organizatës “Mozaik”, thotë se që në janar i janë drejtuar qeverisë dhe përfaqësuesve nga Lugina e Preshevës për t’i paralajmëruar për problemet që mund të sjellë zbatimi i këtyre ligjeve.
KosovaPress merr vesh që kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi ka kërkuar takim me përfaqësues të institucioneve për të diskutuar lidhur me këto çështje. Ky takim pritet të mbahet së shpejti në Prishtinë.
Edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti thotë për KosovaPress se nëse këto masa zbatohen për qytetarët nga Lugina, do të shtohet pasivizimi i adresave.
“Ka shumë qytetarë që janë të shqetësuar sepse edhe nuk i kanë informacionet e sakta. Madje edhe ne i kemi disa dilema rreth kësaj dhe ndoshta dhe nuk po duam të besojmë se realisht do të zbatohet ky ligj edhe tek qytetarët e Luginës së Preshevës, për shkak se dihet se është një numër i madh i qytetarëve të cilët përkohësisht jetojnë dhe punojnë në Kosovë dhe ata do të kenë shumë probleme pastaj për të lëvizë, për shkak se nëse detyrohen që ata të lëvizin brenda Kosovës me targa të Republikës së Kosovës, atëherë në momentin që vijnë tek familjarët e tyre këtu në Luginë, është pretekst i mjaftueshëm për shtetin e Serbisë, për policinë këtu që të fillojnë procesin e verifikimit dhe të pasivizimit të adresave. Pra, ky ligj, nëse zbatohet për qytetarët e Luginës, do të shkaktojë shumë probleme të mëdha”, shprehet ai.
Diskriminimi i këtyre banorëve do të thellohet edhe më tej, siç thotë Pajaziti, me theks të veçantë gjatë udhëtimit.
“Në anën tjetër, kemi dhe një numër qytetarësh të cilët jetojnë në Kosovë, e kanë dokumentacionin e Serbisë, janë qytetarë të cilët kanë veprimtari, biznese të ndryshme në Luginë dhe udhëtojnë çdo ditë. Dhe edhe këta do të kenë shumë probleme të tjera. Pra, në këtë rast kërkojmë nga qeveria, nga Ministria e Punëve të Brendshme, që ky ligj të mos zbatohet për qytetarët e Luginës së Preshevës, ashtu siç u nxor një vendim që mos të zbatohet për qytetarët serbë, në një afat sa ishte caktuar, tre muaj apo një vit”, thekson ai.
Lidhur me këtë, KosovaPress ka pyetur Qeverinë e Kosovës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.
Azizi shprehet i zhgënjyer me institucionet kosovare, për shkak se konsideron që shqiptarët e tri komunave të banuara me shumicë shqiptare po trajtohen njëjtë si të huajt.
“Ti jeton, je pjesë përbërëse e shoqërisë, merr pjesë aktivisht në jetën socio-ekonomike, po ashtu edhe politike, dhe në fund të fundit ti llogaritesh prapë si i huaj. Pra, ne jemi të barabartë, pa dashur të ul askënd, po me një qytetar nga Kazakistani, Turqia ose Serbia. Pra ne nuk trajtohemi veçanërisht ose nuk kemi asnjë masë lehtësuese. Trajtohemi thjesht si qytetarë të shteteve të treta”, përfundon ai.
Në Prishtinë të shtunën (14 mars) janë takuar kryeministri Albin Kurti me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen dhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, Aivo Orav.
Në një deklarim për media u njoftua zbatimi i këtij ligji, për çka Kurti tha se do të zbatohet me lehtësira për serbët, përfshirë edhe përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara nga strukturat ilegale të Serbisë.
“Nga zbatimi i këtij ligji do të preken edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve që vijnë apo qëndrojnë në Kosovë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci, Vranja dhe qytete të tjera të Serbisë. Një pjesë e tyre janë të angazhuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe edukative në sistemin ilegal paralel të financuar nga Serbia. Dua të potencoj që nuk është interes i Republikës së Kosovës që zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe atij për Veturat të prodhojë pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët”, ka thënë të shtunën Kurti. /Kp/
Izraeli ka reaguar pas miratimit në Kuvendin e Shqipërisë, më 17 mars, të rezolutës që shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit.
Ministri i Jashtëm i Izraelit Gideon Sa’ar shkruan në një postim në rrjetin social X se kjo ishte një rezolutë historike, ndërsa etiketon në këtë postim, homologun e tij shqiptar, ministrin Ferit Hoxha.
