ATV

Author: G.O.

  • Krasniqi nga Meja: Për disa familjarë ende s’ka ardhur liria

    Krasniqi nga Meja: Për disa familjarë ende s’ka ardhur liria

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Lëndina e pikëllimit” në 24-vjetorin e masakrës së Mejës, raporton Ekonomia Online.

    Nga aty, Krasniqi tha se pa u gjetur edhe i zhdukuri i fundit, nuk mund të ketë drejtësi. Ai tha se për disa familjarë, liria ende nuk ka ardhur.

    “Si çdo 27 prill edhe këtë vit sa herë që vijmë këtu në ‘Lëndinën e Krenarisë’ në Mejë. Nuk ka sesi të kujtojmë këtë rrugëtim të rëndë e tragjik të popullit tonë që sakrifikoi aq shumë për lirinë që e gëzojmë sot dhe padyshim si në çdo ditë tjetër por në mënyrë të veçantë në këtë ditë kur i kujtojmë të pagjeturit, dhimbjen  e pambaruar të familjarëve në radhë të parë por edhe të kombit tonë në përgjithësi”, tha Krasniqi.

    “S’ka si të mos mendojmë se nuk është bërë mjaftueshëm. Për disa prej familjarëve, liria ende nuk ka ardhur. Pa u gjetur dhe pa u zbuluar fati i të pagjeturit të fundit nuk mund të ketë drejtësi”, tha tutje Krasniqi.

  • Konjufca: Ta ngremë zërin për drejtësi për personat e zhdukur, jo veç t’i kujtojmë në përvjetorë

    Konjufca: Ta ngremë zërin për drejtësi për personat e zhdukur, jo veç t’i kujtojmë në përvjetorë

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se mbetet përgjegjësi e institucione që ta ngrisin zërin e të kërkojnë drejtësi për personat e zhdukur e jo veç të kujtohen në përvjetorë, raporton Ekonomia Online.

    Ai pas homazheve bashkë edhe me kryeministrin Albin Kurti te përmendorja dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, shtoi se Serbia po vazhdon që të mbajë të fshehtë gjitha krimet e kryera në Kosovë.

    Prandaj sipas tij, ky shtet duhet të jap përgjegjësi e llogari në mënyrë që të zbardhet fati i mbi 1 600 personave.

    “Sot po i përkujtojmë të gjithë të zhdukurit me dhunë nga Serbia. Njëri prej krimeve, gjenocidit të Serbisë ishte rrëmbimi dhe zhduka me dhunë e shumë personave. Edhe sot e kësaj dite mbi 1600 mbeten të pagjetur, jo pse nuk e dimë ku janë e dimë edhe përgjegjësi, por është shteti i Serbisë që po e mban të fshehtë këtë gjë”.

    “Neve na mbetet jo vetëm ti kujtojmë por edhe ta ngrisim zëri që fati  i tyre të zbardhjet e Serbia të jap llogari e përgjegjësi. Lavdi të gjithë martirëve dhe të zhdukurve me dhunë, Lavdi dëshmorëve që e dhanë jetën për liri”.

  • Kurti: Pres që me urgjencë të trajtohet çështja e të pagjeturve me 2 maj

    Kurti: Pres që me urgjencë të trajtohet çështja e të pagjeturve me 2 maj

    Kryeministri Albin Kurti i shoqëruar edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te përmendorja dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.

    Me këtë rast kryeministri ka thënë se pret që në takimin e 2 majit me presidenti serb Aleksandar Vuçiq të diskutohet me urgjencë çështja e të pagjeturve.

    Kjo ngase sipas tij, në aneksin për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit saktësohet se duhet trajtim urgjent.

    Përderisa sërish ka kërkuar nga Prokuroria Special që të fillojë hetimet në mungesë të përgjegjësve të krimeve, ngase tha se dëshmitarët po plaken e madje edhe po vdesin.

    “Ne në aneksin për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit kemi thënë se është urgjente çështja e të pagjeturve, pres me urgjencë të trajtohet çështja e të pagjeturve me 2 maj”.

    “Gjykimi në mungesë mundësohet tash e 4 vjet, prandaj i bëjë thirrje Prokurorisë Speciale që ato mijëra dëshmi që i kemi për krimet në Kosovë të shndërrohen e aktakuza për përgjegjësit, sikurse në Kroaci edhe në Kosovë mund të gjykohen në mungesë. Është e paarsyeshme çfarëdo vonese, se dëshmitarët po vendin e po plaken”.

  • Fjala “Pelé” hyn në fjalorin e gjuhës portugeze

    Fjala “Pelé” hyn në fjalorin e gjuhës portugeze

    Katër muaj pas vdekjes së tij dhe pas një fushate të udhëhequr nga fondacioni i tij, pseudonimi i brazilianit u bë një emër i zakonshëm që do të thotë “i pakrahasueshëm” në fjalorin e gjuhës portugeze.

    “Pelé”, pseudonimi i futbollistit legjendar brazilian që vdiq në dhjetor, është që nga e mërkura një nga 167 mijë fjalët në fjalorin e gjuhës portugeze, të folur nga 265 milionë njerëz në mbarë botën. Pseudonimi i Edson Arantes do Nascimento, i konsideruar nga shumë si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave , i cili vdiq më 29 dhjetor në moshën 82-vjeçare, përdoret në gjuhën e folur në Brazil si sinonim i ekselencës, përcjellë KosovaPress.

    Në Francë, shprehja popullore e përsosmërisë është shpesh “Mozart”. Në fjalorin Michaelis të gjuhës portugeze, “pelé” (pa shkronjën e madhe) është sinonim i “i jashtëzakonshëm, i pakrahasueshëm, unik”.

    Përkufizimi i tij është: “Diçka ose dikush që është jashtë zakonit, diçka ose dikush që për nga cilësia ose vlera nuk mund të asimilohet me asgjë ose askënd tjetër. Pelé, pseudonimi i Edson Arantes do Nascimento (1940-2022). ), konsiderohet si sportisti më i madh i të gjitha kohërave”, thuhet në versionin online të fjalorit.

    Michaelis jep edhe disa shembuj të përdorimit të tij: “Ai është peleja e basketbollit”, “ajo është peleja e dramës braziliane”, “ai është peleja e mjekësisë”.

  • Mikuriya: Dëshirojmë me parë ekonominë kosovare në një tregti më globale

    Mikuriya: Dëshirojmë me parë ekonominë kosovare në një tregti më globale

    Sekretari Gjeneral i Organizatës Botërore të Doganave (OBD), Kunio Mikuriya ka thënë se kjo organizatë është e interesuar për të parë ekonominë kosovare në një tregti më globale dhe në sistemin e doganave botërore.

    Mikuriya në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati, theksoi se Dogana e Kosovës mund të ofrojë mbështetje më të madhe për Ndërmarrjet e Mesme dhe të Vogla dhe për zhvillimin ekonomik.

    Ai tha se në vazhdimësi do ta monitorojnë progresin e Doganave në Kosovë për shkak siç tha ai do të rezultojë në të hyra dhe konkurrueshmëri më të madhe ekonomike.

    “Doganat kanë bërë një përparim sa i përket zbatimit të standardeve të përgjithshme. Ne jetojmë në një botë digjitale dhe Doganat e Kosovës janë të përkushtuara në zbatimin e digjitalizimit përmes programit të dritares së vetme. Ajo çka është me rëndësi, ne kemi biseduar është mbështetja e vazhdueshme politike për reformat doganore. Kështu që ne po shikojmë se si të ofrojmë kapacitete mbështetëse për burimet njerëzore në dogana, e cila do mundësoj edhe më tutje mjedisin biznesor. Doganat mund të ofrojnë mbështetje për Ndërmarrjet Mesme dhe të Vogla dhe për zhvillimin ekonomik. Ne kemi dëshirë me parë ekonominë kosovare në një tregti më globale dhe në sistemin e doganave përmes anëtarësimit dhe bashkëpunimit”, theksoi ai.

    Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati theksoi se e ka njoftuar sekretarin Organizatës Botërore të Doganave (OBD), Mikuriya, për reformat që po bën shteti i Kosovës për në aspektin doganor.

    Ai tha po ashtu se Kosova ka shënuar progres viteve të fundit në rritjen e inkasimit të të hyrave nga doganat, e po ashtu edhe për luftën kundër kontrabandës.

    “Gjatë takimit e njoftova sekretarin për arritjet që kemi pasur gjatë viteve të fundit në rritjen e inkasimit të të hyrave nga doganat, e po ashtu edhe për luftën tonë të suksesshme kundër kontrabandës dhe aktiviteteve ilegale në gjithë territorin e vendit gjë që po ashtu ka rezultuar edhe me të hyra më të larta. E njoftova po ashtu edhe për performancën e mirë sa i përket rritjes së eksporteve dhe diversifikimit të bazës së produkteve që eksportohen nga vendi ynë, dhe rritjen e kapaciteteve në prodhim. Po ashtu e informova edhe për ndryshimet dhe reformat që po bëjmë si shtet, përfshirë këtu Kodin e ri doganor dhe të akcizave, i cili do të jetë në linjë me direktivat e BE-së. Si dhe për proceset tjera që kanë të bëjnë me dixhitalizimin, me dritaren e vetme kombëtare që do të lehtësojë procedurat dhe barrierat burokratike administrative për bizneset si dhe për hapat që kemi ndërmarrë për kthimin e terminaleve doganore në pronësi të shtetit”, theksoi Murati.

    Kjo është hera e parë që një përfaqësues i OBD-së viziton Kosovën, që nga anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë në vitin 2017.

  • Raporti i EULEX-it për drejtësi, institucioneve iu kërkohet t’i përmbushin rekomandimet

    Raporti i EULEX-it për drejtësi, institucioneve iu kërkohet t’i përmbushin rekomandimet

    Përkundër rritjes së seancave gjyqësore produktive, sistemi i drejtësisë vazhdon të përballet me vonesa, procese që zgjasin, dënime të ulëta e rigjykime, këto janë të dhëna që janë përsëritur në vazhdimësi në raportet e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), pasi rekomandimet nuk kanë mundur të zbatohen në tërësi. Ndërkohë që përfaqësues të institucioneve të drejtësisë thonë se ndryshimet ligjore në sistemin e drejtësisë janë të nevojshme në mënyrë që të përmbushen rekomandimet.

    Shefi i njësisë së monitorimit të rasteve në EULEX, Hubert van Eck Koster, thotë se deri në fund të këtij viti do të vlerësojnë përmbushjen e të gjitha rekomandimeve të dala nga tri raportet e misionit për sistemin e drejtësisë.

    Ai tregon se gjatë monitorimit kanë vërejtur një trend të rritjes së seancave dëgjimore produktive. Derisa shton se dënimet e ulëta, proceset që zgjasin janë pikat ku do të donin të shihnin progres më shpejtë.

    Ajo që e përkeqëson edhe më shumë situatën, sipas Koster është fakti se ende ka shumë rigjykime. Sipas tij, fokus më i madh duhet dhënë edhe rasteve të korrupsionit.

    “Gjetjet kryesore të raportit të monitorimit të njësisë monitoruese të EULEX-it në fakt janë shumë të gjera sepse mbulojmë shumë tema, por nëse më duhet të bëj një përzgjedhje të asaj që është më e rëndësishme është ajo që e pamë, dhe kjo është një tendencë e mirë, një trend në rritje i seancave dëgjimore produktive, dhe një seancë produktive do të thotë se një seancë zhvillohet, dhe në fakt po bëhen disa hapa proceduralë, ishin deri në 26% të seancave joproduktive nga 350 seanca sa kemi monitoruar, dhe në raportet e mëparshme, kjo ishte 30 dhe madje 50% e seancave joproduktive. Pra, ne shohim një hap pozitiv. Megjithatë, në të njëjtën kohë ne jemi ende duke parë se shumë procese gjyqësore po zgjasin shumë. Kur them po zgjasin shumë, dua të them me të vërtetë një kohë të gjatë, zgjasin me vite për fat të keq, dhe ajo që e përkeqëson edhe më tej është se ka ende shumë, shumë rigjykime. Pra, kjo është ende një fushë ku ne duhet të shohim disa përmirësime, dhe sigurisht, fokusi specifik që po kërkojmë janë rastet e korrupsionit. Dhe në rastet e korrupsionit, për fat të keq, ne ende shohim një trend të gjykimeve që zgjasin shumë, por edhe gjykime në të cilat shohim shumë lirime, apo dënime të ulëta, apo edhe siç e përmenda, shohim edhe shumë e shumë rigjykime. Pra, mendoj se në fushën e korrupsionit ka ende shumë për të arritur”, thotë ai derisa shton se presin të shohin më shumë raste që po përfundojnë.

    Raportin monitorues të sistemit të drejtësisë Nëntor 2021 – Shtator 2022 të EULEX-it po e konsideron kredibil kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.

    Ai thotë se raporti ka identifikuar çështje të cilat janë temë e Këshillit.

    “Raportin e EULEX-it ne e kemi pranuar prej misionit dhe e vlerësojmë si kredibil për shkak se mbështetet nga monitoruesit ekspertë që e bëjnë monitorimin e seancave gjyqësore dhe në përgjithësi të proceseve gjyqësore në gjykatat tona…Raporti ka identifikuar çështje, të cilat janë temë e diskutimin edhe në KGjK dhe në gjykata dhe në kontekstin e këtij raporti, por edhe të raporteve të mëhershme, duhet të theksojmë se KGjK ka miratuar planin për qasje në drejtësi vitin e kaluar dhe planin e veprimit për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto dy raste ne i kemi identifikuar dhe i kemi pranuar në fakt edhe rekomandimet e misioneve ndërkombëtare që monitorojnë drejtësinë në Kosovë, siç është çështja se si duhet të administrohet një proces gjyqësor, çështja e dështimit të seancave, çështja e qasjes së avokatëve në procese gjyqësore, që në shumë raste seancat dështojnë për shkak të mungesës së tyre apo në disa raste të mosrespektit të gjykatës, masat që duhej të merreshin nga ana e gjykatave, dështimeve që kemi për shkak të prokurorëve në çështje gjyqësore që është një çështje e rëndësishme… Dhe, përveç kësaj, ne kemi themeluar edhe Komisionin e monitorimit të strategjive, që përbëhet nga pesë gjyqtarë të Gjykatës Supreme dhe të cilët kanë një komunikim me secilën gjykatë dhe me secilin gjyqtar. Në këtë rast, ky raport i ka ndihmuar edhe këtij komisioni, i cili është i informuar me punën që e ka bërë misioni i EULEX-it dhe identifikimet që i ka bërë dhe tash po adresohet në gjykata”, thotë Zogaj.

    Sipas raportit, prokuroritë dhe gjykatat duhet të monitorojnë në mënyrë më sistematike procedimin e rasteve të profilit të lartë, t’i bëjnë të ditura procedurat jashtëzakonisht të gjata dhe rigjykimet e përsëritura, t’i identifikojnë shkaqet e këtyre vonesave dhe t’i korrigjojnë ato.

    Sa i përket përmbushjes së rekomandimeve nga institucionet përkatëse të drejtësisë, shefi i njësisë së monitorimit të rasteve në EULEX thotë se për moszbatimin e tyre duhet të ketë më pak justifikime.

    “Ka lloje të ndryshme rekomandimesh, disa janë shumë teknike, ndërsa disa varen për shembull nga një ndryshim në legjislacion, kështu që nuk mund të ndodhin brenda natës. Pra, për ato rekomandime duhet që të presësh për pak kohë deri sa të krijohen procedurat ligjore, ndryshimet ligjore, por disa rekomandime të tjera mund të zbatohen menjëherë. Pra, këto janë ato në të cilat do të fokusohemi fillimisht, për moszbatimin e tyre duhet të ketë më pak justifikime, por ne po punojmë vërtet si partnerë dhe nuk është diçka që ne e japim vetëm si raport dhe të themi se ‘këto janë rekomandimet’. Jo, tani me të vërtetë dëshirojmë të punojmë së bashku me institucionet në mënyrë që t’i ndihmojmë në zbatimin e këtyre rekomandimeve…Pra, konkretisht gjykata por edhe prokuroria po punojnë shumë mirë bashkë… Në përgjithësi, bashkëpunimi është shumë i mirë dhe më duhet të ritheksoj konkretisht bashkëpunimin me Këshillin Gjyqësor, sepse mendoj se ka një gatishmëri të madhe edhe për t’u përmirësuar dhe për të ndjekur rekomandimet tona, dhe ne me të vërtetë presim bashkëpunim të mëtejshëm për këtë qëllim”, shprehet ai.

    Ndërkohë që Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë disa hapa reformues, të cilët, siç thonë nga ky dikaster, kanë të bëjnë me llogaridhënien dhe besimin në sistemin e drejtësisë, nga EULEX deklarojnë se në fund të këtij viti do të vlerësojnë përmbushjen e të gjitha rekomandimeve të dala nga tri raportet e monitorimit të Misionit.

    “Siç mund ta dini, ne tashmë kemi publikuar tre raporte, raporte publike, me rekomandime të shumta, dhe sigurisht kemi dashur t’u japim kohë edhe institucioneve për t’i zbatuar ato. Pra, ne nuk shikuam menjëherë për zbatimin, por për raundin tjetër, deri në fund të këtij viti, ne do ta bëjmë pikërisht këtë. Ne do të vlerësojmë zbatimin e të gjitha rekomandimeve nga tre raportet e mëparshme, pra jo vetëm nga raporti i fundit, por edhe nga dy raportet e mëparshme. Dhe, një nga rezultatet është siç mendoj unë, dhe shpresoj, siç sapo e përmenda, seancat dëgjimore produktive dhe joproduktive, kjo është diçka që është shumë e lehtë për t’u zgjidhur dhe shumë konkrete, dhe besoj vërtetë se kjo tashmë është trajtuar nga Këshilli Gjyqësor, sepse ne shohim padyshim një trend pozitiv. Por, siç thashë, mendoj se trajtimi i rasteve të korrupsionit është diçka në të cilin duhet të shohim ende disa përmirësime”, thekson ai.

    Me qëllim të përmirësimi të sistemit të drejtësisë, krerët institucionalë të kësaj fushe kanë nënshkruar më 14 mars, Deklaratën e Përbashkët të Zotimit për reformë në këtë sistem.

    Krahas kësaj, shefi i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Genc Nimoni, thotë se deri në fund të vitit do të përfundojnë ndryshimet ligjore.

    “Deklarata e përbashkët është nënshkruar mes Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial, Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Gjykatës Supreme. Është nënshkruar më 14 mars. Kjo deklaratë synon që deri në muajin qershor të kemi vlerësimet dhe identifikimet e nevojave për ndryshime, të cilat do të shpinin në kontroll të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vlerësim të duhur të performancës të duhur të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pastaj në përmirësim të disiplinimit dhe ndryshime të tjera të nevojshme që i kontribuojnë të gjithë këtyre objektivave. Dhe, pas muajit qershor, bazuar në këto vlerësime dhe rekomandime do të fillojnë ndryshimet adekuate ligjore, ku deri në fund të këtij viti, deri në dhjetor, ne do të kompletojmë këto ndryshime, të cilat synojnë një sistem më llogaridhënës, më efektiv, me rezultate konkrete, me integritet dhe profesional, që në fund ndikojnë edhe në rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thotë ai.

    Ai tregon se cilat ndryshime pritet të bëhen.

    “Pritet që të kemi ndryshime në Ligjin për Këshillin Gjyqësor, Ligjin për gjykatat, Ligjin për Këshillin Prokurorial, pastaj do të kemi për herë të parë Ligj për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, do të kemi… ligj të ri për disiplinimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, do të kemi forcim të mekanizmave ekzistues për vlerësimin dhe performancën, një vetting i rregullt ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve që bëhet në periudha të rregullta dhe bazuar në kritere të qarta profesionale”, tregon ai.

    Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka kthyer përgjigje për sfidat me të cilat po ballafaqohen dhe nëse kanë përmbushur ndonjë nga rekomandimet e raportit të fundit të EULEX-it.

  • Pavarësisht armëpushimit, në Sudan vazhdojnë luftimet

    Pavarësisht armëpushimit, në Sudan vazhdojnë luftimet

    Ushtria sudaneze dhe forca paramilitare kanë vazhduar luftimet në periferi të Kartumit, duke minuar marrëveshjen e armëpushimit, por ushtria shprehu gatishmërinë për zgjatjen e armëpushimit.

    Në orët e vona të 26 prillit, ushtria tha se gjenerali Abdel Fattah al-Burhan ka thënë miratimin fillestar për planin e zgjatjes së armëpushimit edhe për 72 orë dhe ka dërguar një të dërguar të ushtrisë në kryeqytetin e Sudanit Jugor, Juba, për bisedime.

    Paraprakisht, ushtria sudaneze dhe grupi paramilitar i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë u pajtuan për një armëpushim treditor, që skadon në orët e vona të së enjtes. Nuk ka pasur ndonjë reagim të menjëhershëm nga grupi paramilitar lidhur me propozimin për bisedime, të iniciuar nga një grup rajonal.

    Ushtria e Sudanit tha se presidentët e Sudanit Jugor, Kenias dhe Xhibutit po punojnë në një propozim që përfshin edhe zgjatjen e armëpushimit dhe mbajtjen e bisedimeve mes dy forcave.

    Ndërkaq, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe komisionari i Unionit Afrikan, Moussa Faki Mahamat, kanë biseduar për të mundësuar ndaljen e luftimeve.

    Që kur shpërtheu dhuna në Sudan më 15 prill janë vrarë të paktën 512 persona dhe janë plagosur pothuajse 4.200 të tjerë.

    Banorët po përballen me mungesa të furnizimeve ushqimore dhe të ujit të pijes dhe sipas organizatave të huaja, një e treta e popullsisë prej 46 milionë banorësh kishte nevojë për ndihmë humanitare edhe para nisjes së luftimeve.

    Dhuna shpërtheu fillimisht në kryeqytet, Kartum, më 15 prill midis fraksioneve rivale ushtarake, që po luftojnë për kontrollin e Sudanit – shtetit të tretë më të madh në Afrikë.

    Që nga grusht shteti i vitit 2021, Sudani është udhëhequr nga këshilli i gjeneralëve në krye me dy ushtarakët që aktualisht po luftojnë: gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, që është kreu i forcave të armatosura dhe presidenti i shtetit, dhe zëvendësi i tij, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, që udhëheq Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

    Dy gjeneralët kanë mospajtime lidhur me mënyrën se si shteti do të shkojë drejt sundimit civil.

    Mosmarrëveshjet kryesore në planin për trazicion kanë të bëjnë me përfshirjen e 100.000 anëtarëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtrinë e rregullt, dhe se kush do të udhëheqë ushtrinë e re./REL/

  • Arrestohet 23-vjeçari, dyshohet për dy raste të vjedhjeve

    Arrestohet 23-vjeçari, dyshohet për dy raste të vjedhjeve

    Policia njoftoi se mbrëmë është arrestuar një person i dyshuar për dy raste vjedhjeve.

    Rastet kanë ndodhë në fillim të muajit mars 2023, në dy markete të ndryshme.

    “Puna e hetuesve policor është finalizuar mbrëmë, ku pas marrjes së disa veprimeve operative kanë arrit që të identifikojnë dhe arrestojnë personin e dyshuar:
    – A,R, mashkull, 23 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, njoftoi Policia.

    Tutje, bëhet e ditur se personi i dyshuar me vendim prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje, dhe ndaj tij është iniciuar procedurë për së paku 2 raste të vjedhjeve.

  • Ashley Graham në vendin e parë si gruaja më seksi në botë

    Ashley Graham në vendin e parë si gruaja më seksi në botë

    Modelja Ashley Graham zuri vendin e parë në renditjen vjetore të revistës Maxim, si gruaja më seksi në botë.

    Ajo u bë e njohur për përpjekjet e saj për të ndryshuar standardet e bukurisë në industrinë e modës.

    Ashley u bë e famshme në vitin 2016, kur u paraqit në krye të revistës “Sports Illustrated Swimsuit Issue”,duke u bërë modelja e parë në historinë e revistës që kishte një trup më të shëndoshë.

    Graham është bërë një ikonë për lëvizjen e ndryshimit të perceptimeve për trupin dhe bukurinë, duke u angazhuar në fushata publike për të rritur vetëdijen dhe pranimin e trupit të plotë në industrinë e modës.

    Ajo ka punuar si modele për disa brende të mëdha të modës në botë. Gjithashtu, ajo është një autore dhe aktiviste e njohur për të drejtat e grave./atvlive.tv/

  • James Corden nis jetë të re në Londër

    James Corden nis jetë të re në Londër

    Kanë kaluar tetë vjet që kur James Corden u bë moderator i një nga emisioneve më të famshme , ‘’The Late Late Show’’, në CBS.

    Ai njoftoi se kësaj eksperiencë i erdhi fundi duke thënë se ato tetë vjet ishin pjesa më e mirë e jetës së tij.

    James theksoi se do t’i mungojnë miqtë të cilët I kishte njoftuar gjatë episodeve të ndryshme.

    ‘’Me të vërtetë duam që fëmijët tanë të përjetojnë jetën në Londër. Ka shumë gjëra të tjera për të cilat do të doja të provoja dhe të shihja se në çfarë mund të jem i aftë’’, deklaroi James.

    Tutje zbuloi disa nga vështirësitë me të cilat kishte hasur për të bindur të famshëm për të marrë pjesë në Carpool Karaoke.

    Ai kujtoi se si ekipi I tij kishte arritur të bindte këngëtaren Mariah Carey-n të pranonte, por se ajo para se të hipte në veturë I kishte thënë se do ta bëj vetëm intervistën dhe nuk do të këndonte.

    “The Late Late Show” është një emision televiziv amerikan që kishte nisur transmetimin në vitin 1995 dhe në moderim atëherë ishte Thomas James Snyder.

    Në vitin 2015 filloi të moderohej nga James Corden, aktor dhe komedian britanik.

    Intervista me personalitete të ndryshme, skeçe dhe lojëra, performanca muzikore dhe humore të ndryshme bënë që ky të ishte një nga emisionet më të ndjekura në SHBA dhe të fitonte cmime prestigjioze duke përfshirë edhe disa Emmy./atvlive.tv./