ATV

Author: G.O.

  • Vazhdojnë luftimet në Sudan

    Vazhdojnë luftimet në Sudan

    Shpërthimet kanë goditur kryeqytetin sudanez, Kartum, më 18 prill, teksa luftimet kanë hyrë në ditën e katërt, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme ndërkombëtare që t’iu jepet fund armiqësive.

    Deri më tani, pothuajse 200 persona janë vrarë në katër ditët e konfliktit.

    Luftimet po zhvillohen midis forcave të dy gjeneralëve rivalë që morën pushtetin përmes një grusht shteti më 2021: shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan dhe zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo, që komandon grupin paramilitar, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

    Luftimet po zhvillohen në mbarë Sudanin dhe është rritur frika se ky konflikt mund të përhapet në mbarë rajonin, teksa në Sudan po kryhen sulme ajrore dhe ka luftime me artileri të rëndë.

    Përmes një deklarate, ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) paralajmëruam se luftimet “kërcënojnë sigurinë e civilëve sudanezë dhe minojnë përpjekjet për të rivendosur tranzicionin demokratik në Sudan”.

    Por, pavarësisht thirrjeve të tyre që palët t’u japin fund armiqësive, mëngjesin e së martës janë dëgjuar shpërthime të fuqishme në Kartum, ku milicitë dhe ushtarët po luftojnë.

    “Bombardimet zakonisht nisin rreth orës 04:00 dhe vazhdojnë për disa orë. Por, sot ato nuk kanë ndaluar”, tha banorja e Kartumit, Dallia Mohamed Abdelmoniem.

    Ajo tregoi se familja e saj, sikurse edhe banorët e tjerë të kryeqytetit, po strehohen në shtëpitë e tyre.

    Teksa luftimet po vazhdojnë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka biseduar me të dy gjeneralët dhe gjatë bisedave ka theksuar “për nevojën urgjente për një armëpushim”.

    Daglo tha në Twitter pas bisedës me Blinken se forcat e tij kanë miratuar një armëpushim 24-orësh, që do t’u lejonte civilëve të evakuonin të plagosurit.

    Megjithatë, ushtria mohoi këtë pretendim.

    “Ne nuk jemi në dijeni për ndonjë koordinim me ndërmjetësit dhe me komunitetin ndërkombëtar për ndonjë armëpushim. Po ashtu, deklarata e rebelëve për një armëpushim 24-orësh synon që të fshehë goditjen që do të marrin nga ne brenda orësh”, tha ushtria.

    Në Sudan, teksa luftimet po vazhdojnë, SHBA-ja ka deklaruar se një autokolonë diplomatike amerikan ka qenë cak i sulmit, por nuk ka pasur të lënduar. Po ashtu, ambasadori i Bashkimit Evropian në Sudan është sulmuar në shtëpinë e tij në Kartum të hënën.

    Luftimet nisën të shtunën pas mosmarrëveshjeje mes gjeneralëve Burhan dhe Dalgo lidhur me integrimin e planifikuar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtrinë e rregullt. Ky është një prej kushteve kyçe të një marrëveshjeje finale që synon t’i japë fund krizës së shkaktuar që nga puçi ushtarak i vitit 2021.

    Të dyja palët e përfshira në konflikt pretendojnë se kanë nën kontroll vende kyçe, përfshirë edhe aeroportin në Kartum dhe pallatin presidencial, por këto pretendime nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur./REL/

  • Kurti nderon 17 dëshmorët dhe 11 martirët e Betejës së Marecit

    Kurti nderon 17 dëshmorët dhe 11 martirët e Betejës së Marecit

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve në Marec, raporton Ekonomia Online.

    Me 17 prill janë bërë 23 vjet nga rënie e 17 dëshmorët dhe 11 martirët në Betejën e Marecit.

    Më pas ai do të bëjë homazhe edhe në Kompleksin e varrezave në Makovc.

  • Polonia dhe Ukraina rinisin bisedimet për transitin e drithërave

    Polonia dhe Ukraina rinisin bisedimet për transitin e drithërave

    Ukraina do të tentojë të zhbllokojë eksportet e ushqimeve dhe drithërave përmes Polonisë, gjatë ditës së dytë të bisedimeve në Varshavë, pasi një ditë më parë disa shtete evropiane vendosën ndalesa ndaj produkteve të Kievit.

    Polonia, Hungaria dhe Sllovakia së fundi kanë vendosur ndalesa në importet e drithërave dhe produkteve ukrainase, me qëllim që të mbrojnë tregjet e tyre nga fluksi i furnizimeve më të lira.

    Eksportet ukrainase përmes këtyre shteteve janë rritur për shkak të pushtimit rus, pasi Moska ka bllokuar disa nga portet e Ukrainës në Detin e Zi.

    Vonesat e shkaktuara për shkak të dërgesave të ngadalta apo për shkak të mungesës së transportuesve, kanë rritur problemet, duke bërë që në Evropën Qendrore të ketë sasi të mëdha të drithërave ukrainase, që kanë çmime më të lira. Kjo gjë ka dëmtuar shitjet e fermerëve lokalë, gjë që ka shtuar presionin te qeveritë.

    Partia në pushtet në Poloni, Ligj dhe Drejtësi përballet me zgjedhje gjatë këtij viti dhe llogaritë në mbështetjen e banorëve që jetojnë në zonat rurale.

    Ukraina dhe Polonia nisën bisedimet të hënën pas ndalesës së Varshavës, që shkojë përtej ndalesave nga shtetet e tjera, duke ndaluar transitin e drithërave dhe ushqimeve ukrainase.

    Ministri polak i Bujqësisë, Robert Telus, i tha radios publike PR1 të martën se bisedimet janë paraparë që të vazhdojnë.

    “Ne po bisedojmë edhe me BE-në, por edhe me Ukrainën, për të gjetur një zgjidhje. Ne dëshirojmë që këto produkte të shkojnë në Evropë, por të shkojnë më thellë në Evropë”, tha Telus.

    “Sot do të zhvillojmë bisedime. Këto zakonisht janë bisedime teknike që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje që këto produkte të kalojnë transit në Evropë”, shtoi ai.

    Në Hungari, zyrtarët po kontrollojnë në kufi dërgesat me drithërat ukrainase, duke lejuar hyrjen vetëm të dërgesave që kalojnë transit, raportoi agjencia e lajmeve MTI, që citoi Ministrinë e Bujqësisë.

    Hungaria dhe shtetet e tjera në Evropën Qendrore janë bashkuar për të gjetur një zgjidhje brenda BE-së për këtë çështje.

    BE-ja ka kritikuar Poloninë, Hungarinë dhe Sllovakinë që kanë vendosur ndalesa individuale. Për këtë çështje, të dërguarit e BE-së pritet të bisedojnë më 19 prill.

    Ndalesat ndaj drithërave ukrainase vijnë në kohën kur marrëveshja eksportet e miliona tonë drithërave ukrainase, që transportohen përmes Detit të Zi, pritet të skadojë më 18 maj./REL/

  • Sveçla për liberalizimin e vizave: Edhe një fitore e radhës e Republikës së Kosovës

    Sveçla për liberalizimin e vizave: Edhe një fitore e radhës e Republikës së Kosovës

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi Parlamenti Evropian votoi për liberalizimin e vizave për kosovarët.

    Sveçla tha se edhe pse moment gëzimi ka ende shumë punë dhe sfida për të tejkaluar.

    “Edhe një fitore e radhës e Republikës së Kosovës, sapo u finalizua procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët tanë. Edhe pse moment gëzimi e konfirmim i punës sonë të palodhshme, nuk kemi kohë për të festuar sepse kemi shumë punë dhe sfida për të tejkaluar.Angazhimi ynë jo vetëm se është borxh ndaj të kaluarës por është edhe obligim ndaj të ardhmes së vendit tonë”, shkroi Sveçla.

  • Liberalizimi i vizave, Haradinaj: Vendim i shumëpritur, radha të anëtarësohemi në KE

    Liberalizimi i vizave, Haradinaj: Vendim i shumëpritur, radha të anëtarësohemi në KE

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar pas votimit për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian.

    Haradinaj ka falënderuar eurodeputetët për marrjen e këtij vendimi meritor.

    “Lajm i mrekullueshëm nga Parlamenti Europian, që sot mori vendimin e shumëpritur për liberalizimin e vizave për Kosovën. Falënderim i veçantë për eurodeputetët për marrjen e këtij vendimi meritor dhe për gjithë ata që kontribuan që ky proces të përmbyllet me sukses”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.Haradinaj ka thënë se tani është momenti që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.“Tani është momenti që Kosova po ashtu ta marrë sa më shpejt konfirmimin për anetarësim në Këshillin e Evropës dhe fillimin e Partneritetit për Paqe. Urime Kosovë!”, ka uruar Haradinaj.

  • Reuten: Krenar që më në fund e realizuam premtimin e vonuar të BE-së për Kosovën

    Reuten: Krenar që më në fund e realizuam premtimin e vonuar të BE-së për Kosovën

    Parlamenti Europian sot ka miratuar dosjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Eurodeputeti holandez Thjis Reuten, i cili është raportues për vizat e Kosovës në PE, pas këtij miratimi tha se më në fund e realizuan një premtim të vonuar për Kosovën.

    “Parlamenti Europian jep dritën jeshile përfundimtare për udhëtimin pa viza në BE për Kosovën. Krenar që më në fund e realizuam këtë premtim të vonuar të BE-së për qytetarët e Kosovës. Ju jeni pjesë e Europës! Tani mund të hapim kapitullin tjetër duke ndërtuar më tej të ardhmen tonë të përbashkët europiane”.

    Kosova ishte e bllokuar prej disa vitesh në Këshill të Evropës. Votimi për Liberalizimin e vizave nga Parlamenti Evropian do të lejojë udhëtimin pa viza për kosovarët në BE deri në 90 ditë, duke filluar nga viti 2024. Kosova është e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor që ka marrë liberalizimin e vizave.

    Pas votimit të sotëm, vendimi që kosovarët të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së do të firmoset nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së; Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian.

    Pas kësaj, mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, me çka edhe caktohet data e hyrjes në fuqi të vendimit./atvlive.tv

  • Dy të mitur të lënduar pas goditjes nga rryma në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë

    Dy të mitur të lënduar pas goditjes nga rryma në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë

    Dy të mitur kanë mbetur të lënduar si pasojë e goditjes nga rryma elektrike në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.

    Zëdhënësja e Policisë, Florie Ahmeti bën të ditur se të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.

    “Rreth orës 10:30 kemi pranuar informatën se në rrugën George Bush në Prishtinë, dy persona (të mitur) janë goditur nga rryma elektrike. Personat janë dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që policia në koordinim me institucionet përkatëse po trajton rastin”, theksoi ajo.

  • Osmani: Serbia vazhdon të mbetet kërcënimi më serioz ndaj Kosovës

    Osmani: Serbia vazhdon të mbetet kërcënimi më serioz ndaj Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Serbia vazhdon të mbetet kërcënimi më serioz i Kosovës.

    Osmani deklaroi se derisa Serbia ka këtë qasje ndaj Kosovës, prania e NATO-s është faktor kyç.

    “Serbia vazhdon të mbetet kërcënimi me serioz ndaj Kosovës. Brenda territorit të Kosovës instrumentalizon strukturat kriminale, duke i paguar. Serbia vazhdon të paraqes rrezik për gjitha vendet e rajonit. Në këtë kontekst, derisa të kemi këtë qasje ndaj Kosovës, prania e NATO-s është faktori kyç”, shtoi ajo.

    Këto komente e para e vendit, Osmani i bëri në tryezën “15 vite të mbikëqyrjes të sektorit publik të sigurisë”, të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

    Ajo theksoi se mjedisi i sigurisë në vend varet nga ai global.

    “Mjedisi i sigurisë në vendin tonë ndikohet nga mjedisi global. Paqja e qëndrueshme kërkon partner të përkushtuar. Kosova është dhe do të mbetet partnere. Sot jemi dëshmitar që mjedisi global mbetet i pa sigurt….Në cilësinë e komandantes supreme, së bashku me institucionet të vendit, kemi hartuar fillimisht strategjinë e sigurisë”, ka thënë ajo.

    Kryetarja e shtetit ka përmendur edhe “Defender Europe” që do të organizohet nga muaji i ardhshëm.

  • Civilë të vrarë në Luhansk, teksa vazhdojnë luftimet e ashpra në lindje

    Civilë të vrarë në Luhansk, teksa vazhdojnë luftimet e ashpra në lindje

    Forcat ruse kanë përdorur avionë për të kryer sulme të reja ndaj pozicioneve ukrainase në rajonin lindor të Donjeckut, tha ushtria ukrainase më 18 prill. Ky njoftim pasoi raportimet për bombardime në rajonin e Luhanskut, ku janë vrarë disa civilë dhe ka pasur dëme të mëdha në infrastrukturë, kanë thënë zyrtarët rajonalë.

    Forcat ruse kanë përdorur aviacionin operacional-taktik dhe sulmues në përpjekje për të përparuar në qytetet e Limanit, Bahmutit, Avdijivkës dhe Marjinkës në Donjeck, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.

    Gjatë 24 orëve të fundit, ushtria ukrainase ka zmbrapsur mbi 70 sulme të armikut në Bahmut dhe Marjinka, që vazhdojnë të jenë epiqendra të armiqësive, tha ushtria ukrainase.

    Beteja disamujore për Bahmutin është shndërruar në një prej betejave më të përgjakshme të pushtimit rus të Ukrainës, ku të dyja palët raportohet se kanë pësuar humbje të mëdha.

    Në rajonin fqinj të Luhanskut, granatimet ruse kanë vrarë të paktën tre persona dhe kanë plagosur një tjetër në fshatin Novojehorivka, tha më 18 prill kreu i administratës ushtarake rajonale, Artem Lysohor.

    Lysohor tha se në ditët e fundit, forcat ruse vazhdimisht kanë përdorur avionët për të bombarduar vendbanimet e çliruara në këtë zonë.

    Edhe në rajonet jugore të Ukrainës, ditëve të fundit është vërejtur përdorim më i madh i avionëve nga Rusia, tha Natalya Humenyuk, kryetare e qendrës koordinuese mediale të Forcave Mbrojtëse Jugore të Ukrainës.

    Humenyuk tha për televizionin ukrainas se dronët rusë dhe avionët kanë kryer sulme thellë në territorin ukrainas, përtej vijës së frontit në rajonin e Hersonit.

    Ndërkaq, Kremlini tha përmes një deklarate më 18 prill se presidenti rus, Vladimir Putin, ka vizituar selitë ushtarake në rajonet e Hersonit dhe Luhanskut, që janë pjesërisht nën kontrollin rus.

    “Komandanti suprem i forcave ushtarake të Federatës Ruse ka vizituar selitë e grupimeve ushtarake të Dnjepërit” në rajonin e Hersonit, u tha në deklaratë, pa specifikuar se kur ka ndodhur kjo vizitë.

    Kremlini, po ashtu, ka publikuar pamje, që supozohet se shfaqin Putinin duke pranuar raportime nga komandantët ushtarakë në pjesët e kontrolluara nga Rusia në Herson, para se të udhëtonte me helikopterë në selitë e Gardës Kombëtare ruse në rajonin e Luhanskut.

    Në shtatorin e vitit të kaluar, Rusia njoftoi për aneksimin e rajoneve ukrainase të Hersonit, Luhanskut, Donjeckut dhe Zaporizhjës, që Moska i ka pjesërisht nën kontroll, vendim që është refuzuar nga shumica e botës dhe është cilësuar joligjor.

    Pamjet e publikuara nga Kremlini nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

    Më 17 prill, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina po përgatitet të takohet më vonë gjatë javës me Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.

    Zelensky tha se ka zhvilluar “bisedime përgatitore” para takimit të 21 prillit të grupit që përbëhet prej dhjetëra shteteve që i kanë ofruar armë Kievit.

    Ai tha se Ukraina pret “që të merren vendime të forta që duhet të jenë në përputhje me prospektet në fushëbetejë” gjatë takimit me mbështetësit e Ukrainës.

    Një prej pikave kyçe të këtij takimi pritet të jetë çështja e furnizimit të Ukrainës me municion./REL/

  • Eurodeputeti Waitz: Sot është një ditë gëzimi për Kosovën

    Eurodeputeti Waitz: Sot është një ditë gëzimi për Kosovën

    Eurodeputeti dhe bashkëkryetari i Partisë së Gjelbër Evropiane, Thomas Waitz thotë se sot është një ditë e rëndësishme dhe gëzimi për Kosovën dhe qytetarët e saj, pasi që Parlamenti Evropian sot më në fund do të japë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave.

    “Sot është një ditë gëzimi për Kosovën dhe qytetarët e saj. Pas disa vitesh bllokadë në Këshillë, Parlamenti Evropian më në fund do të miratojë liberalizimin e vizave për më të rinjtë e Evropës. Ky hap në rrugën e Kosovës drejt BE-së është shumë i vonuar. Të Gjelbërit kanë vite që e mbrojnë atë dhe do të vazhdojnë të mbështesin rrugën e Kosovës drejt BE-së”, deklaron Waitz.

    Kosova ishte e bllokuar prej disa vitesh në Këshillë.Votimi për Liberalizimin e vizave nga Paralemnti Evropian do të lejojë udhëtimin pa viza për kosovarët në BE deri në 90 ditë, duke filluar nga viti 2024. Kosova është e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor që ka marrë liberalizimin e vizave.

    Pas votimit të sotëm, vendimi që kosovarët të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së do të firmoset nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së; Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian.

    Pas kësaj, mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së, me çka edhe caktohet data e hyrjes në fuqi të vendimit.