ATV

Author: G.O.

  • Latifi përkujton 49 martirët e Brestocit në 27-vjetorin e rënies

    Latifi përkujton 49 martirët e Brestocit në 27-vjetorin e rënies

    Kryetari i Komunë së Rahovecit Smajl Latifi ka kujtuar rënien e 49 martirëve në Brestoc.

    Latifi, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se lufta jonë për liri nuk ka pushuar asnjëherë, sepse pushtuesit e kanë zëvendësuar njëri-tjetrin dhe secili ka qenë më i egër se tjetri.

    Postimi i tij i plotë:

    Në Brestoc, në shënimin e 27-vjetorit të përjetësimit, kujtuam 49 martirët e vrarë nga pushtuesi serb.

    Së bashku me bashkëpunëtorë, familjarë, bashkëluftëtarë e qytetarë, nderuam 49 martirët në fshatin Brestoc, të vrarë në vitin 1999 nga pushtuesi serb, 5 dëshmorët e kombit, si dhe 6 që ende janë të pagjetur.

    Lufta jonë për liri nuk ka pushuar asnjëherë, sepse pushtuesit e kanë zëvendësuar njëri-tjetrin dhe secili ka qenë më i egër se tjetri.

    Këtë egërsi e pagoi shtrenjtë edhe Brestoci, fshat që ka numër të madh të të martirizuarve, por nga ky fshat kanë dalë edhe shumë luftëtarë e veprimtarë, të cilët e kanë nderuar emrin e tyre dhe të vendlindjes. Po ashtu, në fushë të nderit kanë rënë 5 dëshmorë, lavdia e të cilëve qëndron si fllad pranveror mbi këtë vend. Lavdi 5 dëshmorëve, 49 martirëve të Brestocit, në mesin e të cilëve edhe 6 personave të pagjetur.

  • Ndalohen dy të dyshuar në Leposaviq për kalim ilegal të kufirit nga Serbia

    Ndalohen dy të dyshuar në Leposaviq për kalim ilegal të kufirit nga Serbia

    Dy persona janë ndaluar nën dyshimin për kalim ilegal të kufirit nga Serbia në Kosovë.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, të dyshuarit u ndaluan në Leposaviq dhe rasti u iniciua si “Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo i vijës kufitare”.

    “Sharpelj, Leposaviq 22.03.2026-16:16. Janë ndaluar dy të dyshuar m/k, pasi që me automjete kanë kaluar kufirin ilegalisht nga Serbia për në Republikën e Kosovës. Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, njofton Policia.

  • Droni rus hyn në hapësirën ajrore të Estonisë, godet një termocentral

    Droni rus hyn në hapësirën ajrore të Estonisë, godet një termocentral

    Një dron rus dyshohet se ka goditur një termocentral në Estoni, ka bërë të ditur shërbimi i sigurisë së brendshme të këtij vendi, raporton “Euronews”.

    Sipas këtij autoriteti, asnjë person nuk është lënduar nga sulmi.

    “Një dron ka goditur oxhakun e termocentralit Auvere. Askush nuk u lëndua në incident. Droni hyri në hapësirën ajrore të Estonisë nga hapësira ajrore ruse”, thuhet në njoftim.

    Termocentrali Auvere ndodhet në verilindje të Estonisë, afër kufirit me Rusinë.

  • A duhet të ushqehen foshnjat me ujë?

    A duhet të ushqehen foshnjat me ujë?

    Pediatrit paralajmërojnë prindërit mbi rreziqet e ushqyerjes me ujë të foshnjave që nuk mbushur akoma 6 muaj, pasi mund të ketë pasoja të rënda në shëndetin e tyre.

    Foshnjat nuk kanë nevojë për ujë si fëmijët dhe të rriturit, edhe në ditët shumë të nxehta.

    Sipas një studimi të publikuar nga Shërbimi Kombëtar i Shëndetit, qumështi i gjirit është mjaftueshëm i pasur në ujë dhe me pak përqendrim të elektroliteve. Prandaj, gjatë gjashtë muajve të parë të lindjes foshnjat mund të qëndrojnë të hidratuar edhe duke u ushqyer vetëm me qumësht gjiri.

    Një fakt që prindërit duhet ta dinë: 88% e qumështit të gjirit është ujë. Qumështi i gjirit dhe formula kanë të gjitha lëngjet e nevojshme për bebet.

    Nëse një bebe konsumon shumë ujë, mund të rezultojë në intoksikim dhe komplikacione më të rënda, deri në vdekje.

    Për gjashtë muajt e parë të lindjes do të ishte mirë që foshnjat t’i marrin kaloritë dhe ujin e nevojshëm nga qumështi i gjirit ose formula për bebe.

  • Fluturimet midis Australisë dhe Zelandës së Re anulohen për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit

    Fluturimet midis Australisë dhe Zelandës së Re anulohen për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit

    Jetstar New Zealand ka kërkuar falje pasi anuloi disa shërbime vendore dhe fluturime mes Australisë dhe Zelandës së Re, duke përmendur rritjen e çmimeve të karburantit për avionë si pasojë e vazhdimit të luftës në Lindjen e Mesme.

    Kompania bëri të ditur se 12% e fluturimeve në muajin maj janë prekur – mes qendrës së saj kryesore në Auckland dhe qyteteve Christchurch, Wellington, Sydney dhe Brisbane.

    Linja ajrore tha se shumicës së pasagjerëve u është ofruar një fluturim tjetër në të njëjtën ditë si alternativë.

    “Ne kemi bërë disa ndryshime të përkohshme në orarin tonë, përfshirë edhe për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit për avionë si rezultat i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe kostove të tjera në rritje”, tha një zëdhënës.

    “Kërkojmë ndjesë për shqetësimin dhe i falënderojmë klientët tanë për mirëkuptimin.”

    Të hënën, Vietnam Airlines anuloi pothuajse dy duzina fluturimesh vendore në javë për shkak të shqetësimeve lidhur me çmimin dhe disponueshmërinë e karburantit. Edhe linjat ajrore në Myanmar kanë bërë shkurtime në orarin e tyre të fluturimeve vendore.

  • 27 vjet nga masakra e Krushës së Madhe

    27 vjet nga masakra e Krushës së Madhe

    Sot janë bërë 27 vjet nga masakra në Krushë të Madhe në Rahovec.

    Më datë 25, 26 dhe 27 mars të vitit 1999, forcat serbe kanë masakruar 243 persona, ku nuk u kursyen as gratë, pleqtë e fëmijët.

    Kjo masakër është ndër më të mëdhat që regjimi i Millosheviqit e ka kryer në Kosovë mbi popullsinë civile.

    Në nderim të viktimave, homazhe në Krushë të Madhe do të bëjnë liderët e shtetit të Kosovës.

  • Sulmet e Iranit zgjerohen në rajon, goditen pesë vende me raketa dhe dronë

    Sulmet e Iranit zgjerohen në rajon, goditen pesë vende me raketa dhe dronë

    Irani ka nisur një valë të re sulmesh në orët e para të së mërkurës (25 mars), duke shënjestruar disa vende në Lindjen e Mesme, përfshirë Izraelin, Kuvajtin, Arabinë Saudite, Bahreinin dhe Jordaninë.

    Sipas medias shtetërore iraniane IRIB, Garda Revolucionare ka goditur objektiva në Izraelin verior dhe qendror, mes tyre edhe Tel Avivin, si dhe baza ushtarake të përdorura nga SHBA-të në Kuvajt, Bahrein dhe Jordani. Sulmet janë kryer me raketa të drejtuara me precizion, që përdorin lëndë djegëse të lëngshme dhe të ngurta, si dhe me dronë sulmues.

    Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Arabisë Saudite bëri të ditur se mbrojtja ajrore ka interceptuar dhjetëra dronë dhe një raketë balistike. Sipas njoftimeve zyrtare të publikuara në platformën X, mes orës 01:42 dhe 04:41 janë rrëzuar 25 dronë dhe një raketë, kryesisht mbi hapësirën ajrore të pjesës lindore të vendit.

    Ndërkohë, Kuvajti raportoi për sulme të reja me raketa dhe mjete ajrore pa pilot, ndërsa Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë deklaroi se mbrojtja ajrore është aktivizuar dhe po përballet me objektiva armike.

    Si pasojë e një sulmi me dron, një rezervuar karburanti në Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit është përfshirë nga flakët. Autoritetet e aviacionit civil konfirmuan se infrastruktura e aeroportit është goditur disa herë që nga fillimi i konfliktit.

    Këto zhvillime vijnë në vazhdën e përshkallëzimit të konfliktit në rajon, pas sulmeve të SHBA-ve dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt. Teherani ka deklaruar se po hakmerret ndaj Izraelit dhe aleatëve të Uashingtonit në Gjirin Persik, duke synuar objektiva ushtarake, energjetike dhe infrastrukturore.

    Aeroporti i Kuvajtit ka qenë një nga objektivat e përsëritura gjatë javëve të fundit. Më 14 mars, një sulm me dronë dëmtoi sistemin e radarëve, ndërsa më 8 mars u goditën rezervuarët e karburantit. Një tjetër incident një javë më parë shkaktoi dëme materiale dhe disa të lënduar lehtë pas goditjes së një terminali pasagjerësh.

    Situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa përplasjet po shtrihen në disa fronte njëkohësisht.

  • Irani – Trumpit: Po negocion me vetveten

    Irani – Trumpit: Po negocion me vetveten

    Zëdhënësi i komandës kryesore ushtarake të Iranit, Ebrahim Zolfaghari, ka reaguar ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke deklaruar se “superfuqia globale e vetëshpallur po e quan humbjen e saj, marrëveshje”.

    Duke mos e përmendur me emër presidentin amerikan Donald Trump, ai ka pyetur nëse “ka arritur niveli i konfliktit të brendshëm deri në atë pikë sa po negocioni me vetveten”.

    “Ju nuk do t’i shihni më as investimet tuaja në rajon dhe as çmimet e mëparshme të energjisë dhe naftës, derisa të kuptoni se stabiliteti në rajon garantohet nga dora e fuqishme forcave tona të armatosura. Stabiliteti vjen përmes forcës”, tha Zolfaghari. “Dikush si ne nuk do të pajtohet kurrë me dikë si ju. As tani, as ndonjëherë”.

    Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dorëzuar Iranit një plan 15-pikësh për t’i dhënë fund luftës, raportoi The New York Times.

    Sipas mediave ndërkombëtare, plani i është dorëzuar nëpërmjet Pakistanit, i cili më parë ka ofruar që të organizonte bisedime paqeje midis shteteve që janë në luftë.

  • Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte në Matiçan në vitet ’98-99

    Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte në Matiçan në vitet ’98-99

    Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit Z.S për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” gjatë periudhës kohore 1998-1999.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit Z.S., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile nga nenit 142 dhe 22 të ish Ligjit Penal të RSFJ-së.

    Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Z.S., ashtu që të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

    “Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i arratisjes pasi i njëjti posedon edhe shtetësinë e Republikës së Serbisë dhe ekziston mundësia reale që të ik nga Kosova, po ashtu nëse i pandehuri gjendet në liri mund të fsheh, asgjësoj apo ndryshojë provat, andaj Gjykata vlerësoj se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë, për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale”, thuhet tutje në njoftim.

    I dyshuari u arrestua të hënën gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale në fshatin Matiçan.

    “I pandehuri Z.S., si pjesë e një grupi paramilitar të forcave serbe, dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Matiçan, Komuna e Prishtinës gjatë periudhës kohore 1998-1999”, thuhej në një komunikatë e përbashkët të Prokurorisë me Policinë e Kosovës.

  • Dyshime gjatë kontrolleve, Dogana thotë se zyrtari i saj u kërcënua nga një përfaqësues i kompanisë së naftës

    Dyshime gjatë kontrolleve, Dogana thotë se zyrtari i saj u kërcënua nga një përfaqësues i kompanisë së naftës

    Dogana e Kosovës ka reaguar duke e dënuar ashpër një kërcënim që thotë se i është bërë një zyrtari të saj.

    Sipas një reagimi të këtij institucioni, ky kërcënim ndaj menaxherit të nivelit të lartë, është bërë nga përfaqësuesi i autorizuar i njërit prej subjekteve të mëdha që operojnë në tregtimin me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës.

    Aty thuhet se kërcënimi ka ndodhur gjatë së hënës, derisa ishin duke u ndërmarrë verifikime për një kontingjent me derivate.

    Sipas Doganës, janë evidentuar elemente të dyshimta në dokumentacion, përfshirë parametrat e transaksionit dhe vlerën që shërben si bazë doganore për përllogaritjen e detyrimeve doganore.

    “Çdo përpjekje për të frikësuar, penguar apo ndikuar në zyrtarët doganorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit ligjor, autoritetit të shtetit dhe funksionimit të institucioneve publike.”, thuhet në reagim.

    Dogana e Kosovës ka njoftuar se rastin e ka paraqitur në organet kompetente dhe pret veprim të menjëhershëm, të plotë dhe të paanshëm, në mënyrë që përgjegjësit të përballen me pasojat ligjore.