ATV

Author: G.O.

  • Lansohet në qarkullim pulla postare “Hidroelektrana e Prizrenit”

    Lansohet në qarkullim pulla postare “Hidroelektrana e Prizrenit”

    Posta e Kosovës të enjten lëshoi në qarkullim postar emisionin e pullave postare të titulluar “Hidroelektrana e Prizrenit”.

    Në njoftim thuhet se historia e elektrifikimit në Kosovë ndërlidhet me Hidroelektranën e parë në vend, të ndërtuar në vitin 1929 në Prizren.

    “Ky elektrifikim, krijoi mundësitë të reja zhvillimore në Kosovë në lëmin ekonomike dhe kulturore. Hidroelektrana e Prizrenit për dyzet e katër vjet furnizoi qytetarët me energji elektrike. Në vitin 1975 objekti është shndërruar në muze dhe bënë pjesë si aset i trashëgimisë sonë kulturore, me status të monumentit me mbrojtje të përhershme”, thuhet në njoftimin e Postës.

    Ky emision i pullave postare përbëhet nga një pullë postare dhe Zarfi i Ditës së Parë, ndërsa në qarkullim postar do të jetë deri në konsum të plotë.

  • Zeqiri: Do ta sjellë jetën institucionale në Zubin Potok

    Zeqiri: Do ta sjellë jetën institucionale në Zubin Potok

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se nëse del i pari në zgjedhjet e 23 prillit do të sjellë jetën institucionale për të gjithë qytetarët e kësaj komune.

    Ai konsideron se dëshira për punë ekipore nga ana e tij, si dhe qasja e deritashme e komunikimit me qytetarët, do të bëjnë që qytetarët e këtushëm t’ia besojnë vendin e të parit të qytetit, të cilin synon ta udhëheqë.

    Duke folur për vakumin e deritashëm institucional në komunat veriore, ai premtoi se do të jetë fuqishëm i angazhuar për të sjellë më në fund jetën institucionale në Zubin Potok.

    “E dinë qytetarët të cilët më njohin se unë jam këtu akter i hershëm politik, ushtarak, por edhe punoj në zyrën komunale për komunitete dhe kam pasur shumë përvoja me njerëz, edhe ata me mua. E dinë njerëzit se unë jam tejet i vendosur në realizimin e atyre planeve që ne i planifikojmë. Jam njeri i cili kam dëshirë të punoj jo vetëm, por me qytetarët në ekip dhe së bashku… Arsyeja pse duhet qytetarët të më votojnë mua është pikërisht kjo, e dinë njerëzit besueshmërinë, guximin dhe profesionalizmin tim, si dhe qasjen e komunikimit me qytetarët… Tanimë veç është e njohur në tërë Kosovën vakumi institucional së fundmi në komunat veriore… Kur ka vakum institucional, natyrisht që nuk është mirë për asnjë qytetar, komunitet, asnjë grupacion… Do të jemi fuqishëm të angazhuar për ta sjellë jetën institucionale në këtë trevë”, ka thënë Zeqiri.

    Edhe pse situata aktuale e sigurisë në këtë komunë është e brishtë, ai tha se beson tek organet e sigurisë dhe nuk parasheh incidente ditën e zgjedhjeve.

    “Situata aktuale është problematike për faktin se shumica e banorëve serbë në këto komuna po shihet sjellja dhe mendësia e tyre antishtetërore, antiinstitucionale. Kjo përbën rreziqe, demotivim të njerëzve, jo vetëm për qytetarët e etnisë shqiptare, por edhe për serbët… Nuk ishte dashur të ketë incidente, besoj në Policinë e Kosovës… Edhe në qoftë se eventualisht do të shfaqet ndonjë problem, do të evitohet”, ka thënë ai.

    Zeqiri iu ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin ditën e zgjedhjeve në numër sa më të madh për të votuar, ndërsa ka garantuar se do të qëndrojë prapa të gjitha premtimeve të dhëna ndaj tyre.

    “Mesazhi im për qytetarët kishte me qenë që të dalin dhe të votojnë për kandidatët që janë në garë… Kurse për qytetarët e Kosovës unë kisha bërë thirrje të jemi unik në këto procese, Kosova nuk është krejt në gjendje të mirë, i duhet unitet këtij populli, për ta sfiduar çdo sfidë me të cilën ballafaqohet edhe shteti’, theksoi Zeqiri.

    Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, kanë të drejtë vote gjithsej 45 mijë e 95 qytetarë, prej të cilëve 6 mijë e 661 votojnë në Komunën e Zubin Potokut.

  • Presidenti i Bayernit paralajmëron blerje të fuqishme në sulm

    Presidenti i Bayernit paralajmëron blerje të fuqishme në sulm

    Presidenti i Bayern Munichut, Herbert Hainer, ka bërë të ditur se do të nënshkruajë me një sulmues në verë pas humbjes nga Manchester City në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

    “Na mungon golashënuesi që i përfundon aksionet. Kjo është ajo që do të na duhet patjetër në të ardhmen,” tha 68-vjeçari.

    “Nëse mund të më identifikone atë që godet menjëherë, ne do ta blinim menjëherë,” vazhdoi ai: “Por supozoni se do ta forcojmë ekipin në mënyrë që të mund të kemi fjalën përsëri në titullin e Ligës së Kampionëve. Qëllimi ynë është shumë i qartë. për të qenë në krye të Evropës”, vazhdoi ai.

    Por a do të ishte i përballueshëm Harry Kane i Tottenhamit ose një kalibër i ngjashëm si Victor Osimhen i Napolit?

    “Financiarisht, Bayerni është shumë, shumë mirë i pozicionuar,” tha Hainer. “Ne kemi një përqendrim shumë të mirë të kapitalit dhe gjithashtu kemi para në llogarinë e depozitave fikse.”, theksoi ai, përcjellë KosovaPress.

    Hainer konfirmoi gjithashtu se ndryshimi i trajnerit nga Julian Nagelsmann në Thomas Tuchel ishte urgjentisht i nevojshëm.

  • Hoti kritikon reagimet e pushtetit për arrestimin e drejtorit të KEK-ut

    Hoti kritikon reagimet e pushtetit për arrestimin e drejtorit të KEK-ut

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar reagimet e deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, për arrestimin e kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.

    Ish-kryeministri Hoti ka thënë se reagimet e tyre do të kenë pasojë në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE) dhe në Bashkimin Evropian (BE).

    “Reagimi i pushtetit për arrestimet e ditës së djeshme në KEK, duke e kritikuar dhe kërcënuar organin e akuzës, e jo duke e mbështetur atë dhe kërkuar drejtësi efektive, do të ketë pasoja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit të sivjetmë në Këshillin e Evropës e nesër në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Hoti në Facebook.

    Ish-ministri i Financave, Hoti ka thënë se kjo do të evidentohet edhe në raportin e BE-së për vendin.

    “Jam i sigurt se raporti për vendin i BE-së dhe raporte të tjera të rëndësishme ndërkombëtare do të evidentojnë me notë shumë negative këtë sjellje të mazhorancës në Kosovë ndaj arrestimeve të lidhura me afera të mundshme korrupsioni. Këto reagime duhet thënë se janë të paprecedent”, shkruan Hoti.

    Ish-ministri I Financave, ka shtuar edhe disa pyetje për zyrtarët që kanë reaguar.

    “Pse gjithë kjo frikë nga hetimi i aferave të mundshme korruptive? Pse sulmohet organi i akuzës nga Prishtina e nga Tirana, e nuk dënohet akti i mundshëm korruptiv dhe nuk kërkohet drejtësi? A mos janë këto afera të mundshme korruptive të lidhura me persona më larg dhe më lart? Kjo sjellje vë në pikëpyetje ‘gjoja’ reformën në drejtësi. Me këtë sjellje kjo mazhorancë e ka humbur besueshmërinë për çfarëdo reforme që tenton të bëjë në drejtësi”, ka shkuar Hoti.

    Sipas Hotit një pushtet që tenton të pengojnë drejtësinë e minon demokracinë.

    “Të gjithë ne duhet të tregojmë respektin dhe përkrahjen tonë për zyrtarët e drejtësisë për veprimin e tyre në ndalimin e akteve të mundshme joligjore në KEK. Me këtë veprim po tregohet se drejtësia në Kosovë është funksionale, e pandikueshme dhe e guximshme. Sigurisht se secili është i pafajshëm derisa të provohet ndryshe. Respekti i politikës ndaj drejtësisë tregohet me përkrahje dhe me kërkesë për drejtësi. Respekti tregohet edhe duke mbajtur gojën mbyllur”, ka shkruar ai.

    Por nga ana tjetër, reagime të ashpra ka pasur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët akuzojnë organet e drejtësisë për arrestime të urdhëruara

    Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi ka pretenduar se arrestimi i kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, është bërë me porosi.

    “Asnjë aktakuzë e arrestim për një muaj me 16 barrikada në veri, asnjë aktakuzë për qindra dosje të dorëzuara, e mos të flasim që deri para dy viteve ishin aty ku janë si prokurorë për të mbrojtur korrupsionin përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta, por ju hodh sipër kryeshefit të KEK-ut nga LVV. Me porosi atëherë, me porosi gjithmonë, me porositës të njëjtë!”, shkroi Rrustemi në Facebook.

    Ndërsa, të mërkurën, Policia e Kosovës në bashkëpunim me organet tjera institucionale nisi një aksion të gjerë duke bastisur Zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe dy banesa private që rezultuan të jenë në pronësi të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    Pas aksionit, Prokuroria Speciale njoftoi se është arrestuar Nagip Krasniqi nën dyshimet për tri vepra penale.

    Sipas Prokurorisë, drejtori i KEK-ut dyshohet për veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim i ndikimit dhe konflikt interesi.

    Liderët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kanë thënë se kjo është dëshmi e abuzimit të Qeverisë në sektorin e energjisë.

  • Komandanti i KFOR-it para zgjedhjeve në veri: Do të reagojmë nëse prishet qetësia

    Komandanti i KFOR-it para zgjedhjeve në veri: Do të reagojmë nëse prishet qetësia

    “KFOR-i do të vazhdojë të kryejë misionin e tij dhe është plotësisht i përgatitur, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së, të veprojë, nëse kërcënohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes, për të mirën e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë, për të mirën e sigurisë në mbarë Kosovën, si dhe në dobi të stabilitetit rajonal”, ka thënë komandanti i KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristuccia vetëm tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës. Ai këtë mesazh e dërgoi nga Brukseli.

    Gjenerali Ristuccia, u takua në selinë e NATO-s me Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj Aleance Mircea Geoana, si dhe me të gjithë ambasadorët e anëtarëve të NATO-s dhe partnerët e vendeve të tjera që kanë trupa në KFOR.

    “Ata theksuan mbështetjen e tyre të fuqishme për misionin në këtë udhëkryq të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe stabilitetin e rajonit”, ka thënë Ristuccia në një video që misioni i udhëhequr nga ai ua ka ofruar mediave.

    Nga Brukseli, Ristuccia edhe një herë përshëndeti Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Tani është thelbësore që të dyja palët të fillojnë të zbatojnë angazhimet e tyre plotësisht dhe sa më shpejt të jetë e mundur dhe të shmangin zhbërjen e arritjeve të rëndësishme që tashmë janë bërë”, ka thënë ai.

    Ai po ashtu ka theksuar se ai si komandant i KFOR-it do të vazhdojë të luajë rolin e tij në mbështetjen e përpjekjeve që synojnë krijimin e sigurisë së përhershme për gjeneratat e ardhshme.

    “Këtë do ta bëj në koordinim të plotë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë BE-në, OKB-në, OSBE-në dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe organeve të saja të sigurisë”, ka thënë Ristuicca.

    Takimi që Ristuicca ka mbajtur në Bruksel me udhëheqësit më të lartë të NATO-s është zhvilluar tri ditë para mbajtjes së planifikuar të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës.

    Serbët kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje, ndërsa autoritetet kosovare konfirmojnë se zgjedhjet do të mbahen.

    Në margjinat diplomatike, çështja e zgjedhjeve konsiderohet të jetë një çështje e nxehtë politike dhe e sigurisë.

  • Mickey De Hara padit skenaristin Guy Ritchie, shkas filmi “The Gentlemen”

    Mickey De Hara padit skenaristin Guy Ritchie, shkas filmi “The Gentlemen”

    Filmi ‘’The Gentlemen’’ po del të jetë shkas i një padie që po përballet Guy Ritchie me skenaristin Mickey De Hara.

    Ky i fundit pretendon se regjisori kishte kopjuar skena nga skenari që ai i kishte dorëzuar atij dikur.

    Në padi thuhet se De Hara pretendon se Guy Ritchie e kishte angazhuar atë të shkruante vazhdimin e filmit RockNRolla, duke i thënë të bazohej në përvojat e tij nga jeta personale.

    Sipas aktorit, pasi i kishte dëguar skenarin Ritchie-t, ai i kishte thënë se projekti është anuluar.

    Por, në filmin The Gentlemen aktori thotë se mund të vërehet përdorimi i skenarit të tij dhe kopjimi i personazheve. Aktori Mickey De Hara kërkon 250,000 dollarë për plagjiaturë./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    https://youtu.be/2HAXNIM98gg?t=6076

  • Kylie Jenner shpalosë detaje për jetën e saj private

    Kylie Jenner shpalosë detaje për jetën e saj private

    Në një intervistë së fundmi, Kylie Jenner shpalosi më tepër detaje për jetën e saj private për të cilën flitet mjaft shumë.

    Ajo tha se nuk ka ndonjë plan për të zgjeruar familjen e saj, duke thënë se gjërat që ndodhin spontanisht mund të kenë një arsye të veçantë.

    Kylie rrëfeu se ndjehet me fat që përjetoi shtatzëninë dhe të qenurit nënë.

    Tutje theksoi se njerëzit kanë krijuar përshtypje për të që ka shumë operacione plastike në fytyrë duke lënë të nënkuptohet që është një grua e pa sigurt.

    ‘’Përkundrazi jam shumë e sigurt në veten time. E vetmja gjë që nuk ndihesha mirë ishin buzët e mia dhe po, kam bërë ndërhyrje dhe jam shumë e lumtur’’, u shpreh ajo.

    Më tej rrëfeu momentet kur sheh se si dy fëmijët e saj ngjasojnë me të duke thënë se kjo gjë bën që ajo të jetë mirënjohëse për atë se si është.

    ‘’Asnjëherë nuk kam qenë më e lumtur se tani. Sa më shumë që rritem, jam shumë më mirënjohëse për jetën, familjen, shoqërinë dhe mundësitë që kam’’- përfundoi Jenner./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    https://youtu.be/2HAXNIM98gg?t=5986

  • Jamie Foxx në gjendje të rëndë shëndetësore

    Jamie Foxx në gjendje të rëndë shëndetësore

    Jamie Foxx është shtruar në spital në Gjeorgji, pasi vajza e tij kishte kuptuar se ai ishte në një gjendje të rëndë shëndetësore.

    Duke mos zbuluar detaje, vajza tha se babai i saj kishte pasur një problem me shëndetin dhe theksoi se meqë kanë vepruar shpejtë dhe falë kujdesit të madh ndaj tij, po bën që aktori të jetë sa më afër shërimit.

    Gjatë kohës kur ishte në gjendje të keqe shëndetësore, Jamie ishte duke xhiruar filmin “Back in Action”, së bashku me aktoren Cameron Diaz.

    Sipas një burimi për CNN, gjendja e tij nuk ishte përkeqësuar në set, ashtu siç ishte raportuar në disa gazeta online.

    Përndryshe xhirimet e filmit “Back in Action” kanë përfunduar këtë javë dhe pritet të transmetohet në Netflix vitin e ardhshëm./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    https://youtu.be/2HAXNIM98gg?t=5922

  • Itali: Vritet me thikë një 38-vjeçare shqiptare

    Itali: Vritet me thikë një 38-vjeçare shqiptare

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Pavia të Italisë.

    Një 38-vjeçare shqiptare është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj në Itali pasditen e së mërkurës rreth orës 17:00.

    Sipas mediave italiane, viktima është identifikuar si Anila Ruçi, ndërsa ka mbetur i plagosur personi që jetonte me të, Osman Bilyhu, 38 vjeç, i cili mori plagë në qafë, krah dhe stomak.

    Shqiptarja u vra me thikë në fyt në shtëpinë ku jetonte në Scaldasole në provincën e Pavias.

    Personin që jetonte me të, shqiptarja e kishte prezantuar si vëllanë e saj.

    Alarmin për vrasjen e ngriti estetistja me të cilën Anila Ruci kishte lënë takim dhe kur kjo e fundit nuk kishte shkuar, ajo kishte njoftuar policinë.

    Dëshmia e të mbijetuarit që po trajtohet në spital do të mund të zbulojë më shumë detaje për ngjarjen e rëndë.

    Hetuesit po hetojnë ende marrëdhënien mes shqiptares dhe personit që aktualisht ndodhet në poliklinikën San Matteo në Pavia.

    Viktima punonte si kujdestare për të moshuarit dhe kishte rreth një vit që jetonte në Scaldasole./Top Channel

  • ​Avokati serb: Në Serbi po arrestohen kundërshtarët e Srpskas, një ish-polic në mesin e tyre

    ​Avokati serb: Në Serbi po arrestohen kundërshtarët e Srpskas, një ish-polic në mesin e tyre

    Avokati nga Beogradi, Ivan Niniq thotë se ata serbë që nuk mbështesin Listën Serbe vazhdojnë të persekutohen nga regjimi i Alekasandar Vuçiqit, shërbimet e sigurisë dhe Milan Radoiçiqi.

    Niniq tregon rastin e ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Dragan Nikokoliq që është arrestuar nga shërbimi i sigurisë SBPOK.

    “Regjimi në Beograd dhe shërbimet e sigurisë vazhdojnë të persekutojnë serbët që nuk mbështesin të ashtuquajturën Lista Serbe, Radoiçiqin dhe Vuçiqin”, tregon Niniq.

    “Dragan Nikoliq (1975) nga Leposaviqi, baba i tre fëmijëve, deri vonë polic në Policinë e Kosovës, u arrestua nga SBPOK të hënën (10 prill) në vendkalimin Jarinje”, thekson ai.

    “Dragani akuzohet nga Shërbimi Kundër Terrorizmit dhe VJT Beograd se ka kryer veprën penale: shoqërimi për veprimtari anti-kushtetuese (neni 319, paragrafi 2) dhe thirrja për shkelje të rendit kushtetues (neni 309, paragrafët 1 dhe 3)”, shton Niniq.