ATV

Author: G.O.

  • “Beteja” e dytë mes Yllit dhe Pejës

    “Beteja” e dytë mes Yllit dhe Pejës

    Sonte me fillim nga ora 20:30 do të zhvillohet përballja e dytë mes KB Yllit dhe KB Pejës, ndeshje kjo e vlefshme për gjysmëfinalen e “PlayOff-it” të Superligës së Kosovës në basketboll.

    KB Peja e mori fitoren në ndeshjen e parë të zhvilluar, ku e mposhti KB Yllin në palestrën “Karagaçi” me rezultat të ngushtë 85:82, raporton KosovaPress.

    Kampioni aktual synon fitoren sot në palestrën “18 Qershori” në Suharekë, që ta barazoj serinë në 1:1 ndaj “Shqiponjave”.

  • Haradinaj: Të rënët janë dëshmi se sa e shtrenjtë është liria

    Haradinaj: Të rënët janë dëshmi se sa e shtrenjtë është liria

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar sot të rënët për liri në 24-vjetorin e Betejës e Zhegocit dhe martirët e rënë në Sllovi të Lipjanit.

    Haradinaj ka kujtuar edhe ngjarjet e kësaj dite në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë.

    “Armiku, për të shfryer egërsinë dhe mllefin e humbjeve në frontet e luftës, pikërisht gjatë Betejës së Zhegocit, do të sulmonte popullatën e paarmatosur në Sllovi të Lipjanit. Njëjtë do të pësonin edhe motrat e vëllezërit tonë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.

    Postimi i plotë:

    Të rënët e tokës sonë janë dëshmi se sa e shtrenjtë është liria!Kujtojmë sot Betejën e Zhegocit, nderojmë kontributin e Zonës Operative të Karadakut – rezistencën, sakrificën dhe rënien e luftëtarëve më të zotë të saj!Armiku, për të shfryer egërsinë dhe mllefin e humbjeve në frontet e luftës, pikërisht gjatë Betejës së Zhegocit, do të sulmonte popullatën e paarmatosur në Sllovi të Lipjanit. Njëjtë do të pësonin edhe motrat e vëllezërit tonë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë. Sot, çdo përpjekje e jona në ndërtimin e vendit, frymëzim ka heroizmin e luftëtarëve të lirisë dhe sakrificën e martirëve.Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të Kosovës!

  • Macron nënshkruan ligjin për reformën në pensione, pavarësisht protestave

    Macron nënshkruan ligjin për reformën në pensione, pavarësisht protestave

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka nënshkruar ligjin për reformën në pensione, duke sfiduar tre muaj protesta dhe zotimet e sindikatave se nuk do ta zbatojnë vendimin e ri.

    Ligji ka hyrë në fuqi menjëherë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

    Ky publikim është bërë disa orë pasi Këshilli Kushtetues i ka dhënë dritën jeshile fuqizimit të ligjit, i cili parasheh rritjen e moshës së pensionimit nga 62 në 64 vjeç.

    Beteja për të nënshkruar këtë ligj është kthyer në sfidën më të madhe për Macronin, përgjatë mandatit të tij të dytë si president.

    Kjo temë i ka kushtuar atij edhe me rënie të popullaritetit.

    Sondazhet kanë treguar se dy në tre franceze janë kundër vazhdimit të punës për dy vjet më shumë./REL/

  • Konjufca përkujton 24 vjetorin e masakrës në Sllovi të Lipjanit

    Konjufca përkujton 24 vjetorin e masakrës në Sllovi të Lipjanit

    Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca ka përkujtuar masakrën në Sllovi të Lipjanit.

    Ai përkujtoi 45 martirët shqiptarë, të cilët u vranë dhe u masakruan 24 vjet më parë në krimin e gjenocidit të kryer nga ushtria dhe policia serbe.

    “Viktima të kësaj ploje mizore qenë burra, gra, të rinj dhe pleq të paralizuar. Hasanin 18 vjeç e ekzekutuan në sy të babait, ndërsa nënë Halimen 84 vjeçare e dogjën të gjallë”, ka shkruar Konjufca.

    “Shumicën e kufomave i zhdukën me dhunë dhe i fshehën në Serbi, disa u zbuluan vite më vonë në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit. Ende mungon drejtësia për viktimat e këtij krimi të gjenocidit”, ka shtuar kryeparlamentari Konjufca.

    Tutje, Konjufca theksoi se dëshmorët, martirët dhe lufta jonë çlirimtare do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e lavdishme kombëtare.

    “Janë vetë liria dhe pavarësia e Republikës së Kosovës. Lavdi e përjetshme!”, përfundon ai.

  • 11 raste të reja me COVID-19 sot në Kosovë

    11 raste të reja me COVID-19 sot në Kosovë

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka publikuar raportin e fundit për gjendje me COVID-19 në Kosovë.

    Në njoftimin e IKSHPK-së thuhet se nga 82 testime 11 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me koronavirus.

    Në raport thuhet se 18 qytetarë janë shëruar, ndërsa 10 janë të hospitalizuar.

    Aktualisht në Kosovë janë 42 raste aktive.

  • Haradinaj këmbëngul: Zgjedhjet në veri s’duhet të mbahen

    Haradinaj këmbëngul: Zgjedhjet në veri s’duhet të mbahen

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, këmbëngul se zgjedhjet në veri që pritet të mbahen më 23 prill duhet të shtyhen. Sipas tij, ky skenar është në dobi të Kosovës, në të kundërtën mbajtja e tyre, siç thotë Haradinaj, është humbje për vendin. Ai thotë se me mbajtjen eventuale rrezikohet edhe më tej policët që operojnë në veri.

    Ish-kryeministri i Kosovës, mes tjerash thotë për KosovaPress se, duhet të tregohet mençuri dhe që proceset që i bëjnë dëm Kosovës të ndalen me kohë.

    “Duhet bërë kujdes, opsioni i ndaljes së këtij procesi është i mençur, është në dobi të Kosovës dhe e shpëton edhe fytyrën tonë si shtet. Ndërsa, insistimi për t’i mbajtur zgjedhjet realisht na thellon humbjet, por edhe na merr fytyrën sepse vërtetohet në ditën e zgjedhjeve që nuk jemi në situatën e duhur… Ne duhet të kemi guxim edhe politik, por edhe intelektual, që proceset që i sjellin humbje vendit të ndalen me kohë, mos të mbesim peng prej situatës që po ndodh atje”, thekoi Haradinaj.

    Haradinaj thotë se fakti se zgjedhjet mbahen qendra jo të rregullta e të zakonshme votimi, e vështirëson pjesëmarrjen e qytetarëve për të votuar, derisa shton se në këtë formë rrezikohet edhe siguria e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

    “Po, duhet me marrë vendim me ndërpre procesin tani çfarë është, për shkak se nuk mundemi me mbajt zgjedhje e vendvotimi me qenë në stacion të policisë. Sikurse dihet, stacion i policisë në veri janë njësitë speciale dhe s’ka shumë logjikë kutitë me qenë aty ku rrinë policia. Po ashtu është vështirë të kualifikohen zgjedhjet si të lira, demokratike, nëse ato mbahen në Stacionin e Policisë, ku janë vetëm njësitë elite të policisë. Fakti se mbahen në stacionin e policisë e vështirëson pastaj edhe pjesëmarrjen, sado e vogël që është, mundet me qenë edhe më e vogël dhe kësisoj dita e zgjedhjeve nuk është ndonjë sukses për ne si Kosovë, por do të jetë një humbje”, thotë Haradinaj për KosovaPress,

    Haradinaj konsideron se vendimi për t’i mbajtur zgjedhjet pa koordinim me aleatët ndërkombëtarë, është i gabuar për vendin.

    “Besoj se gabim është se kemi hyrë në këtë rrugë pakrye, pa aleatët, ishte edhe hera parë dhe njëjtë edhe tash. Megjithatë kjo është veç dëm për Kosovën një gjendje e tillë. Policia e Kosovës është në një situatë mjaftë të tensionuar në veri, ata edhe ndërrimet i kanë të gjata, dhe janë të rrezikuar. Ka plot raste kur në Policinë e Kosovës shtihet me armë zjarre, gjatë natës ata i ekspozohen rreziqeve të shumta dhe është gabim të vazhdohet një situate humbëse për Kosovën… Duhet të kthehet një diskutim serioz me aleatët tonë, pra me Amerikën, aleatet tjerë të QUINT-it dhe të gjendet formula që të gjithë të bien dakord për mbajtjen e zgjedhjeve, përfshirë edhe të gjitha partitë politike në veri”, thotë mes tjerash Haradinaj.

    Mes tjerash, Haradinaj thotë se agjenda e Serbisë për të qenë kundër Kosovës do të vazhdojë çdoherë, porse sipas tij, e rëndësishme është që për veriun te ketë koordinim me ndërkombëtarët.

    “Agjenda e Serbisë, e aleatëve të Serbisë, e atyre që vërtetë janë kundër Kosovës do të vazhdon çdoherë, por sa herë që ne kemi marrëveshje me aleatet tonë të sigurisë, rezultati do të jetë në favor tonin. Pra, pa marrë parasysh çfarë bëjnë pala tjetër, ne e dimë formulën e suksesit dhe formula e suksesit për në veri, sepse është çështje e sigurisë po ashtu, është veprimi me koherence, marrëveshje me aleatët tonë të sigurisë të prirë nga Amerika”, tha për fund Haradinaj.

    Zgjedhjet në katër komunat veriore u shpallën pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.

    Fillimisht ishin parashikuar që të mbahen më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por u shtynë me vendim të presidentes Vjosa Osmani për 23 prill edhe për shkak të situatës së tensionuar dhe barrikadave që i ngritën nga grupe të dyshuara kriminale.

  • Një grua raportoi në Polici se u sulmua fizikisht nga bashkëshorti, vjehrri dhe kunati i saj

    Një grua raportoi në Polici se u sulmua fizikisht nga bashkëshorti, vjehrri dhe kunati i saj

    Një grua ka raportuar në Polici se pas një mosmarrëveshje në familje, ajo është sulmuar fizikisht nga vjehrri, bashkëshorti dhe kunati i saj.

    “Malishevë 14.04.2023-15:40. Viktima femër kosovar ka pranuar tretman mjekësor pasi që e njëjta pas një mosmarrëveshje në familje është sulmuar fizikisht nga tre të dyshuarit meshkuj kosovarë (vjehrri, bashkëshorti dhe kunati)”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

    Tutje, Policia njoftoi se tre të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, ata janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

    Përveç këtij rasti, gjatë 24 orëve të fundit në Polici janë raportuar edhe katër raste të tjera të dhunës në familje./atvlive.tv./

     

     

  • Zgjedhjet në veri: Kjo është lista me qendrat e votimit dhe lokacionet e tyre

    Zgjedhjet në veri: Kjo është lista me qendrat e votimit dhe lokacionet e tyre

    Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi listën e qendrave të votimit dhe lokacionet e tyre për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok si dhe për zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023.

    Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtyre zgjedhjeve, më 14 prill 2023, KQZ-ja
    miratoi listën e qendrave të votimit për zgjedhjet e 23 prillit.

    Sipas vendimit të KQZ-së, numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.

    Lista e qendrave të votimit është përgatitur në bashkëpunim dhe koordinim me organet e sigurisë./atvlive.tv/

    Kliko në link për të parë listën me qendrat e votimit:

    https://kqz-ks.org/wp-content/uploads/2023/04/Lista-e-Qendrave-te-Votimit-per-Zgjedhjet-e-dates-23.04.2023.pdf

     

  • Zvicra ndan 2 miliardë dollarë për Ukrainën

    Zvicra ndan 2 miliardë dollarë për Ukrainën

    Zvicra ka thënë se do të shpenzojë 2 miliardë dollarë për të dërguar ndihmë humanitare dhe asistencë për zhvillim të Ukrainës në gjashtë vjetët e ardhshëm.

    Ky vendim është marrë, pas kritikave të Perëndimit ndaj Bernit, që të bëjë më shumë për të mbrojtur veten kundër pushtuesve rusë.

    Qeveria zvicerane ka konfirmuar për ndarje të 2 miliardë dollarëve deri më 2028, përveç 300 milionë dollarëve që tashmë i ka ndarë për këtë, dhe vitin tjetër.

    Rreth 650 milionë dollarë tashmë janë rezervuar për të ndihmuar në rindërtim të Ukrainës.

    Shumë vende e kanë kritikuar Zvicrën edhe pse nuk ka dhënë autorizim për dërgim të armëve të prodhuara nga ajo në fushëbetejën në Ukrainë.

    Mirëpo zviceranët kanë argumentuar se kushtetuta e tyre parasheh neutralitet, dhe ndalon dërgimin e armëve në zona të luftës, siç është ajo në Ukrainë.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Pse gjyqtarët dhe avokatët mbanin paruke në kohët e lashta?

    Pse gjyqtarët dhe avokatët mbanin paruke në kohët e lashta?

    Nëse keni parë ndonjëherë një film të shekullit të 17-të, me siguri keni vënë re avokatë dhe gjyqtarë të veshur me paruke të gjata.

    Në fakt, kjo është mjaft e dukshme për të njohur avokatët dhe gjyqtarët në shumë piktura të vjetra.

    Më 1635, udhëzuesi përfundimtar për veshjen e gjykatës u botua në Rregullat e Gjykatësve.

    Por kjo nuk prezantoi kostume të reja; ai thjesht përcaktoi se çfarë rrobash ekzistuese duhet të vishen dhe kur.

    Deri në shekullin e 17-të, avokatët pritej të dilnin në gjykatë me flokë dhe mjekër të pastër, të shkurtër.

    Megjithatë, gjyqësorit iu desh pak kohë për të bindur, transmeton atvlive.tv.

    Portretet e gjyqtarëve nga fillimi i viteve 1680 tregojnë ende gjyqtarët që ushqehen me flokët e tyre natyralë dhe paruket nuk duket se janë adoptuar me shumicë deri në vitin 1685.

    Kjo modë është zhvilluar më së shumti në mesin e shekullit të 17-të dhe nisi të zbatohet nga Mbreti Louis në Francë.

    Sifilizi, një sëmundje epidemike e kohës, shkaktonte rënie flokësh, gjë që e bëri parukën një modë dhe një mbulesë të nevojshme.

    Gjithashtu, Mbreti i Anglisë Charles II dhe shoqëria e tij e lartë filluan të mbanin paruke.

    Në atë kohë, rrobat e gjyqtarëve dhe avokatëve u përcaktuan të ishin të ngjashme me rrobat e pallatit.

    Kur kombinoheshin këto dy arsye, veshja e një paruke u bë e pashmangshme.

    Përveç kësaj, avokatët dhe gjyqtarët e përdorën atë për t’u ndarë nga publiku në sallën e gjyqit dhe për të vendosur epërsinë e tyre.

    Moda e parukeve vazhdoi në shekullin e 18-të. Paruka më e shkurtër dhe më kaçurrela u bë pjesë e jetës së përditshme, ndërsa paruka me flokë të gjatë u bë një pjesë ceremoniale e historisë që përfaqësonte gjyqtarët dhe avokatët.

    Materiali për këto rroba fillimisht iu dha gjyqtarëve si një grant nga Kurora.

    Ngjyrat ishin vjollcë për dimër dhe gjelbër në verë.

    Mbreti Xhorxhi III pa që parukat po dilnin gradualisht nga moda.

    Nga fundi i shekullit ato visheshin kryesisht nga peshkopët, karrocierët dhe profesioni ligjor – madje edhe peshkopëve iu dha leja të ndalonin veshjen e parukeve në vitet 1830./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: