ATV

Author: G.O.

  • Nënshkruhen marrëveshje milionëshe me Bankën Gjermane për zhvillim: 80 milionë euro kredi dhe 1 milion grant

    Nënshkruhen marrëveshje milionëshe me Bankën Gjermane për zhvillim: 80 milionë euro kredi dhe 1 milion grant

    Ministria e Financave ka njoftuar se janë nënshkruar marrëveshjet në vlerë 81 milionë euro me Bankën Gjermane për Zhvillim, që synojnë avancimin e reformave dhe përshpejtimin e tranzicionit energjetik në Kosovë.

    Në njoftim sqarohet se paketa përfshin kredi prej 80 milionë euro dhe grant prej 1 milion euro, të cilat do të mbështesin drejtpërdrejt zbatimin e reformave në sektorin e energjisë, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe Komunitetit të Energjisë.

    “Ministri i Financave z. Hekuran Murati theksoi se kjo mbështetje do të kontribuojë në modernizimin e kornizës ligjore dhe rritjen e fleksibilitetit të tregut të energjisë elektrike, duke mundësuar integrimin e mëtejmë në tregjet rajonale dhe evropiane, si dhe duke nxitur investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë. Në anën tjetër, udhëheqësi i divizionit të energjisë në KfW-së, z. Pablo Obrador Alvarez u shpreh se ky është programi i parë i këtij lloji për Kosovën, i cili plotëson mbështetjen ekzistuese dhe krijon bazë për modernizim të mëtejshëm dhe integrim të sektorit energjetik”, thuhet në njoftim.

    Sipas Ministrisë, kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi energjetik më të qëndrueshëm, të sigurt dhe të integruar, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe tranzicionit të gjelbër të vendit.

    Marrëveshjet janë nënshkruar në prani të Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

  • Hyseni reagon për stërvitjet ushtarake pranë kufirit të Kosovës: Shqetësuese dhe provokuese

    Hyseni reagon për stërvitjet ushtarake pranë kufirit të Kosovës: Shqetësuese dhe provokuese

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka shprehur shqetësimin në lidhje me stërvitjen ushtarake të zhvilluar pranë kufirit me Kosovën, që rrjedhimisht i bie në afërsi të komunës së Gjilanit.

    Në një reagim publik, Hyseni i cilësoi këto aktivitete si shqetësuese dhe provokuese, duke theksuar se prania e forcave ushtarake dhe mjeteve ajrore në afërsi të zonave të banuara krijon ndjenjë pasigurie dhe tensioni të panevojshëm.

    Ai theksoi se situata ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të banorëve të komunës së Gjilanit, duke rritur ndjesinë e frikës dhe pasigurisë.

    Reagimi i plotë:

    REAGIM

    Stërvitjet ushtarake të zhvilluara pranë kufirit me Republikën e Kosovës, në afërsi të Komunës tonë, janë shqetësuese dhe provokuese për qytetarët tanë. Prania e forcave ushtarake, mjeteve ajrore dhe aktiviteteve të tilla në zona të banuara krijon ndjenjë pasigurie dhe tensioni të panevojshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.

    Si Kryetar i Komunës së Gjilanit, shpreh shqetësimin tim të thellë për këto zhvillime dhe kërkoj nga institucionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare që të monitorojnë situatën me kujdes dhe të ndërmarrin veprime konkrete për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

    Qytetarët tanë meritojnë qetësi, siguri dhe perspektivë, jo frikë dhe presion.

    Ne do të vazhdojmë të jemi pranë qytetarëve tanë dhe të angazhohemi fuqishëm për mbrojtjen e interesit të tyre.

  • Shoqata për Kërkim dhe Shpëtim nis operacion në rajonin e Kullës, pranë kufirit me Malin e Zi

    Shoqata për Kërkim dhe Shpëtim nis operacion në rajonin e Kullës, pranë kufirit me Malin e Zi

    Ekipet e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës kanë nisur një operacion gjatë ditës së sotme.

    Sipas informacioneve zyrtare, operacioni po zhvillohet në rajonin e Kullës, në kufi me Malin e Zi.

    ShKShMK nuk dha detaje shtesë lidhur me këtë operacion.

  • Gjykatësja amerikane urdhëron administratën Trump të rihapë Zërin e Amerikës

    Gjykatësja amerikane urdhëron administratën Trump të rihapë Zërin e Amerikës

    Një gjykatëse në SHBA ka vendosur që mbyllja efektive e Zërit të Amerikës (VOA) vitin e kaluar ishte “e paligjshme”, dhe se qindra gazetarë të saj duhet të rikthehen në punë.

    Gjykatësja e Gjykatës së Qarkut Royce Lamberth u ka dhënë autoriteteve një javë kohë për ta rikthyer në transmetim transmetuesin ndërkombëtar.

    VOA u krijua gjatë Luftës së Dytë Botërore për t’iu kundërvënë propagandës naziste, transmeton Telegrafi.

    Vetëm disa javë pasi u rikthye në detyrë si president, Donald Trump lëshoi një urdhër ekzekutiv për të mbyllur transmetuesin, të cilin zyrtarët e tij e akuzuan për paragjykim të krahut të majtë.

    Trump gjithashtu urdhëroi që media të tilla si Radio Evropa e Lirë dhe Radio Azia e Lirë të “eliminohen në masën maksimale në përputhje me ligjin në fuqi”.

    Presidenti emëroi Kari Lake në krye të Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM) – kompania mëmë që mbikëqyr dhe financon VOA-n, si dhe Radio Evropa e Lirë dhe Radio Azia e Lirë.

    Lake vazhdoi të shkarkonte më shumë se 85% të punonjësve të agjencisë – më shumë se 1,000 staf vetëm në VOA – duke lënë vetëm një grusht punonjësish në vendet e tyre të punës.

    Shumica kanë qenë në leje administrative të paguar që nga viti i kaluar, përfshirë gazetarët e Shërbimit Persian të cilët u thirrën përsëri në punë pasi Izraeli sulmoi Iranin qershorin e kaluar.

    Javën e kaluar, gjyqtarja Lamberth vendosi që Lake nuk kishte autoritet për të urdhëruar pezullimin e fuqisë punëtore të USAGM pasi ajo nuk ishte konfirmuar nga Senati i SHBA-së.

    Në vendimin e së martës, gjyqtarja federale e përshkroi vendimin për shkarkimin e gazetarëve si “arbitrar dhe kapriçioz”, duke shtuar se qeveria nuk kishte marrë parasysh legjislacionin që përcakton se cilat gjuhë dhe rajone duhet t’u shërbejë VOA.

    “Të pandehurit nuk kanë ofruar asgjë që i afrohet një baze parimore për vendimin e tyre”, shkroi Lamberth.

    Tre gazetarë të VOA kishin paditur administratën Trump. Njëra prej tyre, Patsy Widakuswara, tha se ishte thellësisht mirënjohëse për vendimin e gjyqtares.

    “Shpresojmë që populli amerikan do të vazhdojë të mbështesë misionin tonë për të prodhuar gazetari, jo propagandë”, i tha ajo agjencisë së lajmeve Associated Press.

    Nuk është e qartë nëse pasardhësja e nominuar e Lake, Sarah Rogers – emërimi i së cilës duhet të konfirmohet nga Senati – do të apelojë.

    Përpara se të mbyllej, Zëri i Amerikës transmetonte përmbajtje televizive, radiofonike dhe digjitale në pothuajse 50 gjuhë.

    Kritikat e Trumpit ndaj Zërit të Amerikës janë pjesë e sulmeve të tij më të gjera kundër medias amerikane, të cilën studimet sugjerojnë se konsumatorët amerikanë të lajmeve e shohin si shumë të polarizuar. /Telegrafi/

  • Përfundon afati i thirrjes për dy gjyqtarë të Kushtetueses, këta janë 25 kandidatët që kanë aplikuar

    Përfundon afati i thirrjes për dy gjyqtarë të Kushtetueses, këta janë 25 kandidatët që kanë aplikuar

    Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se dje ka përfunduar afati i ftesës/thirrjes publike për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

    Kandidatët që kanë aplikuar janë: Vigan Rogova, Zahir Çerkini, Besard Belegu, Makfirete Krasniqi, Selman Ymeri, Avdylkadër Muçaj, Elton Tota, Benina Kusari, Ramadan Gashi, Shabi Idrizi, Rafet Haxhaj, Valbona Shala Thaqi, Shpresa Emra, Suzana Gashi, Ardita Haxhnikaj Demi, Novitet Nezaj, Alban Muriqi, Flamur Mrasori, Emine Abdyli Pozhari, Përparim Kalo, Nazmije Krasniqi Jusufi, Riza Krasniqi, Jorida Xhafaj, Islam Sllamniku dhe Bahrije Zaçaj.

    “Administrata është në pritje të nominimeve eventuale nëpërmjet postës. Proceduara e përzgjedhjes së gjyqtarëve do të vazhdojë konform Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

  • MINTI reagon pas bastisjeve në ARBK: Ka ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor

    MINTI reagon pas bastisjeve në ARBK: Ka ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor

    Ministria e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit (MINTI) ka reaguar pas aksionit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës, i zhvilluar në mëngjesin e së mërkurës në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).

    Sipas MINTI-t, hetimet po zhvillohen lidhur me një rast që ka të bëjë me ndryshimin e pronësisë së një biznesi pas ndërrimit të jetës së pronarit.

    Në reagim thuhet se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, është konstatuar një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor, i cili më pas është korrigjuar përmes procedurave ligjore.

    “Ju njoftojmë se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vendimeve gjyqësore relevante, stafi i ARBK-së ka konstatuar muaj më parë se kishte ndodhur një keqinterpretim i një aktgjykimi gjyqësor. Si rrjedhojë, ky interpretim është korrigjuar përmes procedurave përkatëse ligjore dhe administrative”, thuhet në reagim.

    Më tej, MINTI ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me organet e rendit dhe drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.

  • Ngritet aktakuzë ndaj katër personave për falsifikim të rezultatit të votimit në Shtime

    Ngritet aktakuzë ndaj katër personave për falsifikim të rezultatit të votimit në Shtime

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave me inicialet Y.S., B.V., Sh.B. dhe R.R., për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e 30 dhjetorit 2025.

    Sipas Prokurorisë, të pandehurit, në cilësinë e anëtarëve të ekipit të numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Shtime, kanë manipuluar procesin përmes leximit të pasaktë të votave, regjistrimit të të dhënave të rreme në sistem dhe mosveprimit për të ndaluar parregullsitë.

    Parregullsitë janë zbuluar gjatë rinumërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku janë konstatuar mospërputhje të theksuara në rezultate.

    Prokuroria ka kërkuar që, pas shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • Studimi thotë se cigarja rrezikon edhe shikimin

    Studimi thotë se cigarja rrezikon edhe shikimin

    Përveç zemrës dhe mushkërive, pirja e duhanit më shumë se 20 cigare në ditë mund të dëmtojë edhe sytë, sipas zbulimit të universitetit Rutgers.

    Në këtë studim janë përfshirë 71 persona të shëndetshëm, tetë nga të cilët kanë pirë më pak se 15 cigare në ditë, dhe 63 persona që pinin më shumë se 20 cigare në ditë.

    Pjesëmarrësit ishin midis moshave 25 dhe 45 vjeç.Studiuesit kanë shqyrtuar mënyrën dhe nivelet e kontrasteve (dallime delikate në mbrojtjen nga drita) dhe ngjyrave nga një monitor CRT.

    Rezultatet treguan ndryshime të rëndësishme tek duhanpirësit në lidhje me shikimin e ngjyrave të kuqe dhe gjelbër dhe ngjyrave blu dhe të verdha, i cili sugjeron se konsumimi i substancave kimike, të tilla si ato të përfshira në cigare, mund të shkaktojë një humbje të përgjithshme të vizionit të ngjyrave, përcjell Atsh.

    Studimi tregon se duhanpirësit e rëndomtë kanë një aftësi më të reduktuar për të dalluar kontrastet dhe ngjyrat se sa joduhanpirësit.

    Edhe pse kërkimi nuk jep një shpjegim fiziologjik për rezultatet, ekipi i shkencëtarëve thekson se nikotina dhe tymi dëmtojnë sistemin e enëve të gjakut si dhe retinën e syve.

  • NATO vendos një njësi të re “Patriot” në Turqi, pranë bazës Incirlik

    NATO vendos një njësi të re “Patriot” në Turqi, pranë bazës Incirlik

    NATO ka vendosur një njësi të re të mbrojtjes ajrore amerikane “Patriot” në Adana, në jug të Turqisë mes shqetësimeve të shtuara në lidhje me kërcënimet me raketa nga lufta me Iranin.

    Lajmi u konfirmua nga Ministria turke e Mbrojtjes.

    Vendosja e re ka të bëjë me një zonë ku ndodhet baza Incirlik, e cila strehon personel ushtarak të Shteteve të Bashkuara, si dhe forca nga Katari, Spanja dhe Polonia, përveç trupave turke, shkruan Abcnews.al.

    Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe kufizohet me Iranin, kishte njoftuar javën e kaluar instalimin e një sistemi Patriot në provincën e Malatya-s, pranë një radari të Aleancës, si pjesë e masave për të forcuar mbrojtjen ajrore.

  • Oda Ekonomike e Kosovës kërkon masa fiskale për të ndaluar rritjen e çmimeve të naftës

    Oda Ekonomike e Kosovës kërkon masa fiskale për të ndaluar rritjen e çmimeve të naftës

    Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme fiskale, në mënyrë që të ndalohet rritja e çmimit të derivateve të naftës.

    Përmes një komunikate për media, OEK theksoi se rritja e çmimeve të derivateve të naftës ka ndikim të drejtpërdrejtë në inflacion, duke rritur kostot e prodhimit dhe duke ulur standardin e jetesës së qytetarëve, si dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

    Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Kosovës propozoi që Qeveria të marr masa konkrete fiskale, si: Ulja e tatimit mbi akcizën për derivatet e naftës dhe lirim i përkohshëm nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për derivatet e naftës, apo së paku duke ulur normën e Tatimit të Vlerës së shtuar.

    Këto masa, sipas OEK, do të kontribuonin në uljen e çmimeve për bizneset prodhuese dhe qytetarët, duke lehtësuar barrën financiare dhe duke stabilizuar tregun.

    “Tatimi mbi vlerën e shtuar është një tatim i konsumatorit dhe i kombinuar me akcizën, I cili ka ndikim të drejtpërdrejtë në çmimin më të ulët final të karburantit. Vlen të theksohet se masa të ngjashme kanë filluar të zbatohen në disa vende të Bashkimit Evropian dhe të rajonit, me qëllim frenimin e rritjes së mëtejshme të çmimeve, e cila krijon vështirësi për bizneset dhe rrit rrezikun e varfërisë për qytetarët”.