“E vlerësoj kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe Kuvendin e Shqipërisë për rezolutën historike të miratuar sot, duke e shpallur Republikën Islamike të Iranit një shtet mbështetës të terrorizmit. Sipas fjalëve të rezolutës: Terrorizmi në të gjitha format e tij përbën një nga kërcënimet më serioze për shoqëritë demokratike. Ky është një tjetër demonstrim i dimensionit të qartë moral në politikën e jashtme të Shqipërisë.”, shkruan Sa’ar.
Ky reagim vjen pasi Parlamenti i Shqipërisë miratoi me 79 vota pro rezolutën duke shpallur Republikën Islamike të Iranit si shtet sponsor të terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste. Me vendimin e sotëm Garda Revolucionare dhe Hezbollahu shpallen organizata terroriste.
Në seancë nuk mori pjesë Partia Demokratike, e cila e konsideron si të paligjshme dhe të thirrur në kundërshtim të hapur me rregulloren e Kuvendit. Nga ana tjetër, Taulant Balla është shprehur se Shqipëria me këtë iniciativë qëndron përkrah aleatëve të saj strategjikë dhe kritikoi opozitën se nuk “doli dot mbi interesin e vogël të një proteste pa krye”.
Megjithatë, pas seancës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi një deklaratë të kësaj partie në lidhje me zhvillimet në Iran.
Në deklaratë thuhet se PD-ja e shpall Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste. Më tej theksohet se PD mbështet përpjekjet e SHBA-ve dhe Izraelit për të përmbysur diktaturën mizore teokratike të Ajatollahëve.
Kreu i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Joseph Kent, ka dhënë dorëheqjen të martën, duke u bërë anëtari i parë dhe më i lartë i administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që jep dorëheqjen për shkak të luftës në Iran.
Në letrën e dorëheqjes, ai ka thënë se Teherani zyrtar nuk përbënte kërcënim të menjëhershëm për Shtetet e Bashkuara. Po ashtu, i ka kërkuar presidentit Trump që të “ndryshojë kurs”.
“Nuk mund ta mbështes me ndërgjegje të pastër luftën e vazhdueshme në Iran. Irani nuk përbënte kërcënim të menjëhershëm për kombin tonë dhe është e qartë se ne e filluam këtë luftë për shkak të presionit nga Izraeli dhe lobi i tij i fuqishëm”, ka shkruar Kent në një letër drejtuar Trumpit të postuar në X.
Disa ekspertë kanë thënë se një kërcënim i menjëhershëm do të ishte i nevojshëm që Shtetet e Bashkuara të nisnin një luftë sipas ligjit aktual.
Zyrtarët e inteligjencës raportohet të jenë kapur në befasi nga njoftimi i Kent.
Mediat raportojnë se Kent është i afërt me drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, e cila ka qëndruar kryesisht e heshtur që nga fillimi i luftës në Iran.
Gabbard nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike dhe është shfaqur në publik vetëm gjatë transferimit dinjitoz të ushtarëve amerikanë të vrarë në fillim të këtij muaji gjatë konfliktit me Iranin.
Kent, 45 vjeç, është një veteran i forcave speciale amerikane dhe i CIA-s, gruaja e të cilit, teknikja e marinës Shannon Kent, kishte mbetur e vdekur nga një sulm vetëvrasës me bombë në Siri në vitin 2019.
Komisioni Evropian ka konfirmuar se janë hequr të gjitha masat financiare ndaj Kosovës. Kjo u bë e ditur gjatë debatit për raportin për Kosovën që u zhvillua në Parlamentin Evropian.
Jiri Plecity, përfaqësues i KE-së bëri të ditur heqjen e masave.
“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, tha Jiri Plecity, përfaqësues i Komisionit Evropian.
Bashkimi Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, duke pezulluar financimin dhe takimet dypalëshe midis zyrtarëve evropianë dhe atyre të Qeverisë së Kosovës.
Këto masa ishin vendosur pas tensioneve në komunat me shumicë serbe në Kosovë, pasi në krye të komunave ishin kryetarët shqiptarë.
Para disa muajsh kishte filluar largimi gradual i këtyre masave, ndërkaq sot u konfirmua largimi i plotë i tyre.
Kryeministri, Albin Kurti, e ka emëruar Lulzim Hetemin në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.
Kjo është bërë e ditur në një njoftim nga Kryeministria.
“Kryeministri Kurti e uroi Hetemin për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 23 prillit 2023, z. Hetemi u zgjodh kryetar i komunës së Leposaviqit, detyrë në të cilën shërbeu deri në fund të mandatit”, thuhet në njoftimin e lëshuar.
Afërdita Dida nga fshati Breg-Lumë i Bashkisë së Kukësit në Shqipëri, është e detyruar ta nisë ditën, ende pa zbardhur mirë mëngjesi.
Ajo jeton e vetme. burri i ka vdekur vite më herët, dy vajzat i ka të martuara, njërin djalë e ka në gyrbet e tjetrin ushtar!
Punë bënë me aq sa mundet, ose aq sa gjendja shëndetësore ia lejon.
“Kur të vie vajza nga atje, pastron dhe lanë të gjitha, me divana dhe gjithqka. Unë nuk kam takat…(bukën) e vendos në tepsanë dhe e pjeki për të mos mbetur pa bukë, sepse nuk po kam dëshirë me ble…dhimbje e madhe. Duarve tërë natën ua bëjë kështu, e shtypi fort këtë, kjo dializë problem”, tha ajo.
Janë bërë më shumë se dy dekada prej kur veshkët nuk ia pastrojnë mirë gjakun.
Kështu, Dida, rreth të 50-ave, duhet ta bëjë këtë artificialisht duke marë dializë.
Procesi i flitrimit të gjakut, ia konsumon së paku 12 orë në javë pacientes.
Spitali në Kukës, nuk ia ofron këtë shërbim asaj dhe pacientëve të tjerë me këso probleme.
Dida bënë një telefonatë, në këtë orë të hershme.
Në linjë është shoferi i furgonit, që transporton pacientët nga Kukësi dhe zonat përreth, drejt Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, tri herë në javë.
Kur ecën në tatëpjetëzen drejt lokacionit ku del për ta pritur furgonin, meqë ky nuk hynë dot deri tek shtëpia e saj, e ka një brengë të përhershme.
Ndonjëherë thotë se i duhet të ndalet e të pushoj pak.
Shteti i Shqipërisë s’ia ofron shërbimin mjekësor, por ia jep 100 euro në muaj, për t’i mbuluar shpenzimet e transportit.
Furgoni erdhi. Në të janë edhe pacientë të tjerë, që po shkojnë drejt Prizrenit për mjekim.
Udhëtimi zgjat rreth 30 minuta deri në Prizren.
Pritja për pacientët nga Shqipëria, është e ngrohtë. Trajtimi është i barabartë për të gjitë.
Pacientët thonë janë të kënaqur me trajtimin.
Bazuar në çmimoret e kompanive që tregtojnë aparatura për dializë, një e tillë mund të kushtojë nga 10 mijë deri në 30 mijë euro.
Autoritetet në Shqipëri nuk ofruan qasje në ambientet e spitalit dhe as mundësi për intervistë.
Sidoqoftë, spitali i Prizrenit, është adresë për mijëra pacientë nga Shipëria, për shërbime të ndryshme.
Në vitin e kaluar 175 prej tyre, u hospitalizuan këtu. GRAFIKË Ndërsa afro dy mijë, pranuan shërbime të tjera.
Sipas drejtorit të spitalit, Hilmi Shala, arsyet pse këta zgjedhin Gjakovën, janë afërsia gjeografike dhe numri më i madhë i profileve mjekësore.
Kosova vazhdon të mos ketë data bazë digjitale për pasqyrim të shëndetit të përgjithshëm të pacientëve që trajtohen në vend.
Këto evidenca, ende mbahen në letër.
Ministria e Shëndetësisë në vitin 2011, tentoi aplikimin të këtij sistemi në tri faza, porse nuk pati sukses.
Sipas Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, deri në vitin e kaluar për SISH u shpenzuan rreth 23.7 milionë euro.
Përvec dhjetëra milionave dhe 15 vjetëve të humbura, mungesa e Sistemt Informativ Shëndetësor ka pasoja zinxhirore për sistemin shëndetësor në Kosovë.
Një sistem i tillë funksional do të mundësonte që të dihet secila diagnozë për scilin pacient, rrjedhimisht do të diheshin trendet, sëmundjet që janë në rritje, do të dihej cfarë barnash duhet blerë,në cilat klinika duhet më shumë investime, në cilat rajone për cfarë pajisjesh ka nevoja urgjente, për cilat profile të mjekëve specialistë ka nevojë më shumë, cilat politika shëndetësore duhet të ndryshohen, cilët mjekë dhe cilat klinika punojnë më mirë dhe cilët punojnë më dobët si dhe një sërë parametrash tjerë që sot vlerësohen me informata dhe statistika gjysmake.
Për më tepër mungesa e Sistemit Informativ Shëndetësor ka pamundësuar edhe funksionalizimin e nëj skeme të sigurimeve shëndetësore për kosovarët. Edhe sigurimet shëndetësore janë nismë e para më shumë se një dekade dhe nismë ku kanë dështuar gjashtë kabinete qeveritare.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ofron përkrahje financiare për shërbime shëndetësore që nuk ofrohen në institucione publiek shëndetësore për të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës.
Një udhëzim administrativ i specifikon kushtet se kush dhe në cilat rrethana mund të përfitojë nga ky fond dhe cilat kërkesa dhe dokumenta duhet plotësuar.
Në periudhën 2022 – 2024 fondi ka shpenzuar 40 milionë Euro nga buxheti i shtetit për mbulimine shpenzimeve për trajtimin e mijëra pacientëve. Mirëpo, një analizë sipërfaqësore qartazi tregon se as shpenzimet, as diagnozat nuk janë lineare.
Më 2022 fondi kishte harxhuar 6 milionë Euro, më 2023 mbi 22 milionë Euro, kurse më 2024, shpenzimet ishin mbi 12 milionë Euro. Mirëpo, edhe kjo shifër nuk ka qenë e planifikuar. Buxheti fillestar ka qenë 8 milionë, kurse edhe 50% e kësaj shume u shtua ndërkohë.
Për vitin 2025, në buxhetin e shtetit kanë qenë të parapara 11 milionë Euro për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, kurse më 2026 janë të parapara rreth 10,8 milionë.
Të dhënat financiare përfundimtare për 2025-ën nuk janë publike akoma, por nëse shikohen të dhënat për pacientë, del se Fodni ka marrë përsipër trajtimin e 952 pacientëve, përgjatë një viti.
Një analizë kuantitative e e 2025-ës lehtësisht tregon edhe ku janë problemet më të mëdha në shëndetësinë e Kosovës. Nga 952 rastet në total 169 janë në pediatri dhe 20 në neonatalogji.
Sa për ilustrim numri i kosovarëve që trajtohen jashtë, është më shumë se 3 herë më i lartë se numri i shtetasve të Maqedonisë së Veriut që tarjtohen jashtë shtetit, që më 2025 ishte 273.
Përvec foshnjave dhe fëmijëve, përqindje e madhe e rasteve vërehet edhe në mjeëkësinë nukleare (110), radiologji e oftalmologji (92) dhe urologji (78)
Numri i pacientëve të evidentuar si të trajtuar jashtë dhe milionat e paguara nag buxheti i shtetit tregojnë se përderisa Kosova shihet si shpëtim për pacientët nga Shqipëria veriore, qindra pacientë nga Kosova cdo vit trajtohen jashtë vendit, pikërisht në mungesë të kushteve në Kosovë.
Për mijëra kosovarë, Maqedonia e Veriut është destinacioni i parë për shumë shërbime dhe trajtime shëndetësore.
Mirëpo, në statistikat e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të Kosovës, numri i pacientëve që trajtohen në Maqeodoni të Veriut është dukshëm më i ulët, nuk tejkalon 150 raste në vit.
Kjo mos përputhje sipas Blerim Sylës, ish Kryetar i Federatës Sindikale të Punëtorëve Shëndetësorë është dëshmi se qindra kosovrë në Maqedoni paguajnë nga xhepi i tyre.
Mungesa e SISH-it sipas tij shkakton edhe shumë telashe tjera.
Me ose pa marrëveshje midis shteteve, me para të vetat ose nga fondet publike, pacientët vazhdimisht kalojnë kufijtë shtetëror, në kërkim të trajtimit mjekësor.
Në mungesë të informatave dhe statistikave, sistemi shëndetësor i Kosovës vazhdon të funksionojë ad hoc, nga rasti në rast, edhe për rezidentët, edhe për kosovarët që trajtohen jashtë, por edhe për jo-rezidentët që trajtohen në Kosovë./atvlive.tv/