ATV

Author: G.O.

  • Dita Botërore e Sigurisë së Ushqimit

    Dita Botërore e Sigurisë së Ushqimit

    Siguria e ushqimit dhe të ushqyerit e drejtë janë parakushte themelore për shëndet dhe mirëqeni të popullatës së një vendi dhe duhet të integrohen në të gjitha politikat, jo vetëm në ato shëndetësore, por edhe në ekonominë, bujqësinë, turizmin dhe tregtinë e një vendi.

    Në 20 dhjetor të vitit 2018 sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 73/250 për caktimin e Ditës Botërore të sigurisë së ushqimit. Kështu, duke filluar nga viti 2019, 7 qershori do jetë ditë e cila do shënohet me aktivitete të cilat i theksojnë përfitimet nga ushqimi i sigurt, por edhe lëshimet dhe mangësitë eventuale në zinxhirin e ushqimit të sigurt.

    Ushqimi i sigurt ka një rëndësi qenësore për promovimin e shëndetit dhe eliminimin e urisë – dy qëllimet kryesore të Agjendës për vitin 2030. Pa siguri të ushqimit nuk mund të ketë mjaftueshëm ushqim të sigurt. Në këtë botë ku zinxhiri ushqimor bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar, çdo incident negativ në sigurinë e ushqimit mund të ketë efekte negative globale ndaj shëndetit të njeriut, tregtisë dhe ekonomisë.

    Sëmundjet lidhur me ushqimin jo të sigurt zakonisht shkaktohen nga baktere, viruse, parazitë ose substanca kimike të cilat i fusim në organizëm përmes ushqimit ose ujit të kontaminuar. 600 milionë njerëz ose 1 në 10 njerëz në botë sëmuren si pasojë e konsumimit të ushqimit të kontaminuar dhe në vit vdesin rreth 420 000. Në këtë grup, fëmijët deri në moshën 5 vjeçare marrin pjesë me 40 % në ngarkesën me sëmundjet që burojnë nga ushqimi jo i sigurt, ose 125 000 raste të vdekjes në vit.

    Në vitin 2010 shkak kryesor i mortalitetit sa i përket sëmundjeve që burojnë nga ushqimi jo i sigurt në rajonin evropian është Salmonella enterica me 1854 raste të vdekjes, Campylobacter spp me 459, Norovirises 435, Listeria monocytogenes 399, Echinocoocus multilocularis 239, Hepatitis A 195, Brucella spp 191 (Тhe burden of foodborne diseases in the WHO European Region. Copenhagen 2017).

  • Dobitë nga lëngu i selinos

    Dobitë nga lëngu i selinos

    Ju mund të dëgjoni informacione të ndryshme rreth lëngjeve dhe smoothie-ve në përgjithësi.

    Nuk rekomandohet të zëvendësojnë vaktet por shtimi i lëngut në dietën tuaj të shëndetshme është një mënyrë e shkëlqyeshme për të marrë më shumë antioksidantë.

    Ndër lëngjet më të mira për ta nisur ditën është edhe ai me selino.

    Me siguri keni dëgjuar për këtë lëng “mrekullie” deri tani. Është shfaqur nëpër internet për më shumë se një vit dhe tani edhe Medium Medical e mbështetë atë.

    Gjëja më e mirë në lidhje me të është dobia që sjellë për shpëlarjen e mëlçisë tuaj, e cila mund të mbështetet pak nga mënyra e jetesës sonë toksike.

    Mbani në mend, lëngu i selinos ofron pak kalori, kështu që mënyra më e mirë për ta përdorur atë është 15 deri në 30 minuta pasi të zgjoheni.

  • Dugolli e akuzon për kërcenim verbal, Bekë Berisha e mohon

    Dugolli e akuzon për kërcenim verbal, Bekë Berisha e mohon

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, deklaroi se gjatë mbledhjes së Komisionit për Çështje të Sigurisë është kërcënuar verbalisht nga kryetari Bekë Berisha. Për këtë të fundit ai tha se ka shkelur rregulloren e Kuvendit, duke ndezur cigaren në sallën ku po mbahej mbledhja. Por, Berisha ka mohuar se ka ndodhur një gjë e tillë dhe sipas tij, Dugolli po viktimizohet për të fituar edhe një mandat tjetër të deputetit.

    “Deputeti Dugolli e ka shumë problem zgjedhjen edhe një mandat dhe tash zgjedhjet janë afër, këta kanë dështuar në çdo aspekt. Edhe në këtë formë do të mundohet tash e tutje edhe deputetët tjerë me nxjerrë këso gënjeshtra, që të mund të marrin edhe ndonjë votë. Përndryshe unë dua ta pyes se çfarë problemi ke tash, nëse dëshiron me marrë ndonjë votë dil rrej diku tjetër apo gjej ndonjë formë tjetër. Sepse kjo puna e viktimizimit është konsumuar në Kosovë. Nuk është e vërtetë as që e ka kërcënuar kush, jam kryetar i komisionit fjalën ja dha atij edhe pse është nënkryetar. Kur jam duke folur nuk dëshiroj me më ndërhyrë. I kam thënë që ti je përkrahës i qeverisë, nuk të intereson Kosova, por të intereson se si ta fitojë edhe një mandat edhe me marrë atë rrogë edhe me kry ndonjë punë në ndonjë ministri”, deklaroi ai.

    Ai tha se në raportimin e drejtorit me dyer të mbyllura është diskutuar për organizimin që e ka bërë Policia e Kosovës në veri.

    “Sipas raportimeve të policisë, përgatitja e Policisë së Kosovës ka qenë në nivelin e duhur dhe operacionet kanë shkuar ashtu si i kanë menduar. Ka pasur moral të lartë të PK-së, mirëpo shqetësimi im është se u bërë ky ushtrim disa herë edhe në fund vetëm po keqpërdoret politikisht. Kryeministri Kurti ka disa herë që po e dërgon Policinë e Kosovës atje dhe ata po kthehen. Parlamenti i Kosovës, deputetët e pozitës po din të japin fjalime të forta prej këtu, kryeministri Kurti po din të bëjë fjalime politike dhe lojëra politike, mirëpo në kurrizin e atyre që kanë shumë nevoja dhe janë në vijë të parë të frontit”, deklaroi Berisha.

    Në Komisionin për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes ka raportuar drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

    Ai ka kërkuar që në diskutimin për situatën në veri, mbledhja e komisionit të mbahet e mbyllur për media.

    Dugolli: Bekë Berisha ndezi cigare në Komision, më kërcënoi verbalisht: Veç je i sëmurë se ta tregojë vendin

  • Gërvalla: Zgjedhjet në veri të mbahen, por duhen veprime paraprake

    Gërvalla: Zgjedhjet në veri të mbahen, por duhen veprime paraprake

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se Kosova është e hapur për ndonjë mundësi të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në komunat veriore, por siç tha ajo, duhet të merren hapa të tjerë para kësaj.

    Pas takimit me homologun çek, Jan Lipavsky, Gërvalla tha të martën se Kosovës i duhet një angazhim nga Serbia që ata të mos i kërcënojnë më serbët e Kosovës “për të mos marrë pjesë në zgjedhje”.

    “Po, ne jemi të hapur për zgjedhje në këto katër komuna, por për të pasur zgjedhje të reja na duhen hapa në mes”, është shprehur ajo, raportoi Reuters.

    Gërvalla theksoi se njerëzit nuk duhet të ndjejnë kërcënimin e dhunës së turmës.

    Të dërguarit ndërkombëtarë i kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të shtensionojnë situatën në veri dhe t’i organizojnë zgjedhjet në veri.Në zgjedhjet e 23 prillit pati dalje të ulët të votuesve, pasi Beogradi zyrtar u pati bërë thirrje serbëve të Kosovës t’i refuzojnë ato.

  • Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Australisë, Richard Rodgers

    Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Australisë, Richard Rodgers

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Australisë, Richard Rodgers, të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve tona.

    Presidentja Osmani ka falënderuar Australinë për mbështetjen e palëkundur për Kosovën përgjatë viteve, duke potencuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së mëtejme në rrugën drejt anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe forcimit të pozitës sonë ndërkombëtare.

    Në raport me zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Republikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon dhe Evropë. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka folur mbi rëndësinë e bashkëpunimit në mes të shteteve demokratike dhe paqedashëse për t’i kundërshtuar përpjekjet e vazhdueshme të forcave keqdashëse jodemokratike.

    Presidentja Osmani potencoi se Australia ka qenë dhe mbetet një shtet mik dhe aleat strategjik i Kosovës. Me ambasadorin Rodgers u dakorduan për koordinim të ngushtë drejt hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit, përfshirë edhe projektet e përbashkëta për fuqizimin e grave dhe vajzave, dhe projekte tjera të interesit të dyanshëm.

  • Ngriten çmimet e prodhimit 3.2 për qind në Kosovë

    Ngriten çmimet e prodhimit 3.2 për qind në Kosovë

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimit për tremujorin e parë të vitit 2023.

    Indeksi i tërësishëm i çmimeve të prodhimit në Kosovë u ngrit për 3.2 për qind në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022.

    Sipas raportit të ASK-së, ngritje më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: nxjerrja e xehes së metalit 15.0%, prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës 11.6%, përpunimi i produkteve ushqimore 7.9%, prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t 7.1%, prodhimi i pijeve 6.8%, prodhimi produkteve kimike 6.0%, prodhimi i mjeteve motorike të transportit, rimorkiove dhe gjysmë rimorkiove 4.6%.

    Po ashtu sipas raportit, grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë pësoi ngritje 4.6%, prodhimi i produkteve minerale jo metalike 4.2%, prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës 3.3%, xeheroret dhe guroret e tjera 3.2%, prodhimi i pajisjeve elektrike 2.4%, prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse 1.8%, prodhimi i mobilieve 0.8%, dhe energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar 0.6%.

    “Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve te: prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve 2.4%, prodhimi produkteve të lëkurës dhe produkteve prej lëkurës 1.4%, dhe prodhimi i metaleve 0.7%.

    Ndërkaq, krahasuar TM1 2023 me TM1 2022, çmimet e prodhimit pësuan rënie në një mesatare prej 0.1%.

    Sipas ASK, rënie më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te:energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar 14.8%, prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve 3.1%,prodhimi i metaleve 2.5%, prodhimi i produkteve të lëkurës dhe produkteve prej lëkurës 0.6%, dhe prodhimi i mobilieve (-0.3%).

    ”Rënia u neutralizua nga ngritja e çmimeve te:prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës (24.5%);xeheroret dhe guroret e tjera (20.9%);prodhimi i pijeve (9.6%);prodhimi i produkteve kimike (9.6%);përpunimi i produkteve ushqimore (9.1%);nxjerrja e xehes së metalit (8.4%);prodhimi i produkteve minerale jo metalike (5.8%);prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (5.8%);prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës (5.1%);prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse (4.6%);grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë (4.6%);prodhimi i mjeteve motorike të (transportit), rimorkiove dhe gjysmë rimorkiove (2.7%); dhe prodhimi i pajisjeve elektrike (1.2%)”, thuhet në njoftim.

  • Escobar thotë se marrëveshja për veri më së voni nesër, ShBA-ja nuk e pret Kurtin përgjithmonë

    Escobar thotë se marrëveshja për veri më së voni nesër, ShBA-ja nuk e pret Kurtin përgjithmonë

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja presin që më së largu nesër (të mërkurën) të arrihet një marrëveshje për qetësim të situatës në veri. Kjo nënkupton se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të pajtohet me tri pikat/kushtet që dy emisarët, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak ia kumtuan atij, në takimin e së hënës.

    Ato janë qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe dhe kthimi në dialog me Serbinë.

    Amerikani Escobar tha sot gjatë një takimi me gazetarë që nëse Kurti nuk i pranon këto tri kushte, atëherë i bie që ai nuk dëshiron bashkëpunim me SHBA-në dhe BE-në dhe se kjo, gjithnjë sipas tij, nuk mund të kalojë pa pasoja, njofton Klan Kosova.

    Ai ka shtuar që vendi i tij, Unioni Evropian dhe krejt partnerët ndërkombëtarë janë bashkë dhe me një qëndrim në kërkesat për qetësim dhe normalizim të situatës dhe nëse kjo nuk ndodh, por përkeqësohen raportet, atëherë pasojat për Kosovën do të jenë afatgjata.

    Teksa ka folur për pasojat, Escobar ka thënë se ato nuk janë të drejtuara ndaj popullit të Kosovës, pasi, siç ka thënë, Amerika ka marrëdhënieve të shkëlqyera me kosovarët. Për më tepër, ai ka shtuar se çfarëdo që qeveria e shtetit të tij ka me kryeministrin Albin Kurti, nuk do ta afektojë popullin.

    I njëjti tha se ka politikanë që duan ta mbajnë gjallë konfliktin e Kosovës me aleatët e saj, sepse kjo sipas tij, i mban në pushtet dhe i bënë të pasur. Escobar shtoi se SHBA dhe BE-ja nuk do të rrinë duke pritur përgjithmonë asnjë individ që nuk bashkëpunon dhe se Uashingtoni gjithmonë do të jetë me popullin e kosovës.

    I dërguari amerikan për dialogun deklaroi se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të prezantohet menjëherë nga qeveria. SHBA-ja dhe BE-ja presin që kjo të ndodh shpejt, veçse, sikur potencoi Escobar, mbetet të shihet me kë.

    Ai tha që nëse palët (Kosova dhe Serbia) nuk i përmbahen Marrëveshjes së Brukselit, i bie se po e refuzojnë BE-në. Po ashtu, amerikani shtoi se Aleksandar Vuciq nuk mudn të ketë të drejtë vetoje se kur mbahen zgjedhjet për katër komunat në veri të Kosovës ndërsa shtoi se kjo dritare i mbyllet nëse Kosova bashkëpunon duke e themeluar Asociacionin.

  • Anulohet seanca e fillestare ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

    Anulohet seanca e fillestare ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

    Seanca fillestare e paraparë të mbahej sot, më 6 qershor ndaj tre të akuzuarve Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, është anuluar për shkak se Prokuroria ende nuk ua ka siguruar mbrojtjes provat e propozuara në aktakuzë.

    Njoftimin për anulimin e seancës për “Betimi për Drejtësi”, e ka bërë të ditur kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova.

    Për vrasjen e cila kishte ndodhur më 26 nëntor 2021 në Gllogjan, ku kishin mbetur të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit po akuzohen Kastriot Mehmetaj, Kreshnik Mehmetaj dhe Halil Mehmetaj.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Kreshnik Mehmetaj, avokati Sylë Lokal, përmes parashtresës së datës 5 qershor 2023, kishte njoftuar gjykatën se pas kërkesës së tij në seancën fillestare të 24 majit për sigurimin e dëshmive të propozuara në aktakuzë nuk u janë dorëzuar.

    Sipas parashtresës, prokuroria mbrojtjes i ka dorëzuar dy CD me dëshmitë e dëshmitarëve të dhënë në polici, ndërkaq nuk i ka dorëzuar dëshmitë e tyre të dhëna në prokurori.

