ATV

Author: G.O.

  • Situata në veri, Kurti takohet me ambasadorin e Francës dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë

    Situata në veri, Kurti takohet me ambasadorin e Francës dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim sot në mëngjes Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot dhe zëvendësambasadorin gjerman në Kosovë, Matthias Conrad.

    Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit në tre komunat në veri të vendit pas ditës së parë të punës së kryetarëve të rinj dhe dhuna e shkaktuar ndaj ushtarëve të KFOR-it, policëve të Kosovës dhe gazetarëve nga grupe ekstremiste serbe.

    U pajtuan për rëndësinë jetike të de-eskalimit të situatës. Kryeministri i njoftoi për profesionalizmin e lartë dhe integritetin e padiskutueshëm të Policisë së Kosovës në menaxhimin e situatës pa asnjë gabim apo defekt.

    Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen. U theksua gjithashtu nevoja për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Aneksit të saj.

    Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin dhe zëvendësambasadorin për interesimin e vazhdueshëm të Francës dhe Gjermanisë si dhe kontributin e tyre.

  • Prishtinë: Vrau bashkëshorten me sëpatë, dënohet me 25 vjet burgim i akuzuari

    Prishtinë: Vrau bashkëshorten me sëpatë, dënohet me 25 vjet burgim i akuzuari

    Gjykata Themelore në Prishtinë, njoftoi se është dënuar me 25 vjet burgim I.G., i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes së tij.

    I akuzuari kishte vrarë më sëpatë bashkëshorten e tij, derisa ajo ishte në gjumë.

    Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se I.G ka pranuar fajësinë për vrasjen e bashkëshortes së tij, transmeton Telegrafi.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit I.G për veprën penale Vrasje e rëndë, nga neni 173 paragrafi 1 pikat 1.3 dhe 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Më datë 30.05.2023 gjykata ka mbajtur shqyrtimin fillestar në këtë çështje penale, në të cilin i akuzuari I.G ka pranuar fajësinë, ndërsa me datë 31.05.2023 gjykata ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër akuzuarit I.G. i cili është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vite, të akuzuarit i është vazhduar masa e paraburgimit”, thuhet në njoftim.

    Gjykata bën të ditur se, i akuzuari I.G me datë 25.11.2022 rreth orës 04:00, në shtëpinë e tij në Prishtinë, në mënyrë mizore dhe dinake, kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G, në atë mënyrë që derisa e ndjera kishte qenë duke fjetur, i akuzuari e kishte goditur me sëpatë disa herë në pjesën e majtë të kokës dhe si pasojë e këtyre goditjeve, e ndjera S.G kishte ndërruar jetë.

    “Kjo gjendje faktike është vërtetuar pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari dhe provat materiale që gjenden në shkresat e lëndës”.

    Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Ndryshe, rasti tragjik kishte ndodhur në nëntor të vitit 2022, viktima kishte qenë mësimdhënëse. Për vrasjen e saj ka pasur reagime të shumta.

  • Përleshje mes katër personave në Obiliq, dy prej tyre dërgohen në mbajtje

    Përleshje mes katër personave në Obiliq, dy prej tyre dërgohen në mbajtje

    Dy persona kanë pësuar lëndime trupore, si pasojë e një përleshje që ka ndodhur mes katër personave, njoftoi Policia e Kosovës.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Obiliq.

    Siç njoftoi Policia, të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa dy nga të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje./atvlive.tv./

  • Në Zelandën e Re do të peshohen edhe pasagjerët para se të hipin në aeroplan, kjo është arsyeja

    Në Zelandën e Re do të peshohen edhe pasagjerët para se të hipin në aeroplan, kjo është arsyeja

    Autoritetet e Aviacionit Civil të Zelandës së Re po kërkojnë që linja ajrore e saj kombëtare të peshojë pasagjerët që nisen në fluturimet ndërkombëtare nga Aeroporti Ndërkombëtar i Auckland deri më 2 korrik 2023.

    Sipas programit, të cilin Air New Zealand e quan si një studim i peshës së pasagjerëve, është mënyra për të mbledhur të dhëna mbi ngarkesën dhe shpërndarjen e peshës për avionët.

    “Ne peshojmë në aeroplan – nga ngarkesa te ushqimet në bord te bagazhet”, tha në një deklaratë Alastair James, specialisti i përmirësimit të kontrollit të ngarkesës në linjën ajrore. “Për klientët, ekuipazhin dhe çantat e kabinës, ne përdorim peshat mesatare, të cilat i marrim nga kryerja e këtij studimi.”

    Megjithëse, për pasagjerët pesha është një gjë personale që jo të gjithë dëshirojnë ta zbulojnë. E kjo patjetër për të mbrojtur privatësinë e individëve, mirëpo nga linja ajrore thonë se i ka bërë të dhënat anonime.

    Kështu që udhëtarëve do t’u kërkohet që të qëndrojnë në një peshore dixhitale para se të bëjnë check-in për fluturimin e tyre. Informacioni për peshën e tyre më pas dorëzohet në sondazh, por nuk do të shihet në ekranin e agjentit.

    Gjithashtu do të vendosin bagazhin e tyre në një peshore tjetër identike për peshim të veçantë.

    “Ne e dimë se të shkelësh në peshore mund të jetë e frikshme. Ne duam të sigurojmë klientët tanë se nuk ka asnjë ekran të dukshëm askund. Askush nuk mund ta shohë peshën tuaj, madje as ne”, tha James.

    Kjo nuk është hera e parë që Air NZ u ka kërkuar pasagjerëve të tyre të hipin në peshore përpara se të nisen për në destinacionet e tyre. Pasagjerët vendas morën pjesë në një sondazh në vitin 2021, por ai për udhëtarët ndërkombëtarë u vonua për shkak të pandemisë.

    Midis njerëzve të cilëve mund t’u kërkohet të marrin pjesë në sondazh janë ata që udhëtojnë me fluturimin direkt nga Auckland në aeroportin e Nju Jorkut.

    Itinerari kryesor 17-orësh u lançua vjeshtën e kaluar si një bazë e strategjisë së Air NZ pas pandemisë. Është gjithashtu një nga fluturimet më të gjata në botë./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Të rinjtë “e vetmuar” të Koresë së Jugut

    Të rinjtë “e vetmuar” të Koresë së Jugut

    Shoqëria gjithnjë e më individualiste drejt së cilës ne ecim po vihet re me më shumë forcë në Korenë e Jugut.

    Atje, rreth 3% e popullsisë midis moshës 19 dhe 39 vjeç jeton në vetmi absolute, të izoluar nga pjesa tjetër e shoqërisë.

    Ata e bëjnë këtë nga paaftësia për t’u përshtatur me shoqërinë dhe për të arritur suksesin e vendosur nga standardet atje.

    Ata njihen si “hikikomori”, një term i krijuar për herë të parë në Japoni, në vitet ‘90.

    Koreja e Jugut, që po lufton me një nga nivelet më të ulëta të lindshmërisë në botë, po përpiqet ta korrigjojë këtë problem.

    Dhe mënyra që ky vend ka gjetur për momentin është dhënia e një sërë ndihmash financiare për të rinjtë nga mosha 9 deri në 24 vjeç që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta.

    Ata u japin rreth 450 euro në muaj për t’i mbështetur. Objektivi që autoritetet kanë me ta nuk është tjetër veçse t’i inkurajojnë që të “rikuperojnë jetën e tyre të përditshme dhe të riintegrohen në shoqëri”, sipas Ministrisë së Barazisë Gjinore dhe Familjes së Koresë së Jugut.

    Një nga tiparet e përbashkëta që paraqesin këta vetmitarë të rinj është mungesa e besimit në vendimet që kanë marrë. Sipas tyre, ata nuk i kanë respektuar standardet që shoqëria ka vendosur për sukses dhe konsiderojnë se nuk janë përshtatur siç duhet.

    Përveç kësaj, shumë të tjerë kanë marrë kritika për performancën e tyre të dobët akademike gjatë gjithë jetës së tyre studentore. Një problem që bëhet shumë i vështirë për t’u folur në një vend të karakterizuar nga ajo që quhet “kultura e turpit”.

    Këtë e ka shprehur një nga afërsisht 340 000 të rinjtë koreano-jugorë që vuajnë nga ky problem, Yoo Seung-gyu, për BBC.

    “Kultura e turpit në Kore e bën më të vështirë për vetmitarët të flasin për problemet e tyre. Një ditë, sapo arrita në përfundimin se jeta ime po shkonte keq, vendosa të mbyllem. Nuk doja të shikoja as familjarët e mi”, tregon ai.

    Nga ana tjetër, diçka të ngjashme ka treguar edhe një punonjëse e një prej organizatave që kërkon të ndihmojë këta të rinj, Kim Soo Jin. Sipas saj, rinia në përgjithësi ndjen një farë shtypjeje nga standardet shoqërore. Dhe, kur ata vetë nuk i përmbushin pritshmëritë e tyre, mendojnë se kanë dështuar dhe se janë vonë.

    “Ky lloj mjedisi social ul vetëvlerësimin e tyre dhe përfundimisht mund t’i izolojë ata nga shoqëria”, shpjegon Kim.

    Megjithatë, subvencionet shtetërore nuk janë mënyra më optimale për t’i ndihmuar ata të dalin nga kjo situatë. Kjo është shpjeguar nga njerëzit që punojnë në programet e rifutjes së “hikikomori”-ve në shoqëri.

    Sipas tyre, kjo pagesë mujore mund të jetë “hapi i parë” me të cilin do të nisë zgjidhja e problemit. Megjithatë, ekspertët mendojnë se paratë mund të përdoren për lloje të tjera nismash, si financimi i programeve të ndihmës, organizatave ose projekteve që mund të jenë të dobishme për ta./atvlive.tv./

     

  • Promovimi i librit “Lindur së prapthi”

    Promovimi i librit “Lindur së prapthi”

    I promovuar të martën mbrëma në Prishtinë, romani ‘Lindur së prapthi’ mblodhi lexues, shkrimtarë e artistë në Libraninë Dukagjini, për të dëgjuar nga afër rrëfimin e autores Rita Petro.

    Kujtimet nga periudha e diktaturës së Enver Hoxhës, fëmijërinë, adoleshencën dhe rebelimin bashkë më shoqërinë asokohe, poetja nga Shqipëria i shpalosi në bashkëbisedim me shkrimtarin Ag Apollonin.

    “Të gjitha këto kujtime më rrinin në kokë dhe që lexoja shumë libra që ishin shkruar për diktaturën , bisedoja me mikeshat e mia, vizitoja të gjithë njerëzit dhe u thoja ‘ne kujtojmë gjëra, por çdo kujtim që kemi për kohën e diktaturës i diskutojmë o vetëm si kronikë që në fund të fundit pse do bëjmë ne letërsi kur ato i gjejmë nëpër të gjitha, do të shikosh se si ka rënë busti i Enver Hoxhës, do të shikosh se çfarë ka ndodhur me kronikat e atyre që janë dënuar, me të gjithë të arrestuarit e gjithçka tjetër, për ato mund t’i lexosh gazetat”, tha autorja Rita Petro.

    Ky roman provokon lexuesin përmes erotikës, revolucionit dhe shkrimit të lirë, sepse liria është diçka që autorja gjithmonë e ka ndjekur.

    “Shkrimtari i madh e shikon vajzën e bukur, e shikon edhe lakuri dhe nuk e prekë me dorë, por i bënë krahasime dhe është një dallim shumë i madh. Është tjetër dallimi kur dikush të fut duart për të arritur qëllimin e vet. Ti do ke shkuar atje për të botuar poezitë dhe gjëra të tilla ndodhin në zyrat e shtetit, kanë ndodhur dhe do të vazhdojnë të ndodhin, kur shumë meshkuj, s’mund të them shumë femra, ka disa por janë shumë pak në krahasim me meshkujt, të cilët përdorin, ushtrojnë autoritetin e tyre për të arritur qëllimin me vajzat e reja”, tha autorja.

    Si ndër më të njohurat në letërsinë e sotme shqipe, e cila për lexuesit njihet për poezitë e saj rebeluese, kësaj here përjetimet e saj i ka ndarë me ne përmes prozës.

    Krijimtaria e saj është e shtrirë edhe në Kosovë, me bashkëpunime të shumta me kolegë e shtëpi botuese.

    Profesori i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, Ag Apolloni, ‘Lindur së prapthi”, e konsideron si libër që i provokon burrat dhe i inkurajon gratë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Pse na zë lemza dhe si mund ta largojmë atë

    Pse na zë lemza dhe si mund ta largojmë atë

    Një herë është normale, dy herë mund të duket qesharake, por nëse ndodh akoma më shpesh bëhet thjesht e bezdisshme.

    Të gjithëve mund të na zërë lemza herë pas here. Tinguj të çuditshëm që dalin nga goja pa paralajmërim janë deri në një pikë normale. Po nëse lemza bëhet e shpeshtë?

    Lemza mund të ndodhë për shumë arsye — disa prej tyre janë fizike dhe disa emocionale. Kjo për shkak se acarimi që shkakton lemzën ndodh në nervin që lidh trurin me diafragmën.

    Zakonisht lemza largohet pas disa minutave. Vetëm në raste të rralla ajo është shenjë e ndonjë problemi shëndetësor më serioz, shkruan femina. Nëse lemza nuk ndalon në kohë prej 48 orëve, kërkoni ndihmë mjekësore.

    Ekzistojnë më shumë mënyra të ndryshme me të cilat mund të ndaloni lemzën.

    Merrni frymë dhe mbajeni në vete sa më gjatë.

    Merrni frymë thellë dhe numëroni ngadalë deri më 10 para se ta lëshoni frymën.

    Përsëriteni 3-4 herë, pini ujë të ftohtë, hani një lugë sheqer ose mjaltë.

    Hani një copë limon ose pini një lugë të vogël uthull. Shija e tyre acidike ndihmon që të liroheni nga lemza.

    Tërhiqni gjunjët kah gjoksi dhe shtrëngoni me duar.

    Mbyllni kanalet e veshëve ngadalë, duke vendosur gishtërinjtë në vesh dhe kështu mbajini 20 – 30 sekonda.

    Shumica thonë se ky është “ilaçi” për lemzën e pakëndshme.

    Disa kushte mjekësore, si refluksi, mund të jenë një shkaktar, ndërsa lemza mund të jetë një efekt anësor i disa ilaçeve.

    Një nga medikamentet më të njohura për lemzën janë benzodiazepinat, të cilat përdoren për trajtimin e ankthit./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot kryesisht me intervale të lehta me diell por edhe vranësira të herëpashershme.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 12 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 25 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë me vranësira dhe me reshje shiu në disa zona të caktuara. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 11 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prizren me 26 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Shkodër me 29 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Kryesia e Kuvendit mblidhet sot, këto janë të gjitha pikat e rendit që pritet të shqyrtohen

    Kryesia e Kuvendit mblidhet sot, këto janë të gjitha pikat e rendit që pritet të shqyrtohen

    Sot, ditë e hënë do të mblidhet Kryesia e Kuvendit. Takimi është paralajmëruar se do të fillojë nga ora 11:00.

    Në këtë mbledhje pritet të shqyrtohen disa pika të rendit, ndër të cilat janë shqyrtimi i Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

    Rendi i ditës:

    1. Miratimi i procesverbaleve nga mbledhjet e mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,
    2. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 shkurt dhe 3 maj 2023:
    3. Shqyrtimi i Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

    III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 mars dhe 24 e 25 maj 2023:

    1. Votimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
    2. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave,
    3. Zgjedhja e një (1) zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë,
    4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-210 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë,
    5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-218 për organizimin e tregut për produktet bujqësore,
    6. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.
    7. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 6 dhe 7 prill 2023:

    Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,
    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-110 për Agjencinë e Kosovës për Akreditim,
    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-155 për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut,
    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-081 për energjinë,
    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-160 për pensionet e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore,
    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-220 për çmimin e produkteve medicinale,

    1. Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me auditimin e procesit të shitjeve me negocim direkt në Agjencinë Kosovare të Privatizimit,
    2. Shqyrtimi i propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të seancës plenare, nr.08-V-321, i datës 23 qershor 2022.
    3. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 20 prill 2023:
    4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,
    5. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,
    6. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-184 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje,
    7. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
    8. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 26 prill 2023:

    Votimi i Propozim Rezolutës nga debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.
    VII. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 4 maj 2023:

    1. Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,
    2. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-153 për edukimin në fëmijërinë e hershme,
    3. Shqyrtimi i parë i Projektligji nr.08/L-219 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/l-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-172,
    4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-224 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme,
    5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-225 për Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes,
    6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
    7. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.21/136, datë 22.03.2023 për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) me seli në Mitrovicë si Institucion i arsimit të Lartë,
    8. Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.

    VIII. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:

    1. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

    Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    Pyetjet parlamentare,
    Votimi për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-214 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-163 për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-158,
    Interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”,
    Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti në lidhje me çështjen: ”Përgjegjësia e tij në raport me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Kroaci, z. Martin Berishaj”,
    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-226 për ratifikimin e “Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2022”,
    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-229 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë për zbatimin e ndërsjellë të aktgjykimeve në çështjet penale,
    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-230 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë mbi ekstradimin,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-231 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale,

    1. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-232 për aderimin në Marrëveshjen për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e zhdukur,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-192 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit,
    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-176 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr. 05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative,
    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-202 për Kinomatografinë,
    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës,
    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-205 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,
    Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2023-2027,
    Shqyrtimi i Projekt Deklaratës për antisemitizmin,

    1. Propozimi i një (1) kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës,

    Shqyrtimi i propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-336, të Seancës plenare të datës 21.07.2022,
    Shqyrtimi i kërkesës së Komisionit Ad-Hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar, për zgjatjen e mandatit,
    Emërimi i dy (2) anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
    Shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të KRM Pastrimi Sh.A, për vitin 2021,

    1. Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

    ​IX. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

  • Protestuesit serbë fillojnë të mblidhen në veri

    Protestuesit serbë fillojnë të mblidhen në veri

    Në ditën e njëmbëdhjetë të protestës, protestuesit në komunat veriore të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë filluar të mblidhen edhe sot para ndërtesave komunale.

    Nata e mbrëmshme ka kaluar e qetë në këto komuna.

    Për dallim nga herat tjera, gjatë ditës së djeshme në komunën e Zubin Potokut nuk ka pasur protestues, ndërsa qytetarët serbë kanë festuar “Ditën e përkujtimeve’.

    Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave komunale në ruajtje të rendit.

    Aktualisht situata e përgjithshme në këto tre komuna paraqitet e qetë.