ATV

Author: G.O.

  • Metodat më të shpejta për të hequr erën e hudhrës nga duart

    Metodat më të shpejta për të hequr erën e hudhrës nga duart

    Hudhra është e shijshme dhe i shton një shije fantastike pjatave tuaja të preferuara. Sidoqoftë era e saj që na ngelet nëpër duar nuk është diçka edhe aq e këndshme. Ajo mund të qëndrojë me orë të tëra edhe pse kemi mbaruar gatimin apo edhe pas herëve të shumta që kemi larë duart me detergjent.

    Atëherë si t’ia bëni për ta eliminuar?

    Metoda e parë

    Fillimisht lani duart me sapun. Sapo t’i keni shkumuar duart, lëreni sapunin mënjanë dhe mbani në duar një lugë gjelle. Fërkoni duart me të në ujë të rrjedhshëm të ftohtë. Materiali i lugës, prej çeliku ose inoksi neutralizon erën e hudhrës në duart tuaja.

    Metoda e dytë

    Spruconi në duart tuaja lëng limoni. Agrumet si limoni janë të shkëlqyera në neutralizimin e aromave si për shembull të hudhrës. Do ta shikoni që era jo e këndshme do të largohet brenda pak minutave.

    Metoda e tretë

    Fërkoni duart me kafe.

    1 lugë gjelle kafe turke fërkojeni tek pëllëmbët dhe mes gishtërinjve tuaj. E mbani për 2-3 minuta dhe në fund i shpëlani duart me ujë të ngrohtë. Do të shikoni që era e hudhrës, do të jetë zëvendësuar me erën e këndshme të kafesë.

  • AIP u bën thirrje mediave për kujdes gjatë raportimit për ngjarje tragjike

    AIP u bën thirrje mediave për kujdes gjatë raportimit për ngjarje tragjike

    Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) u ka bërë thirrje të gjitha mediave dhe platformave online që, gjatë raportimit për ngjarje tragjike, të tregojnë kujdes të shtuar ndaj familjeve të prekura.

    AIP thekson se është thelbësore që në raste të tragjedive, raportimi të bëhet me përgjegjësi të lartë profesionale dhe etike, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Në këto situata të ndjeshme, është thelbësore që raportimi të bëhet me përgjegjësi të lartë profesionale dhe etike, duke respektuar privatësinë, dinjitetin dhe dhimbjen e familjarëve. Agjencia thekson se mbrojtja e të dhënave personale është detyrim ligjor dhe moral, veçanërisht në situata të ndjeshme”, njofton AIP.

    Agjencia fton mediat që të veprojnë me ndjeshmëri dhe korrektësi, duke kontribuar në ruajtjen e dinjitetit njerëzor dhe duke treguar solidaritet me familjet në momente të vështira.

    Duke marrë shkas ngjarjet e fundit tragjike në vend, ku brenda një jave nga të shtënat me armë zjarri u vranë pesë persona, edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) ua ka rikujtuar mediave Kodin e Mediave të Shkruara dhe raportimin për tragjedinë dhe mbrojtjen e privatësisë.

  • UEFA zbulon gjyqtarët për ndeshjen vendimtare Kosova–Sllovakia

    UEFA zbulon gjyqtarët për ndeshjen vendimtare Kosova–Sllovakia

    UEFA ka bërë publike zyrtarisht listën e gjyqtarëve për ndeshjen vendimtare të “play-off”-it ku do të luajë Kosova, e cila do të zhvillohet më 26 mars 2026 në orën 20:45 në Bratislavë kundër Sllovakisë.

    Gjyqtari kryesor i takimit do të jetë norvegjezi Espen Eskas, një figurë e njohur në futbollin evropian, i cili do të ketë për ndihmës gjyqtarë bashkëkombësit e tij Jan Erik Engan dhe Isaak Elias Bashevkin.

    Në rolin e gjyqtarit të katërt është caktuar skocezi Nicholas Walsh, ndërsa teknologjia VAR do të jetë nën mbikëqyrjen e holandezit Rob Dieperink, i ndihmuar nga Clay Ruperti.

    Ky delegim vjen në prag të një ndeshjeje me peshë të madhe për Kosovën, ku çdo vendim mund të ndikojë drejtpërdrejt në rrugëtimin drejt suksesit.

    Tashmë gjithçka është gati për një mbrëmje tensioni dhe emocioni në arenën ndërkombëtare, me Dardanët që shpresojnë në fitore për të luajtur pastaj finalen në “Fadil Vokrri” ndaj Turqisë ose Rumanisë.

  • Abdixhiku: Liria jonë s’ishte rastësi, 24 marsi të jetë datë kombëtare e Kosovës

    Abdixhiku: Liria jonë s’ishte rastësi, 24 marsi të jetë datë kombëtare e Kosovës

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, duke e cilësuar atë si një nga kthesat më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës.

    Ai theksoi se ndërhyrja 78-ditore e NATO-s përfaqësoi përputhjen e sakrificës së popullit të Kosovës me vendimin e aleatëve ndërkombëtarë për liri dhe dinjitet.

    Abdixhiku nënvizoi se sot ekziston një detyrim për të ruajtur miqësinë me aleatët dhe për të forcuar rrugën euroatlantike të vendit.

    Ai propozoi që 24 marsi të trajtohet si datë kombëtare e Kosovës, si simbol i ditës kur, sipas tij, historia mori një drejtim të ri për vendin.

    Reagimi i plotë i Abdixhikut:

    Sot shënojmë 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, një nga kthesat më të thella në historinë moderne të Kosovës.

    Më 24 mars, përpjekja jonë doli nga kufijtë e vetvetes dhe u bë pjesë e ndërgjegjes nderkombëtare. Vlerat për të cilat qëndruam, liria, dinjiteti dhe e drejta për të ekzistuar, u shndërruan në veprime ushtarake të botës perëndimore. Për 78 ditë e 78 netë rresht, NATO i dha Kosovës drejtësinë e vonuar – dhe atë në formën më të bukur të mundshme – nga qielli.

    Sot, gati tri dekada më pas, kujtojmë se liria jonë nuk ishte rastësi, por përputhje historike e sakrificës sonë me vendimin e drejtë të aleatëve tanë. Nga këndvështrimi i botës së sotme, ndoshta mund ta kuptojmë se sa me fat dhe sa e rrallë ishte kjo përputhje, Prandaj sot, kemi një detyrim të shenjtë. Ta ruajmë këtë miqësi, ta forcojmë rrugën tonë euroatlantike dhe të mos harrojmë kurrë pse dhe si u bëmë të lirë. Sepse liria dhe miqësia nuk janë vetëm kujtime. Janë përgjegjësi, çdo ditë.

    Dhe mbi këtë përgjegjësi, ndoshta duhet të nisim nga trajtimi formal i 24 marsit si datë kombëtare të Republikës së Kosovës. Jo vetëm si një shenjë kalendari, por si një moment kujtimi për ditën kur historia ndryshoj drejtim për Kosovën.

  • Von der Leyen: Paqja e negociuar, thelbësore për t’i dhënë fund luftës me Iranin

    Von der Leyen: Paqja e negociuar, thelbësore për t’i dhënë fund luftës me Iranin

    Duke folur gjatë një vizite në Australi, shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi nevojën për një paqe të negociuar për t’i dhënë fund luftës me Iranin, duke thënë se është “thellësisht e shqetësuar” për konfliktin në vazhdim.

    “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të arrijmë në një zgjidhje të negociuar, e cila t’i japë fund armiqësive që po shohim në Lindjen e Mesme,” tha von der Leyen, së bashku me kryeministrin australian Anthony Albanese në Canberra.

    Disa vende të BE-së po përgatiten të ndihmojnë në një “mision” për të mbrojtur Ngushticën e Hormuzit pasi të përfundojë lufta, tha von der Leyen.

