ATV

Author: G.O.

  • Raporti i FMN-së: Kosova dhe Shqipëria, më të varfrat në Evropë edhe në 2023

    Raporti i FMN-së: Kosova dhe Shqipëria, më të varfrat në Evropë edhe në 2023

    Shqipëria dhe Kosova janë renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shtetet më të varfra të Evropës në vitin 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi.

    PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse (PPP), është produkti i brendshëm bruto i konvertuar në dollarë ndërkombëtarë duke përdorur normat e barazisë së fuqisë blerëse.

    Një dollar ndërkombëtar ka të njëjtën fuqi blerëse mbi PBB-në si dollari amerikan në Shtetet e Bashkuara.Sipas të dhënave të përditësuara të FMN-së në Pasqyrën Ekonomike Globale 2023, dhe të përpunuara nga “Monitor”, Shqipëria renditet e parafundit në Europë me të ardhurat për frymë prej 19 mijë dollarë ndërkombëtar.

    Pas Shqipërisë renditet Kosova, që e ka këtë tregues akoma dhe më të ulët, në 15.6 mijë dollarë ndërkombëtarë.Bosnjë Hercegovina ka të ardhura për frymë pak më të larta se Shqipëria, në 19.6 mijë dollarë ndërkombëtarë, Maqedonia e Veriut 21.1 mijë, Serbia me 25.4 dhe në krye të rajonit vijon të qëndrojë Mali i Zi, me 27.6 mijë dollarë ndërkombëtarë.Mesatarja e Europës është gati 50 mijë, ndërkohë që Shqipëria i ka të ardhurat për frymë të matura sipas fuqisë blerëse gati sa gjysma e Europës Lindore.

    Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar shtrihen deri në vitin 2028, ku sërish si Shqipëria ashtu dhe Kosova vlerësohet se do të vijojnë të mbeten më të varfrat e Europës.Edhe në treguesin tjetër direkt, atë të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, që për Shqipërinë ka arritur në 7 mijë dollarë, sërish vlerësohemi nga FMN të fundit për vitin 2023, së bashku me Kosovën, që është në nivelin e 5,600 dollarëve.Të dhënat e tjera të publikuara nga Eurostat më herët (ku nuk përfshihet Kosova) tregojnë se Shqipëria ka mbetur pas në të ashtuquajturin proces të konvergjencës, që nënkupton rritje me ritme më të shpejta se vendet e zhvilluara të Europës në mënyrë që të kapet mesatarja e Europës për një periudhë kohore të caktuar.

    Rritja e viteve të fundit, ndonëse në nivele të ngjashme me vende të rajonit, nuk ka arritur të shtojë mirëqenien e qytetarëve, duke u bërë dhe një faktor për ritmet e larta të emigracionit.

    Sipas Eurostat, në vitin 2021, vendi ynë kishte Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) për frymë, të shprehur në barazinë e fuqisë blerëse, sa 32% e mesatares së Bashkimit Europian.Në treguesin tjetër, atë të Konsumit Individual për Frymë (AIC) që mat konsumin sipas barazisë së fuqisë blerëse dhe nivelit të çmimeve, Shqipëria renditet po e fundit, me 39% të mesatares së Bashkimit Europian, njësoj me vitin e kaluar dhe shumë më e ulët se mesatarja prej 48% e vendeve kandidate (përjashtuar Turqinë).Ndërsa për treguesin e të ardhurave për frymë, diferenca me shtetet e rajonit nuk është shumë e lartë, në treguesin e konsumit individual ajo thellohet, duke reflektuar aftësinë e ulët të fuqisë blerëse të shtetasve shqiptarë për të ardhurat që kanë, e lidhur me çmimet relativisht të larta në vend.

  • Dhunohet seksualisht një 15-vjeçare në Prishtinë, gjendet në bagazhin e veturës ku ndodheshin 7 persona

    Dhunohet seksualisht një 15-vjeçare në Prishtinë, gjendet në bagazhin e veturës ku ndodheshin 7 persona

    Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Në shumë prej tyre, viktima janë vajzat e shpesh të dyshuar, janë persona të njohur të tyre të cilët përkundër moshës minorene të viktimave, krijojnë raporte intime me to dhe i keqpërdorin seksualisht, raporton Gazeta Sinjali.

    Një ngjarje e tillë ka ndodhur së fundi në Prishtinë, ku një vajzë e mitur dyshohet se është dhunuar nga një person i moshës madhore.

    Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja është zbuluar në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm, ku një njësi policore që po patrullonte, ka ndalur për kontroll një veturë.

    Gjatë kontrollit është vërejtur se brenda veturës janë shtatë persona, ku dy nga ta, përfshirë viktimën, ishin të shtrira në bagazhin e veturës.

    Shtatë personat që ndodheshin brenda automjetit janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar nga hetuesit policorë. 15-vjeçarja që ndodhej në bagazh ka deklaruar para hetuesve policorë që ka kryer marrëdhënie seksuale me njërin prej të dyshuarve.

    Bazuar në dëshminë e saj, ngjarja ka ndodhur në një motel në dalje të Prishtinës. Në kuadër të veprimeve hetimore, viktima është dërguar për ekzaminime gjinekologjike.

    Ndërkohë është intervistuar edhe 22-vjeçari, i cili ka pranuar se ka qëndruar në motel me vajzën e mitur.

    Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.

  • Arrestohet një burrë në Klinë, dyshohet se nën ndikimin e alkoolit sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij

    Arrestohet një burrë në Klinë, dyshohet se nën ndikimin e alkoolit sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij

    Një person është arrestuar dje në Klinë, pasi dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar fizikisht bashkëshorten.

    “Klinë 12.04.2023-00:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Tutje, bëhet e ditur se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje./atvlive.tv./

    LEXONI EDHE:

    Gjendet pa shenja jete një burrë në Komunën e Prishtinës

  • Gjendet pa shenja jete një burrë në Komunën e Prishtinës

    Gjendet pa shenja jete një burrë në Komunën e Prishtinës

    Policia e Kosovës njoftoi se dje rreth orës 09:30 është raportuar se në objektin e Komunës së Prishtinës, një burrë është gjetur pa shenja jete.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion./atvlive.tv.

     

  • Lëkundje tërmeti në Shqipëri

    Lëkundje tërmeti në Shqipëri

    Lëkundje tërmeti janë ndjerë mbrëmë në Shqipëri.

    Mediat shqiptare bëjnë të ditur se dridhjet e tokës janë ndjerë në Librazhd dhe Elbasan.

    Epiqendra e tërmetit është regjistruar në Mirakë të qarkut të Elbasanit.

    Lëkundjet janë regjistruar me magnitudë 3.6, ndërsa thellësia ka qenë vetëm dy kilometra.

     

  • Kuvendi mban seancë plenare, në rend dite Projektligji për Prokurorin e Shtetit

    Kuvendi mban seancë plenare, në rend dite Projektligji për Prokurorin e Shtetit

    Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në seancë parlamentare.

    Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

    Po ashtu në rend dite është shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Prokurorin e Shtetit, shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për Menaxhimin e Pagave” dhe shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit: “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021”.

    Kuvendi do të votojë edhe propozimin e GP të LVV për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

    Kjo seancë ishte e paraparë të mbahej dje, por u shty për shkak të mungesës së kuorumit.

  • ​Moti sot

    ​Moti sot

    Sot në vendin tonë do të mbajë mot kryesisht stabil, me pak vranësira dhe intervale me diell.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, kjo (e enjtja) parashihet të jetë edhe dita më e nxehtë e javës, për shkak të prezencës së masave të ajrit me origjinë nga jugperëndimi.

    Temperaturat minimale pritet të sillen ndërmjet 1 dhe 3 gradë Celsius, derisa ato maksimale mes 14 dhe 17 gradë Celsius.

    Do të ketë erëra të lehta deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit dhe jugperëndimit, ndërsa presioni atmosferik do të shënojë vlera të rritura mbi normalen.

  • ShBA-ja sanksionon mbi 120 subjekte që mbështesin pushtimin rus të Ukrainës

    ShBA-ja sanksionon mbi 120 subjekte që mbështesin pushtimin rus të Ukrainës

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj dhjetëra njerëzve dhe subjekteve për mbështetjen e pushtimit rus të Ukrainës, duke përfshirë një kompani private ushtarake, një kompani kineze dhe subjekte të lidhura me Rosatom, kompaninë shtetërore ruse të energjisë bërthamore.

    Sanksionet zbatohen për më shumë se 120 subjekte dhe individë në më shumë se 20 vende, duke përfshirë ata që ndihmojnë në shmangien e sanksioneve, njoftoi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

    Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se ka vendosur sanksione ndaj ekspertëve financiarë rusë dhe atyre që mundësojnë shmangien e sanksioneve në mbarë botën, përfshirë Turqinë, Hungarinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe individëve e kompanive në Kinë.

    “SHBA-ja do të vazhdojë të ndërmarrë veprime kundër Rusisë dhe atyre që ndihmojnë luftën e saj në Ukrainë, duke përfshirë zbatimin e mëtejshëm të obligimit në kuadër të G7, për të imponuar pasoja të rrepta ndaj aktorëve të vendeve të treta që mbështesin luftën e Rusisë në Ukrainë”, tha Blinken.

    Ndër të sanksionuarit është kompania private ushtarake Patriot, të cilën Departamenti i Shtetit e lidh me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe grupin mercenar Wagner.

    Gjithashtu, është sanksionuar edhe kompania kineze HEAD Aerospace Technology, e cila, sipas Departamentit të Shtetit, dërgoi subjekteve të lidhura me Wagner dhe liderin e tij Yevgeny Prigozhin, imazhe satelitore të vendndodhjeve në Ukrainë.

    Departamenti amerikan i Thesari sanksionoi gjithashtu kompaninë kineze King-Pai Technology HK, e cila punonte për kompleksin ushtarako-industrial rus. Pesë subjekte dhe një person që punon për Rosato mbulohen gjithashtu nga sanksionet e reja. Vetë Rosatom nuk është sanksionuar ende.

    Ndër të sanksionuarit është USM Holdings i miliarderit rus Alisher Usmanov, si dhe kompanitë që ajo përfshin, njoftoi Departamenti i Shtetit.

    Në mesin e këtyre kompanive janë: operatori i parë i telefonisë mobile Megafon, pastaj prodhuesi më i madh rus i mineralit të hekurit Metalloinvest me filialet e tij zvicerane dhe në Emirate e Bashkuara Arabe, operatori i projektit për bakër Udokan dhe prodhuesi i çimentos Akhangarancement nga Uzbekistani.

    Në listë, gjithashtu është edhe Banka Ndërkombëtare e Investimeve (IIB) nga Budapesti, një bankë zhvillimi, shumica e pronësisë së të cilës është ruse./REL

  • Arrestohet një person i dyshuar për veprën dhunim

    Arrestohet një person i dyshuar për veprën dhunim

    Hetuesit nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës, të mërkurën kanë arrestuar një person të dyshuar për veprën dhunim.

    “Puna e hetuesve policor ka rezultuar me identifikimin e personit të dyshuar dhe arrestimin e tij. Personi i dyshuar: – E. B, mashkull 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, me vendim të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është dërguar në qendrën e mbajtjes”, njofton Policia e Kosovës.

  • KFOR-i dënon incidentin në veri: Përgjegjësit të sillen para drejtësisë

    KFOR-i dënon incidentin në veri: Përgjegjësit të sillen para drejtësisë

    Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO dënoi incidentin e së hënës mbrëma, ku një serb i Kosovës u plagos me armë zjarri në komunën e Zveçanit.

    KFOR-i potencoi përmes një komunikate se pret që institucionet në Kosovë të kryejnë një hetim të plotë të ngjarjeve dhe t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit.

    KFOR-i bëri të ditur se progresi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është kyç për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal.

    “KFOR-i mirëpret marrëveshjet e fundit të ndërmjetësuara nga BE-ja të arritura në këtë drejtim dhe inkurajon të dyja palët të zbatojnë detyrimet e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të qetë e të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.”, u bë e ditur në komunikatë.