ATV

Author: G.O.

  • Miratohet mocioni i mbrojtjes së Selimit kundër dëshmisë së dëshmitarit

    Miratohet mocioni i mbrojtjes së Selimit kundër dëshmisë së dëshmitarit

    Ka filluar në Gjykatën Speciale procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

    Trupi gjykues, në fillimin e seancës ka pranuar mocionin e paraqitur nga mbrojtja e Rexhep Selimit për kundërshtimin e dëshmisë së një dëshmitari lidhur me dy incidente të pretenduara, të cilat kanë ndodhur jashtë periudhës kohore të aktakuzës.

    “Mbrojtja e Selimit ka paraqitur mocion dhe kundërshton dëshminë e dëshmitarit për dy incidente të pretenduara që kanë ndodhur jashtë periudhës kohore të aktakuzës”, tha fillimisht gjykatësi Charles Smith.

    “Ky informacion i dhënë është i paverifikueshëm. Trupi gjykues miraton mocionin e mbrojtjes së Selimit. Nuk lejohet ZPS-ja të bëjë pyetje për incidentet e përshkruara në paragrafet 3.16.23 të materialit. Sa i takon dëshmisë së dëshmitarit, duhet redaktuar referencat lidhur me këto sulme nga çdo material që synojnë të paraqesin si prova. Së fundmi, palët duhet t’i dorëzojnë versionet e redaktuara deri të hënën”, tha Smith.

    Trupi gjykues ka vlerësuar se pranueshmëria e këtyre provave mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve.

    “Pranueshmëria e këtyre provave mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve. Nuk lejohet ZPS-ja të bëjë pyetje për këto incidente”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

    Sot sikurse edhe javën e kaluar do të vazhdohet me procesin e paraqitjes së provave, përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve.

    Gjatë javës së kaluar për tri ditë radhazi, ka folur dëshmitarja e parë në rastin Thaçi dhe të tjerët. Seancat e saja kanë qenë të mbyllura për publikun.

    Në informimin javor të Dhomave të Specializuara u tha se të gjitha gjykimet janë publike por gjykatësit në disa raste vendosin të kryerjen një pjesë të seancës në privat me qëllim të mbrojtjes së identitetit të dëshmitarit.

    “Vendimi për t’i kryer seancat në seancë private për të mbrojtur dëshmitarët shqyrtohet me kujdes nga gjykatësit, rast pas rasti. Gjykatësit sigurohen që të ketë balancë midis nevojës për mbrojtje të dëshmitarëve dhe të drejtave të të akuzuarve. Për shembull, edhe kur dëshmia e dëshmitarit nuk është publike, avokatët e të akuzuarve përsëri kanë të drejtën t’i bëjnë pyetje dëshmitarit nga ana e tyre”, tha zëdhënësi Michael Doyle.

    Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Ata po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me akuza për krime kundër njerëzimit, si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

    Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë, si në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

  • Arrestohet një person në Han të Elezit, dyshohet për kontrabandim me mallra

    Arrestohet një person në Han të Elezit, dyshohet për kontrabandim me mallra

    Është arrestuar një person në Han të Elezit, pasi gjatë kontrollit në veturën të cilën po e drejtonte, i janë gjetur disa mallra për të cilat ai nuk posedonte dokumentacion përcjellës dhe të cilat dyshohet të jenë të kontrabanduara.

    Në raportin e Policisë, bëhet e ditur se me vendim të prokurorit mallrat e kontrabanduara janë konfiskuar nga njësia e doganave.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi gjatë kontrollit në veturën të cilën po e drejtonte ai janë gjetur disa mallra për të cilat ai nuk posedonte dokumentacion përcjellës dhe të cilat dyshohet të jenë të kontrabanduara. Me vendim të prokurorit mallrat e kontrabanduara janë konfiskuar nga njësia e doganave, ndërsa i dyshuari është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Sulmet ruse në Ukrainë shkaktojnë viktima dhe dëme në infrastrukturë

    Sulmet ruse në Ukrainë shkaktojnë viktima dhe dëme në infrastrukturë

    Forcat ukrainase zmbrapsën disa sulme ruse në rajonin lindor të Donjeckut, njoftoi të hënën ushtria e Ukrainës.

    Në raportin e saj ditor thuhet se ushtria ruse kreu 25 sulme raketore dhe 42 sulme ajrore në qytetet Zaporizhja dhe Komishuvaka në rajonin Zaporizhja, si dhe në qytetin Snihurivka në rajonin Mikollajiv.

    “Në mesin e popullatës civile ka të vdekur dhe të plagosur. Ndërtesa të larta dhe private të banimit janë dëmtuar, ashtu si edhe institucione arsimore, spitale, kisha dhe objektiva të tjera të infrastrukturës civile”, tha ushtria pa e specifikuar numrin e viktimave.

    Forcat ruse, pavarësisht humbjeve të konsiderueshme, vazhdojnë t’i përqendrojnë aksionet e tyre sulmuese në qytetet Liman, Bahmut, Avdijivka dhe Marinka në rajonin e Donjeckut.

    Bahmuti, ku luftime të ashpra ka tash e sa muaj, dhe Avdijivka mbeten epiqendra të betejës në Ukrainën lindore, tha ushtria.

    Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se luftëtarët e grupit mercenar Wagner kanë kapur dy blloqe të tjera të qytetit të Bahmutit.

    Pretendimet e asnjërës palë nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

    Ukraina ka lënë të kuptohet se së shpejti do të nisë një kundërofensivë për të rikthyer më shumë territor.

    Ky vend është nën pushtimin e plotë të ushtrisë ruse qysh nga shkurti i vitit të kaluar.

    Me ndihmën e armatimit nga Perëndimi, ai ka arritur të rikthejë tashmë një përqindje të madhe territoresh nën kontrollin e vet./REL/

  • Haradinaj përkujton masakrat në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër

    Haradinaj përkujton masakrat në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar masakrat në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër.

    Haradinaj ka shkruar se pas masakrave të njëpasnjëshme anekënd Kosovës, në Poklek të Drenicës forcat serbe vranë dhe masakruan mbi 54 anëtarë të familjes Muqolli dhe Elshani, shumica prej tyre gra, pleq dhe fëmijë.

    Në të njëjtën ditë, u vranë edhe 24 shqiptarë civilë në fshatin Çikatovë e Vjetër.

    Shkrimi i plotë:

    Përulemi në kujtim të jetëve që u sakrifikuan për lirinë tonë! Para 24 vjetësh, pas masakrave të njëpasnjëshme anekënd Kosovës, në Poklek të Drenicës forcat serbe vranë dhe masakruan mbi 54 anëtarë të familjes Muqolli dhe Elshani, shumica prej tyre gra, pleq dhe fëmijë. Në të njëjtën ditë, u vranë edhe 24 shqiptarë civilë në fshatin Çikatovë e Vjetër. Edhe pas më shumë se dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtyre krimeve nuk u ndëshkuan nga drejtësia! Lavdi e përjetshme të rënëve për liri!

  • Kjo është arsyeja pse helmi i akrepit konsiderohet si lëngu më i shtrenjtë në botë

    Kjo është arsyeja pse helmi i akrepit konsiderohet si lëngu më i shtrenjtë në botë

    Helmi është një substancë kimike që ka një efekt të dëmshëm për jetën, por kur flasim për helmin e akrepit të artë pavarësisht se sa i rrezikshëm është, ai në treg është mjaft i vlefshëm.

    Një litër helm i akrepit të artë kushton rreth 8.2 milion euro. E kjo kosto e lartë e helmit të akrepit mund t’i atribuohet gjithashtu kërkesës së tij të lartë nga studiuesit dhe shkencëtarët. Me potencialin e tij për të trajtuar një gamë të gjerë sëmundjesh, helmi i akrepit është bërë një produkt i kërkuar në komunitetin mjekësor, transmeton atvlive.tv.

    Një faktor tjetër që kontribuon në koston e lartë të helmit të akrepit është fakti që është shumë i rrallë. Vlen të përmendet se një pickim nuk mund të vrasë një person të shëndetshëm, por është shumë i dhimbshëm, ndoshta 100 herë më i dhimbshëm se një pickim i bletës.

    Por çfarë e bënë këtë helm kaq të veçantë?

    Helmi i akrepit është një përzierje komplekse e proteinave dhe enzimave të prodhuara nga gjëndrat e helmit të akrepave.

    Akrepat prodhojnë sasi shumë të vogla helmi por procesi i nxjerrjes kërkon kohë dhe është i rrezikshëm e po ashtu kërkon pajisje shumë të specializuara dhe profesionistë të trajnuar për ta marr atë.

    Kujtojmë se jo të gjitha llojet e akrepave prodhojnë helm që është i dobishëm për qëllime mjekësore, dhe ato që prodhojnë shpesh gjenden në zona të largëta ose të paarritshme. Kjo e bën të vështirë dhe të shtrenjtë mbledhjen dhe transportimin e helmit në laboratorë dhe objekte kërkimore në mbarë botën./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Kina mbetet prapa, India vendi më i populluar në botë

    Kina mbetet prapa, India vendi më i populluar në botë

    Kina po mbetet vendi i dytë më i populluari në botë pasi që sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, India po prinë me numrin e popullsisë duke u katërfishuar. Nga 350 milionë banorë sa kishte në vitin 1950 tani numëron rreth 1.43 miliardë njerëz.

    Ndërkohë që popullsia e Kinës, e cila kishte arriti kulmin në numrin e banorëve në 1.42 miliardë në vitin 2021, po bie gradualisht.

    India dhe Kina kanë një popullsi e cila është e kombinuar prej 2.8 miliardë njerëz. Kjo nënkupton që cdo i treti person vjen nga njëri prej dy vendeve aziatike. Për ta vënë këtë në kontekst, ka më shumë njerëz në Indi dhe Kinë sesa 19 vendet e ardhshme më të populluara në botë së bashku.

    Ky ndryshimi po shënon një moment historik tejet të rëndësishëm për kombin e Azisë Jugore dhe do të ketë implikime të gjëra për ekonominë, shoqërinë dhe ndikimin e tij

    global.
    Qyteti më i populluar i Indisë është kryeqyteti Nju Delhi, me rreth 30 milionë banorë në qytetin qendror dhe zonat e urbanizuara përreth. Qyteti i dytë më i populluar i Indisë dhe qyteti port më i ngarkuar i vendit, Mumbai është shtëpia e rreth 20 milionë njerëzve
    Sipas OKB-së World Urbanization Prospects, që mat zonat urbane, qyteti më i populluar i Kinës është Shangai me rreth 27 milionë banorë, i ndjekur nga Pekini me 20 milionë dhe Chongqing me 16 milionë.

    Përgjatë vitit 1963, gratë kineze kishin mesatarisht 7 ose 5 fëmijë. Sot, ky numër ka rënë në vetëm 1 ose 2.

    Kurse shkalla e lindshmërisë së Indisë gjithashtu ka rënë në mënyrë të vazhdueshme nga gati gjashtë gjatë viteve 1960 në dy fëmijë sot.

    Pavarësisht se Kina i ka dhënë fund “politikës së saj të rreptë për një fëmijë” në 2016 autorizon çiftet që të kenë deri në tre fëmijë në vitin 2021, por ndryshimi i kësaj politike nuk e ka rikthyer rënien demografike.

    Megjithatë, 23 milionë lindje në vitin 2022, do të thotë se ka më shumë njerëz të lindur në Indi çdo ditë (63,000) se kudo tjetër në botë.

    Kurse gjatë vitit 2021 dhe 2022, në kulmit të pandemisë së korona virusit, India ka regjistruar përkatësisht 13.3 milionë lindje dhe 12.8 milionë vdekje, transmeton atvlive.tv.

    Sipas parashikimeve të OKB-së, bazuar në trajektoren aktuale, numri i lindjeve dhe vdekjeve do të vazhdojë të konvergojë deri në vitin 2066.

    Me gjithsej 113 milionë, ka më shumë fëmijë 0-4 vjeç në Indi sesa e gjithë popullsia e Mbretërisë së Bashkuar (67 milionë), Gjermanisë (83 milionë) apo Egjiptit (110 milionë).

    Sot, mosha mesatare e Kinës është 38 vjeç, ndërsa ajo e Indisë është 10 vjet më e re në 28.

    Megjithatë në vitin 1955, në Tokë kishte 2.8 miliardë njerëz. Sot, kjo është vetëm popullsia e Kinës dhe Indisë

    Pas Indisë dhe Kinës, Nigeria pritet të bëhet vendi i tretë më i populluar në botë.
    Duke u bazuar në parashikimet e bëra, popullsia e botës pritet të arrijë kulmin në rreth 10.4 miliardë njerëz në vitet 2080 dhe të mbetet në atë nivel deri në vitin 2100./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Problemet me gjumin pesëfishojnë rrezikun për sulm në tru

    Problemet me gjumin pesëfishojnë rrezikun për sulm në tru

    Gjumi është i rëndësishëm për aspekte të ndryshme të funksionit të trurit. Kjo përfshin njohuritë, përqëndrimin, produktivitetin dhe performancën por kur privohemi nga gjumi atëherë mund të shfaqen edhe pasoja të pakëndëshme.

    Gjumi i pakët ndikon në aftësinë tonë të ndërveprimit social. Një studim ka treguar se njerëzit të cilët nuk kishin fjetur mirë, treguan reduktim të aftësive për të njohur shprehitë e fytyrës si zemërimi apo lumturia. Kërkuesit besojnë se gjumi i keq apo i pakët ndikon në aftësinë tonë për njohjen e proceseve të ndryshme sociale dhe emocionale.

    Sipas një studimi të fundit të bërë në Universitetit Northwestern të Shteteve të Bashkuara të Amerikës del se gërhitja, dremitja për një kohë të gjatë, zgjimi gjatë natës dhe gjumi për më pak apo më shumë orë rezulton të rrit rrezikun e goditjeve në tru.

    Studimi ndërkombëtar analizoi të dhënat e më shumë se 4,500 njerëzve që morën pjesë në “INTERSTROKE”. Gati 1800 pjesëmarrës kishin përjetuar goditje ishemike. 439 persona të tjerë kishin hemorragji intracerebrale, në të cilën arteriet ose venat në tru çahen duke shkaktuar gjakderdhje në indet e trurit, shkruan atvlive.tv.

    Rezultatet nga ky studim treguan se njerëzit që flinin mesatarisht më pak se pesë orë në natë kishin tre herë më shumë gjasa për të pasur një goditje në tru sesa ata që flinin shtatë orë, minimumin e rekomanduar për të rriturit. Nga ana tjetër, gjumi për më shumë se nëntë orë në natë ishte i lidhur me një rritje të dyfishtë të rrezikut të goditjes.

    Në mënyrë që ti evitojmë të gjitha këto efekte negative shëndetësore që nga shkaktohen nga mungesa e gjumit dhe në mënyrë që gjumin ta bëjmë të shëndetshëm specialistja e gjumit Kristen Knutson, profesoresh në Universitetin Northwestern rekomandon që të flejmë të paktën 7 orë në ditë si dhe të shkojmë në shtrat dhe të ngriheni nga gjumi në të njëjtin orar që gjumi të jetë më shëndetshëm.

    Dhoma e gjumit të përdoret vetëm për gjumë dhe intimitet.

    Të mos qëndrojmë në shtrat për të parë televizor ose të lexojmë libra.

    Të mos pijmë alkool ose të hajmë të paktën tre orë para gjumit në mënyrë që të largojmë shqetësimet që mund të na prishin gjumin gjatë natës.

    Dhe krejt në fund rekomandohet që në një mjedis të qetë dhe me temperatura rreth 15 deri në 18 gradë Celsius janë kushtet optimale për një gjumë të thellë./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Përforcohet mbrojtja e Thaçit në Hagë, ish-zyrtari amerikan i bashkohet ekipit

    Përforcohet mbrojtja e Thaçit në Hagë, ish-zyrtari amerikan i bashkohet ekipit

    Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë është përforcuar me një figurë të fuqishme në përbërjen e saj.

    Bëhet fjalë për Joe Reeder, i cili nga tani do të jetë bashkëpunëtor i ekipit të udhëhequr nga avokatët Gregory Keohe e Lluka Mishetiq.

    “Në bazë të Rregullës 26(1) të Rregullores, Sekretari njofton Trupin Gjykues II për miratimin e z. Joe Reeder (‘Z. Reeder’) si bashkë-avokat i z. Hashim Thaçi (‘Z. Thaçi’). Më 6 prill 2023, avokati i z. Thaçi, z. Gregory Kehoe (‘Z. Kehoe’ ose ‘Avokati’), e informoi Shefin e Zyrës së Mbrojtjes se do të dëshironte të ndihmohej nga z. Reeder si Bashkë-Avokat. Avokati ofroi të gjithë dokumentacionin përkatës në përputhje me seksionin 18 të Direktivës për avokatin.Z. Reeder pranohet në listën e avokatëve në përputhje me nenin 7(3) dhe 18(1) të Direktivës për avokatin. Më 12 Prill 2023, Sekretari aprovoi z. Reeder si Bashkë-Avokat të z. Thaçi në përputhje me nenin 18 të Direktivës për avokatin.5. Në bazë të rregullit 82(3) të Rregullores, Aneksi 1 është paraqitur në mënyrë konfidenciale, pasi përmban informacione personale në lidhje me avokatin dhe bashkë-avokatin”, bëhet e ditur në Speciale në një parashtresë.

    Joe Robert Reeder (lindur më 28 nëntor 1947) është një avokat i Shteteve të Bashkuara i cili shërbeu si Nënsekretar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara nga 1993 deri në 1997.

  • Kryeministri Rama i nënshtrohet një operacioni

    Kryeministri Rama i nënshtrohet një operacioni

    Kryeministri Edi Rama ka kryer një ndërhyrje në mesnatë për heqjen e apandesitit.

    Zyra e shtypit njofton se pas kryerjes së disa testeve imazherike në qendrën spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, kreu i qeverisë u diagnostikua me appendisit akut.

    Në bazë të rekomandimit të mjekëve të shërbimit të urgjencës , kryeministri iu nënshtruar operacionit për heqjen e apendesiti në orët e para të mëngjesit të sotëm.

    Operacioni u krye nga ekipi i mjekëve kirurgë dhe anestezistë, nën drejtimin e prof. Arben Gjata, shef i shërbimit të kirurgjisë në QSUT.

    Sipas zyrës së shtypit ndërhyrja konsiderohet e suksesshme dhe gjendja shëndetësore e kryeministrit paraqitet e mire.

  • Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çliritmare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të vazhdojë edhe sot.

    Në faqen zyrtare të DhSK-së bëhet e ditur se gjykimi do të nisë nga ora 09:00.

    Kujtojmë se që nga fillimi i javës së kaluar ka nisur dëgjimi i dëshmitares së parë ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Seancat janë duke u mbajtur të mbyllura për publikun.

    Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.