ATV

Author: G.O.

  • Varhelyi shkon edhe në Veri, shefi i Zyrës së BE-së zbulon agjendën

    Varhelyi shkon edhe në Veri, shefi i Zyrës së BE-së zbulon agjendën

    Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, sot ka ardhur në Kosovë në një vizitë zyrtare.

    Aktualisht, ai ka nisur takimin me presidenten Vjosa Osmani, ndërsa pritet të vazhdojë për në Kryeministri për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti.

    Për agjendën “intensive” ka treguar edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili tha se Varhelyi sot do të shkojë edhe në komunat veriore të vendit.

    “I lumtur të pres Komisionerin e BE-së Oliver Varhelyi për një vizitë që do të thellojë marrëdhëniet BE-Kosovë dhe rrugën europiane. Sot ai do të ketë një agjendë intensive, duke u takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrat e kabinetit. Ai do të vizitojë edhe Mitrovicën Veriore”, ka shkruar shefi i Zyrës së BE-së në Twitter.

    Për detajet e agjendës së tij ka shkruar edhe Komisioni Europian.

    “Këto takime do të jenë një mundësi për të rishikuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit si dhe reformat kyçe, duke përfshirë fushën e reformës në drejtësi, tranzicionit të energjisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në njoftimin e KE.

    Gjatë kësaj vizite, Varhelyi do të marrë pjesë në lansimin e Programit për Çështje të Brendshme BE-Kosovë, për forcimin e ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    “Ky program i financuar nga BE-ja prej 6.5 milionë euro do të zbatohet në një periudhë trivjeçare me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës dhe do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

    Kosova dhe BE-ja nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), e cila është në fuqi që nga 1 prilli 2016.

    Komisioni do të raportojë sërish për progresin e Kosovës në rrugën e saj europiane në Paketën e zgjerimit 2023, e cila do të dalë në vjeshtë.

  • FSK dislokon një kontingjent në Maqedoninë e Veriut, tregon nivel të lartë të gatishmërisë

    FSK dislokon një kontingjent në Maqedoninë e Veriut, tregon nivel të lartë të gatishmërisë

    Forca e Sigurisë së Kosovës përmes një njoftimi për media, thotë se kontingjenti i saj i dislokuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut tregon nivel të lartë të gatishmërisë.

    “Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës i dislokuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i atashuar në Task Forcën jug në batalionin shumëkombësh, ka realizuar operacionet e patrullimit në nivel togu duke përfshirë pika mobile të kontrollit, gjithashtu kanë vazhduar me operacione të mbrojtjes së kampit sipas skenarëve të përgatitura nga komanda më e lartë, me qëllim të testimit dhe gatishmërisë së trupave në ushtrim”, thuhet në njoftimin FSK-së.

    Tutje thuhet në njoftim se ushtarakët e FSK-së janë duke treguar gatishmëri dhe performancë të lartë, në kryerjen e detyrave dhe ndërveprushmërisë me partnerët pjesëmarrës në ushtrimin ndërkombëtar “Defender Europe 23”.

  • Fillon takimi ​Varhelyi-Osmani

    Fillon takimi ​Varhelyi-Osmani

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Komisionarin e Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Verhelyi.

    Pas takimit, Osmani dhe Varhelyi do të deklarohen për media.

    Gjatë vizitës në Kosovë, Varhelyi do ta takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.

  • Anulohet gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ish-partnerja e tij nuk u paraqit në gjykatë

    Anulohet gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ish-partnerja e tij nuk u paraqit në gjykatë

    Për arsye se dëshmitarja Milena Popoviq, ish-partnerja e Ivanoviqit, e paraparë të dëshmojë në seancën e sotme nuk ishte prezentë, është anuluar gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

    Sipas konfirmimit zyrtar nga zyra e gjykatësit të rastit Valon Kurtaj, dëshmitarja Popoviq ka informuar gjykatën se sot nuk mund të jetë prezente, por se e njëjta ka deklaruar se në seancën e nesërme do jetë e gatshme të dëshmojë.

    Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në seancën e fundit të mbajtur me 14 mars Gjykata Themelore në Prishtinë, mori aktvendim që dëshmitarja Milena Popoviq (ish-partnerja e Ivanoviqit), të dëgjohet përmes ndihmës juridike ndërkombëtare (Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar), në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

    Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.

    Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.

    Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

    Më pas, më 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, ku thuhet se të pandehurit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq, nga viti 2014 deri në vitin 2018, respektivisht me datën 16 janar 2018, në qytetin e Mitrovicës, në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, të cilët gjenden në arrati dhe me dy të pandehur tjerë që deri më tani janë të panjohur për organet e rendit, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, me hiearki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurve Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, në atë mënyrë që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëveprim ndërmjet vete, me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardhë deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.

    I pandehuri Nedejlko Spasojeviq, thuhet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Ivanoviq, me ç’rast me dashje dhe dijeni i ka ndihmuar të dyshuarit e panjohur në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke krijuar kushtet dhe mënjanuar pengesat për kryerjen e kësaj vepre penale, ashtu që fillimisht i njëjti u ka mundësuar të dyshuarve që të lëviznin me veturën zyrtare të policisë të markës “Golf IV”, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në drejtim të ndjerit Ivanoviq, e që për pasojë ka ndërruar jetë në spitalin e Mitrovicës.

    Tutje, thuhet se përveç kësaj i pandehuri Spasojeviq, në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, me dashje dhe dijeni ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që ka lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty, ku edhe kishte ndodhur vrasja e të ndjerit Ivanoviq.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Marko Roshiq, duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, duke bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit Spasojeviq, Basara, Bojiç, Veselinoviç, dhe Radoiçiç, në atë mënyrë që me veturën e tij të llojit “Santa Fe”, ka përcjellë çdo lëvizje të tani të ndejrti Ivanoviq, para vrasjes së tij, ku pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa Fe”, ngjyrë e zezë. Kjo veturë thuhet se pas vrasjes së viktimës e ka përcjellë edhe vëllanë e viktimës Mirosllav Ivanoviq, e njëjta veturë është në pronësi dhe përdorim të pandehurit Roshiq dhe vetura e përmendur parkohet tek restoranti “Grey” që është pronë e të pandehurit Milan Radoiçiç.

    Aktakuza thotë se i pandehuri Rade Basa, në cilësinë e zyrtarit policor, konkretisht hetues në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë- Veri, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër dhe i njëjti duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, njëkohësisht si hetues policor, ka bashkëpunuar ngushtë me Zheljko Bojiq dhe me grupin kriminal të organizuar e që është udhëhequr nga Milan Radoiçiç, nga i cili grup ka marrë urdhra për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë-provat, dhe nga grupi kriminal është angazhuar që t’i fsheh gjurmët e krimit, t’i selektojnë rastet nën hetim, ku në ato raste ku pjesëtarët e grupit kriminal të Milan Radoiçiç, kanë qenë në cilësinë e të dyshuarve, nuk i ka hetuar me qëllim që ato raste të mos zbardhen dhe të mbesin të pazbuluara, me ç’rast me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

    Për të pandehurën Silvana Arsoviq, thuhet se si anëtare e grupit kriminal të organizuar, duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit që kanë qenë në koordinim për vrasjen e Ivanoviq, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke bërë krijimin e kushteve dhe mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që në kohën e aktit të kryerjes së vrasjes të Ivanoviq, e pandehura ka qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyret e SDP-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u ç’kyçur nga rryma, me ç’rast u është mundësuar lehtësim të dyshuarve që të mos incizohen nga kamerat e sigurisë, kur të kryhet akti i vrasjes ndaj të ndjerit Ivanoviq. E njëjta thuhet se me datën 16 janar 2018, në ora 08:16, menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit, i ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP, e cila ka qenë duku punuar si administratore në këto zyra dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

    Me këtë të pandehurit, sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga nenin 283, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRPK-së lidhur me veprat penale vrasje e rëndë sipas nenit 179, paragrafi 1.9 të KPRK-së dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 442, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

    Tutje, aktakuza thotë se i akuzuari Dragisha Markoviq, me datën 16 janar 2019, në cilësi të zyrtarit policor, pa autorizim i ka vënë në dispozicion personit tjetër informatën, e cila përbën fshehtësi zyrtare, në atë mënyrë që derisa ishte në detyrë zyrtare nga vendi i ngjarjes, ku edhe kishte ndodhur vrasja e Ivanoviq, me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të asaj informate, jashtë territorit të Republikës së Kosovës, duke i raportuar një zyrtari policor në shtetin e Serbisë ende pa u konfirmuar lajmi se është vrarë tani i ndjeri Ivanoviq.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

    Në vijim thuhet se Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, në datën 16 janar 2018, në cilësi të personave zyrtare, kanë shpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që pas vrasjes së Ivanoviq, kanë dalë në vendin e ngjarjes, nuk e kanë siguruar mirë vendin e ngjarjes duke lënë persona të tjerë që të ndërhyjnë në atë hapësirë, si dhe të njëjtit me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme provat në procedura zyrtare, kanë manipuluar me to, duke i hequr dhe fshehur ato, ashtu që fillimisht i pandehuri Dragisha Markoviq bën me dorë në drejtim të gëzhojës, e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes, e të cilën më pas i pandehuri Jovanoviq e merr, e fut në xhep dhe së bashku me Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

    Me këtë, akuzohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje”.

    Ndërsa, Jovanoviq, gjithashtu akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi të njëjtit me datën 10 shkurt 2018, sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse dhe gjatë kontrollit të banesës së tij, është gjetur dhe konfiskuar një armë e markës TT, e kalibrit 7.62 mm, dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa leje. /BetimipërDrejtësi

  • Nesër varroset e reja që u vra nga ish-bashkëshorti në Gjermani

    Nesër varroset e reja që u vra nga ish-bashkëshorti në Gjermani

    Nesër në varrezat e fshatit Zasellë të Mitrovicës do të varroset Jetmira Beka, e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj në Aachen të Gjermanisë. E ndjera do të varroset në ora 14:00.

    Të shtunën e javës së kaluar në parkingun e një qendre tregtare, dorasi e kishte therur viktimën në prani të motrës së saj.

    E ndjera dhe i dyshuari së bashku i kanë tre fëmijë. Për shkak të mosmarrëveshjeve, ata janë ndarë dhe si rrjedhojë nuk kanë qenë duke bashkëjetuar.

    Andaj, gjykata ua ka caktuar kujdestarinë e përbashkët ndaj fëmijëve dhe në ditën kritike, ata është dashur të takohen për të bërë shkëmbimin e fëmijëve.

    Ndonëse vrasja nuk ka ndodhur në sy të fëmijëve, ishte motra 18-vjeçare e viktimës ajo e cila e pa motrën e saj duke u qëlluar disa herë me thikë për vdekje.

    E gjithë ngjarja ka ndodhur përballë selisë së policisë në Aachen të Gjermanisë, ku sipas medieve gjermane, ka pasur edhe kalimtarë rasti të cilët mund të jenë dëshmitarë në gjykatë.

  • Kryetari i Zubin Potokut: Kemi kompetenca të plota kushtetuese

    Kryetari i Zubin Potokut: Kemi kompetenca të plota kushtetuese

    Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i cili u betua në objektin e Zyrës komunale për komunitete në fshatin Çabër, tha se do të shkojnë në objektin e Komunës së Zubin Potokut. Ai tha se të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës, do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti i tij.

    Pas betimit, Zeqiri tha se është kryetar me kompetenca të plota kushtetuese dhe se do ta zbatojë ligjin e Kosovës në formën më të mirë të mundshme.

    “Nuk do të thotë sot apo nesër, mirëpo do të shkojmë në Komunë të Zubin Potokut, do të jenë të gjithë objektet që i takojnë qytetarëve dhe komunës do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti. Nuk e shoh edhe aq shumë të rëndësishme ku dhe mbahet betimi, e shoh të rëndësishëm që së shpejti do të jenë në posedim, të gjithë at zyre dhe dikasteret do të drejtohen me ligjet e Republikës së Kosovës”, tha ai kur u pyet se kur do të shkojë në objektin e Komunës së Zubin Potokut.

    Ai tha kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore kanë kompetenca të plota kushtetuese.

    “Ne jemi kryetarë me kompetenca të plota kushtetuese mirëpo do të jemi në harmoni të plotë me të gjithë faktorët relevantë që janë, edhe në komunë por edhe në qeverisje, unë do të zbatoj ligjin në formën më të mirë të mundshëm…Deri më tani mund të themi se marrëdhëniet etnike mes neve janë të mira, do të përpiqemi t’i bëjmë të shkëlqyera”, tha ai.

    Ndërsa i pyetur se cilat do të jenë vendimet e para që do t’i marrë, Zeqiri tha se është në përpjekje të shtrijë komunikimin me shumicën serbe në këtë komunë.

    “Unë dhe kabineti im jemi në përpjekje të shtrijmë një komunikim me shumicën serbe, meqenëse dihet situata e bojkotit, jemi të hapur për të gjithë ata profesionistë të na bashkohen në kabinetin qeverisës, jam në pritje edhe një kohë të shkurtë do të presim do të ofertojmë, jemi të hapur, ani pse ndoshta gjatë procesit zgjedhor kanë bojkotuar, mirëpo ne jemi të hapur sikur të ishim bashkë të votuar, uroj të kemi në kabinetin tim shumicën e drejtimit të dikastereve ta drejtojnë profesionistë të shumicës serbe, ashtu qysh edhe neve i kemi raportet etnike, po flas këtu si pakicë, unë uroj që një shumicë të dikastereve të drejtojnë serbët”, tha ai.

    Zeqiri është kryetari i dytë që u betua pas zgjedhjeve të 23 prillit të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës, pas betimit të kryetarit të veriut të Mitrovicës, Erden Atiq.

    Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kishin dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.

    Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që obligonte qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

  • ​AAK e quan të paaftë dhe të dështuar ministrinë e Industrisë

    ​AAK e quan të paaftë dhe të dështuar ministrinë e Industrisë

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj e ka quajtur sot ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si ministri të paaftësisë.

    Në seancën e sotme plenare të Kuvendit, Lekaj ka thënë se kjo ministri, nuk i ka sjellur asnjë punë të mirë Kosovës.

    “Shefja e grupit parlamentar të LVV e dini edhe ju që vetë fjalës së vetë nuk i besoj se nuk ka çka të mbroj se vetë ka qenë ministre e kësaj ministrie dhe mendoj se kot edhe në fjalimin e saj bëri të qeshura…ne si spektër politik, por edhe qytetarët e Kosovës definitivisht janë pajtuar që institucioni që udhëheqni ju quhet ministri ama emrin e vërtetë e ka ministria e paaftësisë. Një ministri e dështuar në palcë, e cila nuk qenë në gjendje një punë të hajrit me ia sjell Kosovës që tri vite. A e keni pyetur ndonjëherë veten se kur të largoheni nga kjo pozitë për çfarë do të mbaheni mend? Ne si AAK vlerësojmë që është mëkat politik dhe shtetëror që një ministrie bazë e shtetit me të gjithë ato potencialet që ka duke e ditur gjendjen e dobët sociale të qytetarëve, duke ditur krizën e ekonomike nuk keni qenë në gjendje të merrni vendime të zbusni sadopak krizën që e ka kapluar Kosovën në këto dy vite”, ka theksuar Lekaj.

  • Pejë, arrestohet njё person i dyshuar për vjedhje

    Pejë, arrestohet njё person i dyshuar për vjedhje

    Policia ka informuar sot se një person, i dyshuar për vjedhje është arrestuar në Pejë.

    I arrestuari është personi me inicialet R.B (1984), i dyshuar për dy raste të veprës penale “Vjedhje”.

    “Me datën 24.05.2023, në Stacionin Policor në Pejë, ёshtё paraqitur viktima, i cili deklaron se me datё 22.05.2023 rreth orёs 22:30, ka vërejtur se iu janё vjedhur njё palё mbathje (Puma), me vlerё shtatёdhjetё e tetё (78) euro, dhe përmes video incizimeve vërehet personi i dyshuar. Me datën e njëjtë, nё Stacionin Policor nё Pejё, ёshtё paraqitur edhe njё viktimё e cila deklaron se nga po i njëjti person i dyshuar iu ёshtё vjedhur çanta e krahut sё bashku me njëqind (100) euro, pasaporta dhe letërnjoftimi”, ka bërë të ditur Policia.

    Pas intervistimit nga hetuesit, me vendim tё Prokurorit tё shtetit i dyshuari ёshtё dёrguar nё mbajtje pёr 48-orё.

  • Selvete Kelmendi zgjidhet kryesuese e Kuvendit Komunal të Zveçanit

    Selvete Kelmendi zgjidhet kryesuese e Kuvendit Komunal të Zveçanit

    Selvete Klemendi është zgjedhur kryesuese e kuvendit, ndërsa nënkryetari nuk është zgjedhur ende, raporton Ekonomia Online.

    Paraprakisht mbajt ceremonia e betimit në komunën e Zveçanit, derisa kryetari i zgjedhur Ilir Peci u betua në shkollën “Isa Boletini”.

    Në këtë seancë përveç kryetarit janë betuar edhe asamblistët e kësaj komune.

    Gjithashtu është betuar edhe kryetari i ri i Zubin Potokut Izmir Zeqiri.

  • Ilir Peci betohet si kryetar i ri i Zveçanit

    Ilir Peci betohet si kryetar i ri i Zveçanit

    Ilir Peci është betuar si kryetar i ri i Komunës së Zveçanit para 19 vota asamblistëve.

    Përveç kryetarit Peci, në këtë seancë janë betuar edhe asamblistët e kësaj komune.

    Edhe Izmir Zeqiri i PDK-ës është betuar si kryetar i Zubin Potokut në një seancë solemne në zyrat e lokale në fshatin Çabër të kësaj komune.

    Ndërsa në ora 13:00 do të betohet edhe Lulzim Hetemi i Lëvizjes Vetëvendosje.

    Betohet kryetari i ri i Zubin Potokut ,​Izmir Zeqiri