ATV

Author: G.O.

  • Von Cramon: Është koha që Serbia të vendos mes Perëndimit dhe Rusisë

    Von Cramon: Është koha që Serbia të vendos mes Perëndimit dhe Rusisë

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE) Viola von Cramon, ka thënë se është koha që Serbia të vendos se nga cila anë do të shkoj me Perëndimin apo me Rusinë.

    Duke folur për gazetën britanike “The Guardian”, politikanja gjermane , ka theksuar se “Sundimi i ligjit, liria e medias, dhe raportet me Kosovën si dhe me Moskën janë çështjet kyçe “ Serbia duhet të tregoj se qartas do që t’i bashkohet Bashkimit Evropian.

    “Koha e qëndrimit në “dy karrige” dhe balancimi mes perëndimit dhe Rusisë ka marrë fund”, tha Von Cramon.

    Kjo deklaratë u bë në kuadër të një artikulli që “The Guardian”, i kushtoi situatës në Serbi pas dy vrasjeve masive që ndodhën në shtetin serb, para dy javësh.

    “ Klima shoqërore, ka dërguar në këtë. Ne kemi një shoqëri të dhunshme, ishte vetëm çështje e kohës se kur kjo do të shpërthente”, tha nga ana tjetërsociologu Zoran Gavriloviq.

  • Kina dënon me burgim të përjetshëm një shtetas amerikan

    Kina dënon me burgim të përjetshëm një shtetas amerikan

    Të hënën, Kina dënoi me burgim të përjetshëm shtetasin amerikan John Shing-Wan Leung, 78-vjeçar, i cili ka rezidencë të përhershme në Hong Kong, me akuzën e spiunazhit. Ky rast pasqyron përkeqësimin e marrëdhënieve midis Pekinit dhe Uashingtonit gjatë viteve të fundit.

    Leung u ndalua nga byroja lokale e agjencisë së kundërzbulimit të Kinës në qytetin e Suzhou më 15 prill 2021, pasi Kina kishte mbyllur kufijtë e saj dhe kishte zbatuar kufizime të rrepta të udhëtimit dhe kontrolle për të luftuar përhapjen e COVID-19.

    Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, Gjykata e Suzhou bëri njoftimin për dënimin e tij në faqen e saj të rrjeteve sociale. Hetimet dhe gjykimet e tilla mbahen me dyer të mbyllura dhe shumë pak informacion jepet.

    Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë në nivelin më të ulët në dekada mes mosmarrëveshjeve mbi tregtinë, teknologjinë, të drejtat e njeriut dhe qasjen gjithnjë e më agresive të Kinës ndaj pretendimeve të saj territoriale që përfshijnë Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore.

    Dënimi vjen në kohën kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden po udhëton për në Hiroshima të Japoni, për samitin e Grupit të Shtatë shteteve kryesore industriale, i pasuar nga një vizitë në Guinenë e Re, një shtet ishullor i Paqësorit në një rajon ku Kina ka kërkuar të rrisë ekonominë e saj, por edhe ndikim ushtarak e diplomatik.

    Përderisa ndikimi ekonomik i Kinës rritet globalisht, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj në rajonin Azi-Paqësor kanë rritur praninë e tyre në këtë zonë, duke ofruar investime dhe ndihmë financiare që rivalizojnë Kinën.

    Kina, e cila tani është ekonomia e dytë më e madhe në botë, ka zgjeruar infrastrukturën e saj, si portet dhe hekurudhat, në të gjithë Evropën, Azinë Juglindore dhe më gjerë.

    Akuzat për spiunazh janë shumë selektive dhe provat që i mbështesin ato nuk publikohen. Kjo është praktikë standarde e shumicës së vendeve kur bëhet fjalë për spiunazh, jo vetëm e Kinës.

    Megjithatë, sistemi politik autoritar i Kinës dhe kontrolli absolut i Partisë Komuniste në pushtet mbi çështjet ligjore, shoqërinë civile dhe lirinë e informacionit parandalojnë kërkesat për informacione të mëtejshme, si dhe apelimet në gjykatë.

    Ambasada e SHBA-së ende nuk ka komentuar dënimin e shtetasit amerikan Leung./REL/

  • Kryeministri Kurti në Korishë: Shteti i Kosovës do të kujdeset maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovë

    Kryeministri Kurti në Korishë: Shteti i Kosovës do të kujdeset maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nderoi martirët dhe të rënët për liri në fshatin Korishë të Komunës së Prizrenit. Së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, Kryetarin e Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti dhe deputetë të Kuvendit të Republikës, bëri homazhe te Memoriali i Martirëve në Korishë dhe zbuloi shtatoren e heroit Sali Shabani.

    Me vendosje të luleve dhe një minutë heshtje, Kryeministri Kurti përkujtoi civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Budakovë, Reshtan, Bllacë, Mushtisht, Maçitevë dhe Greikoc, të vrarë në maj të vitit 1999 me të vetmen arsye se ishin shqiptarë.

    “Jam këtu si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, jo vetëm thjeshtë të ndaj ndjesitë e përbashkëta për viktimat me familjarët e tyre dhe të gjithë të tjerët, por jam këtu sot në ditën e martirëve të Korishës, sidomos për të treguar që shteti i Kosovës do të kujdeset maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovë. Veçanërisht për ta njohur historinë e masakrave dhe të secilit krim e të secilit kriminel, si dhe për të denoncuar të gjitha hallkat e sistemit shtetëror të Serbisë”, tha Kryeministri.

    “Kur sheh pllakën përkujtimore me emrat e të vrarëve në Korishë, vëren që të paktën 14 prej tyre kanë qenë fëmijë, pra ishin nën moshën 18 vjeçare atëherë kur u vranë. Mosha e tyre është dëshmia më e pakontestueshme e pafajësisë së gjithë këtij grupi aq të madh të njerëzve, që Serbia i vrau vetëm pse ishin shqiptarë”, tha Kryeministri Kurti. Ai theksoi procesin e filluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për memorializimin e fëmijëve të vrarë, të zhdukur apo që kanë humbur jetën nga kushtet e luftës, në krye të grupit punues të së cilit, është nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, znj.Saranda Bogujevci, vetë e mbijetuar si fëmijë nga masakra e Podujevës.

    Duke kujtuar se pothuajse çdo ditë e pranverës nga fundi i marsit e deri në mes të qershorit, paraqet një datë përvjetori të masakrave të kryera nga Serbia në Kosovë, ai tha se një pjesë e mirë e agjendës së tij si Kryeministër është e rezervuar për ngjarjet përkujtimore sikur kjo këtu, sepse shënimi i përvitshëm i krimeve të kryera nga Serbia mbi ne shqiptarët në Kosovë, kërkon të ketë një traditë të saj të kultivuar që duhet mirëmbajtur, ashtu që të krijohen lidhjet mes gjeneratave dhe të përcjellet vetëdijshëm kujtesa e përbashkët për këto krime.

  • Tentoi ta vriste një person, arrestohet i dyshuari në Suharekë

    Tentoi ta vriste një person, arrestohet i dyshuari në Suharekë

    Një person është arrestuar të dielën rreth orës 19:30 në Suharekë, nën dyshimin se ka tentuar ta vrasë një tjetër person.

    Sipas policisë, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërkaq në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë, 6 fishekë dhe një gëzhojë.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti për motive të panjohura ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar. Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë , 6 copë fishekë dhe një gëzhojë”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • ​Distria Krasniqi xhudistja më e mirë në botë

    ​Distria Krasniqi xhudistja më e mirë në botë

    Distria Krasniqi është tashmë xhudistja më e mirë në botë për kategorinë deri në 52 kilogramë.

    Kështu tregon renditja më e re e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, sipas së cilës xhudistja kosovare ka mbledhur 7 mijë 275 pikë duke lënë prapa xhudisten britanike, Chelsie Giles, e cila ka marrë 7 mijë e 10 pikë dhe japonezen Uta Abe, e cila i ka 6 mijë e 800 pikë, përcjellë KosovaPress.

    Krasniqi është medaliste Olimpikë nga Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, por ka edhe një numër të madh medaljesh evropiane e botërore në emrin e saj.

  • “Rregullat e pashkruara” në një dasmë

    “Rregullat e pashkruara” në një dasmë

    Veshja për dasma sot ka më pak rregulla se në dekadat e kaluara, por ka disa gjëra që duhet të keni parasysh për të pasur respekt ndaj ceremonisë dhe njerëzve që martohen.

    Disa rregulla që duhet ndjekur janë si p.sh. që të mos visheni me ngjyrë të bardhë sepse e bardha atë natë i takon vetëm nuses.

    Pastaj të vishesh thjeshtë nuk është fare ide e mirë.

    Nuk duhet të vishni xhinse apo diçka sportive edhe në qoftë se është stili juaj në një ditë të zakonshme, sidomos këmisha apo fustane me figura apo shkronja të printuara. Kjo vlen edhe për fëmijët.

    Në qofse dëshironi të vishni pantallona është krejtësisht në rregull por sigurohuni që të jenë elegante.

    Kostumet me pantallona janë një mënyrë e shkëlqyeshme për të shkuar por mund të koordinoni edhe ngjyrën e pantallonave me këmishë.

    Gjithnjë duhet të keni parasysh që një dasmë mund të jetë një ceremoni religjioze dhe do të mund të ndjeheni në siklet me veshje jo të përshtatshme.

    Është e kuptuar që dasma kërkon veshje elegante por nuk duhet të keni më shumë vëmendjen se sa çifti i martuar!

    Një fustan që shkëlqen, sigurisht që për dikë është zgjedhja më e pëlqyer, por një veshje me shumë shkëlqim nuk preferohet.

    Materialet me lëkurë të hollë preferohen shumë, për shkak se ju mbajnë të freskët gjatë ceremonisë së dasmës.

    Gjëja që duhet më së shumti t’i kushtoni rëndësi janë këpucët sepse duhet të siguroheni të jenë sa më të përshtatshme në mënyrë që edhe ecja juaj të duket sa më natyrale.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Bedri Hamza pritet të dëshmojë sot në rastin e “53-milionëshit”

    Bedri Hamza pritet të dëshmojë sot në rastin e “53-milionëshit”

    Bedri Hamza, ish-ministër i Financave, aktualish kryetar i Komunës së Mitrovices pritet që sot të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit në rastin e njohur si “Rasti i 53 milionë eurove”, ku ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Në seancën e fundit në këtë rast kishte dhënë dëshmin e tij edhe Bajram Hasani, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, ka deklaruar se nëse nuk do paguheshin këto 53 milion, më vonë Kosova do të duhej të paguante 200 deri në 300 milionë euro.

    Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

    Ndërsa, më 19 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. /BetimipërDrejtësi

  • Gjendet i vdekur një burrë në Prishtinë

    Gjendet i vdekur një burrë në Prishtinë

    Një burrë është gjetur pa shenja jete në Prishtinë, njoftoi Policia e Kosovës.

    “· Prishtinë 14.05.2023-05:46. Është raportuar se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, njoftoi Policia.

    Tutje në raportin e Policisë thuhet se me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion, ndërsa rasti është duke u hetuar.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Lipjan

    Gjendet pa shenja jete një person në Lipjan

    Policia e Kosovës njoftoi se është gjetur pa shenja jete një person në Lipjan.

    “HETIM MBI VDEKJEN/ Lipjan 14.05.2023-15:45 Është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, thuhet në raportin e Policisë. 

    Tutje, bëhet e ditur se me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

  • Vazhdon seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Gjykatën Speciale sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    Sipas njoftimit të bërë për media, seanca pritet të fillojë në ora 09:00.

    Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.