ATV

Author: G.O.

  • Shea: Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë shpëtoi jetët e kosovarëve

    Shea: Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë shpëtoi jetët e kosovarëve

    Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, në një intervistë për RTKLive, në përvjetorin e 27-të të fillimit të sulmeve ajrore të NATO-së ndaj ish-Jugosllavisë (Serbisë), tha se kishte qenë i bindur se përdorimi i forcës ishte i domosdoshëm për të shpëtuar jetët e kosovarëve dhe se drejtësia ishte në anën e tyre.

    Sipas ish-zyrtarit të NATO-s, vendimi nuk ishte i vështirë, sepse qëndrimi kokëfortë i Millosheviçit dhe veprimet serbe, si masakra në Reçak, i bindën të gjithë aleatët se NATO duhej të ndërhynte për të parandaluar një katastrofë humanitare në Kosovë.

    Shea vlerësoi se, edhe pse njëzet e shtatë vjet më vonë Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë, kjo është për të ardhur keq. “Sepse përballja me anën më të errët të historisë së vet dhe kërkimi i faljes për gabimet e së kaluarës është shenjë e një demokracie të pjekur. Dhe është thelbësore nëse vendet duan të ecin përpara dhe të kenë marrëdhënie normale me fqinjët e tyre”, tha ai.

    Ai tha se është përgjegjësi morale e qeverisë së Serbisë të pranojë krimet e kryera në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë dhe të emërojë një komision të pavarur të historianëve ndërkombëtarë dhe serbë për të hetuar dhe për të nxjerrë në dritë të gjitha faktet.

    Shea ka folur edhe për sulmin terrorist në Banjskë. “Serbia ka përdorur taktika kundër Kosovës për të provuar ta dobësojë atë. Incidenti i Banjskës në shtator 2023 është një shembull i mirë. Prandaj, detyra kryesore e NATO-s sot është të ndihmojë Kosovën me inteligjencë më të mirë mbi këto forma të luftës hibride dhe të zhvillojë qëndrueshmërinë e saj të brendshme për t’u mbrojtur ndaj tyre”, tha ai.

    Serbia vazhdon të përdorë retorikë agresive ndaj vendeve fqinje, përfshirë Kosovën dhe Kroacinë. Shea këtë e lidh me mungesën e vizionit politik dhe burrështetësisë nga ana e udhëheqësve të Serbisë që nga rënia e regjimit të Millosheviçit.

    Ai ka folur edhe për Kosova që të jetë pjesë e NATO-së. “Kosova ndan vlerat e NATO-s dhe ka treguar se dëshiron të kontribuojë në sigurinë e përgjithshme të NATO-s dhe jo vetëm të përfitojë nga siguria që NATO mund t’i ofrojë Kosovës, për shembull përmes KFOR-it”, tha ai.

  • Djali ushtron dhunë ndaj nënës në Pejë, ndalohet për 48 orë – dërgohet në repartin neuropsikiatrik

    Djali ushtron dhunë ndaj nënës në Pejë, ndalohet për 48 orë – dërgohet në repartin neuropsikiatrik

    Një rast i rëndë i dhunës në familje është regjistruar në rrugën “Marije Shllaku” në Pejë, ku një i ri dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.

    Ngjarja ka ndodhur më 23 mars rreth orës 11:00, kur Policia ka pranuar informacion dhe ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku janë takuar viktima dhe i dyshuari.

    Bëhet fjalë për Gj. A., i cili sipas deklarimit të viktimës – nënës së tij, P.A., ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj në mënyrë të vazhdueshme, duke e goditur me shuplaka dhe grushte në pjesë të ndryshme të trupit.

    Viktima ka refuzuar trajtimin mjekësor dhe, pavarësisht rastit, ka vendosur të kthehet në shtëpinë e saj.

    Sipas informacioneve, i dyshuari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe pas ekzaminimit nga psikiatri nuk ka qenë në gjendje të japë deklaratë.

    Në lidhje me rastin janë njoftuar Qendra për Punë Sociale dhe Mbrojtësi i Viktimave, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

    Ai është dërguar në repartin neuropsikiatrik të Spitalit në Pejë, ku ndodhet nën përkujdesjen e zyrtarëve policorë.

    Hetimet janë në zhvillim.

  • Maqedonci: Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më të lavdishme të historisë sonë

    Maqedonci: Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më të lavdishme të historisë sonë

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka kujtuar 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, gjersa thekson se është ndër ngjarjet më të lavdishme të historisë.

    Ministri Maqedonci në një postim në Facebook shkruan se Beteja e Gllogjanit vulosi qartë se UÇK-ja nuk ishte më një vatër e kufizuar rezistence, por një ushtri e lindur nga populli dhe e shtrirë në gjithë Kosovën.

    Lexoni të plotë postimin:

    Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më të lavdishme të historisë sonë të re — dëshmi e qëndresës, sakrificës dhe vendosmërisë së popullit tonë për liri.

    Më 24 mars 1998, forcat okupatore serbe rrethuan Gllogjanin me synimin për ta shuar rezistencën e armatosur. Por luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dëshmuan se nuk ka rrethim, nuk ka forcë dhe nuk ka pushtues që mund ta ndalë një popull të vendosur për liri.

    Beteja e Gllogjanit vulosi qartë se UÇK-ja nuk ishte më një vatër e kufizuar rezistence, por një ushtri e lindur nga populli dhe e shtrirë në gjithë Kosovën.

    Beteja e Gllogjanit pasoi betejën te Gjashtë Lisat në Likoshan, më 28 shkurt, si dhe qëndresën heroike e të lavdishme të Jasharajve në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

    Kjo ishte rruga jonë e vetme për t’i dhënë fund sundimit dhe shtypjes shekullore të Serbisë fashiste. Ishte një luftë e drejtë, e pastër dhe e shenjtë për liri. Përballë nesh ishte një makineri gjenocidale; përballë tyre qëndronte një popull që luftonte për të jetuar i lirë.

    Drejtësia e kauzës sonë solli edhe mbështetjen ndërkombëtare. Pikërisht më 24 mars 1999, një vit pas betejës së Gllogjanit, filloi ndërhyrja e NATO-s kundër caqeve serbe — moment historik që bashkoi sakrificën tonë me ndërgjegjen e botës demokratike.

    Dëshmorët dhe të gjithë të rënët për liri janë themeli i Republikës sonë. Kujtimi për ta nuk është vetëm nderim, por obligim i përhershëm për ta ruajtur lirinë, shtetin dhe dinjitetin tonë kombëtar.

    Sot, mbi këtë histori sakrifice dhe qëndrese, Republika e Kosovës ka ndërtuar dhe fuqizuar ushtrinë e saj — një ushtri moderne, profesionale dhe e gatshme, garanci për mbrojtjen e territorit, për paqen dhe stabilitetin, dhe garanci se gjenocidi i viteve 1998-1999 nuk do të përsëritet më kurrë.

    Nderimet më të larta për Epopenë e Dukagjinit. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve për liri!.

  • Ministri i Jashtëm i Ukrainës thirrje udhëheqësve të BE-së: Shtoni presionin ndaj Rusisë

    Ministri i Jashtëm i Ukrainës thirrje udhëheqësve të BE-së: Shtoni presionin ndaj Rusisë

    Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, u bëri thirrje udhëheqësve të BE-së që të rrisin ndjeshëm presionin mbi Rusinë. Ai më tej paralajmëroi se çmimet në rritje të energjisë të nxitura nga lufta e Iranit dhe përshkallëzimi më i gjerë në Lindjen e Mesme mund të rrisin rrezikun e përshkallëzimit të agresionit rus në Evropë.

    “Anijet cisternë të flotës ruse në hije jo vetëm që duhet të ndalohen, por edhe të sekuestrohen”, tha Sybiha.

    Sipas tij sanksionet individuale duhet të zgjerohen dhe se është gjithashtu koha për të vendosur ndalime hyrjeje në të gjithë BE-në për luftëtarët rusë.

    Sybiha iu referua paketës së 20-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, e cila mbetet e bllokuar nga Hungaria.

    “Paketa e 20-të e sanksioneve të BE-së duhet të miratohet pa vonesë dhe çdo shantazh nga shtete anëtare të veçanta për çështje të palidhura duhet të ndalet me veprime vendimtare”, tha Sybiha.

    Ai shtoi se sanksionet kundër Rusisë kanë të bëjnë me më shumë sesa thjesht me mbështetjen e Ukrainës ose shprehjen e solidaritetit me ukrainasit.