    “Ne të gjithë po i ndiejmë efektet zinxhir në çmimet e gazit dhe naftës, në bizneset tona dhe në shoqëritë tona,” shtoi ajo, duke theksuar se ky kanal tregtar është “jetik për linjat e furnizimit me energji në mbarë botën.”

     

     

  • “O Zot, më merr mua!” – Për herë të parë…basketbollisti rrëfen humbjen e djalit 18-vjeçar

    “O Zot, më merr mua!” – Për herë të parë…basketbollisti rrëfen humbjen e djalit 18-vjeçar

    Ikona e basketbollit kosovar, Valentin Spaqi, ka prekur publikun me një rrëfim të ndjerë gjatë një interviste në emisionin “STUDIO A”, ku foli për humbjen e rëndë të djalit të tij, Inrit.

    Me emocione të forta, ai e përshkroi këtë si një nga përvojat më të vështira të jetës së tij.

    “Është e pashpjegueshme, shumë e rëndë, shpesh më mbetet peng nëse kam mundur të bëj më shumë. Kjo është një dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë”, u shpreh ai.

    Ai gjithashtu shprehu zhgënjim ndaj disa të afërmve, duke theksuar se në momente të tilla ka pritur më shumë mbështetje.

    “Jam ndjerë i zhgënjyer nga disa familjarë, sepse kam pritur më shumM nga ta por gjithsesi këtë dua ta mbaj për vete,” tha ai.

    Humbjen e të birit e cilësoi si të parakohshme dhe një goditje shumë të fortë për familjen.

  • 28-vjetori i Epopesë së Dukagjinit, Haxhiu: Rrethimi i Gllogjanit nuk e ndali rezistencën

    28-vjetori i Epopesë së Dukagjinit, Haxhiu: Rrethimi i Gllogjanit nuk e ndali rezistencën

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në Gllogjan të Deçanit, në 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit.

    Ajo tha se në vitin 1998, rrethimi i Gllogjanit synonte të shuante rezistencën, por sipas saj, ndodhi e kundërta. Haxhiu theksoi se familja Haradinaj dhe luftëtarët e tjerë e thyen rrethimin dhe dëshmuan se përpjekja për liri nuk ndalet.

    Ajo përkujtoi dëshmorët Him Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj, si dhe sakrificën e familjeve të tyre.

    Beteja e Gllogjanit u zhvillua më 24 mars të vitit 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe. Kjo ngjarje përkujtohet çdo vit si pjesë e rezistencës për çlirimin e vendit.

  • Mbrojtja kërkon që të urdhërohet Prokuroria të mos nxjerrë prova të reja, përjashtimisht në rrethana të jashtëzakonshme

    Mbrojtja kërkon që të urdhërohet Prokuroria të mos nxjerrë prova të reja, përjashtimisht në rrethana të jashtëzakonshme

    Mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, ka kërkuar nga trupi gjykues në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, që të urdhëroje Prokurorinë të mos nxjerrë prova të tjera përveç se në rrethana të jashtëzakonshme.

    Sipas aspektit procedural, siç paraqitet në parashtresën e mbrojtjes, më 18 shkurt 2026 trupi gjykues ka mbyllur çështjen në këtë rast gjyqësor dhe shprehimisht ka thënë se në përputhje me Rregullën 136, në këtë fazë nuk mund të paraqiten më ndaj tyre parashtresa ose prova të tjera përveçse në rrethana të jashtëzakonshme, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndërsa, sipas mbrojtjes, më 4 mars, Prokuroria ka vendosur tre artikuj të rinj në qasje për panelin, me pretendimin se i nënshtrohen Rregullës 103.

    Rregulla 103 sipas Rregullores së Procedurave dhe provave, ka të bëjë me provat shfajësuese, e cila parasheh se: “Në varësi të rregullës 107 dhe rregullës 108, Prokurori i Specializuar i vë menjëherë në dispozicion Mbrojtjes çdo informacion për të cilin ka arsye të besohet se sugjeron pafajësinë, apo lehtëson fajësinë e të akuzuarit, apo ndikon në besueshmërinë ose mbështetshmërinë e provave të Prokurorit të Specializuar, sapo një informacion i tillë të jetë nën ruajtjen, kontrollin apo dijeninë faktike të Prokurorit të Specializuar”.

    Mbrojtja thotë se atë ditë kishte kërkuar sqarim nga Prokuroria nëse po ia bën me dije trupit gjykues për provat e tilla. Ndërsa, Prokuroria veprim të ngjashëm pretendohet se kishte bëre edhe më 10 mars duke i vendosur në Legal Workflow edhe dy artikuj të tjerë me pretendimin se i nënshtrohen rregullës së njëjtë.

    “Rregulla 136 është e qartë: kur procedurat u mbyllën më 18 shkurt 2026, nuk mund të bëhen më parashtresa të tjera ndaj Panelit dhe Paneli nuk mund të pranojë më parashtresa të tjera ose të dëgjojë prova, përveç nëse rrethana të jashtëzakonshme kërkojnë ndryshe. Vetë Paneli i Gjykimit i udhëzoi Palët më 18 shkurt 2026 se në këtë fazë nuk mund të bëhen më parashtresa ose prova të tjera, në përputhje me termat e qartë të Rregullës 136”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes.

    Ndonëse sipas mbrojtjes rregulla në fjalë nuk lejon që të bëhen parashtresa ose prova shtesë, Prokuroria vazhdon ta bëjë një gjë ë tillë pa treguar se ka rrethana të jashtëzakonshme.

    Mbrojtja, gjithashtu thotë se nëse Prokuroria zbulon materiale shfajësuese që kërkojnë rihapjen e çështjes, atëherë i takon vetë mbrojtjes që të paraqes një mocion në përputhje me Rregullën 136 dhe të tregojë arsye të mjaftueshme dhe rrethana të jashtëzakonshme për të pranuar atë material shfajësues si provë.

    Të ngjajshme
    Specialja ia vazhdon paraburgimin Kadri Veselit

    18 Mar, 2026, 19:00
    Specialja ia heq kufizimet e vizitave tek Thaçi një personi,…

    18 Mar, 2026, 12:28
    Prokuroria mbyll çështjen e saj në rastin Thaçi dhe tjerët…

    16 Mar, 2026, 9:49
    “Për arsyet e lartpërmendura, Mbrojtja i kërkon me respekt Panelit të Gjykimit që të: URDHËROJË ZPS-në që të mos bëjë zbulime të provave shtesë ndaj Panelit të Gjykimit, qoftë përmes Legal Workflow apo ndryshe, përveç nëse mund të demonstrojë arsye të mjaftueshme dhe rrethana të jashtëzakonshme për ta bërë këtë”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes.

    Fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

    Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e vazhdoi edhe më 12 shkurt. Po atë ditë e nisi fjalën përfundimtare mbrojtja e Selimit dhe e përfundoi me 13 shkurt, datë në të cilën më pas i nisi deklarimet mbrojtja e Krasniqit. Kjo e fundit përfundoi deklaratat përmbyllëse më 16 shkurt, seancë e cila vazhdoi me pyetjet e trupit gjykues dhe përgjigjet e mbrojtjes dhe Prokurorisë.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Sekuestrohen 12 kg drogë në Itali dhe 90 mijë euro: Arrestohen 4 persona, ndër ta dy shqiptarë

    Sekuestrohen 12 kg drogë në Itali dhe 90 mijë euro: Arrestohen 4 persona, ndër ta dy shqiptarë

    53 mijë euro para të gatshme, 4.5 kilogramë kokainë dhe 1.7 kilogramë hashash u sekuestruan në shtëpinë e tij në Osio Sopra.

