ATV

Author: G.O.

  • Presidentja ​Osmani do t’i adresohet këtë të mërkurë Parlamentit Evropian

    Presidentja ​Osmani do t’i adresohet këtë të mërkurë Parlamentit Evropian

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, do t’i adresohet Parlamentit Evropian këtë të mërkurë. Kjo është hera e parë që një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian.

    Presidentja Osmani do t’i adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo do të shprehë mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Parlamenti Evropian ka ofruar për Kosovën që nga vitet e 90-ta.

    Sipas komunikatës së Presidencës, gjatë qëndrimit në Strasburg, ku po mbahet seanca e Parlamentit Evropian, Presidentja Osmani do të pritet fillimisht nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian.

    Përveç takimeve me përfaqësues të Parlamentit Evropian, gjatë qëndrimit në Strasburg, Presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot me vranësira të herëpashershme dhe gjatë pasdites priten edhe reshje shiu.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 9 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 22 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë me me kushte të njëjta atmosferike. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 12 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prizren me 23 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me temperatura stabile. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 10 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 29 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari i tetë flet për qendrën e ndalimit në Bajgorë

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari i tetë flet për qendrën e ndalimit në Bajgorë

    Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Ndryshe dje ka dëshmuar dëshmitari i tetë i ZPS-së, derisa është ndihmuar nga një mbrojtës kujdestar.

    Dëshmitari tha se në qendrën e ndalimit në Bajgorë, mbaheshin kolaboracionistë apo personat që bashkëpunonin me armikun.

    Po ashtu dëshmitari i tetë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, është përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, lidhur me stërvitjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Bajgorë.

  • Zelensky: Rusia po e vazhdon luftën kundër njerëzve të zakonshëm

    Zelensky: Rusia po e vazhdon luftën kundër njerëzve të zakonshëm

    Rusia ka goditur ndërtesat civile në Kryvyi Rih në Ukrainë, për çka presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se rusët po vazhdojnë luftën kundër njerëzve të zakonshëm.

    “Vrasësit rusë vazhdojnë luftën e tyre kundër ndërtesave të banimit, qyteteve të zakonshme dhe njerëzve”, ka shkruar ai në Telegram.

    Duke u shprehur ngushëllime të gjithë atyre që kanë humbur të dashurit e tyre ai u shpreh se terroristët nuk do të falen kurrë.

    “Ata do të mbahen përgjegjës për çdo raketë që ata lëshojnë”, ka shkruar Zelensky.

  • Aksident trafiku te “Qafa e Duhlës”, përfshihen tri automjete

    Aksident trafiku te “Qafa e Duhlës”, përfshihen tri automjete

    Një aksident trafiku ka ndodhur para pak çastesh te vendi i quajtur ” Qafa e Duhlës”.

    Sipas burimeve të ATV-së, në këtë aksident janë përfshirë dy vetura dhe një kamion, derisa përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar.

    Ndërkohë, sipas burimeve të ATV-së, dyshimet e para që e shkaktuan këtë aksident janë se rruga ishte me “vaj ose naftë”./atvlive.tv/

  • Të mërkurën në Gjakovë mbahet mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri

    Të mërkurën në Gjakovë mbahet mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri

    Të mërkurën, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti bashkë me qeveritë që drejtojnë do të takohen në Gjakovë.

    Kështu është bërë e ditur nga zyra e kryeministrit Kurti.

    “Të mërkurën, më 14.6.2023, në Gjakovë do të mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë”.

    Kujtojmë që të enjten Rama ka njoftuar se i ka propozuar presidentit Macron dhe kancelarit Scholz një draft statut të asociacionit, për të cilin ende nuk është deklaruar Kurti.

  • Dëshmitari i ZPS-së pretendon se në Bajgorë ishte qendër ndalimi ku mbaheshin civilë

    Dëshmitari i ZPS-së pretendon se në Bajgorë ishte qendër ndalimi ku mbaheshin civilë

    Në Gjykatën Speciale ka filluar të dëgjohet dëshmitari i tetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai ka folur për një periudhë kur ai pretendon se në fshatin Bajgorë ka pasur një qendër ndalimi në të cilën sipas tij mbaheshin civilë.

    Në gjykatoren ku të pranishëm janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, dëshmitari i mbrojtur i ZPS-së e ka filluar dëshminë e tij duke folur për disa stërvitje të UÇK-së që sipas tij janë mbajtur në objektin e shkollës në fshatin Bajgorë.

    Ai është duke u përgjigjur në pyetjet e Prokurorisë, dhe sipas tij në atë kohë shkolla ka qenë bazë që i takonte Zonës Operative të Llapit.

    Sipas dëshmitarit, aty ishte i vendosur edhe shtabi i kësaj zone.

    “Ne mëngjes kanë qenë stërvitjet fizike, kemi pasur vrapim, sforcim të turpit, deri në orën 10 të mëngjesit, tani ka qenë pauza një orë një orë e gjysme, kur e kemi bërë edhe kohën e mëngjesit, pas mëngjesit kemi kaluar në stërvitje specifike, në përdorim të armëve gjuajtje me armë, si të bëjmë pastrimin e një arme, si ta çmontojmë një armë, nga armët më të thjeshta deri të armët të cilat i kemi pasur më të avancuara. Pastaj ka pasur edhe shpjegime si të bëhet përgatitja e një bunkeri, përdorimi i minave, përdorimi i armëve të kalibrit më të rëndë, nuk kemi pasur rast ti përdorim sepse kemi pasur mungesë që të tyre pro vetëm si të bëhet montimi apo çmontimi i tyre”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

    Dëshmitari i tetë i cili mban kodin 4323 ka thënë se kishin trajnerë të ndryshëm, në varësi prej ushtrimeve.

    Ai nuk i ka kujtuar emrat e tyre por sipas tij komandat ishte personi i njohur si Remi.

    “Është prezantuar komandant Remi i cili ka qenë komandant i Zonës Operative të Llapit. Në njërën prej këtyre rreshtimeve të mëngjesit është bërë prezantimi i tij… Pas kryerjes së obligimeve të mëngjesit, rutinën ditore të cilën e kemi pasur, çdo herë ka qenë një person i cili e ka pasur një proces të cilin është dashur ta ndjek, në njërën prej këtyre ka qenë edhe prezantimi i komandant Remit i cili është shpjeguar se do të vijë dhe do të prezantohet kush është, ka qenë një fjalim përafërsisht 4-5 minuta, ka qenë fjalim falënderues, për kurajën, ka qenë fjalim informues”, ka thënë dëshmitari.

    Dëshmitari ka thënë se ishte në dijeni për ekzistencën e Zonës Operative të Llapit, edhe para fillimit të stërvitjeve.

    Ai ka thënë se ka marrë pjesë në ato stërvitje që sipas tij do të duhej të zgjasnin dy javë por janë ndërprerë për pesë apo shtatë ditë.

    Pas kësaj, me kërkesë të ZPS-së, një pjesë e seancës ka vijuar e mbyllur për publikun ndërsa me hapjen e saj prokurorja Silvia D’Ascoli ka bërë të ditur se ishin duke folur për një qendër të ndalimit në Bajgorë.

    Prokurorja D’Ascoli: A kishit dijeni për ekzistencën e atij burgu që përpara se të merrnit pjesë në stërvitjen në Bajgorë?

    Dëshmitari: Isha në dijeni.

    Prokurorja D’Ascoli: Çfarë dinit për atë?

    Dëshmitari: Jo diçka mirë specifike, vetëm e kemi ditur që ekziston një qendër e ndalimit dhe kjo ka qenë e njohur për gjithë qytetarët.

    Prokurorja D’Ascoli: A ju kujtohet afërsisht se kur morët vesh për ekzistencën e qendrës së ndalimit në Bajgorë?

    Dëshmitari: Duhet me qenë vera e vitit ’98.

    Prokurorja D’Ascoli: A ju kujtohet si e morët vesh?

    Dëshmitari: Kryesisht në bazë të gojëdhënave.

    Prokurorja D’Ascoli: A ju kujtohet se prej kujt apo me kënd, e keni diskutuar, apo prej kujt e keni marrë vesh?

    Dëshmitari: Temat të cilat neve na kanë preokupuar si sidomos në vitin ‘98. Një prej temave që është bërë diskutimi më i madh ka qenë se si të mbijetojmë, si të sigurojmë ushqim apo si të gjendemi në rrethana të ndryshme në situatën të cilën jemi kanë si popullatë, një prej temave ka qenë edhe kjo, se ekziston një qendër e ndalimit në Bajgorë.

    Sipas dëshmitarit, objekti në fjalë nuk ka qenë i fshehur për publikun.

    “Nuk ka qenë një objekt i fshehur për publikun, ka qenë një objekt i ditur për publikun, në rrugën ku ka qenë objekti, me sa e kujtoj ka qenë e qasshme prej rrugës kryesore, ka kalu andej gjithë popullata civile. Për ne si qytetarë ka qenë e njohur për disidentë, apo edhe për njerëzit të cilët kanë shfrytëzuar momente të vështira të qytetarëve, plaçkitje, apo vjedhje të ndryshme. Ka qenë kryesisht e njohur për njerëz që kanë bashkëpunuar me armikun, të njohur si kolaboracionistë apo zhanrit popullor spiunë”, ka thënë dëshmitari.

    Ndërsa i pyetur se kush konsiderohej kolaboracionist, dëshmitari ka thënë se bëhet fjalë për ata që kanë punuar për serbët.

    Prokurorja D’Ascoli: Sa i takon burgut, qendrës së ndalimit në Bajgorë, a dini gjë nëse në atë qendër ndalimi mbaheshin të mbyllur civil apo ushtarë?

    Dëshmitari: Po, ka pasur civilë.

    Pas kësaj, seanca është mbyllur për publikun.

    E në fillim të kësaj seance, kryetari i trupit gjykues Charles Smith, ka bërë të ditur se kanë vendosur të ndryshojnë urdhrin e 23 marsit, përmes së cilit kishin pranuar një dokument në tërësinë e tij, tani duke e pranuar vetëm në pjesët përkatëse që do të përdorë mbrojtja e Veselit.

    Kjo është vendosur në bazë të parashtrimeve të mbrojtjes së Veselit, përmbushjes së kritereve të rregullës 154 dhe nuk ka pasur kundërshtime nga palët.

    Ndërsa një çështje tjetër që është trajtuar në fillim të seancës ka pasur të bëjë me kërkesën e ZPS-së për riklasifikim të disa dokumenteve.

    Ndërsa çështja e tretë ishte mocioni i ZPS-së për të kufizuar praninë në sallën e gjyqit.

    Trupi gjykues ka vendosur që mbrojtja të përgjigjet për këtë më së largu deri në fund të orarit të punës më 15 qershor.

    Gjithashtu, nëse ZPS ka kundër-përgjigje, duhet të bëjë parashtrime deri në fund të orarit të punës më 16 qershor.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020

  • Hapet ekspozita me fotografi të realizuara 33 vite më parë

    Hapet ekspozita me fotografi të realizuara 33 vite më parë

    Është hapur ekspozita personale e Hazir Rekës me fotografi të realizuara 33 vite më parë. Hazir Reka derisa foli rreth kësaj ekspozite, ai tha se kjo ekspozitë është hapur për nder të Ditës së Çlirimit të komunës së Prishtinës.

    Tutje, ai përmendi se si pjesë e kësaj ekspozite është edhe koha kur në vitin 1990, qindra njerëz me flamuj të Amerikës, kishin dalur që ta presin senatorin amerikan Bob Dole dhe zyrtarë tjerë në qendër të Prishtinës.

    Sipas rrëfimit të Rekës, kjo kishte qenë hera e parë që në Kosovë kishte ndodhur një vizitë aq e rëndësishme për shqiptarët.

    Reka thotë që Policia serbe ishte munduar t’i shpërndajë me dhunë demonstruesit që kur të vijnë kongresmenët ta gjejnë sheshin të zbrazët, por kishin hasur në rezistencën e shqiptarëve.

    “Është pritur shumë mirë edhe nga mysafirët që kanë qenë këtu, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës. Kjo është një ekspozitë që është realizuar para 33 vitesh, kur ka ardhur një delegacion amerikanë, të cilët janë takuar me liderët shqiptar. Ideja që e kam realizuar ekspozitën këtu është se pikërisht në këtë vend janë zhvilluar takimet e ndërsa jashtë këtij vendi janë bërë edhe demonstratat e ndodhur po atë ditë kur polica serbe, ideja e tyre ka qenë me pastrua sheshin që mos me pa asnjëri aty”, tha ai.

    Reka nën emocione përmendi edhe fotografinë e tij të shkrepur kur para hotelit “Grand” policia serbe kishte ndërhyrë brutalisht, duke shpërndarë turmën, por Faik Rexhepi nuk kishte luajtur vendi.

    “Shihet këtu edhe Faik Rexhepi që është ulë aty, këmbëkryq, i ka kapë për pantollonave njerëzit përreth dhe ka insistu me i ulë krejt në shesh. Si më duket e ka pas një ide që me u ulë krejt në shesh”, shtoi ai.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Dëshmitari i tetë fillon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Dëshmitari i tetë fillon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Dëshmitari i tetë me kodin 04323 do të fillojë dëshminë e tij të hënën, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Paraprakisht, nga ana e trupit gjykues janë trajtuar tri çështje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith bëri të ditur se kanë vendosur që të ndryshojë urdhrin me gojë të 23 marsit me të cilin kishin pranuar një dokument në tërësinë e tij, duke e pranuar tani vetëm në pjesët përkatëse që do të përdor mbrojtja e Veselit.

    Kjo është vendosur në bazë të parashtrimeve të mbrojtjes së Veselit, përmbushjes së kritereve të rregullës 154 dhe që nuk ka pasur kundërshtime nga palët.

    Çështja e dytë kishte të bënte me kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) për riklasifikim të disa dokumenteve.

    Gjykatësi pyeti mbrojtjes dhe se askush nuk e kundërshtoi kërkesën për riklasifikim të ZPS-së.

    Kurse, lidhur me çështjen e tretë e cila ishte mocioni i ZPS-së për të kufizuar praninë në sallën e gjyqit, trupi gjykues vendosi që mbrojtja të përgjigjet lidhur me këtë më së largu deri në fund të orarit të punës më 15 qershor dhe nëse ZPS ka kundër-përgjigje, këtë ta parashtrojë deri në fund të orarit më 16 qershor.

    Seanca po vazhdon në sesion privat.

    Ndryshe, në seancën e sotme të pranishëm në sallë të gjykimit janë të gjithë të akuzuarit.

    Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

    Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

    Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

    Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

    Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Rama: Pa aleatët strategjikë s’do të kishte Republikë të Kosovës

    Rama: Pa aleatët strategjikë s’do të kishte Republikë të Kosovës

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kujtuar sot 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës nga forcat serbe.

    Kryeministri Rama në Twitter ka shkruar se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë.

    “Si sot e gati çerek shekulli më parë, hyrja e NATO-s në Kosovë u rikujton të gjithëve, se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, miq të mirë në ditët më të këqija, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë! Zoti i bekoftë aleatët tanë!”, ka shkruar Rama Twitter.

    Ndërsa, 24 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

    Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.