ATV

Author: G.O.

  • 24 vjet nga beteja e Shkëmbit të Gradinës

    24 vjet nga beteja e Shkëmbit të Gradinës

    Sot bëhen 24 vjet nga beteja e zhvilluar te Shkëmbi i Gradinës, për të mos lejuar depërtimin e forcave armike në rrafshnaltën e Berishës, ku ndodhej SHP i UÇK-së, Spitali Ushtarak, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Agjencia e lajmeve “KosovaPress”, radio “Kosova e lirë” dhe rreth 100 mijë banorë nëpër grykat e maleve.

    Në këtë betejë, pikërisht më 18 prill 1999, ranë heroikisht Islam Kastrati nga Kishnareka, Halim Bajraktari nga Drenasi, Mentor Morina nga Bushati, Ramadan Bytyqi nga Gjergjica dhe Mentor Gashi nga Llapushniku.

    Luftimet e prillit 1999 në këtë anë kanë qenë vendimtare jo vetëm për rrjedhat e luftës çlirimtare, por mbi të gjitha kanë qenë vendimtare për të shpëtuar jetën e njerëzve që kanë qenë në këto gryka.

    Po ashtu, luftëtarët që e bënë betejën e prillit 1999 kanë qenë muri i gjallë që nuk e ka lejuar ushtrinë dhe policinë serbe të depërtojë te popullata.

  • G7 i bën thirrje Rusisë të tërhiqet nga Ukraina

    G7 i bën thirrje Rusisë të tërhiqet nga Ukraina

    Ministrat e Jashtëm të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, përsëritën përkushtimin e tyre për të mbështetur fuqishëm Ukrainën, duke “intensifikuar, koordinuar dhe zbatuar plotësisht sanksionet kundër Rusisë”.

    Gjatë një takimi në Japoni, ministrat e G7-ës thanë se “Rusia duhet t’i tërheqë të gjitha forcat dhe pajisjet nga Ukraina, menjëherë dhe pa kushte”, transmeton një deklaratë e lëshuar nga Ministria e Jashtme e Japonisë.

    Ministri i Jashtëm japonez, Hayashi Yoshimasa, tha se është e rëndësishme që të ruhet uniteti në zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.

    Duke komentuar njoftimin e presidentit rus, Vladimir Putin, se Rusia do të vendosë armë taktike bërthamore në Bjellorusi, ministrat e G7-ës thanë se “retorika e papërgjegjshme bërthamore e Rusisë është e papranueshme”.

    Rusia dikur ka qenë pjesë e asaj që është njohur si G8, por është dëbuar pasi ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

    Me urdhër të Putinit, ushtria ruse ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.

    Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra kundër Moskës, ndërsa Kievin është duke e ndihmuar me armatim dhe logjistikë./REL/

  • E akuzoi LDK-në për shtrenjtimin e çmimeve, Hykmete Bajrami i reagon Hekuran Muratit

    E akuzoi LDK-në për shtrenjtimin e çmimeve, Hykmete Bajrami i reagon Hekuran Muratit

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë sot se arsyeja se perse qytetarët e Kosovës po e paguajnë më shtrenjtë vajin, miellin dhe bukën është LDK-ja.

    Këtë e ka arsyetuar me dërgimin në Kushtetuese të ligjit për çmimet tavan.

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami në një prononcim për IndeksOnline, ka komentuar këtë deklaratë të ministrit

    Ajo ka thënë se çmimet kanë filluar të rriten para se Ministri i Financave me e dërgu ligjin për çmimet tavan në parlament.

    ‘’Nuk ja vlen fare me u marr dhe me i komentu deklaratat e ministrit Murati sepse janë aq të paqëndrueshme dhe aq kontradiktore saqë nuk di nëse duhet me shpenzu minuta. Qytetarët e vendit e dinë se çmimet janë rritë shumë kohë para se ministri i financave me sjell ligjin në parlament. Ligjin për çmimet tavan e ka sjell diku ne fund të vitit’’, tha ajo

    Bajrami, tha se LDK-ja si grup parlamentar, ka qene e bindur se ky ligj është në kundërshtim me nenin 10 të kushtetutës dhe do të mbyllte shumë biznese dhe vende të punës, prandaj e kanë dërguar në gjykatën kushtetuese.

    ‘’Ne si grup parlamentar, LDK, ka qene e bindur se ky ligj është në kundërshtim me nenin 10 të kushtetutës. Dhe si të tillë e kemi dërgu në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.’’

    Më tutje, ajo tha se Murati nuk ka marrë asnjë masë sa i përket inflacionit edhe pse LDK-ja kishte disa propozime.

    Ndërkohë, ministri Murati nuk e ka ndërmarrë asnjë masë tjetër sa i përket, inflacioni, ne kemi pas disa propozime të tjera

    ” Ligji që është në gjykatën kushtetues, nuk ka pas me u adresu, nuk ka shanca qe mundet me adresu çështjen e inflacionit. Ligji si i tillë do te mbyllte mijëra biznese familjare. Biznese familjare të cilat kostot e operimit i kanë shumë me të larta se sa rrjetet e marketeve të mëdha. Andaj ne e kemi konsideruar se është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe gjithashtu do të mbyllte një numër të madh të bizneseve familjareve dhe do të mbyllte shumë vende pune dhe si të tillë e kemi dërgu në Gjykatën Kushtetuese’’, tha Bajrami për IndeksOnline.

    Po ashtu, Bajrami akuzon ministrin se ka dy vite qe ka mbetur duke e fajësuar opozitën dhe qeveritë e kaluara duke mos bërë asnjë hapë drejt përmirësimit po vetëm keqësimit të gjendjes ekonomike të Kosovës.

    ‘’Ministri ka ngel që dy vite duke e fajësu opozitën dhe qeveritë e kaluara ndërkohë nuk kemi pa asnjë hap për përmirësimin e situatës ekonomike në fakt kemi vetëm përkeqësim’’. /IndeksOnline/

  • Vazhdon greva e punëtorëve teknik në spitalin e Gjakovës dhe në shkollat e Prishtinës

    Vazhdon greva e punëtorëve teknik në spitalin e Gjakovës dhe në shkollat e Prishtinës

    Rreth 50 punëtorë të Spitalit Regjional “Isa Grezda” në Gjakovë kanë hyrë në ditën e 18-të të grevës, për shkak të pagave të ulëta.

    Përmes një komunikate për media, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka bërë të ditur se greva do të përfundojë kur pagat të rriten në 450 euro.

    “Punëtorët teknik të spitalit ‘Isa Grezda’ në Gjakovë, rreth 54 punëtorë, sot kanë hyrë në ditën e 18-të të grevës për shkak të pagave të ulëta, edhe përkundër kërcënimeve nga udhëheqja e spitalit këta punëtorë mund të dalin nga greva vetëm atëherë kur pagat e tyre të jenë 450 euro. Nuk ka fuqi që ua ndryshon mendjen pa u plotësua kërkesa e tyre”, thuhet në komunikatën e tyre, teksa është bërë e ditur se nesër do t’i vizitojë kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi.

    Krahas grevës së punëtorëve të spitalit të Gjakovës, në grevë janë edhe disa punëtorë teknik të disa shkollave në kryeqytet, raporton Ekonomia Online.

    “Po kështu edhe 140 punëtorë teknik të disa shkollave të Prishtinës nga sot kanë hyr në javën e dytë të protestës, për shkak të mos transparencës të organeve gjegjëse të komunës, mijëra nxënës janë pa përkujdesjen e tyre, dhe ata mund të infektohen, kurse drejtoresha e arsimit të Komunës së Prishtinës thotë që vetë nxënësit e këtyre klasave të mbajnë higjienën. Për të dy rastet për gjendjen e krijuar janë vetë udhëheqësit e këtyre institucioneve pasi që, këtu mungon vullneti për t’i mbyllur këto konteste të cilat ligjërisht edhe nuk ekzistojnë”, thuhet në komunikatë.

  • Ministri Murati ia hedh fajin LDK-së, thotë se për shkak të tyre qytetarët po e paguajnë më shtrenjtë vajin e grurin

    Ministri Murati ia hedh fajin LDK-së, thotë se për shkak të tyre qytetarët po e paguajnë më shtrenjtë vajin e grurin

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se çmimet e importit për vaj dhe grurë kanë rënë, teksa fajin për çmimet e shtrenjta ia ka hedhur LDK-së.

    Sipas tij, qytetarët po vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë për shkak se Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Çmimet Tavan.

    ”Çmimi i furnizimit nga importi për vaj ushqimor ka rënë në 1.05 euro/litër. Çmimi i furnizimit nga importi për grurë ka rënë në 0.24 euro/kg. Ligjin për çmimet tavan, LDK e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese. Prandaj qytetarët vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë se që do duhej për vaj, miell e bukë”, ka shkruar Murati në Facebook.

    Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka dërguar në Kuvend projektligjin për çmimet tavan – që nënkuptonte vendosjen e disa çmimeve nga shteti për produktet esenciale – më pas kishte kaluar në Kuvend, por LDK-ja, si dhe partitë e tjera opozitare kishin thënë se ai ligj bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

  • Fillon dëshmia e dëshmitarit të dytë ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Fillon dëshmia e dëshmitarit të dytë ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë të Prokurorisë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Fillimisht dëshmitari bëri betimin se do ta thotë të vërtetën para trupit gjykues, derisa Gjykata njoftoi se dëshmia do të zgjasë të paktën pesë ditë.

    Zyra e Prokurorisë së Specializuar i ka kërkuar 7 orë kohë për ta intervistuar dëshmitarin, mbrojtja e viktimave 15 minuta dhe mbrojtja e të akuzuarve 12 orë.

    Ndërsa paraprakisht, Gjykata njoftoi se gjatë ditës do të lëshohet një vendim verbal për një çështje që ka të bëjë me të akuzuarin Thaçi.

    Me të nisur dëshmia, procesi kaloi në seancë të mbyllur.

    Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.

  • Kurti nga Pokleku kërkon dënimin në mungesë për krimet serbe: Duhet të ketë drejtësi për viktimat

    Kurti nga Pokleku kërkon dënimin në mungesë për krimet serbe: Duhet të ketë drejtësi për viktimat

    Kryeministri Albin Kurti, tha se masakra e Poklekut është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij, shtetit serb nuk i ka mjaftuar vetëm vrasje e civilëve në Poklek, por edhe kanë djegur kufomat, duke shtuar se plan nuk ka qenë vetëm shfarosja e jetëve, por edhe e qenieve.

    Prandaj nga këtu ai ka kërkuar gjykimin në mungesë të të gjithë kriminelëve, për çka tha se muajin e ardhshëm bëhen 4 vjet që një gjë e tillë është ë mundur me ligjet në vend.

    “Masakra e Poklekut është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, këtu para 24 vjetëve janë vrarë 54 civilë shqiptarë, për shkak se ishin shqiptarë dhe për shkak se dëshironin të jetonin të lirë e në paqe në tokën e tyre. Prej këtyre 54 të vrarëve, 25 kanë qenë nën moshën 18 vjeçare, ndërkaq 18, pra çdo i treti ka qenë nën moshën 12 vjeçare. 5 kanë qenë  foshnjë prej 6 muajsh deri në 2 vjeç, ndërkaq Lirie Muçolli ka qenë veç 6 muajsh si foshnjë kur është vrarë në këtë masakër”.

    “Siç edhe presidentja Osmani nuk ka mjaftuar vrasja, por ka pasuar edhe djegia e kufomave që do të thotë se plani ka qenë për shfarosje jo vetëm të jetërave, por edhe të qenieve. Andaj masakra e Poklekut është dëshmi e gjallë e gjenocidit të Serbisë edhe sot e kësaj dite”.

    “Në muajin e ardhshëm bëhen 4 vjet prej se në Kuvendin e Republikës patëm mundësuar që Prokuroria e Shtetit, prokurorët specialë të ndjekin e më pastaj sistemi i drejtësisë edhe të gjykojë në mungesë kriminelët serbë. Pra në muajin e ardhshëm bëhen që ekziston një mundësi e tillë dhe këto krime të kryera gjatë luftës që janë edhe gjenocid, edhe krime kundër njerëzimit, edhe krime luftë do të duhej të kenë drejtësi për viktimat, por edhe dënim shtetëror e ndërkombëtar për ata që ekzekutuan dhe për ata që i urdhëruan ato”, tha Kurti.

  • Osmani e quan masakrën e Poklekut – Holokaust: Regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit tonë

    Osmani e quan masakrën e Poklekut – Holokaust: Regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit tonë

    Presidentja Vjosa Osmani masakrën e Poklekut e ka krahasuar me Holokaustin, raporton Ekonomia Online.

    Ajo tha se në këtë masakër janë vrarë më së shumti fëmijë e madje janë djegur trupat e tyre për të fshehur krimin e ndodhur nga forcat serbe.

    Sipas të parës së shtetit regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit tonë. Ajo ka shtua se personat që e kanë urdhëruar masakrën dihen me emër e mbiemër, por regjimi në Serbi nuk po vendos drejtësi.

    Këto komente ajo i bëri pas homazheve në Kompleksin Memorial në Poklek, bashkë me kreun e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kreun e Qeverisë, Albin Kurti.

    “Këtu ne Polklek ka ngjarë një Holokaust i vërtet, siç edhe e dini diku 54 anëtar të familjeve Muçolli, Elshani dhe të tjera, kryesisht gra dhe fëmijë. Shumica dërmuese fëmijë fillimisht janë ekzekutuar pastaj janë djegur dy herë në mënyrë që të eliminohen krimi i tyre”.

    “Kjo është një ndër dëshmitë më të fuqishme se regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit tonë dhe kishte për qëllim që as një shqiptar të mos mbetet në tokën e Kosovës. Edhe kjo masakër ashtu si edhe ajo në Çikatovë dëshmojnë egërsinë e këtij regjimi dhe njëkohësisht janë edhe dëshmi e dhimbshme se si akoma nuk ka drejtësi për të gjitha këto viktima”.

    “Personat që e kanë urdhëruar masakrën dihen me emër e mbiemër për ta janë mbledhur prova, por për fat të keq regjimi në Serbi nuk po vendos drejtësi. Ata që i bënë këto masakra po shpërblehen me pozicione të larta në policinë në serbi”, tha ajo.

  • Hoti: Parashikimi ekonomik për vitin 2023, nuk është më i mirë se ai i vitit 2022

    Hoti: Parashikimi ekonomik për vitin 2023, nuk është më i mirë se ai i vitit 2022

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se gjatë pjesës së parë të mandatit qeverisës, Qeveria Kurtit, nuk ka bërë punë efektive sa i përket punësimit, uljes së inflacionit apo rritjes së ekonomisë.

    Përmes një statusi në Facebook, Hoti ka shkruar se viti që kaloi u përshkua me mungesë të qeverisjes efektive derisa sipas tij një parashikim i tillë shihet edhe për vitin 2023.

    “Kaloi gjysma e mandatit qeverisës dhe asnjë shenjë nuk e bëri në ekonomi qeveria e “punësimit dhe drejtësisë”. Viti 2022 u përshkua me mungesë të qeverisjes efktive, e cila do t’i mbronte qytetarët nga inflacioni dhe do të promovonte zhvillim ekonomik. Parashikimi për vitin 2023 po ashtu nuk është më i mirë.

    1. Rritja ekonomike më 2022 prej 3.5 për qind erdhi nga rritja e konsumit privat dhe eksporteve, e jo nga investimet publike apo private. Në fakt, më 2022 bruto investimet kapitale kanë rënë për -6.9 për qind dhe konsumi qeveritar ra për -0.8 për qind, duke ndikuar negativisht në rritjen ekonomike.

    2. Inflacioni, i cili arriti kulmin në 14.2 për qind në korrik 2022, erdhi si rezultat i rritjes të kostos së transportit, çmimit të energjisë dhe çmimit të ushqimeve. Situata nuk u menaxhua si duhet nga Qeveria pasi ngarkesat tatimore mbetën të pandryshuara. Jo vetëm që nuk e suspendoi akcizën në naftë për një kohë, por Qeveria nuk e uli as TVSH-në Nga 18% në 8% për disa artikuj ushqimor shtesë, edhe pse këtë ia mundësonte ligjin për TVSH-në. Si rezultat, Qeveria mblodhi qindra miliona euro TVSH nga rritja e çmimeve të naftës, energjisë dhe ushqimeve. Për pasojë, bilanci bankar i Qeverisë gjatë vitit 2022 ishte tepër i lartë. Pasi ato mjete nuk u shpenzuan në investime kapitale, ato u zhvlerësuan nga inflacioni.

    3. Eksportet u rritën me 27%, por për shkak të bazës së ulët nuk kishin efekt të ndjeshëm në uljen e deficitit tregtar. Në anën tjetër, importet u rritën me 22%, dhe për shkak të madhësisë së tyre, deficiti tregtar u thellua edhe për 1 miliardë euro. Kjo është indikative se në tregun vendor ende nuk ka rritje substanciale të prodhimit vendor, siç trumbetohet nga qeveritarët”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.

  • Seanca në Gjykatën Speciale vazhdon e mbyllur

    Seanca në Gjykatën Speciale vazhdon e mbyllur

    Po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çliritmare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

    Edhe sot kjo seancë është duke u zhvilluar e mbyllur për publikun.

    Kujtojmë se që nga fillimi i javës së kaluar ka nisur dëgjimi i dëshmitares së parë ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    LEXONI EDHE:

    Miratohet mocioni i mbrojtjes së Selimit kundër dëshmisë së dëshmitarit