    Ky është përfundimi i hetimit të Policisë së Shtetit, të kryer midis provincave të Bergamos dhe Milanos, i cili çoi në sekuestrimin e një totali prej 12 kilogramësh drogë dhe 90 mijë eurosh në para të gatshme.

    Operacioni, i kryer nga oficerë të Seksionit të Krimit të Huaj të Skuadrës Fluturuese të Milanos, u zhvillua midis shtatorit 2022 dhe marsit 2023.

    Pasi mbërritën urdhër-arrestet në mesin e marsit 2026, oficerët kryen kontrolle në shtëpi, duke i gjetur burrat e kërkuar ende në të njëjtat adresa në Osio Sopra dhe Milano, me para të fshehura në mure dhe drogë, kryesisht kokainë dhe hashash, shkruan media italiane Bergamo.corriere.it.

    Të arrestuarit janë dy shqiptarë, të moshës 39 dhe 52 vjeç (ky i fundit nën arrest shtëpiak), dhe një italian 64-vjeçar, transmeton Sinjali.

    Një egjiptian 44-vjeçar, tashmë në burg në Voghera, Pavia, për trafik droge, iu dorëzua një njoftim në qelinë e tij.

  • Sulm masiv gjatë natës në Ukrainë – Rusia godet me raketa dhe dronë, 4 të vrarë dhe 16 të plagosur

    Sulm masiv gjatë natës në Ukrainë – Rusia godet me raketa dhe dronë, 4 të vrarë dhe 16 të plagosur

    Rusia nisi një sulm në shkallë të gjerë me raketa dhe dronë në disa qytete ukrainase gjatë natës, duke vrarë të paktën katër persona dhe duke plagosur 16 të tjerë, njoftuan zyrtarët vendas.

    Sulmi i fundit vjen vetëm disa orë pasi Presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi për një sulm masiv të afërt nga forcat ruse, duke cituar raportet e inteligjencës ukrainase.

    Shpërthime u dëgjuan në qytetet e Poltavas dhe Zaporizhzhia duke filluar pak para orës 3 të mëngjesit sipas orës lokale. Forcat Ajrore të Ukrainës paralajmëruan për herë të parë për raketa balistike ruse që po vinin rreth orës 2:45 të mëngjesit sipas orës lokale.

    Shpërthime të mëtejshme u dëgjuan gjithashtu në Oblastin Ivano-Frankivsk, në perëndim të largët të vendit, rreth orës 4:30 të mëngjesit, raportoi transmetuesi publik Suspilne.

    Guvernatori i Oblastit të Zaporizhzhisë, Ivan Fedorov, raportoi se të paktën një person u vra dhe pesë të tjerë u plagosën në sulmin e natës në Zaporizhzhia, përfshirë një sulm me dron në qytet.

    Fedorov tha se gjashtë ndërtesa apartamentesh, dy shtëpi dhe një “objekt i infrastrukturës industriale” i paspecifikuar pësuan dëme dhe u përfshi nga zjarri gjatë sulmit.

    Në Poltava, guvernatori rajonal Vitaliy Dyakivnych raportoi se disa ndërtesa banimi, si dhe një hotel, kishin pësuar dëme gjatë sulmit. Të paktën dy persona u vranë dhe 11 të tjerë u plagosën në sulm.

    Alarme për sulme ajrore janë lëshuar në pothuajse të gjitha rajonet e Ukrainës gjatë natës, me dronë rusë që kanë synuar rajone të ndryshme të vendit duke përfshirë raportime për dronë që fluturojnë në rajonet më perëndimore të vendit.

    Forcat Ajrore të Polonisë thanë se ngritën në ajër avionë luftarakë polakë dhe të aleatëve për të mbrojtur hapësirën ajrore polake gjatë sulmit.

    Më herët gjatë natës, shpërthime u dëgjuan edhe në Kiev gjatë një sulmi me dronë në kryeqytet.

    Në Kharkiv, kryebashkiaku Ihor Terehov tha se një dron u rrëzua në një fushë të hapur në qytet pa shpërthyer ose shkaktuar dëme.