ATV

Author: G.O.

  • Ministrja Nagavci: Ka lëshime teknike e shkencore në tekstet shkollore

    Ministrja Nagavci: Ka lëshime teknike e shkencore në tekstet shkollore

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Arbërie Nagavci ka deklaruar sot se ende ka lëshime teknike e shkencore në tekstet shkollore.

    Në prezantimin zyrtar të fillimit të procesit të rishikimit të teksteve shkollore nga Instituti EdGuard dhe Ministrisë së Arsimit, Nagavci ka thënë se rezultatet e testeve ndërkombëtare kanë qenë këmbana e fundit për përmirësim.

    “Ka qenë një nga prioritet tona që të sigurohemi qe të kemi tekste shkollore cilësore për nxënësit tanë. Qe dy vite kemi filluar tekstet e mësimit alternativ. Cilësia e teksteve janë përcjell me sfida të shumta. Akoma ka vend për përmirësim, ka raportime nga prindërit, mësimdhënësit për lëshime te ndryshme. Qofshin të atyre teknike, por edhe shkencore”, ka thënë Nagavci.

    Drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja është shprehur se në fazën e parë, procesi i rishikimit do të bëhet për tekstet shkollore në Gjuhë shqipe dhe Matematikë, në klasën 1 deri në 9.

  • Vdes Lasse Wellander

    Vdes Lasse Wellander

    Ka vdekur kitaristi i grupit ‘’ABBA’’ 70 vjeçari, Lasse Wellander.

    Përmes një komunikate për media, familja e tij deklaroi për lajmin duke thënë se: “Me pikëllim të madh po ju lajmërojmë se i dashuri ynë Lasse ka vdekur. Së fundmi ai u prek nga sëmundja e kancerit dhe si pasojë vdiq i rrethuar nga më të dashurit e tij”.

    Keqardhje për vdekjen e tij e shprehën edhe anëtarët e tjerë të grupit Abba, të cilët thanë se “Lasse ishte një mik i dashur, një person qesharak dhe një kitarist i jashtëzakonshëm. Do të na mungojë shumë dhe nuk do ta harrojmë kurrë atë”.

    Lasse kishte filluar të luajë me kitarë kur ishte vetëm 13 vjeç dhe që nga atëherë kishte qenë I njohur në Suedi si një nga kitaristët më të mirë.

    Grupi Abba u formula në vitin 1972 ndërsa në vitin1982, grupi u nda por këngët e tyre vazhduan të dëgjohen duke bërë kështu të mbeten një prej grupeve më të suksesshme në historinë e muzikës pop.

  • ​Miller zëdhënësi i ri i DASh-it

    ​Miller zëdhënësi i ri i DASh-it

    Mathew Miller është zëdhënësi i ri i Departamentit Amerikan të Shtetit.

    Ish-drejtues i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Mathew Miller u caktua në këtë detyrë nga sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

    ”Përvoja e madhe e Mattit në qeveri dhe në çështjet e politikës së jashtme do të na shërbejë shumë, ndërkohë që ne vazhdojmë të komunikojmë mbi sfidat komplekse globale. I jam mirënjohës që ka pranuar të marrë këtë rol”, deklaroi në Twitter Blinken.

    Miller do të zëvendësojë Ned Price.

    Zëdhënësi i ri i DASh-it, Mathew Miller, është një pikë referimi në qarqet politike demokrate dhe ka qenë zëdhënës edhe i ish-prokurorit të përgjithshëm, Eric Holder gjatë administratës Obama.

    Pas zgjedhjes së Joe Biden, Miller punoi në ekipin e tranzicionit duke kontribuar në procesin e konfirmimit të Blinken në krye të diplomacisë amerikane.

    Më pas, ai mori një rol të përkohshëm në bordin e sigurisë kombëtare, vitin e kaluar, për të koordinuar qëndrimin amerikan, pas pushtimit rus të Ukrainës.

  • Taylor Swift dhe Joe Alwyn ndahen pas 6 vitesh

    Taylor Swift dhe Joe Alwyn ndahen pas 6 vitesh

    Taylor Swift dhe aktori Joe Alwyn thuhet se janë ndarë pas gjashtë vitesh lidhje.

    Lidhja e tyre e dashurisë duket se ka përfunduar muaj më parë për shkak se aktori nuk ishte shfaqur në asnjë nga koncertet e saj, gjë të cilën e bënte pothuajse gjithnjë, shkruan atvlive.tv.

    Edhe pse lidhjen e tyre për vite u munduan ta mbajnë private, një burim pranë çiftit foli për ‘Entertainment tonight’, duke thënë se ata u takuan në Met Gala dhe këngëtarja kishte rrëfyer se kënga Gorgeous ishte dedikim për Alwyn.

    Taylor Swift dhe Joe Alwyn e nisën lidhjen e tyre në vitin 2016./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • Shakira ka disa fjalë për gazetarët: E shkruaj këtë kërkesë si një nënë…

    Shakira ka disa fjalë për gazetarët: E shkruaj këtë kërkesë si një nënë…

    Këngëtarja Shakira me një letër emocionuese u është drejtuar mediave që ta respektojnë privatësinë e saj e ta lënë të qetë.

    Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e saj në “Instagram”, Shakira ka thënë se në një masë e kupton interesimin e mediave meqë kanë ndodhur disa ndryshime në jetën e saj dhe gazetarët kanë kuriozitet për të dhe familjen, transmeton atvlive.tv.

    ‘’E shkruaj këtë kërkesë jo më si artiste, por si një nënë që dëshiron të mbrojë dhe të kujdeset për mirëqenien psikologjike dhe emocionale të fëmijëve të saj, në mënyrë që ata të bëjnë një jetë të shëndetshme dhe të lumtur, siç e meriton çdo fëmijë’’, shkroi Shakira.

    Ajo tregoi se fëmijët Milan dhe Sasha kanë kaluar një vit jashtëzakonisht të vështirë pasi që çdo ditë, gazetarë të ndryshëm kishin rrethuar ata.

    Tash e disa javë këngëtarja ka filluar një jetë të re në Miami, prandaj kërkoi nga mediat që ta respektojnë të drejtën e fëmijëve të saj për privatësi.

    Ajo bëri lutje që paparacit të mos i ndjekin në hyrje apo dalje të shkollës fëmijët dhe në asnjë aktivitet që ata ndjekin./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Vazhdojnë luftimet intensive në Bahmut, Ukraina: Kemi zmbrapsur mbi 70 sulme ruse

    Vazhdojnë luftimet intensive në Bahmut, Ukraina: Kemi zmbrapsur mbi 70 sulme ruse

    Ukraina tha se forcat e saj kanë zmbrapsur dhjetëra sulme të forcave ruse në lindje, teksa luftimet intensive po vazhdojnë përreth qytetit të shkatërruar të Bahmutit.

    “Pavarësisht humbjeve të mëdha të pajisjeve dhe ushtarëve, armiku nuk po heq dorë nga lufta e agresionit. Po vazhdon të përqendrojë përpjekjet kryesore në kryerjen e operacioneve të ofensivës në zonat e Limanit, Bahmutit, Avdivit dhe Marinit”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.

    Forcat ukrainase kanë zmbrapsur 72 sulme gjatë ditës së kaluar, u tha në deklaratë. Serhiy Çerevati, komandant i forcave tokësore të Ukrainës, tha se situata në Bahmut është nën kontroll, duke shtuar se Kievi nuk do të lejojë që trupat e tij të rrethohen.

    Beteja disamujore për Bahmutin, që gjendet në rajonin lindor të Donjeckut, është shndërruar në një prej betejave më të përgjakshme të pushtimit rus të Ukrainës.

  • Serbët e veriut thonë se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve

    Serbët e veriut thonë se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve

    Tashmë që kanë mbetur edhe dhjetë ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave veriore të vendit, serbët e asaj pjese thonë se nuk ka kushte për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve dhe se nuk do të dalin në votime.

    Të paktë janë ata qytetarë të cilët pranojnë të flasin publikisht për këtë çështje dhe sikur hezitojnë të shprehen lirshëm, por prapa kamerës së KosovaPress-it dhe pa përmendur emra, bëjnë të ditur se janë të frikësuar për të dalë në zgjedhje nga grupe të caktuara në veri të vendit.

    Me krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve ata nënkuptojnë kthimin e serbëve nëpër institucione.

    Sllobodanka Zaporozhac, qytetare e veriut të Mitrovicës, thotë se nuk do të dalë në zgjedhjet e 23 prillit sepse nuk ekzistojnë kushtet për një gjë të tillë.

    “Jo, kështu si qëndrojnë gjërat jo (nuk ka kushte për zgjedhje). As që mendoj të dal në zgjedhje… Zgjedhjet duhet të mbahen kur të krijohen kushtet, ndërsa kur do të ndodhë kjo nuk e di”, ka thënë Zaporozhac.

    Ngjashëm u shpreh edhe një banor tjetër nga kjo pjesë e qytetit, i cili nuk deshi të prezantohet, por tha se nuk ka kushte për zgjedhje.

    “Në një situatë të tillë, fare nuk ekzistojnë kushte për të dalë në zgjedhje… dhe në një situatë të tillë mendimi im personal është se nuk ka kushte as minimale për zgjedhje”, theksoi ai.

    Në anën tjetër, Aleksandar Arsenijeviq, lider i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe” në veri të Mitrovicës, situatën politike dhe të sigurisë në veri e ka përshkruar të rëndë, me mundësi shpërthimi çdo moment.

    Duke e quajtur të paligjshme mbajtjen e zgjedhjeve nëpër stacione policore, Arsenijeviq tha se ato duhet të shtyhen deri sa të krijohet atmosferë e përshtatshme.

    Ai tha se nuk ka kandiduar për kryetar të komunës së Mitrovicës Veriore, veç tjerash edhe për shkak se nuk ka dashur të ndahet nga shumica e popullit të tij.

    “Situata aktuale politike dhe e sigurisë është e rëndë dhe e pasigurt, kështu që çdo shkëndijë mund ta ndezë fuqinë e barutit që ndodhet në veri. Sa i përket Beogradit dhe Prishtinës është e qartë se pas marrëveshjes së Ohrit nuk kanë arritur asgjë që do të ishte në interesin e qytetarëve dhe të qetësimit të situatës në terren… Para së gjithash nuk ka vendvotime për mbajtjen e zgjedhjeve, sepse shkollat funksionojnë sipas sistemit të Republikës së Serbisë… Sipas ligjeve ndalohet edhe filmimi i spoteve politike gjatë fushatës ku shihet stacioni policor, gjykata dhe institucionet e ngjashme shtetërore, të cilat duhet të mbeten neutrale… Pikërisht për shkak të një pjese të këtyre arsyeve nuk kam kandiduar, ndërsa arsyeja tjetër është se kur bëhet fjalë për të drejtat kolektive të komunitetit tonë në Kosovë ne duhet të qëndrojmë pranë popullit tonë… Zgjedhjet duhet të shtyhen para së gjithash jo për shkak të Listës Serbe, por për shkak të atmosferës që duhet krijuar për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike, dhe deri atëherë është e pamundur të mbahen zgjedhjet”, u shpreh për KosovaPress Arsenijeviq.

    Ndryshe, zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit janë shpallur pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në fund të vitit të kaluar për shkak të përplasjeve rreth çështjes së targave, ndërsa u parapanë të mbahen fillimisht më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por u shtynë me vendim të presidentes Vjosa Osmani për 23 prill.

  • Vazhdon edhe sot seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëgjimi i dëshmitares në masa të rrepta sigurie

    Vazhdon edhe sot seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëgjimi i dëshmitares në masa të rrepta sigurie

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon edhe sot seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në këtë seancë po vazhdon dhënia e dëshmisë nga dëshmitarja e para në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

    Dëgjimi i dëshmitares së parë kundër ish-krerëve të UÇK-së, është duke vazhduar në sesion privat, me ç’rast asnjë dëshmi nga e tërë marrja në pyetje nga Prokuroria e dëshmitares së parë gjatë katër seancave të ardhshme nuk do të dëgjohet nga shikuesit e interesuar.

    Kjo është vendosur me kërkesë të Prokurorisë Speciale pasi ajo kërkoi të përfshijë materiale të reja në këtë seancë, në lidhje me dëshminë e dëshmitares së mbrojtur.

    Mirëpo kjo gjë u kundërshtua nga mbrojtja me arsyetimin se nuk është ne përputhje me rregullat e Gjykatës Speciale.

    Prokuroria kërkoi të përfshijë në cilësinë e materialit përgatitor shtesë, paragrafët 18 deri në 21, krahas materialit që përmban dëshminë e gruas së panjohur e cila konfirmoi se është intervistuar dy herë në Prishtinë nga Prokurorët Specialë.

    Pas një përballjeje mes mbrojtjes, prokurorisë dhe kreut të trupit gjykues, prokuroria kërkoi që e tërë dëshmia katër ditore të mbahet në seancë të mbyllur, gjë që u aprovua nga kryegjykatësi.

    Mbrojtja tha se sipas rregullores këto materiale mund të dorëzohen gjashtë javë pasi të bëhet kërkesa e jo në këtë mënyrë.

    “Është pak proces i çuditshëm kështu”, u tha nga ana e mbrojtjes.
    Gjykatësi tha se mbrojtja ka në dispozicion 14 orë për pyetje drejtuar dëshmitares së mbrojtur.

    Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe e të tjerëve shumë herë është ankuar për dy vjet e gjysmë të mbajtjes në paraburgim të krerëve të UÇK-së, për redaktim masiv të informatave lidhur me akuzat, vonesa ekstreme si dhe fshehje të dëshmive shfajësuese nga Prokuroria.

    Më 4 prill 2023 ka filluar gjyqi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së pas më shumë se dy vjetësh.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

    Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

    Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar Gjykatën Speciale më 23 korrik për hetimin penal ndaj katër krerëve të UÇK-së.

    Ndërkaq, në prill të 2022, ZPS-ja ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar, ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë dhe Semetisht.

    Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.

  • Sulmi ndaj gazetarit Syla, Prokuroria thotë se hetimet po vazhdojnë

    Sulmi ndaj gazetarit Syla, Prokuroria thotë se hetimet po vazhdojnë

    Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se lidhur me rastin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla, po zhvillohen hetime në mënyrë intensive.

    Përmes një komunikate, Prokuroria njoftoi se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë ju njofton lidhur me rastin e gazetarit V.S., i cili ka marrë lëndime trupore si pasojë e sulmit fizik nga tre persona, me ç’ rast i njëjti ka pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor, derisa Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim të plotë me Policinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes”, thuhet në komunikatë.

    Prokuroria bëri të ditur se hetimet janë duke vazhduar, derisa të dyshuarit ende nuk janë identifikuar.

    “Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar “Lëndim i lehtë trupor”, sipas KPRK-së dhe në vazhdimësi janë duke u zhvilluar hetime në mënyrë intensive, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti, si dhe identifikimit e sigurimit të prezencës së të dyshuarve në procedurën penale”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Kujtojmë se mbrëmë rreth orës 22:29, në rrugën “Ilir Durmishi” në Prishtinë, gazetari Valon Syla u sulmua fizikisht nga tre persona deri më tani të panjohur e të cilët pas aktit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore.

    Lidhur me rastin ka pasur reagime të shumta, me ç’rast ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke kërkuar hetime urgjente./atvlive.tv/

     

  • Dita Ndërkombëtare e Fluturimit të Njeriut në Hapësirë

    Dita Ndërkombëtare e Fluturimit të Njeriut në Hapësirë

    Gjatë shekullit të 20-të, udhëtimi në hapësirë u konsiderua si kufiri përfundimtar për miliarda njerëz që jetonin në tokë.

    Eksplorimi i hapësirës përfshinte dërgimin e njerëzve në hapësirë, vendosjen e njerëzve në hënë dhe krijimin e anijeve kozmike dhe stacioneve hapësinore.

    Një nga arritjet më domethënëse të “garës së hapësirës” ishte kur një astronaut u bë njeriu i parë që hyri në hapësirë.

    Ishte 12 prilli i vitit 1961 kur Yuri Gagarin, një qytetar sovjetik, kreu fluturimin e parë njerëzor në hapësirë, një ngjarje historike që hapi rrugën për eksplorimin e hapësirës për të mirën e mbarë njerëzimit.

    Anija kozmike 4 ton e Gagarin Vostok 1 u nis në orën 9:07 të mëngjesit me kohën e Moskës më 12 prill 1961, rrotulloi Tokën një herë në 1 orë e 29 minuta në një lartësi maksimale prej 301 km dhe u ul në orën 10:55 të mëngjesit në Bashkimin Sovjetik.

    Fluturimi i tij në hapësirë i solli atij famë të menjëhershme botërore. Atij iu dha Urdhri i Leninit dhe iu dhanë titujt Hero i Bashkimit Sovjetik dhe Pilot Kozmonaut i Bashkimit Sovjetik.

    Gagarini nuk shkoi më në hapësirë, por mori pjesë aktive në stërvitjen e kozmonautëve të tjerë, transmeton atvlive.tv.

    Ai bëri disa turne në vende të tjera pas fluturimit të tij historik, dhe nga viti 1962 ai shërbeu si deputet i Sovjetit Suprem.

    Gagarin vdiq si pasojë e rrëzimit të një aeroplani reaktiv bashkë me një tjetër pilot, ndërsa ishte në atë që u përshkrua si një fluturim rutinë stërvitor.

    Pas fluturimit të Gagarinit në hapësirë, pati një entuziazëm të ripërtërirë për studimin e hapësirave dhe kozmosit.

    Në vitin 1969 Neil Armstrong u bë njeriu i parë që zbarkoi në sipërfaqen e hënës.

    Në vetëm një hark kohor prej 15 vjetësh, njerëzimi bëri përparim në eksplorimin e hapësirës si kurrë më parë.

    Në vitin 2011, Asambleja e Përgjithshme, duke njohur 50 vjetorin e fluturimit të parë njerëzor në hapësirë, shpalli 12 Prillin si Ditën Ndërkombëtare të Fluturimit në Hapësirë të Njeriut.

    Rezoluta, e datës 7 prill 2011, e quajti atë një ditë “për të festuar çdo vit në nivel ndërkombëtar fillimin e epokës së hapësirës për njerëzimin, duke riafirmuar kontributin e rëndësishëm të shkencës dhe teknologjisë hapësinore në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm”./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: