ATV

Author: G.O.

  • Ambasadori britanik uron Bajramin

    Ambasadori britanik uron Bajramin

    Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, e ka uruar Bajramin në Twitter.

    “Për të gjithë ata që e festojnë sot, Urime Fitër Bajrami!”, ka shkruar Abboti në Twitter.

    “Ju uroj lumturi, shëndet dhe prosperitet për vitin që vjen!”, shkroi mes tjerash ai.

  • Edhe Abazoviq uron myslimanët për festën e Fitër Bajramit

    Edhe Abazoviq uron myslimanët për festën e Fitër Bajramit

    Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ua ka uruar festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve myslimanë.

    Ai ishte i pranishëm në Ulqin, qytetarët e së cilit qytet i uroi së pari e pastaj edhe të tjerët.

    “Qytetarëve të Ulqinit të besimit islam dhe të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, por edhe të kudo në botë, ua uroj Bajramin e Madh. Me një dëshirë që të vazhdojmë atë bamirësinë e Ramazanit të vazhdojë çdo ditë në vit. U uroj shumë sukses shëndet dhe begati familjeve të gjithë besimtarëve”, deklaroi kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq

  • Gjermania e vendosur të ristrukturojë forcat e saj të armatosura

    Gjermania e vendosur të ristrukturojë forcat e saj të armatosura

    Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius përsëriti vendosmërinë e tij në çështjen për ristrukturimin e forcave të armatosura.

    Në një fjalim lidhur me prezantimin e raportit 2022 të përgatitur lidhur me situatën e ushtrisë, Pistorius tha: “Nëse njerëzit janë të mirë, por rezultatet jo, atëherë janë strukturat dhe proceset që nuk janë të drejta dhe që duhet të ndryshohen. Jemi të vendosur për këtë çështje”.

    Ai bëri të ditur se është e rëndësishme që të mos krijohet burokraci shtesë në modernizimin e ushtrisë. Pistorius tha se që kur ka ardhur në detyrë ka parë se me cilindo që ka biseduar për ristrukturimin, kanë të njëjtin mendim se “duhet të bëjmë më të mirën kur shohim vështirësitë me të cilat përballemi”.

    Duke folur për 4 temat kryesore të ristrukturimit të ushtrisë, Pistorius tha: “E para prej këtyre ishte ndihma për Ukrainën kur u sulmua nga Rusia dhe furnizimi në mënyrë të shpejtë i armëve që u premtuan për t’u dorëzuar. E dyta është se kemi nevojë për një Bundeswehr që ka aftësinë për gatishmëri veprimi, e fortë dhe rezistente në luftë” transmeton Anadolu Agency.

    “Së treti Gjermania duhet të jetë dominuese për politikën e saj të sigurisë, kërcënimet, aleancat, parandalimin dhe sigurinë e saj në tërësi”, shtoi Pistorius i cili shpjegoi se e katërta është se ka nevojë për një buxhet mbrojtjeje më të lartë përtej fondit special prej 100 miliardësh dhe se mbrojtja është e shtrenjtë dhe se pas kësaj do të bëhet edhe më e shtrenjtë.

    Ministri gjerman vuri në dukje edhe çështjen aktuale të ekstremit të djathtë në ushtrinë gjermane.

    “Fatkeqësisht këto raste ekzistojnë, por dua të them se shumica e trupave janë të lidhur ngushtë me kushtetutën, janë të trajnuar mirë dhe e dinë se çfarë vlerash përfaqësojnë dhe çfarë duan të kundërshtojnë dhe të mbrojnë në Gjermani dhe në botë. Me ligjin ushtarak që do të dalë së shpejti, ne do të rregullojmë kushtet e nevojshme për largimin në mënyrë të shpejtë të atyre që punojnë kundër kushtetutës tonë dhe që refuzojnë atë”, tha Pistorius.

  • Begaj uron nga Kavaja: Festa të jetë shtysë për vepra të mira

    Begaj uron nga Kavaja: Festa të jetë shtysë për vepra të mira

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zgjodhi të uronte të gjithë besimtarët myslimanë për Fitër Bajram nga Xhamia Kubelie në qytetin e Kavajës.

    Në fjalën e tij, ai uroi që muaji i shenjtë i Ramazanit të ketë përmbushur qëllimin ndërsa të jetë shtysë për vepra të tjera të mira.

    “Uroj nga zemra që agjërimi i muajit të Ramazanit ka përmbushur qëllimin e shprehjes së devocionit të besimtarëve përmes sakrificës. Sakrifica në emër të besimit shpresoj të jetë shtysë për ne, për të bërë vepra të mira, për familjen, për shoqërinë dhe për kombin. Në fakt, kjo festë e Fiter Bajramit ka karakteristikë të veçantë solidaritetin dhe dashurinë. Dashurinë për njëri-tjetrin, dashurinë për Zotin”, deklaroi Begaj.

    Begaj tha se zgjodhi Kavajën si një nga shembujt më të mirë të harmonisë fetare, harmoni të cilën e quajti, vlerë të jashtëzakonshme të kombit shqiptar.

    Ai bëri thirrje që në këto ditë të vështirë t’i gjendemi pranë atyre që kanë më së shumti nevojë për ndihmë.

    “Bashkëjetesa dhe harmonia fetare për të gjithë kombin tonë është një vlerë e jashtëzakonshme, vlerë e cila duhet ruajtur, duhet promovuar dhe pse jo duhet eksportuar. Të eksportojmë atë vlerë që është më e mira. Populli shqiptar e ka treguar me vepra që e përkrah të ndryshmen. Kemi pritur refugjatë afganë, kemi pritur refugjatë ukrainas, kemi hapur dyert tona në ditë të vështira, pse jo edhe në këtë ditë të bëjmë një thirrje që të ndihmojmë ata që janë më të pamundurit, ata që kanë nevojë për më shumë”, përfundoi Begaj.

    Në Shqipëri, mijëra besimtarë kanë mbushur mëngjesin e ditës sotme sheshin “Skënderbej” në Tiranë ku u organizua ceremonia e kryesore e faljes së namazit të Fitër Bajramit.

  • Kosovarët s’mund të udhëtojnë në Spanjë as pas liberalizimit të vizave

    Kosovarët s’mund të udhëtojnë në Spanjë as pas liberalizimit të vizave

    Edhe pse liberalizimi i vizave vlen për të gjitha vendet e zonës Schengen, bartësit e pasaportave të Kosovës, nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, për shkak se ky shtet anëtar i Bashkimit Evropian nuk ia njeh pasaportat.

    Këtë e ka konfirmuar, zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Brendshme, Anitta Hipper.

    E pyetur nëse qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në Spanjë, ajo nuk e përmendur në mënyrë specifike këtë vend, vetëm ka thënë se liberalizimi nuk do të vlejë për “një shtet”, raporton REL.

    “Njohja e dokumenteve të udhëtimit është një kompetencë shtetërore. Në mesin e vendeve të Schengenit, të gjithë, pos një vendi, i kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo do të thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën do t’iu mundësojë bartësve të pasaportave të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në të gjitha këto vende, pos në njërin prej tyre”.

    Spanja, e cila prej 1 korrikut merr edhe kryesimin e Bashkimit Evropian, është më e zëshme sesa katër vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

    Megjithatë, gjatë procesit të miratimit të vendimit për vizat, Spanja nuk ka kundërshtuar.

    Vendet tjera mosnjohëse të shtetësisë së Kosovës janë: Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia.

    Ato i njohin pasaportat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

    Më 18 prill, Parlamenti Evropian e ka miratuar vendimin për vizat, ndërsa dokumenti është nënshkruar më 19 prill.

    Vendimi parasheh që qytetarët e Kosovës, të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen, prej 1 janarit të vitit 2024.

    Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

    Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

    Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen./REL/

  • Abdixhiku uron besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit: Le të kujdesemi ndaj atyre në nevojë

    Abdixhiku uron besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit: Le të kujdesemi ndaj atyre në nevojë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

    Përmes një telegram urimi për media, Abdixhiku ka thënë se festa e Fitër Bajramit i kurorëzon përpjekjet e të gjithë atyre që besojnë në Krijuesin.

    Abdixhiku po ashtu ka thënë që duhet të kujdesemi më shumë për ata që kanë nevojë.

    “Me fat Fitër Bajrami të dashur besimtarë. Lutje dhe agjerim të pranuar për të gjithë ata që kaluan një muaj sakrifice sprovuese nën shenjën e Zotit. Festa e Fitër Bajramit i kurorëzon përpjekjet e të gjithë atyre që besojnë në Krijuesin; që kanë përshkuar udhëtimin shpirtëror njëmujor, e që ia kanë dalë mbanë të jenë bërë më të virtytshëm, më të mëshirshëm dhe më zemërgjerë. Le të vazhdojmë të forcojmë edhe më tej këtë ndjenjë që muaji i shenjtë dhe festa e Fitër Bajramit na mësojnë. Atë të solidaritetit, të harmonisë e të kujdesit ndaj tjetrit. Në veçanti, le të kujdesemi ndaj atyre në nevojë. Shëndet, paqe e begati për ju e familjet tuaja; për gjithë atdheun tonë!”, shkruhet në telegramin e urimit nga kryetari i LDK-së, Abdixhiku.

  • Çfarë kanë blerë qytetarët dhe sa kanë shpenzuar për festën e Bajramit, flasin ata

    Çfarë kanë blerë qytetarët dhe sa kanë shpenzuar për festën e Bajramit, flasin ata

    Siç dihet festa e Fitër Bajramit festohet me ushqime të ndryshme tradicionale e me ëmbëlsira të llojllojshme.

    Por sa shpenzojnë qytetarët dhe çfarë blejnë ata më shumë për festa si kjo, qytetarët ia janë përgjigjur këtyre pyetje të ATV-së.

    “Nuk shpenzova edhe shumë, 40 euro. Siç po shihet bleva mish, mushkëri”, tha një qytetare.

    “65 euro i shpenzova tash, mish blejmë zakonisht në këto festa”, tha një grua.

    ”Afërisht 350 euro, më shumë blejmë ëmbëlsira, fruta e perime”, deklaroi një qytetar.

    “Kemi shumë shpenzime për këto festa e çmimet po janë shumë të larta e rrogat shumë të ulëta por çka me bo, këtu po jetojmë”, u përgjigj një grua.

    “Deri në 1200-1300 euro aty diku, më shumë po blejmë lëngje kur kemi festa si kjo”, tha një qytetar./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Shpërndahen më shumë se 3000 pako ushqimore për familjet në nevojë

    Shpërndahen më shumë se 3000 pako ushqimore për familjet në nevojë

    Këtë vit, gjatë muajit të Ramazanit e deri në ditën e festës së Fitër Bajramit, bashkëpunimi mes komunitetit Egjiptian në Kuvendin Komunal të Fushë-Kosovës dhe organizatës “Islamic Relief Kosova” ka gëzuar shumë qytetarë duke mbushur tavolinat e tyre me produkte esenciale për festë.

    Shpërndarja e më shumë se 3000 pakove u bë në zona të caktuara të Kosovës, ku 600 prej tyre u dhanë në lagjen në Fushë Kosovë tek banorët e komunitetit egjiptian, rom dhe ashkali.

    Ky aktivitet bëri bashkë banorët që prisnin në radhë për të marrë pakot përkatëse, duke falënderuar organizatorët për një akt të tillë humanitar.

    Sipas përfaqësuesit Bashkim Krasniqi, ky vit ishte ndryshe nga të tjerët.

    Sipas Blerim Gashit nga organizata “Islamic Relief Kosova”, komuna e Fushë Kosovës ishte e vetmja që dha ndihmë financiare për këtë aktivitet.

    Përzgjedhja për shpërndarjen e pakove u realizua përmes të dhënave financiare për secilën shtëpi, varësisht nga nevojat primare për tu furnizuar me ushqim./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • Furra që ofron bukë falas edhe në ditën e Bajramit

    Furra që ofron bukë falas edhe në ditën e Bajramit

    Në lagjen Hajvali dhe disa vende përreth shumë markete dhe furra u përkujdesën për bukë falas gjatë gjithë muajit të ramazanit, dhe jo vetëm.

    Një prej tyre për të gjithë ata njerëz në nevojë do të kujdeset edhe në bajram të ofrojë bukë falas.

    “Gjithë Ramazanin kemi filluar me shpërnda bukë falas për të gjithë ata që kanë pasur nevojë”, tha për ATV-në, pronari i kësaj furre në Hajvali.

    E numri i bukëve të shërbyera falas asnjëherë nuk dihet saktë.

    “Nuk i kemi numëruar kurrë por varësisht ka pasur që mbi 100 copa janë shpërnda, ka pasur rast kemi shpërnda edhe byrek. Edhe ditën e Bajramit kemi vendos që më dhuruar bukë falas”, tha ai.

    “Kjo traditë do të vazhdojë gjithmonë, derisa unë jam këtu do të shpërndahet bukë falas si në Ramazan ose jo, gjithmonë do të japë bukë falas për të gjithë ata që kanë nevojë”, shtoi tutje ai.

    Duke shërbyer jo vetëm për klientët e tyre mirëpo edhe për të gjithë ata që kishin nevojë gjatë ramazanit, ishte shumë e vështirë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Komunat insistojnë që mos të falen 100 € nga tatimi – Ibrahimi thotë se humbin dhjetëra miliona euro

    Komunat insistojnë që mos të falen 100 € nga tatimi – Ibrahimi thotë se humbin dhjetëra miliona euro

    Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi tha se asnjëherë nuk janë konsultuar nga institucionet sa i përket faljes së 100 eurove nga tatimi.

    Ai i tha Ekonomia Online, se për një vendim që prek drejtpërdrejtë buxhetin e komunave është dashur që të ketë diskutimi më të gjerë.

    Ibrahimi ka sqaruar se në bazë të analizave, pas propozimit që të falen 100 euro nga tatimi, komunat kanë konstatuar se inkasomi do të bije për 40%, duke bërë kështu që të humbin dhjetëra miliona euro.

    “Si edhe herëve të tjera edhe këtë herë Ministria e Financave nuk i ka konsultuar fare komunat sa i përket hartimit të këtij ligji, ky ligj do të ketë impakt në buxhetet komunale dhe për këtë arsye niveli qendror është dashur patjetër t’i konsultojë komunat sa i përket hartimit të këtij dokumenti. Në këtë dokument parashihet që komunat të marrin vendime sa i përket faljes së tatimit në pronë deri në vlerën 100 euro për çdo tatimpagues, edhe ky propozim nga niveli qendror patjetër se është dashtë të konsultohet me nivelin lokal, sepse i prek buxhetet e komunave”.

    “Në bazë të analizave që janë bërë nga drejtorët e buxhetit nga kolegjiumi jonë profesional i financave dhe buxhetit, nëse kjo klauzolë do të zbatohet nga komunat e Republikës së Kosovës del që inkasimi do të bie për 40%, për faturat e vitit 2023, pra komunat do të inkasojnë më pak rreth 40% të të hyrave nga tatimi në pronë, do të thotë që kjo shumë në total do të jetë me dhjetëra miliona euro, pra dëmi i cili kushtimisht them mund të shkaktohet nga zbatimi i këtij neni është me dhjetëra miliona euro në nivelin lokal”.

    Ai shton se ndonëse me këtë vendim preket xhepi i qytetarit, me mos inaksim të tatimit, sërish ata do ta atakohen me mosrealizimin e projekteve nga komunat.

    Ibrahimi pret që të ftohen në takim në Parlament e të vendosin për këtë çështje, raporton EO.

    “Patjetër që interesi është për qytetarin, kryetarët mendojnë për interesin e qytetarit, por në mënyrë që t’ia lehtësojnë jetën edhe qytetarëve komunat kërkojnë bashkëpunim, bashkëveprim me nivelin qendror sa i përket tatimit në pronë. Neve po besojmë që Parlamenti i Republikës së Kosovës, do t’i konsultojë komunat sepse Qeveria i ka neglizhuar këtë konsultim, domethënë nuk i ka konsultuar fare komunat po besojmë që Parlamenti i Republikës së Kosovës, do të diskutohej me kryetar të komunave sa i përket tatimit në pronë në mënyrë që të dalim më një qëndrim, i cili është më i lehtë për qytetarin e Republikës së Kosovës, po besojmë që gjatë javëve në vijim kryetarët e komunave do të ftohen nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, që të diskutohet në mënyrë që zbatimi të jetë më i lehtë për qytetarin e Republikës së Kosovës”.

    “Zgjidhja më e mirë si çdo herë është diskutimi, me hisedarët kryesor në këtë rast komunat, domethënë diskutimi nuk ka ndodhë nga Qeveria, por besoj që do të ndodhë nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, në mënyrë që ta kemi një projektligj që është i zbatueshëm më lehtë për qytetarët e Kosovës, e jo të vijmë në situata kur faturat e tatimit në pronë dyfishohen e në disa raste trefishohen pa konsulta me komunat dhe faji dëshirohet nga niveli qendror të bartet nëpër komuna”.

    Një propozim të tillë e ka dhënë ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, pas rritjes shumëfish të tatimit në pronë, me ç’rast vendimi ka nxitur reagime të shumta në vend.