    “E njëjta gjë vlen edhe për kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, këto para nuk janë bamirësi; këto janë një investim në kundërshtimin e agresionit rus dhe ruajtjen e paqes në Evropë”, shtoi ai.

  • Shqipëria i reagon Serbisë për stërvitjen në Bujanoc, ministri i Mbrojtjes: Sigurinë e territoreve shqiptare e garanton NATO-ja

    Shqipëria i reagon Serbisë për stërvitjen në Bujanoc, ministri i Mbrojtjes: Sigurinë e territoreve shqiptare e garanton NATO-ja

    Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi në Shqipëri, foli pas mbledhjes së Qeverisë atje në lidhje me vendimet e marra në kuadrin ushtarako-strategjik, ku vuri theksin tek plotësimi i kritereve të NATO-s mbi të ardhurat, shpenzimet dhe nivelin e pagave të ushtrisë.

    Ai u pyet edhe mbi stërvitjen që po bën Serbia ushtarakisht pranë territorit të Kosovës, por dhe deklaratat e Beogradit mbi marrëveshjen ushtarake dhe aleancën Shqipëri-Kosovë-Kroaci.

    Nufi shpjegoi para gazetarëve se siguria e territoreve shqiptare, përfshi edhe Kosovën, është e garantuar nga ana e NATO-s, pjesë e të cilës është edhe Shqipëria dhe të gjitha veprimet e saj strategjike dhe ushtarake bëhen në kuadër të angazhimeve me Aleancën.

    “Republika e Serbisë mitingon të gjitha rreziqet që pretendon, për problemet e veta që ka, në përputhje me dokumentet e veta strategjike, dhe ato ushtarake, kurse Republika e Shqipërisë nga ana e saj, të gjitha politikat e sigurisë i ka në kuadër të aleancës së NATO-s, dhe aleanca e NATO-s është aleanca më e fortë në botë dhe ndaj shqiptarët duhet të jenë të sigurtë se e gjitha doktrina jonë, e gjithë përgatitja e forcave të armatosura është në përputhje me NATO-n. Dhe në këtë pikë siguria e territoreve shqiptare dhe e Kosovës është e siguruar për sa kohë aty është aleanca dhe garantohen nga NATO”, u shpreh ai.

    Dhe më tej shtoi se perceptimet që bëhen në këtë kuadër dhe deklaratat nuk shihen jashtë angazhimeve që Shqipëria ka si pjesë e NATO-s.

    “Rrjedhimisht shqetësimet që perceptohen nëpërmjet mediave apo komunikimeve dhe reagimeve, për republikën e Shqipërisë përkthehen gjithmonë në përputhje, koordinim e qasje me aleancën dhe partnerët dhe neve na bën të sigurtë për sa kohë përmbushin angazhimet dhe detyrat tona që kemi marrë si angazhim për përmbushje bashkë me NATO-n”, përfundoi ministri fjalën e tij.

  • Prokuroria autorizon Policinë që të hetojë përgjegjësit në QPS ose ata në komunë për rastin e 5-vjeçarit

    Prokuroria autorizon Policinë që të hetojë përgjegjësit në QPS ose ata në komunë për rastin e 5-vjeçarit

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar, se ka lëshuar autorizime shtesë lidhur me rastin e keqtrajtimit të fëmijës 5-vjeçar në Lipjan.

    Në njoftimin e Prokurorisë, bëhet e ditur se Policia e Kosovës është autorizuar për ndërmarrjen e veprimeve shtesë lidhur me këtë rast.

    ‘’Qëllimi i këtij autorizimi lidhet me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për të identifikuar përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, apo zyrtarëve tjerë kompetent të kësaj komune, që kanë pasur kontribut direkt apo indirekt në shkaktimin e pasojave në këtë çështje konkrete’’, thuhet mes tjerash në njoftim.

  • Kryediplomatja e BE-së: Na duhet një dalje nga kjo luftë

    Kryediplomatja e BE-së: Na duhet një dalje nga kjo luftë

    Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka deklaruar se Lindja e Mesme ka nevojë për përfundimin e luftës dhe jo për përshkallëzim, mes sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.

    “Është e qartë se na duhet një dalje nga kjo luftë, jo përshkallëzim”, tha Kallas teksa liderët e BE-së po mblidhen në Bruksel. Ajo dënoi sulmet e Iranit ndaj infrastrukturës energjetike të Katarit, duke theksuar se ato “krijojnë kaos të mëtejshëm”.

    Kallas gjithashtu përsëriti nevojën për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën, duke theksuar se ajo është e lidhur me luftën në Lindjen e Mesme. “Rusia po përfiton nga lufta në Lindjen e Mesme, prandaj përfundimi i kësaj lufte është po aq i rëndësishëm për të gjetur një zgjidhje edhe për Ukrainën”, shtoi ajo.

    Kallas gjithashtu theksoi se vendet anëtare nuk kanë dëshirë të zgjerojnë operacionin Aspides në Ngushticën e Hormuzit. “Ministrat thanë se nuk jemi konsultuar. Disa madje thanë se kemi tentuar t’i bindim palët që të mos e nisin këtë luftë dhe nuk e dimë cilat janë objektivat e saj”, tha ajo.

    Kryediplomatja e BE-së tha se nuk ka bazë në të drejtën ndërkombëtare nëse merret parasysh përdorimi i forcës. “Vendet anëtare nuk kanë dëshirë të përfshihen në këtë luftë”, shtoi ajo.

  • Irani shqyrton tarifa për anijet në Ngushtica e Hormuzit

    Irani shqyrton tarifa për anijet në Ngushtica e Hormuzit

    Irani po konsideron vendosjen e tarifave për çdo anije që kalon nëpër Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare ku kalon rreth 20% e naftës dhe gazit global.

    Sipas zyrtarëve në Iran, masa synon të rrisë të ardhurat dhe të forcojë kontrollin strategjik të vendit mbi këtë korridor energjetik.

    Propozimi vjen në sfondin e tensioneve me Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, ndërsa ligjvënësit po shqyrtojnë një projektligj që do të detyrojë shtetet përdoruese të paguajnë taksa tranziti.

    Këshilltari Mohammad Mokhber paralajmëroi një “regjim të ri” pas përfundimit të konfliktit.

    Analistët theksojnë se një vendim i tillë mund të rrisë tensionet globale dhe të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet ndërkombëtare të energjisë.

  • Vdes një 29-vjeçar pas aksidentit ndërmjet një kamioni dhe motoçiklete në Prizren

    Vdes një 29-vjeçar pas aksidentit ndërmjet një kamioni dhe motoçiklete në Prizren

    Një 29 vjeçar, me iniciale E.A, ka humbur jetën sot si pasojë e një aksidenti që ndodhi në Prizren, konkretisht në rrugën “Transiti i vjetër”.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e këtij qyteti, Shaqir Bytyqi.

    “Sot, më datë 19.03.2026, rreth orës 12:10, në rrugën “Transiti i vjetër”, në Prizren është raportuar një aksident trafiku në mes të një motoçiklete, një kamioni dhe një veture. Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se drejtuesi i motoçikletës, duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, fillimisht ka goditur lehtë veturën, ndërsa më pas është përplasur nga prapa në kamion”.

    “Si pasojë e aksidentit, motociklisti, E.A., rreth 29 vjeç, ka humbur jetën. Vdekjen e viktimës e kanë konstatuar ekipet mjekësore në vendin e ngjarjes. Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje, ku ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, përfshirë sigurimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, deklaroi ai.

  • I dënuar në Holandë për pastrim parash dhe drogë, kapet në Morinë 34-vjeçari nga Kosova

    I dënuar në Holandë për pastrim parash dhe drogë, kapet në Morinë 34-vjeçari nga Kosova

    Një shtetas nga Kosova është arrestuar në Morinë.

    Policia shqiptare ka njoftuar se 34-vjeçari rezulton i dënuar me 1 vit e 6 muaj burg nga autoritetet holandeze, për veprat penale “Pastrimi i parave” dhe “Posedimi i lëndëve narkotike të forta”.

    I njëjti u kap në Morinë në tentativë për të hyrë në Shqipëri.

    “Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet holandeze, pasi Gjykata e Limburgut, Holandë, e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, për veprat penale “Pastrimi i parave” dhe “Posedimi i lëndëve narkotike të forta”.

    Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Holandë, vijon procedurat për ekstradimin e 34-vjeçarit”, thuhet në njoftim.