ATV

Author: G.O.

  • Një ditë para bombardimit të NATO-s mbi caqet serbe, çka tha Holbrooke dhe Solana?

    Një ditë para bombardimit të NATO-s mbi caqet serbe, çka tha Holbrooke dhe Solana?

    Më 23 mars 1999, një ditë para nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për çështjen e Kosovës, Richard Holbrooke kishte kërkuar nga Sllobodan Millosheviqin, në Beograd, që t’i tërhiqnin forcat nga Kosova, gjë që ky i fundit e kishte refuzuar.

    Millosheviqi i kishte thënë Holbrooke se Jugosllavia e Serbia nuk pranojnë atë që e quajti ultimatum të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për t’i tërhequr forcat nga Kosova, e i cili, në fakt, nga ndërkombëtarët quhej plan i paqes.

    Përmes një video incizimi në atë kohë, Holbrooke kishte thënë: “Kemi zhvilluar dy ditë bisedime intensive me presidentin Millosheviq dhe bashkëpunëtorët e tij. Theksuam dy çështje. Së pari, kërkuam dëshmi se do të ketë armëpushim të operacioneve ushtarake që po zhvillohen në Kosovë, dhe së dyti, gatishmëri për të ndërmarrë veprime të menjëhershme që do të çonin shpejt në vendosjen e një force të udhëhequr nga NATO në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e Rambujesë. Një forcë, dua ta theksoj, që nuk do të ishte as pro dhe as kundër ndonjë grupi etnik, por në favor të paqes në rajon. Siç i kemi raportuar Presidentit Klinton dhe Sekretares Ollbrajt, nuk pati zotime nga autoritetet jugosllave për asnjërën nga këto çështje. Prandaj, jemi udhëzuar të shkojmë tani në Bruksel dhe t’u raportojmë aleatëve tanë në NATO, e më pas të kthehemi në Uashington”, pati deklaruar Holbrooke, pas këtij takimi, sipas raportit të AP-së të kësaj dite.

     

    – YouTube www.youtube.com

    Pasi e përfundoi takimin me Millosheviq dhe komunikimin me mediet në Beograd, Holbrooke u nis menjëherë në Bruksel.

    Këtu, sekretarit të përgjithshme të NATO-s, Havier Solana ia dha lajmin që Millosheviq nuk pranoi planin e paqes.

    “Dje, me mbështetjen tuaj, na dërguat në Beograd për të tentuar t’i bindnim autoritetet jugosllave se paqja është më e mirë se alternativat me të cilat po përballemi tani. Ne u përpoqëm, pa ndonjë sukses të dukshëm, të paktën deri në këtë moment, të bëjmë të qartë se një forcë e udhëhequr nga NATO, e ftuar në Kosovë, nën udhëheqjen tuaj dhe përgjegjëse ndaj NATO-s, ishte mënyra më e mirë për të parandaluar që shqiptarët dhe serbët të vrasin njëri-tjetrin”, tha ai, në prani të Solanas, që ishte parë goxha i “mërzitur” në këtë dalje të përbashkët për medie.

    Holbrooke tha se politikanët dhe mediet në Jugosllavi e Serbi e keqinterpretuan, qëllimisht, pozicionin e NATO-s, duke e shitur atë në publik, te populli, sikur plani i Aleancës është pro shqiptarëve të Kosovës e kundër serbëve, transmeton Kp.

    “Duhet t’ju them juve dhe mediave këtu se në Jugosllavi dhe Serbi sonte, pozicioni ynë është keqinterpretuar plotësisht dhe paraqitet si një forcë që do të kishte mbajtur anë. Në këtë drejtim, populli serb është dezinformuar nga mediat e tyre dhe nga deklaratat e zyrtarëve të lartë, të cilët kanë keqinterpretuar marrëveshjet e Rambujesë dhe kanë keqkuptuar atë që ju dhe NATO po ofronit. Si pasojë e këtij keqkuptimi, kuvendi serb e refuzoi sot atë ofertë, ndërsa udhëheqja jugosllave dhe Presidenti Millosheviq gjithashtu e hodhën poshtë”, tha Holbrooke, në Bruksel, një ditë para se NATO të niste sulmet ajrore kundër forcave serbo-jugosllave.

    Holbrooke shtoi se pas dështimit në Beograd përpjekjet diplomatike, kanë marrë fund, ani se ato mund të ngjallen, nëse ka interes nga Millosheviq. Tani, sipas tij, çështja tani kalon plotësisht te NATO.

    “Tani, procesi ju është kthyer juve, si simbolikisht ashtu edhe formalisht. Kjo tashmë është çështje e NATO-s. Unë do të shtoja vetëm se kanalet diplomatike do të mbeten gjithmonë të hapura, por misioni ynë, të cilin e përfunduam disa orë më parë, sipas vlerësimit tonë, nuk kishte gjasa të sillte ndonjë përparim të mëtejshëm edhe nëse do të qëndronim më gjatë, dhe kjo është arsyeja pse Presidenti Clinton na kërkoi të kthehemi”, i tha ai Solanës.

    Ky i fundit, nuk e tha asnjë fjalë, në këtë paraqitje. Ai foli të nesërmen, kur urdhëroi nisjen e sulmeve ajrore të NATO-s, kundër forcave serbo-jugosllave.

    Ato zgjatën 78 ditë. Më 10 qershor, Millosheviq pranoi kapitullimin. Ai dhe Serbia përgjithmonë e humbën Kosovën, në të cilën, dy ditë më vonë, hynë trupat e NATO-s, duke e çliruar atë, bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

  • Kancelari austriak uron Kurtin për mandatin e ri qeverisës dhe për ditëlindje

    Kancelari austriak uron Kurtin për mandatin e ri qeverisës dhe për ditëlindje

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pranoi një letër urimi për mandatin e ri qeverisës nga kancelari i Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker.

    Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se kancelari Stocker theksoi se në kohë gjeopolitikisht të trazuara, marrëdhëniet e forta ndërmjet vendeve dhe popujve janë më të rëndësishme se kurrë.

    “Dua gjithashtu t’ju përgëzoj për formimin e qeverisë suaj të re dhe t’ju uroj suksese në legjislaturën e re, veçanërisht lidhur me përparimin e vazhdueshëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Austria ka qenë mbështetëse e Republikë së Kosovës që nga themelimi i saj dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane”, thuhet në letrën e kancelarit Stocker.

    Ai e vlerësoi lartë rolin aktiv të diasporës kosovare në Austri dhe bashkëpunimin e ngushtë ekonomik ndërmjet dy shteteve, ndërsa theksoi se mezi pret të takohet sërish me kryeministrin Kurti.

    Kancelari Stocker, poashtu e uroi kryeministrin Kurti me rastin e ditëlindjes së tij. /Telegrafi/

  • Vetëm 13 vende në botë thithin ajër të sigurt – tri prej tyre janë në Evropë

    Vetëm 13 vende në botë thithin ajër të sigurt – tri prej tyre janë në Evropë

    Vetëm 14 përqind e qyteteve në të gjithë botën thithin ajër të sigurt, një rënie nga 17 përqind në vitin e kaluar.

    Kompania zvicerane e monitorimit të ndotjes IQAir analizoi të dhënat nga 9,446 qytete në 143 vende, rajone dhe territore, për Raportin e saj të sapo publikuar Botëror të Cilësisë së Ajrit 2025.

    Ai zbuloi se cilësia e ajrit po përkeqësohet globalisht, kryesisht për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, thuhet në një shkrim të Euronews, përcjell Telegrafi.

    Tymi i zjarreve në pyje, në veçanti, shkaktoi cilësi të dobët të ajrit në vitin 2025, së bashku me stuhitë e pluhurit dhe ngjarje të tjera ekstreme të motit të intensifikuara nga djegia e lëndëve djegëse fosile.

    Në vitin më të keq të zjarreve në BE, zjarret përfshinë Evropën, duke arritur kulmin e tyre rekord në gusht kur shkatërruan fermat, pyjet dhe shtëpitë.

    Moti ekstrem shkaktoi të paktën 43 miliardë euro në humbje ekonomike afatshkurtra në të gjithë kontinentin, të nxitura nga valët vdekjeprurëse të nxehtësisë, përmbytjet dhe thatësirat.

    OBSH-ja përcakton kufij të sigurt për PM2.5 ose lëndën e imët grimcore për shkak të rreziqeve të tyre shëndetësore.

    Madhësia e tyre e vogël – më pak se 2.5 mikrometra në diametër – do të thotë që këto grimca të vogla, të thithshme PM 2.5 mund të udhëtojnë thellë në mushkëri dhe të hyjnë në qarkullimin e gjakut.

    Ato janë lidhur me probleme të frymëmarrjes, sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje afatgjata si kanceri.

    Dhe kështu, siç theksohet më tej, vetëm tri vende evropiane tani bien brenda udhëzimeve të sigurta.

    Kush në Evropë ka cilësinë më të mirë dhe më të keqe të ajrit?

    Në Evropë, Andorra, Estonia dhe Islanda janë të vetmet vende që përmbushën udhëzimin vjetor të OBSH-së për PM2.5 – 5 mikrogramë për metër kub (µg/m³) – në vitin 2025.

    Ato janë midis vetëm 13 vendeve dhe territoreve në nivel global që mbetën brenda kufijve të sigurt.

    Të tjerat përfshinin ndër tjerash edhe Australinë, Barbadosin, Grenadën, Panamanë dhe Porto Rikon.

    Kjo do të thotë se 130 nga 143 vendet e mbuluara – ose 91 përqind – nuk përmbushën udhëzimet e sigurta.

    Pesë vendet më të ndotura ishin Pakistani (67.3 µg/m³), Bangladeshi (66.1 µg/m³), Taxhikistani (57.3 µg/m³), Çadi (53.6 µg/m³) dhe Republika Demokratike e Kongos (50.2 µg/m³).

    Ndërkohë, në listën me 25 qytetet më të ndotura në botë ndodhen ato në Indi, Pakistan dhe Kinë, ku India ka tre nga katër më të ndoturat – përfshirë edhe vendin e parë.

    Kush ka ndotjen më të keqe të ajrit në Evropë?

    Në të gjithë Evropën në vitin 2025, 23 vende regjistruan rritje në përqendrimet mesatare vjetore të PM2.5, 18 regjistruan ulje dhe një u shtua rishtas.

    Ndotja nga PM2.5 u rrit me më shumë se 30 përqind në Zvicër dhe Greqi për shkak të tymit të zjarreve nga pluhuri i Amerikës së Veriut dhe Saharasë nga Afrika.

    Malta regjistroi uljen më të madhe me gati 24 përqind.

    Kjo është pjesërisht falë përpjekjeve të gjata për të zhvendosur prodhimin e energjisë nga nafta drejt burimeve të rinovueshme, si dhe politikave që synojnë emetimet e trafikut.

    IQAir gjithashtu paraqet renditje të drejtpërdrejta, të cilat përdorin monitorim të cilësisë së ajrit në kohë reale.

    Në kohën e shkrimit të këtij artikulli, Parisi ishte në pesë qytetet më të ndotura në nivel global, së bashku me Pekinin, Dakën, Wuhanin dhe Seulin. Londra ishte gjithashtu në 10 vendet e para.

    Të enjten e kaluar (19 mars), Shërbimi i Monitorimit të Atmosferës Copernicus (CAMS) i BE-së paralajmëroi për nivele të larta të ndotjes PM2.5 në Evropë, të nxitura nga emetimet sezonale të amoniakut bujqësor nga plehrat, rritja e përqendrimeve të caktuara të polenit dhe kushtet e motit.

    Ndotja në sfond nga djegia e lëndëve djegëse fosile – veçanërisht në pjesë të Evropës Lindore dhe Ballkanit – gjithashtu kontribuon vazhdimisht në cilësinë e dobët të ajrit, tha Copernicus. /Telegrafi/

  • Haxhiu: Bombardimet e NATO-s mbi objektivat serbe ndryshuan rrjedhën e historisë së Kosovës

    Haxhiu: Bombardimet e NATO-s mbi objektivat serbe ndryshuan rrjedhën e historisë së Kosovës

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka kujtuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

    Ajo përmes një postimi në profilin e saj ën rrjetin social Facebook, ka shkruar se bombardimet e NATO-s mbi objektivat serbe ndryshuan rrjedhën e historisë së Kosovës.

    Postimi i saj i plotë:

    Sot kujtojmë 24 marsin 1999, kur bombardimet e NATO-s mbi objektivat serbe ndryshuan rrjedhën e historisë së Kosovës.

    Si përgjigje ndaj ciklit të dhunës që kishte marrë trajtë gjenocidi dhe politikave të regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës, 19 vende të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisën fushatën ajrore mbi caqet policore dhe ushtarake serbe për 78 ditë.

    Gjatë kësaj periudhe, ndërhyrja e NATO-s nga ajri dhe qëndresa e UÇK-së në terren u ndërthurën në një çast përcaktues për Kosovën.

    Nderojmë, me mirënjohje, rolin vendimtar të NATO-s, sakrificën e UÇK-së dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kosovës.Jemi përherë falënderues për mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që nuk na lanë vetëm në momentet më të vështira.

  • Bastisje në Kamenicë: Sekuestrohen dru teknikë dhe arrestohen pesë persona

    Bastisje në Kamenicë: Sekuestrohen dru teknikë dhe arrestohen pesë persona

    Në Terrstenë të Kamenicës janë kryer bastisje në tri lokacione ku janë gjetur dhe sekuestruar 30 trupa dru teknikë, një sasi e dërrasave, 4 traktorë dhe një kamion.

    Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ku thotë se aksioni u zhvillua pasi disa persona kanë tërhequr nga Serbia në Kosovë, dru teknikë.

    Lidhur me rastin, janë arrestuar pesë persona.

    “Terrstenë, Kamenicë / 23.03.2026 – 15:00. Pas hetimeve të zhvilluar është vërejtur se disa persona kanë tërhequr nga Serbia në Republikën e Kosovës dru teknik. Me vendim të prokurorit janë kryer bastisje në tri lokacione ku janë gjetur dhe sekuestruar 30 trupa dru teknikë, një sasi e dërrasave, 4 traktorë, dhe një kamion që dyshohet se janë shfrytëzuar për kryerjen e veprës. Me vendim të prokurorit pesë të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Arrestohet një person në Rahovec, dyshohet për dhunim

    Arrestohet një person në Rahovec, dyshohet për dhunim

    Një person është arrestuar nën dyshimin për dhunim.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, rasti ka ndodhur më 11 mars të këtij viti në Rahovec.

    Tutje, Policia njoftoi se i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit ëdhtë dërguar në mbajtje.

    “Rahovec / 11.03.2026 – 14:00. Lidhur me rastin, më 23.03.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, njofton Policia.

  • Si të reagoni kur ju kap ngërçi gjatë notit

    Si të reagoni kur ju kap ngërçi gjatë notit

    Nëse gjatë notimit ju kap ngërçi në këmbë, është shumë me rëndësi që të qëndroni të përmbajtur dhe t’i kujtoni teknikat e vetëshpëtimit.

    Ngërçet në këmbë gjatë notimit ndodhin nga shtrirja dhe ftohja e muskujve. Kjo mund t’u ndodhë edhe notarëve më me përvojë, andaj është shumë me rëndësi që të dini se si të reagoni sa më parë.

    Teknika më e mirë e vetëshpëtimit në situatë të tillë është Ligji i Arkimedit. Ai thotë që trupi i zhytur në ujë është më i lehtë sa pesha e ujit të zhvendosur.

    Kjo teknikë ju mundëson që të qëndroni në sipërfaqe dhe të prisni ndihmën, transmeton Telegrafi. Merrni frymë thellë dhe qëndroni shtrirë në shpinë, qëndroni maksimalisht nën ujë, ndërsa vetëm fytyra të jetë mbi sipërfaqen e ujit.

    Me lëvizje të lehta rrethore të duarve dhe këmbëve pluskoni në ujë dhe filloni të lëvizni në drejtim të plazhit.

    Kini kujdes të merrni frymë thellë dhe t’ju jenë mushkëritë të mbushura me ajër, sepse ashtu krijoni notim plotësues. Derisa jeni duke pritur ndihmën, shtrijeni muskulin e rënë ngërç 10 – 15 sekonda derisa të lirohet. Pasi që t’ju kalojë duhet sa më parë të dilni na uji, sepse situata mund t’ju përsëritet.

  • Sulmoi seksualisht një grua në Gjakovë, arrestohet i dyshuari

    Sulmoi seksualisht një grua në Gjakovë, arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar pasi i njëjti dyshohet se kishte sulmuar seksualisht një grua.

    Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 19:00, në Gjakovë.

    Tutje bëhet e ditur se lidhur me rastin viktima është intervistuar, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Gjakovë / 23.03.2026 – 19:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti dyshohet se kishte sulmuar seksualisht viktimën femër kosovare. Lidhur me rastin viktima është intervistuar, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • “Ne jemi ende aktivë”, Izraeli zotohet të vazhdojë me sulmet

    “Ne jemi ende aktivë”, Izraeli zotohet të vazhdojë me sulmet

    Ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump foli për mundësinë e përfundimit të luftës së shpejti, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar të kryejë më shumë sulme.

    Ai njoftoi se Izraeli do të “vazhdojë të godasë si në Iran ashtu edhe në Liban”.

    “Ne po shkatërrojmë programin e raketave dhe programin bërthamor, dhe vazhdojmë t’i japim goditje të rënda Hezbollahut,” tha ai.

    “Vetëm pak ditë më parë, eliminuam edhe dy shkencëtarë bërthamorë – dhe jemi ende aktivë”, citohet të ketë thënë ai.

    Lufta filloi kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit, dhe komentet e Netanyahut vijnë pasi Trump tha se ka një “shans shumë të mirë” për një marrëveshje me Teheranin.

    Ai gjithashtu udhëzoi ushtrinë amerikane të shtyjë “të gjitha sulmet ushtarake ndaj centraleve elektrike dhe infrastrukturës energjetike iraniane”.

    Mirëpo, pretendimet e Donald Trump se paqja është më afër u hodhën poshtë menjëherë nga Irani dje./Reporteri.net/

  • Arrestohet i dyshuari për dhunë në familje në Petrovë të Shtimes, bashkëshortja raporton sulm fizik

    Arrestohet i dyshuari për dhunë në familje në Petrovë të Shtimes, bashkëshortja raporton sulm fizik

    Një rast i dhunës në familje është raportuar në fshatin Petrovë të Shtimes, ku një grua ka denoncuar se është rrahur nga bashkëshorti i saj.

    Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 22 mars rreth orës 22:00, ndërsa viktima, C.B. rreth 30 vjeç, është paraqitur në Polici të nesërmen dhe ka deklaruar se bashkëshorti i saj, A.B rreth 31 vjeç, e kishte sulmuar fizikisht disa herë, duke i shkaktuar lëndime trupore.

    Viktima ka pranuar trajtim mjekësor në QKMF në Shtime dhe më pas është intervistuar në prani të përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale, ndërsa me kërkesën e saj është dërguar te familja në Prizren.

    I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.

    Rasti është duke u trajtuar nga Sektori i Hetimeve në Stacionin Policor në Shtime.