    Gjithashtu ai kishte cekur se mbrojtjes nuk u janë dorëzuar as deklaratat e dëshmitarëve që nuk janë propozuar në aktakuzë si dëshmitarë, por dëshmitë e tyre janë përshkruar në arsyetimin e aktakuzës.

    Andaj, për këto arsye të cekura më lartë, gjyqtarja tha se është lajmëruar prokurorja e shtetit Sahide Gashi, që mbrojtësve t’ua siguron të gjitha provat e kërkuara dhe ato të cilat nuk hapen përmes programeve të ngarkuara me anë të CD.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 5 maj 2023, në një konferencë për medie, ka bërë të ditur që lidhur me vrasjen e trefishtë më 26 nëntor 2021 në Gllogjan, është ngritur aktakuzë ndaj Kreshnik e Kastriot Mehmetajt për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe ndaj Halil Mehmetajt për “Shtytje në kryerje të veprës penale vrasje e rëndë”.

    Në atë konferencë, prokurorja e rastit Sahide Gashi, bëri të ditur se ndaj të pandehurit Malsor Mehmetaj, kanë pushuar hetimet pasi nuk është arritur të vërtetohet dyshimi se i njëjti ka qenë i përfshirë në këtë rast.

    “Pas hetimeve, Prokuroria sot më 5 maj ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themeore në Pejë kundër Kastriot Mehmetaj e Kreshnik Mehmetaj për vepër penale si bashkëkryes të vrasjes së rëndë. Kemi ngritur aktakuzë edhe kundër Halil Mehmetaj për vepër penale shtytje në vrasje të rëndë. Pas përfundimit të hetimeve dhe shqyrtimit të të gjitha provave, Prokuroria për të pandehurin Malsor Mehmetaj nuk ka arritur të vërtetojë dyshimin se i njëjti të ketë qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në krim, andaj Prokuroria ka marrë vendim që kundër tij t’i pushojë hetimet”, tha ajo.

    Prokurorja Gashi, po ashtu ka bërë të ditur për veprimet që janë ndërmarrë në hetimin e rastit.

    “Për shkak të kushteve të rënda atmosferike atë ditë dhe ditëve në vijim, ekzaminimi i vendit të ngjarjes nga njësiti i Forenzikës kanë kryer krehjen e zonës së krimit. Natën kritike është sjellë ekipi i qenve, por për shkak të kushteve atmosferike nuk ka qenë i mundur gjurmimi i kryesve. Pas grumbullimit të të gjitha informatave, provave, kemi mundur të konstatojmë me besueshmëri të lartë se nuk ka indikacione për sulm terrorist, kemi të bëjmë me ekzekutues me shumë gjasë i maskuar. Targeti i sulmit ishte shoferi i autobusit, se kemi të bëjmë me një krim mirë të planifikuar, mbi bazën e treguese si përzgjedhja e vendit ku përveç një vendbanimi të vogël që gjendej në largësi të autobusit, nuk ka asnjë shtëpi; kohën, stinën e dimrit, kushtet atmosferike; kryesi paraprakisht e ka ditur mirë itinerarin e autobusit; veprimet e kryesit, shtirja si person i dehur apo me probleme, që ta detyrojë shoferin që ta ulë shpejtësinë”, ka thënë Gashi.

    Tutje, ajo bëri të ditur se gjatë hetimeve janë proceduar 86 persona, qindra informata, janë analizuar mbi 40 video-incizime nga Gjakova e deri në Gllogjan, teksa shtoi se janë dërguar prova edhe në Zvicër e Shqipëri.

    “Janë siguruar informata nga burime jashtë vendit, kompania Facebook dhe kompania Viber në Luksemburg. Si përfundim, nga të gjitha hetimet kemi arritur që të sigurojmë prova ku e kemi ndërtuar të gjithë ngjarjen e natës kritike”, tha Gashi.

    Ndryshe, tre persona kishin mbetur të vdekur dhe një ishte plagosur, nga sulmi me armë zjarri që kishte ndodhur mbi autobusin me udhëtarë në fshatin Gllogjan të Deçanit më 26 nëntor të vitit 2021.

    Dy nga të vdekurit ishin nxënës, ndërsa personi tretë ishte drejtuesi i autobusit.

    Dy javë pas rastit, ishin arrestuar fillimisht tre të dyshuar për këtë vrasje të trefishtë, ndërsa më 5 shkurt të këtij viti ishte prangosur edhe i dyshuari i katërt.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë më 12 dhjetor 2021, kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

    Në këtë vendim, thuhej se gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, atë të vrasjes së rëndë dhe të armëmbajtjes pa leje.

    Sipas arsyetimit të gjykatës, ekziston rreziku që të dyshuarit të arratisen, të ndikojnë te dëshmitarët apo te të dëmtuarit, të fshehin provat ose të bashkërendojnë mbrojtjen për të pamundësuar zbardhjen e rastit.

  • Konkursi për policë në veri, Hoxha: Ka përfunduar, kanë aplikuar numër i mjaftueshëm

    Konkursi për policë në veri, Hoxha: Ka përfunduar, kanë aplikuar numër i mjaftueshëm

    Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha deklaroi se ka përfunduar konkursi për policë në veri. Ai nuk ka dhënë detaje se sa është numri i kandidatëve që kanë aplikuar për këtë konkurs, veçse tha se ky është numër i mjaftueshëm.

    Kështu njoftoi ai pas përfundimit të komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, ku diskutimi për situatën në veri është bërë me dyer të mbyllura.

    “Ka përfunduar (konkursi për policë) dhe kanë aplikuar numër i mjaftueshëm”, është përgjigjur shkurt ai para mediave.

    Me fillim të raportimit para anëtarëve të komisionit, drejtori i Policisë ka kërkuar që diskutimi për veriun të mos jetë i hapur për media.

    Paraprakisht ai deklaroi se tre muajt e fundit nuk është paguar rrezikshmëria në punë për policët, duke shtuar se presin që gjatë këtij muaji të ndodhë një gjë e tillë. Ai ka folur edhe për mungesën e uniformave, ku u shpreh se ka të bëjë me procedura të tenderimit.

  • ​Nënshkruhet kontrata për përcaktimin e hartave zonale për institucionet shëndetësore

    ​Nënshkruhet kontrata për përcaktimin e hartave zonale për institucionet shëndetësore

    Në Ministrinë e Shëndetësisë është nënshkruar kontratë për “Krijimin e Zonimit në Kujdesin Parësor Shëndetësor“, e cila përcakton hartën zonale për institucionet shëndetësore, koordinata të sakta gjeohapësinore, me qëllim që qytetarët të kenë qasje më të lehtë në institucionet shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSh).

    Sipas MSH-së, kjo do të mundësojë që në të ardhmen planifikimi, administrimi dhe shpërndarja e burimeve të bëhet në bazë të zonës dhe nevojave për shërbime ndaj qytetarëve.

    “Fushëveprimi i projektit “Krijimi i Zonimit në Kujdesin Parësor Shëndetësor” përfshin fillimisht katër komuna (Lipjan, Prizren, Istog dhe Prishtinë), me nga pesë Qendra të Mjekësisë Familjare (QMF). Pas pilotimit do të vlerësohen rezultatet e projektit në mënyrë që të gjeturat pozitive të aplikohen në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Rezultatet nga të dhënat e grumbulluara nga ky pilot-projekt do të mundojnë planifikimin e duhur për shtrirjen në nivel të përgjithshëm, zonimin e KPSh që është një prej hapave më të rëndësishëm në reformën për shëndetësinë, në kuadër të Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh). Gjithashtu, në fazën finale është edhe studimi i fizibilitetit për SISh, ndërsa të gjeturat do të analizohen për të krijuar sistemin e integruar të informimit shëndetësorë për të gjithë qytetarët”, thuhet në komunikatë.