ATV

Author: G.O.

  • Osmani takon kryetarin e Kalabrisë së Italisë, bisedojnë për thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve

    Osmani takon kryetarin e Kalabrisë së Italisë, bisedojnë për thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës në Kalabri, u takua me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, Roberto Occhiuto, me të cilin bisedoi mbi shtrirjen e mëtejme të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Rajonit të Kalabrisë.

    Presidentja theksoi se lidhjet mes vendit tonë dhe Rajonit të Kalabrisë janë të hershme dhe janë të mbështetura në trashëgiminë historike e kulturore. Komuniteti i arbëreshëve, i cili prej shekujsh jeton në disa rajone të Italisë, përfshirë Kalabrinë, përbën pjesë të rëndësishme të diversitetit etnik, gjuhësor e kulturor të Italisë dhe pjesë të rëndësishme të saj.

    Presidentja theksoi se kujdesi ndaj të drejtave të bashkësive etnike kontribuon në mënyrë aktive edhe në zhvillimin ekonomik të Italisë. Ajo e falënderoi kryetarin Occhiuto për kujdesin ndaj ruajtjes së identitetit kombëtar të arbëreshëve dhe theksoi se integrimi i plotë dhe kontributi i tyre në jetën socio-ekonomike, u japin marrëdhënieve një dimension tjetër dhe të veçantë. Ajo shpalosi shembullin e Kosovës për mbrojtjen e pakicave dhe theksoi se sa më shumë që përkrahet komuniteti arbëresh në ruajtjen e identitetit kulturor e gjuhësor, aq më shumë do të kontribuojë ky komunitet edhe në zhvillimet e raporteve ndërmjet Italisë dhe hapësirave shqiptare.

    “Jemi të bindur se mund të ndiqen politika aktive për respektimin e gjuhëve të pakicave, për të mbrojtur dhe përmirësuar gjuhën dhe trashëgimin kulturore të pakicave gjuhësore dhe historike të Kalabrisë, përfshirë bashkësinë arbëreshe. Përmirësimi i mëtejmë i politikave për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës e të traditave është e ndërlidhur me politikat e shkollimit në gjuhën e pakicave”, tha Presidentja Osmani.

    Presidentja theksoi se në Rajonin e Kalabrisë është kultivuar tradicionalisht një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore, përfshirë atë letrare, që gjendet në dokumente e revista shumë të rëndësishme për popullin shqiptar, të cilat duhen ruajtur dhe digjitalizuar, në mënyrë që të shpërndahen më lehtë tek të rinjtë dhe brezat e ardhshëm.

    Presidentja dhe kryetari Occhiuto diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Italisë, përfshirë rajonin e Kalabrisë. Presidentja i ftoi ndërmarrjet, bizneset dhe investitorët italianë që të investojnë në sektorët strategjikë të ekonomisë së vendit.

    “Ne duhet t’i afrojmë edhe më tej operatorët tanë ekonomikë e turistikë, në mënyrë që të krijohen itinerare të përbashkëta turistike nga Kalabria për në Kosovë dhe anasjelltas”, tha Presidentja Osmani. Hapja e linjave të drejtpërdrejta të fluturimit mes aeroporteve tona e ndihmon turizmin e ndërsjellë dhe thellimit të lidhjeve me Kalabrinë dhe qytetarët e rajonit.

    Po ashtu, në takim u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit në bujqësi, duke qenë se të dyja vendet kanë potencial të madh zhvillimi në këtë fushë.

    Presidentja Osmani dhe kryetari Okiuto diskutuan edhe për përafrimin e mëtejmë i të të rinjve me kulturën e njëri-tjetrit dhe rritjen e komunikimit ndërmjet dy vendeve tona, sidomos të të rinjve tanë.

    “Intensifikimi i bashkëpunimit të të rinjve tanë mund të arrihet më së miri nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve akademike, bursave të studimit dhe bashkëpunimit ndëruniversitar”, tha Presidentja Osmani.

  • Totaj bën homazhe në Lubizhdë të Hasit

    Totaj bën homazhe në Lubizhdë të Hasit

    Kryetari Shaqir Totaj, së bashku me familjarët e dëshmorëve e të martirëve dhe me zyrtarë të ekzekutivit, bënë homazhe sot në Kompleksin Memorial në Lubizhdë të Hasit dhe kujtuan ngjarjen e 12 prillit 1999 që është ndër më të dhimbshmet të historisë sonë.

    “Falë sakrificës së popullit e të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e gëzojmë sot lirinë dhe shtetin sovran. Lavdi dëshmorëve, martirëve dhe heronjve të gjallë!” – u shpreh Totaj.

  • PSD-ja kundërshton gjobën nga AIP, e quan institucion të kapur nga VV-ja

    PSD-ja kundërshton gjobën nga AIP, e quan institucion të kapur nga VV-ja

    Partia Socialdemokrate ka mbajtur një aksion simbolik para Agjencionit për Informim dhe Privatësi. Arsye e këtij aksioni, ishte gjoba prej 20 mijë eurosh dhënë nga ky institucion ndaj PSD-së, raporton Ekonomia Online.

    Dënimi prej 20 mijë euro ka qenë për shkak të publikimit të peticionit me emra kundër Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë për gazetarëve se gjoba ka marrë edhe nga Policia e Kosovës.

    Molliqaj ka thënë se Komisionerja Krenare Sogojeva-Dermaku është militante e VV-së.

    “Arsyeja e këtij aktiviteti është një gjobë prej 20 mijë eurove që Agjencioni për Privatësi ka shqiptuar ndaj Partisë Socialdemokrate. Më lejoni t’i them disa gjëra; kapja e institucioneve  të pavarura tashmë është shndërruar në instrumente vepruese. Ky institucion siç mund ta dini drejtoresha e këtij institucioni është një militante politike e Vetëvendosjes, e cila është emëruar nga kjo Qeveri”, u shpreh Molliqaj.

    Fajtor për këtë gjobë, Molliqaj e ka bërë ministrin e Financave, Hekuran Murati.

    “Tani këta nën presionin e Qeverisë të Republikës së Kosovës, informata të sigurta të brendshme 100 për qind, një prej emrave që ka bërë presion është ministri Murati, Hekuran Murati e ka nxitur këtë Agjencion që të marrë vendim të jashtëligjshëm, për ta penguar veprimtarinë e Partisë Socialdemokrate. Duke parë që arrestimet, dënimet individuale nuk mund të ndalin, kanë filluar që të japin gjoba marramendëse nën pretendimin për shkelje të privatësisë”.

    Molliqaj ka ankesa edhe sa i përket procedurave që janë marrë me këtë rast. Ai u shpreh se ky institucion nuk i ka lënë hapësirë as për ankesë, duke e dërguar menjëherë lëndën tek përmbaruesi.

    “Nuk na kanë lënë të drejtë për ankesë, e kanë çuar që pas 30 ditësh përmbaruesi me marrë fondet nga Partia Socialdemokrate. Duke qenë të vetëdijshëm që partia jonë nuk ka të hyra nga institucionet e shtetit dhe mbijeton me shuma shumë modeste, ata kanë tentuar të na bëjnë dëm. Sigurisht që ne do ta çojmë në Gjykatë Civile këtë çështje dhe do të kërkojmë masë për parandalimin e saj, por ajo që dihet qartë është që ka vendim selektiv, për të njëjtin material, nga e njëjta parti, nga i njëjti institucion, nga i njëjti drejtim, kanë marrë vendime të ndryshme. Tashmë kemi informatë që edhe për protestën e fundit që patëm kundër ‘Zajednicës’, Policia e Kosovës ka shqiptuar një dënim për partinë politike. Neve Policia e Kosovës na dënon individualisht për përfshirje në aktivitete politike, ku sipas tyre pretendohet që kemi shkelur ligjin qoftë për kundërvajtje ose diçka tjetër”, u shpreh tutje Molliqaj.

  • Ministrja Hajdari: Çmimet e naftës po ulen, pritet të ketë zbritje edhe te produktet bazë

    Ministrja Hajdari: Çmimet e naftës po ulen, pritet të ketë zbritje edhe te produktet bazë

    Ministrja e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se pas uljes së çmimit të naftës do të ketë edhe zbritje të çmimeve të produkteve bazë.

    Ajo në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë ka kërkuar që sa më shpejtë të miratohen Ligjin për investimet të qëndrueshme dhe Ligjin për parqet industriale.

    “Ligjin për investimet të qëndrueshme dhe Ligjin për parqet industriale, sa më shpjet që të votohen këto ligje do të kenë ndikime. Çmimet në treg janë breng për qytetarët, dua të ndaj një lajm të mirë me ju se çmimet e naftës janë në ulje e sipër dhe pres që të tjerat çmime dhe të produkteve bazë të ulen”, tha ajo.

    Ministrja Rozeta Hajdari, tha se janë njoftuar që për Kompaninë “Vita”, është bllokuar eksporti në Bosnje e Hercegovinë me anë të barrierave jo-tarifore.

    Sipas saj, më këtë çështje është duke u marr Agjencia e Ushqimit.

    “Po jemi njoftuar jemi nga Oda e Afarizmit, jemi kontakt me Agjencinë e Ushqimit e cila është ne kontakt me autoritete e Bosnjës dhe presim sa më shpejt të kthehet përgjigjja. Nuk është e drejte ajo që është duke i ndodhur kompanisë, por ka edhe shumë kompani të tjera që po sfidohen por ne po i adresojmë përmes institucioneve përgjegjëse”, tha ajo.

  • Haxhiu: Besojmë në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së, 18 milionë € janë paguar për ekipet mbrojtëse

    Haxhiu: Besojmë në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së, 18 milionë € janë paguar për ekipet mbrojtëse

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se si institucione besojnë në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Sipas saj, deri tani qeveria e Kosovës ka paguar rreth 18 milionë euro për ekipet mbrojtëse.

    “Sa i përket Gjykatës Speciale besoj që të gjithë e dini qëndrimin tonë e dini. Edhe aso kohe kemi kërkuar që të fuqizohen institucionet e drejtësisë. Argumentet tona nuk janë marr parasysh, i kemi dërguar deri në Gjykatën Kushtetuese siç e dini, por nuk kemi arritur që t’i largojmë”.

    “Sikur të kishte përpjekje që të fuqizoheshin institucionet do të ishim në një situatë të re. Tani që gjykimi ka nisur, institucionet duhet që të jenë të të kujdesshme nga deklarimet tona, kjo është sepse po e shohim atë që po e bëjnë televizionet tona pasi ka filluar gjykimi”.

    “Ne besojmë në pafajësinë e tyre dhe shpresojmë që sa më parë ata të kthehen. Lufta jonë ka qenë e drejtë për çlirim. Deri tani janë 18 milionë euro që Qeveria e Kosovës ka dhënë për mbrojtjen e tyre”, tha ajo.

  • Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje për përmirësimin e lëvizjes së lirë

    Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje për përmirësimin e lëvizjes së lirë

    Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar protokollin që përmirëson më tej regjimin e lëvizjes së lirë ndërkufitare për banorët e zonave në të dy anët e kufirit. Firma është vënë në Tiranë nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe homologu i tij Bledi Çuçi.

    Sipas dy ministrave ky protokoll është një tjetër hap përpara në procesin e lehtësimit meqë krahas lirisë së lëvizjes më këmbë shtohet dhe kalimi me automjete për nevoja të jetës së përditshme të këtyre banorëve.

    “Puna jonë e përbashkët, e vazhdueshme po sjell rezultate, po kërkon përmirësim të vazhdueshëm edhe të marrëveshjeve në mënyrë që jetën e qytetarit ta lehtësojmë dhe ne të jemi në shërbim të tyre sa më shumë që është e mundshme. Jam i bindur që me këtë ne do t’i përafrojmë jo vetëm institucionet por edhe qytetarët e dy vendeve tona dhe po ashtu jam i bindur, duke ditur edhe bashkëpunimin e deritanishëm, që kjo nuk do të jetë as marrëveshja e fundit por do të jetë një vazhdimësi e shumë marrëveshjeve të cilat i kemi nënshkruar dhe do të vazhdojmë t’i nënshkruajmë së bashku deri sa të vijë koha që realisht qytetari i dy vendeve të mos ta dijë se ku ndodhet apo ku punon”, ka thënë Sveçla.

    Ndërsa ministri i Brendshëm në Shqipëri, Bledi Çuçi ka thënë se do të bëjnë të pamundurën që shtetasi e Kosovës dhe Shqipërisë të qarkullojë lirshëm në të dy anët e kufirit.

    “Ju e dini qëndrimin tim që unë do të doja që të mos kishte marrëveshje fare, ose më mirë të kishte vetëm një marrëveshje, të mos kishte kufi fare dhe kjo lëvizje e lirë që ne po u mundësojmë banorëve kufitarë brenda 30 kilometrave të secilit vend, të ishte për gjithë territorin qoftë të Kosovës qoftë të Shqipërisë, por deri atëherë meqë jetojmë në Evropë dhe jemi bashkësi e Evropës dhe duhet të respektojmë të gjitha këto marrëveshjet ndërkombëtare me të cilat jemi pjesë, deri atëherë bëjmë të pamundurën që shtetasit tanë të lëvizin, të qarkullojnë sa më lirshëm”, ka thënë ai.

  • Zgjedhjet në veri, Haxhiu: KQZ dhe insitucionet e sigurisë të vlerësojnë situatën

    Zgjedhjet në veri, Haxhiu: KQZ dhe insitucionet e sigurisë të vlerësojnë situatën

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi sot se është në përgjegjësinë e Komisionit Qendror Zgjedhor dhe institucioneve të sigurisë për të vlerësuar mbajtjen ose jo zgjedhjeve në katër komunat veriore.

    Haxhiu, në konferencë për medie tha se çfarëdo kërkese që ka KQZ-ja do ta zbatojë ekzekutivi.

    Në lidhje me rastin e plagosjes së një qytetari serb në veri, ajo tha se e Qeveria e ka dënuar rasti dhe se katër zyrtarët policorë janë në mbajtje dhe janë suspenduar nga puna.

    Megjithatë, ajo theksoi se Policia e Kosovës është më kredibile në rajon.

    Në lidhje me procesin gjyqësor të ish krerëve të UÇK-së në Hagë, Haxhiu u shpreh se beson në pafajësinë e tyre.

    Në konferencë për medie, ishte edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila tha se pret ulje të çmimeve të produkteve bazë, pas uljes së çmimit të naftës.

  • United e konfirmon lëndimin e Rashford

    United e konfirmon lëndimin e Rashford

    Marcus Rashford do t’i mungojë Manchester Unitedit në disa ndeshje, ndërsa ai po rikuperohet nga një lëndim në muskul.

    Rashford u lëndua në fitoren 2:0 të United kundër Evertonit të shtunën, dhe pritet që të mungojë nesër në ndeshjen e çerekfinales së Ligës së Evropës kundër Sevillas në “Old Trafford”, dhe në disa ndeshje të tjera të rëndësishme, raporton KosovaPress.

    United ka thënë se Rashford nuk do të jetë i gatshëm për disa ndeshje, por pritet të rikthehet në pjesën e mbetur të sezonit.

    Kjo do të jetë një goditje e madhe për Ten Hag, pasi që ylli anglez e ka gjetur rrjetën plot 28 herë këtë sezon, dhe është njëri nga lojtarët kyç të United.

  • Nuk mbahet mbledhja e KQZ-së, shtyhet sërish miratimi i listës së qendrave të votimit

    Nuk mbahet mbledhja e KQZ-së, shtyhet sërish miratimi i listës së qendrave të votimit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk do të mbajë mbledhje gjatë ditës së sotme (e mërkurë). Pas anulimit të mbledhjes të së martës, KQZ pritej që të mblidhej për të miratuar listën me qendra të votimit të cilat do të hapen për zgjedhjet e 23 prillit në veri të vendit.

    Mirëpo, zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi, konfirmoi për KosovaPress se nuk do të ketë mbledhje sot.

    “Mbledhja e planifikuar për sot nuk do të mbahet. Jemi në përgatitje të materialeve për mbledhje, për mbajtjen e së cilës do t’iu njoftojmë me kohë”, deklaroi shkurti ai.

    KQZ është duke i zhvilluar të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës të planifikuara për 23 prill.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve prej disa mbledhjes ka shtyrë shqyrtimin e rekomandimeve të Këshillave Komunal Zgjedhor për qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan.

    Si arsyetim është thënë se kërkojnë më shumë informacione nga organet e sigurisë.

  • Plagosja e qytetarit serb në veri, Rohde: Një tjetër incident shqetësues sigurie

    Plagosja e qytetarit serb në veri, Rohde: Një tjetër incident shqetësues sigurie

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka reaguar pas incidentit në Veri të vendit, ku një qytetar serb mbeti i plagosur të hënën mbrëma te Ura e Bistricës në afërsi të Zveçanit.

    Rohde në rrjetin social Twitter ka shpërndarë reagimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, duke thënë se është një tjetër incident shqetësues sigurie.

    ”Jam plotësisht dakord. Një tjetër incident shqetësues sigurie. Është mirë ta shohësh atë se Policia e Kosovës ka reaguar duke hetuar gjerësisht rastin. Sjellja e mundshme e keqe nga policia duhet të shqyrtohet si çdo tjetër. Viktimës i uroj shërim të shpejtë“, ka shkruar ambasadori gjerman mbrëmë.

    Për incidentin në veri, ka reaguar edhe ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Ai thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara që fillimisht u mohua krimi, teksa kërkojnë hetim të plotë nga policia për këtë rast.

    Hovenier, mes tjerash, tha se mbështetja e Amerikës për Kosovën do të vazhdojë veçse ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi.