ATV

Author: G.O.

  • “Ulkonja e Moravës”, kampione e botës në Muay Thai

    “Ulkonja e Moravës”, kampione e botës në Muay Thai

    Shqiptarja Joana Kiptiu e cila ndryshe njihet si “Ulkonja e Moravës” dhe mban gjithsej 6 tituj në Muay Thai, pas tre dite ka ndeshjen në Francë, për titullin kampion Evrope.

    Në një intervistë virtuale për emisionin e mëngjesit ”Alarm”, në ATV, ajo foli për përgatitjet që po bënë si dhe synimet në karrierë.

    “Ndeshja do të zhvillohet në Francë dhe kundërshtarja është franceze dhe ajo është kampione momentalisht. Normalisht është sfiduese por unë i pëlqej sfidat dhe për këtë arsye edhe e kam zgjedhur këtë sport, që natyrisht kam pasur mbështetjen e familjes, posaçërisht të mamit tim. Jam gjithmonë aktive, nuk shkëputen asnjëherë nga stërvitja dhe për këtë ndeshje kam gati një muaj që po stërvitem dhe e kam studiuar këtë kundërshtare me të gjithë profesorët e mi”, tha ajo.

    “Kam një qellim që në një të ardhme të afërt të shkojë në Thailand, atje ku ka lindur ky sport dhe të ndeshem atje”, shtoi tutje ajo.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • ​Policia arreston shtatë të dyshuar për kontrabandë me emigrantë

    ​Policia arreston shtatë të dyshuar për kontrabandë me emigrantë

    Policia e Kosovës njofton se kanë arrestuar shtatë të dyshuar për veprën penale ‘kontrabandim me migrantë’.

    Siç njofton policia, dyshohet se personat e arrestuar kanë organizuar kontrabandën me emigrantë duke përdorur Kosovën si vend transit.

    “Zyrtarë policorë nga Sektori i Hetimeve-Departamenti i Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore-Prizren, kanë arrestuar shtatë të dyshuar për veprën penale ‘kontrabandim me migrantë’. Dyshohet se personat e arrestuar kanë organizuar kontrabandën me emigrantë duke përdorur Kosovën si vend transit”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Sipas policisë të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje.

  • Komandanti i KFOR-it: Në veri shmangëm një masakër, i shpëtuam 15 policë të Kosovës

    Komandanti i KFOR-it: Në veri shmangëm një masakër, i shpëtuam 15 policë të Kosovës

    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia ka thënë se falë profesionalizmit të pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s, në veri “u shmang një masakër”.

    “Ne arritëm t’i shpëtojnë 15 policë të bllokuar në turmë”, tha Ristuccia në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve, AGI.

    “Arsyeja pse situata nuk u përshkallëzua (më 29 maj) ishte fakti që ishim të përgatitur shumë mirë. Ushtarët tanë vepruan shumë, shumë profesionalisht. Dhe dëshiroj ta shpreh mbështetjen time të plotë për të plagosurit tanë dhe familjet e tyre. Ata vepruan aq profesionalisht, saqë mundën ta menaxhonin forcën që të mos përshkallëzohej situata, kështu shpëtuam 15 policë të Kosovës, penguam të dy palët të përplaseshin, përndryshe do të duhej të merreshim me një problem tjetër krejtësisht të ndryshëm”, tha Ristuccia.

    Ndërkohë që KFOR-i pritet të përforcohet dhe ta rrisë praninë në Kosovë, komandanti Ristuccia tha se janë gati të përballen “me çdo lloj rrethane”.

    “Ne synojmë të përballemi me çdo lloj rrethane dhe për këtë kemi marrë forca shtesë. Ne nuk reagojmë, ne veprojmë, jemi të organizuar, të trajnuar dhe të pajisur për t’i përballuar të gjitha sfidat që lidhen me kryerjen e detyrës. Për këtë, falë përgatitjes së ushtarëve tanë, ne kemi mundur që më 29 maj të parandalojmë që situata të përshkallëzohet më tej dhe të vajtojmë për të vdekurit në terren”, ka përsëritur ai.

    “Unë theksoj se shumica e njerëzve demonstruan në mënyrë paqësore. Ky akt frikacak i dhunës kundër ushtrisë sonë u krye nga një numër i vogël ngatërrestarësh të dhunshëm që përdorën çdo mjet për të bërë dëm, përdorën mjete ofendimi deri në kufirin vdekjeprurës”, tha Ristuccia.

    Aktualisht “situata është shumë komplekse, e tensionuar dhe e paqëndrueshme. Këto ditë në dukje është e qetë, por mbetet shumë e paqëndrueshme. Hera e fundit që kanë ndodhur incidente të tilla ishte në vitin 2004. Prandaj, në të kaluarën janë arritur shumë rezultate pozitive, dhe fakti se numri i trupave të KFOR-it ka rënë në mënyrë drastike nga viti 1999 deri në vitin 2023 tregon qartë se janë arritur shumë rezultate. Megjithatë, për fat të keq, dinamika aktuale na bën shumë, shumë të shqetësuar për këto rezultate. Ne kemi nevojë që të dyja palët të qetësojnë menjëherë tensionet, për të gjetur zgjidhje vetëm me politikë dhe diplomaci”, saktësoi Ristuccia.

    Vendimi për rritjen e trupave të NATO-s në Kosovë, Ristuccia tha se u mbështet në “një vlerësim ushtarak”, përveçse politik.

    Në fakt e vetmja rrugë mbetet ajo politike, tha Ristuccia.

    “E vetmja mënyrë për të de-përshkallëzuar varet nga vullneti politik i të dyja palëve. Nga pikëpamja ushtarake, puna jonë është të krijojmë hapësirë ​​për negociatorët nga të dyja palët dhe për të gjithë të përfshirët në procesin e paqes, që ata të kthehen në dialog… Të promovojë zgjidhje paqësore. Pra zgjidhje tjetër në këtë moment nuk ka. Sepse e vetmja rrugë për zgjidhjen e situatës është vendimi politik, i cili bazohet në vullnetin e të dyja palëve për normalizimin e situatës, por para së gjithash për zbutjen e tensioneve”, nënvizoi ai.

    “Të gjithë njerëzit, pavarësisht nga feja, etnia, prejardhja, kultura e tyre kanë nevojë që situata të mos përkeqësohet më tej. Unë mendoj se 99.9% e njerëzve këtu në Kosovë duan të jetojnë në paqe. Dhe mendoj se është gjithashtu në interes të të dyja palëve për të zgjidhur situatën. Kjo është arsyeja pse unë përsëri u bëj thirrje të dyja palëve që ta shmangin çdo retorikë të panevojshme dhe t’i adresojnë këto sfida në tryezën e negociatave, e cila është e vetmja mënyrë për të zgjidhur situatën. Kjo nuk i sjell dobi askujt”, shtoi ai.

    Kur ka tension, ai tha se “të interesuarit për të krijuar kaos shfrytëzojnë çdo lloj situatë”. Por, shtoi se “ne jemi këtu për ta shmangur këtë dhe të gjithë janë plotësisht të përkushtuar që situata të mos përshkallëzohet”.

    “Problemet me të cilat përballemi këtu lidhen më shumë me dinamikën e brendshme sesa me dinamikën e jashtme. I gjithë komuniteti ndërkombëtar duhet të kuptojë se gjithçka që po ndodh këtu lidhet me llojin e marrëdhënieve midis dy palëve që duhet të normalizohen. Askush nuk mund t’i zgjedhë fqinjët, por duhet ta gjejë zgjidhjen më të mirë për të jetuar në paqe me fqinjët, është një çështje politike, një problem politik”, nënvizoi sërish komandanti i KFOR-it.

    Në fund, ai tha se Evropa s’ka nevojë për kriza të reja, sidomos tani.

    “Është e natyrshme që në Europë nuk kemi nevojë për kriza të tjera përveç asaj vërtet të vështirë me të cilën po përballet bota dhe që ka pasur efektet e saj 360 gradë në të gjitha fushat, nga ekonomia, siguria, deri te marrëdhëniet ndërkombëtare. Prandaj, pavarësisht se çfarë ka ndodhur në Ukrainë, një Kosovë stabile dhe një zonë stabile ballkanike janë në interesin e të gjithëve në Europë, veçanërisht në një kohë si kjo”, përfundoi Ristuccia.

  • Sot Dita Ndërkombëtare e Muzikës, në kryeqytet organizohen një sërë aktivitetesh

    Sot Dita Ndërkombëtare e Muzikës, në kryeqytet organizohen një sërë aktivitetesh

    Sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzikës, në kryeqytet do të ketë një sërë aktivitetesh.

    Lidhur me disa nga këto aktivitete, ka folur profesoresha Besa Luzha, njëherësh edhe përfaqësuese e këshillit të operës së Kosovës, me ç’rast ajo përmendi se nga organizimi i një koncerti që mbahet nesër, të gjitha të hollat do të ofrohen për mësimin parashkollor, për fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

    “Opera e Kosovës ka organizuar një takim që fillon në ora 11;00 në bibliotekën kombëtare, ku do të promovohet një libër apo për të thënë një monografi për Nikolin Gurakuqin, i cili është një regjisor i shquar i operës në Shqipëri. Në anën tjetër, nesër  do të mbahet një koncert “Muzika na bashkon”, që përmes tij jemi munduar që ta lidhim me një kauzë humanitare, pra të ardhurat nga shitja e biletave do të shkojnë në qendrën “Azure” në Fushë-Kosovë, qendër kjo e cila do të ofrojë mësim parashkollor për fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, andaj ftojmë të gjithë të interesuarit që të kontribuojnë”, tha ajo./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Drenas: Ofendoi një grua, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Drenas: Ofendoi një grua, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Është arrestuar një person në Drenas pasi dyshohet se e ka ofenduar një grua.

    Policia njoftoi se i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

    “Gllogoc 20.06.2023-20:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka ofenduar viktimën femër kosovare. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit ,viktima është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është dërguar ne mbajtje.”

  • Sulmohet një person në Fushë-Kosovë, dërgohet në QKUK

    Sulmohet një person në Fushë-Kosovë, dërgohet në QKUK

    Një burrë ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht me mjet të mprehtë nga një person.

    Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK.

    “LËNDIM I LEHTË TRUPOR- Rr. Hajrullah Zymi, Fushë Kosovë 20.06.2023-18:00. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se pas një mosmarrëveshje , është sulmuar fizikisht me mjet të mprehte, nga një i dyshuar i panjohur. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Rasti në procedurë hetimore”.

  • Bërnabiq kërkon “ndihmë” nga BE për parandalim të arrestimit të serbëve në Kosovë

    Bërnabiq kërkon “ndihmë” nga BE për parandalim të arrestimit të serbëve në Kosovë

    Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, u kërkoi mbrëmë liderëve të Bashkimit Evropian “që të tregojnë se qëndrojnë pas parimit të sundimit të ligjit, pra respektimit të plotë të marrëveshjeve ndërkombëtare”, si dhe përfundimisht, zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Unë po ju kërkoj që të parandaloni arrestimin dhe ndalimin e njerëzve “të pafajshëm vetëm për shkak se janë serbë”, që të mos i nënshtrohen torturave vandale derisa janë në paraburgim dhe derisa as familjet e tyre dhe as përfaqësuesit e tyre ligjorë nuk mund t’i kontaktojnë ata”, ka thënë Bërnabiq, duke pretenduar se “një sjellje e tillë në tokën e kontinentit evropian nuk duhet të jetë e pranueshme në shekullin XXI”.

    Ajo u kërkoi “miqve evropianë” të ndihmojnë në ruajtjen e paqes në rajon.

    “Unë po ju kërkoj, të dashur miq nga BE, të na ndihmoni të ruajmë paqen, sepse paqja është pasuria më e rëndësishme evropiane. Ju gjithmonë do të keni një bashkëbisedues “të besueshëm” në Beograd”, ka thënë ajo në pritjen zyrtare para fillimit të “Javës së Mundësive të BE-së” që e organizoi Delegacioni BE-së në Serbi.

  • Lajçak i vazhdon takimet në Washington, ShBA-ja në mbështetje të planit të BE-së për veriun

    Lajçak i vazhdon takimet në Washington, ShBA-ja në mbështetje të planit të BE-së për veriun

    Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland, ka bërë të ditur se është takuar me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

    Ajo ka theksuar se ata biseduan për zhvillimet në veri dhe se bashkë me Lajçak kërkojnë që të ulen sa më shpejtë tensionet në veri.

    “Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ndalojnë tensionet menjëherë dhe të fillojnë zbatimin e angazhimeve nga Marrëveshja e Ohrit”.

    “Ne vazhdojmë të mbështesim planin trepikësh të BE-së si mënyra më e mirë për zgjidhjen e krizës”, ka thënë Nuland.

    Lajçak ka shkruar në Washigton me ftesë të amerikanëve për të zhvilluar takime lidhur me gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e veriut.

    Dje gjatë ditës ai e ka ripërsëritur thirrjen e tij bashkë me të dërguarin e ShBA-së, Gabriel Escobar, që të lirohen tre policët e kidnapuar nga Serbia, si dhe të ndalen tensionet në veri.

  • BE dhe Ballkani Perëndimor: Njëzet vjet ëndrra dhe shpresa

    BE dhe Ballkani Perëndimor: Njëzet vjet ëndrra dhe shpresa

    – Deklaratë e përbashkët e Presidentes së Sllovenisë Dr. Nataša Pirc Musar, Kryeministrit të Sllovenisë Dr. Robert Golob dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovenisë ,Tanja Fajon –

    Sot, më datë 21 qershor, shënojmë 20-vjetorin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Selanik. Në këtë ngjarje historike, Bashkimi Evropian dhe më pas shtetet anëtare dhe kandidatët potencialë nga Ballkani Perëndimor iu përkushtuan njëri-tjetrit. BE-ja u angazhua për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, ndërsa shtetet e rajonit miratuan vlerat e përbashkëta: të demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave, solidaritetit dhe ekonomisë së tregut. Konkluzionet e samitit mbeten një premtim i qëndrueshëm për të gjithë ne – BE-në dhe shtetet e saj anëtare, përfshirë Slloveninë, si dhe Ballkanin Perëndimor.

    Sllovenia vlerëson këtë samit, pasi dha shpresë për stabilizimin e rajonit pas viteve me luftëra, paqëndrueshmëri politike dhe stanjacion ekonomik që pasoi shpërbërjen e Jugosllavisë. Mundësoi fillimin e ëndrrës për një të ardhme evropiane që çon në ndryshime pozitive: rritje të prosperitetit, integrim më të mirë dhe përforcimin e lidhjeve mes njerëzve.

    Në njëzet vitet e fundit, përmes bashkëpunimit të ndërsjellë është arritur shumë. Ballkani Perëndimor në përgjithësi është më i qëndrueshëm. Vendet e rajonit sot gëzojnë përfitimet e regjimit pa viza si dhe rajoni që atëherë ka përparuar dukshëm në aspektin ekonomik. BE-ja deri tani është donatori dhe investitori më i madh në rajon. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor gravitojnë natyrshëm drejt njëri-tjetrit.

    Sllovenia është mbështetëse e fortë e procesit të zgjerimit brenda Bashkimit Evropian. Partnerët tanë të Ballkanit perëndimor janë ndihmuar duke ju ofruar mbështetje politike dhe praktike. Proceset që kanë të bëjnë me zgjerimin e rajonit ndihmohen në çdo mënyrë. Kjo është politikë afatgjate e Sllovenisë që nuk do të ndryshojë.

    Megjithatë, shumë mundësi janë humbur nga të dyja palët. Entuziazmi fillestar në Ballkanin Perëndimor sa i përket reformave, si duket gjatë dy dekadave të fundit, pjesërisht është zbehur. Prandaj, drita në fund të tunelit drejt anëtarësimit në BE duket më larg nga sa shpresonim të ishte në këtë pikë. Në të njëjtën kohë, BE-ja po përballet me sfidat e saja dhe zgjerimi nuk është gjithmonë prioriteti i saj. Fakti që BE-ja është e detyruar të merret me pasojat e luftës në Ukrainë, kërkon një reflektim të ri të përgjithshëm mbi qasjen ndaj procesit të zgjerimit të BE-së. Besojmë se është më se e qartë se procesi i zgjerimit është në thelb zgjedhje strategjike, jo vetëm detyrë teknike. Gjithsesi, zgjerimi i mëtejshëm duhet të ndjekë vizionin themelor të procesit të integrimit evropian, i cili bazohet në solidaritetin dhe arritjet reale të kandidateve. Janë të nevojshme vendime të guximshme politike.

    Mesazhet tona për rajonin, Evropën dhe botën janë të qarta. Së pari, BE-ja është objektivisht zgjedhje shumë e mirë për rajonin, por u takon vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin për të ardhmen e tyre. Së dyti, Sllovenia nuk ka interesa egoiste në rajon. Politika jonë drejtohet nga solidariteti ndaj vendeve dhe njerëzve të Ballkanit Perëndimor. Sllovenia dëshiron atë që njerëzit duan: stabilitetin dhe sigurinë si parakusht të prosperitetit dhe përparimit ekonomik.

    Vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë aspirata për anëtarësim në BE, tani dhe në të ardhmen mund të llogarisin mbështetjen e Sllovenisë.

  • Dëgjohen zhurma nënujore në kërkim të nëndetëses së zhdukur

    Dëgjohen zhurma nënujore në kërkim të nëndetëses së zhdukur

    Operacioni për shpëtimin e pesë personave në bordin e nëndetëses së zhdukur në Oqeanin Atlantik është duke vijuar.

    Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes një postimi në Twitter, ka konfirmuar lajmet se avioni kanadez P-3 kapi zhurma nënujore në zonën e kërkimit.

    Si rezultat i këtyre zhurmave, Roja Bregdetare tha se tashmë operacioni ishte përqendruar te zona nga kishin ardhur zhurmat, por ende nuk ka rezultate.

    CNN raportoi se zhurmat ishin dëgjuar çdo 30 minuta nga zona ku ishte zhdukur nëndetësja. Zhurmat janë dëgjuar edhe katër orë pas herës së parë kur ishin diktuar nga ekipet e shpëtimit.

    Ekipet e kërkim-shpëtimit tashmë janë në luftë me kohën pasi, sipas llogaritjeve, personave në nëndetëse iu ka mbetur edhe pak orë deri në përfundim të oksigjenit.

    Nëndetësja e ka humbur komunikimin me operatorët të dielën, kur ka qenë në zonën jugore të Njufaundllendit në Kanada.Ajo i dërgon turistët në zonat e thella të Atlantikut për t’i parë pjesët e fundosura të Titanikut.

    Kompania OceanGate që mundëson këtë udhëtim, u kërkon pasagjerëve 250.000 dollarë për t’i parë nga afër pjesët e fundosura të anijes së famshme.

    Pjesëmarrësit udhëtojnë rreth 595 kilometra me një anije të madhe, përmbi Titanik, dhe më pas e nisin një zhytje tetorëshe me nëndetësen Titan, për të arritur në thellësi.