ATV

Author: G.O.

  • Detaje të reja nga nëndetësja e zhdukur pranë rrënojave të Titanikut

    Detaje të reja nga nëndetësja e zhdukur pranë rrënojave të Titanikut

    Ekipet e kërkimet amerikane dhe kanadeze po luftojnë me kohën, për të gjetur një nëndetëse me turistë që është zhdukur në thellësitë e Atlantikut, që prej të dielës.

    5 vetë në bord kanë humbur çdo kontakt me botën jashtë, 1 orë e 45 minuta pasi nëndetësja është zhytur në ujë. Operacioni vijon prej 24 orësh, por deri tani nuk ka asnjë gjurmë të tyre.

    Sipas ekipeve të kërkimit, pas të dielës, 5 personat në bord kanë vetëm 4 ditë oksigjen, që do të thotë edhe 3 të mbetura. Mes tyre, në bord është edhe biznesmeni miliarder britanik, Hamish Harding. Ky i fundit ishte mes 3 turistëve të tjerë, që kishin paguar biletën 250 mijë dollarë për t’u zhytur e për t’i parë sa më nga afër rrënojat e Titanikut.

    Nëndetësja ndiqet nga pas edhe nga një nëndetëse më e vogel dhe në çdo rast mund të shkëmbejë mesazh me këtë të fundit, por kurrsesi nën ujë nuk mund të ketë komunikim me GPS apo edhe përmes radios.

    Kompania “OceanGate” është e vetmja deri më sot që ofron 3 nëndetëse të afta për t’u zhytur mjaftueshëm në ujërat e Atlantikut për të parë nga afër Titanikun. Nëndetësja peshon 10 ton dhe mund të zhytet deri në 4000 metra. Ky është misioni i parë i “OceanGate” për këtë vit, ndërsa për 2024 janë parashikuar edhe 2 udhëtime të tjera 8-ditore në rrënojat e Titanikut.

  • Dita Botërore e Refugjatëve, Haradinaj: Shqiptarët më së miri e dinë ndjenjën e largimit me forcë nga atdheu

    Dita Botërore e Refugjatëve, Haradinaj: Shqiptarët më së miri e dinë ndjenjën e largimit me forcë nga atdheu

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se shqiptarët e dinë më së miri ndjenjën e largimit me forcë nga atdheu.

    Kështu ka thënë Haradinaj me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve.

    “Dita Botërore e Refugjatëve na rikujton përpjekjen e okupatorit serb për spastrimin etnik duke deportuar me forcë miliona shqiptarë nga Kosova gjatë Luftës Çlirimtare 1998-1999, por edhe deportimin e qindra mijëra të tjerë anekënd botës nga zonat e luftës”, është shprehur Haradinaj.

    Haradinaj ka falënderuar të gjithë ata që strehuan familjet shqiptare në ditët më të vështira.

    “Shqiptarët më së miri e dinë ndjenjën e largimit me forcë nga atdheu…Falënderues përjetësisht ndaj të gjithë miqve tanë kudo nëpër botë që strehuan familjet shqiptare në ditët më të vështira”, ka thënë Haradinaj.

  • Ferizaj: Vdes një punëtor pasi bie nga lartësia

    Ferizaj: Vdes një punëtor pasi bie nga lartësia

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një burrë ka vdekur në vendin e tij të punës pasi ka rënë nga një lartësi në rrethana të panjohura.

    Ngjarja ka ndodhur të hënën, më 19 qershor 2023 në Ferizaj.

    Sipas raportit 24-orësh policor, viktima është dërguar për tretman ku mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës.

  • Mërgimtari nga Zvicra zhduket pasi zbriti në aeroportin “Adem Jashari”

    Mërgimtari nga Zvicra zhduket pasi zbriti në aeroportin “Adem Jashari”

    Një person, me vendbanim në Zvicër, ka zbritur me 18 qershor në aeroportin “Adem Jashari” dhe që nga ajo ditë, nuk dihet më për vendndodhjen e tij.

    “PERSON I ZHDUKUR/ANP- Adem Jashari 18.06.2023-14:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se personi mashkull kosovar me vendbanim në Zvicër më datën 18.06.2023 ka zbritur në ANP “Adem Jashari” dhe më nuk dihet për vendndodhjen e tij”, njoftoi Policia e Kosovës.

    Tutje Policia njoftoi se rasti është në procedurë hetimore.

  • Kryeqyteti nis aksionin për dërgimin e qenëve endacak në strehimore

    Kryeqyteti nis aksionin për dërgimin e qenëve endacak në strehimore

    Të hënën në mbrëmje, si vazhdim i veprimeve të shumta për trajtimin e qenëve endacak,  Kryeqyteti me vendim të kryetarit, Përparim Rama, ka nisur aksionin për largimin e këtyre kafshëve nga rruga dhe dërgimin e tyre në strehimore të licencuar nga agjencia e veterinës dhe ushqimit, ku do të trajtohen si duhet dhe përgatiten më pas për adoptim.

    Nisjen e këtij aksioni e kanë përcjellë drejtori për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica dhe këshilltarët Bajram Gecaj e Pëllumb Bajçinovci.

    ” Ky aktivitet do të vazhdojë për ditët në vazhdim. Qëllimi është që qentë të largohen nga rruga dhe të vendosen në strehimore të licensuar nga AVUK-u, ku do të trajtohen në mënyrë humane, dhe komuna do të vazhdojë të subvencionojë këtë strehimore për qentë që do t’i mbajë, ku do t’i përgatisim edhe për adoptim” ka deklaruar Fushtica.

    Komuna po ashtu është duke e përgatitur rregulloren për trajtimin e qenëve endacak, ku përfshihet edhe mënyra se si mund të adoptohet një qen i tillë, të cilin do ta trajtojë falas në çfarëdo kohe veterinari i Kryeqytetit në qendrën për trajtimin e tyre e cila gjendet në Hajvali të Prishtinës dhe do të hapet së shpejti.

    “Do t’i subvencionojmë edhe qytetarët që janë të interesuar të adoptojnë qentë. Një person që e merr një qen do të subvenciohohet me 50 euro në muaj. Qytetarët mund t’i marrin deri në 5 qenë” ka deklaruar drejtori për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica.

    Kryeqyteti është duke ndërmarrë veprime të shumta për trajtimin e qenëve endacak, ku deri tani janë ndarë 1 milion e 300 mijë euro.

  • Dy çmime u ndan në Tiranë për nxënësit nga Kosova

    Dy çmime u ndan në Tiranë për nxënësit nga Kosova

    Në festivalin mbarëkombëtar “Jehona shqiptare” që u mbajt këtë të diel në Tiranë dy nxënës të shkollës “Abedin Bujupi”, në Drenas, Verena Gashi dhe Nektor Kuqi u shpërblyen me dy çmime.

    Derisa dy të rinjtë ishin pjesë e programit të mëngjesit “Alarm” në ATV, ata treguan për këtë eksperiencë të tyre jashtë Kosovës.

    Verena Gashi tregoi se u nderua me çmimin e parë për recitimin më të bukur, ndërsa  Nektor Kuqi mori çmimin e tretë për interpretimin instrumental më të bukur.

    “Unë jam paraqitur me poezin”Gjuha shqype” nga shkrimtari i madh Gjergj Fishta, e cila në vete ka pasur atë mesazhin që të ruhet gjuha shqipe, që është një simbol i shqiptarëve. Më ka pëlqyer që kemi qenë përfaqësues të Kosovës në një vend tjetër por që na ka bashkuar një traditë e kulturë e përbashkët”, tha Venera.

    “Nga mosha 4-vjeçare kam filluar të këndojë me çifteli, pastaj kam filluar të këndojë në program të shkollës, e që përkrahje të madhe kam pasur nga mësmdhënësja ime. Kjo ka qenë hera e parë që kemi marr pjesë në festivale ndërkombëtare, por natyrisht kam qenë fitues edhe në festivale më të vogla si ato në nivele komunale”, tha Nektori.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Sot dëgjohet dëshmia e radhës në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve

    Sot dëgjohet dëshmia e radhës në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve

    Menjëherë pasi dëshmitari i dhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) e përfundoi dëshminë, filloi të dëgjohet dëshmitari i radhës në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve. Edhe në këtë rast po aplikohen masa mbrojtëse duke mos e shfaqur në publik identitetin e tij.

    Pyetjet e para të prokurorit James Pace vijuan në seancë private, meqë siç tha ai, kanë të bëjnë me identitetin e dëshmitarit.

    Ai prezantoi disa dokumente në ekranin e gjykatores, por të njëjtat nuk janë bërë publike.

    Dëshmitarit iu shfaq edhe deklarata që e kishte dhënë për UNMIK-un në vitin 2003 si dhe ajo e për ZPS-në në vitin 2022.

    Ai konfirmoi nënshkrimet e tij në këto dokumente derisa tha se është i hapur të përgjigjet për ngjarjet e vitit 1998-1999.

    Pas kësaj seanca përfundoi për të vazhduar nesër me dëshminë e këtij dëshmitari i cili mban kodin 3811.

    Dëshmia e tij pritet të dëgjohet për një ditë e gjysmë.

    Paraprakisht është dëgjuar dëshmitari 3540 i cili ka folur për periudhën e vitit 1998 kur edhe pretendon se ishe ndaluar nga UÇK.

    Ai ka thënë se ka punuar roje pylli kur sipas tij ishte ndaluar nga ushtarë të UÇK-së.

    Fillimisht ai nuk ka thënë se ka dhënë informata për UÇK-në te autoritetet serbe por më pas mbrojtja e Thaçit, Gregory Kehoe e ka përballur atë me deklaratën që vet e kishte dhënë për ZPS-në ku thuhej se kishte informuar Serbinë për aktivitetet e UÇK-së.

    Dëshmia ka përfunduar brenda ditës dhe është dhënë kryesisht në seancë të hapur për publikun, por me masa mbrojtëse duke mos shfaqur identitetin e tij.

    Pas përfundimit të dëshmisë së tij, kryegjykatësi Charles Smith ka urdhëruar ZPS-në që t’i jap trupit gjykues, palëve dhe pjesëmarrësve, listën e 12 dëshmitarëve nga lista e 40 prej tyre dhe ta dorëzojë këtë deri të premten, 30 qershor 2023 në orën 16:00

    Ai ka thënë se ZPS duhet gjithashtu të jap një listë të pesë dëshmitarëve që do të jenë në pritje përveç 12 dëshmitarëve të parashikuar.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

    Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

  • Fshati grek ku “ligjin” e bëjnë gratë

    Fshati grek ku “ligjin” e bëjnë gratë

    Në Greqi gjenden më shumë se 3.000 ishuj, shumica e të cilëve nuk janë të banueshëm pavarësisht bukurive përrallore që kanë, por kur vije puna se si funksionojnë njerëzit brenda këtyre ishujve kurioziteti ynë rritet më shumë.

    Një vend i tillë si ishulli Kerpe në Greqi na tërheqë vëmendjen nga të gjithë ishujt e tjerë atje pasi për shumë vite gruaja është përcaktuese e jetës, ka role dominuese në ceremonitë fetare, strukturën familjare dhe madje edhe në menaxhimin e bizneseve.

    Përveç bukurisë së tij, ishulli Kerpe në Greqi qeveriset nga një sistem i lashtë: matriarkati. Në një botë ku ka patriarkat në përgjithësi, një shoqëri matriarkale është jashtëzakonisht e rrallë.

    Olimpi, një fshat i qetë, shtrihet midis dy maleve. Fshati, i cili është i mbrojtur mirë nga sulmet për shkak të vendndodhjes së tij gjeologjike, ka qenë shtëpia e shumë refugjatëve. Në fakt, deri në vitet 1980 ishte pothuajse e pamundur të arrije në fshat.

    Gratë në këtë fshat drejtojnë të gjitha kuzhinat. Jo vetëm në shtëpitë e tyre, por edhe në restorante publike. Përveç kësaj, ndërsa gratë veshin rroba tradicionale për ceremonitë fetare, burrat mund të marrin pjesë në ceremoni me rrobat e tyre të përditshme.

    Gratë duket se janë guri i themelit të familjes. Jetesa e familjes dhe transmetimi i traditave janë tërësisht nën përgjegjësinë e tyre. Në fshat, pas vdekjes së një nëne, trashëgimia e saj kalon te vajza e saj e madhe. Kjo është një traditë nga koha bizantine dhe sistemi ruhet ende si i tillë.

    Ndërsa në pjesën tjetër të botës është më e zakonshme që gratë të shpërngulen te burrat e tyre në rast të martesës, situata në këtë fshat është e kundërta. Në rast martese, burrat bashkohen me gratë.

    Gratë e fshatit i drejtohen njëra-tjetrës duke përdorur emrat e vajzërisë, jo emrat e burrave të tyre. Kjo strukturë matriarkale në fshat u shfaq dikur për shkak të kushteve të detyrueshme kur të gjithë burrat u nisën për në luftë dhe braktisën fshatin, duke i lënë gratë të vetme./atvlive.tv/

  • ​Pesë raste të dhunës në familje për një javë në regjionin e Ferizajt

    ​Pesë raste të dhunës në familje për një javë në regjionin e Ferizajt

    Në Policinë Rajonale të Ferizajt gjatë javës që shkoi, janë raportuar 5 raste të dhunës në familje, prej tyre 3 raste në Ferizaj, 1 rast në Kaçanik dhe 1 rast në Shtime.

    Sipas Policisë, me vendim nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, 5 persona janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.

    Policia Rajonale e Ferizajt thotë se rastet e dhunës në familje i ka trajtuar në mënyrë profesionale nga policë primarë të stacioneve dhe hetues rajonal të Njësisë së Dhunës në Familje.

    “Policia apelon tek qytetarët që të raportojnë rastet e dhunës në familje dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë. Për të gjitha rastet e dhunës në familje të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406”, thuhet në njoftim.

  • Moti për sot dhe nesër me Diellza Dakën

    Moti për sot dhe nesër me Diellza Dakën

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot me diell.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 14 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 30 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 15 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prishtinë 29 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 34 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme: