ATV

Author: G.O.

  • Katër të lënduar si pasojë e një aksidenti mes tre veturave në Dollc

    Katër të lënduar si pasojë e një aksidenti mes tre veturave në Dollc

    Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 12:30 në fshatin Dollc të Klinës.

    Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, në aksident janë përfshirë tri vetura, ndërsa si pasojë kanë mbetur të lënduar katër persona.

    Të lënduarit kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë.

    Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke hetuar rrethanat e aksidentit.

  • Trumpi thumbon sërish vendet e NATO-s për Ngushticën e Hormuzit

    Trumpi thumbon sërish vendet e NATO-s për Ngushticën e Hormuzit

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thumbuar sërish vendet e NATO-s që refuzuan ta ndihmojnë SHBA-në për të ofruar siguri në Ngushticën e Hormuzit.

    Në një postim në Truth Social, ai ka ngritur pyetjen se çfarë do të ndodhte nëse SHBA-ja do të përfundonte punën me Iranin dhe më pas do t’ua linte përgjegjësinë për Ngushticën vendeve të tjera, të cilat, sipas tij, e përdorin atë, ndërsa SHBA-ja jo.

    “Pyes veten se çfarë do të ndodhte nëse do të ‘përfundonim’ atë që ka mbetur nga shteti terrorist iranian dhe do t’i linim vendet që e përdorin atë, të cilën ne nuk e përdorim, të ishin përgjegjëse për të ashtuquajturën ‘Ngushticë’? Kjo do t’i vinte në lëvizje disa nga ‘aleatët’ tanë të pandjeshëm, dhe atë shpejt!”, ka shkruar Trumpi.

    Ai kishte kritikuar edhe një ditë më parë aleatët e NATO-s, duke thënë se “kanë bërë një gabim të pamendë” dhe se SHBA-ja nuk ka nevojë për ndihmën e tyre.

    Ndërkohë, shtete si Britania, Gjermania, Franca, Spanja dhe Greqia janë deklaruar kundër përfshirjes në çështjen e Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se ajo nuk është çështje e NATO-s dhe se nuk duan të tërhiqen në një konflikt më të gjerë.

  • Keqtrajtimi i 5-vjeçarit në Lipjan, UNICEF: Urgjentisht të forcohen sistemet e mbrojtjes së fëmijëve

    Keqtrajtimi i 5-vjeçarit në Lipjan, UNICEF: Urgjentisht të forcohen sistemet e mbrojtjes së fëmijëve

    UNICEF-i në Kosovë ka reaguar lidhur me rastin e 5-vjeçarit në Lipjan, duke theksuar se është thellësisht i tronditur për gjendjen e vogëlushit, i cili aktualisht po merr trajtim intensiv mjekësor pas dhunës dhe neglizhencës së rëndë.

    Në reagim, UNICEF thekson se asnjë fëmijë nuk duhet të përjetojë dhunë, frikë apo neglizhencë, sidomos brenda shtëpisë së tij, e cila duhet të jetë një vend sigurie, kujdesi dhe mbrojtjeje.

    “Dhuna ndaj fëmijëve është një shkelje e rëndë e të drejtave të tyre dhe ka pasoja afatgjata fizike dhe psikologjike”.

    Tutje, në reagim thuhet se ky rast pasqyron një shkelje serioze të Konventës për të Drejtat e Fëmijës (KDF), e cila garanton mbrojtjen e çdo fëmije nga dhuna, abuzimi dhe neglizhenca, si dhe të drejtën për mbijetesë, zhvillim dhe dinjitet.

    “KDF është direkt e zbatueshme në Kushtetutën e Kosovës, e cila i jep instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut prioritet mbi ligjet vendore. Kjo vendos një detyrim të qartë ligjor mbi të gjitha institucionet për të parandaluar, identifikuar dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive rasteve të dhunës dhe neglizhencës ndaj fëmijëve”.

    Ndër të tjera, UNICEF thekson se ky rast tregon nevojën urgjente për të forcuar sistemet e mbrojtjes së fëmijëve, për të siguruar identifikimin e hershëm të fëmijëve në rrezik në shëndetësi, arsim dhe shërbime sociale, si dhe për të ofruar mbështetje të shpejtë familjeve të cenueshme për të parandaluar dhunën.

    “Menaxhimi i koordinuar i rasteve në nivel komunal, shërbimet e funksionimit të plotë të mbrojtjes së fëmijëve dhe financimi i qëndrueshëm janë thelbësore për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive dhunës ndaj fëmijëve. Asnjë fëmijë nuk duhet të vuajë në heshtje. Sistemet e forta shpëtojnë jetë, dhe kjo duhet të jetë një pikë kthese për veprim. UNICEF-i në Kosovë kërkon nga autoritetet të kryejnë një hetim të plotë, të sigurojnë përgjegjshmërinë dhe të ofrojnë mbrojtje të menjëhershme dhe kujdes afatgjatë për fëmijën. Komunitetet, institucionet dhe familjet duhet të mbeten vigjilente dhe të raportojnë çdo shenjë dhune apo neglizhence”.

  • Mediat iraniane thonë se është goditur kompleksi në fushën më të madhe të gazit natyror në botë

    Mediat iraniane thonë se është goditur kompleksi në fushën më të madhe të gazit natyror në botë

    Kompleksi petrokimik i Iranit në fushën e gazit South Pars është goditur nga sulme ajrore, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC).

    Objekti është përfshirë nga zjarri dhe ekipet e shpëtimit si dhe zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje, sipas një njoftimi në Telegram nga agjencia gjysmë-zyrtare Fars News.

    South Pars është fusha më e madhe e gazit natyror në botë, ku operojnë si Katari ashtu edhe Irani.

    Tasnim raporton se sulmi ka ndodhur më herët gjatë së mërkurës.

  • Dragan Ristiq lirohet nga akuza për krime lufte në Gjakovë

    Dragan Ristiq lirohet nga akuza për krime lufte në Gjakovë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit për krime lufte në Gjakovë, Dragan Ristiq.

    Aktgjykimi ndaj Ristiq u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas vendimit, nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale që i vihej në barrë. Atij i ndërpritet masa e paraburgimit.

    I akuzuari Ristiq nuk ishte i pranishëm në shpallje.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 27 qershor 2025, Dragan Ristiq akuzohej se gjatë periudhës 1998–1999, në kohën e luftës në Kosovë, në territorin e qytetit të Gjakovës, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare, ka marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime fizike dhe psikike, arrestime, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, më 10 maj 1999, në rrugën “Bajram Curri” në Gjakovë, pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ku bënte pjesë edhe i pandehuri, të uniformuar dhe të armatosur, të ndarë në grupe të ndryshme, kishin hyrë me dhunë në shtëpinë e M.D., ku po qëndronin M.D., Dukagjin Dyla, bashkëshortja e tij, një fëmijë, si dhe dy të strehuarit C.H. dhe I.L.

    Fillimisht, thuhet se i kishin urdhëruar të dëmtuarit të dilnin në oborr, ku një polic kishte ndalur viktimat C.H. dhe I.L., pastaj njëri nga pjesëtarët e forcave serbe u kishte thënë “ah ju qenkeni UÇK” dhe menjëherë kishte shtënë me armë në drejtim të tyre, duke i vrarë që të dy.

    Në aktakuzë thuhet se një polic tjetër kishte hyrë në shtëpi ku po qëndronte M.D. dhe kishte shtënë me armë, ndërsa policët e tjerë që ishin në oborr kishin shtënë me armë në drejtim të këmbëve të të dëmtuarve Florije Dyla, Dukagjin Dyla etj., duke i detyruar që të largoheshin nga shtëpia.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, më 13 maj 1999, Florije Dyla, bashkë me Sabrije Dylën dhe Humajun Dylën, ishin kthyer në shtëpi, ku në korridor e kishin gjetur të vrarë M.D., i cili kishte fytyrën e gjakosur dhe një plagë në gjoks, ndërsa në oborr ishin gjetur të vrarë edhe C.H. dhe I.L., kufomat e të cilëve pas luftës ishin gjetur në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, ndërsa identifikimi ishte bërë përmes analizës së ADN-së.

    Në aktakuzë thuhet se nga 7 maji deri më 10 maj 1999, në territorin e qytetit të Gjakovës, në kuadër të një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullsisë civile shqiptare, i pandehuri Dragan Ristiq kishte ushtruar dhunë fizike, psikologjike dhe trajtim çnjerëzor ndaj civilëve shqiptarë, duke marrë pjesë aktive në ndalimin dhe ndarjen e dhunshme të meshkujve civilë shqiptarë nga familjet e tyre.

    Në aktakuzë thuhet se më 10 maj 1999, në pikën e kontrollit të improvizuar tek ura e Islam Begut (Kulla e Avdullah Pashës) në Gjakovë, duke vepruar në bashkëkryerje me dy pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, fillimisht kishin ndalur veturën të cilën e drejtonte i dëmtuari Masar Caka, i kishin nxjerrë me forcë nga vetura të dëmtuarit Masar dhe Afrim Caka, u kishin kërkuar para dhe, në mungesë të mjeteve monetare, kishin ushtruar dhunë fizike ndaj tyre, përfshirë goditje me grushte, shqelma dhe me kondakë armësh, në prani të fëmijëve dhe familjarëve, si dhe kishin ndaluar dhe keqtrajtuar edhe civilë të tjerë shqiptarë në të njëjtin vend, pa ndonjë bazë ligjore apo procedurale.

    Tutje, në aktakuzë thuhet se kishin ushtruar kontroll mbi kolonën e civilëve të dëbuar me qëllim të selektimit dhe ndarjes së burrave për qëllime të mëtejshme represive, me ç’rast gjatë këtij aksioni u arrestuan Afrim Caka dhe Enver Dyla dhe u burgosën rreth 300 persona civilë të nacionalitetit shqiptar dhe komuniteteve të tjera, të cilët fillimisht u mbajtën në burgje të improvizuara, pa trajtim human, duke u munguar gjërat elementare si ushqimi i rregullt, higjiena dhe kujdesi shëndetësor.

    Më pas, një pjesë e të burgosurve ishin liruar, rreth 150 prej tyre ishin dërguar në burgje të ndryshme në Kosovë dhe, në fund, nga Burgu i Dubravës, sipas aktakuzës, u transferuan në burgjet e Serbisë, ku pas qershorit të vitit 1999 të dëmtuarit u liruan me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.

    Në pikën e tretë të dispozitivit të parë thuhet se forcat policore dhe ushtarake serbe, me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve, dëbuan nga shtëpitë e tyre familjet Caka, Dyla dhe të gjitha familjet që banonin në rrugët “Bajram Curri”, “Mulliri”, “Qabrati” dhe “Mithat Frashëri” të qytetit të Gjakovës.

    Në këtë pikë thuhet më tej se, në ditën kritike, pjesëtarët e forcave policore dhe ushtarake serbe kishin hyrë në shtëpinë e familjes Dyla në Gjakovë dhe kishin vrarë tre persona.

    Sipas aktakuzës, të njëjtit i kishin detyruar të gjithë banorët e lagjeve që t’u bashkoheshin kolonave të banorëve civilë të nacionalitetit shqiptar dhe nacionaliteteve të tjera, të cilët me dhunë po largoheshin nga Gjakova.

    Sipas pikës së katërt të kësaj aktakuze, gjatë një aksioni të forcave policore dhe ushtarake serbe të filluar më 7 maj 1999 dhe të përfunduar më 10 maj 1999, ku bënte pjesë edhe i pandehuri Dragan Ristiq, fillimisht u plaçkitën shtëpitë e familjeve Caka dhe Dyla dhe të gjitha shtëpitë në rrugët “Bajram Curri”, “Mulliri”, “Qabrati” dhe “Mithat Frashëri” të qytetit të Gjakovës, të nacionalitetit shqiptar, e më pas u dogjën, duke u shkaktuar dëme shumë të mëdha materiale.

    Me këto veprime, i pandehuri Dragan Ristiq akuzohej se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” në bashkëkryerje, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. /BetimipërDrejtësi

  • Zyrtarë të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve merren në pyetje nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës

    Zyrtarë të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve merren në pyetje nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës

    Autoritetet në Kosovë i kanë marrë në pyetje disa zyrtarë të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) të mërkurën, si pjesë e një aksioni ndaj agjencisë lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e detyrës dhe falsifikimin e dokumenteve.

    Ushtruesja e detyrës së kryeshefes së ARBK-së, Igballe Rexha-Jashari, si dhe dy zyrtarë të tjerë janë shoqëruar për në stacionin policor për t’u marrë në pyetje, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

    Paraprakisht, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se bastisja në ARBK po zhvillohej për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

    Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Shala nuk ka treguar se cilat janë funksionet e zyrtarëve të tjerë, por ka bërë të ditur se aksioni i Prokurorisë është ende duke vazhduar.

    “Prokurori do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në lidhje me rastin”, tha ajo.

    Autoritetet nuk kanë dhënë më shumë hollësi rreth keqpërdorimeve të dyshuara në këtë agjenci.

    ARBK-ja është institucioni kryesor për regjistrimin dhe administrimin e bizneseve në Kosovë, dhe vepron nën Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

  • UNICEF: Brenda dy javësh 111 fëmijë u vran në Liban

    UNICEF: Brenda dy javësh 111 fëmijë u vran në Liban

    Lufta në Liban po merr përmasa tragjike, ku fëmijët janë më të rrezikuarit. Klasat e shkollave, sot janë kthyer në streha dëshpërimi.

    Brenda dy javësh, bilanci është 111 fëmijë të vrarë dhe mbi 330 të tjerë të plagosur nga sulmet ajrore.

    Zv.Drejtori Ekzekutiv i UNICEF, Ted Chaiban, i cili vizitoi zonat e prekura, thotë se shifrat janë alarmante.

    “Tani kemi mbi një milion njerëz të zhvendosur në Liban, përfshirë 350 mijë fëmijë. Kjo është pothuajse 20% e popullsisë. Jeta e tyre është shkatërruar plotësisht. Pa shtëpi, pa shkollë. Ata po paguajnë një çmim të tmerrshëm”, tha zv.Drejtori Ekzekutiv i UNICEF, Ted Chaiban.

    Fatima Basharush është një nga nënat e zhvendosura nga jugu i Libanit. Ajo tregon se lufta po u shkaterron të ardhmen.

    Fëmijët e saj jo vetëm që nuk po ndjekin dot programin e rregullt mesimor, por po detyrohen të marrin njohuri që i përkasin moshave shumë më të vogla.

    “Fëmijët e mi e duan shkollën, por tani nuk po marrin kurrikulën që duhet. Një fëmijë në klasë të pestë po merr programin e klasës së parë. Arsimi po shkon pas në vend që të ecë para”, u shpreh një banore.

    Përveç krizës humanitare, UNICEF bën thirrje që palët në konflikt të mos godasin infrastrukturën civile.

    Sulmet mbi spitalet dhe punonjësit shëndetësorë kanë lënë dhjetëra të vdekur, duke e bërë mbijetesën pothuajse të pamundur në zonat e bombarduara.

    “Duhet të sigurohemi që infrastruktura civile të mbrohet. Ka pasur sulme të rënda ndaj sistemit shëndetësor. Nuk ka vend për sulme mbi spitalet, rrjetin e ujit apo shkollat. Ato duhet të jenë vende të mbrojtura me çdo kusht”, shtoi Ted Chaiban.

    Për fëmijët e Libanit, kjo nuk është kriza e pare, pasi edhe në 2019 kolapsi financiar, shpërthimi në portin e Bejrutiti dhe pandemisë ka prekur masivisht mënyrën e jetesës së fëmijëve.

  • E refuzuan shumica e vendeve të NATO-s, vjen reagimi i ashpër i Trumpit

    E refuzuan shumica e vendeve të NATO-s, vjen reagimi i ashpër i Trumpit

    Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka folur mbi refuzimin e shteteve të NATO’s për përfshirje në çlirimin e Ngushticës të Hormuzit.

    Trump ka thënë se nuk e çudit kjo sjellje e vendeve anëtare të NATO-s.

    “Shumica e ‘aleatëve’ tanë të NATO-s i kanë njoftuar Shtetet e Bashkuara se nuk duan të përfshihen në operacionin tonë ushtarak kundër regjimit terrorist të Iranit në Lindjen e Mesme, pavarësisht faktit që pothuajse çdo vend pajtohet fuqimisht me atë që bëjmë dhe se Iranit nuk i lejohet aspak të ketë armë bërthamore. Megjithatë, nuk më çudit veprimi i tyre, sepse gjithmonë kam menduar se NATO, ku shpenzojmë qindra miliarda dollarë në vit për të mbrojtur këto të njëjta vende, është një rrugë me një sens – ne do t’i mbrojmë, por ata nuk do të bëjnë asgjë për ne, veçanërisht në kohë nevoje”, ka shkruar Trump.

    Ai ka thënë se ShBA’së, nuk i nevojitet ndihma e askujt.

    “Fatmirësisht, ne i kemi dëmtuar shumë forcat ushtarake iraniane – marina e tyre ka zhdukur, forcat ajrore kanë zhdukur, mbrojtja e tyre ajrore dhe radarët janë zhdukur, dhe ndoshta, më e rëndësishmja, liderët e tyre, në pothuajse të gjitha nivelet, janë zhdukur dhe kurrë më nuk do të na kërcënojnë ne, aleatët tanë në Lindjen e Mesme ose botën! Për faktin që kemi pasur një sukses kaq të madh ushtarak, nuk na nevojitet dhe as nuk duam ndihma nga vendet e NATO-s – kurrë nuk e kemi dashur! Po ashtu, Japoni, Australi ose Koreja e Jugut. Në të vërtetë, duke folur si president i Shteteve të Bashkuara, vendit më të fuqishëm në botë, nuk na nevojitet ndihma e askujt”, përfundoi presidenti amerikan.

    Ndryshe, shtetet kryesore të aleancës ushtarake kanë refuzuar ta ndihmojnë SHBA-në duke justifikuar se NATO nuk duhet të hyjë në luftë.

  • OKB kërkon akses për të hetuar sulmin vdekjeprurës ndaj shkollës në Iran

    OKB kërkon akses për të hetuar sulmin vdekjeprurës ndaj shkollës në Iran

    Një anëtar i misionit të OKB-së për hetimin e ngjarjeve në Iran thotë se hetuesit po kërkojnë akses në vendin ku ndodhi një sulm vdekjeprurës ndaj një shkolle, që u krye në fillim të konfliktit.

    Max du Plessis deklaroi se OKB-ja ka raportime të besueshme sipas të cilave të paktën 168 persona humbën jetën në sulmin në Minab, në jug të Iranit, shumica prej tyre vajza nxënëse, disa prej të cilave vetëm shtatë vjeç.

    Du Plessis shton se OKB-ja po përpiqet të zbulojë kush është përgjegjës, cili ishte motivi i sulmit dhe cilat mund të jenë pasojat ligjore, “nëse ka ndonjë”.

    “Jemi në fazën fillestare të hetimit”, tha ai.

    Shtetet e Bashkuara po kryejnë hetimin e tyre mbi sulmin, dhe du Plessis shprehet se, edhe pse ekipi i OKB-së nuk ka biseduar ende me përfaqësues amerikanë, do të mirëpresin çdo informacion të dhënë, duke theksuar megjithatë detyrimin “të pavarur” të OKB-së për të përcaktuar faktet.

    “Ne kemi kërkuar akses në Iran dhe do të vazhdojmë ta kërkojmë atë”, përfundoi ai.

  • Macron: Franca s’do të marrë kurrë pjesë në operacionet për zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit

    Macron: Franca s’do të marrë kurrë pjesë në operacionet për zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit

    Presidenti francez, Emmanuel Macron thotë se Franca nuk do të marrë kurrë pjesë në operacionet për zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit dhe se Franca po vazhdon punën për të përgatitur një koalicion që mund të sigurojë lirinë e lundrimit pasi të përfundojnë armiqësitë.

    “Ne nuk jemi palë në konflikt dhe për këtë arsye Franca nuk do të marrë kurrë pjesë në operacione për të hapur ose çliruar Ngushticën e Hormuzit në kontekstin aktual”, tha Macron në fillim të një takimi të kabinetit për të diskutuar konfliktet në Lindjen e Mesme.